TIRANË, 16 janar /ATSH/- Propozimet e reja do të ofrojnë mundësinë për t’u bërë anëtar i BE-së, duke kufizuar disa të drejta vendimmarrjeje – ndërsa anëtarët e ardhshëm janë të ndarë rreth këtyre planeve, thuhet në një shkrim të publikuar nga “Politico”.
Vendet që kanë pritur me vite për t’u bashkuar me BE-në, janë të ndara rreth planeve që po hartohen në Bruksel, për t’i lejuar ata të bëhen anëtarë pa të drejtat e zakonshme të votimit të plotë.
Mes disa kombeve në Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, që janë në radhë për t’u bashkuar me bllokun, po shfaqet një përçarje rreth kushteve të bashkangjitura me aplikimet e tyre.
Disa këmbëngulin se ata duhet të marrin përfitimet e plota të bllokut – ndërsa të tjerë janë të kënaqur, vetëm që janë rreth tryezës.
Për të ulur shqetësimet e anëtarëve ekzistues, se një BE më e madhe do ta bënte më të vështirë marrjen e vendimeve unanime, Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e dhënies së të drejtave të plota të votës për anëtarët e rinj, vetëm pasi BE-ja të ketë rishikuar mënyrën e funksionimit të saj.
Kjo lëvizje do ta bënte më të vështirë për vendet individuale të ushtronin veton e tyre dhe do të ndalonte devijimin e politikave.
Aktualisht, anëtarët e rinj marrin menjëherë, të drejta të plota vote, siç ndodhi kur vendi më i fundit, Kroacia iu bashkua BE-së, në vitin 2013.
Ndër fuqitë që, fillimisht mund të kufizohen, përfshin të drejtën e anëtarëve të rinj për të bllokuar sanksionet, ndër çështje të tjera, që aktualisht kërkojnë që çdo vend i BE-së të jetë dakord.
Lundrimi rreth kërcënimeve të vetos nga qeveritë populiste në Hungari dhe Sllovaki ka rezultuar kohëhumbëse për udhëheqësit.
Perspektiva e bllokut pa të drejta të plota vote po shkakton reagime të ndryshme nga vendet kandidate.
Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë – që tani ka hapur të gjitha të ashtuquajturat “grupe negociuese” përmes të cilave do të duhet të punojë – tha se masat ishin një “ide e mirë” dhe se vendi i tij do të pranonte madje, për një periudhë kohore, të mos kishte një komisioner të vetin në Bruksel.
Ai tha se Shqipëria nuk donte të sfidonte vullnetin e anëtarëve të mëdhenj themelues si Franca dhe Gjermania.
“Në fund të fundit, janë të rriturit në familje që marrin vendimet e rëndësishme”, tha Rama.
“Avantazhi i anëtarëve më të vegjël të BE-së është se, nëse vendet më të mëdha “gabojnë”, nuk është faji i anëtarëve të rinj”, shtoi ai.
Salome Zourabichvili, ish-presidentja e zgjedhur drejtpërdrejt e Gjeorgjisë, tha se ajo e kishte mbështetur prej kohësh një veprim të tillë në diskutimet me zyrtarët e BE-së.
Roli i saj u shfuqizua nga partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” në një veprim të kritikuar nga Brukseli, dhe bisedimet e pranimit tani kanë ngecur mes paralajmërimeve për prapambetje demokratike.
“Si një vend i vogël, është e qartë se interesi ynë është të jemi pjesë e një komuniteti, e një familjeje dhe të jemi pjesë e programeve që përbëjnë BE-në, dhe aspak të jemi vendimmarrës të barabartë si vendet që kanë qenë në origjinën e kësaj organizate dhe janë shumë më të fuqishme”, tha Zourabichvili.
“Mendoj se është shumë logjike nëse doni të keni një organizatë që mund të marrë vendime në mënyrë efikase”, shtoi ajo.
Moldavia, kërkesa e së cilës për anëtarësim është binjake me atë të Ukrainës, tha se kërkonte të shihte detajet e propozimeve.
“Ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi në një fazë të hershme dhe do të mirëpresim mundësinë për të marrë pjesë dhe për të ndihmuar në formësimin e këtyre diskutimeve”, tha një zyrtar i lartë moldav.
“Në të njëjtën kohë, anëtarësimi i plotë – me të drejta të barabarta dhe pjesëmarrje të plotë në vendimmarrjen e BE-së – duhet të mbetet objektivi i qartë dhe përfundimtar”, shtoi ai.
Ukraina, e cila ka kryer reforma të gjera, si pjesë e procesit të pranimit edhe pse përballet me agresionin e Rusisë, ka hezituar ta mbështesë idenë.
“Nëse flasim për anëtarësim në BE, ai duhet të jetë i plotë”, tha presidenti Volodymyr Zelensky në nëntor.
Mali i Zi, vendi kandidat më i përparuar në rrugën e tij të pranimit në BE, gjithashtu këmbëngul se nuk ka nevojë të rishikohen kushtet – sipas të cilave i është dhënë anëtarësimi dhe pret të përfundojë procesin e verifikimit këtë vit.
“Fakti është se BE-ja tashmë përbëhej nga 28 shtete anëtare”, tha presidenti malazez, Jakov Milatović .
“Dhe aktualisht, kemi 27 për shkak të Brexit-it. Në këtë drejtim, nëse Mali i Zi bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028, padyshim, përgjigjja nëse ka nevojë për reforma apo jo, varet nga udhëheqësit e BE-së”, shtoi ai.
Plani në lidhje me të drejtat e reduktuara të votës u propozua në fund të vitit të kaluar nga zyrtarët dhe qeveritë pro-BE-së – për t’i dhënë jetë një procesi zgjerimi që po bllokohet gjithashtu nga Hungaria dhe disa vende të tjera – nga frika se mund të sillte konkurrencë të padëshiruar për tregjet lokale ose të kompromentonte interesat e sigurisë.
Hungaria ka kërcënuar vazhdimisht të vërë veton ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE.
Komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos tha se propozimet konkrete do të paraqiteshin në shkurt ose mars.
Ajo shtoi se një element krejtësisht i ri po nxiste një ndjenjë të re urgjence.
“Kemi forca të jashtme shkatërruese që do të donin të na shihnin duke dështuar – ato po punojnë kundër vendeve tona kandidate, ne jemi objektivi kryesor”, tha ajo.
Plani do të duhet të zhvillohet në detaje nga Komisioni Evropian, përpara se t’u paraqitet udhëheqësve kombëtarë dhe ka të ngjarë të diskutohet në samitet e ardhshme të Këshillit, si dhe të vlerësohet nga juristët për – të parë se si përshtatet me traktatet themelore të BE-së.
Ndërsa kandidatët po zbatojnë reformat e nevojshme për t’u bërë anëtarë të bllokut, Kos tha se kishte ende nevojë për punë – për të bindur anëtarët ekzistues për mbështetje të mjaftueshme.
“Negociatat janë një pjesë teknike, ne duhet të marrim në konsideratë pjesën politike, që janë vendet anëtare”, tha ajo. //a.i/
The post Planet për një BE me dy nivele, Rama për “Politico”: Ide e mirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.