Normal view

Received — 7 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Japoni: Sjellja e turistëve anulon festivalin e sakurës

7 February 2026 at 13:58

 

JAPONI/ 7 shkurt/ATSH/ – Autoritetet lokale në qytetin e Fujiyoshidës, Japoni, kanë njoftuar anulimin e festivalit të njohur të lulëzimit të qershive pranë Malit Fuji, pas shqetësimeve të shumta të banorëve për fluksin e madh të turistëve dhe sjelljet e papërshtatshme gjatë edicioneve të mëparshme.

Festivali, i zhvilluar prej afro një dekade dhe që tërhiqte rreth 200 mijë vizitorë çdo pranverë, ishte bërë një nga atraksionet më të famshme të sezonit të sakurës. Por autoritetet thanë se, pavarësisht ndikimit ekonomik, ruajtja e rendit, sigurisë dhe jetës së qetë të komunitetit është prioritet.

Sipas njoftimeve të bashkisë, turistët kishin shkaktuar bllokime trafiku, ndotje me mbeturina dhe shqetësime të përditshme për banorët, madje në disa raste është raportuar hyrje pa leje në zona private, duke krijuar situata të papranueshme për komunitetin lokal.

Kryebashkiaku i Fujiyoshidës, Shigeru Horiuchi, deklaroi se vendimi u mor për të “mbrojtur dinjitetin dhe cilësinë e jetës së banorëve”, duke theksuar se fenomeni i mbipopullimit turistik ka kaluar kufijtë e menaxhimit normal.

Megjithatë, zona ikonike e parkut Arakurayama Sengen, e cila ofron pamjen e famshme të pagodës Chureito me malin Fuji dhe qershitë në lulëzim, pritet të vazhdojë të vizitohet edhe këtë pranverë, por pa aktivitetet e organizuara të festivalit.

Autoritetet u kanë bërë apel vizitorëve të respektojnë rregullat lokale dhe hapësirat e banorëve për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

The post Japoni: Sjellja e turistëve anulon festivalin e sakurës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Salla: Mbështetje rekord për bujqësinë gjatë këtij viti

2 February 2026 at 22:15

TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një takim dëgjese me fermerët e Dibrës, Klosit, Matit dhe Bulqizës, në kuadër të hartimit të Skemës Kombëtare 2026.

Gjatë bashkëbisedimit, fermerët parashtruan sugjerimet dhe nevojat e tyre konkrete, me synim orientimin e mbështetjes financiare drejt sektorëve ku nevoja është më e madhe.

Ministri Salla theksoi se viti 2026 do të shënojë një mbështetje rekord për bujqësinë, e cila do të jetë plotësisht në dispozicion të fermerëve, por do të kërkojë angazhim, aplikim dhe bashkëpunim në grupe, si pjesë e procesit të formalizimit të sektorit.

Ai bëri të ditur se mbështetja do të realizohet përmes subvencioneve direkte, skemave të granteve, garancisë shtetërore deri në 70 për qind dhe kompensimit të TVSH-së për të gjithë fermerët, për çdo produkt të shitur nga 1 janari 2026 e në vijim.

Sipas ministrit, dëgjesat me fermerët janë thelbësore për ndërtimin e një panorame të qartë mbi sfidat dhe potencialet e bujqësisë, në funksion të një skeme sa më efikase dhe gjithëpërfshirëse.

Më herët, ministri Salla, së bashku me deputeten e PS, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim në Baldushk me fermerët e qarkut Tiranë. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi sugjerimet dhe nevojat e fermerëve për adresimin dhe përdorimin sa më efikas të mbështetjes financiare.

Ministri vuri në dukje se Skema Kombëtare 2026 po hartohet mbi bazën e kontributit të drejtpërdrejtë të fermerëve, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve “Made in Albania” dhe ndërtimin e një bujqësie më të qëndrueshme, në përputhje me vizionin afatgjatë “Bujqësia 2030”.

/gj.m/j.p/

The post Salla: Mbështetje rekord për bujqësinë gjatë këtij viti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos

28 January 2026 at 15:13

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Blerta Xhomo me ekspozitën e saj “Light in the deep” sjell këtë fund janari në Galerinë FAB, një udhëtim “në brendësinë e njeriut” që kujton Danten, por të shprehur në mënyrë piktorike përmes një gjuhe që bashkon traditën e madhe të ekspresionizmit evropian me dramën e kompozimit barok.

Në ekspozitën “Light in the deep” (“Dritë në Thellësi”), Blerta Xhomo eksploron dualizmin në zemër të ekzistencës, të pazgjidhshëm të qenieve njerëzore midis dritës dhe hijes, të mirës dhe së keqes, materies dhe shpirtit, si dimensione kundërshtuese, por njëkohësisht thelbësore për arritjen e një ekuilibri më të lartë.

Teksti kuratorial i ekspozitës thotë se, qëllimi i këtij projekti, i përbërë nga një seri veprash të krijuara posaçërisht nga artistja, është të ofrojë një reflektim mbi kompleksitetin dhe kontradiktat e natyrës njerëzore, e cila mbetet vazhdimisht e ndarë mes dritës dhe hijes që e shoqërojnë në udhëtimin e saj, duke e bërë atë të pasigurt, të vështirë dhe të mbushur me rënie e fillime të reja.

Në disa vepra, dallohet edhe ndikimi futurist përmes vijave të fuqishme, që përcjellin ndjesinë e shpejtësisë dhe lëvizjes, të një energjie të brendshme që rrezaton nga figura drejt hapësirës përreth.

