Normal view

Received — 30 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KOMENT – Trump dhe Xi arrijnë marrëveshje për tarifat dhe metalet e rralla

30 October 2025 at 18:27

KORE E JUGUT, 30 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, kanë arritur marrëveshje për të lehtësuar tensionet në mosmarrëveshjen e tyre të gjatë tregtare dhe tarifore, por nuk pati shenja të një progresi të madh në takimin e tyre, në Korenë e Jugut.

Bisedimet ballë për ballë në qytetin portual të Busanit prekën disa çështje të diskutueshme, duke përfshirë kufizimet e eksportit të elementëve të rrallë të tokës të shpallura rishtazi nga Kina.

Trump tha se Pekini kishte rënë dakord të pezullonte kufizimet e fundit ndaj mineraleve të rëndësishme për një vit, me mundësinë e zgjatjes së masës pas negociatave të mëtejshme.

Ministria e Tregtisë e Kinës konfirmoi se do të pezullonte kufizimet e reja, të shpallura më 9 tetor, por që ende nuk janë zbatuar, dhe do të rishikonte politikën. Nuk ishte e qartë nëse vendimi do të ndikonte në kontrollet ekzistuese mbi eksportet e metaleve të rralla.

Në këmbim, Uashingtoni po tërheq një vendim të 29 shtatorit që parashikonte vendosjen e kufizimeve tregtare ndaj disa degëve me shumicë në pronësi të kompanive kineze të listuara në listën e zezë.

X  tha se palët kishin “arritur një konsensus” mbi një numër çështjesh tregtare dhe ekonomike.

“Të dy ekipet duhet të përsosin dhe finalizojnë punën pasuese sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai, duke shtuar se qëllimi kryesor ishte të qetësonte mendjet rreth ekonomive të Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës.

Pritej gjerësisht që Pekini të vononte zgjerimin e planifikuar të kufizimeve të eksportit të metaleve të rralla, të cilat hyjnë në fuqi më 8 nëntor.

Që nga prilli, eksportuesit janë përballur me procedura komplekse licensimi për të transportuar shtatë minerale kryesore të përdorura në elektronikë, motorë elektrikë dhe teknologji mbrojtëse.

Kina, prodhuesja dhe përpunuesja dominuese në botë e metaleve të rralla, e ka përdorur prej kohësh pozicionin e saj si levë në bisedimet tregtare.

Materialet janë jetike për telefonat inteligjentë, turbinat, gjysmëpërçuesit dhe aplikime të tjera të teknologjisë së lartë dhe ushtarake.

Duke folur me gazetarët ndërsa kthehej në Uashington me avionin presidencial “Air Force One”, Trump e quajti takimin një “sukses të madh”.

“Termi “metoda të rralla” shpresojmë të zhduket nga fjalori ynë për pak kohë”, tha Trump.

SHBA-ja do të uli tarifat e lidhura me fentanilin për mallrat kineze

Trump dhe Xi u takuan në samiti e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), të mbajtur në Gyeongju, rreth 90 kilometra në veri të Busanit, ku u takuan dy udhëheqësit.

Xi mbërriti sot në Korenë e Jugut dhe do të marrë pjesë nesër në takimin e APEC, ndërsa Trump u nis për në SHBA pas një turneu njëjavor në Azi.

Trump tha se pret të udhëtojë në Kinë në prill. “Xi mund të vizitojë SHBA-në”, shtoi presidenti amerikan. Udhëheqësi amerikan më herët, hodhi idenë për të zhvilluar takimin në Uashington ose në resortin e tij Mar-a-Lago, në Florida.

Ndër njoftimet e tjera pas bisedimeve në Busan, Trump tha se SHBA-ja do të ulte tarifat me 10 pikë përqindjeje për produktet kineze të lidhura me krizën e fentanilit.

Tarifat ishin vendosur për të ushtruar presion mbi Pekinin – për të frenuar eksportet e kimikateve pararendëse të përdorura për të prodhuar opioidin sintetik vdekjeprurës.

“Pas uljes, tarifat e përgjithshme ndaj produkteve të prekura kineze tani janë në 47%”, tha Trump, megjithëse normat e tjera të tarifave specifike për sektorët mbeten në fuqi.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjatë një vizite në Turqi, shprehu optimizëm ndaj masave të sapo shpallura, duke thënë se ende nuk i kishte parë kushtet e plota.

“Shpresojmë që të jetë një marrëveshje që ndihmon në zgjidhjen e konfliktit tarifor”, tha Merz, duke vënë në dukje se tregtia e BE-së po prekej drejtpërdrejt.

Kina do të rifillojë blerjet e sojës

Trump tha se Kina do të rifillonte blerjet në shkallë të gjerë të sojës dhe mallrave të tjera bujqësore amerikane, duke shtuar se Xi e kishte autorizuar personalisht këtë vendim.

Çështja ka qenë politikisht e ndjeshme për Trump, i cili u përball me presion në rritje nga fermerët amerikanë në shtetet konservatore – pasi Kina ndaloi importet e sojës disa muaj më parë dhe iu drejtua furnizuesve si Brazili.

