Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Korniza e bashkëpunimit me OKB 2027–2031, Balluku: Përqendrohemi në forcimin e kapitalit njerëzor

15 January 2026 at 15:53

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët Ekzekutiv për kuadrin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara, u vlerësua përmbushja e objektivave të kornizës 2022–2026 dhe rezultatet e arritura deri më tani.

Zëvëndëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku bëri të ditur se ndërsa 2026 është viti përmbyllës i programit aktual, po përgatitet korniza e re 2027–2031, e cila synon të vazhdojë forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe OKB-së.

“Ky bashkëpunim do të përqendrohet në forcimin e kapitalit njerëzor, nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe konsolidimin e institucioneve demokratike”, tha Balluku.

Qeveria dhe partnerët e OKB-së theksuan angazhimin për të vijuar punën e përbashkët për një Shqipëri më moderne, më të fortë dhe më afër Bashkimit Europian, duke shfrytëzuar përvojat dhe mësimet e nxjerra nga korniza aktuale të bashkëpunimit.

Ministrja Balluku nënvizoi se rezultatet e arritura deri tani tregojnë një avancim të dukshëm në kapacitetet institucionale, implementimin e politikave sociale dhe ekonomike, si dhe mbështetjen e projekteve të qëndrueshme që fuqizojnë komunitetet lokale dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve.

e.xh/j.p/

The post Korniza e bashkëpunimit me OKB 2027–2031, Balluku: Përqendrohemi në forcimin e kapitalit njerëzor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AZHBR përforcon digjitalizimin e bujqësisë me sistemin LPIS

15 January 2026 at 15:50

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) po përshpejton digjitalizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, duke implementuar Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).

Ky sistem siguron administrim më të saktë dhe transparent të fondeve të Bashkimit Evropian, përmirëson mbështetjen për fermerët dhe lehtëson menaxhimin e skemave bujqësore në përputhje me standardet evropiane.

Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi tha se LPIS, bazohet në imazheri satelitore dhe standard të avancuara të BE-së.

E pranishme në takimin e organizuar sot në Tiranë, me ekspertë vendas dhe të huaj, ajo vuri theksin në përfshirjen më të gjerë të fermerëve për konfirmimin dhe pasurimin e të dhënave fillestare.

Gjatë takimit u prezantuan përvoja nga vendet e Bashkimit Evropian, ecuria e projektit pilot në Shqipëri dhe roli i LPIS në rritjen e efikasitetit të administrimit të skemave të mbështetjes bujqësore.

“Pas përfundimit të fazës së parë të projektit pilot LPIS në Qarkun e Beratit. AZHBR përgatitet për fazën e dytë të zbatimit, me fokus përfshirjen e fermerëve për konfirmimin dhe pasurimin e të dhënave fillestare, të përftuara nga interpretimi i imazherisë satelitore”, tha Kuçi.

Projekti EU4Property Rights financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNOPS, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe AZHBR, duke kontribuar në përmirësimin e menaxhimit të pronave dhe mbështetjen e fermerëve shqiptarë.

1 nga 4

e.xh/j.p/

The post AZHBR përforcon digjitalizimin e bujqësisë me sistemin LPIS appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vora mposht Partizanin 1-0 në inaugurimin e stadiumit të ri

15 January 2026 at 15:47

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Vora shënoi një fitore të rëndësishme në shtëpi, duke mundur 1-0 Partizanin në sfidën e vlefshme për javën e 19-të të Kategorisë Superiore, në një ndeshje të zhvilluar në stadiumin e rikonstruktuar të Vorës.

Goli vendimtar u shënua nga Dario Daka në minutën e fundit të takimit, duke i dhënë tri pikët e çmuara skuadrës së drejtuar nga Bellai.

Fillimisht goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas verifikimit nga VAR, u akordua si i rregullt.

Sfida u karakterizua nga ritëm i lartë dhe tension.  Partizani krijoi raste, përfshirë një penallti në fund të pjesës së parë që Toma e gaboi, ndërsa në pjesën e dytë kërkoi golin e avantazhit, por u ndëshkua në fund nga Daka.

Me këtë fitore, Vora ngjitet në kuotën e 22 pikëve në tabelë, vetëm një më pak se Partizani, që pësoi humbjen e tretë radhazi në kampionat.

Ndeshja shënoi gjithashtu inaugurimin zyrtar të stadiumit të rikonstruktuar të Vorës, në një ditë festive për skuadrën dhe tifozët vendas.