 

 

The post “Light in the deep”, qeniet njerëzore mes dritës e hijes në veprat e Blerta Xhomos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Stuhitë lënë pa energji elektrike 300 000 familje dhe zbrazin qindra supermarkete

25 January 2026 at 11:12

UASHINGTON, 25 janar /ATSH-AFP-DPA/ – Një stuhi e madhe dimërore përfshiu Shtetet e Bashkuara verilindore të dielën pasi solli reshje të dendura dëbore në rajonet qendrore, duke kërcënuar miliona amerikanë me ndërprerje të energjisë elektrike dhe ndërprerje të transportit për shkak të temperaturave të ulëta.

Misisipi, Luiziana dhe Teksasi janë ndër shtetet më të prekura, me më shumë se 300 000 familje të prekura nga ndërprerjet e energjisë në të gjithë vendin, sipas faqes së internetit poweroutage.us.

Shumë supermarkete u zbrazën në përgjigje të parashikimeve nga Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) që parashikonin reshje të dendura dëbore dhe akumulim akulli me pasoja potencialisht “katastrofike lokale” nga fushat jugore deri në bregdetin e Atlantikut.

Në total, 20 shtete, si dhe kryeqyteti i SHBA-së, Uashington, D.C., shpallën gjendje të jashtëzakonshme.

”Përafërsisht 14 000 fluturime për në dhe nga Shtetet e Bashkuara u anuluan gjatë fundjavës, dhe mijëra të tjera u vonuan”, sipas FlightAware.

Stuhia, e përshkruar si “jashtëzakonisht e përhapur dhe e zgjatur” nga NWS, është shkaktuar nga mbërritja e një mase ajrore arktike nga Kanadaja.

Në Nju Jork, ku temperaturat pritet të mbeten nën zero gjatë gjithë ditës dhe parashikohen deri në 30 centimetra borë për Central Park, kryetari i bashkisë Zohran Mamdani u bëri thirrje banorëve të shmangin të gjitha udhëtimet jothelbësore.

Një vendim do të merret sot në lidhje me një mbyllje të mundshme të shkollave të hënën.

Reshjet e borës u regjistruan të shtunën në Shtetet e Bashkuara qendrore, veçanërisht në Kansas, Oklahoma dhe Missouri, ku disa zona kishin 20 centimetra.

Dallas, një qytet jugor më i mësuar me temperatura të buta, pa termometrin të binte në minus 6°C.

Në Hjuston, strehimoret, përfshirë ato për të pastrehët, u hapën të shtunën pasdite në këtë qytet me gati 2,4 milionë banorë.

Ndërsa rrjeti elektrik i Teksasit përjetoi një ndërprerje të gjerë gjatë stuhisë së fundit të madhe dimërore në vitin 2021, autoritetet siguruan publikun për qëndrueshmërinë e tij këtë herë.

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi të shtunën se kishte miratuar deklaratat e emergjencës për 12 shtete në Jug dhe përgjatë Bregut Lindor, gjë që do të lejojë vendosjen më të shpejtë të burimeve nga FEMA, agjencia amerikane e menaxhimit të fatkeqësive.

“Qëndroni të sigurt dhe qëndroni ngrohtë!” presidenti amerikan bëri thirrje përsëri në platformën e tij Truth Social./  a.jor.

The post SHBA – Stuhitë lënë pa energji elektrike 300 000 familje dhe zbrazin qindra supermarkete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

OVL UÇK mbështet marshimin e 17 shkurtit “Drejtësi, jo politikë!”

23 January 2026 at 21:41

PRISHTINË, 23 janar/ATSH/ Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur mbështetjen e saj për marshin “Drejtësi, jo politikë!”, të organizuar nga platforma Liria ka Emër, qëi do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.

Kryetari i OVL UÇK, Hysni Gucati, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e unitetit në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

“Ne e mbështesim marshin ‘Drejtësi, jo politikë!’, të organizuar nga Liria ka Emër. Ky marsh duhet të jetë madhështor. Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që më 17 shkurt të dalin dhe të bashkohen në mbrojtje të atyre që na sollën lirinë dhe ndërtuan shtetin tonë”, ka thënë Gucati.

Marshimi synon të përcjellë mesazhin se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe larg ndikimeve politike, duke respektuar sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Platforma “Liria ka Emër” falënderoi OVL UÇK-në për mbështetjen e dhënë, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e veteranëve në ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe të drejtësisë për Kosovën. /KosovaPress/

The post OVL UÇK mbështet marshimin e 17 shkurtit “Drejtësi, jo politikë!” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kurti: Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës

21 January 2026 at 18:22

PRISHTINË, 21 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përkujtoi sot 20-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Duke vlerësuar në një shkrim në rrjetet sociale rolin e Rugovës në shtetndërtimin, demokratizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, Kurti u shpreh se ish-Presidenti ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar.

Në reagimin e tij përkujtimor, Kurti shkruan se periudha e pluralizmit politik dhe e rezistencës paqësore është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Rugovës, i cili udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006. Sipas Kurtit, kontributi i Rugovës ishte i ndërtuar bashkë me një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh dhe veprimtarësh që në vitet ’90 mbajtën gjallë institucionet dhe shpresën për liri.

Kurti rikujtoi se Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës në vitin 1992, në rrethana të rënda të regjimit represiv serb, duke arritur që ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe të takohet me liderë botërorë, përfshirë edhe Presidentin amerikan Bill Clinton.

“Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989. Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton”, shkruan Kurti.

Kurti nuk mori pjesë sot në homazhe dhe akademi përkujtimore për Ibrahim Rugovë, pasi që ai aktualisht gjendet në Forumin Botëror Ekonomik, në Davos. /Kosovapress/

The post Kurti: Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Cikloni “Harry” vazhdon të godasë Kalabrinë, Siçilinë dhe Sardenjën

20 January 2026 at 23:11

ROMË, 20 janar /ATSH-ANSA/- Erëra me shpejtësi mbi 120 kilometra/orë dhe valë stuhish po godasin bregdetin e Italisë.