Sekretari i Departamentit Amerikan të Thesarit, Scott Bessent, tha se gjatë tre viteve të ardhshme, Kina do të blinte 25 milionë tonë sojë amerikane çdo vit, duke përfshirë 12 milionë tonë, vetëm këtë sezon.

Sipas shifrave të qeverisë amerikane, pak më shumë se 52 milionë tonë sojë, me vlerë afërsisht 24,5 miliardë dollarë, u eksportuan në vitin 2024.

Në terma monetarë, rreth gjysma e kësaj shume shkoi në Kinë. //a.i/

The post KOMENT – Trump dhe Xi arrijnë marrëveshje për tarifat dhe metalet e rralla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qendër e re komunitare në Gjirokastër, Kumbaro: Mbështetje gjithëpërfshirëse

29 October 2025 at 22:37

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Një qendër komunitare e re në lagjen “Zinxhira” në Gjirokastër ka hapur dyert për banorët, duke ofruar mbështetje psikosociale, shërbime pas shkolle për fëmijët, edukim, asistencë komunitare dhe aktivitete gjithëpërfshirëse për komunitetin.

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, ndau në rrjete sociale pamje nga ceremonia e përurimit të qendrës së re.

“Ky investim është realizuar nga Bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me Bashkimin Europian, UNICEF dhe Institutin e Kulturës Rome, dhe synon të forcojë marrëdhëniet e kujdesit, respektit dhe dinjitetit në komunitet”, tha Kumbaro.

Ministrja u shpreh se qendra komunitare “Zinxhira” është një hap përpara në sigurimin e mbështetjes dhe përkujdesjes për të gjithë anëtarët e komunitetit në Gjirokastër.

Në praktikë, qendrat komunitare funksionojnë si një “shtëpi e dytë” për komunitetin, ku të rinjtë, familjet dhe të moshuarit mund të gjejnë mbështetje, edukim dhe aktivitete sociale në një mjedis të sigurt dhe të përbashkët. e.xh/j.p/

The post Qendër e re komunitare në Gjirokastër, Kumbaro: Mbështetje gjithëpërfshirëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

STOKHOLM – Suedia planifikon burgje për 13-vjeçarët për të goditur bandat kriminale

27 October 2025 at 20:58

STOKHOLM, 27 tetor /ATSH-DPA/- Suedia, e cila është prekur nga krime të rënda të lidhura me bandat, njoftoi sot planet për burgosjen e shkelësve që në moshën 13-vjeçare në qendrat e paraburgimit për të rinj – duke filluar nga vera e ardhshme – edhe pse ata nuk mund të mbahen penalisht përgjegjës për shkak të moshës së tyre.

Qeveria në Stokholm, më herët i ngarkoi autoritetit kombëtar të burgjeve krijimin e seksioneve në qendrat e paraburgimit për personat 15 deri në 17 vjeç – që kanë kryer krime të rënda.

“Ky mandat tani po zgjerohet për të përfshirë 13 dhe 14-vjeçarët”, njoftoi Ministria suedeze e Drejtësisë.

Për vite me radhë, Suedia është përballur me bandat kriminale që shpesh rekrutojnë të mitur për të kryer krime të rënda, përfshirë vrasjet.

Sipas legjislacionit aktual, 13 dhe 14-vjeçarët nuk janë ende penalisht përgjegjës, megjithëse një propozim legjislativ nga qeveria liberale-konservatore e kryeministrit Ulf Kristersson synon ta ndryshojë këtë për vepra penale veçanërisht të rënda.

“Ulja e moshës së përgjegjësisë penale për krimet më të rënda është e rëndësishme jo vetëm për të mbrojtur shoqërinë, por edhe për të ndihmuar fëmijët të largohen nga rruga e krimit”, tha ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer në një deklaratë.

“Kur 13-14-vjeçarët vrapojnë me armë, shoqëria duhet të përgjigjet me forcë të plotë”, tha Henrik Vinge, kryetar i Komitetit të Drejtësisë.

Gjithashtu, ai është anëtar i Demokratëve nacionalistë të krahut të djathtë të Suedisë.

“Fillimisht, do të krijohen 100 deri në 150 vende për shkelësit e moshës 13 deri në 17 vjeç. Seksionet e veçanta për të rinjtë pritet të jenë funksionale deri në korrik 2026”, sipas qeverisë.

Seksionet për djemtë do të krijohen në gjashtë qendra paraburgimi, ndërsa dy të tjera do të caktohen për vajzat.

“Adoleshentët e vegjël dhe të rritur do të mbahen të ndarë dhe i gjithë sistemi duhet të jetë në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve”, tha ministria.//a.i/

The post STOKHOLM – Suedia planifikon burgje për 13-vjeçarët për të goditur bandat kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Suedia dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë

22 October 2025 at 16:59

STOKHOLM, 22 tetor /ATSH-AFP/- Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe kryeministri i Suedise Ulf Kristersson zyrtarizuan sot një marrëveshje që parashikon blerjen e avionëve të shumtë luftarakë nga Ukraina për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore.

