Normal view

Protesta vetëm në Tiranë? Faktet rrëzojnë deklaratën e Ramës në CNN

4 June 2026 at 13:53
Esmeralda Topi 

Protestat kundër projektit turistik të planifikuar në peizazhin e mbrojtur të Zvërnecit kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

 Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama dha një intervistë për CNN, ku u pyet ndaj kundërshtimeve që kanë shoqëruar projektin e lidhur me investitorin Jared Kushner.

Gazetarja e CNN, Isa Soares, iu drejtua kryeministrit me pyetjen:

“Më lejoni fillimisht të marr reagimin tuaj për protestat që kemi parë si në kryeqytetin Tiranë, ashtu edhe në qytetet bregdetare, lidhur me këtë zhvillim që lidhet me Jared Kushner. Si i përgjigjeni ju protestave dhe shqetësimeve të tyre?”

përgjigjen e tij, Rama e cilësoi të pavërtetë pretendimin se protestat ishin shtrirë përtej Tiranës.

“Dhe vetëm për të saktësuar, ju thatë protesta në të gjithë Shqipërinë. Kjo është e rreme. Nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet”, deklaroi Rama.

Megjithatë, verifikimi i Faktoje tregon se deri në momentin e intervistës protestat kundër projektit në Zvërnec ishin zhvilluar jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Durrës dhe vetë Zvërnec.

Faktet

Më 3 qershor, dhjetëra qytetarë u mblodhën në Durrës në një protestë kundër projektit turistik në Zvërnec. Protestuesit shprehën shqetësime për ndikimin e mundshëm të investimit në mjedis dhe interesin publik, ndërsa kërkuan më shumë transparencë dhe konsultim me komunitetet.

Një pjesë e tyre e krahasuan projektin në Zvërnec me projektin e Portit të Durrësit, duke argumentuar se në të dy rastet pasuria publike po vihet në dispozicion të interesave private.

Për Faktoje, Geri Emiri, drejtues i medias Amfora, konfirmoi zhvillimin e protestës në Durrës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve që kundërshtojnë projektin.

“Qytetarët në Durrës kërkuan ndalimin sipas tyre të të gjitha projekteve abuzive jo vetëm në Zvërnec, por edhe në rastin e TID Durrës dhe të Durrës Yacht Marina, që sipas tyre cenon pronën publike dhe private.

Protesta për pjesëmarrësit në Durrës ishte edhe një reagim ndaj punëve të pa mbaruara të qeverisë shqiptare, si procesi i rindërtimit pas tërmetit dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës-Tiranë, që zvarritet prej vitesh.

Pjesëmarrësit në protestë ishin të moshave të ndryshme, nga fëmijët tek të moshuarit, që kërkuan ndalimin e projektit në Zvërnec dhe dëgjimin e kërkesave të protestuesve”, përshkruajti për Faktoje, Geri Emiri, drejtues i medias lokale Amfora.

Po atë ditë, protesta u zhvillua edhe në Vlorë. Dhjetëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin e Flamurit dhe më pas marshuan drejt Bashkisë së Vlorës.

Protestuesit, kryesisht të rinj, mbanin pankarta në mbrojtje të mjedisit dhe kundërshtonin ndërhyrjet që sipas tyre rrezikojnë një nga zonat më të rëndësishme natyrore të bregdetit shqiptar.

Këto protesta janë dokumentuar nga mediat lokale dhe organizata të ndryshme, duke rrëzuar pretendimin se kundërshtimi publik ka qenë i kufizuar vetëm në kryeqytet.

Zanafilla e protestave

Protesta e parë kundër projektit u zhvillua më 16 maj në Zvërnec.

Aktivistë mjedisorë, organizata të shoqërisë civile dhe banorë të zonës u mblodhën në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë–Nartë për të kërkuar ndalimin e punimeve dhe mbrojtjen e zonës natyrore.

Dhjetë ditë më vonë, më 26 maj, protestat u zhvendosën në Tiranë, para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Më 30 maj, aktivistët u rikthyen në Zvërnec. Pikërisht gjatë kësaj proteste një protestues u tërhoq zvarrë nga punonjës të sigurisë private, pamje që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe nxitën reagime të forta publike.

Pas këtij episodi, protestat vijojnë çdo ditë në Tiranë, ndërsa dje (më 3 qershor) u organizuan paralelisht edhe në Durrës dhe Vlorë.

Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar një tjetër protestë më 6 qershor në Akërni, pranë Hidrovorit të Vlorës, në zemër të zonës ku planifikohet zhvillimi i projektit.

Përfundim 

Faktet tregojnë se kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec është shprehur publikisht përmes protestave të organizuara në të paktën katër vende të ndryshme, në Zvërnec, Tiranë, Vlorë dhe Durrës. Për këtë arsye, pretendimi i kryeministrit Edi Rama, bërë në intervistën për CNN nuk përputhet me ngjarjet e dokumentuara në terren.

The post Protesta vetëm në Tiranë? Faktet rrëzojnë deklaratën e Ramës në CNN appeared first on Faktoje.al.

Protesta e brezit Gen Z

3 June 2026 at 17:49

Nga Jona Cenameri

Pak para orës gjashtë të pasdites, rrugët që të çonin drejt Sheshit ”Skënderbej” ishin mbushur me grupe të rinjsh që ecnin me nxitim.

Në duar mbanin pankarta të mbështjella, kartonë të palosur dhe flamuj kombëtarë.

“Se thonë pastaj që ne nuk protestojmë për asgjë”

“Ja ku po dalim.”

“A thua bëhet ky vend?”

“A po shkojmë në protestë? Atëherë mos ma bëj këtë pyetje tani”

Biseda të tilla dëgjoheshin gjatë gjithë rrugës drejt qendrës së Tiranës.

Një ditë më parë, qindra qytetarë kishin marshuar nga Ministria e Mjedisit drejt Kryeministrisë për të kundërshtuar projektin turistik në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës. 

Protesta ishte mbyllur me një thirrje të vetme kryesisht nga të rinjtë ata që qëndrojnë deri në fund:

“Nesër më shumë”

Të martën, më 2 qershor, ata u kthyen.

Dhe ishin më shumë.

Nëse protesta e parë mbante ende shenjat e spontanitetit dhe konfuzionit, protesta e dytë dukej më e qartë, më e organizuar dhe më e sigurt për vetveten.

Këtë herë nuk kishte protesta paralele, nuk kishte paqartësi për vendtakimin dhe as për itinerarin.

Sheshi “Skënderbej” u kthye në pikën e grumbullimit, ndërsa më pas turma u zhvendos drejt Kryeministrisë, ku qëndroi deri pas orës nëntë të mbrëmjes.

Ishte protesta më e gjatë deri tani.

Por mbi të gjitha ishte protesta më e re në moshë.

Në turmë shihje familje me fëmijë, pensionistë, aktivistë, gazetarë, artistë, përfaqësues të organizatave dhe qytetarë të zakonshëm. 

Kishte njerëz që kishin ardhur për Pishë Poro-Nartën, të tjerë për korrupsionin, për çmimet, për pensionet, për largimet jashtë vendit, mungesën e perspektivës apo thjesht për të shprehur pakënaqësi të akumuluara prej vitesh.

Brezi Gen Z

Megjithatë, fytyra e protestës ishte brezi Gen Z.

Ata nuk dominonin vetëm numerikisht.

Dominonin estetikën, gjuhën dhe mënyrën e organizimit.

Foto: Jona Cenameri

Në vend të pankartave tradicionale politike, në duart e tyre shfaqeshin meme, referenca nga anime japoneze, personazhe televizivë, batuta të njohura nga reality show shqiptare dhe slogane të krijuara posaçërisht për rrjetet sociale.

Një pankartë përdorte frazën e njohur të Moza Ahmetit, të transformuar në:

“Ça i keni këto projekte paj zotin?”

Një pankartë tjetër ishte thjesht një screenshot nga Spotify që tregonte këngën “Don’t Let It Happen”. 

Foto: Jona Cenameri

Titulli i këngës ishte mesazhi: një thirrje që ajo që po ndodh në Pishë Poro-Nartë të mos lejohet të ndodhë.

Të tjera pankarta përfshinin ilustrime të krijuara me inteligjencë artificiale, meme politike dhe montazhe satirike. Në shumë raste dukej sikur TikTok-u, Instagram-i dhe protesta ishin shkrirë në një të vetme.

Flamingot 

Një i ri mbante një flamingo gjigante të fryrë mbi kokë. Një tjetër e kishte kthyer flamingon në simbol proteste. Disa të rinj i binin daulleve dhe këndonin “Narta është e jona”. Në një cep tjetër shihje pankarta të vizatuara nga fëmijë.

Foto: Jona Cenameri

Ishte një përzierje e pazakontë mes aktivizmit, kulturës së internetit dhe patriotizmit që rrallë është parë më parë në protestat shqiptare.

Në turmë shihje të rinj që bënin foto me pankartat e tyre, që filmonin për TikTok dhe Instagram, që shpërndanin drejtpërdrejt atmosferën e protestës tek miqtë e tyre.

Një nga pankartat shkruante:

“Gen Z u çua nga kafja. Po tani ku do futeni?”

Protesta po përhapej nga vetë pjesëmarrësit.

Një postim në Instagram.

Një video në TikTok.

Një story.

Një repost.

Një mik që ftonte një mik tjetër.

Dhe efekti i topit të dëborës vazhdonte.

Askush nuk dukej se e dinte saktësisht kush e kishte nisur valën.

Dhe askush nuk dukej se e kishte problem këtë.

Ashtu si një ditë më parë, edhe këtë herë ishte e vështirë të kuptoje se kush po e drejtonte protestën.

Megjithatë, ndryshe nga protesta e parë, kërkesat tashmë ishin artikuluar më qartë.

Kërkesat po artikulohen 

Aktivistët që morën fjalën kërkuan:

  • anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
  • anulimin e ligjit për trashëgiminë kulturore;
  • fundin e klasës politike të korruptuar.

Mesazhet 

Por në terren, mesazhet ishin shumë më të gjera.

Foto: Jona Cenameri

Turma thërriste: “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Shqipëria nuk shitet!”, “Poshtë patronazhistët!”, “Opozitë e shitur!”, “Vdekje politikës!”, “Edi Rama jep dorëheqjen!”, “Shqipëria e shqiptarëve!”, “Poshtë spiunat!”, “Rama-Berisha tradhtarët e kombit!”, “Vlora zemra e Shqipërisë!”

Thirrjet 

Në shumë raste, thirrjet drejtoheshin njëkohësisht kundër qeverisë, opozitës, mediave, investitoreve te medhenj dhe institucioneve.

Në ndryshim nga protestat tradicionale shqiptare, ku kundërshtari zakonisht është i qartë, kjo protestë dukej sikur kishte shumë kundërshtarë njëkohësisht.

Kishte thirrje nacionaliste, këngë patriotike, slogane kundër mediave, investitorëve të mëdhenj dhe klasës politike në tërësi. Për shumë pjesëmarrës, Zvërneci ishte shkëndija.

Tensionet 

Këtë herë në protestë ndiheshin më fort edhe tensionet ndaj policisë.

Ato ishin dukshëm më të pranishme se një natë më parë.

Kjo u vu re si pranë Kryeministrisë, ashtu edhe më vonë gjatë kthimit drejt qendrës së qytetit, kur turma u përball me një rresht efektivësh pranë pedonales.

Pikërisht aty dëgjoheshin më fort thirrjet: “Polici e krimit!”, “Hiqni kapelet!”

Megjithatë, pavarësisht toneve të forta, protesta mbeti paqësore.

Madje në disa momente organizatorët dhe pjesëmarrësit përsërisnin vazhdimisht:

“Mos u përçani”, “Mos u provokoni”, “Protesta është paqësore”. Në një moment, një pjesë e të rinjve u ulën në tokë për ta theksuar këtë mesazh. Asnjë incident nuk u regjistrua. Asnjë përplasje. Asnjë akt dhune.

Turma krijoi vetë ritmin e saj. Një grup niste një thirrje.

Një tjetër niste një tjetër.

Në disa momente dëgjoheshin dy apo tre kore njëherësh.

Protesta dukej sikur drejtohej nga vetë energjia e njerëzve që e përbënin.

Kur protesta po shkonte drejt fundit, turma u kthye sërish drejt qendrës së qytetit.

Ishte errësuar. Por askush nuk dukej se kishte nxitim të largohej. Si një natë më parë, thirrja e fundit erdhi pothuajse spontanisht.

Fillimisht nga disa zëra. Pastaj nga dhjetëra. Pastaj nga e gjithë turma: “Nesër më shumë!”

The post Protesta e brezit Gen Z appeared first on Faktoje.al.

Rama: Fondet për tokën në Zvërnec janë ngrirë, nuk e jap dorëheqjen   

3 June 2026 at 15:27

SPAK nuk konfirmoi asnjë veprim zyrtar të mërkurën lidhur me fondet për tokën ku do të ndërtohet në Zvërnec.

” Çështja ndodhet në një fazë procedurale, detajet e saj nuk mund të bëhen publike në këtë moment” tha koordinatorja për të drejtën e informimit në SPAK

 Por kryeministri Edi Rama, po.

“Unë kam dalë për një arsye tjetër që nuk ka të bëjë me mbledhjen e qeverisë, por ka të bëjë me një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë dhe pronarë”, tha Rama, një qëndrim qe në fakt ai vete i parapritu një ditë më parë ku në një tjetër takim tha se fondet ishin të ligjshme dhe kishin kaluar në filtër. Por jo të gjitha.  

“Ndërkohë që nga ana tjetër unë e konsideroj po ashtu shumë pozitive që SPAK-u ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë tek shitësi për të cilin ka një proces hetimor.

Kjo në këndvështrimin tim është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, sepse tanimë çështja e origjinës së pronës është një çështje që do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur dhe profesional përmes SPAK-ut dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë një rezultat i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve do t’i japë fund çdo spekulimi, çdo manipulimi, çdo pretendimi që nuk është i bazuar në ligj”, tha ai.

Në rast se shitësi, sipas tij, ka origjinë legjitime të pronës, do marrë paratë, në rast se nuk e ka, lekët do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë.

S’ka dorëheqje

Një ditë më parë kryeministri Rama ftoi 20 zera në dialog nga protesta e Tiranës ku prej të henës po protestohet kundër ndërtimit të një rezorti në Zvërnec me qëllim  mbrojtjen e natyrës por edhe problematikave të tjera. Protestuesit iu përgjigjen në të njëjtën dite që s’ka dialog por dorëheqje.  

