Pretendimi: Qendrat MedBed shërojnë plotësisht kancerin brenda 2 orësh pa asnjë efekt anësor
Veridkti: E paprovuar
———————————————————————————————-
Shtretërit mjekësorë çudibërës, të quajtur ‘medbeds’, vijojnë të ngërthejnë imagjinatën dhe shpresën e rrjeteve konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse.
Një postim që po qarkullon në këto rrjete prezanton një krahasim mes dy përvojave “krejtësisht të ndryshme” pas diagnostikimit me kancer të fazës së tretë. E para, në një spital, kushton mijëra dollarë, zgjat mbi një vit, ka gjasa të ulëta mbijetese dhe efekte anësore. E dyta, në një “qendër medbed” përshkruhet si një procedurë mrekullibërse që nuk kushton asgjë, përfundon për 2 orë, ka shkallë mbijetese 100% dhe asnjë efekt anësor.
Nëse e gjitha ju duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë, kjo sepse nuk është e vërtetë.
Paçka pretendimit se “kjo nuk është fantazi”, që përmbyll postimin, “shtretërit mjekësorë”, në anglisht “medbeds”, janë një koncept që e ka origjinën tek ndjekësit e teorisë konspirative QAnon, sipas së cilëve medbeds janë zhvilluar nga ushtria (në disa versione duke përdorur teknologji aliene) dhe janë duke u përdorur tashmë nga familjet më të pasura dhe të fuqishme në botë. Medbeds reklamohen si të kenë aftësi mrekullibërëse për të shëruar një sërë sëmundjesh dhe madje dhe për të kthyer pas procesin e plakjes. Sipas disa ndjekësve, kur Donald Trump do të bëhej president do të zbulonte ekzistencën e këtyre pajisjeve dhe do t’i bënte falas për gjithë amerikanët.
Sigurisht, për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme nuk ofrohet asnjë provë.
Nuk ka asnjë literaturë nga komuniteti mjekësor global që thotë se një pajisje e tillë ekziston. As shkenca për të krijuar një pajisje të tillë, e cila tingëllon sikur ka dalë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, nuk ekziston.
Teoria konspirative e medbeds “shërben për dy qëllime profetike”, tha për The Daily Beast Sara Aniano, nga Universiteti Monmouth, që studion retorikën e së djathtës ekstreme dhe ka dokumentuar përhapjen e mitit të medbeds.
Nga njëra anë ajo premton një të ardhme të afërt në të cilën kompanitë e mëdha farmaceutike janë të panevojshme. “Pastaj sigurisht që është tërheqja më e dukshme e të paturit një makineri magjike, versionet e së cilës mund të të diagnostikojnë menjëherë ose të të shërojnë menjëherë”, tha Aniano. “Disa mund të rrisin përsëri pjesë të humbura të trupit. Pra, padyshim, ka shumë shpresë që i shërben një narrative shumë tërheqëse për ata që e besojnë këtë.”
Ç’është më e trishtë, kjo teori konspirative është shfrytëzuar nga persona të ndryshëm për të mashtruar besimtarët që shpresojnë në aftësitë çudibërëse të këtyre pajisjeve për të shëruar probleme të rënda shëndetësore.
Tesla BioHealing, është një nga kompanitë e shumta që shet atë që ata e përshkruajnë si “medbed”, ndonjëherë për dhjetëra mijëra dollarë. Kjo kompani ofron medbed për shtëpinë në vlerën e 19,999 dollarëve, megjithëse një orë në një nga dhomat e tyre të motelit me medbed do t’ju kushtojë vetëm 160 dollarë.
Edhe pse kompani të tilla listojnë një sërë sëmundjesh që pretendojnë se mund të ndihmohen nga teknologjitë e tyre dhe ofrojnë dëshmi nga klientët e kënaqur, ato sigurohen gjithashtu të thonë se produktet e tyre nuk kanë për qëllim të zëvendësojnë trajtimet nga një mjek i kualifikuar, një mënyrë për t’u ruajtur nga paditë e mundshme që përdoruesit mund të sjellin kundër tyre kur shtrati çudibërës të rezultojë jo aq i plotfuqishëm sa shitet.
Sipas Associated Press, kanale të dedikuara në Telegram i përkushtohen diskutimeve rreth medbeds dhe se kur dhe ku do të vijnë ato. “Po kërkoj dëshpërimisht ndonjë ndihmë nga të gjithë për t’iu përgjigjur lutjeve të mia për një kurë për kancerin e djalit tim,” shkroi një grua në një kanal Telegrami në New Jersey.
Faktoje ka përgënjshtruar dhe më parë pretendime lidhur me medbeds.
Më 9 korrik 2026, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, deklaroi se pagesa mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara do të dyfishohej nga 1 korriku dhe se do të njiheshin kontributet shoqërore dhe shëndetësore për ndihmësit personalë. Vendimet përkatëse u miratuan nga Këshilli i Ministrave më 22 korrik. Përfituesit nuk e morën pagesën e dyfishuar gjatë korrikut, por do ta marrin në gusht së bashku me shtesën e muajit të kaluar.
Më 9 korrik 2026, gjatë një takimi me prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Qendrën e Shërbimeve Komunitare të Integruara në Prush, ministrja Evis Sala njoftoi se dyfishohen pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe njihen kontributet për 14 mijë ndihmës personalë
Ministrja Sala deklaroi se synimi i masës ishte që familjet e personave me aftësi të kufizuara të ndienin mbështetje konkrete nga shteti.
“Objektivi ynë është që çdo person me aftësi të kufizuara dhe çdo familje të ndiejë mbështetje konkrete nga shteti, përmes politikave që garantojnë dinjitet, përfshirje dhe mundësi të barabarta”, tha ajo.
Më 20 korrik, kryeministri Edi Rama e përsëriti deklaratën gjatë një vizite në Qendrën Sociale “Jonathan”.
“Premtuam dyfishimin e mbështetjes për ta dhe jam shumë i lumtur që sot mbështetja për ta është dyfishuar”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se shteti do të paguante edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të kujdestarëve.
“Ne vendosëm, po ashtu, që shteti, buxheti i shtetit, t’i paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat dhe për të gjithë kujdestarët, njësoj si ata të ishin në punë”
Buxheti
Akti Normativ nr. 2, datë 30 qershor 2026, ndryshoi buxhetin e vitit 2026 dhe rishikoi fondet e institucioneve dhe programeve buxhetore. Për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dokumenti parashikon rreth 86.48 miliardë lekë shpenzime buxhetore, nga të cilat rreth 29.26 miliardë lekë për programin “Përkujdesja sociale”. Në treguesit fiskalë, zëri “Ndihma ekonomike dhe paaftësia” arrin në 25.324 miliardë lekë.
Akti normativ siguroi fondet, ndërsa masa e pagesës dhe mënyra e përfitimit u përcaktuan më pas përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Në përgjigjen e datës 28 korrik për Faktoje, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se buxheti i institucionit ishte rritur me rreth 8.9 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 750 milionë lekë ishin caktuar për dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe 674 milionë lekë për kontributet e kujdestarëve.
Këshilli i Ministrave
Më 22 korrik 2026, Këshilli i Ministrave miratoi paketën e vendimeve që ndryshuan masën dhe procedurat e përfitimit të pagesave për personat me aftësi të kufizuara.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dyfishimi përfshin 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara dhe ka një efekt financiar shtesë prej 750 milionë lekësh. Vendimet përcaktojnë se masa ka efekt financiar nga 1 korriku 2026.
Paketa miratoi gjithashtu njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë, me një kosto shtesë prej 674 milionë lekësh për buxhetin e shtetit.
Rritja nuk humbet
Megjithëse Ministria e njoftoi dyfishimin më 9 korrik dhe Rama e paraqiti masën si të realizuar më 20 korrik, gjatë atij muaji përfituesit nuk e morën pagesën sipas vlerës së re.
Më 24 korrik, Shërbimi Social Shtetëror sqaroi se pagesat e reja do të jepeshin duke filluar nga 1 gushti, së bashku me diferencën e muajit korrik.
“Duke filluar nga 1 gushti 2026 përfituesit do të marrin pagesën sipas vlerave të reja, së bashku me diferencën që u përket për muajin korrik”, thuhet në njoftim.
Përfundim
Ministrja Evis Sala deklaroi se pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara do të dyfishoheshin nga 1 korriku dhe se do të njiheshin kontributet për ndihmësit personalë.
Këshilli i Ministrave miratoi dyfishimin për 10,240 fëmijë, me efekt financiar nga 1 korriku, si dhe njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë. Edhe pse pagesa e re nuk u mor gjatë korrikut, Shërbimi Social Shtetëror konfirmoi se përfituesit do ta marrin në gusht së bashku me diferencën e muajit të kaluar.
Për këtë arsye, deklaratën e ministres per dyfishimin e pagesës për fëmijet me aftësi të kufizuara e kategorizojmë të vërtetë.
Pretendimi: Projektligji i ri për sektorin e energjisë elektrike në Shqipëri parashikon se kush nuk paguan energjinë elektrike do t’i sekuestrohet shtëpia
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————–
Në disa portale po qarkullon lajmi se, sipas projektligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike propozuar nga qeveria shqiptare, kush nuk paguan energjinë elektrike do t’i sekuestrohet shtëpia. Lajmi shoqërohet edhe me pretendimin se kjo do të prekë të gjithë qytetarët.
Artikujt e mësipërm i referohen vendosjes së barrës hipotekore, që parashikohet në nenet 115 dhe 116 të ligjit, për konsumatorët e energjisë që nuk shlyejnë detyrimet ndaj furnizuesit të energjisë elektrike.
Megjithatë, siç specifikohet në tekstin e ligjit, por edhe në brendinë e vetë artikujve të mësipërm, barra hipotekore vendoset mbi pasurinë e paluajtshme “në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për klientin jofamiljar.”
Ligji i përkufizon “klientët jofamiljarë” si “personat fizikë ose juridikë që blejnë energji elektrike, e cila nuk shkon për përdorim familjar, prodhuesit dhe klientët e shumicës.”
Qartazi, atëherë, pretendimi se ligji parashikon sekuestrimin e shtëpisë së atyre që nuk paguajnë energjinë elektrike dhe se kjo prek të gjithë qytetarët është i pavërtetë. Mundësia e kufizimit hipotekor mbi pronat e paluajtshme parashikohet vetëm për debitorët jofamiljarë si bizneset apo prodhuesit.
Pretendimi: Vatikani ka “goditur” kryeministrin shqiptar Edi Rama me fjalët e Papës rreth protestave te Revolucionit Flamingo
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————
Në rrjetetsocialeshqipfolëse po qarkullonlajmi se Vatikani ka “goditur” kryeministrin shqiptar Edi Rama me fjalët e Papës rreth protestave te Revolucionit Flamingo. Papa citohet të ketë thënë: “Ka ardhur dita që të…” ndërkohë që lexuesit ftohen të klikojnë lidhjen në komente për të mësuar më shumë.
Megjthëse postimet e mësipërme japin përshtypjen se vetë Papa ka folur mbi protestat në Tiranë, në të vërtetë, në tesktin e referuar në komente sqarohet se bëhet fjalë për një artikull mbi protestat që është botuar nga Vatican News, portali zyrtar i lajmeve i Selisë së Shenjtë, më 25 korrik 2026.
