Normal view

Received today — 2 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Lamallari: Siguria rrugore prioritet, Smart City do të sjellë standard të ri monitorimi

2 August 2026 at 13:56

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka apeluar për më shumë ndërgjegjësim dhe përgjegjësi nga të gjithë përdoruesit e rrugës, duke theksuar se, megjithëse aksidentet rrugore kanë shënuar një trend rënës ndër vite, ato vijojnë të jenë shkaktari kryesor i humbjeve të jetëve njerëzore.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ministri Lamallari nënvizoi se respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor mbetet faktor kyç për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Nuk është kurrë mjaftueshëm ndërgjegjësimi mbi nevojën e respektimit të normave të drejtimit të automjetit dhe sigurisë rrugore. Do të vijojmë çdo ditë me apelin për ndërgjegjësim, mbikëqyrje dhe sanksionim me qëllim parandalimin e humbjeve në jetë njerëzore dhe lëndimin e qytetarëve”, shprehet ministri.

Ai theksoi se Policia e Shtetit vijon kontrollet intensive në të gjitha akset kryesore të vendit, duke përdorur makinat inteligjente, radarët dhe dronët për monitorimin e qarkullimit dhe evidentimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë rrugore.

Ministri Lamallari bëri të ditur gjithashtu se projekti Smart City, i cili pritet të vihet në funksion së shpejti, përfaqëson investimin më të madh të qeverisë shqiptare në fushën e sigurisë rrugore.

“Smart City vjen së shpejti si investimi më i madh i qeverisë shqiptare për sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit”, theksoi ministri.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, kufijtë e shpejtësisë dhe të shmangin çdo sjellje që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

/gj.m/j.p/

The post Lamallari: Siguria rrugore prioritet, Smart City do të sjellë standard të ri monitorimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Ministrat e Brendshëm takohen për situatën në Ceuta

DUBLIN, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Me shqetësimin në rritje në Bashkimin Evropian pasi dhjetëra mijëra emigrantë hynë në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën e Veriut, ministrat e Brendshëm të BE-së do të takohen për bisedime të martën, postoi në mediet sociale kryeministri irlandez, Micheal Martin.

“Si mbajtëse e presidencës, Irlanda do të thërrasë një takim të martën të Këshillit të Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme të BE-së, të kryesuar nga Jim O’Callaghan për të diskutuar zhvillimet në Ceuta,” postoi Martin në X të shtunën.

Irlanda aktualisht mban presidencën e Këshillit të BE-së dhe O’Callaghan është ministri i Drejtësisë, Punëve të Brendshme dhe Migracionit i Irlandës.

Zyrtarët do të diskutojnë zhvillimet në Ceuta, sipas informacionit.

“Ne mbetemi në kontakt të ngushtë me të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet dhe po vazhdojmë të monitorojmë situatën”, shkroi Martin.

Gjatë ditëve të fundit, rreth 60 000 persona mbërritën në Ceuta nga Maroku, me të paktën 67 persona të vdekur në përpjekje.

Shërbimet e emergjencës vazhduan kërkimet në det.

Pas ngjarjeve në Ceuta, disa vende të BE-së shtuan presionin mbi Spanjën.

Në një letër të nënshkruar nga 22 nga 27 udhëheqësit e BE-së, përfshirë Friedrich Merz të Gjermanisë, ata shprehën shqetësim të madh për situatën.

Ata akuzuan indirekt Madridin se u kishte dhënë njerëzve stimuj, përmes vendimeve të fundit, për të guxuar të bënin udhëtimin drejt BE-së.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez u ankua në një letër drejtuar Martinit për sjelljen e disa shteteve anëtare në krizën e Ceutës.

Ai theksoi se Ceuta nuk i përket zonës Schengen.

Kjo do të thotë që njerëzit nuk mund të udhëtojnë thjesht që andej në vende të tjera të BE-së.

Sánchez i dërgoi një letër identike presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raportoi transmetuesi shtetëror spanjoll i televizionit RTVE.

Sipas qeverisë spanjolle, pothuajse të gjithë emigrantët tani janë kthyer në Marok./ a.jor.

The post BRUKSEL – Ministrat e Brendshëm takohen për situatën në Ceuta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti thotë se ka “vullnet e gatishmëri” për marrëveshje me LDK-në para seancës konstituive

PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka “vullnet dhe gatishmëri” mes partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja të vendit gjatë javës së ardhshme.

LVV-ja dhe LDK-ja pritet t’i rifillojnë bisedimet që ishin pezulluar muajin e kaluar për shkak të një votëbesimi brendapartiak të cilit i mbijetoi këtë javë lideri i partisë opozitare, Lumir Abdixhiku.

I pyetur të shtunën vonë se kur do të rinisin takimet me Abdixhikun teksa po afron seanca konstituive e Kuvendit e 6 gushtit, Kurti tha: “Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të”.

“Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti për Ekonomia Online, pas një ngjarjeje të partisë së tij në Prishtine për mikpritjen e mërgimtarëve.

Ndërkohë, të shtunën, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë një kuvendi partiak të enjten ishte arritur pajtueshmëri që partia të bashkëpunojë me partinë në pushtet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

LDK-ja tashmë ka caktuar disa parime si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në, përfshirë: marrëveshje për të gjitha institucionet, pra Kuvendin, Qeverinë, Presidencën, ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, tha Haziri për REL-in.

Kurti, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.

Partia e tij i mori 53 mandate dhe, duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.

Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.

A do të mjaftonte një marrëveshje LVV-LDK?

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se zhvillimet e fundit në LDK, por edhe pozicionimi i partive politike në përgjithësi, nuk japin sinjale premtuese dhe të sigurta për formimin e institucioneve të reja.

Sipas tyre, rezultati i ngushtë i votimit për dhe kundër vazhdimit të mandatit të Abdixhikut për kryetar, rikonfirmon se brenda LDK-së ekzistojnë çarje të thella ndërmjet dy taborëve.

Analisti Rrahman Paçarizi, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se deklarata e Hazirit, se LDK-ja do të shkojë drejt një marrëveshjeje me LVV-në në rast se ajo ia respekton parimet e deklaruara, nuk e qartëson situatën.

“Më shumë është në funksion të ndërtimit të rrëfimit se LDK-ja nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si bllokuese e formimit të institucioneve”, shtoi Paçarizi.

Ai sheh pak gjasa që të gjendet një formulë nga kryetari i LDK-së, por edhe nga tabori i pakënaqur me të brenda kësaj partie, për të krijuar qëndrim të përbashkët të 18 deputetëve ndaj një marrëveshjeje të mundshme me LVV-në.

Analisti Artan Muhaxhiri gjithashtu tha se, pavarësisht rikonfirmimit të mandatit të Abdixhikut në krye të partisë, përplasjet brenda LDK-së tregojnë se çfarëdo marrëveshje me LVV-në nuk do të marrë mbështetjen e të gjithë 18 deputetëve të kësaj partie në Kuvend.

“Minimumi i ka gjashtë ose shtatë deputetë më pak se sa numri i përgjithshëm i deputetëve. Kështu që Abdixhiku e ka vetëm një detyrë, ta ndryshojë për 180 shkallë qasjen ndaj deputetëve të pakënaqur dhe personaliteteve shumë të rëndësishme të LDK-së, të cilët e kundërshtojnë mënyrën e lidershipit të tij”, theksoi Muhaxhiri.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Në rast se vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025. /rel/

The post Kurti thotë se ka “vullnet e gatishmëri” për marrëveshje me LDK-në para seancës konstituive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kombëtarja shqiptare e personave me aftësi të kufizuara intelektuale mbyll aventurën historike në “Genuine Cup 2026”

2 August 2026 at 13:18

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Ekipi Kombëtar i Shqipërisë për personat me aftësi të kufizuara intelektuale përfaqësoi për herë të parë vendin tonë në turneun ndërkombëtar “Genuine Cup 2026”, që po zhvillohet në Houston, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo pjesëmarrje historike përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për futbollin shqiptar, por edhe për promovimin e vlerave të barazisë, gjithëpërfshirjes dhe përgjegjësisë sociale përmes sportit.

Në ndeshjet e fazës së grupeve, Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar nëntë takime, duke regjistruar 3 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje. Përtej rezultateve sportive, skuadra ka dhuruar paraqitje dinjitoze, duke treguar përkushtim, shpirt gare, respekt për kundërshtarin dhe pasion për futbollin, vlera që e bëjnë këtë eksperiencë një sukses të vërtetë.

Pjesëmarrja në “Genuine Cup 2026” u jep këtyre sportistëve mundësinë të garojnë në një skenë ndërkombëtare, të krijojnë miqësi të reja dhe të dëshmojnë se futbolli është një gjuhë universale që bashkon njerëzit, pavarësisht aftësive apo sfidave që ata kanë.

Ky projekt është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit për të ndërtuar një futboll sa më gjithëpërfshirës dhe për t’u ofruar mundësi të barabarta të gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e lojës.

Në bashkëpunim me partnerët institucionalë dhe organizatat që mbështesin personat me aftësi të kufizuara intelektuale si qendrat “Autizmi Flet”, “Edhe unë Mundem” dhe “Caritas Albania”, FSHF ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për krijimin, zhvillimin dhe përgatitjen e këtij ekipi kombëtar, duke bërë të mundur pjesëmarrjen e tij në kompeticione ndërkombëtare.

Federata Shqiptare e Futbollit thekson se, përgjegjësia sociale është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të futbollit.

Përmes projekteve të tilla, FSHF synon të përdorë fuqinë e futbollit si një instrument integrimi, edukimi dhe përfshirjeje sociale, duke krijuar mundësi reale që edhe personat nga kategoritë më vulnerabël të jenë pjesë aktive e aktiviteteve sportive dhe të përfaqësojnë me krenari Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Sipas FSHF, pjesëmarrja në “Genuine Cup 2026” mbetet një arritje e rëndësishme për futbollin shqiptar dhe një dëshmi se sporti mund të jetë një urë që bashkon, frymëzon dhe krijon mundësi të barabarta për të gjithë.

Me këtë angazhim, FSHF konfirmon edhe një herë se futbolli nuk njeh barriera dhe se vlerat e tij shkojnë shumë përtej rezultatit në fushën e lojës.

/gj.m/j.p/

The post Kombëtarja shqiptare e personave me aftësi të kufizuara intelektuale mbyll aventurën historike në “Genuine Cup 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzikë mbi nivelin e lejuar, gjobitet me 200 mijë lekë lokali në Shkodër

2 August 2026 at 13:15

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Shkodrës ka vijuar kontrollet për respektimin e nivelit të zhurmave dhe orarit të aktiviteteve me muzikë në zonat turistike.