Cikloni “Harry” po vazhdon të shkatërrojë Kalabrinë, Siçilinë dhe Sardenjën, dhe alarmi nuk ka mbaruar ende.

Moti i keq që ka goditur të tre rajonet që nga e diela pritet të vazhdojë në orët në vijim.

Departamenti i Mbrojtjes Civile ka lëshuar një paralajmërim të ri – që tregon zgjatjen e alarmit të kuq për nesër.

Mbylljet e shkollave, parqeve dhe kopshteve janë zgjatur gjithashtu, si dhe ndalimet në zonat e ekspozuara, në bregdet.

Në Lamezia Terme, një qendër tregtare është urdhëruar gjithashtu të mbyllet. Si masë paraprake, qindra familje janë evakuuar.

Gjatë natës, ka përfunduar evakuimi i 100 familjeve në lagjen Roccelletta di Borgia, në Catanzaro.

Ndërkohë, në Crotone, kryetari i bashkisë urdhëroi evakuimin e banorëve që jetonin në bodrume, gjysmë-bodrume dhe katet e para në dy lagje bregdetare.

Rreth 100 evakuime të tjera u urdhëruan në zonën e Cagliarit për shkak të frikës nga përmbytjet e lumenjve dhe përrenjve.

Ndërkohë, shiu dhe stuhitë kanë shkaktuar dëme të mëdha.

KALABRIA
Alarmi i kuq në Kalabri është konfirmuar edhe për nesër, për të tretën ditë radhazi, për shkak të valës së motit të ashpër që ka goditur rajonin.

Bazuar në parashikimet nga qendra ARPACAL, Departamenti Rajonal i Mbrojtjes Civile ka lëshuar një alarm të kuq për bregdetin jonian të Catanzaros dhe të gjithë provincën e Reggio Calabrias; një alarm portokalli për bregdetin jonian të Cosenzas dhe Crotones dhe bregdetin tiren të Catanzaros dhe Vibo Valentias; dhe një alarm të verdhë për pjesën tjetër të rajonit.

Sipas parashikimeve nga Shërbimi Rajonal Meteorologjik – Zona Meteorologjike e Qendrës Funksionale me Rrezik të Shumëfishtë ARPACAL, kushtet e rënda të motit po përkeqësohen në mënyrë progresive, me reshje shiu dhe stuhi të përhapura, veçanërisht në pjesët qendrore dhe jugore të rajonit.

Sipas parashikimit, gjatë natës dhe deri në fillim të pasdites nesër, reshjet e dendura do të lëvizin gradualisht nga zonat jugore drejt Detit Jon të Sipërm.

SARDENJA
Evakuimi i afërsisht 100 personave përgjatë bregdetit është duke u zhvilluar në Capoterra, një qytet rreth 20 kilometra larg Cagliarit.

Alarmi i kuq u konfirmua për shkak të rreziqeve hidrogjeologjike; në orët në vijim, do të vlerësohet një zgjatje.

Situata mbetet një emergjencë: parashikimet tregojnë se era dhe shiu duhet të reduktohen në orët në vijim.

Era e fortë, e cila ka goditur Sardenjën që nga dje me shpërthime që tejkalonin 100 kilometra/orë, shkaktoi një valë stuhie përgjatë vijës bregdetare të Poettos në Cagliari, me ujin që përmbyti plotësisht plazhin dhe mbylli trafikun.

SIÇILIA
Moti i ashpër që ka përfshirë Siçilinë që nga dje, duke bërë që departamenti rajonal i mbrojtjes civile të lëshojë alarm të kuq për Siçilinë lindore, ka shkaktuar dëme të shumta, të cilat departamenti rajonal po i monitoron.

Në Furci Siculo (Messina), forca e valëve goditi bregdetin. Në Capizzi (Messina), u raportuan shkëmbinj që binin në rrugën komunale të Rivierës.

Përroi Mela ka dyfishuar rrjedhën e tij në Francavilla di Sicilia (Messina), duke shkaktuar përmbytje. //a.i/

 

The post ITALI – Cikloni “Harry” vazhdon të godasë Kalabrinë, Siçilinë dhe Sardenjën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Reshjet e dendura bllokojnë shtëpi dhe rrugë në lagjen “Meshari” në Fushë Kosovë

11 January 2026 at 16:19

PRISHTINË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në lagjen “Meshari” ku jetojnë minoritetet në komunën e Fushë Kosovës. Uji ka përmbytur rrugët dhe disa shtëpi, duke hyrë deri në bodrume, raporton KosovaPress.

Banorët thonë se furnizimi me ujë të pijshëm është plotësisht i ndërprerë, ndërsa problemet me energjinë elektrike janë të vazhdueshme, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për familjet që jetojnë në ketë lagje.

Shumë prej shtëpive të prekura janë të pabanuara, në zona më të ulëta, ku uji grumbullohet më lehtë.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet komunale për të siguruar furnizim me ujë dhe për të parandaluar dëmet materiale.

Edhe mbrëmë banorët e kësaj lagje përjetuan tmerrin e nga vërshimet. Sipas disa fotove dhe videove të dërguara nga banorët, shtëpitë e tyre ishin të përmbytura nga uji dhe balta./KosovaPress/

The post Reshjet e dendura bllokojnë shtëpi dhe rrugë në lagjen “Meshari” në Fushë Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FRANCË – Zelensky: Mosmarrëveshjet territoriale vazhdojnë të mbeten, pavarësisht progresit në bisedimet e Parisit

6 January 2026 at 22:25

PARIS, 6 janar /ATSH-DPA/- Pavarësisht progresit në bisedimet për paqen në Ukrainën në samitin e zhvilluar sot në Paris, ka ende çështje të pazgjidhura, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Çështjet territoriale nuk janë zgjidhur 100%”, tha Zelensky pas takimit të “Koalicionit të të Gatshmëve” në Paris.