Citati i pretenduar i Papës nuk shfaqet as në artikullin në shqip, as në atë të Vatican News.
Megjithatë, as raportimi i Vatican News nuk përdor fjalët e Papës për të “goditur” Ramën. Ai raporton mbi shqetësimet e peshkopëve shqiptarë lidhur me zhvillimet në vend dhe citon deklaratën e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë mbi protestat.
Është kjo deklaratë që citon një letër të Papë Françeskut, i ndarë nga jeta një vit para nisjes së protestave në Shqipëri, ku ai ka shkruar: “Parashikimi i impaktit ambiental të sipërmarrjeve dhe të projekteve kërkon procese politike transparente dhe që i nënshtrohen dialogut, ndërsa korrupsioni, që fsheh impaktin e vërtetë ambiental të një projekti, në këmbim të favoreve, shpesh çon drejt marrëveshjeve të paqarta që i ikin detyrimit për të informuar dhe një debati të thelluar.”
Shqipëria është ndër vendet europiane me pasojat më të rënda shëndetësore nga ndotja e ajrit. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se vendi regjistron 129 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, të lidhura me ekspozimin ndaj grimcave të imëta në ajër.
Me këtë tregues, Shqipëria renditet e katërta në Europë, pas Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë. Niveli është më shumë se tri herë mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila në vitin 2023 ishte 41 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.
Treguesi i Eurostat mat numrin e vdekjeve të parakohshme nga ekspozimi ndaj grimcave PM2.5, të cilat kanë diametër më të vogël se 2.5 mikrometra. Për shkak të përmasave shumë të vogla, këto grimca depërtojnë thellë në mushkëri dhe mund të kalojnë edhe në qarkullimin e gjakut.
PM2.5 krijohen kryesisht nga djegia e lëndëve të ngurta për ngrohje, aktivitetet industriale, transporti rrugor dhe djegia e mbetjeve. Ekspozimi ndaj tyre nuk lidhet vetëm me praninë e industrisë së rëndë, por edhe me mënyrën e ngrohjes, cilësinë e karburanteve, moshën e automjeteve dhe kushtet urbane që favorizojnë grumbullimin e ndotësve.
Rreziku për shëndetin
Sipas specialistëve, grimcat PM2.5 janë ndër ndotësit më problematikë për shëndetin. Pneumologu Jul Bushati shpjegon për Faktoje se rreziku lidhet me aftësinë e këtyre grimcave për të depërtuar në pjesët më të thella të sistemit respirator.
“Grimcat PM2.5 janë aq të vogla sa kalojnë në alveolat pulmonare dhe mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut”, shprehet Bushati.
Sipas tij, ekspozimi ndaj niveleve të larta të PM2.5 rrit rrezikun për inflamacion të rrugëve të frymëmarrjes, përkeqësim të astmës, sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (SPOK), si dhe lidhet me rrezik më të lartë për kancer të mushkërive dhe sëmundje kardiovaskulare.
“Ekspozimi i përditshëm ndaj ndotjes së ajrit është si një investim negativ në shëndet. Dëmtimi akumulohet ngadalë dhe mund të shfaqet pas viteve si astmë, bronkit kronik, SPOK apo sëmundje kardiovaskulare”, thotë ai.
Tirana dhe Elbasani, qytetet me ndotjen më të lartë
Të dhënat ndërkombëtare përputhen edhe me raportimet e institucioneve shqiptare. Agjencia Kombëtare e Mjedisit evidenton Tiranën dhe Elbasanin si qytetet me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në vend.
Sipas AKM-së, në këto dy qytete janë regjistruar tejkalime të normave për grimcat PM10, ndërsa Elbasani rezulton qyteti i vetëm ku është tejkaluar edhe norma për dioksidin e azotit (NO₂), një ndotës që lidhet kryesisht me gazrat e automjeteve dhe aktivitetin industrial.
Agjencia e Mjedisit pranon se burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Shqipëri janë trafiku rrugor, aktivitetet e ndërtimit dhe përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje gjatë dimrit.
Trafiku dhe ndërtimi
Një faktor i rëndësishëm në ndotjen urbane në Shqipëri është rritja e numrit të mjeteve në qarkullim. Sipas INSTAT, në fund të vitit 2025 në Shqipëri ishin të regjistruara mbi 1 milionë mjete rrugore. Vetëm në një vit, numri i mjeteve u rrit me 9,3%.
Dhe problemi nuk lidhet vetëm me numrin e automjeteve, por edhe me karakteristikat e flotës. Sipas INSTAT, 55,3% e mjeteve rrugore janë prodhuar gjatë periudhës 2000–2010, ndërsa autoveturat me moshë 11–20 vjet përbëjnë 45,7% të totalit.
Nafta mbetet karburanti dominues. Vitin e shkuar, 72,1% e autoveturave funksiononin me naftë. Ndërkohë, numri i autoveturave elektrike është rritur me 91,2% krahasuar me vitin 2024, por mbetet ende një pjesë e vogël e flotës totale.
Një tjetër burim ndotjeje që është rritur ndjeshëm vitet e fundit është ndërtimi. Sipas të dhënave të INSTAT, të përllogaritura nga Faktoje, në pesë vitet e fundit janë dhënë rreth 7 mijë leje ndërtimi në të gjithë vendin.
Një rrjet monitorimi me boshllëqe
Problem në Shqipëri mbetet edhe mënyra se si bëhen matjet e cilësisë së ajrit. Një artikull i Faktoje i publikuar në maj të këtij viti zbuloi se vendi deklaron një rrjet kombëtar me 59 stacione monitorimi, por matjet reale kryhen vetëm në nëntë stacione në të gjithë vendin. Katër në Tiranë dhe nga një në Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni përgjegjës për monitorimin e ajrit, deklaroi se këto stacione matin ndotës si PM10, PM2.5, NO₂, SO₂, O₃ dhe CO.
Por Kontrolli i Lartë i Shtetit ka faktuar se institucionet nuk kanë garantuar të dhëna të mjaftueshme dhe të besueshme për të vlerësuar gjendjen reale të cilësisë së ajrit.
Në këtë boshllëk janë zhvilluar edhe matje alternative nga organizata Co-PLAN përmes projektit GreenAL. Të dhënat e këtij monitorimi kanë evidentuar tejkalime të normave në qytetet kryesore, duke treguar një panoramë më problematike sesa ajo që reflektohet vetëm nga matjet zyrtare.
Premtimi
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, e ka cilësuar cilësinë e ajrit si një nga kapitujt më sfidues në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Në maj të këtij viti, gjatë prezantimit të Planit Kombëtar për Ndryshimet Klimatike 2026–2036, Jaupaj deklaroi se Ministria e Mjedisit ka nisur bashkëpunimin me Bankën Botërore për financimin e një projekti të plotë monitorimi të cilësisë së ajrit.
Projekti parashikon ngritjen e një qendre kombëtare monitorimi dhe vendosjen e stacioneve të reja sipas standardeve të Agjencisë Europiane të Mjedisit. Objektivi është që deri në vitin 2028 Shqipëria të ketë një sistem të plotë monitorimi të cilësisë së ajrit.
Ndërkohë, të dhënat e Eurostat tregojnë se pasojat shëndetësore të ndotjes janë tashmë të matshme. Shqipëria mbetet ndër vendet europiane ku ajri përbën një barrë të rëndë për shëndetin publik, ndërsa sfida nuk është vetëm ulja e ndotjes, por edhe krijimi i një sistemi të besueshëm që tregon çdo ditë se çfarë ajri po thithin qytetarët.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë.
Pretendimi: Kjo video tregon ushtrinë izraelite duke tërhequr zvarrë me veturë një fëmijë palestinez që më pas ndërroi jetë nga torturat
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon “ushtrinë izraelite duke ngrehur zvarrë me veturë një fëmijë palestinez që më pas ndërroi jetë nga torturat.”
Megjithatë, pretendimi nuk shoqërohet me ndonjë burim, referencë apo detaj identifikues për videon si data dhe vendi kur është xhiruar.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme qarkullon në rrjet që në dhjetor të vitit 2025.
Ajo është postuar fillimisht në Instagram më 14 dhjetor 2025 nga projekti Mbrojtje Civile e Paarmatosur (UCP) në Palestinë.
Sipas përshkrimit që shoqëronte videon, ajo tregon një incident që ndodhi më 12 dhjetor 2025, në një komunitet beduinësh palestinezë pranë qytetit Jericho, ku një kolon lidhi një dhi të ngordhur në një motor me katër rrota dhe e tërhoqi atë drejt perimetrit të kolonisë ku ai banonte, ndërsa bënte deklarata fyese kundër palestinezëve të pranishëm në zonë.
Video shfaqet gjithashtu në një artikull të gazetës iraniane Hamshahri të botuar më 16 dhjetor 2025, ku përshkruhet si “video e një adoleshenti dhe sjelljes së tij me një kafshë të ngordhur.” Sipas artikullit, video tregon një adoleshent nga një vendbanim izraelit që lidhi një dhi të ngordhur pas një automjeti dhe e tërhoqi zvarrë atë përpara palestinezëve në një akt provokues dhe të dhunshëm pranë qytetit të Jericho.
Pretendimi se video tregon një fëmijë palestinez që po tërhiqet zvarrë pas një automjeti është përgënjeshtruar nga kolegët faktverifikues palestinezë të Tahaqaq.
Pretendimi: Kjo video tregon futbollistin spanjoll Marc Cucurella duke transportuar trofeun e Kupës së Botës 2026 në një qese plastike
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale pasi ekipi kombëtar spanjoll fitoi Botërorin e Futbollit 2026 pretendohet se tregon futbollistin spanjoll Marc Cucurella duke transportuar trofeun e Kupës së Botës 2026 në një qese plastike.
Megjithatë, ky pretendim është i pavërtetë.
Në videon e mësipërme, Marc Cucurella nuk ka trofeun e Kupës së Botës në qese, por një imitim të saj të prodhuar nga kompania e lodrave LEGO. Pjesëzat e setit të lodrave me 2842 pjesë mund të shihen nëse zmadhojmë imazhin.
Trofeu origjinal ka sipërfaqe të lëmuar, detaje të ndërlikuara të skalitura dhe një bazë proporcionale të gjelbër. Objekti i paraqitur në video duket më pak i detajuar, me skajet e tullave të dukshme si Lego. Reflektimet e saj të dritës gjithashtu ndryshojnë nga ato që shihen zakonisht në trofeun origjinal të arit.
Lojtarëve të Spanjës iu dhuruan kopje LEGO të trofeut të Kupës së Botës, pasi mposhtën Argjentinën në finale. Lojtarë të tjerë nga skuadra spanjolle, si David Raya, gjithashtu u larguan nga dhoma e zhveshjes me kupën lodër të LEGO.
Që nga viti 2006, FIFA i ka lejuar ekipit fitues të Botërorit ta mbajë trofeun vetëm gjatë ceremonisë zyrtare pas finales. Më pas, ekipi merr një kopje identike të veshur me ar. E njejta gjë ndodhi këtë Kupë Bote, siç mund të shihet në pamjet e dhomës së zhveshjes.
Manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj (FIMI) është shndërruar në një nga sfidat më të mëdha për demokracinë dhe vetë sigurinë e vendeve. Për Shqipërinë, e cila ndodhet në një fazë të rëndësishme të negociatave për anëtarësim në BE, forcimi i rezistencës ndaj FIMI-t po shihet si domosdoshmëri strategjike.
Për këtë qëllim, ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi një aktivitet të gjerë me këtë temë, bazuar edhe në diskutimin e dy paneleve me ekspertë ndërkombëtare. E ftuar nga Shqipëria në këtë panel diskutimi nga shoqëria civile ishte drejtoresha e Faktoje.al. Klodiana Kapo.
Rama
Në hapje të konferencës, Kryeministri Edi Rama e paralelizoi fenomenin e FIMI me Kalin e Trojës, duke e përshkruar si një kërcënim që hyn tinëzisht, i maskuar si i padëmshëm, por që gërryen besimin tek institucionet demokratike dhe shfrytëzon hapësirat e lirisë së fjalës.
Rama theksoi se sot fuqia e një shteti nuk matet vetëm me ushtri apo mjete tradicionale, por edhe me aftësinë për të manipuluar perceptimin publik.
Ai solli shembuj konkretë nga sulmet kibernetike në Europë (rasti i Rumanisë), duke paralajmëruar se kërcënimet hibride nuk synojnë vetëm infrastrukturën digjitale, por edhe mendjet e qytetarëve.
Revolucioni “Flamingo” dhe FIMI
Duke folur për FIMI-n, Rama nuk e la jashtë vëmendjes edhe “revolucionin e flamingove”, për të cilin jo pak herë në fillim të muajit qershor e relativizoi si një protestë e nxitur nga faktorë të jashtëm.
Sot, duke hequr sërish paralele me Kalin e Trojës, Rama e përshkroi këtë protestë si “shembull i jashtëzakonshëm i një çarje”, ku armiqtë e huaj, sipas tij, e shfrytëzuan “për të organizuar një operacion shumë të madh troll-esh dhe avatarësh”.
Rama nuk u zgjat më shumë në këtë çështje dhe as nuk komentoi përmasat e kësaj ndërhyrje për të cilën ai vetë kishte ndërtuar një narrativë të tërë për një periudhë të gjatë kohe proteste në Tiranë.
Ajo që Rama tha pa droje është se sot manipulimi digjital nuk është abstrakt, por prek drejtpërdrejt, sipas tij, debatin publik dhe proceset demokratike.
Integrimi
Në anën tjetër, ministri Për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vërejti se Shqipëria po hyn në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE dhe se për pasojë ky proces, sipas tij, e ekspozon më shumë vendin tone ndaj manipulimit të informacionit nga aktorë të huaj.
Sipas tij, rezistenca ndaj FIMI-t nuk mund të importohet, por duhet të ndërtohet përmes bashkëpunimit mes institucioneve, medias, akademisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve. Ai nënvizoi rëndësinë e përvojës ndërkombëtare dhe shkëmbimit të praktikave për të forcuar mbrojtjen demokratike.
Paneli
Duke mbetur tek përvoja ndërkombëtare, dy panele të përzgjedhura nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme me ekspertë të huaj por edhe nga Shqipëria nxorrën në pah faktin se manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj (FIMI) është një nga kërcënimet më serioze për demokracinë, besimin publik dhe sigurinë.
Nga panelistët e ftuar nga Franca, Gjermania, Kievi, Gjeorgjia, USA por edhe Brukseli u evidentua fakti se si aktorë të jashtëm vecanërisht Rusia, po përdorin platformat digjitale, inteligjencën artificiale dhe fushatat e koordinuara online për të ndikuar opinionin publik, për të minuar vlerat e BE-së, NATO-s dhe institucionet demokratike dhe polarizuar shoqëritë.
Ne foto: Drejtoresha e Faktoje, Klodiana Kapo
Faktoje
Nga Shqipëria, si pjesë e shoqërisë civile, drejtoresha e Faktoje.al Klodiana Kapo vërejti se puna disa vjecare e Faktoje ka treguar se, “dezinformimi lulëzon aty ku mungon transparenca dhe komunikimi i qartë nga institucionet”. Sipas saj, kur informacioni vonohet ose jepet pa fakte të verifikueshme, hapësira mbushet nga lajme të rreme, teori konspirative dhe aktorë që minojnë besimin publik.
“Dezinformimi nuk përhapet vetëm sepse dikush prodhon një lajm të rremë. Ai përhapet sepse gjen një boshllëk informacioni ndersa qytetaret kërkojne përgjigje.
Në tre vitet e fundit Faktoje, së bashku me pesë organizata partnere te Rrjetit kunder dezinformimit në Ballkanin Perëndimor, ka analizuar mbi 200 raste të dezinformimit. Përfundimi është i qartë: Shqipëria nuk është immune.
Sot, një titull sensacional udhëton më shpejt se një fakt i verifikuar. Një video e shkëputur nga konteksti prodhon më shumë reagim se një investigim që kërkon javë pune. Ky është terreni ku lulëzon FIMI”, tha ajo.
Cfarë duhet
Kapo theksoi se, Shqipëria duhet të zbatojë menjëherë Strategjinë Kombëtare kundër Dezinformimit, me plan veprimi të buxhetuar, afate dhe përgjegjësi të qarta institucionale. Legjislacioni zgjedhor duhet gjithashtu sipas saj të përfshijë realitetin e fushatave digjitale, duke kërkuar transparencë për reklamat politike dhe shpenzimet e tyre. Sipas Kapos, qëndrueshmëria e medias së pavarur duhet të trajtohet si interes publik, me mbështetje për sigurinë kibernetike, ndihmë ligjore dhe financim të qëndrueshëm. Ajo nënvizoi gjithashtu se platformat digjitale duhet të jenë të përgjegjshme edhe për gjuhën shqipe dhe Shqipëria të përafrohet me Aktin për Shërbimet Digjitale dhe Aktin Evropian për Lirinë e Medias. Së fundi, ajo nënvizoi rëndësinë e edukimit mediatik që sipas saj duhet të integrohet në shkolla, universitete, administratë por edhe edukimin në komunitet.
Detyrat
Në fund të dy paneleve, pyetje pergjigjeve dhe moderimit nga ekspertë të fushës, konferenca arriti në përfundimin se lufta kundër FIMI-t nuk është vetëm çështje sigurie kombëtare, por një detyrë e perbashket që kërkon bashkëpunim të gjerë përfshi shoqërinë civile, qytetarët, qeverite por edhe asistence dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Jo më kot, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha e kategorizoi këtë objektiv (ne fund të gjithe panelit) si çështje stratregjike.
Me dy seanca plenare brenda së njëjtës ditë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 74 votat e mazhorancës marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF) për modernizimin e ushtrisë.
Gjatë seancës së parë, opozita deklaroi se e mbështet marrëveshjen në parim, por kundërshtoi mënyrën e shqyrtimit të saj, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit.
Fillimisht, Kuvendi miratoi futjen e marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar. Debati u përqendrua më pas te fakti që deputetëve iu kërkua të firmosnin një deklaratë konfidencialiteti për të pasur akses në tekstin e plotë të dokumentit. Më vonë, deputetët u mblodhën në një seancë të dytë me diskutime të mbyllura, të cilën deputetët e Partisë Demokratike e bojkotuan.
Marrëveshje sekret
Në nisje të seancës së parë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi se bëhej fjalë për një hua direkte nga Agjencia Amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA) në vlerën 302 milionë dollarë, e destinuar për modernizimin e Forcave të Armatosura. Peleshi sqaroi se deputetët mund të njiheshin me përmbajtjen e marrëveshjes vetëm pasi të firmosnin një deklaratë konfidencialiteti.
Në emër të mazhorancës, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilësoi marrëveshjen një “hap historik” për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me SHBA-në.
“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë… Shqipëria mbështet objektivin e ri 5% të NATO-s. Financimi do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura sipas standardeve më të larta të NATO-s”, deklaroi Balla.
Sipas tij, fondet do të disbursohen gradualisht sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes. Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e tyre, ndërsa huaja parashikon një afat shlyerjeje deri në 12 vjet.
Opozita pro marrëveshjes, kundër procedurës
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita do ta mbështeste marrëveshjen, por kundërshtoi mënyrën se si qeveria kërkoi ta miratonte.
“Ne jemi pro marrëveshjes që rrit investimet në siguri dhe përmbush detyrimet ndaj NATO-s. Por jemi kundër mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament”, deklaroi Bardhi.
Kreu i grupit të PD-së akuzoi mazhorancën se deputetëve nuk u ishte vënë në dispozicion teksti i marrëveshjes dhe se procedura e ndjekur shkelte Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Ai kujtoi gjithashtu se Shqipëria prej vitesh nuk ka përmbushur objektivin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes. Pas debatit procedural, deputetët e opozitës braktisën seancën e dytë plenare.
“Seanca plenare e planifikuar për sot, në orën 15:00, është thirrur në kundërshtim me Kushtetutën, e cila përcakton qartë se Kuvendi nuk mund të votojë një ligj më herët se një javë nga momenti i fillimit të shqyrtimit të tij,”sqaroi Bardhi një orë para seancës së votimit.
Një marrëveshje pas presionit të NATO-s
Miratimi i huasë vjen vetëm pak javë pasi Shqipëria u vu në qendër të diskutimeve brenda NATO-s për mosarritjen e objektivit minimal prej 2% të PBB-së për mbrojtjen. Muajin e kaluar, Reuters raportoi se organizimi i samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri ishte vënë në diskutim për shkak të nivelit të shpenzimeve ushtarake.
Në një përgjigje për Faktoje, një zëdhënës i Aleancës konfirmoi deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte, sipas së cilës Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk e kishin arritur objektivin 2% gjatë vitit 2025, edhe pse diferenca konsiderohej relativisht e vogël në raport me buxhetin total të Aleancës.
Një javë përpara samitit të NATO-s në Ankara, Faktoje pyeti nëse ishte marrë një vendim përfundimtar për samitin e planifikuar në Shqipëri. Përgjigjja e Aleancës ishte e shkurtër: “Ne nuk komentojmë diskutimet në vazhdim mes Aleatëve”
Rritja e buxhetit pak ditë para samitit
Pak ditë përpara samitit të Ankarasë, më 30 qershor 2026, qeveria miratoi një akt normativ që ndryshoi Buxhetin e Shtetit. Vetë kryeministri Edi Rama e lidhi këtë vendim me angazhimet ndaj NATO-s, duke deklaruar se Shqipëria do të siguronte financimin e nevojshëm për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
Si rezultat, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026 u rrit nga 58.9 miliardë lekë në 69.2 miliardë lekë, një shtesë prej mbi 10.2 miliardë lekësh, ose 17.5% më shumë se plani fillestar.
Në përfundim të samitit në Ankara, Mark Rutte konfirmoi se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa data mbetet ende për t’u përcaktuar.