“E kam një përgjigje. T’i referohen arkivit të gjatë të këtij filmi të vjetër se tanimë se këtu s’ka asgjë të re. Unë nuk kam kërkuar të bisedoj me asnjë nga ata që për mua janë të kurdisur dhe janë të çartur.

Kam kërkuar të bisedoj me ata të cilët kanë votuar për mua, disa prej tyre dhe më kanë shkruar nga protesta e parë.

Kam respekt për ta dhe me ata jam gati të bisedoj në çdo kohë sepse ata nuk kanë dalë në protestë për të zhvilluar një episod të ri të një filmi shumë të vjetër. Kështu që, ai film duhet tu tregojë të gjithëve që asgjë nuk më lëviz mua nga istikami, në thonjëza, ku më kanë vendosur shqiptarët dhe kush flet në emër të shqiptarëve duhet të mos e harrojë që unë përfaqësoj dhe mishëroj vullnetin e të paktën mbi 800 mijë shqiptarëve dhe kam një kontratë me ta”, tha Rama.

The post Rama: Fondet për tokën në Zvërnec janë ngrirë, nuk e jap dorëheqjen    appeared first on Faktoje.al.

Protesta udhëheq vetveten, Rama shtrin dorën për takim 

2 June 2026 at 17:18

Nga Jona Cenameri

Nën vapën e 1 qershorit, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, qindra qytetarë nisën të mblidheshin në qendër të Tiranës. Në fillim gjithçka dukej e paqartë. Në Sheshin Skënderbej zhvillohej paralelisht edhe protesta e Koalicionit Pro Familjes kundër udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale te të miturit transgjinorë. Këngë patriotike, animatorë për fëmijë, flamuj kombëtarë dhe pankarta të llojeve të ndryshme përziheshin në të njëjtin shesh.

Por pak nga pak u bë e qartë se një pjesë e madhe e turmës kishte ardhur për një tjetër arsye.

Pas javësh debatesh për projektin turistikzonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës, protestave para Ministrisë së Mjedisit, përplasjeve në Zvërnec dhe reagimeve të forta pas pamjeve të protestuesit të tërhequr zvarrë nga persona të paidentifikuar brenda kantierit, revolta ishte zhvendosur në kryeqytet.

Në turmë binin në sy edhe flamujt kombëtarë e etnikë shqiptarë. Disa protestues mbanin pankarta për Çamërinë, ndërsa herë pas here dëgjoheshin thirrje si “Nuk jemi grekë, jemi shqiptarë”, një reagim i drejtpërdrejtë ndaj debatit të ditëve të fundit mbi pretendimet se protesta po nxitej nga faktorë të jashtëm. Për shumë prej pjesëmarrësve, prania e flamujve ishte një mënyrë për të theksuar se kundërshtimi ndaj projektit nuk vinte nga jashtë, por nga qytetarë shqiptarë që e shihnin zonën si pjesë të pasurisë kombëtare.

Në disa momente ishte e vështirë të kuptoje ku mbaronte një protestë dhe ku fillonte tjetra. Flamujt, pankartat dhe grupet e ndryshme përziheshin në të njëjtin shesh, derisa një zë që buçiti nga megafoni nisi t’i jepte turmës një drejtim më të qartë.

“Për protestën e Nartës, ejani te Ministria e Mjedisit.”

Dhe turma nisi të lëvizte.

Rruga nga Sheshi Skënderbej drejt Ministrisë së Mjedisit, më pas tek Ministria e Brendshme dhe në fund para Kryeministrisë, u kthye në një marshim ku mesazhet shpesh dilnin përtej vetë Zvërnecit.

Tek Ministria e Mjedisit atmosfera ndryshoi. Turma u bë më kompakte. Në mes të saj shihje aktivistë, gazetarë, studentë, artistë, përfaqësues të shoqërisë civile, pensionistë, por mbi të gjitha të rinj. Të shumtë ishin edhe prindërit me fëmijët e vegjël. Disa i shtynin në karroca, të tjerë i mbanin në supe. Për një protestë të organizuar në Ditën e Fëmijëve, prania e tyre dukej simbolike.

Ajo që binte në sy ishte se shumë prej pjesëmarrësve nuk dëgjonin fare se kush fliste me megafon. Në varësi të vendit ku ndodheshe në turmë, mund të mos arrije të kuptoje as emrin e folësit. Megjithatë kjo nuk dukej se kishte rëndësi.

Thirrja që jehonte më fort se çdo tjetër ishte:

“Rama në burg! Berisha në burg!”

Pas saj vinin:

“Anulloje projektin!”

“Shteti i oligarkëve!”

“Doreheqje!”

“Shqipëria është e jona, jo e oligarkëve!”

Pikërisht këtë frymë e sheh si thelbin e protestës Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.

“Mendoj që protesta e djeshme në Tiranë është kundër arrogancës, korrupsionit, mungesës së transparencës dhe dhunës së qeverisë. Nuk lidhet vetëm me Zvërnecin”, thotë ai.

Sipas Xhemollarit, protesta nuk mund të reduktohet në një debat teknik për një projekt të vetëm.

“Mos kërkoni kërkesa specifike dhe debate teknike. Ky është akumulim i revoltës së brezit të ri”, argumenton ai për “Faktoje”.

Organizatat mjedisore 

Megjithatë, për organizatat mjedisore që kanë qenë në vijën e parë të kundërshtimit të projektit, fokusi mbetet i qartë.

Aleksandër Trajçe, drejtues i PPNEA-s, thotë se kërkesa kryesore është ndalimi i menjëhershëm i çdo ndërhyrjeje në zonën e mbrojtur.

“Nuk mund të ketë zhvillime urbane dhe zhvillime intensive brenda zonës së mbrojtur. Kërkojmë ndaljen e menjëhershme të punimeve, rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara dhe transparencë të plotë për projektin”, deklaroi ai.

Sipas Trajçes, mënyra se si trajtohet sot Pishë Poro-Narta do të shërbejë si test edhe për raportin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Nëse nuk jemi në gjendje të mbrojmë zonat që vetë i konsiderojmë me vlera të larta biodiversiteti, atëherë është e vështirë t’i themi Bashkimit Europian se jemi gati për t’u bërë pjesë e familjes europiane”, shton ai.

Kush po e drejton protestën?

Teksa kolona e protestuesve lëvizte drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas drejt Kryeministrisë, një gjë bëhej gjithnjë e më e qartë.

Njerëzit nuk kishin dalë në rrugë vetëm për gardhin e Zvërnecit. Disa flisnin për korrupsionin, të tjerë për mungesën e transparencës, për policinë, mediat apo oligarkët. Disa shanin qeverinë, të tjerë opozitën. Shumë prej tyre të dyja bashkë.

Pankartat 

Krahas “Rama në burg, Berisha në burg”, turma shpërthente periodikisht edhe në thirrje si “Liria nuk shitet”, “Shqipëria e shqiptarëve”, “Anulloje projektin”, “Shteti i oligarkëve”, “Qeveri hajdute”, “Bojkotoni mediat”, “O sa turp me qenë polic”, “Këtu vendosim ne” dhe “Shqipëria nuk shitet”. Në momente të caktuara dëgjoheshin edhe thirrje më spontane e më të ashpra kundër figurave politike, mediave tradicionale dhe biznesmenëve të mëdhenj.

Turma dukej sikur po kanalizonte një pakënaqësi shumë më të gjerë sesa debati për një resort turistik.

Për rreth dy orë, protestuesit marshuan nga një institucion tek tjetri. Para Kryeministrisë qëndruan më gjatë. Aty u mbajtën fjalimet kryesore dhe aty u dëgjuan më fort thirrjet që kishin shoqëruar gjithë marshimin.

Ndoshta elementi më i pazakontë i protestës ishte mungesa e një figure qendrore. Pak veta e dinin kush po mbante megafonin në secilin moment. Shumë nuk dëgjonin fare çfarë thuhej nga folësit. Megjithatë thirrjet përhapeshin vetë nëpër turmë, si valë që kalonin nga një grup te tjetri. Ishte një protestë ku energjia vinte më shumë nga njerëzit sesa nga podiumi.

Kur protesta po mbyllej, organizatorët lajmëruan tubimin e radhës për ditën pasuese.

Nga turma nisi një tjetër thirrje ritmike:

“Nesër më shumë!”

Disa qeshnin dhe pyesnin me zë të lartë nëse të nesërmen do të ishin po aq shumё.

Të tjerë përshëndesnin miq e të njohur që nuk prisnin t’i gjenin aty.

Dhe ndoshta pikërisht kjo ishte fotografia më e saktë e mbrëmjes.

Jo një protestë me një lider të vetëm. As me një kërkesë të vetme.

Ftesa për takim

Megjithatë, kryeministri Rama në deklaratën e fundit (deri në publikimin e këtij lajmi) e “lëshoi” erashkën. Por kush do e presë?  Thelbi i protestës lidhet edhe me sfidën ndaj pushtetit, duke prodhuar debat më të gjerë se zakonisht.   

”Mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni”, tha Rama në Facebook.  Një taktikë politike që Rama e ka ndjekur edhe me herët në protestën e studentëve.

The post Protesta udhëheq vetveten, Rama shtrin dorën për takim  appeared first on Faktoje.al.

Fotografia e autobusëve grekë për protestën e 1 qershorit është gjeneruar me AI

2 June 2026 at 13:58

Prej mbrëmjes së 1 qershorit, rrjetet sociale shqiptare janë mbushur me një fotografi ku shfaqet një radhë autobusësh pranë një pike kufitare, e shoqëruar me pretendimin se bëhej fjalë për protestues grekë që po hynin në Shqipëri për të marrë pjesë në protestën kundër projektit turistik në Pishë Poro-Nartë.

Fotografia nisi të qarkullojë menjëherë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, ku mijëra qytetarë u mblodhën për të dytën herë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kundërshtuar projektin në Zvërnec.

Pamje nga protesta 1 qershor, Tiranë

Verifikimi i kryer nga Faktoje tregon se fotografia nuk është e vërtetë. Për të konfirmuar origjinën e saj, Faktoje përdori mjetin zyrtar të verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Përtej verifikimit teknik, fotografia shfaq edhe disa elemente tipike të përmbajtjeve të gjeneruara me AI, si fytyra të paqarta në turmë, autobusë pothuajse identikë, tekst me formulime të pazakonta në pankarta dhe një kompozim tepër të rregullt të skenës. 

Këto karakteristika janë shpesh të pranishme në imazhet e krijuara artificialisht dhe përbëjnë sinjale shtesë që ngrenë dyshime mbi vërtetësinë e saj.

Si lindi pretendimi?

Fotografia u shfaq fillimisht gjatë një debati televiziv mbrëmjen e 1 qershorit. Në një televizion privat, analisti Artur Meçe pretendoi se po shfaqte një fotografi nga Kakavija, ku sipas tij dukeshin autobusë të organizuar nga shteti grek për të sjellë protestues në Shqipëri.

“Kjo është protesta sot. Kjo është foto e sotme”, deklaroi Meçe gjatë emisionit.

Më pas, pretendimi u përhap në rrjete sociale dhe u publikua edhe nga disa portale shqiptare, të cilat iu referuan raportimeve të mediave greke.

Në fakt, gazeta greke “Kathimerini” publikoi më 1 qershor një artikull lidhur me protestën e zhvilluar më 30 maj në Zvërnec. Artikulli i gazetarit Yannis Papadopoulos u publikua në orën 11:24 dhe përmendte se dy autobusë ishin nisur nga Athina për protestën e së shtunës në Zvërnec, ndërsa pjesëmarrës të tjerë kishin udhëtuar me automjetet e tyre.

Pra, raportimi i “Kathimerini” nuk kishte lidhje me protestën e 1 qershorit në Tiranë dhe nuk shoqërohej me asnjë fotografi të autobusëve në kufi.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama e paraqiti projektin si një mundësi transformuese për ekonominë, turizmin dhe imazhin e Shqipërisë, ndërsa kundërshtimet i pa si të motivuara politikisht apo të nxitura nga jashtë, përfshi këtu edhe Greqinë.

AI po përdoret për të manipuluar opinionin publik

Erion Tase, nga Akademia e Studimeve Politike, thotë për Faktoje se ky rast ilustron mënyrën se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për të përhapur narrativa të rreme.

“Ky është një rast kur inteligjenca artificiale përdoret për të manipuluar opinionin publik dhe për të përforcuar bindje të caktuara. Në këtë rast po shfrytëzohet edhe elementi i tensioneve mes fqinjëve, Shqipërisë dhe Greqisë, duke ushqyer narrativën se protestat janë të organizuara nga jashtë dhe nuk përfaqësojnë shqetësime reale të qytetarëve shqiptarë”, thotë Tase.

Sipas tij, rasti i autobusëve grekë i ngjan edhe rasteve të tjera të fundit, ku fotografi të krijuara me AI janë përdorur për të mbështetur pretendime të pavërteta.

“Këto raste duhet të na bëjnë më të kujdesshëm për atë që shohim online. Inteligjenca artificiale e ka bërë shumë më të lehtë krijimin e materialeve bindëse, ndaj qytetarët duhet të mbështeten te burime të besueshme informacioni dhe jo vetëm te përmbajtjet që qarkullojnë në rrjetet sociale”, shton ai.

Edhe pedagogu i komunikimit dhe medias, Erlis Çela, e sheh rastin si një shembull tipik të përdorimit të inteligjencës artificiale për të deformuar debatin publik.

“Përhapja e fotove të gjeneruara me AI si prova reale rrezikon të deformojë debatin publik duke zëvendësuar faktet me perceptime të fabrikuara. Është provuar tashmë se këto imazhe nuk synojnë vetëm të dezinformojnë, por edhe të ndikojnë mënyrën se si qytetarët interpretojnë një ngjarje apo një kauzë”, thotë Çela për Faktoje.

Sipas tij, shqetësimi më i madh në këtë rast lidhet me narrativën që kërkohet të ndërtohet rreth protestës.

“Këto imazhe mund të përdoren për të diskredituar kauza, individë apo grupe shoqërore dhe për të polarizuar opinionin publik. Rasti në fjalë përpiqet të ushqejë një narrativë që e paraqet protestën kundër projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit si një lëvizje të mbështetur apo të sponsorizuar nga faktorë të jashtëm, duke i veshur asaj edhe ngjyrime nacionaliste”

Çela vlerëson se shoqëria shqiptare mbetet ende e papërgatitur për t’u përballur me dezinformimin e ndihmuar nga inteligjenca artificiale. Ndaj, sipas tij, nevojitet një angazhim më i madh si në edukimin e publikut, ashtu edhe në forcimin e kapaciteteve të mediave profesionale.