Gjatë kontrolleve të kryera nga shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bazë edhe të ankesave të qytetarëve, u konstatua muzikë mbi nivelin e lejuar në një lokal në Velipojë.

Për shkeljen, administratorja e lokalit, shtetasja E. Gj., 23 vjeçe, u ndëshkua me 200 000 lekë të rinj masë administrative.

Policia njofton se kontrollet u kryen me matës zhurme, në përputhje me përcaktimet ligjore për administrimin e zhurmës në mjedis. Gjithashtu, po verifikohet respektimi i orarit të lejuar për gjenerimin e muzikës në ambiente të hapura, nga ora 11:00 deri në 24:00.

Kontrollet do të vijojnë edhe gjatë sezonit turistik, me qëllim garantimin e qetësisë dhe sigurisë për banorët dhe vizitorët.

Policia fton qytetarët të denoncojnë rastet e paligjshmërisë në numrin pa pagesë 112.

/gj.m/j.p/

The post Muzikë mbi nivelin e lejuar, gjobitet me 200 mijë lekë lokali në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ZAGREB – Mijëra udhëtarë përballen me 10 orë pritje në kufirin Kroaci-Mali i Zi

ZAGREB, 2 gusht /ATSH/ – Kolona të gjata automjetesh dhe pritje që në disa raste kanë arritur deri në 10 orë janë regjistruar gjatë fundjavës në pikën kufitare Karasoviçi–Debeli Brijeg, në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi, duke krijuar një nga situatat më të vështira të sezonit turistik në rajonin e Adriatikut, sipas thedubrovniktimes.com.

Sipas medieve kroate, mijëra automjete janë bllokuar në radhë kilometrike që shtrihen nga pika kufitare Karasoviçi deri pranë aeroportit të Dubrovnikut, ndërsa trafiku ka përfshirë edhe rrugët lokale në komunën e Konavles, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e banorëve.

Për banorët e kësaj zone, fundjava e parë e muajit gusht është kthyer tashmë në periudhën më problematike të vitit për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të automjeteve që kalojnë drejt Malit të Zi.

Situata është konsideruar aq serioze, sa kryetari i bashkisë së Konavles, Bozho Lasiç, aktivizoi Shtabin e Mbrojtjes Civile të komunës, duke e cilësuar gjendjen si të papranueshme.

“Njerëzit nuk mund të shkojnë në shtëpitë e tyre apo të zhvillojnë aktivitetet normale të përditshme”, deklaroi ai duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme derisa të normalizohet qarkullimi.

Ekspertët e transportit e lidhin këtë situatë me fluksin tradicional të lëvizjeve gjatë fundjavës së parë të gushtit.

Çdo vit, mijëra qytetarë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët jetojnë dhe punojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera evropiane, udhëtojnë drejt vendeve të origjinës për pushimet verore.

Në të njëjtën kohë, një numër i madh turistësh që qëndrojnë në Dubrovnik zgjedhin të vizitojnë destinacionet turistike të Malit të Zi, si Kotori, Budva dhe Gjiri i Kotorrit, duke shtuar ndjeshëm ngarkesën në pikën kufitare.

Një tjetër faktor që ndikon në krijimin e kolonave është statusi i Kroacisë si vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe i Zonës Schengen, ndërsa Mali i Zi mbetet jashtë këtyre strukturave.

Për pasojë, çdo udhëtar i nënshtrohet kontrolleve të plota kufitare gjatë daljes nga Kroacia dhe hyrjes në Mal të Zi, çka zgjat kohën e përpunimit të automjeteve.

Sipas informacioneve jozyrtare, pjesa më e madhe e vonesave këtë fundjavë është regjistruar në pikën kufitare malazeze të Debeli Brijegut, ku kontrollet më të detajuara dhe mungesa e personelit kanë ngadalësuar ritmin e kalimit. Autoritetet kroate dhe malazeze po bashkëpunojnë për të përshpejtuar procedurat dhe për të ulur kohën e pritjes.

Përveç shqetësimeve që lidhen me trafikun, autoritetet kanë ngritur edhe alarmin për rrezikun që paraqesin temperaturat e larta.

Qëndrimi për shumë orë në automjete, në temperatura mbi 35 gradë Celsius, mund të krijojë probleme shëndetësore, ndërsa bllokimi i rrugëve vështirëson ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës në rast zjarresh apo urgjencash mjekësore./  a.jor.

The post ZAGREB – Mijëra udhëtarë përballen me 10 orë pritje në kufirin Kroaci-Mali i Zi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flukset në kufirin Kroaci-Mali i Zi, MEPJ: Angazhim për lehtësimin e lëvizjes së shqiptarëve

2 August 2026 at 13:11

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot lidhur me flukset në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi gjatë sezonit turistik, duke theksuar se rritja e flukseve të udhëtarëve sjell ngarkesa të konsiderueshme në periudhat e pikut.

Sipas MPJ-së, fenomeni përsëritet pothuajse çdo verë, veçanërisht gjatë fundjavave dhe ditëve me lëvizje të lartë, për shkak të volumit të madh të udhëtarëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë përmes rrugëve tokësore.

“Rritja e ndjeshme e mobilitetit në rajon dhe flukset gjithnjë e më të mëdha të udhëtarëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë me rrugë tokësore gjatë sezonit turistik shoqërohen, në periudhat e pikut, me pritje të gjata në pikat kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi. Ky është një fenomen që, për shkak të volumit shumë të lartë të lëvizjeve, përsëritet pothuajse çdo verë, veçanërisht gjatë fundjavave dhe ditëve me fluksin më të madh”, thekson MEPJ në një reagim.