“Prandaj, negociatorët ukrainas duhet të qëndrojnë në terren dhe të vazhdojnë bisedimet”, tha ai.

“Pas takimit të të ashtuquajturit “Koalicionit të të Gatshmëve”, tani ka më shumë qartësi se çfarë kontributesh mund të japë secili vend”, tha Zelensky.

“Koalicioni ende duhet të punojë për garancitë e sigurisë. Angazhimet duhet të jenë ligjërisht të detyrueshme”, shtoi presidenti ukrainas.

Ai shprehu mirënjohjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë në monitorimin e armëpushimit.

“Parandalimi i Rusisë nga agresioni i mëtejshëm është një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së Ukrainës”, tha Zelensky.

Mosmarrëveshjet territoriale përqendrohen në tërheqjen e plotë të trupave ukrainase nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut në lindje, siç kërkohet nga Moska.

SHBA-ja i ka bërë thirrje Kievit ta pranojë kërkesën e Moskës, duke argumentuar se paqja me Rusinë nuk mund të arrihet ndryshe.

Ukraina e ka refuzuar kushtin. Ndërkohë, Rusia kohët e fundit deklaroi se do t’i pushtonte këto territore ushtarakisht, gjithsesi. //a,i/

The post FRANCË – Zelensky: Mosmarrëveshjet territoriale vazhdojnë të mbeten, pavarësisht progresit në bisedimet e Parisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën

6 January 2026 at 16:40

BERLIN, 6 janar /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz e ka vënë në plan të parë rritjen ekonomike në vend, duke e renditur atë në krye të axhendës së tij për vitin 2026, dhe duke paralajmëruar se masat e marra deri më tani nuk kanë arritur ta përmirësojnë mjaftueshëm konkurrueshmërinë e Gjermanisë.

Në një letër dërguar anëtarëve të koalicionit të tij qeverisës, në fillim të vitit, Merz tha se situata ekonomike mbetej shumë kritike në disa fusha.

“Në vitin 2026, Gjermania do të duhet të përqendrohet në ndërmarrjen e veprimeve vendimtare politike dhe legjislative për të përmirësuar ndjeshëm kushtet për bizneset”, shkroi Merz, duke shtuar se vetëm atëherë ekonomia mund të rritej dhe të dilte nga kriza.

Gjithashtu, në letër Merz rikonfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Ukrainën, duke thënë se vendimi për të përdorur asetet ruse të ngrira në Bashkimin Evropian kishte krijuar bazën financiare për të mbështetur mbrojtjen e Kievit kundër Rusisë në planin afatgjatë.

“Rusia nuk duhet të ketë dyshime për vendosmërinë tonë”, shkroi kancelari.

Në të njëjtën kohë, Merz theksoi se qeveria gjermane do të vazhdonte përpjekjet për një armëpushim që ruante sovranitetin e Ukrainës.

“Puna jonë diplomatike po kryhet në kushte të vështira”, tha ai, duke vënë në dukje gatishmërinë e kufizuar të Rusisë për të negociuar, përpjekjet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të ruajtur unitetin në vend dhe atë që ai e përshkroi si ndryshime të thella në bashkëpunimin transatlantik.

Në përfundim, Merz u bëri thirrje ligjvënësve të rivendosnin besimin në politikë duke ofruar zgjidhje për problemet konkrete.

“Kështu do ta bindim edhe shumicën dërrmuese të popullsisë sonë për vlerat e demokracisë sonë dhe sistemit tonë ekonomik të bazuar në treg”, shkroi ai. //a.i/

The post BERLIN – Merz rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Vetëvendosje” merr mbi 72 për qind të votave me postë

5 January 2026 at 20:33

PRISHTINË, 5 janar/ATSH/ Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar numërimi i më shumë se 27 mijë votave të dërguara me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Sipas rezultateve të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje prin bindshëm sa i përket votave me postë, duke marrë 72.20 për qind apo 19.344 vota.

Megjithatë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se këto nuk janë fletëvotimet e fundit nga jashtë Kosovës që do të numërohen.

Të tjera fletëvotime që i takojnë votimit me postë janë tërhequr nga KQZ me datë 2 dhe 5 janar, njoftoi ai.

“Janë rreth 20 mijë pako me fletëvotime të tërhequra më 2 dhe 5 janar që pritet të numërohen së shpejti”, tha Elezi.

“Por, derisa të bëhet vlerësimi dhe verifikimi i tyre, KQZ pritet që deri në orën 20:00 të fillojë më numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, shtoi ai.

Sipas votave të numëruara deri më tani, sa i përket votimit me postë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 10.15 për qind të votave apo 2.720, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 9.56 për qind apo 2.560 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq ka fituar 3.90 për qind të votave apo 1.045

Përveç votave me postë, pritet të numërohen ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

KQZ tha se nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të Kosovës, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9.900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2.860.

KQZ pret që rezultatet përfundimtare të shpallen më herët seç kishte planifikuar, përkatësisht para 19 janarit.

Sipas rezultateve të përmbledhura deri më tani, LVV-ja ka fituar 50.67 për qind, PDK-ja 20.43 për qind të votave, LDK-ja 13.33 për qind, AAK-ja 5.52 për qind dhe Lista Serbe 4.56 për qind./rel/

The post “Vetëvendosje” merr mbi 72 për qind të votave me postë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Maduro nuk pranon fajësinë në gjykatën e Nju Jorkut

5 January 2026 at 19:00

Rreth 30,000 familje në Berlin mbetën pa energji elektrike dhe ngrohje për të tretën ditë me radhë, pasi një sulm i fundjavës në rrjetin elektrik ndërpreu furnizimin me energji elektrike në jugperëndim të kryeqytetit gjerman të mbuluar nga bora.