/gj.m/j.p/

The post Vora mposht Partizanin 1-0 në inaugurimin e stadiumit të ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE-ja i ofron Egjiptit 1 miliard euro mbështetje financiare

15 January 2026 at 15:45

BRUKSEL, 15 janar /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian i ofroi sot Egjiptit 1 miliard euro mbështetje buxhetore, si pjesë e një marrëveshjeje partneriteti të nënshkruar në vitin 2024.

“Ky financim do t’i shërbejë stabilitetit ekonomik, demokracisë dhe qëndrueshmërisë dhe shtetit të së drejtës”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Financimi është paketa e dytë e mbështetjes me një total prej 5 miliardë eurosh dhe i nënshtrohet disa kushteve”, tha komisioni.

“Egjipti ka zbatuar reforma për të forcuar stabilitetin ekonomik, ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të besueshëm drejt respektimit të mekanizmave efektivë demokratikë dhe ka qëndruar në rrugën e duhur me reformat e kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN)”, sipas një njoftimi për shtyp.

BE synon të zgjerojë bashkëpunimin e bllokut me Egjiptin në luftën kundër emigracionit të padëshiruar, pavarësisht kritikave nga organizatat e të drejtave të njeriut.

Aktivistët thonë se shtypja e zërave kritikë në Egjipt ka vazhduar që nga fillimi i bashkëpunimit me Brukselin.

Kritikët vazhdojnë të arrestohen në mënyrë arbitrare dhe të dënohen me burgim në gjyqe të padrejta.

Praktika e ekzekutimeve jashtëgjyqësore vazhdon gjithashtu me pandëshkueshmëri pothuajse të plotë. //a.i/

The post BRUKSEL – BE-ja i ofron Egjiptit 1 miliard euro mbështetje financiare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kampuse universitare në Tiranë dhe Durrës, zgjidhje çmimeve të larta të qirave për studentët

15 January 2026 at 15:37

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e Rektorëve, ku zhvilloi një bisedë të hapur me 40 rektorë të universiteteve publike dhe private mbi cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal te çështja e akreditimeve, duke theksuar se kjo temë është ngritur në mënyrë të përsëritur në takimet e përbashkëta me strukturat përgjegjëse.

Rama theksoi se ambicia e qeverisë është kalimi i Agjencisë së Akreditimit në një nivel më të lartë funksionimi, përmes integrimit të saj në Rrjetin Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), si dhe rritjes së kapaciteteve institucionale për përshpejtimin e procesit të akreditimit.

Kryeministri foli gjithashtu për investimet në infrastrukturën universitare, duke vlerësuar se janë bërë ndryshime dhe investime të rëndësishme, të cilat janë përfunduar ose janë në proces.

Megjithatë, ai theksoi se, “jemi akoma larg përmbushjes së kushteve infrastrukturore të nevojshme për të përballuar sfidat dhe nevojat”.

Rama bëri të ditur se përparësi mbetet zhvillimi i kampuseve universitare, përfshirë kampusin e madh të Tiranës, si dhe procesin e hapur për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Sipas tij, interesi i shprehur nga rreth 40 studio ndërkombëtare dëshmon potencialin e madh për krijimin e një infrastrukture moderne, që përfshin edhe rezidenca studentore.

“Unë besoj shumë tek godinat dhe kemi dy kampuse përpara, Kampusin e madh të Tiranës. Ndërkohë kemi hapur procesin për Kampusin e Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’. Kemi pasur një interes jo të vogël nga rreth 40 studio ndërkombëtare. Ka një potencial shumë të madh për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi, rezidence të studentëve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se do të jetë më e lehtë që studentët që studiojnë në Tiranë të akomodohen në kampusin e Durrësit me funksionalizimin e shërbimit hekurudhor.

“Duke pasur parasysh trenin që do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë absolutisht shumë e thjeshtë që studentë në Tiranë të kenë mundësi të strehohen në kampusin e Durrësit”, u shpreh Rama.

Ai njoftoi se qeveria synon ndërtimin e një kompleksi rezidencial studentor bashkëkohor, me qëllim lehtësimin e një prej problemeve kryesore të studentëve, kostot e larta të qirave në Tiranë dhe Durrës.

“Për këtë arsye ne do të ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial shumë të mirë, në mënyrë që të ndihmojë në zgjidhjen dhe të një problemi të madh që kanë studentët për shkak të çmimeve që kanë qiratë në Tiranë dhe në Durrës”, theksoi Kryeministri.

Në përfundim, Rama u shpreh se arsimi i lartë ndodhet në një moment të ri ndryshimi, i mbështetur tashmë në një bazë dhe eksperiencë të konsoliduar.