Historiku i objektivit 2%
Debati politik mbi huanë riktheu edhe diskutimin për përmbushjen e objektivit të NATO-s. Të dhënat ndërvite tregojnë se as gjatë qeverisjes së Sali Berishës dhe as gjatë pjesës më të madhe të qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria nuk e arriti pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen.
Në vitet 2009–2013, shpenzimet luhateshin rreth 1.2–1.4% të PBB-së, ndërsa pas vitit 2013 ato u rritën gradualisht, sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Megjithatë, sipas vlerësimit të NATO-s, Shqipëria mbeti nën objektivin edhe gjatë vitit 2025.
Llogaritjet e bazuara vetëm mbi buxhetin kombëtar japin një rezultat disi ndryshe, duke e nxjerrë vitin 2025 pak mbi 2%. Sipas ekspertëve, kjo mospërputhje shpjegohet me metodologjinë. NATO nuk llogarit vetëm buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, por përdor një përkufizim më të gjerë të “shpenzimeve të mbrojtjes”, ku përfshihen edhe kategori të tjera si pensionet ushtarake dhe kontributet në operacionet ndërkombëtare.
Një kredi për modernizimin e ushtrisë
Huaja prej 302 milionë dollarësh është financimi më i madh i këtij lloji që Shqipëria ka marrë për mbrojtjen në kuadër të programit amerikan FMF.
Sipas qeverisë, fondet do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura sipas standardeve të NATO-s, ndërsa çdo disbursim do të miratohet nga autoritetet amerikane përkatëse.
Megjithatë, mënyra e miratimit të marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar, dy seanca brenda ditës dhe akses të kufizuar në dokumentacion dominoi debatin politik më shumë sesa vetë përmbajtja e saj. Për opozitën, problemi nuk ishte marrëveshja me SHBA-në, por mënyra se si mazhoranca zgjodhi ta kalonte atë në Kuvend.
Pretendimi: Ky imazh tregon një qen duke mbrojtur një fëmijë në rrënoja pas tërmetit në Venezuelë në qershor 2026
Verdikti: E paprovuar
———————————————————————–
Më 24 qershor 2026, dy tërmete goditën Venezuelën, duke shaktuar vdekjen e mbi 4700 njerëzve. Pas tërmeteve, në rrjete sociale, përfshiatoshqipfolëse, nisi të qarkullojë një imazh që pretendohet se tregonte një qen të racës Golden Retriever të quajtur Max duke mbrojtur një fëmijë me emrin Mateo nën rrënojat e një ndërtese.
Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk jepet ndonjë provë, burim apo referencë. Njësoj, nuk jepet as ndonjë detaj identifikues si vendi, koha dhe mbiemri i fëmijës.
Një kërkim me motoret e kërkimit pamor Google Lens dhe Yandex nuk gjeti ndonjë burim të besueshëm që raportonte këtë histori të adhurueshme. Një kërkim me fjalëkyçe gjithashtu nuk gjeti ndonjë provë apo dëshmi të një historie të tillë me një qen të quajtur Max, një fëmijë të quajtur Mateo dhe tërmetin në Venezuelë, as në lajmet në anglisht as në spanjisht.
Vetë imazhi përmban disa shenja që tregojnë se është gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Së pari, qimet e qenit janë shumë të lëmuara, në mënyrë të panatyrshme, në disa pjesë dhe të ashpra në të tjera. Së dyti, fëmija ka një pamje të panatyrshme dhe dora e tij e majtë duket pothuajse si dora e një skeleti. Rrenojat në të majtë të imazhit janë gjithashtu të turbullta përgjatë skajeve. Putra e qenit është vendosur në mënyrë të panatyrshme mbi trupin e fëmijës dhe hija e kokës së qenit mbi fëmijën është jokonsistente.
Nuk ka asnjë fotografi origjinale, video shpëtimi ose ndonjë sekuencë imazhesh që vërteton se ngjarja ka ndodhur në të vërtetë.
Ka shumë historitë vërteta qensh shpëtimi që kanë shpëtuar njerëz pas tërmeteve në Venezuelë. Megjithatë, asnjë nga këto histori nuk flet për një qen të quajtur Max dhe një fëmijë të quajtur Mateo në Venezuelë. Qen të tillë janë gjithashtu kafshë shpëtimi të trajnuara, jo kafshë shtëpiake. Ata i iu nënshtrohen viteve trajnimi intensiv për t’u specializuar në gjetjen e viktimave të bllokuara nën strukturat e shembura.
Qeni i quajtur Tsunami u bë simbol i shpresës pasi ndihmoi në shpëtimin e të paktën 13 personave të bllokuar nën rrënoja pas tërmeteve në Venezuelë
Megjithatë, një qen shtëpiak nga Venezuela mban rekordin botëror për numrin më të lartë të njerëzve të shpëtuar nga një qen në 24 orë. Gjatë natës së 15-16 dhjetorit 1999, një Rottweiler i quajtur Orion shpëtoi të paktën 37 persona gjatë tragjedisë së Vargasit në Venezuelë, kur shirat e rrëmbyeshëm vranë mijëra njerëz (mbi 10% të popullsisë së përgjithshme të shtetit të Vargas). Në njohje të kontributit të tij në shpëtimin e jetës njerëzore Orion u vlerësua me një numër medaljesh nga qeveria venezueliane, si dhe nga institucione të ndryshme private, dhe më pas ai u bë i njohur si “El Perro Valiente” (“qeni trim”).
Në ditën e 55-të të protestave në bulevard, kryeministri Edi Rama zgjodhi mbledhjen e grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar për të shpallur atë që e quajti “kthesa” e mandatit të katërt qeverisës. Në epiqendër vendosi dokumentin strategjik “Besa”, të prezantuar si metodë e re e qeverisjes.
Takimi nisi me një video që rikthente pamjet e Shqipërisë së vitit 2013, duke krahasuar gjendjen e natyrës dhe mjedisit para ardhjes në pushtet të socialistëve me ndryshimet që, sipas qeverisë, janë arritur gjatë 13 viteve të fundit. Pas videos, e cila u prit me duartrokitje në sallë, Rama mori fjalën për rreth 70 minuta.
“Bulevardi i Flamingove”
Rama prezantoi dy dokumente. I pari, “Besa”, që sipas tij përmban, filozofinë e re të qeverisjes në mandatin e katërt, ndërsa i dyti lidhet me mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë ndryshim.
Por ajo që ra më shumë në sy ishte ndryshimi i narrativës së kryeministrit për protestën.
Që në minutat e para, Rama e quajti atë “Bulevardi i Flamingove”, një emërtim që e përdori gjatë gjithë fjalimit. Ndryshe nga deklaratat e mëprashme, këtë herë ai bëri një ndarje të qartë mes protestuesve dhe atyre që, sipas tij, e shfrytëzuan protestën.
“Ju nuk jeni mosmirënjohës, ju jeni matës i ri i standardeve tona”, tha Rama, duke iu drejtuar qytetarëve që protestuan.
Më pas ai ndërtoi metaforën që përshkoi të gjithë fjalimin. “Flamingot” janë qytetarët e zakonshëm që kërkojnë llogari dhe standarde më të larta, ndërsa “sorrat” dhe “korbat” janë, sipas tij, ekstremistët, sharlatanët dhe aktorët politikë që përfitojnë nga pakënaqësia.
Ai pranoi se zemra e saj ishin qytetarët e zakonshëm.
“Flamingot nuk janë kush na jep të drejtë gjithnjë, por kushdo që na kujton të drejtën që ka për të na kërkuar llogari”, u shpreh Rama.
“Pasqyra” e bulevardit
Një tjetër figurë që Rama përdori vazhdimisht ishte ajo e “pasqyrës së bulevardit të flamingove”. Sipas tij, protesta nuk duhet parë si një sulm ndaj qeverisë, por si pasqyra ku socialistët duhet të shohin veten.
“Bulevardi i flamingove duhet parë jo si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara”, tha ai.
Pikërisht në këtë “pasqyrë”, Rama tha se kishte kuptuar se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re.
“Unë vetë, në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre.”
Sipas tij, vendi ka kaluar nga “epoka e mungesave”, ku qytetarët vlerësonin ndërtimin e rrugëve, shkollave apo spitaleve, në “epokën e pritshmërive”, ku investimet konsiderohen standard dhe qytetarët kërkojnë cilësi shërbimi, transparencë dhe respekt.
“Faktet tona nuk mjaftojnë më”, deklaroi Rama, duke pranuar se statistikat dhe investimet nuk mjaftojnë më për të fituar besimin e qytetarëve, nëse ato nuk shoqërohen me shërbime cilësore dhe empati nga administrata.
“Duam ne, s’duam ne, njerëzit presin përditë dhe më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë sidomos pastaj ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën që si mijëra e mijëra pika të mbledhura lart e poshtë derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard” theksoi Rama.
Tocqueville si bosht i reflektimit
Për të mbështetur argumentin e tij, Rama iu referua disa herë filozofit dhe mendimtarit francez Alexis de Tocqueville (1805–1859), autor i veprave ‘Democracy in America’ dhe ‘The Old Regime and the Revolution’, i konsideruar një nga teoricienët më të rëndësishëm të demokracisë moderne.
“Alexis de Tocqueville na ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë. Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat”, tha Rama.
Më tej ai citoi sërish mendimtarin francez për të argumentuar se pritshmëritë e qytetarëve rriten më shpejt sesa ritmi i ndryshimit dhe se “abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e abuzimeve që mbeten”.
Mbrojtja e ligjit për Zonat e Mbrojtura
Një pjesë e gjatë e fjalës iu kushtua projektit për Zvërnecin dhe ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Rama mbrojti ndryshimet e vitit 2024, duke deklaruar se ato janë bërë “në përputhje me direktivën europiane” dhe se gjatë procesit të negociatave do të verifikohen nga Komisioni Europian.
“Ky konflikt i stisur do të zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave”, tha ai.
Ai këmbënguli gjithashtu se projekti në Zvërnec është keqkuptuar dhe se protesta u amplifikua nga profile të rreme, algoritme dhe aktorë të huaj, por shtoi se këta nuk ishin shkaku i saj.
Pordeklaratat e kryeministrit u kundërshtuan menjëherë nga organizata mjedisore PPNEA.
Në një reagim publik, ajo akuzoi Ramën se “përsëri gënjeu për ligjin e Zonave të Mbrojtura”, duke i cilësuar ndryshimet e vitit 2024 “sulmin më të rëndë ndaj natyrës në 35 vitet e fundit”.
Sipas PPNEA-së, ndryshimet ligjore lejojnë ndërtimin e resorteve me pesë yje dhe komplekseve rezidenciale në zonat e mbrojtura, nuk janë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian dhe pikërisht mbi bazën e tyre u propozua projekti i qytetit të ri në Zvërnec.
Në përfundim të reagimit, organizata përsëriti kërkesën për shfuqizimin e ndryshimeve në ligj, duke kundërshtuar drejtpërdrejt deklaratat e kryeministrit.
“Besa”, dokumenti i kthesës
Në përfundim të fjalimit, pas rreth 70 minutash reflektim mbi atë që e quajti vazhdimisht “Bulevardi i Flamingove”, Rama u shfaq i djersitur teksa zbriti nga foltorja ndërsa stafi i tij shpërndante dokumentin strategjik “Besa” deputetëve dhe ministrave të pranishëm.