Rreth 45,000 familje dhe mbi 2,200 biznese në lagjet Nikolassee, Zehlendorf, Wannsee dhe Lichterfelde të qytetit u ndërprenë herët të shtunën, pasi kabllot që të çojnë në një termocentral u vunë në flakë nga ajo që autoritetet e Berlinit e quajnë një grup militantësh të krahut të majtë.

Rreth 15,000 familjeve dhe rreth 500 bizneseve u është rikthyer energjia elektrike që atëherë, por operatori Stromnetz Berlin tha se mund të duhet deri të enjten që të gjithë të rikthehen në rrjet, pasi punimet e riparimit janë komplekse.

Duke folur në një program mëngjesi të transmetuesit publik ZDF të hënën, kryetari i bashkisë së Berlinit, Kai Wegner, tha se incidenti tregoi se infrastruktura mbetet e ndjeshme ndaj sulmeve.

Ndërsa vetëm një pjesë e vogël e rrjetit elektrik funksionon mbi tokë, masat mbrojtëse duhet të shtohen, tha Wegner, duke kërkuar më shumë kamera mbikëqyrjeje dhe personel sigurie për të monitoruar rrjetin.

Me temperaturat nën 0 gradë Celsius, disa shkolla dhe kopshte në zonë mbetën të mbyllura në atë që është dita e parë e shkollës pas festave të Krishtlindjeve.

Policia, zjarrfikësit dhe ushtria janë vendosur në zonat e prekura për të ndihmuar ata që nuk ishin në gjendje të strehoheshin te familja ose miqtë në pjesë të tjera të Berlinit.

Spitalet ishin në gjendje të vazhdonin operacionet falë gjeneratorëve të emergjencës dhe që atëherë kanë parë energjinë e tyre të rikthyer, por shumë shtëpi kujdesi mbeten të prekura, me organizatat e ndihmës dhe brigadën e zjarrfikësve që po ngrenë strehimore për ata që kanë nevojë.

Në një letër përgjegjësie të postuar në internet të dielën, ekstremisti i krahut të majtë Vulkangruppe (Grupi i Vullkanit) thotë se “sabotoi me sukses” një termocentral gazi në Lichterfelde.

Grupi tha se qëllimi i tij kryesor ishte të shënjestronte industrinë e karburanteve fosile, duke vënë në dukje se veprimi “rezultoi në ndërprerje të energjisë elektrike në lagjet më të pasura të Wannsee, Zehlendorf dhe Nikolassee”.

“U kërkojmë ndjesë banorëve më pak të pasur të Berlinit jugperëndimor”, tha ai.

Autoritetet e Berlinit thanë të dielën se e konsiderojnë letrën autentike, me kryebashkiakun Wegner që e përshkroi sulmin si një akt terrorizmi.

Por autoritetet federale kërkuan kujdes të hënën, me Ministrinë e Brendshme që tha se nuk ishte ende e qartë se kush qëndronte pas sulmit.

Një motiv ekstremist i krahut të majtë dukej “i dukshëm”, por hetimet janë ende në vazhdim, tha një zëdhënëse, duke shtuar se agjencia e inteligjencës së brendshme të Gjermanisë po shqyrtonte ende letrën e postuar në internet.

The post SHBA – Maduro nuk pranon fajësinë në gjykatën e Nju Jorkut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Topulli për ATSH: Katër forma të kujdestarisë me ligjin e ri, zgjidhje për çdo fëmijë pa kujdes prindëror

2 January 2026 at 09:40

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Miratimi i projektligjit të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, “Për kujdesin alternativ” në familje, krijon për herë të parë një kuadër të veçantë ligjor duke sistemuar dhe zgjeruar mbrojtjen dhe mbështetjen për fëmijët jashtë familjes së tyre të origjinës. Ligji përcakton katër forma të kujdestarisë familjare: kujdestarinë profesionale, kujdestarinë vullnetare nga familja e zgjeruar ose rrethi i ngushtë i njohur i fëmijës, kujdestarinë e specializuar për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kujdesin emergjent.

Nertila Topulli, drejtore e Politikave dhe Mbrojtjes Sociale në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në një intervistë për ATSH-në, tha se projektligji vendos procedura të detajuara për çdo hap të vendosjes së fëmijës në kujdestari, duke nisur nga vlerësimi multidisiplinar dhe plani individual i kujdesit, përgatitja e fëmijës, vendimmarrja gjyqësore ose administrative, rivlerësimi periodik dhe përfundimi i kujdestarisë.

“Një element i ri i rëndësishëm është krijimi i një regjistri elektronik kombëtar, që garanton unifikim, gjurmueshmëri, transparencë dhe raportim të qëndrueshëm, duke mundësuar vendimmarrje të bazuar në evidence”, shtoi ajo.

Topulli u shpreh se ligji qartëson dhe fuqizon rolet institucionale kur bashkitë marrin mandate të zgjeruara, Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijës marrin përgjegjësi të qarta për identifikimin, vlerësimin dhe ndjekjen e rasteve, Shërbimi Social Shtetëror udhëheq certifikimin dhe trajnimin e familjeve kujdestare, ndërsa Inspektorati i Shërbimeve Sociale forcohet në monitorimin dhe garantimin e cilësisë së kujdesit.

Sipas Topullit, në Shqipëri, kujdesi alternativ në familje ofrohet në disa forma. Përveç kujdesit të ofruar nga të afërm ose persona të afërt me fëmijën, një risi e rëndësishme që parashikohet për herë të parë është kujdesi alternativ profesional.