Marrëveshja u nënshkrua sot në Linköping, Suedi, me qëllim që Kievi të blejë 100 deri në 150 nga avionët luftarakë më të fundit Gripen.

“Kjo deklaratë përqendrohet në bashkëpunimin afatgjatë në mbrojtjen ajrore dhe mundësinë e një kontrate shumë të madhe në industrinë e mbrojtjes”, tha Ulf Kristersson nga selia e grupit të mbrojtjes Saab, prodhuesi i Gripen.

 “Ndoshta midis 100 dhe 150 avionëve luftarakë Gripen model E që po fillojnë të prodhohen qe tani, për të krijuar një forcë ajrore të re dhe të fuqishme ukrainase”, shtoi ai.  /os/   /f.k/

The post FOKUS – Suedia dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KIEV – Rusia godet rrjetin energjetik të Ukrainës, ndërprerje të reja të energjisë

16 October 2025 at 21:28

KIEV, 16 tetor /ATSH-DPA/ – Rusia sulmoi sërish sot infrastrukturën energjetike të Ukrainës, ndërsa moti bëhet gjithnjë e më i ftohtë në vendin e  përfshirë nga lufta.

Sulmet kontribuuan pjesërisht që operatori shtetëror i rrjetit ukrainas, “Ukrenergo”, të urdhërojë sërish ndërprerje emergjente të energjisë në të gjithë vendin. Kompania konfirmoi ndërprerje të planifikuara të energjisë për konsumatorët industrialë gjatë gjithë ditës së nesërme.

“Këtë vjeshtë, rusët po përdorin çdo ditë për të sulmuar infrastrukturën tonë energjetike”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram, i cili pritet të vtakohet nesër me presidentin amerikan Donald Trump.

Zelensky tha se u sulmua infrastruktura në rajonin Vinnytsia në perëndim dhe në rajonet Sumy dhe Poltava në verilindje.

Në qytetin Nizhyn në verilindje, një person u plagos nga një sulm rus.

Në rajonin Kharkiv në lindje, u godit infrastruktura kritike dhe një njësi e mbrojtjes civile.

Zelensky akuzoi Rusinë për sulme të dyfishta, të synuara për të lënduar zjarrfikësit dhe punonjësit e energjisë në zonën e goditur.

Dy raketa balistike ruse goditën gjithashtu sot një vend stërvitor të ushtrisë ukrainase në jug të vendit të enjten, duke shkaktuar viktima, disa prej të cilave fatale.

“Shprehim ngushëllimet tona familjeve dhe të afërmve të të vrarëve”, deklari i Grupi i Ushtrisë Jugore në Facebook. /Ad.Ab./

The post KIEV – Rusia godet rrjetin energjetik të Ukrainës, ndërprerje të reja të energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

ANKARA – Turqia ofron mbështetje ushtarake në Gaza

10 October 2025 at 10:56

ANKARA, 10 tetor /ATSH-DPA/- Turqia do të ofrojë mbështetje ushtarake në Rripin e Gazës pas marrëveshjes së arritur midis Izraelit dhe Hamasit, tha sot Ministria Turke e Mbrojtjes.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi dje se vendi i tij dëshironte të merrte pjesë në rindërtimin e Rripit të Gazës dhe në një “task forcë”.

Një task forcë ndërkombëtare me ekspertë nga Izraeli, SHBA-ja, Egjipti, Katari, Turqia dhe Kryqi i Kuq do të kërkojnë eshtrat e pengjeve të vdekura në Gaza.

Turqia ishte e përfshirë në negociatat indirekte midis Izraelit dhe grupit islamist palestinez “Hamas” në Egjipt. //a.i/

 

The post ANKARA – Turqia ofron mbështetje ushtarake në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kodi i ri Penal, zhvillohet tryeza e radhës konsultuese në Korçë

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Ministria e Drejtësisë organizoi sot në Korçë tryezën e radhës për konsultimin publik të Kodit të ri Penal.

Ministria e Drejtësisë dhe Grupi i Punës i ngritur enkas për këtë proces dëgjuan opinionet dhe qëndrimet e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, noterëve dhe përmbaruesve gjyqësorë.

“Kontributi i tyre ka një vlerë të çmuar në përmirësimin e draftit, i cili i paraprin finalizimit të një dokumenti solid e të gjithëpranuar”, njoftoi Ministria e Drejtësisë, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas MD-së “jemi në rrugë të mbarë për një Kod Penal modern, që adreson të gjitha shqetësimet e aktorëve kryesorë, të shoqërisë në tërësi e të këtij stadi ku ndodhet Shqipëria sot.

“E po kështu një Kod Penal që do t’i rezistojë kohës, si dhe do të jetë në përputhje me standardet e Brukselit”.

Për draftin e Kodit të ri Penal janë parashikuar që të zhvillohen rreth 25 tryeza konsultimi publik.