Sapo e morën në duar, pjesëmarrësit nisën ta shfletonin, ndërsa kryeministri shpjegoi më herët se dokumenti do të mbetej i hapur për diskutim dhe propozime gjatë verës.
Sipas Ramës, “Besa” përfaqëson metodën me të cilën synon të drejtojë mandatin e katërt, një mandat që, sipas tij, nuk duhet të matet më vetëm me investimet dhe statistikat, por me mënyrën se si qytetarët e përjetojnë shtetin në jetën e përditshme.
Nëse tre mandatet e para, sipas tij, iu përgjigjën pyetjes nëse Shqipëria mund të ndryshonte, mandati i katërt duhet t’i përgjigjet një sfide tjetër: a mund të bëhet ky ndryshim i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i ndjerë nga çdo qytetar?
“Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik. ‘Besa’ është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë”, tha ai në mbyllje.
Në ditën e saj të 54-tër, protesta u zhvendos para Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa brenda godinës zhvillohej seanca plenare e planifikuar si e fundit për këtë sesion parlamentar.
Por me një vendim të Konferencës së Krytarëve, 30 korriku u shtua në kalendarin e punimeve si seanca përmbyllëse e këtij sesioni.
Jashtë salle, tubimi shoqërohej me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit hodhën në drejtim të efektivëve vezë, domate, patate, shishe plastike me ujë dhe sende të tjera, ndërsa në disa momente tentuan të largonin gardhet metalike dhe të çanin kordonin e sigurisë.
Policia reagoi duke përdorur ujë me presion, spraj djegës me piper, gaz lotsjellës apo dhe lëndë të tjera irrituese për të larguar turmën nga perimetri i sigurisë. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi në Kuvend se policia kishte përdorur dy produkte irrituese profesionale, të përdorura edhe në SHBA dhe BE.
Kuvendi
Tensionet nuk munguan as brenda në sallë. Në Kuvend, një nga çështjet kryesore ishte reforma territoriale. Me 82 vota kundër dhe 27 pro, mazhoranca rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për zgjatjen me 3 muaj të mandatit të komisionit të posaçëm. Në seancë nuk u miratua një hartë e re territoriale dhe as ndryshimi i numrit të bashkive; ishte parashikuar vetëm paraqitja e gjetjeve të palëve.
Prezantimi i raportit të mazhorancës nga Arbjan Mazniku u pengua nga bllokimi i foltores prej deputetëve të opozitës, ndërsa Kuvendi ndërpreu diskutimet dhe kaloi drejtpërdrejt te votimet e rendit të ditës.
Kuvendi miratoi gjithashtu aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit, që përfshinte bonusin prej 5 mijë lekësh për pensionistët, si dhe fondin prej rreth 4.2 milionë eurosh për organizimin e koncertit të Kanye West.
Me votat e mazhorancës u miratuan edhe rezolutat për veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura, mes tyre SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Avokati i Popullit.
Masat e sigurisë
Që para fillimit të protestës, zona rreth Kuvendit ishte rrethuar me gardhe metalike dhe forca të shtuara policore. Perimetri i sigurisë ishte më i gjerë se në protestat e mëparshme dhe shtrihej nga Rruga e Elbasanit, përgjatë pedonales pranë Kuvendit, deri në zonën e Ministrisë së Brendshme.
Masat e zgjeruara shmangën kontaktin e drejtpërdrejtë të protestuesve me shumicën e deputetëve, të cilët hynë në Parlament kryesisht nga hyrjet anësore. Protestuesit i pritën me thirrjet “Nuk na përfaqësoni”, “Parlament i krimit”, “Polici e krimit”, “Deputetë frikacakë”, “Poshtë qeveria”, “Arrestoni Ramën”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.
Momentet e para të tensionit u regjistruan kur disa protestues hoqën një pjesë të gardhit metalik dhe tentuan të kalonin kordonin e policisë. Në drejtim të efektivëve u hodhën vezë, domate, patate, shishe plastike, etj, pavarësisht thirrjeve të disa pjesëmarrësve për të shmangur sulmet ndaj policisë.
Policia përdori ujë me presion, spraj me piper, gaz lotsjellës dhe lëndë irrituese për të shpërndarë protestuesit, ndërsa pamjet e publikuara treguan persona që kërkonin ndihmë për irritim të syve, vështirësi në frymëmarrje dhe shqetësime në lëkurë.
Krahas episodeve të tensionit, pati edhe përpjekje për të ulur konfliktin. Në një moment, protestuesit u dhanë lule punonjësve të policisë, ndërsa pjesëmarrës të tjerë kërkuan që përballja të mos drejtohej ndaj efektivëve.
Bilanci i të lënduarve
Ministria e Shëndetësisë raportoi se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Spitalin Universitar të Traumës u paraqitën gjithsej 17 persona: 11 protestues dhe 6 efektivë policie.
Në QSUT u paraqitën 10 protestues. 3 prej tyre morën ndihmën e nevojshme dhe u larguan nga spitali sipas këshillës së mjekëve. 4 po trajtohen në Urgjencën e QSUT-së, ndërsa 3 të tjerë në shërbimin e Toksikologjisë.
Në Spitalin Universitar të Traumës po marrin shërbim mjekësor 6 efektivë policie dhe 1 protestues. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të 17 personat janë jashtë rrezikut për jetën.
Dy vjet pasi KLSH zbuloi probleme serioze në menaxhimin e mbetjeve në Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Korçë, raporti i auditimit rikthehet në vëmendjen e Kuvendit. Për herë të parë, katër bashkitë e audituara do të thirren në seanca dëgjimore për të raportuar mbi zbatimin e rekomandimeve.
Esmeralda Topi
Nga alarmi për rrezikun ndaj shëndetit publik te mbikëqyrja parlamentare. Dy vjet pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi dështime serioze në menaxhimin e mbetjeve urbane në Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Korçë, raporti i auditimit është përzgjedhur si një nga dokumentet që do t’i nënshtrohet shqyrtimit të posaçëm nga Kuvendi. Për herë të parë, katër bashkitë e audituara pritet të thirren në seanca dëgjimore për të dhënë llogari mbi zbatimin e rekomandimeve të auditimit.
Nënkomisioni Parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik zhvilloi një tryezë pune me pjesëmarrjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), në kuadër të një procesi që synon forcimin e mbikëqyrjes parlamentare përmes shqyrtimit më efektiv të raporteve të auditimit.
Në fokus të diskutimeve ishin dy raporte të auditimit të performancës: ai për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe raporti mbi procesin e birësimit të fëmijëve. Gjatë sesionit u vendos që raporti për mbetjet të pasohet nga seanca dëgjimore me katër bashkitë e audituara (Durrësin, Vlorën, Shkodrën dhe Korçën) me qëllim vlerësimin e masave të marra për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së.
Nga raport teknik në instrument llogaridhënieje
Raporti i auditimit për menaxhimin e mbetjeve urbane pritet të kalojë nga një dokument teknik në një instrument të mbikëqyrjes parlamentare. Në kuadër të një programi të ri të mbështetur nga NDI, me financim të SECO-s (Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike) dhe në partneritet me SIGMA, synohet forcimi i rolit të Kuvendit në shqyrtimin e raporteve të KLSH-së dhe ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të tyre.
Nënkomisioni Parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik nuk synon vetëm të shqyrtojë raportet e auditimit të dorëzuara nga KLSH, por përmes këtij procesi të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes, rritjen e llogaridhënies dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike përmes një kontrolli më efektiv parlamentar.
Në këtë kuadër, janë përzgjedhur gjithsej gjashtë raporte të auditimit të performancës, ndërsa dy prej tyre janë trajtuar tashmë përmes seancave dëgjimore përkatëse. Në sesionin e punës të zhvilluar më 22 korrik 2026, në fokus ishin dy raporte të tjera: ai për procesin e birësimit të fëmijëve dhe raporti për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Ky i fundit është vlerësuar si një raport me prioritet të lartë, pasi plotëson kriteret e vendosura nga Nënkomisioni për përzgjedhjen e auditimeve që kërkojnë një shqyrtim më të thelluar. Ai trajton një fushë strategjikisht të rëndësishme të administrimit publik, evidenton risqe të konsiderueshme financiare, prek një numër të madh qytetarësh dhe përmban rekomandime konkrete për përmirësimin e ofrimit të shërbimit publik.
Gjatë sesionit u diskutua nevoja që raportet e auditimit të shërbejnë si bazë për dialog ndërmjet institucioneve dhe jo vetëm si dokumente që evidentojnë problematika. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e krijimit të një kulture të re bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit, KLSH-së dhe institucioneve të audituara, ku rekomandimet të ndiqen me hapa konkretë dhe me përgjegjësi të përcaktuara.
Çfarë zbuloi auditimi për mbetjet?
Raporti i KLSH-së, publikuar në korrik 2024, analizoi mënyrën se si Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Korça menaxhojnë mbetjet urbane.
Sipas KLSH-së pavarësisht rritjes së kostove dhe investimeve të konsiderueshme në sektorin e mbetjeve, bashkitë nuk kishin arritur të përmirësonin ndjeshëm menaxhimin e tyre.
Në Durrës, auditimi konstatoi se bashkia nuk arrinte të siguronte qëndrueshmërinë financiare të shërbimit. Të ardhurat nga tarifa e pastrimit nuk mbulonin shpenzimet, ndërsa edhe në rast të arkëtimit të plotë të tarifës, kostot do të mbeteshin më të larta se të ardhurat.
Sipas KLSH-së, shkaku kryesor ishte rritja e kostove pas depozitimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës. Si pasojë, rreth 30 për qind e buxhetit të Bashkisë së Durrësit përdorej për menaxhimin e mbetjeve, ndërkohë që standardet e Kombeve të Bashkuara e konsiderojnë të pranueshme një peshë financiare nga 3 deri në 15 për qind.
Edhe më shqetësuese vlerësohej situata në Vlorë.
Auditimi evidentoi se mbetjet depozitoheshin në një fushë që nuk respektonte kriteret mjedisore dhe se ato digjeshin në mjedis të hapur, duke çliruar dioksina dhe furane – substanca të lidhura me rreziqe serioze për shëndetin, përfshirë forma të ndryshme kanceri, dëmtime të mëlçisë, sistemit imunitar, sistemit endokrin dhe funksioneve riprodhuese.
Raporti vlerësoi gjithashtu se kjo situatë kishte pasoja ekonomike, duke ndikuar në zhvlerësimin e pronave pranë zonës së depozitimit të mbetjeve.
Përtej rasteve konkrete, KLSH konstatoi se asnjë nga katër bashkitë nuk kishte zbatuar plotësisht detyrimet ligjore për planet vendore të menaxhimit të mbetjeve. Auditimi evidentoi mungesën e Vlerësimit Strategjik Mjedisor, mosraportimin periodik në këshillat e qarqeve dhe mosrealizimin e objektivave për grumbullimin e diferencuar dhe riciklimin e mbetjeve.