Ministria thekson se përfaqësitë diplomatike shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse të vendeve të rajonit, me synim lehtësimin e lëvizjes dhe reduktimin e pritjeve në pikat kufitare.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësitë tona diplomatike janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet përgjegjëse, me synimin që, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi në secilin shtet, kalimi i qytetarëve të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i lehtë, duke shtuar kapacitetet për të minimizuar, në masën më të madhe të mundshme, pritjet në pikat kufitare”, shton MEPJ.

Sipas MEPJ,-së, “vetëm gjatë sezonit veror, rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes këtij korridori rrugor. Një volum i tillë lëvizjesh krijon, në periudha të caktuara, ngarkesa të konsiderueshme për infrastrukturën dhe shërbimet kufitare”.

Megjithatë, shton MEPJ, “kjo nuk e zbeh angazhimin tonë për të bashkërenduar veprimet me autoritetet përkatëse, për të identifikuar zgjidhje praktike dhe për të lehtësuar sa më shumë lëvizjen e qytetarëve tanë, deri në ditën kur hapësira Schengen të shtrihet tërësisht edhe në këtë pjesë të rajonit tonë”.

/gj.m/j.p/

 

The post Flukset në kufirin Kroaci-Mali i Zi, MEPJ: Angazhim për lehtësimin e lëvizjes së shqiptarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

12 505 shkelje rrugore të konstatuara gjatë javës së fundit në kryeqytet

2 August 2026 at 12:50

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet në akset lidhëse dhe rrugët me frekuentim të lartë, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Gjatë javës së fundit, si rezultat i prezencës së shtuar të shërbimeve dhe monitorimit me mjete bashkëkohore, janë konstatuar 12 505 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, janë evidentuar 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, për të cilat autorët janë arrestuar ose proceduar penalisht.

Policia ka proceduar penalisht edhe një drejtues automjeti, pasi tentoi të korruptonte një punonjës policie duke i ofruar 2000 lekë, me qëllim shmangien e masës administrative, pasi drejtonte automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.

Ndër masat e vendosura gjatë kontrolleve janë 74 masa për mospozicionim të rregullt në karrexhatë, 12 masa për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit dhe masa ndaj 31 automjeteve të ndaluara ose të parkuara në kundërshtim me Kodin Rrugor.

Për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mungesë të rripit të sigurimit dhe mungesë të kaskës mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve janë vendosur 1562 masa administrative.

Policia Rrugore apelon për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit, shmangien e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi, si dhe rritjen e përgjegjshmërisë nga të gjithë përdoruesit e rrugës për garantimin e sigurisë rrugore.

/gj.m/j.p/

The post 12 505 shkelje rrugore të konstatuara gjatë javës së fundit në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Konsullata serbe në Shkodër nuk cenon sovranitetin, prania shqiptare në Bujanoc i shërben interesit kombëtar  

2 August 2026 at 12:39

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Hapja e konsullatës serbe në Shkodër nuk rrezikon sovranitetin e Shqipërisë, deklaroi ministri i Jashtëm Ferit Hoxha.

Pas debatit për dakordësinë mes dy palëve Serbi-Shqipëri, ministri në një intervistë për Top Channel tha se asnjë shtet nuk do të lejonte një prani diplomatike që cenon e kërcënon interesat e vendit.

“Hapja e një konsullate, nuk i jep shtetit dërgues asnjë lloj pushteti apo, akoma më pak, ndonjë lloj sovraniteti mbi qytetin, territorin apo popullsinë ku ajo vendoset. Vendndodhja, klasa, juridiksioni dhe funksionimi i çdo pranie diplomatike që vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar por edhe me ligjet dhe rregullat shqiptare”, u shpreh ministri.

Kërkesa e Shqipërisë për një përfaqësim në Bujanoc ka qenë një objektiv i hershëm i politikës së jashtme. Për ministrin Hoxha, ky angazhim me Serbinë nuk ndryshon kurrsesi qëndrimin dhe mbështetjen ndaj Kosovës.

“Angazhimi diplomatik me Serbinë nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë pandjeshmëri ndaj Kosovës, aq më pak relativizim të politikës së Beogradit ndaj saj. Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, mëvetësinë dhe zhvillimin si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe mbështetjen e pakursyer të shtetit shqiptar, ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm”, shprehet Hoxha.

Kjo dakordësi do të arrinte që shteti të ishte më afër shqiptarëve jashtë kufijve, deklaron ministri duke vlerësuar me rëndësi në këtë debat pyetjen: çfarë përfiton Shqipëria me një konsullatë në Luginën e Preshevës. Debati sipas ministrit të jashtëm është zhvilluar në mënyrë absurde në emër të interesave të supozuara të Serbisë sesa të interesave konkrete të shqiptarëve.

“Kushdo që pretendon se Shqipëria duhet ta hapë Konsullatën e saj në Serbi, por pa pranuar që Serbia të ketë të njëjtën mundësi në Shqipëri, nuk propozon një zgjidhje reale dhe flet në hava. Një qasje e tillë mund të tingëllojë patriotike në rrjetet sociale, por nuk prodhon asnjë rezultat konkret për shqiptarët e Luginës. Në rastin më të mirë, ajo dëshmon një mosnjohje të thellë të mënyrës se si funksionojnë diplomacia dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Në rastin më të keq, ajo është një përpjekje e vetëdijshme për të penguar një objektiv që i shërben drejtpërdrejt interesit kombëtar”, shton më tej ai.