“Kujdesi alternativ profesional synon të krijojë kushte të qëndrueshme familjare për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje më intensive dhe të specializuar. Ndërkohë, shërbimet e kujdesit shoqëror përbëjnë një sistem të organizuar shërbimesh dhe mbështetjesh që u ofrohen individëve dhe familjeve në nevojë nga profesionistë të fushave përkatëse. Për fëmijët, këto shërbime luajnë një rol thelbësor në parandalimin e ndarjes nga familja, mbështetjen e prindërimit, garantimin e mbrojtjes dhe ndërtimin e alternativave familjare ndaj kujdesit institucional”, tha Topulli.

Topulli u shpreh se kujdesi alternativ konsiderohet një zgjidhje më e mirë se institucionalizimi afatgjatë i fëmijëve, pasi ky i fundit ndikon negativisht në zhvillimin emocional, social dhe njohës të fëmijëve.

“Kujdesi alternativ në familje, ofron një mjedis më të ngrohtë, më individual dhe më të qëndrueshëm, që i lejon fëmijët të krijojnë lidhje emocionale, të zhvillojnë aftësi sociale dhe të integrohen më mirë në komunitet. Për këtë arsye, kujdesi alternativ konsiderohet një zgjidhje më e përshtatshme, humane dhe në përputhje me standardet e Konventës për të Drejtat e Fëmijës dhe Udhëzimi i Kombeve të Bashkuara për Kujdesin Alternativ”, pohoi ajo.

Topulli tha se familjet kujdestare përzgjidhen përmes një procesi të strukturuar vlerësimi, që përfshin verifikimin e kushteve sociale, psikologjike dhe ekonomike, si dhe motivimin për të marrë përsipër këtë rol. Trajnimi është i detyrueshëm dhe përfshin njohuri mbi zhvillimin e fëmijës, menaxhimin e traumës, të drejtat e fëmijës dhe bashkëpunimin me strukturat profesionale.

Drejtoresha e Politikave dhe Mbrojtjes Sociale në MSHMS shtoi se në bazë të këtij projektligji, familjet kujdestare përfitojnë mbështetje financiare mujore për mbulimin e nevojave të fëmijës, si dhe akses në shërbime psikologjike, këshillim profesional dhe mbështetje të vazhdueshme nga punonjësit socialë.

“Qëllimi i kësaj mbështetjeje është të sigurojë stabilitet për fëmijën dhe të parandalojë ndërprerjet e kujdesit. Familjet kujdestare profesionale përfitojnë të gjitha të drejtat dhe mbështetjet e familjeve kujdestare, duke përfshirë mbështetjen financiare për nevojat e fëmijës, dhe përveç kësaj përfitojnë pagë mujore për ofrimin e shërbimit profesional të kujdesit alternativ në familje. Prindi aplikues i familjes profesionale regjistrohet si i punësuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke e formalizuar marrëdhënien si ofrues i shërbimit”, cilësoi Topulli, ndërsa shtoi se objektivi afatgjatë është reduktimi i ndjeshëm i kujdesit rezidencial dhe zhvillimi i një sistemi të qëndrueshëm, profesional dhe të monitoruar të kujdesit alternativ në familje.

“Shqipëria synon që çdo fëmijë pa kujdes prindëror të ketë një zgjidhje familjare të përshtatshme dhe të mbështetur. Ky ligj vendos kuadrin e përgjithshëm për organizimin, financimin dhe ofrimin e shërbimeve shoqërore në nivel qendror dhe vendor”, tha ajo.

Topulli cilësoi se familja që ofron kujdes alternativ duhet të plotësojë disa kritere themelore si prindi aplikues të jetë i rritur dhe me zotësi të plotë ligjore, të ketë shtetësi shqiptare ose leje qëndrimi të rregullt, vendbanim të përhershëm në Shqipëri, kushte të përshtatshme banimi dhe mjete të mjaftueshme jetese. Anëtarët e familjes nuk duhet të kenë dënime penale ose të jenë të regjistruar në regjistrin e të dënuarve për krime seksuale, duhet të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të ofrojnë një mjedis familjar të qëndrueshëm. Për kujdestarinë vullnetare nga të afërmit lejohet përjashtimi nga mosha pensionale, dhe të gjithë anëtarët e rritur të familjes duhet të japin pëlqimin me shkrim.

Topulli shtoi se monitorimi në familjet e kujdesit alternativ realizohet çdo dy javë gjatë tre muajve të parë dhe më pas çdo muaj, sipas një plani të hartuar mbi bazën e standardeve të kujdesit alternativ. Shërbimi Social Shtetëror, në nivel qendror dhe rajonal.

Sipas saj, në rast të shkeljeve, abuzimeve ose trajtimit të papërshtatshëm në procesin e kujdesit alternativ, çdo subjekt ka të drejtë të paraqesë ankim administrativ kundër vendimeve që lidhen me përzgjedhjen, ofrimin ose ndërprerjen e kujdesit alternativ.

Pas miratimit të projektligjit, MSHMS do të punojë për ngritjen e kapaciteteve institucionale, trajnimin e stafit dhe nisjen graduale të zbatimit në nivel vendor, me fokus monitorimin dhe cilësinë e shërbimeve.

/e.i/j.p/

The post Topulli për ATSH: Katër forma të kujdestarisë me ligjin e ri, zgjidhje për çdo fëmijë pa kujdes prindëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: 2026-ta na gjen me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta

31 December 2025 at 18:51

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026. Osmani në një videomesazh thekson se viti që po lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet.

