Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Rusia hedh 500 dronë dhe 40 raketa mbi Kiev, 1/3 e qytetit pa energji elektrike

27 December 2025 at 16:35

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Forcat ruse sulmuan disa rrethe në rajonin e Kievit, duke dëmtuar ndërtesa banimi, kantiere ndërtimi dhe biznese si dhe duke shkaktuar lëndime, shkruan il messaggero.it.

Në këtë sulm u përdorën 500 dronë dhe 40 raketa

Shpërthime të fuqishme tronditën Kievin gjatë natës ndërsa autoritetet paralajmëruan se kryeqyteti ukrainas ishte nën kërcënimin e sulmit me raketa.

“Shpërthime në kryeqytet. Forcat e mbrojtjes ajrore janë në operacion. Qëndroni në strehimore”, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, në Telegram.

“E gjithë Ukraina është nën kërcënimin e raketave! Ngritje e regjistruar e MiG-31K. Vendi terrorist vazhdon të bëjë luftë kundër popullsisë civile. Armiku po sulmon qëllimisht infrastrukturën kritike dhe shtëpitë”, thuhet në postim. /os/

The post FOKUS – Rusia hedh 500 dronë dhe 40 raketa mbi Kiev, 1/3 e qytetit pa energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s

27 December 2025 at 15:39

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi bazën e Grup Batalionit Shumëkombësh të NATO-s në Novo Selo, Bullgari, nga ku vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në misionet e Aleancës.

Gjatë vizitës në bazë, Komandanti italian i misionit, Mattia Scirocco, informoi ministrin se toga që përfaqëson Forcat e Armatosura të Shqipërisë luan një rol aktiv në detyrat e grupit shumëkombësh, duke kontribuar përtej misionit të saj të paracaktuar.

Ky vlerësim u cilësua si dëshmi e profesionalizmit, përkushtimit dhe besueshmërisë së efektivëve shqiptarë në çdo angazhim ku shërbejnë nën flamurin e NATO-s.

“Shqipëria mbetet e gatshme të rrisë më tej prezencën dhe kontributin e saj në misionet e Aleancës, aty ku nevoja e kërkon, duke dëshmuar përkushtimin ndaj sigurisë kolektive dhe duke forcuar përgatitjen operacionale krah për krah me aleatët”, u shpreh ministri Vengu.

/a.f/

The post Vengu: Shqipëria e gatshme të rrisë kontributin në misionet e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapësira moderne e funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan

27 December 2025 at 15:35

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Tregtimi i fruta-perimeve në Rajonin nr. 1 në Elbasan ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, falë investimit të fundit që ka transformuar rrënjësisht kushtet e punës dhe të shërbimit për tregtarët dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ky investim nuk ka përmirësuar vetëm estetikën urbane të zonës, por mbi të gjitha garanton standarde më të larta të sigurisë ushqimore.

Struktura e re është projektuar për t’u shërbyer rreth 35 tregtarëve, të cilët tashmë kanë lënë pas kushtet e vështira dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në ambiente moderne dhe funksionale.

“Tregu i ri i fruta-perimeve në Rajonin nr. 1 në Elbasan ofron kushte bashkëkohore për tregtarët, të cilët tashmë operojnë në hapësira moderne dhe funksionale”, u shpreh Rama.

Hapësira është e mbyllur plotësisht me struktura xhami, e pajisur me ndriçim efikas dhe me kushte optimale për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore, duke respektuar standardet higjieno-sanitare.

Ky projekt konsiderohet një hap konkret drejt formalizimit të tregut të produkteve bujqësore, duke garantuar dinjitet për tregtarët dhe siguri për qytetarët që furnizohen çdo ditë në këtë treg.

/a.f/

The post Hapësira moderne e funksionale në tregun e ri të fruta-perimeve në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AK: Vendimi për grumbulluesit mbron fermerët nga çmimet e diktuara

27 December 2025 at 15:34

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur sot se vendimi i marrë pak ditë më parë ndaj disa pikave të grumbullimit të produkteve bujqësore nuk ka të bëjë me marrëveshje të shkruara apo formale mes tyre.