Ministri Hoxha shpjegon se madhësia e komunitetit jashtë kufijve nuk është arsyeja e vetme për hapjen e një konsullate, por vendimi bazohet edhe në çështje ekonomike, kulturore, turistike apo interesash strategjikë. Me këtë argument ai kundërshton kritikat që thonë se shqiptarët e Luginës dhe serbët e Shkodrës janë të barabartë.

“Unë kam detyrimin të mbroj interesat e Shqipërisë. Serbia, ashtu si çdo shtet tjetër, bën të njëjtën gjë për interesat e saj. Ajo nuk përcakton interesat tona, as ne nuk përcaktojmë të sajat. ne nuk po vendosim kurrfarë shenje barazimi ndërmjet shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi serbe që jetojnë në qarkun e Shkodrës. Përkundrazi, vetë disproporcioni numerik tregon qartë se nga anon interesi praktik dhe i vërtetë”, thekson ministri Ferit Hoxha.

Reciprociteti thotë ministri Hoxha është një parim themelor në diplomaci por nuk nënkupton barazi automatike.

/gj.m/j.p/

The post Hoxha: Konsullata serbe në Shkodër nuk cenon sovranitetin, prania shqiptare në Bujanoc i shërben interesit kombëtar   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani paralajmëron përgjigje vendimtare ndaj çdo sulmi të ri amerikan

TEHERAN, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi paralajmëroi kundër një përshkallëzimi të ri ushtarak në konfliktin me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se forcat e armatosura të Teheranit do t’i përgjigjen me vendosmëri çdo akti agresioni.

Në një mesazh në Telegram pas një telefonate me ministrin e Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, Araghchi tha se SHBA, Izraeli dhe çdo shtet i Gjirit i përfshirë do të mbajnë përgjegjësi të plotë për çdo sulm të ri.

Teherani tashmë ka kërcënuar me sulme hakmarrëse kundër infrastrukturës kritike në Izrael dhe vendet e Gjirit pas raportimeve nga mediat amerikane se Uashingtoni po shqyrtonte një sulm të ri të madh ndaj objektivave në Iran.

Sulmet e mundshme mund të përfshijnë infrastrukturën energjetike të Iranit, sipas raportimeve.

Që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, Irani është përgjigjur shpesh ndaj sulmeve amerikane me sulme ndaj objektivave në shtetet e Gjirit, të cilat gjithashtu strehojnë baza ushtarake amerikane.

Arabia Saudite është shënjestruar disa herë.

Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman foli me presidentin e SHBA-së Donald Trump për të shprehur shqetësimet e mbretërisë në lidhje me raportimet për sulme të reja të planifikuara, raportoi faqja e internetit amerikane e lajmeve Axios, duke cituar burime amerikane të njohura me bisedimet.

Princi i kurorës i kërkoi Trumpit të ulë tensionet, thuhet në raport.

Araghchi foli gjithashtu me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan dhe shefin e ushtrisë së Pakistanit, feldmarshalin Asim Munir, i cili kohët e fundit ndërmjetësoi midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Në të dyja telefonatat, Araghchi tha se Irani mbeti i vendosur të përgjigjej me vendosmëri ndaj çdo sulmi./ a.jor.

The post TEHERAN – Irani paralajmëron përgjigje vendimtare ndaj çdo sulmi të ri amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Meloni kërkon zgjerimin e modelit shqiptar në Afrikë për kthimin e emigrantëve

ROMË, 2 gusht /ATSH/ – Pas situatës së krijuar në Ceuta, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni po kërkon që modeli i qendrave të riatdhesimit të zbatuar me Shqipërinë të shtrihet edhe në vende të tjera, kryesisht në Afrikë, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, sipas prestigjiozes italiane ”Corriere della sera”.

Italia synon ta paraqesë këtë propozim në Këshillin Evropian, duke e shoqëruar me kërkesën që vendet partnere të bashkëpunojnë më ngushtë për rikthimin e emigrantëve që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në BE.

Sipas artikullit, Meloni e sheh këtë si një mundësi për të forcuar mbështetjen evropiane për politikat e saj migratore dhe për të promovuar një qasje më të gjerë evropiane ndaj Afrikës.

”Loja sapo ka filluar sepse, pas letrës, kryeministrja Meloni tani po mendon për propozime. Nga krijimi i qendrave të reja të riatdhesimit “në stilin e Shqipërisë” deri te marrëveshjet ekonomike edhe më të rrepta me vendet afrikane.

Gjithçka ka qenë në lëvizje në 24 orët e fundit. Ideja për dokumentin me 22 anëtarë lindi nga një telefonatë të premten në mëngjes midis Melonit dhe kryeministres daneze Mette Frederiksen (një socialdemokrate, një detaj jo i parëndësishëm).

Kryeministrja e prezantoi dhe e ndau idenë për letrën me kolegen e saj dhe kjo mund të interpretohet përmes lenteve të politikës së jashtme dhe të brendshme.

E para: Italia është e aftë të sjellë të gjithë (ose pothuajse të gjithë) Evropën në anën e saj me qëndrimet e saj, pas paktit të migracionit dhe azilit, sepse “mbrojtja e kufijve të jashtëm të Unionit nuk është interesi i një kombi të vetëm. Është një përgjegjësi e përbashkët e Evropës”.