Drafti i parë i Kodit të ri Penal u paraqit më 25 korrik, pas një pune voluminoze disavjeçare nga një grup ekspertësh i udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, prof. Arben Rakipi.

Drafti u hodh për konsultim nga Ministria e Drejtësisë me aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediet dhe qeverinë si pjesë e angazhimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një domosdoshmëri për forcimin e Shtetit të së Drejtës.

/m.q/r.e/

The post Kodi i ri Penal, zhvillohet tryeza e radhës konsultuese në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Mijëra qytetarë kanë përfituar nga shërbimi “Gjurmo Dokumentin” në muajin e parë

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Dhjetëra-mijëra qytetarë kanë përfituar nga shërbimi “Gjurmo Dokumentin”, i cili u mundëson atyre të ndjekin në kohë reale ecurinë e dokumenteve të identifikimit, nga momenti i aplikimit deri tek tërheqja në çdo vend në çdo kohë.

Kështu bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale ministrja për Punët e Brendshme Albana Koçiu, e cila thekson se “prej muajit shtator, përgjigjja më e shpejtë dhe më e sigurt vjen nga shërbimi “Gjurmo Dokumentin””.

Ministrja bëri të ditur se përmes kodit unik të aplikimit, qytetarët mund të kontrollojnë online nëse dokumenti i tyre është pranuar, është në prodhim apo nëse është gati për t’u tërhequr në zyrat e aplikimit ose në Drejtoritë Vendore të Policisë së Shtetit.

“Vetëm gjatë muajit të parë, dhjetëra-mijëra qytetarë kanë përfituar nga ky shërbim, duke ndjekur hap pas hapi dokumentin e tyre biometrik”, shkruan ministrja.

Ministria e Brendshme njoftoi se që nga momenti i prezantimit ky shërbim është përdorur nga 80% e aplikuesve.

Ky shërbim synon të garantojë informim të menjëhershëm, marrjen në kohë të dokumenteve dhe lehtësim të procedurave, duke rritur transparencën dhe besimin në proces.

/m.q/r.e/

The post Koçiu: Mijëra qytetarë kanë përfituar nga shërbimi “Gjurmo Dokumentin” në muajin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

MOLDAVI – Sandu bën thirrje për rrezikun e ndikimit të Moskës në zgjedhje

28 September 2025 at 13:41

KISHINEV, 28 shtator /ATSH-DPA/- Presidentja moldave Maia Sandu i bëri thirrje sot të gjithë qytetarëve të votojnë për të mbrojtur vendin ku zgjedhjet parlamentare po mbahen të dielën mes frikës së ndërhyrjes së Kremlinit.

“Moldavia, shtëpia jonë e dashur, është në rrezik dhe ka nevojë për ndihmën e secilit prej jush. Ju mund ta shpëtoni atë sot me votën tuaj”, tha ajo.

Ajo u bëri thirrje njerëzve të mos shesin votat e tyre, duke paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e ndikimit të Moskës.

Moldavia, e cila ashtu si Ukraina fqinje është kandidate për anëtarësim në BE, ka qenë prej kohësh e ndarë midis një kursi pro-perëndimor dhe Rusisë.

“Le të mos lejojmë asnjë të shesë të ardhmen tonë”, tha Sandu, duke iu referuar forcave pro-ruse që shpresojnë të fitojnë ndikim në parlament. //a.i/

The post MOLDAVI – Sandu bën thirrje për rrezikun e ndikimit të Moskës në zgjedhje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Prezantohet libri “Shqipëria prej letrave”, takim letrar me gazetarin e përkthyesin Ben Andoni

26 September 2025 at 13:45

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Në bibliotekën e Kryeministrisë u organizua sot takimi letrar me gazetarin, përkthyesin dhe studiuesin Ben Andoni, i cili prezantoi librin e tij “Shqipëria prej letrave”, në kuadër të ciklit “Personazhe në fokus”.

Të pranishëm në takim ishin botues, gazetarë, historianë, miq të Andonit si dhe nxënës të shkollës “Ismail Qemali”, të cilët bashkëbiseduan me autorin.

Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, vlerësoi kontributin e Ben Andonit në disa fusha e sidomos kontributin e tij të vazhdueshëm në diskursin publik.

“Kur flasim për kulturë, është shumë e rëndësishme që kultura të jetë aktive. Kohët në të cilat jetojmë sot kanë nevojë për kulturë të vazhdueshme, për njerëz që kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme, duke mos u stepur, duke mos hezituar dhe duke dhënë më të mirën për të cilën shoqëria ka nevojë, dhe Beni e jep këtë përmes zërit të tij, një zë që vjen nga librat dhe autorët që ai përkthen, nga dituria e madhe që rrjedh nga këto lexime, u shpreh Alda Bardhyli.

E ftuar të fliste mbi librin “Shqipëria prej letrave”, historiania Nevila Nika, vlerësoi rolin e letrave si pasqyrë e kohës.