“Viti që po e lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet. Ka qenë një vit në të cilin kemi forcuar edhe më shumë pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, kemi mbrojtur rendin kushtetues e interesin shtetëror, si dhe një vit në të cilin kemi vazhduar punën për t’i forcuar aleancat tona me partnerët tanë strategjikë. Kosova ka treguar se është e pranishme, e dëgjuar dhe e respektuar në tryezat ndërkombëtare, si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie”, thekson Osmani.

Sipas saj, Kosova qëndroi e palëkundur ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese, ndërsa brenda vendit vazhdon të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, ku të drejtat e njeriut, barazia dhe dinjiteti janë themeli ynë i përbashkët.

Ajo tha po ashtu se sot, Kosova përmbylli një vit jo të lehtë, por një vit në të cilin zëri i saj u dëgjua fuqishëm dhe qëndrimi ynë në arenën ndërkombëtare ishte parimor dhe i palëkundur. Ishte një vit sfidues, sidomos me vonesat në themelimin e institucioneve, por ishte po ashtu vit që na ka forcuar dhe na ka përgatitur të ecim përpara me më shumë besim dhe me më shumë përgjegjësi.

Në urimin e saj ajo thekso po ashtu se Viti 2026 që po vjen “na gjen me përgjegjësi të reja dhe me synime të qarta”.

“Synimi ynë mbetet një Kosovë akoma më e sigurt, akoma më e drejtë, akoma më e integruar dhe akoma më e zhvilluar. Një Kosovë ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku institucionet janë gjithnjë në shërbim të qytetarëve dhe ku çdo i ri dhe e re ka perspektivë për të ndërtuar të ardhmen me dinjitet në vendin e vet”, tha ajo.

Në këtë natë të veçantë, Ajo ka uruar qytetarët për shëndet, paqe dhe begati.

“Le të jetë viti 2026 një vit bashkëpunimi, përgjegjësie dhe suksesi për secilin prej jush dhe për Republikën. Le ta nisim vitin e ri me besim në vete, në njëri-tjetrin dhe në Kosovën tonë. Gëzuar Vitin e Ri 2026 me shëndet e plot momente gëzimi e feste, për ju dhe për Republikën e Kosovës!”, tha ajo.


/KosovaPress//r.e/

The post Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: 2026-ta na gjen me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

RUSI – Bombardues rusë kryejnë mision të planifikuar mbi ujërat e deteve Barents dhe Norvegji

25 December 2025 at 09:33

MOSKE, 25 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Bombarduesit strategjikë rusë Tu-95MS kryen një mision të planifikuar fluturimi mbi ujërat neutrale të deteve Barents dhe Norvegji, dhe u shoqëruan nga luftëtarë të huaj në disa zona, deklaroi ministria Ruse e Mbrojtjes.

“Kohëzgjatja e fluturimit ishte mbi shtatë orë,” deklaroi ministria.

Aeroplanët luftarakë Su-33 të Marinës Ruse shoqëruan bombarduesit me rreze të gjatë veprimi.

“Në disa faza të itinerarit, bombarduesit me rreze të gjatë veprimi u shoqëruan nga luftëtarë të huaj,” shtoi ministria. /os/

The post RUSI – Bombardues rusë kryejnë mision të planifikuar mbi ujërat e deteve Barents dhe Norvegji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

ITALI – Policia sekuestron 435 kilogramë kokainë të fshehur në qese me kikirikë

24 December 2025 at 21:56

ROMË, 24 dhjetor /ATSH/- Në portin e Gioia Tauro në jug të Italisë është sekuestruar më shumë se 435 kilogramë kokainë e pastër, sipas “La Stampa”.

Një “pako” e bukur Krishtlindjesh u kap nga Guardia di Finanza (Policia Financiare Italiane), e cila sekuestroi një tjetër ngarkesë të konsiderueshme me kokainë që kalonte në portin e Gioia Tauro në prag të Krishtlindjeve.

Pakoja me 435 kilogramë kokainë të pastër, një nga ngarkesat më të mëdha të viteve të fundit, e fshehur në një ngarkesë prej afërsisht 1,000 qesesh me kikirikë të dërguara nga Amerika Latine dhe të destinuara, të paktën sipas dokumenteve tregtare që shoqëronin produktin, për në Evropën Lindore.

“Kjo është një goditje e rëndësishme ndaj të ardhurave të organizatave kriminale, pasi porti vazhdon të jetë një pikë “kyçe” për trafikimin ndërkombëtar të drogës në Evropë”, tha policia.

Nëse do të dilte në treg, kokaina e sekuestruar do t’u kishte sjellë organizatave kriminale mbi 70 milionë euro.

Sekuestrimi vjen në kuadër të inspektimeve të intensifikuara të fundvitit në një nga portet më të ngarkuara të Evropës dhe përbën një nga rastet më të bujshme vitet e fundit në Gioia Tauro. //a.i/

 

 

 

The post ITALI – Policia sekuestron 435 kilogramë kokainë të fshehur në qese me kikirikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

POLONI – Zelensky dhe Nawrocki tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë tensionet historike

19 December 2025 at 15:20

VARSHAVË, 19 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u prit sot nga homologu i tij polak, Karol Nawrocki, në Pallatin Presidencial në Varshavë, sipas AP.

Vizita e Zelensky synon të sigurojë që marrëdhëniet me aleatin kryesor, Poloninë të mbeten të qëndrueshme, pavarësisht ndryshimeve që mund të ndodhin në pushtet, në Varshavë.

Duke folur gjatë një konference për shtyp të premten, Nawrocki sinjalizoi se ishte i kënaqur me vizitën e Zelensky.

“Në çështjet strategjike, bashkëpunimi ynë në fushën e çështjeve të sigurisë, Polonia, Ukraina, vendet e rajonit, vendet me vlera demokratike janë së bashku dhe kjo nuk ka qenë kurrë në dyshim”, tha Nawrocki.