Rama u shpreh se, sot ka më shumë qartësi brenda universiteteve dhe strukturave drejtuese për atë që funksionon dhe për atë që duhet përmirësuar, ndërsa bashkëpunimet dhe programet e përbashkëta kanë rritur ndjeshëm njohjen dhe kuptimin e standardeve europiane dhe mënyrës së adresimit të nevojave të sistemit universitar.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Kampuse universitare në Tiranë dhe Durrës, zgjidhje çmimeve të larta të qirave për studentët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NUUK – Një kontigjent ushtarak evropian mbërrin në Groenlandë mes polemikave mbi të ardhmen e Artikut

15 January 2026 at 15:29

NUUK, 15 janar /ATSH/ – Një kontingjent ushtarak francez me 15 trupa ka mbërritur në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ndërsa edhe disa shtete evropiane kanë dërguar ushtarë atje si pjesë e një misioni, shkruan BBC.

Vendosja, e cila do të përfshijë gjithashtu personel nga Gjermania, Suedia, Norvegjia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, vjen ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon të ushtrojë presion mbi pretendimin e tij për ishullin Arktik, i cili është një pjesë e Danimarkës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se kontingjenti fillestar do të përforcohej së shpejti me “asete tokësore, ajrore dhe detare”.

Diplomati i lartë Olivier Poivre d’Arvor e pa misionin si dërgimin e një sinjali të fortë politik: “Ky është një ushtrim i parë… ne do t’u tregojmë SHBA-ve se NATO është e pranishme atje”.

Lëvizja e personelit ushtarak vjen pasi ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës udhëtuan për në Uashington për një takim me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance ditën e djeshme.

Pas takimit, Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, tha se ndërsa bisedimet ishin konstruktive, mbeti një “mosmarrëveshje themelore midis dy palëve dhe kritikoi përpjekjen e Trump për të blerë Groenlandën’’.

Ndërkohë, Trump e dyfishoi përpjekjen e tij për ta vënë Groenlandën nën kontrollin e SHBA-së, duke u thënë gazetarëve në Zyrën Ovale: “Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare”.

Edhe pse nuk e përjashtoi përdorimin e forcës, ai tha se ‘’mendonte se diçka mund të zgjidhet me Danimarkën’’.

“Problemi është se nuk ka asgjë që Danimarka mund të bëjë në lidhje me këtë nëse Rusia ose Kina duan të pushtojnë Groenlandën, por ka gjithçka që mund të bëjmë. Ju e zbuluat këtë javën e kaluar me Venezuelën”, theksoi ai.

Kryeministri polak Donald Tusk tha se Polonia nuk po planifikonte t’i bashkohej vendosjes ushtarake evropiane në Groenlandë, por paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane atje “do të ishte një katastrofë politike”.

“Një konflikt ose përpjekje për aneksim të territorit të një anëtari të NATO-s nga një anëtar tjetër i NATO-s do të ishte fundi i botës siç e njohim ne – dhe që për shumë vite garantonte sigurinë tonë”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Ndërkohë, ambasada e Rusisë në Belgjikë shprehu “shqetësim serioz” për atë që po zhvillohej në Arktik, duke akuzuar NATO-n për ndërtimin e një pranie ushtarake atje “nën pretekstin e rremë të një kërcënimi në rritje nga Moska dhe Pekini”.

Gjermania dërgoi sot një aeroplan transporti A400M në Nuuk me një kontingjent prej 13 ushtarësh, megjithëse zyrtarët thanë se ata do të qëndronin në Grenlandë vetëm deri të shtunën.   /os/

The post NUUK – Një kontigjent ushtarak evropian mbërrin në Groenlandë mes polemikave mbi të ardhmen e Artikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kadastra nis regjistrimin fillestar të pronave në pesë fshatra të bashkisë Has

15 January 2026 at 15:25

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kadastra Shqiptare ka nisur afishimin publik për regjistrimin fillestar të pronave në pesë fshatra të Bashkisë Has, duke garantuar transparencë dhe mundësi për verifikim të të dhënave nga banorët.

Sipas njoftimit të Kadastrës, gjatë kësaj faze, afishohen listat e pronave me sipërfaqet dhe emrat e pronarëve të identifikuar, si dhe hartat kadastrale të zonave të përfshira në proces.

Zonat kadastrale ku po zhvillohet procesi janë: ZK 2463, Liqeni i Kuq, Njësia Administrative Fajzë; ZK 3911, Zgjec, Njësia Administrative Golaj; ZK 2983, Plani i Pates, Njësia Administrative Golaj; ZK 2950, Perollaj, Njësia Administrative Golaj dhe ZK 1278, Brenogë, Njësia Administrative Fajzë.