“Ka nevojë urgjente të shtohen nismat për edukimin mbi inteligjencën artificiale dhe median. Nga ana tjetër, duhet më shumë punë me komunitetin e gazetarëve dhe mediave profesionale, jo vetëm për të demaskuar përmbajtjet e rreme, por edhe për të shpjeguar mekanizmat manipulues dhe qëllimet që synohen të arrihen përmes përdorimit të AI”, përfundon Çela. 

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja ALB BANIA e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

  • Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Portali 24 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Interesante e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Gazeta Online e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Aktualiteti.al e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Portali24 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Tematika e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Pika.al e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 5 qershor 2026 faqja Online24 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

The post Fotografia e autobusëve grekë për protestën e 1 qershorit është gjeneruar me AI appeared first on Faktoje.al.

Gardhi i Zvërnecit, Rama “përballë” ambientalistëve (ku manipuloi) 

1 June 2026 at 16:35

Kur ekskavatorët hynë në Pishë Poro-Nartë në fillim të majit, reagimi erdhi fillimisht nga terreni. Organizata mjedisore PPNEA publikoi pamje të makinerive që lëviznin mes dunave, ndërsa aktivistët ngritën alarmin për ndërhyrje brenda një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit. 

Pasuan denoncimet, protestat lokale, reagimet në rrjetet sociale dhe më pas tubimet përpara Ministrisë së Mjedisit dhe Kryeministrisë në Tiranë.

Për gati një muaj, Kryeministri Edi Rama nuk foli publikisht për çështjen, me përjashtim të një deklarate të shkurtër tre ditë më parë, ku tha se shteti “nuk po falte gjë”. Një ditë para protestës së zhvilluar në Tiranë, ai njoftoi se do të fliste sërish për këtë temë.

Monologu 

Ndërsa pas protestës ku qindra të rinj u mblodhën përpara Kryeministrisë, këtë të hënë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama mbajti për herë të parë një “sqarim” të gjatë publik për çështjen.

Nuk ishte një deklaratë për mediat, as një konferencë pyetje-përgjigje. Ishte një monolog që zgjati 1 orë e 9 minuta, i mbushur me argumente ekonomike, krahasime me Greqinë e Malin e Zi, sulme ndaj kundërshtarëve të projektit dhe një përpjekje për të bindur publikun se reagimi ndaj investimit në Zvërnec po ndërtohet mbi keqinformim.

“Ju kam dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë”, tha Rama në hyrje të fjalës së tij, duke iu drejtuar qytetarëve të revoltuar pas pamjeve ku një protestues tërhiqej zvarrë nga rojet private të sigurisë.

“Edhe unë po njësoj do revoltohesha dhe do rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit”, shtoi ai.

Por pas kësaj hyrjeje, kryeministri ndryshoi drejtim. Sipas tij, opinioni publik është përballur me një version të shtrembëruar të realitetit.

“Ju kanë manipuluar”, deklaroi Rama, duke krahasuar debatin me filmin hollivudian “Wag the Dog”, ku një luftë e trilluar përdoret për të manipuluar opinionin publik.

4 miliardë euro

Në qendër të argumentit të tij ishte ideja se Shqipëria po përballet me një mundësi historike investimi.

“Partnerë të jashtëzakonshëm janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro”, tha ai, duke e cilësuar projektin si një hap drejt “Ligës së Kampionëve të turizmit global”.

fjalimin e tij, kryeministri Edi Rama mbrojti qasjen aktuale ligjore për zonat e mbrojtura, duke theksuar se peizazhi i mbrojtur nuk nënkupton ndalim të zhvillimit, por bashkëjetesë mes natyrës dhe aktivitetit ekonomik, për sa kohë respektohen procedurat dhe lejet përkatëse.

Por pikërisht aty ku kryeministri sheh një mundësi zhvillimi, ambientalistët shohin një precedent të rrezikshëm.

Ndryshimi ligjor

Aleksandër Trajçe, drejtues i Organizatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA shpjegon për Faktoje:

“Me ligjin e vjetër, peizazhi i mbrojtur (kategoria 5) kishte zonim të brendshëm me mbrojtje strikte, përfshirë zona qendrore ku nuk lejohej ndërtimi. Me ndryshimet e vitit 2024 u hoq koncepti i zonimit për këtë kategori, duke e hapur praktikisht gjithë peizazhin për ndërtime”

Sipas tij, ndryshimet ligjore të vitit 2024 hoqën pikërisht këtë mekanizëm mbrojtës.

(Neni 13 i shfuqizuar në vitin 2024)

“Heqja e konceptit të zonimit e hapi praktikisht të gjithë peizazhin e mbrojtur ndaj zhvillimeve ndërtimore. Ky është detaji që po anashkalohet në debat”

Pavarësisht ndryshimeve, Aleko Miho, ekspert mjedisi, thotë se, vlerat natyrore janë shumë herë më tepër. 

Ato sëbashku plotësojnë kërkesat e një Parku Kombëtar, apo me vlera ndërkombëtare të një zone Ramsar. Kjo zonë renditet si e rëndësishme për shpendët (IBA) nga BirdLife International (BLI, 2023), me kritere A1, A4i, A4iii, B1i (2000), e klasifikuar si shumë e kërcënuar. Zona është gjithashtu ndër më të rëndësishmet në vend për llojet bimore (IPA) (kodi A35). Zona është kandidate për rrjetin EUROPA 2000”

Miho thekson gjithashtu se ndërhyrja prek një territor me vlera të larta natyrore dhe status të mbrojtjes së veçantë.

“Vendi i rrethuar prek direkt tre monumente natyre: 1) Kodrat molasike të Zvërnecit, 2) Lagunën Limopuo, e fshehur mes këtyre kodrave, dhe 3) Dunat e Nartës/Akërnisë, ndër më të ruajturat në gjithë Mesdheun. Të treja janë të Kategorisë III të mbrojtjes sipas VKM/DCM 303/2019”.

Ndikimi në mjedis

Në fjalimin e tij, Rama këmbënguli disa herë se projekti nuk është ende përfundimtar. “Nuk kemi studimin mjedisor. Nuk ka ardhur akoma”, deklaroi ai. Pikërisht kjo deklaratë ka ngritur shqetësime të reja tek organizatat mjedisore.

Olsi Nika nga ‘EcoAlbania’ argumenton se sipas legjislacionit shqiptar, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis nuk është një procedurë që mund të shtyhet për më vonë. “Ligji e përcakton qartë VNM-në si një detyrim paraprak dhe thelbësor që duhet të realizohet në fazat më të hershme të konceptimit dhe planifikimit të çdo projekti zhvillimor”, thotë Nika për Faktoje.

Sipas tij, vetë logjika e ligjit kërkon që ndikimet e mundshme të vlerësohen përpara se autoritetet të japin miratime apo të lejojnë ndërhyrje në territor.

“Çdo ndërhyrje në territor pa një VNM të hartuar dhe të miratuar paraprakisht bie ndesh me parimin e parandalimit dhe me detyrimet e legjislacionit mjedisor në fuqi”

Ndërkohë, kryeministri këmbëngul se ajo që po ndodh aktualisht lidhet me studime paraprake dhe jo me ndërtimin e resortit.

“Lufta zhvillohet sot vetëm me një gjë konkrete, me një gardh të shëmtuar dhe me një akt skandaloz të një kompanie sigurie”, tha ai.

Por për ambientalistët, problemi nuk është vetëm gardhi.

“Të quash teori konspirative shqetësimin publik për ndërtimet në një zonë të mbrojtur nuk e ndryshon realitetin në terren”, thotë Nika.

“Po planifikohet ndërtimi i një qyteti me karakter të fortë urban brenda një zone të mbrojtur, përmes një procesi që ngre pikëpyetje serioze ligjore, mjedisore dhe publike” përfundon ai.

Laguna e Nartës

Një tjetër pikë përplasjeje lidhet me gjendjen ekologjike të lagunës. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se “Laguna është në pikë të hallit” dhe argumentoi se projekti do të ndihmojë në rehabilitimin e saj. Por ambientalistët e hedhin poshtë këtë përshkrim, duke iu referuar të dhënave shkencore. 

“Ky është një interpretim vetjak. Të dhënat shkencore tregojnë se Laguna e Nartës është ndër lagunat më të rëndësishme për biodiversitetin në Mesdhe”, thotë Trajçe.

Ai përmend praninë e mijëra flamingove, pelikanit kaçurrel dhe dhjetëra specieve të tjera të mbrojtura si dëshmi të gjendjes ekologjike të zonës.

“Po të ishte laguna në gjendjen që përshkruhet, këto specie nuk do të qëndronin aty. Prania e tyre është vetë treguesi shkencor i vlerës ekologjike të zonës” argumenton ai.

Krahasimi me Malin e Zi 

“Duhet të shohim edhe shembujt e rajonit,” tha Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij duke iu referuar Malit të Zi. 

Por Aleksandër Trajçe, thotë se shembulli i përdorur është i pasaktë.

“Në Mal të Zi ka një rast shumë të ngjashëm me Zvërnecin, Kriporja e Ulqinit, ku kishte plane të qarta zhvillimi, madje me përfshirjen e të njëjtit investitor që përmendet edhe në projekte të tjera në rajon. Aty u parashikua transformimi i një zone natyrore në një zonë elitare zhvillimi, por pas reagimit të fortë të shoqërisë civile, banorëve dhe komunitetit europian, planet u anuluan”

Sipas tij, ky është shembulli i vërtetë që duhet marrë në konsideratë, dhe jo rastet e monumenteve kulturore apo destinacioneve krejtësisht të ndryshme, siç është përmendur shpesh në debat publik.

“Krahasimi me raste si Shën Stefani nuk është i një natyre të ngjashme, sepse kemi të bëjmë me kontekste krejt të ndryshme ligjore dhe ekologjike,” shton Trajçe.

E ardhmja e zonës

Qeveria e sheh çështjen si një test për modelin ekonomik të Shqipërisë. Kryeministri e krahasoi projektin me investime të njohura turistike në Greqi, Kroaci dhe Mal të Zi dhe paralajmëroi se refuzimi i tij mund të trembë investitorët ndërkombëtarë.

“O do zgjedhim zhvillimin e qëndrueshëm me investitorë të ekselencës, ose do zgjedhim një rrugë tjetër”, tha ai.

Për qeverinë, Pishë Poro-Narta është një mundësi historike zhvillimi.

Ndërsa për ambientalistët, është prova më e madhe se si Shqipëria do të trajtojë pasuritë e saj natyrore në prag të integrimit evropian.

Vetëm pak ditë më parë, Komisioni Evropian reagoi për herë të parë për rastin e Pishë Poro-Nartës në një përgjigje ekskluzive për Faktoje, duke konfirmuar se po e ndjek nga afër situatën dhe duke e lidhur atë me detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë për kapitullin 27 të negociatave me Bashkimin Evropian.

Ndërsa sot, Prokuroria e Posaçme konfirmoi se ka nisur hetime mbi mënyrën e përfitimit të tokave në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, si edhe mbi procedurat e zbatimit të projektit për ndërtimin e resorteve turistike. 

Koordinatorja për të drejtën e informimit pranë SPAK, i tha Faktoje se në këtë fazë që është hetimi i çështjes, nuk mund të ndahen të dhëna të tjera për publikun.

The post Gardhi i Zvërnecit, Rama “përballë” ambientalistëve (ku manipuloi)  appeared first on Faktoje.al.

Nga Zvërneci në Tiranë, dhuna që ndezi protestën me thirrjen “Rama-Berisha në burg”

1 June 2026 at 12:01

Më 29 maj, protesta e banorëve të Zvërnecit kundër projektit turistik “Zvërnec South Adriatic Development” u shoqërua me një ngjarje të paprecedent.

Pamjet filmike të shpërndara në rrjetet sociale treguan persona civilë pa uniformë që tërhiqnin zvarrë një protestues, ndërsa policia e Vlorës pranishme nuk lëvizi as gishtin.

Pamjet flisnin vetë se si një protestues duke negociuar me forca të Policisë, merret më pas me forcë nga persona të paidentifikuar brenda gardhit, tërhiqet zvarrë dhe më pas goditet edhe në gjoks nga nje person me maske i cili më vonë u procedua penalisht.     

Protestuesi u raportua se nxirrte gjak dhe se për “lirimin” e tij kishte negociuar një drejtues policie. 

Reagimi

Ajo që ndezi më pas shkrepsen ishte policia e Vlorës. Fillimisht Policia e Vlorës reagoi duke njoftuar shoqërimin e një qytetari (E.S.), procedimin penal të 15 protestuesve dhe dy punonjësve të sigurisë private.

Në komunikatën e saj, Policia e Vlorës deklaroi se protestuesi ishte futur me forcë në kantier, por ky version u përgënjeshtrua nga vetë Policia e Shtetit, e cila kërkoi ndjesë publike për raportimin e gabuar. Fillimisht Policia e Shtetit njoftoi se ishte pezulluar nga detyra drejtori e Policisë së Vlorës, Elidon Çela. Sot Drejtori i Përgjithshem i Policisë, Skënder Hitaj njoftoi shkarkimin e ketij të fundit.

“Sot prezantova drejtorin e komanduar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Edvin Ndreu, i cili do ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit”, tha Hitaj.

Policia e Shtetit

Që në fundjavë, frenat i mori policia e Shtetit. Përmes një njoftimi u raportua se ishin ndjekur penalisht gjithsej 17 persona, përfshirë protestues dhe roje private.

Vetë Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari  tha se prona është private dhe se qeveria nuk kishte falur tokë, por njëkohësisht pranoi se rojet private nuk kishin të drejtë të përdornin forcë.

Ai kërkoi ndjekje penale për individët e përfshirë dhe hetim administrativ për kompaninë e sigurisë, ndërsa kritikoi indiferencën e policisë së pranishme.

Protesta

Pamjet e dhunës ndaj protestuesve, të lidhura me investimin ku përfshihet Jared Kushner e kthyen incidentin nga një çështje lokale në një skandal me jehonë ndërkombëtare.

Një ditë më pas në “lojë” u fut edhe Greqia. Më 31 maj, Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi pas një deklarate të Athinës, duke konfirmuar se ai që ishte tehrqur zvarrë ishte i minoritetit grek. Diplomacia shqiptare shprehu keqardhje për ngjarjen.

Takimi i kryetares se Bashkisë Vlorë në Athinë

Kathemerini shkruan se, rreth një javë para protestës në Zvërnec, në Athinë u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të komunitetit të Zvërnecit në Greqi dhe një delegacioni nga pala shqiptare, ku morën pjesë kryetarja e Bashkisë së Vlorës, një bashkëpunëtor i saj dhe dy avokatë që përfaqësonin investitorët e projektit turistik në zonë.