Nawrocki tha se Polonia kishte mbështetur përpjekjet për të transferuar asetet e ngrira ruse në Ukrainë, si dhe sanksione të mëtejshme kundër Rusisë dhe veprime kundër “flotës hije”.

Zelensky tha se Ukraina ishte e gatshme të ndante ekspertizën e saj në mbrojtjen nga dronët dhe mirëpriti bizneset polake të merrnin pjesë në rindërtimin e Ukrainës.

Qeveria aktuale e Polonisë është një mbështetëse e fortë e Ukrainës, me kryeministrin Donald Tusk që vepron si një nga mbrojtësit më të vendosur të Kievit në forumet ndërkombëtare.

Por, rezultatet e zgjedhjeve presidenciale tregojnë se partia e mëparshme nacionaliste në pushtet, “Ligj dhe Drejtësi”, mund të kthehet në pushtet në vitin 2027.

Duke mbrojtur qëndrimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Nawrocki tha se priste që Zelensky të shprehte mirënjohje për ndihmën e rëndësishme ushtarake dhe humanitare që Polonia i kishte ofruar Ukrainës.

“Unë kam kërkuar vazhdimisht simetri në marrëdhëniet midis Polonisë dhe Ukrainës”, tha ai në fillim të dhjetorit.

Nawrocki tha se pranimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian nuk mund të ishte pa kushte dhe se Polonia po shpenzonte shumë burime për refugjatët ukrainas në kurriz të polakëve. //a.i/

 

The post POLONI – Zelensky dhe Nawrocki tregojnë unitet kundër Rusisë, trajtojnë tensionet historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  • ✇
  • test  
Received — 3 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BRUKSEL – Evropa përgjigjet pasi Putini e sfidoi me luftë

3 December 2025 at 14:37

BRUKSEL, 3 dhjetor /ATSH/- Zyrtarët ukrainas dhe evropianë akuzuan sot presidentin rus Vladimir Putin se ka shfaqur interes të rremë në përpjekjet për paqe, pas pesë orë bisedimesh me të dërguarit e SHBA-së në Moskë – të cilat nuk dhanë asnjë shenjë progresi, megjithëse negociatat pritet të vazhdojnë, sipas AP.

“Udhëheqësi rus duhet t’i japë fund mburrjeve dhe gjakderdhjes dhe të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të mbështesë paqen e drejtë dhe të qëndrueshme”, tha sekretarja e Jashtme e Britanise së Madhe, Yvette Cooper.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i kërkoi presidentit Putin të ndalonte së humburi kohën e botës.

Deklaratat pasqyrojnë tensionet e larta dhe hendekun mes Rusisë nga njëra anë dhe Ukrainës dhe aleatëve të saj evropianë nga ana tjetër, mbi mënyrën e përfundimit të një lufte që Moska e filloi kur pushtoi fqinjin e saj gati katër vjet më parë.

Një ditë më parë, presidenti rus, Putin akuzoi evropianët për sabotimin e përpjekjeve paqësore të udhëhequra nga SHBA-ja – dhe paralajmëroi se, në rast se Rusia provokohej, ajo do të jetë gati për luftë me Evropën.

Që kur Moska pushtoi Ukrainën në vitin 2022, qeveritë evropiane, së bashku me SHBA-në, kanë shpenzuar miliarda dollarë për të mbështetur Kievin financiarisht dhe ushtarakisht.

Megjithatë, nën drejtimin e presidentit amerikan, Donald Trump, SHBA-ja ka zbutur mbështetjen e tyre – dhe në vend të kësaj ka bërë përpjekje për t’i dhënë fund luftës.//a.i/

 

The post BRUKSEL – Evropa përgjigjet pasi Putini e sfidoi me luftë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dëbora në Shebenik, mundësi për të eksploruar parkun nën shoqërinë e udhërrëfyesve

25 November 2025 at 22:05

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Parku Kombëtar i Shebenikut u mbulua këto ditë të fundit të nëntorit nga dëbora, duke ofruar një panoramë të mrekullueshme që nuk duhet lënë pa u vizituar.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau në rrjetet sociale pamje nga ky park, ku bimësia fillon të ndërrojë ngjyrë dhe reshjet e dëborës përziejnë të bardhën me të verdhën e vjeshtës.

“Dëbora e parë në Parkun Kombëtar Shebenik krijon peizazhe mbresëlënëse dhe mundësi për të eksploruar majat e këtij parku nga mund të shijohen bukuritë natyrore të pyjeve të pishës, ahut e bredhit nën shoqërimin e udhërrëfyesve të certifikuar turistikë si garanci për përvoja të sigurta”, shkruan Jaupaj.

Shebeniku është mal në verilindje të Librazhdit, me lartësi 2253 metra mbi nivelin e detit. Ai kufizohet me luginën e Shkumbinit të sipërm në perëndim, luginën e Rrapunit në veriperëndim dhe Jabllanicën në lindje.

Përbëhet kryesisht nga shkëmbinj ultrabazikë. Ka forma të shumta të relievit akullnajor (mbi 1600 m) si cirqe, lugje, lugina dhe liqene akullnajore. Prej këtu burojnë përrenjtë e Bushtricës dhe Qarrishtës që janë degë të djathta të Shkumbinit.

Bimësia përbëhet kryesisht nga pyje ahu e dushku. Në pjesët e ulëta gjenden shkurre, kurse në kreshtën e tij ka kullota alpine. Ndër kafshët e egra takohen, sidomos në pyjet e Qarrishtës, ariu, derri i egër, kaprolli, zardafi (shqarthi), pëllumbi i egër etj.

/k.s/r.e/

The post Dëbora në Shebenik, mundësi për të eksploruar parkun nën shoqërinë e udhërrëfyesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