Banorët e këtyre zonave mund të verifikojnë me kujdes të dhënat e publikuara gjatë fazës së afishimit publik. Për çdo paqartësi, pretendim ose nevojë për saktësim, qytetarët mund të paraqesin kërkesë me shkrim pranë zyrës ku është bërë afishimi publik ose pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Kukës.

Vendndodhjet e afishimit publik janë: godinat e Njësisve Administrative Golaj dhe godina e Njësisë Administrative Fajzë, në Has.

Pas përfundimit të fazës së konsultimit publik dhe mbylljes së procesit të regjistrimit fillestar, banorët do të kenë mundësi të aplikojnë për regjistrimin dhe certifikimin e pronës përmes portalit zyrtar e-Albania.

Ky proces synon të përmirësojë shërbimet e regjistrimit të pronave, të rrisë sigurinë juridike për qytetarët dhe të mundësojë akses më të lehtë dhe më të shpejtë në certifikatat e pronës.

e.xh/j.p/

The post Kadastra nis regjistrimin fillestar të pronave në pesë fshatra të bashkisë Has appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Universitetet kanë rritur kapacitetin financues jashtë buxhetit të shtetit

15 January 2026 at 15:24

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e Rektorëve, ku zhvilloi një bisedë të hapur me 40 rektorë të universiteteve publike dhe private mbi cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se sfida e përbashkët dhe themelore e sistemit universitar shqiptar mbetet, nga njëra anë, ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe, nga ana tjetër, racionalizimi i burimeve dhe potencialeve.

Ai nënvizoi se në vitet e fundit ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në qasjen ndaj financimit të arsimit të lartë, duke kaluar nga varësia e plotë ndaj buxhetit të shtetit drejt një modeli më të hapur dhe konkurrues.

Rama solli si shembull Universitetin e Tiranës, i cili, sipas tij, kryeson një grup universitetesh që kanë rritur ndjeshëm kapacitetet financiare jashtë buxhetit shtetëror, përmes projekteve dhe partneriteteve europiane.

Kjo, theksoi Kryeministri, ka mundësuar ndërtimin e skuadrave kërkimore, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfitimin nga fondet e Bashkimit Europian, duke sjellë një situatë të re edhe në rritjen e të ardhurave për pedagogët më aktivë.

“Sot Universiteti i Tiranës është në krye të një vargu universitetesh që e kanë rritur kapacitetin e tyre financues jashtë buxhetit të shtetit, duke faktikisht qenë në gjendje të ndërtojnë skuadra dhe të ndërtojnë projekte apo partneritete europiane dhe duke përfituar nga fondet europiane. Diçka që sigurisht ka rritur të ardhurat e pedagogëve më aktivë dhe patjetër që ka krijuar një situatë të re”, tha Rama.

Ai propozoi që në një takim të ardhshëm të zhvillohet një diskutim i hapur mbi këtë proces, me pjesëmarrjen e të gjithë rektorëve, përfshirë edhe ata të universiteteve private, me qëllim riorganizimin e sistemit universitar në një strukturë më kompetitive, më të besueshme dhe më të përgatitur për sfidat që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri e cilësoi universitetin si aleatin më të rëndësishëm të institucioneve dhe të vendit në tërësi në këtë proces, duke theksuar se vëllimi i financimit dhe i projekteve të miratuara nga BE për Universitetin e Tiranës rritet nga viti në vit.

Ai nënvizoi se në garën europiane nuk ka trajtim preferencial për vendet joanëtare, por vlerësim të barabartë mbi bazën e meritës.

“Atje nuk të jep njeri bonus se ti vjen nga një vend që akoma nuk është i ambientuar. Atje vlerësohen të gjithë me të njëjtin kandar. Dhe në atë kandar pedagogët e Universitet të Tiranës, ata të cilët kanë hyrë në këtë proces vlerësohen në mënyrë të barabartë me pedagogët e universiteteve më të mëdha të Europës. Na duhet që ta vlerësojmë më shumë këtë kapacitet dhe ta vendosim në kushtet që të jetë më efikas në territor”, tha Rama. /j.p/

The post Rama: Universitetet kanë rritur kapacitetin financues jashtë buxhetit të shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Arsimi i lartë rrugëton bashkë me Shqipërinë drejt BE

15 January 2026 at 15:17

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha tha sot, arsimi i lartë duhet të konsiderohet një investim dhe jo barrë për administratën shtetërore, pasi është një faktor i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes evropiane.

Hoxha e bëri këtë deklaratë gjatë Konferencës së Rektorëve, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe 40 rektorët e universiteteve publike dhe private.

Në aktivitetin e organizuar si një bisedë e hapur për cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, Hoxha tha se kjo konferencë është kthyer në një organizëm aktiv që ndikon në përditshmërinë e punës së secilit.