E dyta: për Melonin, është një mënyrë për t’i demonstruar opozitës se “është larg të qenit e izoluar”.

Por, kryetarja e Partisë Demokrate, Elly Schlein i kujton asaj se “Sánchez riatdhesoi më shumë në 48 orë sesa Meloni në katër vjet”.

Por, si lindi letra?

Mbështetjet fillestare janë rezultat i formatit që, për disa vite tani, me këmbënguljen e Melonit, është takuar në Bruksel para Këshillave Evropiane.

Dhe përbëhet nga 15 shtete anëtare që bien dakord për luftimin e imigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Gjermania është gjithashtu pjesë e kësaj platforme dhe do ta nënshkruajë letrën me kancelarin Friedrich Merz, duke i dhënë asaj një peshë të konsiderueshme.

Megjithatë, Franca jo. Zyra e Kryeministrit e interpreton mungesën e Parisit si rezultat të një “zgjedhjeje politike” dhe jo të një merite, duke pasur parasysh afërsinë e Emmanuel Macron me Pedro Sánchez.

Të dyja – megjithëse në shkallë të ndryshme – janë shtetet kryesore “të izoluara” në emergjencën e Ceutës, sipas zyrtarëve qeveritarë.

Italia, me ministrin e Brendshëm Matteo Piantedosi, do të sjellë në takimin e Këshillit Evropian të thirrur për të martën propozimin për të krijuar qendra të reja për riatdhesimin e migrantëve të paligjshëm, të ngjashme me atë të Shqipërisë, por të financuara me fonde evropiane dhe pothuajse tërësisht të vendosura në Afrikë.

Një listë paraprake e vendeve që mund të përfshihen tashmë ekziston.

Këto janë, sigurisht, vende joanëtare të BE-së: Ruanda, Gana, Senegali, Tunizia, Libia, Mauritania, Egjipti, Uganda, Uzbekistani, Armenia, Mali i Zi dhe Etiopia.

Në të njëjtën kohë, qeveria do të shtyjë përpara zbatimin e rreptë të programit “GSP+”, i miratuar këtë vit dhe në fuqi nga 1 janari 2027. Sistemi lidh avantazhet tarifore për vendet në zhvillim me bashkëpunimin efektiv në ripranimin e qytetarëve të tyre që banojnë ilegalisht në BE. Në këto orë konflikti total me Spanjën, Meloni reflekton mbi “sinjalin” që ka arritur të dërgojë, duke imponuar vizionin e saj “mbi një numër gjithnjë e në rritje të kombeve evropiane”.

Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani gjithashtu kontribuoi prapa skenave në operacion: ai kurrë nuk i ka fshehur kritikat e tij ndaj qeverisë spanjolle për lëvizjet e saj tepër të rrezikshme në politikat e migracionit.

600 000 lejet e qëndrimit të dhëna nga Sánchez për emigrantët e paligjshëm janë konsideruar gjithmonë nga Tajani si “të gabuara” dhe “një nxitje për trafikimin e qenieve njerëzore”.

Përgjigja agresive e Romës, duke pezulluar udhëtimet detare dhe ajrore të zonës Schengen në Spanjë për qytetarët joBE për një muaj, rrjedh nga frika e një amnistie të re që Madridi mund të japë.

Masa skadon më 31 gusht dhe mund të zgjasë më pak.

Meloni duket se ka arritur një sërë objektivash që i kishte vendosur vetes me Ceutën”./ a.jor.

The post KOMENT – Meloni kërkon zgjerimin e modelit shqiptar në Afrikë për kthimin e emigrantëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohet për ekstradim 50-vjeçari i dënuar në Itali për trafik droge

2 August 2026 at 11:11

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit finalizoi një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “FAST”, duke lokalizuar dhe ndaluar në Durrës, me qëllim ekstradimi, një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Në kuadër të operacioneve për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin, identifikimin dhe ndalimin e shtetasit Gentian Lika, 50 vjeç, lindur në Kavajë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, Itali, me vendim të muajit mars 2025, e ka dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, sipas parashikimeve të Kodit Penal italian.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet homologe italiane, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

/gj.m/j.p/

The post Arrestohet për ekstradim 50-vjeçari i dënuar në Itali për trafik droge appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KORE E JUGUT – 42,5°C rekord i ri temperature

SEUL, 2 gusht /ATSH-AFP/ – Koreja e Jugut regjistroi sot temperaturën e saj më të lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1904, me 42,5°C në Yangsan në juglindje të vendit, njoftoi Agjencia Meteorologjike Koreane (KMA).

”Mërkuri, në këtë qytet pranë portit kryesor të Busanit, arriti në 42,5°C në orën 13:26 sipas orës lokale (04:26 GMT)”, raportoi agjencia në faqen e saj të internetit. Kjo shënon ditën e pestë radhazi që Yangsan ka përjetuar temperatura që tejkalojnë 40°C.

Ky rekord i ri vjen mes një paralajmërimi për valë të nxehti për shumicën e 51 milionë banorëve të vendit.

Shumë qytete po përjetojnë temperatura rreth 30°C.

Më shumë se 20 vende janë nën alarme ekstreme për nxehtësi.

Kur alarmi është në fuqi, rekomandohet fuqimisht të ndalohen të gjitha aktivitetet në natyrë, përfshirë punën dhe sportet, sa më shumë që të jetë e mundur.

Ky alarm maksimal i motit është një nivel i ri i krijuar këtë vit në pritje të ngjarjeve ekstreme të lidhura me ndryshimet klimatike.