“Sot jemi në epokën kur letra nuk shkruan më njeri dhe kjo është një fatkeqësi shumë e madhe, pasi në botën digjitale mund t’i korrigjojmë sa herë të duam. Por edhe pika dhe presja kanë rëndësinë e vet”, Nevila Nika, e cila vijoi fjalën e saj duke sjellë detaje interesante nga letrat (korrespondencën) që gjendet në arkivat shqiptare.

Botuesja Irena Toçi vlerësoi punën e bërë nga Ben Andoni falë së cilës cilit kanë ardhur në shqip shkrimtarët më të mirë të Serbisë, duke hapur një dritare të jashtëzakonshme në kulturën shqiptare për të njohur kulturën serbe.

Toçi përmendi faktin se, thuajse të gjithë autorët e përkthyer prej tij nga serbishtja janë ftuar në Tiranë nëpërmjet ndërmjetësimit të Ben Andonit.

“Ben Andoni është një njeri me tone të ulëta në përgjithësi, por kontributet e tij në shoqërinë tonë janë të shumëfishta dhe ai është i përgjegjshëm për rolin që ka se përndryshe nuk do të kishte treguar përgjegjësinë që ka treguar në çdo fushë ku ka kontribuar, të paktën në 25 vite gjatë të cilave ne kemi bashkëpunuar”, u shpreh botuesja Irena Toçi.

Vetë autori për të cilin u organizua ky takim letrar, përmendi sfidat me të cilat e përball përkthimi, paragjykimin e përkthimit nga serbishtja, qasjen nacionaliste të shkrimtarëve si dhe dialektet e ndryshme me të cilat përballet gjatë përkthimit. /j.p/

Takim letrar ne COD. Fotot nga Andrin Hoxha.
1 nga 10

The post Prezantohet libri “Shqipëria prej letrave”, takim letrar me gazetarin e përkthyesin Ben Andoni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Ndeshjet e Botërorit 2026 do zhvendosen nëse qytetet nuk garantojnë siguri

26 September 2025 at 13:07

UASHINGTON, 26 shtator  /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar se ndeshjet e “Kupës së Botës 2026” mund të zhvendosen në qytete të tjera nëse ndonjë prej atyre të përzgjedhura vlerësohet si e pasigurt.

Duke folur mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se e njëjta qasje do të zbatohet edhe për “Lojërat Olimpike” të vitit 2028 në Los Anxhelos.

“Pres që ‘Kupa e Botës’ të jetë shumë e sigurt”,  tha ai. “Por nëse mendoj se nuk është e tillë, do ta zhvendosim në një qytet tjetër. Nëse mendoj se nuk është e sigurt, do ta largojmë nga ai qytet”.

Presidenti  Trump shtoi se shpreson që një situatë e tillë të mos ndodhë. Ai ka folur vazhdimisht për rritjen e krimit në qytetet që qeverisen nga demokratët.

Shtetet e Bashkuara do të jenë bashkë-organizatore të turneut me 48 ekipe, së bashku me Meksikën dhe Kanadanë.

Njëmbëdhjetë qytetet amerikane pritëse janë: Seattle, San Francisco, Atlanta, Boston, Dallas, Houston, Los Angeles, Kansas City, Miami, New York/New Jersey dhe Philadelphia.

Trump ka dërguar Gardën Kombëtare në Los Angeles dhe Uashington për të parandaluar kriminalitetin, dhe ka thënë se do ta dërgojë gjithashtu në Memphis, e ndoshta edhe në Çikago.

Megjithatë, ka dyshime nëse qeveria amerikane ka kompetenca për të ndryshuar qytetet pritëse të Kupës së Botës, e cila organizohet nga FIFA, për shkak të kontratave të nënshkruara. /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump: Ndeshjet e Botërorit 2026 do zhvendosen nëse qytetet nuk garantojnë siguri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

NJU JORK – Zelensky u bën thirrje partnerëve të OKB-së të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës

24 September 2025 at 09:48

NJU JORK, 24 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje mbrëmë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të shtojnë përpjekjet ndërkombëtare për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës ndaj sulmeve ruse.

“Sot, me Britaninë, me Francën dhe tashmë me më shumë se 40 vende të koalicionit tonë të gatshëm, po ndërtojmë një arkitekturë të re sigurie”, tha Zelensky. “Ne besojmë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kemi mbështtejent  kryesore”.

Ai argumentoi se duhet të vendosen garanci sigurie që Rusia “nuk mund t’i kalojë”, duke përmendur mbrojtjen ajrore si shembullin më të qartë.

“Nëse do të mund të forconim qiellin tonë me një sistem të përbashkët për të rrëzuar raketat dhe dronët rusë, kjo do ta detyronte Rusinë të ndalonte sulmet nga ajri”, theksoi ai.

Këshilli i Sigurimit u mblodh në një takim urgjent për luftën në Ukrainë. Zelensky tha se është i detyruar të bëjë thirrje të përsëritura për mbështetje, ndërsa vëmendja globale ndaj konfliktit, i cili ka më shumë se tre vjet që vazhdon, po zbehet. /Ad.Ab./

 

The post NJU JORK – Zelensky u bën thirrje partnerëve të OKB-së të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Anglisë

21 September 2025 at 12:36

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Policia e Tiranës ka finalizuar një operacioni të koduar “Metoda”, duke goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Anglisë.