“Kësaj konference i është bashkangjitur me iniciativën e Kryeministrit edhe Komiteti i Politikave të arsimit të lartë, si një strukturë akademike dhe përfaqësim i institucioneve publike dhe jopublike të arsimit të lartë për një bashkëbisedim më afër të Qeverisë me nevojat, sfidat dhe kërkesat reciproke midis arsimit të lartë dhe këshillit të ministrave”, tha Hoxha.

Rektori Hoxha shtoi se procesi i transformimit të arsimit të lartë lidhet edhe me një pikë tjetër të rëndësishme që kalon nga vendi ynë dhe që është ajo e perspektivës dhe afërsisë së dukshme të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Arsimi i lartë është porta hyrëse që duhet të konsiderohet si një investim dhe jo si një barrë për administratën shtetërore. Arsimi është një faktor i rëndësishëm që rrugëton bashkë me Shqipërinë drejt BE dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë”, përfundoi Hoxha.

/e.i/j.p/

The post Hoxha: Arsimi i lartë rrugëton bashkë me Shqipërinë drejt BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Katër astronautë të NASA-s kthehen në Tokë, evakuimi i parë mjekësor kryhet me sukses

15 January 2026 at 15:15

UASHINGTON, 15 janar /ATSH/- NASA kreu sot në mëngjes evakuimin e parë mjekësor nga hapësira sot në mëngjes, duke kthyer katër astronautë sërish në Tokë, më shumë se një muaj më herët, pasi një anëtar i ekuipazhit raportoi probleme shëndetësore në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, sipas “Fox News”.

“SpaceX” e drejtoi anijen kozmike “Dragon” drejt Oqeanit Paqësor pranë brigjeve të San Diegos, duke përfunduar kthimin në më pak se 11 orë pasi ekuipazhi u largua nga laboratori orbital.

“Kthimi i “Dragon” është konfirmuar – mirë se vini sërish në Tokë”, tha “SpaceX” në një postim në X.

NASA tha se astronauti ishte në gjendje të qëndrueshme gjatë kohës që ishte në orbitë, por menaxherët e misionit vendosën që, një kthim i hershëm ishte rruga më e sigurt për të lejuar vlerësimin e duhur mjekësor dhe testimin diagnostik në Tokë.

Zyrtarët theksuan se kthimi nuk kërkonte ndonjë procedurë të veçantë dhe se ekipet standarde mjekësore ishin në dispozicion gjatë rikuperimit.

Përfundimi i hershëm i misionit e la stacionin hapësinor të përkohshëm me vetëm tre astronautë – një amerikan dhe dy rusë – një konfigurim që NASA tha se është i menaxhueshëm, por kufizon disa operacione.

Zyrtarët e agjencisë thanë se nuk mund të kryhen shëtitje në hapësirë, përfshirë riparimet emergjente, deri në mbërritjen e ekuipazhit tjetër.

NASA theksoi se vendimi ishte paraprak dhe jo rezultat i një emergjence.

Problemi shëndetësor i astronautit u shfaq më 7 janar, duke shkaktuar anulimin e një shëtitjeje në hapësirë ​​të planifikuar të nesërmen dhe duke çuar në fundin e misionit.

Kjo shënon herën e parë që NASA ndërpret një fluturim hapësinor për arsye mjekësore, megjithëse vendime të ngjashme u morën nga programet hapësinore ruse disa dekada më parë.

NASA dhe “SpaceX” thanë se po punojnë për të përshpejtuar nisjen e një ekuipazhi zëvendësues prej katër personash, aktualisht i planifikuar për mesin e shkurtit. //a.i/

 

The post Katër astronautë të NASA-s kthehen në Tokë, evakuimi i parë mjekësor kryhet me sukses appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pastrim i vijës bregdetare në Velipojë nga mbetjet e ardhura nga vërshimi i lumenjve

15 January 2026 at 13:48

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Punonjës të shërbimeve publike janë angazhuar për largimin e mbetjeve në plazhin e Velipojës.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau foto nga ky aksion në bregdetin e Velipojës, ndërsa tha se fundjava do e gjejë këtë plazh gati për pushuesit edhe në dimër.

Për shkak të motit të keq të ditëve të fundit dhe si pasojë e vërshimit të lumenjve, në bregdetin e Velipojës kanë dalë mbetje të ndryshme. Ndaj, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të bashkisë Shkodër, janë angazhuar për pastrimin e këtij bregdeti dhe rikthimin në gjendjen e duhur.