Takimi kishte për qëllim uljen e tensioneve dhe sqarimin e mosmarrëveshjeve lidhur me investimin e planifikuar, por sipas banorëve nuk solli asnjë rezultat konkret. Përfaqësuesit e komunitetit pretendojnë se pala tjetër kërkoi të shmangte protestën e paralajmëruar të shtunën përpara zonës së rrethuar me gardh.

Tirana

Ndërkohë të dielen në mbrëmje nisur nga disa njoftime të shpërndara vetëm në rrjetet sociale, mijëra qytetarë protestuan në Tiranë kundër dhunës në Zvërnec, duke u mbledhur fillimisht para Ministrisë së Brendshme dhe më tej drejt Kryeministrisë me thirrje si “Anuloni projektin”  apo “Shqipëria nuk shitet”.

Ajo që ra në sy për herë të parë ishin edhe thirrje kundër dy forcave kryesore politike në vend më saktë kundër dy kryetarëve. “Rama në burg” “Berisha në burg” jehonte thirrja para kryeministrisë.

Kjo ishte protesta e tretë më e madhe në vend e nisur pa kokë dhe vetëm nga thirrjet në rrjetet sociale pas protestës së armeve kimike dhe asaj për studentët.

Ajo që ra në sy gjatë protestës në Tiranë ishte edhe mungesa e pranisë së forcave të policisë, ndryshe nga dy ditë më parë në Zvërnec ku ishin rreshtuar katër kordonë policie.

Protesta u mbizotërua nga të rinjtë dhe u njoftua se do të vijonte edhe ditën e sotme në orën 18.00

Procedimi  

Të hënën e 1 qershorit, Policia e Shtetit njoftoi që me mëngjes heqjen e licencës për dy kompanitë private sigurie, Myrto Security 1.3A dhe Major Security, që ishin p-unësuar të mbronin punimet në kantier.

Sipas Policise, hetimet administrative zbuluan lejimin e personave të paidentifikuar që ushtruan dhunë dhe përdorimin e punonjësve të pa licencuar. Kompania investitore ndërkohë njoftoi një ditë më parë se kishte ndërprerë kontratën me shoqërinë e sigurisë. Paralelisht në rrjetet sociale u shpërndanë pamje ku shihej se kompania po hiqte telin me gjemba që i ishte mveshur rrethimit të kantierit.

Hetimet penale dhe administrative vijojnë, ndërsa incidenti ka nxitur protesta të gjera.

Në zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros parashikohet ndërtimi i një resorti gjigant turistik nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila lidhet me struktura investimi ndërkombëtare ku përfshihen Jared Kushner, Ivanka Trup si dhe Ramez e Mohamad Al-Khayyat nga Katari, sipas të dhënave të publikuara mbi projektin.

Si lindi konflikti

Dy vite më parë, mazhoranca socialiste miratoi ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, duke hapur rrugën për ndërtim në territore që më parë kishin mbrojtje të plotë. Ky vendim u kundërshtua ashpër atëkohë nga PD (tani jo më), shoqëria civile dhe ekspertët e mjedisit, të cilët paralajmëruan se pas ndryshimeve fshihej një interes i madh investimesh.

Agjencia Bloomberg raportoi paralelisht se Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, kishte planifikuar të investonte rreth 1 miliard dollarë në dy projekte turistike në Shqipëri: një në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në zonën e Zvërnecit. 

Po atë ditë, Kushner publikoi në rrjete sociale imazhet e projekteve, duke konfirmuar ambicien për zhvillime masive në këto zona.

Për ekspertët e mjedisit, këto projekte ishin qëllimi i vërtetë i ndryshimeve ligjore, duke ngritur alarmin se hapja e zonave të mbrojtura për ndërtim rrezikon biodiversitetin dhe pasuritë natyrore të vendit. 

Megjithatë “korrigjimet” në ligj për të prekur zonat e mbrojtura kanë nisur shumë më herët. 

Faktoje ka shkruar ndër vite për këtë fenomen ku zona të tjera të rëndësishme si zona urbane e Ksamilit, plazhi i Manastirit, i Pasqyrave, i Pulëbardhave, apo Gjiri i Hartës nuk do të kenë më statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur kështu rrugën investimeve të mundshme.   

Aeroporti i Vlorës është gjithashtu një rast tipik ku me ndryshimet e reja të hartës së Zonave të mbrojtura iu hap rruga ndërtimeve. Territori pranë fshatit Akërni ku është ngritur aeroporti u shpall në vitin 2004 Zonë e Mbrojtur e kategorisë së pestë, “Peizazh i Mbrojtur”. 

The post Nga Zvërneci në Tiranë, dhuna që ndezi protestën me thirrjen “Rama-Berisha në burg” appeared first on Faktoje.al.

Debati për Zvërnecin, 2.6 milionë m² ndërtim pa leje mjedisore, Rama: S’po falim gjë, është pronë private   

29 May 2026 at 15:52

Dy vite më parë, mazhoranca socialiste miratoi ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, duke hapur rrugën për ndërtim në territore që më parë kishin mbrojtje të plotë. Ky vendim u kundërshtua ashpër atëkohë nga PD (tani jo më), shoqëria civile dhe ekspertët e mjedisit, të cilët paralajmëruan se pas ndryshimeve fshihej një interes i madh investimesh.

Agjencia Bloomberg raportoi paralelisht se Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, kishte planifikuar të investonte rreth 1 miliard dollarë në dy projekte turistike në Shqipëri: një në ishullin e Sazanit dhe një tjetër në zonën e Zvërnecit. 

Po atë ditë, Kushner publikoi në rrjete sociale imazhet e projekteve, duke konfirmuar ambicien për zhvillime masive në këto zona.

Për ekspertët e mjedisit, këto projekte ishin qëllimi i vërtetë i ndryshimeve ligjore, duke ngritur alarmin se hapja e zonave të mbrojtura për ndërtim rrezikon biodiversitetin dhe pasuritë natyrore të vendit. 

Megjithatë “korrigjimet” në ligj për të prekur zonat e mbrojtura kanë nisur shumë më herët. 

Faktoje ka shkruar ndër vite për këtë fenomen ku zona të tjera të rëndësishme si zona urbane e Ksamilit, plazhi i Manastirit, i Pasqyrave, i Pulëbardhave, apo Gjiri i Hartës nuk do të kenë më statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur kështu rrugën investimeve të mundshme.   

Aeroporti i Vlorës është gjithashtu një rast tipik ku me ndryshimet e reja të hartës së Zonave të mbrojtura iu hap rruga ndërtimeve. Territori pranë fshatit Akërni ku është ngritur aeroporti u shpall në vitin 2004 Zonë e Mbrojtur e kategorisë së pestë, “Peizazh i Mbrojtur”. 

Sot 

Brenda 24 orësh me qendrime thuajse të sinkronizuara nga qeveria janë përcjellë dy informacione lidhur me atë që po ndodh në zonën e Pishë – Poros, pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë  

E para që ka një leje zhvillimi (por jo ndërtimi) dhe ende pa leje mjedisore dhe e dyta që punimet po kryhen mbi një pronë private.

Rama

“Më vjen tani natyrshëm të them dhe për këtë zhurmën e madhe që është ngritur mbi një lajm të rremë sa s’thuhet, që me demek shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë se shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, një pronë private denbabaden dhe investitorët e përfshirë në atë proces janë investitorë tejet serioz të cilët atë pronë e kanë marrë nga privatët, që të jemi shumë të qartë.

Ndërkohë që shteti po, shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit që është ishulli i Sazanit ku ende sot nuk ka mbaruar negociata pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjese e projektit dhe shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka e ishullit do të jetë aty, e shtetit shqiptar…”, ia behu për herë të parë kryeministri Edi Rama pas dy muaj debati dhe mungese informacioni nga institucionet shtetërore.

Lajmi i dytë po brenda 24 orësh për rastin në fjalë u përcoll një natë më parë në emisionin “Opinion”    

Agjencia e Zhvillimit të Territorit

Artemis Poshi, përgjegjëse e Sektorit Juridik në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dha sqarime mbi statusin aktual të projektit dhe procedurat administrative që po ndiqen.

“Pranë autoritetit tonë janë paraqitur dy leje, e para është një leje zhvillimi. Dhe e dyta është një leje ndërtimi infrastrukture. Asnjëra nga këto leje nuk është zbardhur, pra nuk ka përfunduar procesi i shqyrtimit deri në përfundimin e të gjithë procesit administrative”.

Ka apo s’ka leje?

“Sot ka 2 leje të miratuara. Që janë, e para, leje zhvillimi. Dhe leja e zhvillimit përcakton të gjitha kriteret dhe kushtet e zhvillimit, zonën, pronën ku do të zhvillohet, dmth pasuritë ku do të zhvillohet, kushtet e zhvillimit. Dhe kemi një leje zhvillimi infrastrukture që përcakton kushtet paraprake, parapërgatitore, deri në ardhjen e lejes së ndërtimit”, tha Poshi.

Ajo sqaroi gjithashtu se leja e zhvillimit nuk konsiston në një projekt përfundimtar. “Pra ne kemi një projekt-ide, e cila është duke u shqyrtuar. Për shkak se zhvillimi është shumë i madh, kemi të bëjmë me një sipërfaqe totale të pronës rreth 2 milionë e 658 mijë metra katrorë. I gjithë zhvillimi kryhet në pronë private. Me certifikatë, të lëshuar nga autoriteti përkatës, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës, dhe ne si Agjenci kemi kryer korrespondencën dhe kemi marrë statusin aktual të këtyre pronave”.

A jepet leje në zonë të mbrojtur?

“Po, në bazë të ligjit që kemi sot në fuqi për zonat e mbrojtura, lejohet dhënia e lejeve të ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, me rregullore të veçantë, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat dhe kushtet, duke respektuar të gjitha kondicionet ekologjike, biodiversitetin që ka zona”, u përgjigj Poshi duke nënvizuar gjithashtu një detaj të rëndësishëm se aktualisht “nuk kanë administruar ende një leje mjedisore”.

Brukseli

Ndërkohë një muaj pas hyrjes së makinerive në brendësi të zonës së mbrojtur Pishë Poro–Nartë, Komisioni Evropian ka reaguar për herë të parë, duke e cilësuar rastin si një provë të kapacitetit të Shqipërisë për të ruajtur zonat natyrore në kuadër të integrimit. Në një përgjigje ekskluzive për Faktoje, KE thekson: “Komisioni Evropian po ndjek nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka kërkuar informacion shtesë nga autoritetet shqiptare dhe është në kontakt me organizatat e shoqërisë civile”, thekson KE për Faktoje.al

Ky qëndrim vjen në një moment kur kapitulli 27 për mjedisin dhe klimën është një nga kushtet më të ndjeshme të negociatave të Shqipërisë me BE. Komisioni rikujton se vendi duhet të përafrohet plotësisht me legjislacionin e BE-së, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitate, si dhe të shfuqizojë dispozitat e papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura.

“Për të mbyllur kapitullin 27, Shqipëria duhet të demonstrojë kapacitetin për të menaxhuar zonat e ardhshme Natura 2000, përfshirë masat e ruajtjes që parandalojnë degradimin e habitateve dhe specieve”, përfundon reagimi i Komisionit Evropian.

Protesta

Të martën, përpara Ministrisë së Mjedisit, u mbajt protesta nga qytetarë, aktivistë dhe organizata mjedisore të cilën u mblodhën me thirrjen: “Ndaloni punimet!”

Protestuesit kërkuan ndërhyrjen e ministrit të mjedisit Sofjan Jaupaj, ndalimin e punimeve dhe transparencë për projektin e resortit turistik që do të ngrihet në brendësi të zonës.

The post Debati për Zvërnecin, 2.6 milionë m² ndërtim pa leje mjedisore, Rama: S’po falim gjë, është pronë private    appeared first on Faktoje.al.

Erion Veliaj mbetet në burg

28 May 2026 at 16:43

Erion Veliaj do të vijojë të mbetet në burg. Gjykata e Lartë rrëzoi këtë të mërkurë rekursin e tij për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Rekursi  

Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të butë sigurie, pas ndryshimeve të fundit në praktikën e Gjykatës së Lartë për masat e sigurimit.  

Treshja e gjyqtarëve Albana Boksi, Sokol Binaj dhe Genti Shala vendosën të lënë në fuqi vendimmarrjen e 24 shkurtit të Apelit të GJKKO-së, ku Veliaj kishte kërkuar zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë tjetër alternative.

Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025.

Akuzat

SPAK ka renditur ndaj tij 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Shumica e akuzave lidhen me korrupsionin pasiv, të kryer në 9 raste, në raport me disa kompani, për të cilat SPAK thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme. Sipas akuzës, këto subjekte kanë marrë leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Pse Veliaj iu drejtua Gjykatës së Lartë

I moshuari nga Lezha Begtash Zeneli, i arrestuar dhe proceduar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, (7.3 Kg kanabis të gjetura afër derës së kotecit e pulave), pa dashjen e tij u kthye në “rast precedent”, (shkak) që Gjykata e Lartë me vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara t’i “hapë derën” e qelive zyrtarëve, ish-zyrtarëve të lartë publik dhe të zgjedhurve vendor.

Ndërsa politika i ka konsideruar si të ashpra masat “arrest me burg”, kryesisht për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë publik, ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale nuk erdhën si nisma të qeverisë apo grupi deputetësh, por nëpërmjet Gjykatës së Lartë.

Kjo i hapi udhë “bumit të kërkesave” ku vetëm brenda këtij muaji çështja e ish-ministrit Ilir Beqja dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj u depozitua në Gjykatën e Lartë për “ndryshim të masës së sigurisë”.

“…Rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit nuk nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e krimit ose nga marzhi i dënimit, por nga vlerësimi i ndërthurur i rrezikshmërisë së veçantë të faktit penal, i mënyrës së kryerjes, pasojave të ardhura, i personalitetit të të pandehurit, i sjelljes së tij, si dhe i rrethanave të tjera të rëndësishme dhe të lidhura ndërmjet tyre për rastin konkret”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Lartë  

The post Erion Veliaj mbetet në burg appeared first on Faktoje.al.

Faktoje dhe Universiteti i Tiranës: Prezantohet  Laboratori i Medias dhe Edukimit Digjital, i pari në Departamentin e Gazetarisë  

28 May 2026 at 15:13

Nga Jona Cenameri

Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës u lançua sot “Laboratori i Media-s dhe Edukimit Digjital”, një laborator i ri për edukimin mediatik dhe verifikimin e fakteve, i krijuar në bashkëpunim me Faktoje.al dhe me mbështetjen e programit rajonal të GIZ “Sustain Media”, financuar nga BE dhe qeveria gjermane.