Sipas Autoritetit, shkelja lidhet me faktin se këto subjekte kanë vepruar njësoj në treg, duke bashkërenduar çmimet dhe sjelljen e tyre, edhe pa pasur kontakte të drejtpërdrejta mes njëri-tjetrit, gjë që ndalohet nga ligji për konkurrencën.

“Vendimi i marrë ndaj disa pikave të grumbullimit nuk lidhet me marrëveshje formale mes tyre, por me sjellje të bashkërenduara në treg, të cilat ligji i ndalon edhe kur nuk ka kontakte të drejtpërdrejta mes subjekteve”, bën të ditur Autoriteti i Konkurrencës.

Autoriteti bën të ditur se të gjitha palët janë dëgjuar gjatë procedurës dhe kanë pasur mundësi të paraqesin shpjegimet e tyre, ndërsa vendimi është marrë pas një analize ligjore dhe ekonomike të funksionimit të tregut.

Në sqarim theksohet gjithashtu se vendimet e Autoritetit të Konkurrencës janë të detyrueshme për zbatim, edhe në rastet kur subjektet vendosin t’i ankimojnë ato në gjykatë.

Sipas institucionit, qëllimi i ndërhyrjes është të sigurojë konkurrencë të ndershme në treg, të mbrojë fermerët nga çmimet e diktuara dhe të garantojë një treg transparent dhe funksional për produktet bujqësore.

Autoriteti i Konkurrencës përfundoi disa ditë më parë hetimin në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, duke konstatuar shkelje të rënda në dëm të fermerëve.

Në mbledhjen e 26 nëntorit 2025, Komisioni i Konkurrencës vendosi se gjashtë ndërmarrje grumbulluese kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë sezonit, duke diktuar çmime të ulëta për fermerët dhe duke aplikuar fitime shumë të larta, deri në 115%. Për këtë arsye, ndaj tyre janë vendosur gjoba deri në 0,15% të xhiros vjetore.

Autoriteti thekson se kjo sjellje ka kufizuar konkurrencën dhe ka dobësuar pozitat e fermerëve, të cilët përballeshin me mungesë negocimi dhe vonesa në pagesa. Vendimi synon të rikthejë konkurrencën e ndershme dhe çmime më transparente në treg.

Ndërmarrjet e gjobitura janë urdhëruar të afishojnë çmimet dhe do të monitorohen për një vit nga Autoriteti i Konkurrencës. Sipas institucionit, efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar të fruta-perimeve, në mbrojtje të fermerëve dhe të konsumatorëve.

/a.f/

The post AK: Vendimi për grumbulluesit mbron fermerët nga çmimet e diktuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bukuri alpine në Grykat e Hapta në Tropojë

27 December 2025 at 15:28

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Peizazhet malore të mbuluara me dëborë, pavarësisht kushteve atmosferike, shndërrohen në destinacione për alpinistët dhe dashamirësit e natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga Grykat e Hapta, në Tropojë, të cilat janë veshur nga bardhësia e dëborës, duke krijuar një panoramë mahnitëse dimërore.

Grykat e Hapta, maja më e lartë e të cilave arrin një lartësi prej 2 625 m, shtrihen midis pjesës së sipërme të luginës së Valbonës në veri dhe luginës së Nikajt në jug.

Nga perëndimi vazhdon me kreshtat e Zhaborrëve, kurse në juglindje qafa e Droçës e ndan nga Mali i Hekurave. Ka formën e një trungu konik me shpate shumë të pjerrëta (shpati lindor e perëndimor formojnë rrëpira 700-800 m të thella).

Rreth majës kryesore ngrihen dhe katër maja të tjera me lartësi mbi 2400 m. Grykat e Hapëta janë krejtësisht të zhveshura nga bimësia duke i kthyer në sfidë për alpinistët.

/m.q/j.p/

The post Bukuri alpine në Grykat e Hapta në Tropojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINE – Hetimi i ri kundër korrupsionit synon disa deputetë

27 December 2025 at 15:27

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Agjencia Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) ka njoftuar një hetim të ri për korrupsion në një rast që dyshohet se përfshin deputetë të Kievit.

Zyrtarët e NABU-së u përpoqën të hynin në Parlament për të kryer kontrolle, por u bllokuan nga shërbimet e sigurisë.