Pretendimi: Ky imazh tregon ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, kapur për dore me deputeten socialiste Iris Luarasi
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————
Një imazh që duket se tregon ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, kapur për dore me deputeten socialiste Iris Luarasi po qarkullon së fundmi në mediat dhe rrjetet sociale shqipfolëse.
Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.
Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Imazhi i mësipërm është gjeneruar nga një foto reale e postuar nga Luarasi në rrjetet e saj sociale.
Luarasi ka reaguar ndaj imazhit të gjeneruar në rrjetet e saj sociale duke e quajtur atë “rastin studimor më perfekt” të dezinformimit.
Pretendimi: Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, nga 9 milionë vdekje në vit nga kanceri në vitet 2019-2022 në të gjithë botën, sot arrijmë në 35 milionë vdekje në vit. Kjo rritje vjen si pasojë e administrimit të 17 miliardë vaksinave mRNA në popullsi
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————————————-
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) ka njoftuar se nga 9 milionë vdekje në vit nga kanceri në vitet 2019-2022 në të gjithë botën, sot arrijmë në 35 milionë vdekje në vit. Postimi që i atribuohet ish-shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, nënkupton se kjo rritje e pazakontë është pasojë e injektimit të 17 miliardë vaksinave mRNA.
Lajmi i mësipërm duket se është keqkuptim i një raporti mbi gjendjen globale të kancerit të botuar në korrik 2026 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), një agjenci e specializuar e OBSH.
Sipas raportit, 20.6 milionë njerëz morën një diagnozë kanceri në mbarë botën në vitin 2024. “Numri i diagnozave të reja të kancerit parashikohet të arrijë në 35 milionë në vit deri në vitin 2050,” shkruhet në përmbledhjen e raportit (faqja xiv).
Paragrafi i parë i përmbledhjes së raportit parashikon 35 milionë diagnoza të reja në vit deri në vitin 2050
Pra, ndryshe nga ç’pretendohet në postimin e mësipërm, raporti i OBSh nuk parashikon 35 milionë vdekje nga kanceri në vit sot, por 35 milionë diagnoza të reja kanceri në vit pas 25 vitesh.
Numri i diagnozave të kancerit dhe numri i vdekjeve nga kanceri, qartësisht, janë dy gjëra të ndryshme. Sipas raportit të OBSh, rreth 9.7 milionë vdekje në nivel global u vlerësuan si pasojë e kancerit në vitin 2024.
Nuk është e vërtetë se kjo rritje pritet të ndodhë “vetëm në vendet e zhvilluara pra aty ku u aplikuan vaksinat anti-Covid19.” Siç tregohet në grafikun e mëposhtëm, rritja e numrit të rasteve me kancer nga 2024 në 2050, parashikohet të jetë më e madhe në rajonin afrikan, një rritje me 125%. Rajonet e Amerikave dhe europiane pritet të kenë një rritje me 64.3% dhe 27.4%, përkatësisht.
Ndërsa raporti shpjegon gjerësisht se si kjo rritje e parashikuar është pjesërisht pasojë e plakjes së popullsisë, postimi ‘e hedh poshtë’ këtë shpjegim duke kujtuar se popullsia e plakur është pakësuar pas goditjes së rëndë që i dha pandemia e Covid-19 kësaj grupmoshe.
Ky argument do të qëndronte nëse do të kishim 35 milionë raste sot në krahasim me 9 milionë në 2019-2022. Megjithatë, siç shpjeguam, shifra 35 milonë raste parashikohet të arrihet deri në vitin 2050, pas 25 vitesh, kur një pjesë e mirë e popullsisë së sotme do të përfshihet tek popullsia e plakur, e rrezikuar veçanërisht nga kanceri.
Gjithë narrativa konspiracioniste e postimit bazohet në një gabim në leximin e raportit të OBSh.
Sipas koordinatorit të Konsorciumit të Covid-19 dhe Kancerit, një regjistër përkushtuar mbledhjes së të dhënave mbi personat me kancer dhe Covid-19, “që nga fillimi i vaksinimit, nuk ka prova që vaksinat anti-Covid shkaktojnë kancerin, shkaktojnë rishfaqje të kancerit, apo shkaktojnë përkeqësimin e sëmundjes.”
I njejti pohim u përsërit edhe nga një zëdhënës nga Projekti i Njohurisë së Vaksinave në Universitetin e Oksfordit, i cili tha për Reuters se nuk është gjetur një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe kancerit.
Studimet shkencore ose nuk kanë gjetur një lidhje mes vaksinimit në përgjithësi dhe rrezikut të limfomës, ose kanë vërejtur një ulje të këtij rreziku pas vaksinimit.
Një sërë studimesh kanë treguar se vaksinat anti-Covid gjenerojnë qeliza të bardha gjaku, të cilat janë kyç në ngritjen e imunitetit të trupit, specifike për Covid-19. Këto qeliza, të quajtura limfocite-T, ndihmojnë në organizimin e reagimit të sistemit imunitar dhe vrasin qelizat e infektuara me Covid-19. Limfocitet-T luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e trupit kundër viruseve dhe baktereve si dhe kundër sëmundjeve si kanceri.
Pretendimi: Zyra ukrainase e anti-korrupsionit hetoi depozita prej 11 milionë dollarësh të lidhura me prindërit e presidentit Volodymyr Zelensky
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————————
Në fillim të korrikut 2026, në mediadhe rrjetesociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi se hetuesit e Byrosë Kombëtare ukrainase Kundër Korrupsionit (NABU) kanë shqyrtuar depozita me vlerë rreth 11 milionë dollarë, të lidhura me prindërit e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilat dyshohet se janë depozituar gjatë vitit 2025.
Postimet nuk përmendin mediat ukrainase që pretendohet se raportuan të parat për kërkimin e prindërve të presidentit ukrainas. Njësoj, nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë tjetër për të mbështetur këtë pretendim.
Megjithatë, nuk ka asnjë raportim mbi kontrollet ose ndalimin e Oleksandr dhe Rimma Zelensky në faqen zyrtare të internetit të Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit së Ukrainës (NABU), si dhe në faqet e agjencisë në rrjetet sociale X, Facebook dhe Telegram.
Më tej, NABU konfirmoi për kolegët e Gvara Media dhe AFP se informacioni në lidhje me kërkimet e supozuara të prindërve të Zelensky nuk ishte i vërtetë.
Prindërit e Zelensky, Oleksandr Semenovych (i lindur në vitin 1947) dhe Rymma Volodymyrivna (e lindur në vitin 1950), janë të dy me origjinë nga Kryvyi Rig dhe, sipas Volodymyr Zelensky, ende banojnë atje. Nuk është regjistruar publikisht asnjë procedurë korrupsioni kundër prindërve të presidentit.
Debati i vetëm që përfshin publikisht familjen e presidentit ukrainas është ai në vitin 2020, kur Ministria e Arsimit i paraqiti qeverisë një projekt-dekret për t’i dhënë Oleksandr Zelensky një pension special “për merita të shquara në fushën e arsimit të lartë.” Pas protestave publike, iniciativa u tërhoq dhe vetë babai i presidentit deklaroi se nuk kishte nevojë për ndihmë. Në shtator 2023, Kabineti më në fund i dha Oleksandr Zelensky një pension special, së bashku me më shumë se 118 shkencëtarë të tjerë, këtë herë përmes një procedure qeveritare, në vend të një procedure presidenciale. Nuk ka informacion publik në lidhje me ndonjë pasuri ose pasuri të konsiderueshme që u përket prindërve të presidentit.
Pretendimi: Lamtumirë Lekut, Euro vjen në Shqipëri si monedhë zyrtare
Verdikti: Mungon konteksti
Esmeralda Topi
Publikimi i projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, në të cilin parashikohet zyrtarizimi i Euro si një monedhë zyrtare, ka shërbyer që disaportaleinformative t’i japin “lamtumirën e parakoshme Lekut”.
Titujt krijojnë përshtypjen se Shqipëria ka nisur tashmë këtë proces të ndryshimit të monedhës edhe pse një kapërcim i tillë do të dojë shumë vite pas anëtarësimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian si dhe nuk ndodh automatikisht pa plotësuar më parë disa kritere ekonomike.
Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë përfshin një kapitull të posaçëm për anëtarësimin e vendit në Unionin Monetar Evropian. Në të parashikohet se, pas adoptimit të Euros, Banka e Shqipërisë do të zbatojë politikën monetare sipas rregullave të Bashkimit Evropian dhe Euro do të bëhet monedha zyrtare e vendit.
Këto dispozita u interpretuan në rrjete sociale si sinjal se Shqipëria po kalon së shpejti në Euro. Por projektligji thekson gjithashtu se ato nuk hyjnë në fuqi me miratimin e ligjit.
Në nenin 116 përcaktohet se: “Kreu XV i këtij ligji hyn në fuqi në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Unionin Monetar Evropian”
Pra, dispozitat që flasin për Euron nuk do të zbatohen menjëherë dhe as pas hyrjes në fuqi të ligjit. Ato do të aktivizohen vetëm pasi Shqipëria të jetë bërë pjesë e Unionit Monetar Evropian, një proces që vjen pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe përmbushjes së kritereve për hyrjen në Eurozonë.
Edhe Banka e Shqipërisë sqaron për Faktoje se këto dispozita nuk nënkuptojnë një kalim të menjëhershëm në Euro. Sipas institucionit, përfshirja në projektligj e kapitujve që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe më pas në Unionin Monetar Evropian është pjesë e “procesit të harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian” dhe nuk përbën një vendim për adoptimin e Euros.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk nënkupton automatikisht adoptimin e Euros. Pas anëtarësimit në BE, një vend vazhdon të ketë monedhën e tij kombëtare dhe politikën e vet monetare”, sqaron Banka e Shqipërisë për Faktoje.
Banka Qendrore sqaron se kalimi në monedhën evropiane është një proces më vete, që kërkon përmbushjen e kritereve ekonomike dhe ligjore, përfshirë kriteret e Maastricht-it, si dhe vlerësimin nga institucionet evropiane.
“Dispozitat e përfshira në projektligj kanë një natyrë përgatitore dhe synojnë harmonizimin e kuadrit ligjor me atë të BE-së. Ato nuk përcaktojnë një afat apo një datë për adoptimin e Euros”,thuhet në sqarimin e Bankës së Shqipërisë për Faktoje.
Për Faktoje, eksperti i ekonomisë Ardian Civici shpjegon se drafti është pjesë e procesit të harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
“Ky është një projektligj i pritur prej një kohe relativisht të gjatë, pasi ligji i fundit daton në vitin 1997. Që prej asaj kohe kanë ndryshuar shumë gjëra dhe janë shtuar kërkesa të reja. Këtë herë, projektligji pasqyron edhe fazën shumë të rëndësishme ku ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, thotë Civici.
Sipas tij, kapitulli që lidhet me Bankën Qendrore dhe sistemin monetar është pjesë e negociatave me BE-në dhe nuk nënkupton se Euro do të zëvendësojë Lekun në një të ardhme të afërt.
“Hapi i parë mbetet anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe pastaj vjen dhe zëvendësimi i Lekut me Euron”, shprehet ai.
Eksperti shpjegon se vetëm pas anëtarësimit në BE, Shqipëria mund të integrohet në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe të nisë procedurat për t’u bërë pjesë e Eurozonës.