Laboratori do të funksionojë nga tetori 2026 deri në qershor 2027 dhe do të ofrojë 12 module teorike dhe praktike mbi fact-checking, edukimin mediatik, inteligjencën artificiale dhe verifikimin e informacionit. 

Pas përfundimit të moduleve teorike, studentët do të prodhojnë artikuj verifikues, video, podcast-e, dokumentarë, etj. 

Synimi

Projekti synon të vijojë edhe në vitet e ardhshme si një hapësirë e përhershme bashkëpunimi mes Departamentit të Gazetarisë dhe Faktoje.

Ne foto: Klodiana Kapo

Drejtoresha ekzekutive e Faktoje.al, Klodiana Kapo, tha se studentët janë në qendër të kësaj nisme.

 “Në kohën kur të pavërtetat vrapojnë dhe media është në një krizë të madhe për gazetarë profesionistë dhe me integritet ju jeni pjesa më e rëndësishme e këtij Laboratori të parë të medias dhe Edukimit Digjital që erdhi si pjesë e një bashkëpunimi të gjatë me Departamentin e Gazetarisë”, tha ajo 

Kapo theksoi se laboratori do të ndërthurë praktikën me teorinë për t’i ndihmuar studentët të integrohen më lehtë në tregun e medias, për t’i dhënë atyre mundësi për praktika pune, si dhe të zhvillojnë aftësi konkrete profesionale në gazetari dhe verifikim faktesh.

GIZ

Menaxherja e projektit rajonal “Sustain Media” në GIZ, Brunilda Milkani, vlerësoi bashkëpunimin me Faktoje.al dhe rëndësinë e laboratorit për gazetarët e rinj.

Ne foto: Brunilda Milkani

“Jam e lumtur që nëpërmjet Faktoje ne po arrijmë të aftësojmë gazetarët e së ardhmes”, tha Milkani, duke i inkurajuar studentët të përfitojnë maksimalisht nga pjesa praktike e programit.

BE

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, André Rizzo, foli për sfidat e dezinformimit në epokën digjitale.

Ne foto: Andre Rizzo

“Jetojmë në një botë të polarizuar ku informacioni kërcënohet nga manipulimi dhe dezinformimi. Studentët që mendojnë në mënyrë kritike janë kërcënimi më i madh ndaj dezinformimit”, deklaroi ai.

Sipas Rizzo-s, edukimi mediatik dhe gazetaria cilësore janë thelbësore në një kohë kur rrjetet sociale, portalet online dhe përmbajtjet e gjeneruara nga AI ndikojnë gjithnjë e më shumë tek publiku.

Fakulteti i Histori-Filologjisë

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Mark Marku, tha se laboratori është pjesë e përpjekjeve të fakultetit për të përshtatur kurrikulat me ndryshimet në tregun e medias dhe informacionit.


“Ne nuk duam të prodhojmë gazetarë të së shkuarës, por gazetarë të së ardhmes”, tha Marku.

Ai shtoi se laboratori do të ndihmojë studentët të përballen me fenomenet e fake news dhe dezinformimit përmes një kombinimi mes anës akademike dhe praktikës profesionale të Faktoje.al.

Aktiviteti u hap nga përgjegjësi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, pedagogu Elvin Luku, i cili prezantoi rëndësinë e projektit për studentët dhe departamentin, duke e cilësuar atë si një mundësi konkrete për lidhjen e teorisë me praktikën profesionale.

Më pas, Alked Luku, përgjegjës për komunikimin në UNFPA Albania, ndau me studentët eksperiencën e tij profesionale dhe rrugëtimin si ish-intern në Faktoje.al, duke treguar sesi kjo eksperiencë ka ndikuar në formimin e tij profesional dhe zhvillimin e aftësive në komunikim dhe media.

Ne foto: Jona Cenameri

Ndërsa gazetarja e Faktoje.al, Jona Cenameri, foli për përfitimet që një student apo gazetar i ri mund të marrë nga metodologjia e punës së Faktoje.al dhe mënyrёn sesi realizohet verifikimi i informacionit dhe gazetaria hulumtuese e thelluar, duke përdorur burimet e duhura.

Në përfundim të takimit, studentët u ftuan të bëhen pjesë e laboratorit dhe të përfshihen në modulet praktike që synojnë të zhvillojnë aftësi konkrete në gazetari, fact-checking dhe edukim mediatik e digjital.

The post Faktoje dhe Universiteti i Tiranës: Prezantohet  Laboratori i Medias dhe Edukimit Digjital, i pari në Departamentin e Gazetarisë   appeared first on Faktoje.al.

Kriza e mjekëve specialistë në Juglindje

28 May 2026 at 12:21

Nga Armand Braho

Sistemi shëndetësor shqiptar, vitet e fundit, po përballet me mungesë të dukshme të mjekëve specialistë, veçanërisht në spitalet e rretheve. Një nga qarqet e prekura është edhe Korça, ku funksionojnë tre spitale bashkiake konkretisht në Pogradec, Devoll dhe Ersekë, dy qendra shëndetësore ambulanca në Maliq e Pustec, si dhe Spitali Rajonal i gjithë qarkut. 

Nga vëzhgimi në terren dhe informacionet e marra në rrugë zyrtare dhe jo vetëm, rezulton se në spitalet e Juglindjes, vakancat për mjekë të specialiteteve të ndryshme dhe për mjekë të urgjencës janë të larta.

Korça

Vetëm në spitalin Rajonal në Korçë, vakancat paraqiten për tre mjekë kirurgë, dy mjekë urgjence, një mjek radiolog, një mjek okulist, një mjek orl, një mjek obsteter-gjinekolog dhe një mjek mjek dermatolog, referuar përgjigjes zyrtare të spitalit.

Foto nga Spitali Rajonal Korce

Vetë institucioni vë theksin se një pjesë e mjekëve në detyrë është përtej moshës së pensionit, të cilët do të vijojnë të japin shërbim deri në ardhjen e specialistëve të rinj.

“Mjekë kirurgë (nga 8 vende, ne kemi 5 mjekë nga të cilët 3 mungesat plotësohen me mjekë specialistë të dalë në pension, deri në ardhjen e mjekëve të rinj); mjekë radiologë (nga 3 vende, ne kemi 2 mjekë nga të cilët 1 pensionist)”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen zyrtare. 

Kolonja dhe Devolli  

38 km nga Korça ndodhet spitali Bashkiak i Kolonjës, në të cilin aktualisht paraqitet mungesa për 6 mjekë specialistë, ndërsa mungesa më e madhe ndihet për mjekët Pediatër dhe Kardiologë. 

Ndërsa sipas përgjigjes së vetë spitalit 20-30 raste çdo muaj referohen për mungesë specialistësh drejt Spitalit Rajonal të Korçës. 

Spitali Bashkiak i Devollit gjithashtu raporton mungesë të mjekëve. 

Një vend vakant paraqitet për pozicionin e mjekut specialist pediatër, po ashtu rastet referohen në Spitalin Rajonal të Korçës, 

Pogradeci 

Situata në Spitalin Bashkiak të Pogradecit, nga drejtoria e spitalit paraqitet pa mungesa mjekësh specialistë, por Faktoje i është drejtuar sportelit të Poliklinikës së Specialistëve në Pogradec për të pyetur mbi mjekët ORL, Ortoped dhe Endokrinolog, duke njoftuar, se në spitalin e Pogradecit këto specialitete mbeten të pa mbuluar me mjek. 

Burime zyrtare brenda spitalit bëjnë të ditur se pozicionet për këto specialitete janë hequr nga organika e institucionit, duke i lënë të pambuluara, ndërsa të gjitha rastet që paraqiten me probleme shëndetësore që mbulohen nga këta mjekë, spitali bashkiak Pogradec, i referon ose dërgon në spitale të tjera. 

Ndërkaq pavarësisht ngërçit nuk rezulton i hapur asnjë vend vakant për mjekë në spitalin e Pogradecit, siç raporton vetë spitali.

Ministria e Shëndetësisë nuk i kthehu përgjigje kërkesës për informacion të Faktojes, ku pyetej mbi masat e marra për uljen e hendekut të vakancave në spitalet e rretheve dhe politikat që po vijojnë të ndërmerren nga ky institucion për zgjidhjen e situatës.

Problematika 

Një prej mjekëve në Juglindje, (pa dashur të identifikohet me emër për shkak te pozicionit që mban) thotë se sistemi shëndetësor po përballet me mungesën e mjekëve, dhe se kjo situatë ka shtuar mbingarkesën për personelin aktual.

“Spitali Bashkiak është një spital i nivelit parësor dhe përgjithësisht flukset i ka kryesisht te shërbimi i urgjencës apo te ai jashtëspitalor, pasi shërbimet me shtretër janë përgjithësisht pak të shfrytëzuar (shtrimet janë diku te 30% i kapaciteteve). Stina e verës ka më shumë fluks dhe ngarkesë në spitalin tonë për shkak se rritet numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë (rritja e popullsisë), por edhe për shkakun se Pogradeci preferohet kryesisht nga turistë të moshuar që kanë nevoja më të mëdha për shërbime shëndetësore. Urgjenca, laboratoret, radiologjia, ambulatori në stinën e verës ka mbingarkesë dhe stafi punon nën presion. Nevojitet rritja e burimeve njerëzore në këto shërbime gjatë kësaj periudhe, por që realisht nuk është se ndodh diçka e tillë. Një pjesë e stafit nëpër shërbimet që cekëm punon me sakrifica për të përmbushur nevojat”, thotë ai.

“Urgjenca mbulohet me mjekë të familjes, pasi nuk ka pasur interes dhe nuk është investuar në krijimin e mjekëve të urgjencës, puna aty shihet si barrë dhe është potencialisht me efekte të lodhjes kronike. Spitali ka mungesa në disa specialitete si Ortopedia, Endokrinologjia, Otorinolaringologjia. Në disa specialitete janë specialistë me kontratë trevjeçare dhe ekziston rreziku i mosmbulimit të tyre në një periudhë afatshkurtër, si Kirurgjia dhe Anestezi-Reanimacioni. Disa specialitete kanë ngarkesë pune që nuk mund të përballohet me vetëm një mjek specialist si Radiologjia, Neurologjia, Psikiatria, etj”

Problematikë shfaqet edhe për mjekët e familjes. 

“Lidhur me shërbimet shëndetësore të Mjekut të Familjes në qendrat shëndetësore në qytet dhe në fshatra, më duhet të them se ata përballen me reduktim të rolit të tyre, me ngarkesa burokratike, pavarësisht se janë të shpërndarë kudo dhe krijohet qasje për banorët, shërbimi që japin ka dallim në cilësi nga qendra në periferi. Mjekët e Familjes në disa zona mungojnë dhe në disa raste mbulohen me mjekë në moshë pensioni”, shprehet mjeku

Besimi 

Zhvillimi profesional i kufizuar, pagat e ulëta, mingarkesa apo lodhja në punë janë disa prej arsyeve kryesore që duket se shtyjnë mjekët e rinj të refuzojnë emërimet në zonat periferike dhe rrethe, ndërsa besimi i pacientëve duket se vitet e fundit ka ardhur në ulje, situatë kjo që është impaktuar dhe tek personeli aktual mjekësor.

“Më duhet të them që ka raste të izoluara të shtyrjeve apo të vonesave në dhënien e shërbimit për shkak të mungesave, të cilat zgjidhen në një moment të dytë ose transferohen në një shërbim referues. 

Urgjenca ka nevojë që të ndihmohet nga ekipe para-mjekësore për dhënien e ndihmës së parë në rastet e aksidenteve apo të fatkeqësive të tjera, pasi i njëjti staf nuk mund të jetë sa në terren e në repart. 

Mungesat nuk janë vetëm njerëzore, mirëmbajtja dhe modernizimi i pajisjeve diagnostikuese dhe trajtuese është një element thelbësor për cilësinë e shërbimeve. 

Mjekët nuk qëndrojnë në periferi për disa arsye: kanë mundësi më të kufizuara zhvillimi profesional apo akademik, kanë paga të ulëta dhe jo konkurruese me sektorin privat ose emigracionin, kanë lodhje, frustrime dhe mbingarkesa, kanë më pak lehtësira jetese”, thotë ai.

Mangësia më e madhe  

Pjesa më e dobët e sistemit, sipas mjekut, janë mungesat në burimet njerëzore. 

“Në vitet e fundit ndryshimet në organizim dhe në kushtet e punës kanë munguar. Ka pasur përpjekje për të rritur pagat në sistemin shëndetësor si në atë parësor dhe në atë spitalor, por ne jemi ende larg konkurrimit me sektorin privat apo me emigracionin… Besimi te shërbimet shëndetësore publike ka ardhur në rënie dhe njëkohësisht kjo përkthehet në një punë më stresuese për të gjithë ata që punojnë në institucione shëndetësore publike”, shpjegon mjeku

Diferenca 

Banorët e rretheve duket se nuk janë të barabartë në shërbime mjekësore me kryeqytetasit, sipas Eglantina Bardhit, drejtoreshë e TFL.

Mungesa e mjekëve, do të thotë mungesë shërbimesh shëndetësore të nevojshme dhe të domosdoshme dhe mungesa e shërbimeve shëndetësore sigurisht që cenon drejtpërdrejt të drejtën e qytetarëve për kujdes shëndetësor cilësor, të aksesueshëm dhe të përballueshëm. Kur mungojnë mjekët specialistë, pacientët përballen me vonesa, mungesë shërbimi pranë vendbanimit dhe kosto shtesë për të marrë trajtim në sektorin privat ose në qytete të tjera”, u shpreh për Faktoje, Eglantina Bardhi

Ajo thekson se kjo situatë ka risk të përkeqësohet. Për pasojë, Bardhi nënvizon rëndësinë e një analize të shkaqeve që çojnë mjekët tek vendimi për tu larguar. 

Fenomeni i largimit nuk lidhet vetëm me emigrimin ekonomik. Shumë mjekë kanë deklaruar se arsyet kryesore lidhen me kushtet e punës, mungesën e mbështetjes profesionale dhe pasigurinë për të ardhmen. nëse nuk ndërmerren masa të qëndrueshme dhe afatgjata, situata rrezikon të përkeqësohet më tej. Largimi i profesionistëve të shëndetësisë vazhdon, ndërsa nevojat e popullsisë për shërbime shëndetësore janë në rritje, sidomos për shkak të plakjes së popullsisë dhe shtimit të sëmundjeve kronike”, thotë Eglantina Bardhi

Të drejta të mohuara 

Në të njëjtën linjë është dhe Drejtorja e Grupit Shqiptar të Njeriut znj, Elsa Ballauri, e cila sheh një vakum profesionistësh në sistemin mjekësor, sidomos në zonat rurale.