“Nabu dhe Sapo, pas një operacioni të fshehtë, zbuluan një grup të organizuar kriminal që përfshinte disa deputetë aktualë”, deklaroi NABU.

“Punonjësit e Departamentit të Sigurisë Shtetërore po u rezistojnë oficerëve të NABU-së gjatë hetimeve të tyre” në Parlament, shtoi ajo. /os/

The post UKRAINE – Hetimi i ri kundër korrupsionit synon disa deputetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë, votimet e diasporës deri në orën 13:00

27 December 2025 at 15:06

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se  votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit po kalon kryesisht i qetë.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha se me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në 29 përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.  

“Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues”, tha Elezi.

Identifikimi në vendvotimin e përfaqësisë diplomatike mund të bëhet përmes njërit nga tri dokumentet e Kosovës: letërnjoftim, pasaportë apo leje e vozitjes.

/Kosovapress/

The post Kosovë, votimet e diasporës deri në orën 13:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarr në parkimin e autobusëve pranë “Eco Park” në Durrës

27 December 2025 at 14:43

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Rreth orës 13:45, në lagjen nr. 15 të Durrësit, në parkun e autobusëve në sektorin “Rinia”, pranë zonës së njohur si “Eco Park”, ka rënë zjarr në ambientet e parkimit të autobusëve.

Si pasojë e flakëve, janë përfshirë disa autobusë të vjetër që ndodheshin në parkim.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit dhe për izolimin e zonës.

Nga të dhënat paraprake nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa po vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

/a.f/

The post Zjarr në parkimin e autobusëve pranë “Eco Park” në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HAPESIRE – Kina lëshon një satelit të ri meteorologjik

27 December 2025 at 14:33

PEKIN, 27 dhjetor /ATSH-AA/ – Kina lëshoi sot një satelit të ri meteorologjik nga provinca jugperëndimore Sichuan.

Sateliti “Fengyun-4 03” u lëshua me një raketë “Long March-3B” në orën 12:07 të mëngjesit me kohën lokale dhe ka hyrë me sukses në orbitën e planifikuar, raportoi agjencia shtetërore Xinhua.

Fengyun-4 03 tani do t’i bashkohet konstelacionit meteorologjik Fengyun të Kinës, i cili përbëhet nga 20 satelitë.

Sipas CGTN-së, sateliti është projektuar kryesisht për të mbështetur parashikimet afatshkurtra të motit.

Ai është i pajisur me katër instrumente për vëzhgimin e Tokës dhe dy instrumente për vëzhgimin diellor.

Mundësitë e tij përfshijnë: përfundimin e një skanimi të plotë të Tokës brenda pesë minutave — nga 15 minuta më parë; zbulimin e ndryshimeve të temperaturës së atmosferës deri në një të pesëdhjetën e gradës Celsius nga mijëra kilometra larg; dhe arritjen e një rezolucioni hapësinor prej tetë kilometrash.

Sateliti gjithashtu mund të hartëzojë temperaturën dhe lagështinë në gjithë Kinën brenda një ore.

Akademia e Teknologjisë së Fluturimit Hapësinor të Shangait tha se rrjeti i përmirësuar do të përmirësojë ndjeshëm aftësitë e Kinës në parashikimin e motit, parandalimin e fatkeqësive meteorologjike, monitorimin e motit hapësinor dhe vëzhgimin e mjedisit ekologjik.   /os/

The post HAPESIRE – Kina lëshon një satelit të ri meteorologjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova voton për herë të katërt brenda vitit, KQZ është gati

27 December 2025 at 14:24

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Të dielën e 28 dhjetorit, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë për herë të katërt brenda vitit.

Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe do të mbyllet me votimin e 28 dhjetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shtunën në mëngjes ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Republikës së Kosovës.

24 subjekte politike me 1,180 kandidatë janë në garë për ulëse në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, prej të cilave 8 janë subjekte shqiptare me 624 kandidatë, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi ka treguar për hapat e fundit që KQZ është duke ndërmarrë para fillimit të votimit, të dielën, në orën 07:00 të mëngjesit.

“Sipas planifikimeve, materialet zgjedhore që janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit do të shpërndahen, si zakonisht, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës për në qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, njoftoi Elezi.