“Ky është një proces relativisht i gjatë. Nuk është diçka që mund të ndodhë nesër. Fillimisht, Shqipëria duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian. Kjo fazë është shumë e rëndësishme, pasi kërkon përshtatjen e legjislacionit dhe të sistemit bankar me standardet evropiane.”
Sipas Civicit, edhe në skenarin më optimist, zëvendësimi i Lekut me Euron kërkon të paktën shtatë vite, ndërsa në vende të tjera të Bashkimit Evropian ky proces ka zgjatur edhe 10 deri në 12 vjet.
Vlen të përmendet se vende si Suedia, Hungaria, Polonia, Çekia, Rumania apo Bullgaria, vijojnë të përdorin monedhën e tyre kombëtare edhe pas një apo dy dekadash anëtarësimi në BE.
“Sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit. Është vendi ku filmohet materiali për ta ushqyer algoritmin dhe për ta justifikuar atë”, deklaroi kryeministri Edi Rama më 20 qershor, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Rama argumentoi se algoritmi shpërblen konfliktin, indinjatën dhe frikësimin, ndërsa për protestën u shpreh:
“Një protestë nuk është më protestë, është skenë, është treg, një treg emocionesh, klikimesh, një treg morali, madje edhe një treg karrierash”
Më 11 korrik, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë në Jalë, kryeministri e i dha nuanca këtij qëndrimi.
“Nuk kam thënë se algoritmi ishte arsyeja e protestës”, tha Rama. Ai pranoi se protesta kishte arsye që lidheshin me jetën e përditshme të qytetarëve, por argumentoi se algoritmi amplifikonte zhurmën, pakënaqësinë, videot e manipuluara dhe lajmet e rreme, të cilat, sipas tij, “i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit”
Rama shtoi se algoritmi nuk ishte organizatori i protestës dhe se duhej dalluar “ku mbaron motivi i sinqertë” i protestuesve dhe ku fillon manipulimi nga aktorë të tjerë.
Më 19 korrik, protestuesit u mblodhën në Tiranë për të 50-tën ditë radhazi për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama. Protesta e përnatshme në kryeqytet e nisur si reagim ndaj dhunës dhe për mbrojtjen e Zvërnecit, vazhdon nga 31 maji 2026 pa ndërprerje.
Çfare po ndodh?
Për të kuptuar se çfarë ndodh përtej përmbajtjes që qarkullon në rrjetet sociale, Faktoje intervistoi tetë persona të angazhuar në forma të ndryshme në protestë.
Dëshmitë e tyre nuk përfaqësojnë të gjithë protestën dhe nuk pretendojnë të përmbledhin qëndrimet e çdo pjesëmarrësi. Ato janë disa zëra mes shumë zërave, grupimeve dhe rrymave që bashkëjetojnë në shesh. Megjithatë, ndihmojnë për të kuptuar origjinën e pakënaqësisë, mënyrën e organizimit, rolin e platformave digjitale dhe debatet për vazhdimin e protestës.
Zvërneci
Për ekspertin e mjedisit Olsi Nika, ngjarja në Zvërnec ishte “pika që derdhi gotën”, por jo domosdoshmërisht e vetmja ngjarje, që mund të ndizte një reagim të tillë.
Sipas tij, shkëndija mund të kishte ardhur edhe nga tërheqja zvarrë e një gruaje në Rrjoll, nga protesta e prodhuesve të midhjeve në Butrint apo nga një problematikë si trajtimi i pacientëve me kancer, etj.
“Gota duhet të mbushet, pastaj të derdhet. Kjo ishte pika që derdhi gotën”, thotë Nika.
Ai e konsideron domethënës faktin që shkëndija këtë herë ishte mjedisore, pasi ndërhyrjet në territor dhe zonat e mbrojtura kishin prodhuar prej kohësh pakënaqësi, por nuk kishin sjellë më parë një reagim kaq të gjerë.
Për Nikën, Zvërneci nuk duhet parë vetëm si vendi ku ndodhi episodi që nxiti protestën. Ai e përshkruan atë si “një nga tablotë më përfaqësuese” të problemeve të krijuara gjatë tranzicionit.
Në leximin e tij, “në Zvërnec u ndërthurën konfliktet e pazgjidhura të pronësisë, epërsia e interesave private, roli i sigurisë private dhe mungesa e një reagimi të menjëhershëm institucional”. Ai e sheh gardhin dhe dhunën ndaj protestuesit si “simbole të një marrëdhënieje ku qytetari përballet jo me institucionet, por me interesin privat që vepron në territor”.
Nika kritikon gjithashtu mënyrën se si një pjesë e mediave e pasqyroi ngjarjen dhe protestën. Sipas tij, fillimisht incidenti në Zvërnec nuk mori vëmendjen që meritonte, ndërsa më pas transmetimet u përqendruan kryesisht te mikrofoni dhe folësit para Kryeministrisë, duke lënë jashtë zëra të tjerë të sheshit.
“Zvërneci është një pasqyrë që tregoi se si bëhen gjërat në Shqipëri”, thotë ai.
Sipas Nikës, protesta e kapërceu shpejt kauzën fillestare mjedisore.
Drejtuesi
Të intervistuarit përgjithësisht bien dakord se protesta nuk drejtohet nga një dorë e vetme.
“A ka një organizator qendror? Jo. A ka grupe që koordinohen për të dhënë kontribut? Po, dhe janë disa”, thotë Migen Qiraxhiu, aktivist dhe bashkëthemelues i Qëndresës Qytetare.
Sipas tij, një nga arsyet pse protesta ka ruajtur pjesëmarrjen është bindja e qytetarëve se nuk po përdoren për t’i shërbyer një individi apo një force të vetme politike.
Brenda protestës, thotë Qiraxhiu, veprojnë të rinj që kujdesen për hapësirën e fëmijëve, studentë që krijojnë instalacione dhe pankarta, grupi i tupanëve dhe flamingove, personat që administrojnë qendrën e zërit dhe të rinjtë që kujdesen për marshimin pas përfundimit të pjesës formale para Kryeministrisë.
“Protesta ka shumë zëra, shumë grupe dhe shumë forma kontributi, dhe pikërisht kjo është një nga pikat e saj më të forta”, thotë Qiraxhiu.
Natasha Paja, dizajnere dhe pjesë e grupit Trivet Art, e përshkruan organizimin përmes ndarjes konkrete të punëve.
“Dikush merret me mbarëvajtjen e mikrofonit, dikush me këndin kreativ të fëmijëve, dikush me ritmin e rezistencës, dikush me thirrjet. Ka persona që kontribuojnë në komunikimin me diasporën dhe një grup që merret me marshimin e mbrëmjes”, thotë ajo.
Sipas Pajës, organizimi është horizontal: njerëzit përfshihen aty ku kanë mundësi të kontribuojnë, pa pasur një drejtues me legjitimitetin për të marrë vendime në emër të të gjithë protestës.
Edhe Entela Ndrevataj, aktiviste feministe dhe pjesë e Kolektivit Feminist (bashkesi vullnetare dhe autonome), thotë se protesta nuk ka një strukturë klasike, por se pikërisht kjo ka krijuar hapësirë për grupime të ndryshme.
“Sheshi është hapësirë e përbashkët dhe si i tillë nuk është imponuar një grupim mbi një tjetër”, thotë ajo.
Për Ndrevatajn, korrupsioni “ndërthuret edhe me një mënyrë autoritare e patriarkale të ushtrimit të pushtetit, ku vendimet merren nga lart dhe pasuria publike trajtohet si pronë private”.
Flamingot
Sokol Çunga, aktivist, historian dhe përkthyes, merr pjesë si individ dhe jo si pjesë e një strukture organizative. Ai e përshkruan protestën si të sinqertë dhe të artikuluar jo vetëm përmes mikrofonit, por edhe përmes pankartave dhe flamingos.
Për nivelin e koordinimit, Çunga është më skeptik.
“I vetmi koordinim që shoh unë është ora dhe vendi, si dhe ‘kush do t’i transportojë flamingot?”, thotë ai.
Sipas tij, turma ndryshon çdo ditë në formë, përmasa dhe përbërje dhe nuk vjen në shesh me dirigjim apo me një synim tërësisht të unifikuar. Për këtë arsye, Çunga nuk mendon se protesta, si një trup i vetëm, mund të hartojë plane të hollësishme politike apo institucionale.
“Hapat pasardhës mbeten më të thjeshtë dhe më të prekshëm: përditë në bulevard!”
Grupi organizator
Ndryshe nga pjesëmarrësit që shohin vetëm koordinim të shpërndarë, Ilir Xhemalaj, aktivist dhe themelues i Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë, thotë se që prej ditës së parë ka ekzistuar një grup aktivistësh që kujdeset për mbarëvajtjen e pjesës formale të protestës.
Grupi përbëhet, sipas tij, nga aktivistë mjedisorë, sindikalistë, naftëtarë dhe persona nga fusha të tjera. Ata kujdesen për foninë, folësit dhe zhvillimin e tubimit para Kryeministrisë.
“Fonia ka një pagesë që ne të gjithë si aktivistë e kemi paguar nga xhepi ynë”, thotë Xhemalaj.
Ai shpjegon se, përveç disa intelektualëve të ftuar në fillim, folësit e tjerë presin radhën për të marrë mikrofonin.
“Kriteri për folësit është thjesht të mbash radhën. Del një, futet një dhe secili flet për mendimet dhe problematikat e tij”, thotë ai.
Përgjegjësia e grupit, sipas Xhemalajt, përfundon me mbylljen e fjalimeve. Marshimi që pason dhe aksione të tjera mund të organizohen nga persona të ndryshëm dhe nuk janë automatikisht vendime të të njëjtit grup.
Për Xhemalajn, rëndësia e platformave digjitale ka qenë e pamohueshme.
“Janë pikërisht rrjetet sociale që kanë bërë të mundur mbarëvajtjen, zhvillimin dhe masivitetin e kësaj proteste. Gen Z ka arritur t’i shfrytëzojë shumë mirë rrjetet sociale për t’i bërë thirrje popullit që të dilte në shesh”, thotë ai.
Algoritmi
Migen Qiraxhiu e kthen argumentin e kryeministrit për algoritmin në drejtim të kundërt.
Sipas tij, Rama nuk kishte pasur problem me algoritmin kur komunikimi digjital e mbante vëmendjen të përqendruar te qeveria dhe figura e tij.
“Problemi lind kur algoritmi nuk është më në anën e tij. Algoritmi nuk krijon vetë ngjarje; ai ndjek interesin, reagimin dhe vëmendjen që prodhon një ngjarje reale”, thotë Qiraxhiu.
Për të, protesta “i ka marrë jo vetëm sheshin dhe debatin publik, por edhe algoritmin”.
Arnen Sula sqaron se organizata që drejton nuk është pjesë e strukturës organizative të protestës dhe se ai merr pjesë si qytetar dhe aktivist.
“Çdo protestë matet nga njerëzit që marrin pjesë në të, jo nga algoritmet”, thotë Sula. “Platformat digjitale mund të ndihmojnë në organizim dhe komunikim, por ato nuk mund të zëvendësojnë praninë fizike të qytetarëve”
Sipas tij, kur qytetarët dalin në shesh për javë me radhë, kjo tregon se ekziston një shqetësim që nuk mund të reduktohet në një fenomen të rrjeteve sociale.