Si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative për një rast trafikimi të armëve të zjarrit, nga disa shtetas nga Shkodra, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me DVP Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Metoda”.

Në vendin e quajtur “Bulevardi i ri”, në Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, kanë ushtruar kontroll në një kamion që dyshohej se disa shtetas kishin fshehur një armë zjarri për ta trafikuar. Nga kontrolli në brendësi të një televizori, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit me silenciator, të ndarë në pjesë.

Në vijim të operacionit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër u arrestuan shtetasit J. S., 26 vjeç, dhe S. M., 20 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. A., 20 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë një armë zjarri me silenciator, me destinacion Anglinë, nëpërmjet kamionit të një shtetasi i cili nuk kishte dijeni për armën që ndodhej në brendësi të televizorit.

Vijojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve pas dyshohet se kanë trafikuar dhe armë të tjera si dhe për identifikimin e kapjen e të tjerëve të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/gj.m/r.e/

The post Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Anglisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BERLIN – NATO përdor sistemin turk të mbikëqyrjes pas depërtimeve ruse

20 September 2025 at 16:18

BERLIN, 20 shtator /ATSH– DPA/ – Rritja e shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia në krahun lindor dhe juglindor të NATO-s ka nxitur aleatët të mbështeten në një sistem turk të avancuar të mbikëqyrjes ajrore për operacione afatshkurtër dhe monitorim të drejtpërdrejtë.

Polonia dhe Rumania, kohët e fundit kanë regjistruar një valë depërtimesh nga dronët ushtarakë rusë, do të pajisen me system “Multispectral Extended Range Optical Sight (MEROPS” dhe do të trajnohen për përdorimin e tij.

Ky sistem mund të instalohet në helikopterë dhe dronë, dhe ka aftësinë të zbulojë objektet armike edhe përmes reve, pluhurit apo kushteve të tjera të vështira atmosferike.

Sipas informacioneve, trajnimi mbi MEROPS do të organizohet me mbështetjen e Ukrainës, me synimin që të fillojë që nga java e ardhshme. Qëllimi është që vendet e prekura të kenë kapacitete të menjëhershme monitorimi ajror, duke forcuar kështu krahun lindor dhe jug-lindor të aleancës.

Sistemi MEROPS u prezantua për herë të parë në publik në vitin 2022 dhe është projektuar për të ofruar mbikëqyrje optike me shumë spektra, duke i dhënë NATO-s një mjet të sofistikuar për të identifikuar dhe ndjekur aktivitete armike në kufijtë e saj.

Në një kohë kur tensionet me Rusinë po rriten dhe depërtimet ajrore po bëhen më të shpeshta, përdorimi i këtij sistemi turk pritet të rrisë ndjeshëm sigurinë dhe gatishmërinë e aleatëve të NATO-s në rajon. /Ad.Ab./

The post BERLIN – NATO përdor sistemin turk të mbikëqyrjes pas depërtimeve ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Operacioni i parë i përbashkët satelitor SHBA-BM në orbitë

19 September 2025 at 22:49

UASHINGTON, 19 shtator /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kryen sot manovrën e parë të koordinuar satelitore në orbitë – ndërsa shefat e Mbrojtjes e përshkruan atë si “një hap të madh përpara” në bashkëpunimin hapësinor.

Midis 4 dhe 12 shtatorit, një satelit amerikan u ripozicionua për të inspektuar një satelit britanik për të konfirmuar se po funksiononte siç duhet.

Testi ishte pjesë e “Operacionit Mbrojtësi Olimpik”, një manovër e përbashkët ushtarake – që synon të sigurojë që satelitët aleatë të monitorohen dhe mbrohen.

“Ky operacion ishte i pari i këtij lloji për Komandën Hapësinore të BM-së dhe përfaqëson një rritje të konsiderueshme të aftësisë operacionale”, tha zëvendësmarshalli Paul Tedman, kreu i Komandës Hapësinore të Britanisë së Madhe.

“I ekzekutuar me ekspertizë me Komandën Hapësinore të SHBA-së, nuk mund të isha më i kënaqur ose krenar për progresin e shpejtë që po bëjmë me aleatët tanë”, shtoi ai.

“Tani, me aleatët tanë, po kryejmë operacione të avancuara orbitale për të mbrojtur interesat tona të përbashkëta kombëtare dhe ushtarake në hapësirë”, tha ai.

Zyrtarët thanë se suksesi i ushtrimit tregoi aftësinë e të dy vendeve për të punuar së bashku në orbitë, ku satelitët janë gjithnjë e më të rëndësishëm për komunikimet, navigimin dhe mbrojtjen.