Aksionet për pastrimin dhe mbajtjen pastër të vijës bregdetare do të intensifikohen gjatë muajve në vijim, në prag të sezonit veror, për të garantuar një vijë bregdetare të pastër dhe mikpritëse për qytetarët vendas dhe turistët e huaj.


/e.i/

The post Pastrim i vijës bregdetare në Velipojë nga mbetjet e ardhura nga vërshimi i lumenjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vlera më e lartë e investimeve sllovene, 48 milionë euro në shtator 2025

15 January 2026 at 13:46

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Investimet sllovene në Shqipëri kanë shënuar një trend të qëndrueshëm rritjeje gjatë viteve të fundit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, referuar statistikave zyrtare, bëri të ditur se gjatë vitit 2024, stoku i investimeve sllovene arriti vlerën më të lartë prej 44 milionë eurosh, duke shënuar një rritje prej 7,3% krahasuar me vitin 2023.

Sipas të dhënave më të fundit, shtatori 2025 shënoi një stok prej 48 milionë eurosh, ndërsa fluksi i investimeve për periudhën janar–shtator 2025 ishte 4 milionë euro. “Ky trend rritës tregon besimin e investitorëve sllovenë dhe potencialin për zhvillimin e partneriteteve të reja biznesi me Shqipërinë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja tha se, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mundësive të reja, Agjencia për Investime dhe Zhvillim (AIDA) organizon Forumin e Biznesit Shqipëri–Slloveni, i cili do të zhvillohet më 5 shkurt 2026 në Tirana Innovation Hub.

Forumi synon të lidhë kompani dhe institucione nga të dy vendet në sektorë të ndryshëm: Ndërtim; Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (TIK); Agro-ushqim; Inovacione në bujqësi dhe Turizëm.

Sipas saj, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të zgjerojnë rrjetin e kontakteve, të identifikojnë partnerë strategjikë dhe të krijojnë bashkëpunime ndërkombëtare.

“Ky forum përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe për të fuqizuar lidhjet mes biznesit dhe institucioneve të Shqipërisë dhe Sllovenisë”, u shpreh Ibrahimaj. e.xh/j.p/

The post Vlera më e lartë e investimeve sllovene, 48 milionë euro në shtator 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Katari mirëpret fazën e dytë të planit të paqes në Gaza

15 January 2026 at 13:41

KATAR, 15 janar /ATSH-DPA/- Katari, i cili po ndihmon në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje midis Izraelit dhe Hamasit, ka mirëpritur dje njoftimin e SHBA-së për fillimin e fazës tjetër të planit të paqes në Gaza.

“Shteti i Gjirit shpreson që fillimi i fazës së dytë do të kontribuojë në përmirësimin e situatës humanitare”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majid al-Ansari.

“Të gjitha palët duhet ta zbatojnë marrëveshjen plotësisht”, tha ai, duke shtuar se ndihma humanitare duhej të lejohej pa kufizime në mënyrë që të mundësohej një jetë dinjitoze.

Ai gjithashtu bëri thirrje për rindërtim të shpejtë të territorit palestinez, i cili u shkatërrua kryesisht nga dy vjet luftë.

Dje në mbrëmje, al-Ansari i bëri thirrje unionit ndërkombëtar të vazhdojë të mbështesë armëpushimin e përhershëm.

“Faza e dytë e planit të paqes do të përqendrohet në çarmatosjen e Hamasit – të cilën deri më tani ka refuzuar ta bëjë – krijimin e një qeverie kalimtare teknokratike dhe fillimin e rindërtimit të Rripit të Gazës”, njoftoi dje i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff.

Burime egjiptiane të sigurisë thanë se Hamasi kishte rënë dakord për emërimet për qeverinë kalimtare teknokratike të planifikuar. Asnjë anëtar i Hamasit nuk lejohet në grup. //a.i/

The post FOKUS – Katari mirëpret fazën e dytë të planit të paqes në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pritet nga homologu në Kiev: Shqipëria, mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës

15 January 2026 at 13:36

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Kiev ku po zhvillon një vizitë zyrtare, për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën përballë sulmeve masive që kanë targetuar popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike.

Në nisje të vizitës, Spiropali u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha, me një ceremoni nderimi pranë Murit të Kujtesës për të nderuar kujtimin e të rënëve për pavarësinë e Ukrainës.

“Kievi vijon të përballet me sulme masive, që targetojnë popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike. Në këtë mot dimri ekstrem, ukrainasit po përjetojnë pasojat e mungesës së energjisë, ngrohjes dhe ujit”, deklaroi Spiropali nga kryeqyteti i Ukrainës.

Spiropali theksoi se “Shqipëria do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, në rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme dhe për të ardhmen e përbashkët europiane.”