Ai u aktivizua për herë të parë më 12 korrik.

Sipas këtij sistemi të ri, alarmi maksimal aktivizohet kur një rajon regjistron temperatura maksimale të perceptuara prej të paktën 35°C për dy ditë rresht dhe parashikimi parashikon temperatura mbi 39°C për të paktën një ditë.

”Rreth 157 qytete janë gjithashtu nën një alarm për valë të nxehti”, sipas KMA-së (Administrata Qendrore Meteorologjike).

Sipas KMA-së, numri mesatar vjetor i ditëve me valë të nxehti në vend është rritur nga tetë në vitet 1970 në 19 gjatë pesë viteve të fundit.

Në të gjithë botën, këto valë të nxehti po bëhen më intensive dhe më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike, të shkaktuara kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit./  a.jor.

The post KORE E JUGUT – 42,5°C rekord i ri temperature appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohet në Kosovë edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/ Autoritetet ligjzbatuese të Kosovës e kanë arrestuar të dielën edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok, në veri të vendit, ku ekipe të forenzikës janë duke kryer gërmime prej ditësh për një varr të dyshuar masiv, pas gjetjes së mbetjeve njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99.

Në një njoftim për media të dielën, Policia e Kosovës tha se pas urdhrit nga prokurorët e ka arrestuar një të dyshuar me inicialet J.R.

“Ai dyshohet se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.

Policia nuk dha më shumë hollësi rreth të dyshuarit, por shtoi se ai u kap pas një pune intensive hetimore në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.

Ky është personi i tretë i arrestuar lidhur me rastin e Zubin Potokut, pasi dy burra të tjerë po mbahen tashmë në paraburgim, po ashtu, nën dyshimin për krime lufte.

Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve të parë.

Policia tha më vonë se ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave.

Autoritetet konfirmuan ditë më parë se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.

Ndërkohë, të shtunën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së mbetjeve njerëzore dhe terrenit të vështirë.

Duke folur për media gjatë vizitës së tij në vendin e gërmimeve, Kurti tha se Serbia duhet të kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 njerëzve ende të zhdukur.

Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.

Autoritetet kanë thënë se është herët të flitet për identifikimin e viktimave të mundshme, duke bërë thirrje për ruajtjen e integritetit të hetimeve.

Por, Kurti e përsëriti të shtunën se mbetjet e dyshuara njerëzore në këtë fshat mund t’iu përkasin një grupi prej 23 shqiptarëve të zhdukur në atë pjesë të vendit në vitin 1999.

“Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë”, tha Kurti.

Kohët e fundit autoritetet kanë kryer vazhdimisht gërmime në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Sipas tij, 1.577 njerëz, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur nga ajo luftë.

Më herët gjatë vitit, Kosova ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte. /rel/

The post Arrestohet në Kosovë edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Procedohen 8 të mitur për plagosjen e lehtë të një 20-vjeçari italian

2 August 2026 at 10:49

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Tiranës ka identifikuar, shoqëruar dhe proceduar penalisht 8 të mitur, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar për përfshirje në konfliktin ku u dëmtua lehtë një 20-vjeçar italian.

Ngjarja ndodhi më 29 korrik, pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë. Sipas Policisë, pas veprimeve të shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 identifikuan dhe shoqëruan 8 të miturit, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Ata dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konfliktin gjatë të cilit shtetasi italian pësoi lëndime të lehta trupore.

Policia vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/

The post Procedohen 8 të mitur për plagosjen e lehtë të një 20-vjeçari italian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Monitorim nga ajri me dronë, 2 të arrestuar për kultivim kanabisi në Dibër

2 August 2026 at 10:46

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Dibrës finalizoi operacionin antidrogë të koduar “Deja”, duke arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike.

Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë Dibër, Mat dhe Kamzë, ndërsa kontrollet u kryen nga toka dhe me monitorim me dronë nga ajri.

Gjatë kontrollit në një parcelë në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, në territorin e bashkisë Dibër, u kapën në flagrancë shtetasit A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A. B., 39 vjeç, banues në fshatin Derjan, Bashkia Mat.

Në parcelë u konstatuan 1121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

Policia e Dibrës apelon veçanërisht për banorët e zonave rurale që të denoncojnë çdo rast apo indicie për kultivimin e bimëve narkotike, duke theksuar se bashkëpunimi me Policinë mbetet thelbësor në parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

/gj.m/j.p/

The post Monitorim nga ajri me dronë, 2 të arrestuar për kultivim kanabisi në Dibër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Dimri i fundit” në proces restaurimi, rikthim me cilësi për publikun

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Një tjetër gur i çmuar i kinematografisë shqiptare po rikthehet në jetë.

Bëhet fjalë për filmin “Dimri i fundit”, një prej prodhimeve ikonike të kinematografisë shqiptare që ende edhe sot e kësaj dite ruhet në kujtesën e brezave.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njoftoi se ka nisur procesi i restaurimit të filmit ikonik “Dimri i Fundit”, punë e kujdesshme që po realizohet në studion e restaurimit të AQSHF nga specialistët audiovizual Erand Meça dhe asistentja Hajrije Dedej.
Restaurimi po kryhet me përkushtimin për të ruajtur dhe rikthyer në cilësinë më të mirë një nga veprat e rëndësishme të trashëgimisë sonë kinematografike.
Pas përfundimit të restaurimit, premiera e filmit do të jetë së shpejti në kinema “Drita”.
“Dimri i fundit” është prodhim i vitit 1976 me regji nga  Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. Skenari i filmit është shkruar nga Nexhati Tafa, ndërsa muzika ikonike është kompozuar nga Aleksandër Lalo. Filmi është xhiruar në fshatin turistik të Dardhës në Korçë.