Gjeneral-lejtnant Douglas Schiess, i Forcës Hapësinore të SHBA-së, tha se veprimi i përbashkët vërtetoi ndërveprimin që është themelor për mbrojtjen kolektive.

Britania e Madhe ishte një nga vendet e para që iu bashkua “Operacionit Mbrojtësi Olimpik” të udhëhequr nga SHBA-ja, i cili synon të përgatisë aleatët për operacione të përbashkëta në rast të një konflikti në hapësirë. //a.i/

 

The post UASHINGTON – Operacioni i parë i përbashkët satelitor SHBA-BM në orbitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ambasada amerikane në Kosovë: Na duhet partner që e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese

15 September 2025 at 17:25

PRISHTINË, 15 shtator/ATSH/ Shteteve të Bashkuara i duhet një partner në Kosovë i cili e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese, ta avancojë stabilitetin rajonal dhe t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Zëdhënësi e tha këtë të hënën për Radion Evropa e Lirë, pak ditë pasi SHBA-ja e pezulloi për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Ai tha se e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, mban takime të rregullta me Kurtin dhe se “ne ia kemi shprehur drejtpërdrejt kryeministrit shqetësimet tona në këto takime, dhe e kemi bërë plotësisht të qartë qëndrimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Ambasada amerikane nuk ka shpjeguar se cilat kanë qenë veprimet e kryeministrit në detyrë Kurti që çuan në vendimin e saj për ta pezulluar pa afat dialogun e planifikuar strategjik.

Të hënën, zëdhënësi theksoi se SHBA-ja “do të vazhdojë t’i vlerësojë veprimet e Qeverisë në detyrë”, duke mos dashur të japë më shumë hollësi.

Ai siguroi se SHBA-ja do të mbetet gjithmonë mike e ngushtë e popullit të Kosovës dhe është plotësisht e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën, por tha se u kërkon partnerëve të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri.

“Ne dëshirojmë të ecim përpara me Qeverinë në detyrë, por na nevojitet një partner që e kupton domosdoshmërinë për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar të avancojë stabilitetin rajonal dhe të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi zëdhënësi.

Javën e kaluar, Qeveria në detyrë i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së që çuan në pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.

Ndërsa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani – e cila kishte njoftuar në fillim të këtij viti se Kosova do ta finalizonte një marrëveshje të arritur me SHBA-në për këtë dialog – shprehu keqardhje dhe shqetësim për vendimin e SHBA-së.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Derisa SHBA-ja nuk ka treguar për cilat veprime të Kurtit është e pakënaqur, ditëve të fundit, Kurti – i cili është njëkohësisht udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje – dhe zyrtarë të tjerë të partisë, përfshirë nënkryetarin Glauk Konjufca, e kanë kritikuar Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime deri më 30 shtator, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.

Gjykata e vendosi këtë masë në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja dhe bashkësia ndërkombëtare e kanë dënuar trysninë e Kurtit dhe partisë së tij ndaj gjykatës më të lartë të vendit. /rel/

The post Ambasada amerikane në Kosovë: Na duhet partner që e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

MADRID – Sanchez: Spanja nuk ka bomba bërthamore, por nuk do të ndalet së kundërshtuari “gjenocidin” e Izraelit

12 September 2025 at 14:56

MADRID, 12 shtator /ATSH/ – Spanja ka shprehur zhgënjim për mungesën e fuqisë për të ndaluar “gjenocidin” e Izraelit në Gazë, ndërsa kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez tha se mungesa e armëve bërthamore, transportuesve të avionëve dhe rezervave të mëdha të naftës në vend – kufizonte aftësinë e vendit për të ndaluar atë që qeveria e tij e quan një “gjenocid”, sipas “adncronos”.

“Spanja nuk ka bomba bërthamore, transportues aeroplanësh apo rezerva të mëdha nafte. Ne të vetëm nuk mund ta ndalojmë ofensivën izraelite. Por kjo nuk do të thotë që nuk do të përpiqemi, sepse disa kauza ia vlejnë të luftohen, edhe nëse fitorja nuk është tërësisht në duart tona”, tha Sanchez në një konferencë për shtyp ku u njoftuan sanksionet e reja kundër Izraelit.

“Pasi ka kauza për të cilat ia vlen të luftojmë, edhe nëse fitorja e tyre nuk është vetëm në duart tona”, shtoi ai.

Tensionet kanë filluar të rriten midis Spanjës dhe Izraelit.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez njoftoi një sërë masash për t’i dhënë fund gjenocidit në Gaza.

Në një deklaratë, kryeministri spanjoll tha se qeveria e tij kishte vendosur të bënte një hap të ri përpara dhe të zbatonte menjëherë nëntë masa shtesë për t’i dhënë fund gjenocidit në Gazë, për të ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës dhe për të mbështetur popullsinë palestineze.

Masat përfshijnë një embargo për shitjen e armëve në Izrael dhe një ndalim për anijet që transportojnë karburant të destinuar për IDF-në, që mbërrijnë në portet e vendit.