Më tej, Elezi ka treguar se pas përfundimit të votimit, në vendvotime do të fillojë numërimi i pjesës së fletëvotimit ku qytetarët kanë përzgjedhur subjektet politike dhe se janë bërë përgatitjet që të dielën në mbrëmje të transmetohen rezultatet preliminare për subjektet politike. Sipas tij, rezultatet e para pritet të vijnë nga vendvotimet që kanë numër të vogël votuesish, të cilat përfundojnë numërimin në kohë më të shpejt.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendnit të Kosovës bëhet në Qendra Komunale të Numërimit, duke filluar nga dita e hënë. KQZ ka bërë përgatitjet që më 28 dhjetor të publikohen rezultatet preliminare të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Rezultatet nga vendvotimet e para, do të fillojnë të publikohen duke filluar para orës 20:00 dhe ato do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi. Pra, brenda një kohe të shkurtër pasi numërohen fletëvotimet e një vendvotimi, do të publikohen të dhënat në platformën e rezultateve”, tha ai.

Përveç rezultateve, KQZ do të publikojë edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në pesë orare të ndryshme, 09:00, 11:00, 13:00, 15:00, 17:00 dhe 19:00.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar brenda Kosovës është 1,999,204 votues, ndërkaq, në këtë listë nuk janë të përfshirë 77,086 shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës apo në përfaqësitë diplomatike.

/Kosovapress/

The post Kosova voton për herë të katërt brenda vitit, KQZ është gati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Varre masive dhe arkiva të mbyllura, Serbia pengon zbardhjen e fatit të të pagjeturve

27 December 2025 at 14:21

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/Serbia po angazhohet për ta ndryshuar marrëveshjen për të pagjeturit dhe nuk i është përgjigjur thirrjes së Bashkimit Evropian për takime të përbashkëta me Kosovës. Kështu thanë anëtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të cilët theksuar se nuk do të pranojnë ndryshimin e marrëveshjes së arritur.

Ata gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës për 2025, kërkuan që Serbia t’i hap arkivat..

Kryetari i këtij komisioni Andin Hoti tha se vazhdojnë të kenë sfida sepse Serbia vazhdonë të mos bashkëpunojë për dhënien e informacioneve të besueshme dhe dhënien e arkivave.

Ai tha se Serbia ka refuzuar për tri herë radhazi të marrë pjesë në komisionin e përbashkët dhe Bashkimit Evropian, me arsyetimin se nuk pajtohen me disa pika të marrëveshjes së arritur në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Njëra prej pikave shkruan se udhëheqësi i këtej komisioni të përbashkët obligohet të njoftojë 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për mos punën apo mosbashkëpunimin apo mos dakordimin, apo mos dhënien e informacioneve të njërës apo tjetrës palë që në këtë rast Serbia po tenton ta largojë këtë pikë nga termat e referencës sepse ajo po tenton t’i ikë përgjegjësisë që e ka për këtë çështje. Ne natyrisht që nuk do të pajtohemi dhe nuk do të ndodh një gjë e tillë. Ne do të vazhdojmë presionin tonë të vazhdueshëm bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë, qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë Bashkimin Evropian, qoftë Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka qenë me ne gjatë këtyre viteve, që Serbia të pranojë patjetër hapjen e arkivave të klasifikuara kryesisht, në të cilat ne pretendojmë që përmban të dhëna për fatin e mbi 1571 personave që ne vazhdojmë me i pasur të zhdukur sot. “, tha ai.

Sipas tij, brenda këtij viti kanë arritur t’i përfundojnë 32 lokacione në Kosovë.

“Kur flasim për dokumente që ne i kemi pranuar nga Tribuni i Hagës, janë konfidente nga Komiteti i Kryqit të Kuq, të cilat neve si komision nuk na lejohet t’i shpërndajmë as t’i përdorim për zbardhjen e krimeve, na lejohet në mënyrë të kufizuar vetëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo lloj informacioni që e marrim nga ato 150 gigabajt për ne do të shërbej vetëm për zbardhje e fatit të personave të zhdukur”, tha ai.

Viktor Haliti nga Instituti për Mjekësi Ligjore foli për angazhimin që e kishin ata në kërkimin e lokacioneve të parapara në Kosovë.