“Duke e observuar Shqipërinë në këto 30 e më shumë vjet, një gjë është shumë e ngjashme me periudhën e mëparshme të diktaturës: mungesa e thellë e planifikimit. 

Sot mjekësia vuan mungesën e shpërndarjes së njëtrajtshme të mjekëve dhe shërbimeve mjekësore. Jashtë kryeqytetit ka shumë pak mjeke, në zona të thella, pothuajse fare. 

Tirana i ka përqendruar të gjithë sepse paga është më e lartë, mundësitë e tyre për të punuar në spitale private janë më të mëdha dhe shpërblimi nën dorë me fitimprurës. Nëpër rrethe shumë pak mjekë kanë mbetur dhe shpesh herë ata nuk zëvendësohen dot kur iu vjen koha e pensionit. 

Kjo pabarazi i bën edhe qytetarët të pabarabartë në të drejtat që ata duhet të gëzojnë”  thotë Ballauri

Nëse masat nuk do të merren në vazhdimësi, sipas Elsa Ballaurit, situata me gjendjen e mjekëve do të përkeqësohet në dëm të qytetarëve dhe në shkelje e të drejtave të njeriut për marrjen e shërbimeve mjekësore.

The post Kriza e mjekëve specialistë në Juglindje appeared first on Faktoje.al.

Marshimi në Tiranë: Një gjuhë, një kauzë

26 May 2026 at 18:50

Nga Sebi Alla

Mohimi i të drejtës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe (sikundër e përcakton ligji dhe Kushtetuta), ende mbetet pezull me paqartësi, që mund të zgjasin në kohë dhe lënë hapur përplasjet politike dhe jo vetëm.

Foto: Atdhe Mulla

Protesta në Tiranë

Ndërsa në Maqedoninë e Veriut ende nuk është caktuar data e protestës së radhës, në Tiranë, në mbështetje të kësaj kauze, në Sheshin “Skënderbej” u zhvillua një marshim paqësor që zgjati deri tek hyrja e bllokut të ambasadave, (pa iu afruar shumë godinës së ambasadës maqedonase aty ku ishte edhe qëllimi), me parrullën: “Një gjuhë na bashkon përtej kufijve”.

Foto: Atdhe Mulla

Kërkesa

Tiranës iu bashkuan të martën pasdite zërat e studentëve shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse

Krahas studentëve (kryesisht) të juridikut, nga Shqipëria pati edhe gazetarw dhe aktivistw.

Mes pankartave dhe thirrjeve “Tirana, Shkupi, Prishtina janë bashkë”, protestuesit kërkuan që provimi i Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut të jepet edhe në gjuhën shqipe

Protesta e zhvilluar nga studentët shqiptarë kishte si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit publik me qëllim më shumë presion ndaj institucioneve në Shkup, të cilat, sipas studentëve në protestë, po zvarrisin zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

Dy protestat në Shkup   

Ndërkohë dy protestat e mëdha dhe paqësore të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut rizbuluan një problem që nuk është krijuar sot, por jeton prej shumë vitesh në një ekuilibër të brishtë politik që nga viti 2001. Ajo që u arrit “me humbje jete dhe sakrifica, nuk po gjen zbatim në paqe”, për një të drejtë themelore, siç është përdorimi i gjuhës amtare. “Pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së, e cila është më nacionaliste, është rritur dukshëm gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, gjë që përbën rrezik potencial për tensione dhe probleme të tjera ndëretnike”, thotë për Faktoje, kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari. Pas protestës së madhe më datë 18 të këtij muaji, situata duket më e qetë, në reflektim të një paqeje të brishtë të mbushur me deklarata për zgjidhje të problemit, por edhe qëndrimeve të ashpra, për t’i dhënë zë dhe reagim qëndrimeve nacionaliste apo incideteve etnike që kanë nisur të shfaqen.

Kauza

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe bëri bujë disa muaj më parë kur 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Studentët reaguan në disa tubime, për tu mbledhur në dy protesta të mëdha më 6 prill dhe 18 maj në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe dhe incidenteve pa arsye nisi në shtator të vitit 2024, ku u hoqën disa tabela rrugore me mbishkrime shqip. Ajo situatë u tentua të kalohej si një “keqadministrim nga Ndërmarrja e Rrugëve”, mirëpo gjendja në vijim riktheu  historinë e vjetër të mohimit të përdorimit të gjuhës shqipe.

Ligji

Konkretisht në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe. Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”

Qëndrimet pas protestës

Ndërkohë që partitë e kampit shqiptar nga koalicioni VLEN në qeverinë maqedonase, thanë të martën që provimet e jurisprudencës për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mbahen edhe në gjuhën shqipe, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov reagoi duke e quajtur debatin publik për gjuhën shqipe një përpjekje për presion politik dhe nxitje të konfrontimit etnik. “Reagoj ashpër ndaj përpjekjes për ta shndërruar provimin e jurisprudencës në një fushë për presion politik dhe konfrontim etnik. Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje ekspertize, profesionalizmi dhe respekti për rendin juridik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur detyrimin ligjor për të njohur gjuhën maqedonase si diskriminim janë manipulim i rrezikshëm i publikut dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues”

“Mickoski i përmbajtur”

Kjo gjuhë e ashpër e ministrit Filkov, u tentua të “modernizohet” nga qëndrimi i kreut të qeverisë Hristijan Mickoski, i cili deri tani është munduar ta anshkalojë këtë çështje, duke e cilësuar si teknike dhe “shumë shpejt të zgjidhshëm”. Kryeministri Mickoski, i ka akuzuar studentët për mungesën e flamurit maqedonas dhe mosrespektimin e ligjit të himnit, ndërsa ka shtuar se zgjidhja ligjore për jurisprudencën do të dërgohet në Komisionin e Venecias.

Ky qëndrim duket se në afatshkurtër nuk do të marrë zgjidhje, për aq kohë sa të shprehet Komisioni i Venecias dhe mbi të gjitha, intepretimet politike në Maqedoninë e Veriut që mund të bëhen mbi “interpretimin e Venecias”.  Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bekim Sali, përfaqësues i VLEN në qeverisje, tha të enjten se janë në përfundim e sipër të fazës së konsultimeve me ekspertë dhe sipas tij mund të zgjasë deri në një javë zgjidhja, por njëkohësisht la hapësirë se nuk do të trajtohet vetëm çështja e gjuhës shqipe, por edhe tema të tjera. “…nuk do të jetë vetëm jurisprudenca, do të jenë edhe shumë tema të tjera të cilat duam në pako t’i zgjidhim njëherë e përgjithmonë dhe mos të shkaktojmë, dhe mos të japim arsye që studentët tanë të kenë pakënaqësi ndaj funksionimit të institucioneve dhe trajtimit të tyre nga ana e institucioneve shtetërore”, deklaroi zëvendëskryeministri Sali.

Përtej provimit

“Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë ndarë në dy kampe të polarizuara, duke e përdorur çështjen e gjuhës për betejë politike dhe terren elektoral. Koalicioni VLEN në pushtet ndodhet nën presion të vazhdueshëm dhe mbrojtje, duke u përpjekur të menaxhojë pakënaqësitë e studentëve me premtime të reja ligjore, ndërsa ia faturon përgjegjësinë lëshimeve të kaluara të BDI-së”, thotë drejtuesja e Portalb.mk, Zylbeari. Sipas saj, “Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI po kapitalizon mbi këtë krizë nga pozita e opozitës, ata i nxisin dhe i mbështesin fuqishëm protestat për të sfiduar legjitimitetin e pushtetit aktual dhe për t’u ripozicionuar si mbrojtësit e vetëm të të drejtave kombëtare dhe Marrëveshjes së Ohrit”.

Heshtja zyrtare

Foto: Atdhe Mulla (Nga marshimi ne Tirane)

Tensionet janë të dukshme dhe konfliktualiteti politik mjaft i ndezur, por deri tani nga Tirana dhe Prishtina zyrtare ka një lloj heshtje publike, duke treguar kujdes në çështje që ngjajnë më shumë se teza provimesh në gjuhën shqipe. “…Heshtja apo reagimi tejet i matur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare reflekton një kalkulim të kujdesshëm diplomatik dhe gjeopolitik për të shmangur destabilizimin e rajonit. Përtej parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti anëtar të NATO-s, të dyja kryeqytetet udhëhiqen nga interesa specifike, Prishtina shmang deklaratat e ashpra për të mos dëmtuar aleatët e saj politikë të VLEN-it në qeveri, ndërsa Tirana ruan një distancë strategjike për të mos nxitur nacionalizmin maqedonas dhe për të mos rrezikuar procesin e saj të integrimit në BE”, thotë Zylbeari. Ajo sugjeron se “kjo qasje e “diplomacisë së heshtur” shpesh interpretohet si braktisje nga shqiptarët vendas, por synon të parandalojë përshkallëzimin e tensioneve ndëretnike në prapaskenë”.

The post Marshimi në Tiranë: Një gjuhë, një kauzë appeared first on Faktoje.al.

Komisioni Evropian paralajmëron: Pishë Poro–Narta, testi i parë i Shqipërisë për kapitullin 27

26 May 2026 at 17:00

Një muaj pas hyrjes së makinerive në brendësi të zonës së mbrojtur Pishë Poro–Nartë, Komisioni Evropian ka reaguar për herë të parë, duke e cilësuar rastin si një provë të kapacitetit të Shqipërisë për të ruajtur zonat natyrore në kuadër të integrimit. Në një përgjigje ekskluzive për Faktoje, KE thekson:

“Komisioni Evropian po ndjek nga afër zhvillimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka kërkuar informacion shtesë nga autoritetet shqiptare dhe është në kontakt me organizatat e shoqërisë civile”, thekson KE për Faktoje.al

Ky qëndrim vjen në një moment kur kapitulli 27 për mjedisin dhe klimën është një nga kushtet më të ndjeshme të negociatave të Shqipërisë me BE. Komisioni rikujton se vendi duhet të përafrohet plotësisht me legjislacionin e BE-së, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitate, si dhe të shfuqizojë dispozitat e papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura.

“Për të mbyllur kapitullin 27, Shqipëria duhet të demonstrojë kapacitetin për të menaxhuar zonat e ardhshme Natura 2000, përfshirë masat e ruajtjes që parandalojnë degradimin e habitateve dhe specieve”, përfundon reagimi i Komisionit Evropian. 

Protesta përpara Ministrisë së Mjedisit

Në Tiranë, përpara Ministrisë së Mjedisit, u mbajt protesta e radhës. Qindra qytetarë, aktivistë dhe organizata mjedisore u mblodhën me thirrjen: “Ndaloni punimet!”

Protestuesit kërkuan ndërhyrjen e ministrit të mjedisit Sofjan Jaupaj, ndalimin e punimeve dhe transparencë për projektin e resortit turistik që do të ngrihet në brendësi të zonës. 

“Prej një muaji tashmë makineritë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme, duke hequr zona pyjore, duke shkatërruar dunat, madje duke bllokuar edhe lidhjen e detit me lagunën. Të gjitha këto po bëhen pa asnjë monitorim nga institucionet. Thirrja është e qartë: ndaloni punimet. Të ikin sa më shpejt makineritë nga brendësia e zonës së mbrojtur”, u shpreh Joni Vorpsi nga nga Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA. 

“Nuk ka më ligj që po funksionon në atë territor. Mbi 6–7 km bregdet i janë hequr aksesit të publikut. Nuk ka zhvillim në një vend kandidat për BE që i mohon qytetarëve të vet të drejtën për të aksesuar 600 ha tokë natyrore. Ky nuk është zhvillim, ky është një model që pasuron një grusht njerëzish dhe u heq pasurinë kombëtare të gjithëve të tjerëve” tha Aleksandër Trajçe, drejtues i PPNEA-s. 

Mjedisorët thonë se protestat do të vijojnë, teksa theksuan se do të ndjekin të gjithë hapat e nevojshëm për të ndaluar punimet në zonën e mbrojtur të Pishë Poro-Nartës. 

Një muaj më parë, ambientalistët denoncuan ndërhyrjet e para të makinerive në brendësi të zonës së mbrojtur Pishë Poro–Nartë.  Autoritetet u përgjigjën se po kryhen “studime gjeologjike”, por pamjet nga terreni tregojnë një realitet krejt tjetër. Ekskavatorë që gërryejnë dunat, pyje të prerë dhe habitatet e shkatërruara. 

The post Komisioni Evropian paralajmëron: Pishë Poro–Narta, testi i parë i Shqipërisë për kapitullin 27 appeared first on Faktoje.al.

Mbi normat e OBSH, nga “Pazari i Ri” tek “21 Dhjetori”, zhurmat që po na “luajnë nga fiqiri”

25 May 2026 at 12:00

Nga Jona Cenameri

Çdo mëngjes, Tirana zgjohet mes zhurmës. Para se të hapen dyqanet dhe kafenetë, dëgjohet trapani i pallatit ngjitur, çekiçi mbi beton, motorët që kalojnë me shpejtësi dhe boritë e makinave të bllokuara në trafik. 

Në kryeqytet, zhurma është bërë pjesë e përditshmërisë. Ajo të ndjek nga mëngjesi deri natën vonë: në rrugë, në zyra, pranë shkollave, në lagjet ku ndërtohen pallate të reja apo në zonat ku muzika e lokaleve përzihet me trafikun. Për shumë banorë, kjo është kthyer në normalitet. Por ekspertët paralajmërojnë se organizmi nuk “mësohet” kurrë realisht me ndotjen akustike.

“Ekspozimi kronik ndaj ndotjes akustike konsiderohet sot një faktor i rëndësishëm risku për shëndetin mendor nëpërmjet aktivizimit të mekanizmave neuropsikologjike,” thotë psikiatrja Arjana Rreli. 

Sipas saj, zhurma urbane aktivizon vazhdimisht sistemin e stresit në organizëm, duke rritur sekretimin e hormoneve si kortizoli dhe adrenalina. “Kjo çon në rritje të niveleve të ankthit, irritabilitetit, lodhjes mendore, vështirësive në përqendrim dhe uljes së pragut emocional ndaj stresorëve të përditshëm”, shpjegon ajo.

Sipas Rrelit, një nga efektet më të dokumentuara është ndikimi në cilësinë e gjumit. “Edhe kur individit i duket se është mësuar me zhurmën, sistemi nervor vazhdon ta regjistrojë atë si stimul”, thotë ajo, duke shtuar se zgjimet e shpeshta dhe fragmentimi i gjumit ndikojnë më pas në ankth, depresion dhe mirëfunksionimin psikosocial.

Ky shqetësim nuk lidhet vetëm me perceptimin subjektiv të qytetarëve. 