The post “Dimri i fundit” në proces restaurimi, rikthim me cilësi për publikun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Mijëra të evakuar pas zjarreve në shtetin e Uashingtonit

UASHINGTON, 2 gusht /ATSH-AFP/ – Mijëra njerëz u urdhëruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Spokane, shteti i Uashingtonit, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, për shkak të një zjarri që i afrohej qytetit të shtunën, që detyroi guvernatorin lokal të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.

”Më shumë se 80 900 hektarë ishin djegur në 12 zjarre të mëdha në të gjithë shtetin e Uashingtonit në një vit rekord të katërt radhazi të thatësirës mbarëkombëtare”, tha zyra e guvernatorit Bob Ferguson.

“Thatësira historike dhe erërat e forta po krijojnë kushte të rrezikshme në të gjithë shtetin”, tha guvernatori, duke shtuar se gjendja e jashtëzakonshme ndalon shumicën e zjarreve në natyrë dhe bujqësore deri më 30 shtator.

“Ky vit është tashmë një nga vitet më të ngarkuara me zjarret në histori, dhe ne sapo po hyjmë në gusht”, tha Komisioneri i Tokave Publike, Dave Upthegrove.

”Zjarri me përhapje të shpejtë kapërceu lumin Spokane të shtunën pasdite dhe hyri në qytet”, raportoi të shtunën gazeta ”Spokesman-Review”.

Niveli më i lartë i alarmit të evakuimit u lëshua për zona të mëdha të Spokanit verior, duke prekur mijëra njerëz në periferi të qytetit, sipas hartës së evakuimit të qeverisë.

Është ngritur një qendër strehimi për të evakuarit.

Shteti i Uashingtonit, në bregun e Paqësorit, kufizohet me Kanadanë, një vend i cili u përball në korrik me një sezon të ri të zjarreve pyjore, të përshkruar si “një nga më intensivët në histori” nga kryeministri Mark Carney, me tre milionë hektarë të djegur, ekuivalente me sipërfaqen e Belgjikës./  a.jor.

The post SHBA – Mijëra të evakuar pas zjarreve në shtetin e Uashingtonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Zjarret pyjore kërcënojnë qytetin pranë Athinës

ATHINË, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Zjarrfikësit grekë po luftojnë sot me një zjarr të madh në perëndim të Athinës.

Qindra ndihmës të emergjencës ishin në vendngjarje gjatë gjithë natës në malet Kithairon, të mbështetur nga automjete ushtarake, vullnetarë dhe pajisje të rënda.

”Në agim, aeroplanët dhe helikopterët e zjarrfikësve rifilluan operacionet e tyre”, raportoi transmetuesi shtetëror ERT.

Flakët u përhapën me shpejtësi herë pas here për shkak të erërave të forta.

Zonat e Venizës dhe Psathas janë goditur veçanërisht rëndë.

Ndihmësit e emergjencës thanë se zjarri po vazhdon të lëvizë drejt lindjes dhe tani është vetëm disa kilometra larg qytetit të Megarës, rreth 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit grek.

Sipas raporteve zyrtare, të paktën 500 zjarrfikës po luftojnë me flakët, përfshirë ekipe nga Rumania dhe Franca.

Një zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve deklaroi se 13 persona janë arrestuar në të gjithë vendin deri më tani me akuzën e zjarrvënies së pakujdesshme.

Një zjarr i madh po shpërthen gjithashtu në ishullin e Qefalonisë.

Megjithatë, ERT tha se asnjë qytet atje nuk është aktualisht nën kërcënim të menjëhershëm.

Media lokale raportoi se zjarret në Kretë janë shuar kryesisht.

Disa qyteteve iu dha urdhër të evakuohen. Sipas raporteve të medias, deri në 200 shtëpi janë shkatërruar, megjithëse nuk ka pasur konfirmim zyrtar për këtë shifër.

Afërsisht 10 000 hektarë tokë në veriperëndim dhe perëndim të rajonit të Athinës janë shkatërruar nga zjarret aktuale, sipas një vlerësimi nga një meteorolog i publikuar nga portali i lajmeve ”Protothema”./ a.jor.

The post GREQI – Zjarret pyjore kërcënojnë qytetin pranë Athinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Siguria e qytetarëve e para, kontrolle për paligjshmëri në disa zona të Tiranës

2 August 2026 at 09:20

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga kontrollet e Policisë së Shtetit ndaj mjeteve luksoze me xhama të errësuar dhe shkeljeve të tjera të rregullave.

“Siguria e qytetarëve e para!”, shkruan Lamallari, duke theksuar se në fokus të Policisë janë automjetet me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin, personat që mbajnë armë pa leje, poseduesit e lëndëve narkotike, si dhe drejtuesit që rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Ministri përgëzoi Forcën e Posaçme Operacionale, skuadrën “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore për operacionet e zhvilluara gjatë ditëve të fundit në disa zona të Tiranës.

Lamallari theksoi se kontrollet synojnë rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e shkeljeve që cenojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

/gj.m/j.p/

The post Lamallari: Siguria e qytetarëve e para, kontrolle për paligjshmëri në disa zona të Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