Kushtrim Gara nga komisioni tha se mbetet prioritare dhe imediate për t’u rikthyer në lokacione të tjera në territorin e Serbisë, lokacione tanimë të shënuara, apo për të vazhduar gërmime në lokacione që janë trajtuar gjatë këtyre viteve, si në rastin e lokacionit në afërsi të liqenit të Peruqas, pra në kufi me Bosnjën, apo dhe lokacionin në afërsi të rrjedhës së lumit Danub, përkatësisht në kufi me Rumaninë, pra te pjesa e Xherdapit, po në lokacionin e Petrovosellës. Janë varre masive të konfirmuara qysh në vitet e para të pasluftës.

“Për ne me prioritet të veçantë mbetet kërkesa për t’u rikthyer në varrin masiv në Batajnicë, afër Beogradit, meqë sipas analizave, informative, kemi kolauduar se në këtë lokacion vazhdojnë të jenë kufomat e të paktën 58 viktimave gjatë luftës në Kosovë…Të dhënat që po i shqyrtojmë prapë na kthejnë në ato territore por fatkeqësisht edhe gjatë vitit 2025 nuk është që kemi pas ndonjë datë se kur mund të rikthehemi në këto lokacione apo të vazhdojnë gërmimet në lokacione tjera të Serbisë”, tha Gara.

Ai shtoi se shumë shpejt do të kthehen në Rahovec për të vazhduar gërmimet, pasi ata dyshojnë se në gërmimet që kanë bërë, mund të ketë deri në tetë persona.

Ata kanë paraqitur edhe një hartë ku thanë se të gjitha institucionet e angazhuara, kanë realizuar mbi 2500 gërmime në territorin e Kosovës.

/Kosovapress/

The post Varre masive dhe arkiva të mbyllura, Serbia pengon zbardhjen e fatit të të pagjeturve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tyler Perry akuzohet sërish për ngacmim seksual, Rodriguez kërkon 77 milionë dollarë dëmshpërblim

27 December 2025 at 14:01

LOS ANXHELES, 27 dhjetor /ATSH/- Tyler Perry, regjisori dhe producenti i njohur, po përballet me një tjetër padi për ngacmim seksual nga aktori dhe modeli Mario Rodriguez, i cili pretendon se është ngacmuar seksualisht dhe i janë bërë propozime të padëshiruara nga Perry, në këmbim të një karriere në industrinë e filmit, sipas “People”.

Rodriguez ka kërkuar një dëmshpërblim prej 77 milionë dollarësh.

Padia përshkruan se ngacmimet kishin filluar në vitin 2015, kur një trajner në një palestër në Los Anxheles i kishte thënë Rodriguez se Perry dëshironte ta takonte.

Incidentet e mëtejshme, sipas padisë, përfshinin takime në shtëpinë e Perry, ku dyshohet se regjisori e ka ngacmuar seksualisht Rodriguez, përfshirë një rast në nëntor 2018 kur dyshohet se i ka prekur organet gjenitale pavarësisht kundërshtimeve.

Pasi këtyre incidenteve, Perry i ka kërkuar falje Rodrigues dhe i ka dhënë 5,000 dollarë, por ngacmimet dyshohet se kanë vazhduar deri në prill 2019.

Padia pretendon gjithashtu se Perry ka patur komunikime me ndërprerje me Rodriguez deri në vitin 2024, dhe kur mësoi për ngritjen e padisë, i dërgoi një mesazh duke thënë se ndihej “i tradhtuar” dhe se kishte bërë shumë për ta ndihmuar.

Mario Rodriguez foli publikisht për ngacmimet seksuale përmes një videoje në “Instagram” më 13 dhjetor, duke shpjeguar se frika dhe turpi e kishin penguar të fliste më parë, pa përmendur emrin e Perry.

“Heshta për një kohë të gjatë. Nëse do të kisha folur më herët, ndoshta mund të kisha shpëtuar dikë tjetër”, tha ai.

Kjo padi vjen disa muaj pas padisë së aktorit Derek Dixon, i cili ka akuzuar Perry për ngacmim seksual, sulm dhe hakmarrje, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 260 milionë dollarësh.

Avokati i Perry ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar sto si të sajuara dhe të bazuara mbi mashtrim.