Raportet 

Raporti “Environmental Noise in Europe 2025” i Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA), e konsideron ndotjen akustike një nga rreziqet kryesore mjedisore për shëndetin publik në Europë. 

Sipas raportit, rreth 112 milionë europianë, më shumë se 20% e popullsisë, ekspozohen ndaj niveleve të dëmshme të zhurmës nga trafiku rrugor, hekurudhor dhe ajror. Sipas standardeve të OBSH-së numri i të ekspozuarve rritet në rreth 150 milionë njerëz, ose mbi 30% e popullsisë europiane. 

OBSH rekomandon që zhurma nga trafiku rrugor të mos kalojë 53 decibel gjatë periudhës ditë-mbrëmje-natë dhe 45 decibel gjatë natës, pasi efektet negative në shëndet mund të shfaqen edhe në nivele më të ulëta se pragjet aktuale europiane. 

Sipas EEA-së, ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes akustike lidhet çdo vit me rreth 73 mijë vdekje të parakohshme në Europë, 49 mijë raste të reja sëmundjesh kardiovaskulare dhe 23 mijë raste diabeti të tipit 2. Raporti thekson gjithashtu se zhurma kronike lidhet me çrregullime të gjumit, probleme të shëndetit mendor dhe dëmtime njohëse tek fëmijët. 

“Një pjesë e pacientëve raportojnë hipervigjilencë, tension të vazhdueshëm psikofiziologjik dhe vështirësi në relaksim për shkak të ekspozimit të përditshëm ndaj trafikut, ndërtimeve apo muzikës me volum të lartë,” thotë Rreli. Sipas saj, ky ndikim është më i theksuar tek personat me çrregullime ankthi, stresi apo humori, ku zhurma mund të 

bëhet faktor përkeqësues i simptomave ekzistuese.

Tirana 

Në Shqipëri mungon ende një hartë e plotë kombëtare për ndotjen akustike, por monitorimet alternative të realizuara nga Co-PLAN dhe projekti GreenAL/Green Lungs tregojnë se Tirana përballet me nivele të larta zhurme, të lidhura kryesisht me trafikun, ndërtimet dhe aktivitetin urban intensiv. 

Monitorimi i Co-PLAN i realizuar në 13 pika të kryeqytetit nxori se nivelet më të larta të ndotjes akustike u regjistruan në Sheshin Italia me 72.2 decibel, pranë shkollës “Mihal Grameno” me 71.2 decibel dhe në Rrugën e Kavajës me 70 decibel. 

Edhe zona të tjera problematike si Pazari i Ri dhe Kryqëzimi i “21 Dhjetorit” regjistruan nivele deri në 69 dhe 68 decibel. 

OBSH

Sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekspozimi i vazhdueshëm mbi 55 decibel konsiderohet i dëmshëm për shëndetin dhe mirëqenien. Megjithatë, sipas monitorimit të Co-PLAN, edhe zona që rezultuan relativisht më pak të ekspozuara ndaj zhurmës, si Zogu i Zi, regjistruan vlera nga 56 deri në 58 decibel, mbi pragun e rekomanduar nga OBSH. 

Në një qytet si Tirana, ku ndërtimet janë të vazhdueshme dhe trafiku mbetet i rënduar në shumicën e akseve kryesore, problemi nuk mund të shihet më vetëm si bezdi urbane.

BE

Bashkimi Europian kërkon që shtetet të monitorojnë ndotjen akustike dhe të hartojnë plane për uljen e saj, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për ndikimin që zhurma ka në shëndetin fizik dhe mendor.

Por në Tiranë, ndërsa qyteti vazhdon të zgjerohet mes kantierëve, trafikut dhe betonit, qetësia mbetet gjithnjë e më e rrallë. 

Në shumë lagje, zhurma nuk ndalet as natën, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se pasojat vazhdojnë të grumbullohen në heshtje, në gjumin e fragmentuar, ankthin e përditshëm dhe lodhjen mendore të një qyteti që rrallë arrin të heshtë.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë

The post Mbi normat e OBSH, nga “Pazari i Ri” tek “21 Dhjetori”, zhurmat që po na “luajnë nga fiqiri” appeared first on Faktoje.al.

A është Shqipëria e para në prokurimet publike?

22 May 2026 at 18:00

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar sistemin e prokurimeve publike si ndër më të suksesshmit në rajon, madje në disa tregues edhe mbi BE-në. Por raportet e Komisionit Europian, SIGMA/OECD, Bankës Botërore dhe Transparency International tregojnë anën tjetër të medaljes. Konkurrencë ende e kufizuar, procedura jo plotësisht transparente dhe përqendrim i lartë i kontratave te një numër i vogël kompanish.

Esmeralda Topi

“Shqipëria është e para në rajon dhe me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në të gjithë treguesit e prokurimeve publike, ndërkohë që në disa indikatorë Shqipëria ndodhet mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian”, deklaroi kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar sistemin e prokurimeve në vend si një nga historitë më të suksesshme të reformave dhe digjitalizimit të shtetit shqiptar.

Referuar të dhënave zyrtare, Shqipëria raporton më pak procedura me një ofertues sesa mesatarja e Bashkimit Europian dhe në disa indikatorë teknikë rezulton mbi vendet e rajonit. Por balanca prishet kur këto të dhëna vendosen përballë raporteve të Komisioni Europian, SIGMA/OECD, Banka Botërore dhe Transparency International.

Të dhënat zyrtare

Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, rreth 23.5% e procedurave të prokurimit në Shqipëri zhvillohen me një ofertues, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian llogaritet mbi 32%. Në tenderët për punë publike, ky tregues zbret në rreth 12%.

Referuar këtyre indikatorëve, konkurrenca është përmirësuar në krahasim me vitet e mëparshme. Por këto statistika nuk mjaftojnë për të përshkruar cilësinë e sistemit.

Shqipëria ka një volum të lartë shpenzimesh publike që kalon përmes prokurimeve, me mbi 377 mijë procedura. Një analizë për periudhën 2014–2026 tregon se shteti shqiptar ka shpenzuar mbi 2,065 miliardë lekë në prokurime publike, ndërsa:

•             14.8% e procedurave janë zhvilluar me negocim pa shpallje paraprake;

•             20 kompanitë kryesore kanë përfituar rreth 58% të vlerës totale të kontratave;

•             Shqipëria ka nivelin më të lartë të prokurimeve publike si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto në rajon, me 16.5%.

Tregu i kontratave publike rezulton po ashtu i përqendruar. Dhjetë kompanitë kryesore përfituan 30.9% të vlerës totale të tenderëve, ndërsa analiza nxjerr në pah edhe raste të përsëritura dominimi nga kompani të caktuara pranë institucioneve të veçanta.

Edhe në krahasim me rajonin, ka dy anë të medaljes.

Serbia zhvillon 97.6% të procedurave në formë të hapur, ndërsa Shqipëria rreth 52.3%; Mali i Zi ka ulur procedurat me negocim pa publikim në rreth 5%, ndërsa Shqipëria qëndron në 14.8%; Maqedonia e Veriut është vlerësuar me “disa progres”, ndërsa për Shqipërinë Komisioni Europian ruan formulimin “progres i kufizuar”.

Kjo tregon se Shqipëria ka përmirësime në disa tregues, por mbetet prapa disa vendeve të rajonit në indikatorët kyç të transparencës dhe konkurrencës.

Raportet ndërkombëtare

Në kapitullin e prokurimeve publike, Komisioni Europian e mban Shqipërinë prej vitesh në kategorinë “mesatarisht e përgatitur”, pa ndryshime që nga viti 2018 në raportet e tij.

Edhe sipas vlerësimeve të SIGMA/OECD, Shqipëria kalon një volum të lartë fondesh publike përmes prokurimeve — rreth 16.5% të GDP-së, një ndër nivelet më të larta në Ballkanin Perëndimor. Tregues ky që interpretohet edhe si ekspozim më i madh ndaj riskut. Sa më shumë para kalojnë përmes sistemit të prokurimit, aq më kritike bëhet cilësia e kontrollit dhe transparencës.

Në të njëjtën kohë, SIGMA thekson se sistemi mbetet i fragmentuar, me përdorim të lartë të procedurave alternative dhe me zbatim të dobët të reformave, ku hendeku mes ligjit dhe praktikës vazhdon të jetë i dukshëm.

Edhe Banka Botërore identifikon probleme të përsëritura që lidhen me mënyrën se si funksionon sistemi në praktikë. Ndër to përmenden:

•             mbispecifikimi i kritereve të tenderëve, që kufizon konkurrencën reale,

•             ndryshime të kontratave pas nënshkrimit, që rrisin vlerën e projekteve pa garë të re,

•             si edhe raste të ndërhyrjeve politike në proceset e vlerësimit.

Në këtë tablo, Transparency International e vendos prokurimin publik në Shqipëri në kategorinë e sektorëve me risk të lartë korrupsioni. Një nga treguesit më domethënës është edhe ai i “flamujve të kuq”. Rreth 35% e tenderëve më të mëdhenj shfaqin shenja të mungesës së konkurrencës ose të rreziqeve procedurale, sipas monitorimeve të saj.

Biznesi dhe ekspertët

Në këtë kontekst, eksperti i financave publike Eduart Gjokutaj nga qendra ALTAX thekson për Faktoje se:“Korrupsioni në prokurimet publike përbën një nga burimet kryesore të humbjeve financiare për ekonominë shqiptare, duke deformuar konkurrencën, rritur kostot e investimeve dhe ulur cilësinë e shërbimeve publike.”

Ai shton se “vetëm nga prokurimet dhe shpenzimet publike të administruara nga pushteti qendror, vendor dhe kompanitë publike, kostoja e korrupsionit vlerësohet të arrijë deri në 470 milionë euro në vit”.

Nga ana tjetër, Konfederata e Industrive në Shqipëri, vlerëson se është vështirësuar pjesëmarrja e operatorëve të huaj në tendera.  

Konfindustria sjell si shembull dy tendera ndërkombëtarë për “Bypass-in e Elbasanit”, ku, sipas saj, kërkesa për ekuivalentim të licencave brenda afateve të ngushta krijon pengesa për pjesëmarrjen e operatorëve të huaj, duke kufizuar konkurrencën dhe rritur kostot e projekteve publike.

Në vlerësimin e tyre ky grupim biznesesh thotë se kufizimi i konkurrencës ndikon jo vetëm në rritjen e kostove të investimeve infrastrukturore, por edhe në cilësinë e punimeve dhe në përputhshmërinë me standardet europiane, duke prekur sektorë kyç si infrastruktura, energjia dhe teknologjia.

KLSH

Një auditim i Kontrollit të Lartë i Shtetit në Agjencinë e Prokurimit Publik nxjerr në pah se, përtej përmirësimeve teknologjike, sistemi vazhdon të përballet me mangësi institucionale dhe ligjore.

KLSH vëren mospërputhje mes ligjeve dhe akteve nënligjore për afatet e ankimimit në prokurimet e mbrojtjes dhe sigurisë, mungesë të dokumenteve standarde për ankandet publike, si dhe kritere që mund të kufizojnë pjesëmarrjen e biznesit të vogël.

Audituesit ngrenë si shqetësim faktin se Agjencia e Prokurimit nuk ka kryer asnjë hetim administrativ për kontratat koncesionare gjatë viteve 2021–2022, ndërsa sektori përgjegjës për PPP-të dhe koncesionet funksiononte me staf të paplotësuar dhe pa trajnime të specializuara.

Sipas KLSH-së, Agjencia e Prokurimit nuk ka përmbushur plotësisht detyrimin për të monitoruar procedurat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ndërsa u evidentuan edhe dobësi në arkivimin e dosjeve të tenderëve dhe në administrimin financiar.

Nisur nga këto gjetje, KLSH kërkon masa të menjëhershme për harmonizimin e legjislacionit, forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe rritjen e kontrollit mbi PPP-të, koncesionet dhe procedurat sensitive të prokurimit.

Përfundim

Deklarata e kryeministrit Edi Rama mbështetet në disa tregues që tregojnë përmirësim të sistemit të prokurimeve publike, veçanërisht në krahasim me mesataren e BE-së në indikatorë të veçantë.

Megjithatë, të dhënat e mbledhura tregojnë se konkurrenca mbetet e kufizuar; një pjesë e konsiderueshme e procedurave zhvillohet pa transparencë të plotë; tregu i prokurimeve është i përqendruar në një numër të vogël kompanish; dhe problemet strukturore janë të përsëritura prej më shumë se një dekade.

Ndaj, deklaratën e kryeministrit se ‘“Shqipëria është e para në rajon dhe me diferencë nga vendet e tjera të rajonit në të gjithë treguesit e prokurimeve publike, ndërkohë që në disa indikatorë Shqipëria ndodhet mbi mesataren e vendeve të Bashkimit Europian’, e kategorizojmë gjysmë të vërtetë.

The post A është Shqipëria e para në prokurimet publike? appeared first on Faktoje.al.

Pakt PS-PD, SPAK-ut i hiqen “spaletat”

21 May 2026 at 17:03

Nga Sebi Alla

Kreu i Prokurorisë së Posaçme SPAK nuk do të raportojë më në Kuvend, por vetëm para Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, të drejtuar aktualisht nga ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Me këtë propozim pozitë dhe opozitë u dakordësuan për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit, ku ndër çështjet që kaluan me “mirëkuptim”, ishte edhe ndryshimi në nenin 26 të dokumentit

Në pikën 7 të tij thuhet: “Në seancë plenare, institucionet kushtetuese, Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kryetari  Kontrollit të  Lartë të Shtetit,  paraqesin një përmbledhje të raportit jo më shumë se 10 minuta dhe më pas iu përgjigjen pyetjeve të deputetëve”. 

Në këtë mënyrë nga ky nen i rregullores së mëparshme të Kuvendit është hequr vetëm raportimi i drejtuesit të SPAK. 

Ndryshimet

SPAK përfshihej në institucionet kushtetuese të cilat raportojnë në Kuvend një herë në vit mbi bazën e analizës vjetore të punës, por edhe pyetjeve që mund të ngrihen nga deputetët për çështje të ndryshme. Me ndryshimet e fundit të bëra në “rregulloren e Kuvendit”, kreu i Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar do të paraqitet dhe japë “llogari” vetëm pranë Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. 

Ky komision drejtohet nga Ulsi Manja, nënkryetar Oerd Bylykbashi, sekretare Aurora Mara dhe anëtarët Ermal Pacaj, Olsi Komici, Zegjine Çaushi, Erjona Ismaili, Aulona Bylykbashi, Gent Strazimiri, Saimir Korreshi, Arjan Ndoja, Tedi Blushi dhe Tedi Mula. 