Ministri Sybiha falënderoi Spiropalin për qëndrimet e saj dhe të qeverisë shqiptare në krah të sakrificës së Ukrainës, duke theksuar se mbështetja e vendeve mike si Shqipëria për të drejtën e Ukrainës, do të thotë shumë në këto kohë sfiduese.

Më tej, Spiropali dhe homologu ukrainas zhvilluan një takim që, sipas ministres, pasqyron “jo vetëm angazhimet tona të përbashkëta, por edhe vlerat tona, respektin për të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.

Spiropali dhe Sybiha nënshkruan një deklaratë të përbashkët që dënon agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës si një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe normave të së drejtës ndërkombëtare. Deklarata nënvijëzon rëndësinë e mbajtjes përgjegjëse të Federatës Ruse për krimet kundër Ukrainës.

Dy ministrat diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, përfshirë mundësitë për të forcuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dypalësh, promovimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe identifikimin e iniciativave konkrete të bashkëpunimit.

Në vijim të vizitës së saj në Ukrainë, Ministrja Spiropali do të pritet edhe nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali pritet nga homologu në Kiev: Shqipëria, mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ermal Meta me këngën “Stella stellina” në Sanremo 2026

15 January 2026 at 13:29

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Kantautori shqiptar Ermal Meta do të jetë një nga pjesëmarrësit në festivalin e sivjetshëm të Sanremo-s.

Në një videomesazh të publikuar nga organizatorët e festivalit, Ermali tregon se kënga që do të këndojë titullohet “Stella stellina”.

“Është një këngë që flet për qëndresë dhe shpresë dhe flet për një vogëlushe. Për të menduar se është kënga e duhur, me nxiti mënyra se si u ndjeva kur e shkrova, sepse në fund të fundit, ajo skenë shpërfaq të gjitha emocionet që lidhen me këngën, veçanërisht kur janë te vërteta, madje edhe kur djegin”, rrëfen kantautori.

Ermal Meta ka konkurruar disa herë në Festivalin e Sanremo-s, duke marrë vlerësime nga kritika dhe publiku. Ai fitoi në vitin 2018, së bashku me Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente”, u rendit i treti në vitin 2017 me “Vietato morire” dhe i treti në vitin 2021 me “Un milione di cose da dirti”. Ermal Meta gjithashtu konkurroi në Kategorinë e të Rinjve në vitin 2016, me “Odio le favole”.

Ermal Meta përfaqësoi Italinë së bashku me Fabrizio Moro-n edhe në Eurovizionin e vitit 2018, në Lisbonë, ku u klasifikuan të pestët. /j.p/

The post Ermal Meta me këngën “Stella stellina” në Sanremo 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PORTUGALI – Mbyllet përkohësisht ambasada në Teheran, pas tensioneve nga protestat antiqeveritare

15 January 2026 at 13:28

LISBONË, 15 janar /ATSH-AFP/- Portugalia njoftoi sot mbylljen e përkohshme të ambasadës së saj në Teheran dhe i këshilloi shtetasit e saj të mos udhëtonin në Iran.

Ministria e Jashtme e Portugalisë tha në një deklaratë se tetë shtetas portugezë ishin larguar tashmë nga Irani dhe të tjerë po përgatiteshin të bënin të njëjtën gjë.

Vendimi per mbylljen e ambasadës u mor dje, një ditë pasi qeveria thirri ambasadorin e Iranit për të shprehur kundërshtimin ndaj shtypjes së dhunshme të demonstratave kundër regjimit dhe për t’i kërkuar Teheranit të respektonte të drejtat e qytetarëve iranianë.

Në një deklaratë të postuar në X, ministri i Jashtëm, Paulo Rangel tha se Portugalia ishte gati të bashkohej me çdo masë shtrënguese të përbashkët të sanksioneve kundër Iranit nga Bashkimi Evropian. //a.i/

The post PORTUGALI – Mbyllet përkohësisht ambasada në Teheran, pas tensioneve nga protestat antiqeveritare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, homazhe pranë “Murit të Kujtesës” në Kiev

15 January 2026 at 13:21

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kiev, ku u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha.

Gjatë vizitës, ministrja Spiropali dhe ministri Sybiha zhvilluan homazhe pranë “Murit të Kujtesës”, në nderim të të rënëve për pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës. Spiropali u shpreh se kujtimi i sakrificës së tyre përbën një burim frymëzimi për qëndresën e popullit ukrainas përballë agresionit rus.

Vizita e ministres Spiropali në Kiev synon rikonfirmimin e mbështetjes së palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, në një kohë kur vendi po përballet me sulme të vazhdueshme dhe masive ndaj infrastrukturës kritike dhe popullatës civile, veçanërisht gjatë kushteve të vështira të dimrit.