Ky rast rrit sërish vëmendjen ndaj akuzave të përsëritura për ngacmim seksual kundër Tyler Perry dhe ndikimit që këto pretendime kanë mbi karrierën dhe imazhin e tij publik. //a.i/

 

The post Tyler Perry akuzohet sërish për ngacmim seksual, Rodriguez kërkon 77 milionë dollarë dëmshpërblim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka nderohet me mirënjohjen “Përkrenarja e Skënderbeut” nga agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”

27 December 2025 at 13:59

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka është nderuar nga Agjencia e lajmeve “Presheva Jonë” me mirënjohjen e veçantë “Përkrenarja e Skënderbeut”, si vlerësim për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë që luajnë futboll në Luginën e Preshevës.

Ky vlerësim i është akorduar Presidentit Duka në shenjë respekti për angazhimin e tij dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit në krijimin e mundësive të barabarta për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përmes futbollit, si një mjet përfshirjeje, zhvillimi dhe forcimi të identitetit komunitar.

Mbështetja e Federatës Shqiptare të Futbollit për këtë komunitet është konkretizuar prej kohësh përmes projekteve “Uniforma ime” dhe “Topi yt”, falë të cilave rreth 300 fëmijë shqiptarë të të gjitha grupmoshave, pjesë e klubeve dhe shoqatave sportive në Luginën e Preshevës, janë pajisur me bazë materiale falas këtë sezon. Po ashtu, gjatë periudhës së verës, FSHF ka kontribuar edhe në organizimin e një turneu futbolli në Preshevë, duke ofruar mbështetje materiale dhe financiare.

Ky nderim përfaqëson një dëshmi të qartë të rolit aktiv të Presidentit Duka dhe të FSHF-së në përdorimin e futbollit si një instrument bashkimi dhe zhvillimi shoqëror, duke qëndruar pranë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe duke promovuar vlera që shkojnë përtej sportit. /j.p/

 

The post Duka nderohet me mirënjohjen “Përkrenarja e Skënderbeut” nga agjencia e lajmeve “Presheva Jonë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

270 përfitues të kredive me interes zero për banesë në Ministrinë e Brendshme

27 December 2025 at 13:49

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Armando, punonjës i Policisë së Shtetit, është një nga 270 përfituesit e programit të kredive me zero interes për banesë, në strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, vizitoi familjen e Armandos, ku theksoi se trajtimi me kredi të lehtësuar është një politikë konkrete e qeverisë shqiptare në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit familjar.

“Armando sot jeton në shtëpinë e re së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij”, shkruan Koçiu.

Këtë vit qeveria miratoi 530 kuota për kreditë e lehtësuara për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë të administratës publike.

Sipas vendimit, 90 kuota ishin për Ministrinë e Brendshme, 90 kuota për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, 80 kuota për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për mjekë dhe infermierë, 30 kuota për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 30 kuota për Ministrinë e Mbrojtjes, 30 kuota për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, 30 kuota për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, 30 kuota për Ministrinë e Drejtësisë, 30 kuota për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, 30 kuota për Ministrinë e Financave, 30 kuota për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe 30 kuota për Kryeministrinë.

/m.q/j.p/

The post 270 përfitues të kredive me interes zero për banesë në Ministrinë e Brendshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të anashkaluar mbrojtjen e Ukrainës

27 December 2025 at 13:44

KIEV, 27 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia po përdorte blloqe apartamentesh të zakonshme në territorin e aleatit të saj, Bjellorusisë, për të sulmuar objektivat ukrainase dhe për të anashkaluar mbrojtjen e Kievit, sipas “Reuters”.

Kremlini përdori territorin bjellorus për të nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022 dhe Bjellorusia mbetet një aleat i palëkundur, megjithëse presidenti i hershëm Alexander Lukashenko është zotuar të mos angazhojë trupa në konflikt.

“Rusët duket se po përpiqen të anashkalojnë pozicionet tona mbrojtëse të interceptimit përmes territorit të Bjellorusisë fqinje. Kjo është e rrezikshme për Bjellorusinë”, tha dje Zelensky në Telegram pas një takimi të stafit ushtarak.