Për më tepër, Madridi do të ndalojë hyrjen në hapësirën e saj ajrore të të gjithë avionëve nga shtetet që transportojnë materiale mbrojtëse të destinuara për Izraelin.

Masa e katërt përfshin një ndalim për hyrjen në territorin spanjoll të të gjithë personave që marrin pjesë drejtpërdrejt në gjenocid, shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte në Gaza.

Qeveria spanjolle gjithashtu do të ndalojë importin e produkteve nga vendbanimet e paligjshme në Gazë dhe Bregun Perëndimor, me qëllim luftimin e këtyre pushtimeve.//a.i/

 

The post MADRID – Sanchez: Spanja nuk ka bomba bërthamore, por nuk do të ndalet së kundërshtuari “gjenocidin” e Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Normalizimi i marrëdhënieve, Bislimi dhe Petkoviç në Bruksel

11 September 2025 at 15:05

PRISHTINË, 11 shtator/ATSH/ Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjendet në Bruksel, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

“Mbi detajet, formatet, takimet dhe temat e diskutimit, do të informoheni në përfundim të tyre”, tha për Radion Evropa e Lirë, Klisman Kadiu, shef i kabinetit të Bislimit.

Serbia, ndërkaq, raportohet se në Bruksel ka dërguar kryenegociatorin e saj, Petar Petkoviq.

Bislimi dhe Petkoviq, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Peter Sorensen, po zhvillojnë takim të përbashkët, pasi paraprakisht kryenegociatorët kanë zhvilluar takime të ndara me ndërmjetësin evropian, raportoi agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.

Rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve vjen pasi ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi në Kosovë dhe Serbi në muajin gusht.

Në Kosovë ai bisedoi me udhëheqësit shtetërorë për, siç deklaroi, zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen e Ohrit më 2023. Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është obligative për të dyja palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi pas takimit me Sorensenin në Beograd se është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve.

Ndonëse takime të nivelit të kryenegociatorëve janë mbajtur, në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë takim i nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim, ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.

Për këtë ngjarje, Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Më 10 qershor, pas një takimi mes kryenegociatorëve, Sorensen paralajmëroi se po bëheshin përgatitje për një takim të ri të nivelit të lartë. /rel/

The post Normalizimi i marrëdhënieve, Bislimi dhe Petkoviç në Bruksel appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

PL: Qindra familje të prekura nga tërmeti në Durrës vijojnë të mbeten pa strehë

6 September 2025 at 11:46

TIRANË, 6 shtator /ATSH/ Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Durrësit nga Partia e Lirisë, Anisa Ibraj, reagoi sot ndaj atyre që i cilësoi vonesa në sistemimin e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas saj, një vit pas hedhjes së goglave të shortit për banesat, qindra familje vijojnë të mbeten pa strehë, ndërsa 996 apartamente të ndërtuara në Spitallë me fondet e dhuruara nga Emiratet e Bashkuara Arabe qëndrojnë ende bosh.

“Në Spitallë, 996 apartamente të ndërtuara me fondet e qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe vazhdojnë të qëndrojnë bosh. Autoritetet lokale dhe qendrore justifikohen prej një viti me instalimin e matësve të OSHEE, ndërsa banorët presin pa asnjë afat e pa asnjë përgjegjësi nga askush”, tha ajo.

Ibraj theksoi se, “Partia e Lirisë denoncon me forcë këtë skandal dhe i kërkon institucioneve shtetërore: të dorëzojnë menjëherë çelësat e apartamenteve në Spitallë për familjet që presin prej vitesh, të rikthejnë menjëherë bonusin e qirasë për ata që ende nuk kanë përfituar strehimin e premtuar dhe të mbajnë përgjegjësi penale e politike për mashtrimet, vonesat dhe vuajtjet e shkaktuara mbi qytetarët”.

/gj.m/j.p/

The post PL: Qindra familje të prekura nga tërmeti në Durrës vijojnë të mbeten pa strehë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kristjan Asllani prezantohet te Torino

25 August 2025 at 12:20

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Mesfushori shqiptar Kristjan Asllani është prezantuar tek Torino në Itali.

Klubi italian e ka marrë 23-vjeçarin e Kombëtares në huazim nga Interi për një sezon, me të drejtë për blerje përfundimtare në bazë të performancës.

Edhe pse vizitat mjekësore për Asllanin u kryen katër ditë më parë, një vonesë në dokumentacion ka bërë që prezantimi i tij zyrtar të bëhet vetëm sot.

Interi pret sot në Milano pikërisht Torinon, por as Asllani e as mbrojtësi tjetër i Kombëtares, Ardian Ismajli nuk do jenë të gatshëm për torinezët.

Kristjan Asllani u largua tre vitesh nga Interi. Torino ka paguar 1.5 milionë euro te Interi për huazimin një vjeçar, ndërsa pas këtij sezoni ka të drejtë për blerjen e mesfushorit në bazë të performancës për 12.5 milionë euro, për një kontratë finale 3-vjeçare.

/gj.m/j.p/

The post Kristjan Asllani prezantohet te Torino appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