Vizita konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qëndruar krah Ukrainës, si dhe mbështetjen për sovranitetin, integritetin territorial dhe aspiratat euroatlantike të saj.

/gj.m/

The post Spiropali, homazhe pranë “Murit të Kujtesës” në Kiev appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Euroja nuk ndryshon, dollari forcohet me 0,13 lekë

15 January 2026 at 13:19

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten euroja nuk ka ndryshuar vlerë në raport me lekun, duke u këmbyer në të njëjtën kuotë sa një ditë më parë, me 96,53 lekë.

Ndërkohë, monedha e gjelbër amerikane u forcua me 0,13 lekë dhe këmbehet me 82,94 lekë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, paundi britanik humbi terren me 0,11 lekë dhe këmbehet me 111,31 lekë.
Franga zvicerane këmbehet me 103,65 lekë ose 0,22 lekë më shumë se një ditë më parë.
Banka e Shqipërisë e vlerëson këmbimin valutor të qëndrueshëm brenda pritshmërive të saj. Sipas BSH-së, luhatjet reflektojnë ecurinë e kërkesë ofertës, por edhe trendin në bursat ndërkombëtare. /j.p/
Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 82.94 +0.13
Euro EUR 96.53 0.00
Poundi Britanik GBP 111.31 -0.11
Franga Zvicerane CHF 103.65 +0.22
Jeni Japonez (100) JPY 52.35 +0.15
Dollari Australian AUD 55.56 +0.18
Dollari Kanadez CAD 59.67 +0.03
Korona Suedeze SEK 9.03 +0.02
Korona Norvegjeze NOK 8.24 +0.01
Korona Daneze DKK 12.92 0.00
SDR SDR 113.20 +0.11
Ari(OZ 1) XAU 383091.57 -843.75
Argjend(OZ 1) XAG 7558.50 +60.31
Juani Kinez (onshore) CNY 11.90 +0.02
Juani Kinez (offshore) CNH 11.91 +0.03
Lira Turke TRY 1.92 0.00

The post Euroja nuk ndryshon, dollari forcohet me 0,13 lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balliu: Komuniteti evropiane pezulloi fondet për dixhitalizimin

15 January 2026 at 13:18

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi sot se Shqipëria është kthyer në një vend të pasigurt “si pasojë e vjedhjes sistematike, korrupsionit të shfrenuar, kapjes së shtetit, mungesës së lirisë dhe, mbi të gjitha, bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të qeverisë me kartelet e drogës”.

Balliu tha se “Bashkimi Evropian ka pezulluar fondet për dixhitalizimin pas skandalit në AKSHI”.

“Për këtë arsye, komuniteti europian vendosi të pezullojë fondet për dixhitalizimin”, deklaroi Balliu.

Ai shtoi se, sipas tij, fondet janë bllokuar sepse BE e ka të qartë se ato vidhen nga qeveria dhe përdoren për interesa të ngushta të pushtetit.

Balliu tha se qeveria po mashtron qytetarët me premtime për integrimin evropian, ndërkohë që realiteti është krejt i kundërt, pasi “Bashkimi Europian po pezullon fondet për Shqipërinë për shkak të vjedhjeve dhe bashkëpunimit me bandat kriminale”.

Sipas deputetit të PD-së, Shqipëria po negocion interesat kombëtare për përfitime personale të pushtetit, ndërsa institucionet shtetërore janë nën kontrollin e grupeve kriminale.

“Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Shqipëria vizitohej nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara; sot, shqiptarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm drejt SHBA-së, sepse udhëhiqen nga një qeveri e karteleve. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Bashkimi Evropian sillte fonde për Shqipërinë, si në bujqësi ashtu edhe në dixhitalizim; sot këto fonde janë bllokuar, sepse BE deklaron qartë se ato vidhen nga qeveria. /m.q/ j.p/

The post Balliu: Komuniteti evropiane pezulloi fondet për dixhitalizimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPËSIRË – Kina lëshon satelit për zbulim në distancë

15 January 2026 at 13:14

PEKIN, 15 janar /ATSH-AA/ – Kina të enjten lëshoi me sukses në hapësirë një satelit për zbulim në distancë përmes një rakete bartëse “Long March-2C”.

Sipas China Science, e drejtuar nga gazeta People’s Daily, raketa u lëshua nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve Jiuquan në veriperëndim të Kinës.

Ky lëshim shënoi misionin e 626-të të fluturimit të serisë së raketave bartëse “Long March”.  /os/

The post HAPËSIRË – Kina lëshon satelit për zbulim në distancë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