Olsi Nika e interpreton përqendrimin e Ramës te algoritmi si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për arsyet që kanë prodhuar protestën.
“Të mohosh që ka një protestë kur njerëzit janë në shesh, kur protesta bën xhiron e mediave dhe kur ka një fluks të jashtëzakonshëm të shfaqjes së zemërimit edhe në rrjet, dhe ta quash këtë thjesht algoritëm, është taktikë e një strategjie të dështuar”, thotë ai.
Mikrofoni
Pikërisht elementi që Xhemalaj e paraqet si punë organizative, fonia dhe radha e folësve, shihet me skepticizëm nga Olsi Nika.
Nika thotë se personat pranë mikrofonit përfaqësojnë vetëm një pjesë të protestës.
“Edhe teknikisht, edhe fizikisht ka një protestë tjetër aty ku mbaron të dëgjuarit e mikrofonit”, thotë ai.
Sipas tij, përqendrimi i kamerave te podiumi i improvizuar krijon përshtypjen se folësit përfaqësojnë të gjithë sheshin, ndërsa lë jashtë pjesëmarrësit që ndodhen më larg dhe arsyet e tyre për të protestuar.
Nika sheh te mikrofoni edhe rrezikun e protagonizmit personal dhe të shfryrjes së kontrolluar të revoltës.
“Unë mikrofonin e konsideroj si mjetin që vret protestën dhe vret revoltën”, thotë ai.
Për Xhemalajn, fonia është një infrastrukturë e nevojshme për t’u dhënë fjalën grupeve dhe qytetarëve të ndryshëm. Për Nikën, përqendrimi te mikrofoni mund të krijojë një hierarki dukshmërie brenda një proteste që paraqitet si horizontale.
Politika
Në shesh ka edhe aktivistë dhe përfaqësues me përkatësi politike.
Emiljando Kita, aktivist i Lëvizjes Bashkë, thotë se mbështet kërkesat që janë artikuluar nga protestuesit, nga anulimi i ligjeve të kundërshtuara deri te dorëheqja e kryeministrit.
“Kur populli del në rrugë, koordinimi ndodh natyrshëm, pasi qëllimi është i përbashkët”, thotë ai.
Protesta ka mbledhur në shesh edhe përfaqësues dhe aktivistë të forcave të tjera politike, mes tyre Partia “Mundësia”, Partia Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe Partia Demokratike, kjo e fundit kryesisht përmes të rinjve të saj.
Migen Qiraxhiu argumenton se një nga arsyet pse protesta nuk është identifikuar plotësisht me një forcë të vetme është se mesazhet e saj kanë qenë kritike ndaj dy figurave kryesore politike të tranzicionit, Edi Ramës dhe Sali Berishës.
“Kuvendi Kombëtar”
Përplasja më e qartë për të ardhmen e protestës lidhet me idenë e krijimit të një “Kuvendi Kombëtar” ose asambleje qytetare.
Ilir Xhemalaj thotë se nisma nuk synon të flasë në emër të protestës dhe as të ngrejë institucione paralele. Ajo duhet të shërbejë si hapësirë ku qytetarët dhe intelektualët japin ide për vazhdimin e protestës. Xhemalaj sqaron se Kuvendi nuk është krijuar, janë zhvilluar vetëm pak takime të grupit të punës për formimin e tij.
“Ne po përgatitemi për një maratonë, po përgatitemi për një betejë të gjatë dhe normalisht na duhen idetë e çdo personi”, thotë ai.
Të tjerë protestues e shohin nismën me rezerva.
Migen Qiraxhiu thotë se ishte përfshirë në një grup në ëhatsApp ku prezantohej ideja, por ishte larguar pasi kishte lexuar materialet. Ai e konsideron legjitime krijimin e nismave të reja, përfshirë organizata apo parti politike, por kundërshton çdo pretendim për të folur në emër të gjithë protestës pa mandat të qartë.
“Çdo nismë ka të drejtë të organizohet dhe të propozojë ide, por duhet të jetë e qartë se përfaqëson vetëm themeluesit dhe mbështetësit e saj, jo automatikisht të gjithë protestuesit”, thotë ai.
Edhe Arnen Sula mendon se një Kuvend Kombëtar mund të krijojë perceptimin se një grup po merr përsipër përfaqësimin e një sheshi që nuk ka strukturë të centralizuar.
Natasha Paja e quan nismën “një metodë të vjetër për një koncept të vjetër”, ndërsa Entela Ndrevataj thotë se, në këtë fazë, sheshi duhet të mbetet hapësira kryesore dhe se një grup nuk duhet t’i mbivendoset shumicës.
Për Sokol Çungën, informacioni i shpërndarë për nismën ishte i paqartë dhe krijonte përshtypjen e një procesi kaotik. Ai nuk beson se një kuvend i tillë mund të përballet me forcat politike ekzistuese dhe e sheh protestën masive e paqësore si mjetin kryesor.
Olsi Nika është më kritik. Ai i konsideron struktura të tilla paralele dhe argumenton se ndryshimet duhet të kalojnë përmes mekanizmave ekzistues: votës, parlamentit, drejtësisë dhe medias. Sipas tij, energjia e sheshit duhet të ushtrojë presion që këto mekanizma të funksionojnë dhe jo të zëvendësohen nga një strukturë që nuk ka mandat nga të gjithë protestuesit.
Foto ne nje nga ditet e protetes
Vazhdimi
Pas 51 ditëve protestë, të intervistuarit nuk paraqesin një strategji të vetme. Qëndrimet e tyre mund të ndahen mes vazhdimit të presionit në shesh, kalimit drejt veprimit institucional dhe nevojës për një organizim më të strukturuar.
Sokol Çunga kërkon vazhdim të përditshëm të pranisë në bulevard. Natasha Paja e sheh gjithashtu sheshin si përparësi, por thotë se paralelisht duhet të punohet me aspektet ligjore, komunikimin me institucionet europiane dhe aksionet në zona të tjera të vendit.
Entela Ndrevataj mendon se është ende herët për krijimin e një lëvizjeje me kryesi dhe përfaqësi. Ajo propozon bashkëpunim më të ngushtë mes ekspertëve ligjorë, mediatikë dhe mjedisorë, duke ruajtur transparencën dhe karakterin horizontal të protestës.
Arnen Sula vendos theksin te qëndrueshmëria dhe lidhja e presionit publik me institucionet e drejtësisë.
“Protesta nuk mund ta zëvendësojë drejtësinë, por mund ta mbështesë atë duke kërkuar llogaridhënie dhe duke mos lejuar që çështjet të harrohen”, thotë ai, duke përmendur SPAK-un dhe organet e tjera përgjegjëse.
Migen Qiraxhiu propozon iniciativa ligjore, kërkesa institucionale, monitorime, denoncime të dokumentuara dhe forcim të mekanizmave të kontrollit qytetar.
“Plagët e 36 viteve tranzicion nuk mund të shërohen brenda 43 ditësh”, thotë ai.
Për Qiraxhiun, një nga rezultatet më të rëndësishme të protestës mund të jetë ndryshimi i marrëdhënies mes qytetarit dhe pushtetit: nga qytetarë që u kërkojnë fotografi politikanëve, te qytetarë që i filmojnë dhe u kërkojnë llogari.
Ilir Xhemalaj kërkon një organizim më të gjerë, lidhje me rrethet dhe diasporën dhe përgatitje për vazhdimin gjatë verës.
“Protesta do të vazhdojë pa ndalim deri në shtator”, deklaroi ai gjatë intervistës, duke e përshkruar verën si sfidën kryesore për ruajtjen e pjesëmarrjes.
Emiljando Kita e sheh vazhdimin përmes ndërthurjes së presionit në shesh me aksione politike dhe denoncime ligjore.
Olsi Nika jep vlerësimin më kritik për fazën ku ka mbërritur lëvizja.
Sipas tij, protesta e di qartë se çfarë nuk do, qeverinë dhe mënyrën aktuale të ushtrimit të pushtetit, por ende nuk ka arritur të artikulojë me të njëjtën qartësi modelin politik dhe institucional që kërkon të ndërtojë.
“Protesta ka mbaruar dhe rroftë protesta”, thotë Nika.
Ai kërkon një riorganizim të juristëve, ekonomistëve, gazetarëve, analistëve dhe ekspertëve, në mënyrë që energjia e protestës të kthehet në argument, presion institucional dhe veprim konkret.
Sipas tij, protesta mund të hyjë në një fazë ku është “më e pakët në numra, por shumë e fortë në argument”, proces që ai mendon se mund të marrë formë në shtator.
Rrjetet sociale
Rrjetet sociale kanë pasur një rol të rëndësishëm në mobilizimin, zgjerimin dhe dukshmërinë e protestës. Këtë nuk e mohojnë as zërat e intervistuar. Por pas përmbajtjes online qëndron edhe një organizim real, megjithëse i shpërndarë dhe pa një drejtim të vetëm.
Pretendimi: Reperi amerikan Kanye West ka blerë një apartament në Golem, Durrës
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————-
Në portalet shqipfolëse po qarkullon lajmi se reperi amerikan Kanye West ka blerë një apartament në Golem, Durrës. Ky lajm shoqërohet dhe me një imazh që duket se tregon reperin në ballkonin e një apartamenti me pamje nga bregdeti shqiptar.
Pretendimi qarkulloi pak ditë përpara koncertit të debatueshëm të Kanye West që u mbajt në Tiranë më 11 korrik 2026.
Koncerti i reperit amerikan në Tiranë ka qenë në qendër të diskutimeve publike pasi pak ditë para tij qeveria shqiptare shpenzoi 400 milionë lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për të mbështetur aktivitetin, edhe pse fillimisht kishte deklaruar se koncerti nuk do të financohej nga fondet publike.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi ishte postuar fillimisht në rrjetesociale nga një agjente imobiliare shqiptare.
Në TikTok, megjithëse jo në Instagram, postimi është etiketuar si i gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar të verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.
Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Faktoje, organizata e parë në Shqipëri për verifikimin e fakteve dhe promovimin e integritetit të informacionit, kërkon një Menaxher/e për Grante dhe Partneritete, i/e cili/a do të kontribuojë në zhvillimin strategjik të organizatës përmes mobilizimit të burimeve financiare dhe ndërtimit të partneriteteve me donatorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Kërkojmë një profesionist/e që:
Ka përvojë në hartimin dhe menaxhimin e granteve; Ka aftësi të shkëlqyera në shkrimin e projekteve dhe raportimin ndaj donatorëve; Njeh menaxhimin e ciklit të projektit dhe buxhetimin; Komunikon shumë mirë në gjuhën shqipe dhe angleze; Punon në mënyrë të pavarur dhe në ekip.
Çfarë ofrojmë?
• Një mjedis pune profesional dhe bashkëpunues; • Angazhim në projekte me ndikim kombëtar dhe ndërkombëtar; • Mundësi zhvillimi profesional dhe bashkëpunimi me rrjete prestigjioze ndërkombëtare.