“Është për të ardhur keq që Bjellorusia po heq dorë nga sovraniteti i saj në favor të ambicieve agresive të Rusisë”, shtoi ai.

Zelensky tha se shërbimet sekrete ukrainase kishin vërejtur se Bjellorusia po dislokonte pajisje për të kryer sulmet e saj në vendbanimet bjelloruse pranë kufirit, duke përfshirë edhe ndërtesat e banimit.

“Antenat dhe pajisjet e tjera janë të vendosura në çatitë e ndërtesave të zakonshme pesëkatëshe, të cilat ndihmojnë në drejtimin e dronëve rusë “Shahed” drejt objektivave në rajonet tona perëndimore. Kjo është një shpërfillje absolute për jetët njerëzore dhe është e rëndësishme që Minsku të ndalojë së luajturi me këtë”, tha presidenti ukrainas. //a.i/

 

The post KIEV – Zelensky: Rusia po përdor territorin e Bjellorusisë për të anashkaluar mbrojtjen e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Superkupa e Shqipërisë, Egnatia-Dinamo City sfida e fundvitit luhet të dielën

27 December 2025 at 13:17

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ E diela e fundit e vitit, 28 dhjetori, vjen me një takim special për futbollin shqiptar, ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë. Përballja Egnatia – Dinamo City nuk është thjesht një sfidë futbolli, por një spektakël 90-minutësh që meriton të përjetohet nga afër, në shkallët e stadiumit më modern dhe më të bukur në vend, “Air Albania”.

Federata Shqiptare e Futbollit, njofton se kjo është një sfidë që shkon përtej një trofeu. Në fushë do të zbresin dy nga skuadrat më të mira të sezonit aktual dhe të atij që lamë pas, të vendosura për të mbyllur vitin me një sukses madhor dhe për të fituar trofeun e fundit të vitit futbollistik.

Për tifozët e futbollit është thjesht një ndeshje, për tifozët e Egnatias dhe Dinamo City është emocioni i radhës, ndërsa për vetë skuadrat është një dhuratë e vërtetë fundviti. Dhe kush nuk do të donte ta përmbyllte vitin me një trofe në duar?

Ndeshja Egnatia – Dinamo City do të luhet të dielën në ora 19:00 në “Air Albania”. Biletat për finalen e Superkupës së Shqipërisë mund të blihen fizikisht në pikën pranë stadiumit “Air Albania”, si dhe online në ebileta.al, në linkun: Biletat e ndeshjes Egnatia – Dinamo City. e.xh/j.p/

The post Superkupa e Shqipërisë, Egnatia-Dinamo City sfida e fundvitit luhet të dielën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PHENIAN – Kim Jong Un vlerëson marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Rusisë në mesazhin e Vitit të Ri

27 December 2025 at 13:05

PHENIAN, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un vlerësoi lidhjet e vendit të tij me Rusinë, duke thënë se ato forcohen duke “ndarë gjak, jetë dhe vdekje në të njëjtën llogore”, në një mesazh të Vitit të Ri drejtuar presidentit rus, Vladimir Putin.

“Askush nuk mund t’i prishë tani lidhjet midis popujve të dy vendeve”, tha Kim duke iu referuar mbështetjes së Koresë së Veriut për Rusinë në luftën kundër Ukrainës.

Disa ditë më parë, presidenti Putin falënderoi Kim në mesazhin e tij të Vitit të Ri për përpjekjet “heroike” të ushtarëve të Koresë së Veriut.

Vitin e kaluar, Koreja e Veriut u angazhua në një bashkëpunim ushtarak me Rusinë.

Vlerësimet e inteligjencës së Koresë së Jugut sugjerojnë se rreth 15 000 ushtarë të Koresë së Veriut u vendosën në zona të shumta për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës – ndërsa Pheniani gjithashtu furnizoi Moskën me sasi të mëdha municionesh dhe artilerie.

Vëzhguesit besojnë se Koreja e Veriut mund të marrë para, pajisje ushtarake dhe garanci sigurie nga Rusia në këmbim.

Diplomatët, gjithashtu vënë në dukje se përvoja e fituar në Ukrainë u lejon forcave të Koresë së Veriut të testojnë sistemet e armëve, në praktikë dhe të fitojnë përvojë operacionale, veçanërisht në luftën moderne me dronë.

Nuk është e qartë se sa aktivisht janë të angazhuara trupat e Koresë së Veriut në luftimet në Ukrainë. //a.i/

The post PHENIAN – Kim Jong Un vlerëson marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Rusisë në mesazhin e Vitit të Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, arrestohet 44-vjeçari

27 December 2025 at 12:30

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia në Klos pasi kreu ndërhyrje në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, dhe ndërtoi pa leje një objekt pranë saj.

Policia njoftoi se u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 44 vjeç, banues në fshatin Fshat, Klos.

Sipas policisë “ky shtetas dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i veprave kulturore” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u kap në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa u pajisur me lejen përkatëse, si dhe duke kryer ndërhyrje dhe punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës””.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.

/m.q/j.p/

The post Punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, arrestohet 44-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Rusia sulmon Ukrainën para takimit Zekensky-Trump

27 December 2025 at 12:20

KIEV, 27 dhjetor /ATSH-DPA/- Rusia nisi sulme të mëtejshme me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën gjatë natës, duke synuar disa rajone dhe kryeqytetin, Kiev.

Të paktën 19 persona u plagosën, sipas një raporti të kryebashkiakut, Vitali Klitschko.

“Zjarre të mëdha shpërthyen në dy ndërtesa të larta në qytet si rezultat i sulmeve”, tha Klitschko në “Telegram”.

Në qytetin me 3 milion banorë raportua ndërprerje e energjisë elektrike.

“Aktualisht, ka më shumë se 2 600 ndërtesa banimi, 187 kopshte, 138 shkolla dhe 22 institucione sociale pa ngrohje qendrore”, tha Klitschko.

“Furnizuesit e energjisë dhe shërbimet komunale po punojnë për të rivendosur furnizimin me energji dhe ngrohje”, shtoi ai.

“Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në të gjithë vendin gjatë sulmeve, të cilat prekën edhe rajonet, Chernihiv, Mykolaiv, Kharkiv dhe Zhytomyr”, thanë Forcat Ajrore Ukrainase.

Media ukrainase raportoi se raketat hipersonike Kinzhal ishin ndër armët e përdorura, me infrastrukturën energjetike që thuhet se ishte në shënjestër.

Ukraina është mbrojtuar kundër pushtimit të plotë rus që nga shkurti i vitit 2022.

Me sulmet e fundit, Rusia po ushtron presion ushtarak përpara bisedimeve midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij amerikan Donald Trump, të planifikuara sot në Florida.

Nga ana tjetër, Zelensky ka të ngjarë t’i bëjë edhe një herë të qarta vijat e kuqe të Kievit në negociatat me Trump.

Udhëheqësi ukrainas refuzon të dorëzohet për një paqe të diktuar sipas kushteve të Moskës. //a.i/

The post KIEV – Rusia sulmon Ukrainën para takimit Zekensky-Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Morinës

27 December 2025 at 12:11

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Morinës është regjistruar një fluks i lartë lëvizjesh.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Kufitare dhe Migracioni Morinë, në hyrje të territorit shqiptar janë regjistruar 10 mijë e 684 shtetas, të cilët kanë kaluar kufirin me 4 mijë e 472 automjete, raportojnë mediet.

Ndërkohë, fluksi më i madh është shënuar në dalje. Përgjatë 24 orëve të fundit, nga Shqipëria kanë dalë 12 mijë e 601 shtetas, me 4 mijë e 976 automjete, çka tregon një lëvizje më të theksuar drejt Kosovës.

Autoritetet bëjnë me dije se në pikën kufitare të Morinës po punohet me 12 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të përballuar fluksin dhe për të shmangur pritjet e gjata.

Sipas medieve, numri më i lartë i qytetarëve në dalje lidhet kryesisht me emigrantët nga Kosova, të ardhur nga Italia, Zvicra dhe Gjermania, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë tranzit përmes Shqipërisë.

Shumë prej tyre po udhëtojnë për të festuar ndërrimin e viteve, por edhe për të marrë pjesë nesër në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Autoritetet kufitare vijojnë të jenë në gatishmëri për të menaxhuar fluksin e lëvizjeve edhe në orët në vijim.

/m.q/j.p/

The post Fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Morinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