Deputeti i PD-së Saimir Korreshi tha se mazhoranca ka argumentuar se organet kushtetuese nuk raportojnë në Kuvend në vende të tjera të botës, ndërsa shtoi se, raportimet në komision mund të zhvillohen edhe me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve. 

“SPAK është parë si strukturë me ndjeshmëri të madhe dhe mund të raportojë në komision, që mund të jetë me dyer të mbyllura, ndërsa Kuvendi nuk mund të jetë me dyer të mbyllura”, deklaroi ai. 

Në këtë mënyrë pyetje- përgjigjet do jenë nga një grup i vogël deputetësh duke shmangur raportimin e gjatë dhe pyetjet që mund të bëheshin në Kuvend nga çdo deputet i interesuar.  

Kush “kap” SPAK-un? 

Në dy vitet e fundit ka pasur disa tentativa nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, që në kuadër të ndryshimeve ligjore, apo diskutimeve mbi kontrollin dhe nevojat e sistemit të ri të drejtësisë, të përfshihej në “llogaridhënie” para këtij komisioni edhe Prokuroria Speciale.

Në dy raste, nën drejtimin e Altin Dumanit dhe më vonë së fundmi në shkurt të këtij viti edhe nën drejtimin e Klodian Brahos, SPAK nuk pranoi të merrte pjesë në diskutime.

“Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse”, thuhej në qëndrimin e SPAK.

E njëjta linjë u ndoq edhe nga drejtuesi aktual Klodian Braho. 

Dy muaj më parë refuzuan praninë e anëtarëve të komisionit “Xhafaj” për vizitë monitorimi në këtë institucion.

“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme”, thuhej në qëndrimin e SPAK.

Përfundimisht komisioni “Xhafaj” nuk do të ketë akses në SPAK, por një nga institucionet e drejtësisë së re është kufizuar në raportim vetëm pranë komisionit “Manja” dhe jo në seancë të hapur Parlamentare. 

The post Pakt PS-PD, SPAK-ut i hiqen “spaletat” appeared first on Faktoje.al.

Nafta dhe plehrat kimikë, fermerët (s)punojnë tokën!

20 May 2026 at 13:31

Sebi Alla – Që në serbatorin e zetorit ai e “indekson” çmimin e rritur të naftës menjëherë pasi plugon, frezon, apo korr një ngastër toke. 

“Rritja e çmimit të naftës na detyroi automatikisht të rrisim çmimet për çdo shërbim që ofrojmë në bujqësi për fermerët”, thotë një i ri, teksa punon një ngastër toke në fshatin Barbas në Tiranë. 

“Është rritur nafta. Nuk mund t’i mbanim çmimet njësoj si vitin e kaluar, dilnim me humbje” e pret shkurt ai, duke mos pranuar të identifikohet, ndërsa vijon se nga viti në vit sheh që ulet sipërfaqja e tokës së punuar, veçanërisht në kulturën e drithrave. 

Ndërsa çmimi i naftës njeh ulje por edhe ngritje të lehta sipas ditëve, Parlamenti miratoi pak kohë më parë aktin normativ për akcizën e naftës me 85 vota pro dhe 25 kundër. 

Akti normativ parashikon uljen e akcizës me 20% sa herë çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe i benzinës mbi 200 lekë litri. 

Megjithatë, kjo nismë nuk pritet të ndikojë drejtpërdrejtë në kostot e larta në sektorin bujqësor. 

Zhdukja e naftës falas

Në skemën kombëtare të mbështetjes për bujqësinë këtë vit në mënyrë të beftë u hoq mbështetja për naftë falas për fermerët. Heqja e kësaj skeme mbështetëse korrespondoi me rritjen e ndjeshme të çmimit të naftës, duke kapur aktualisht vlerën deri në 205 lekë litri. “Skema e naftës është skemë për ulje kosto prodhimi dhe është mbështetur me buxhet të drejtpërdrejtë për fermerin, me skemën e re është gjithëpërfshirëse ku mbulohen të gjithë fermerët në uljen e kostos së prodhimit”, tha ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla. 

Sipas tij, heqja e skemës së naftës falas për fermerët që punonin mbi 1 hektarë tokë, nuk ndikon në rritje të kostove, pasi skema mbështetëse është shpërndarë në forma të tjera, kryesisht në blegtori. 

Por si kanë ndryshuar çmimet?

Për punimin, frezimin apo mbjelljen e një hektari tokë bujqësore, kosto është rritur në mënyrë të ndjeshme. “Vitin e kaluar një hektarë tokë punim dhe frezim shkonte 45.000 lekë (të reja), ndërsa aktualisht me rritjen e çmimit të naftës jemi të detyruar ta rrisim me të paktën 60-65 mijë lekë të reja (në varësi të çmimit ditor të naftës)” pohon zetoristi.

Përveç çmimit të naftës rritje e ndjeshme pati edhe për plehrat kimikë, të domosdoshëm në këtë fazë të bujqësisë. Një kuintal pleh kimik ure nga 5500 lekë ka shkuar në 6500 lekë; një kuintal nitrat nga 4500 në 6000 lekë; ndërsa një kuintal dap (ushqyes bimësh) nga 8500 në 9600 lekë. 

Kosto edhe në blegtori

Në skemën mbështetëse të ndryshuar për vitin 2026, sektori i blegtorisë ka një lloj prioriteti, kjo në ndihmën direkte për krerë bagëti (të imta dhe gjedhë). 

Për ferma me mbi 50 kokë bagëti (dele dhe dhi) fermerët mund të aplikojnë për subvencionim në vlerën deri në 12 000 krerë; për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë dhe/ose mëshqerra. Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Shoqëri të bashkëpunimit bujqësor. 

Në vlerën deri në 1 500 lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) krerë dele dhen/ose dhi. Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”. 

Efektet 

Pavarësisht përgjysmimit të numrit të krerëve për tufë (nga 100 që ishte në 50 për të imtat dhe nga 10 lopë në pesë), që përfitojnë nga kjo skemë ka rritje të kostove të ushqimit bazë më sektorin blegtoral. Për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe plehrave kimikë misri dhe jonxha (dy prodktet bazë) blihet më shtrenjtë nga fermerët, por njëkohësisht kanë edhe koston e prodhimit më të lartë nëse e sigurojnë vetë. 

Një deng bar nga 350 lekë kosto, (kositje, mbledhje) që ishte vitin e kaluar, ka shkuar në 450-500 lekë, pa përfshirë transportin, nga fusha deri në stallë. 

Përfundimi

Deklaratën e Ministrit të Bujqësisë që heqja e skemës së përfitimit të naftës falas për fermerët nuk ndikon drejtëpërdrejtë, pasi sipas tij skema mbështetëse është shtrirë në sektorë të tjerë (subvencionim me shpërndarje e skemës mbështetëse), do e konsiderojmë të pavërtetë.

The post Nafta dhe plehrat kimikë, fermerët (s)punojnë tokën! appeared first on Faktoje.al.

Pas datës 20 të çdo muaji s’ka analiza për të sëmurët kronikë…(me disa përjashtime)

19 May 2026 at 15:46

Nga Armand Braho 

33 vjeçari Bledi Orhani, nga Pogradeci, është pacient kronik i transplantimit të veshkës. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, rruga e tij është e mbushur me pengesa.

40 kilometra (kryesisht) me transport publik drejt Korçës, pritje të gjata në radhë, burokraci për analizat dhe, në fund refuzim i shërbimit kur paraqitet pas datës 20 të muajit.  Arsyeja? “Nuk ka sistem” për shkak të buxhetit të limituar.

“Kam pasur vështirësi dhe shumë vonesa në kryerjen e analizave. Unë jam pacient kronik dhe analizat i kam periodike. Procedurat për të shkuar deri te dhënia e gjakut kanë shumë hapa burokratike për një pacient që në sistem figuron si pacient kronik. Duhet të marr rekomandim te mjeku i familjes dhe të referohem te specialisti në poliklinikën e Korçës, ku ka radhë të gjata dhe vonesa përtej orareve të përcaktuara.

Më pas marr formularin e analizave dhe duhet të paraqitem në recepsion për caktimin e datës, si dhe të siguroj vulat përkatëse për vlefshmërinë e tij. Edhe ditën e analizave duhet të pres sërish në radhë për procedura formale, pa të cilat nuk mund të kryhen analizat.

Në rastet kur data e analizave bie pas datës 20 të muajit, më është thënë se nuk ka sistem dhe analizat nuk kryhen. Për këtë arsye, më është dashur të shtyj analizat për një datë tjetër, shpesh duke kaluar sërish në të njëjtin cikël pritjeje dhe procedurash… “, thotë për Faktoje, Bledi Orhani.

Ne foto: Poliklinka e Specialiteteve Korçe

“Nëse nuk jam me fat të shkoj që ditën e parë të caktuar, duhet të vij një ditë tjetër, e cila ka rastisur të jetë po pas datës 20 të muajit, dhe më ka ndodhur të qëndroj deri në 4 muaj pa i kryer analizat.

Përgjigjja që më është thënë, se ‘nuk ka sistem’, nuk më është dukur normale dhe, pasi kam insistuar të di çfarë ndodh duke pyetur në laborator dhe në recepsion, më është thënë që analizat nuk kryhen pas datës 20, pasi buxheti i analizave është i limituar dhe pas datës 20 nuk kryhet asnjë analizë”, vijon ai

Analizat mjekësore për të riun janë të rëndësishme për mbikëqyrjen e shëndetit të tij në fazën post-transplant, ndërkohë që në raste specifike është dashur që ai të kryejë brenda një kohe të kufizuar të njëjtat analiza, pasi duhet të konsultohej me mjekun kur ai ka ndjerë shqetësime.

Tarifat e shtrenjta për shërbime e kanë ndaluar këtë të fundit t’i drejtohet klinikave private.

“…Një herë tjetër më ka ndodhur të kisha një problem tjetër shëndetësor dhe duhej të kryeja analiza për të parë nëse ai problem shkaktohej nga mjekimi, por më është dashur të pres nga muaji gusht deri në muajin nëntor për t’i kryer analizat, duke rrezikuar seriozisht shëndetin. Kam pyetur për t’i kryer analizat në klinika private, por nuk kam mundur, pasi çmimi ka qenë shumë i lartë”, shprehet ai

Qëndrime të ndryshme

Në një konferencë për mediat në datën 26 mars 2026, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala tha se ka kufizim të aksesit për analiza mjekësore, por që, sipas saj, çështja do të adresohet dhe zgjidhet brenda vitit.

“Aktualisht një nga metodat është mbledhja e të dhënave dhe mbi bazën e të dhënave bëhet planifikimi i shërbimit. Prandaj mbledhja e të dhënave, kemi mbledhur të dhëna për të parë sepse nuk duhet të mungojnë analizat jo vetëm në datën 20 por dhe në datën 30. Këtë po e adresojmë dhe do e zgjidhim brenda këtij viti”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë Evis Sala

Por vetëm pak kohë më vonë, në seancën parlamentare të 23 prillit, ministrja ndryshoi qëndrim.

Sipas saj,  vetëm në disa raste mund të shtyhen analizat rutinë, dhe se ky proces nuk cenon nevojat e pacientëve.

“Në raste të caktuara mund të shtyhen disa analiza rutinë, por në asnjë rast nuk cenohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit. Pra, çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje”, u shpreh ajo

Kërkesa

Faktoje i është drejtuar me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, mbi problematikën e mosrealizimit të analizave pas datës 20 të çdo muaji.

“Nuk ekziston asnjë kufizim në kryerjen e analizave laboratorike në fund të muajit në Qarkun e Korçës.

Analizat laboratorike vazhdojnë të ofrohen përgjatë gjithë muajit, duke pasur si më prioritare rastet urgjente.

Analizat laboratorike financohen nga spitalet, të cilat operojnë mbi bazën e tavaneve buxhetore. Vështirësi në kryerje paraqesin kryesisht analizat e planifikuara, për shkak të rritjes së numrit të pacientëve dhe menaxhimit të kërkesave.

Buxheti për kryerjen e analizave laboratorike përcaktohet nga FSDKSH dhe MSHMS. Nuk rezulton asnjë ankesë e depozituar nga pacientët lidhur me moskryerjen e analizave. Sqarojmë se, me rritjen e nevojave, vlerësojmë edhe sasinë e analizave laboratorike që do të kryhen, si dhe rritjen e buxhetit, duke qenë se shërbimi funksionon sipas parimit ‘pay per use”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në të njëjtën linjë është edhe Spitali Rajonal në Korçë, ku njofton se vetëm për muajin Mars 2026, janë kryer 19.138 teste laboratorike me një total vlere prej 7.681.000 lekësh, ose me një mesatare kostoje për pacientë prej 401.36 lekë.

Në prioritetin për kryerjen e analizave laboratorike janë rastet të cilat paraqiten pranë urgjencës spitalore edhe pacientët me sëmundshmëri të rënda.

“Për pacientët ambulatorë por që kanë sëmundshmëri të rënda të cilat kërkojnë në kohë dhe me urgjencë rastet laboratorike (pacientët onkologjike, pacientët parakirurgjikale.. etj) gjithmonë shërbimi jepet me prioritet dhe në kohën e duhur

Për të gjithë pacientët e tjerë ambulatorë jepet shërbimi brenda 20 ditëve të para të çdo muaji”, thuhet në përgjigjen për “Faktoje” nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Korçë.  

Pse ndodh?

Alma Lahe nga organizata “Together for Life” analizon se problematika është e mbartur që nga momenti i lidhjes së koncesionit mes spitaleve dhe kontraktorit.

“Problematika e ka burimin që në ideimin e koncesionit dhe deri në lidhjen e kontratës në shkelje ligjore, e deri tek mungesa e monitorimit në implementimin e koncesionarit.

Numri i analizave të kryera në muaj nga koncesionari nuk bazohen, ashtu siç do të duhej të ndodhte, tek tek nevojat klinike të pacientëve, por kushtëzohen nga buxheti i parashikuar paraprakisht për spitalet të cilat nuk mund të kryejnë më shumë analiza nga sa buxhet kanë. Sigurisht që probleme të tilla nuk ka pasur kur ky shërbim ofrohej nga vetë spitalet.

Pra, ky koncesion jo vetëm që nuk ia doli të realizojë qëllimin për të cilin u ngrit, por, nga të gjitha raportet rezulton se ka krijuar problematika të reja, duke ndikuar negativisht në aksesin e pacientëve në një shërbim kaq të rëndësishëm si ai i kryerjes së analizave”, shpjegoi për Faktoje, Alma Lahe, kryeredaktore e “Together For Life”

Pasojat e kësaj situate më së shumti i vuajnë të sëmurët kronikë, ndërsa situata bëhet më kritike kur kjo problematikë është e njëjtë në të gjithë spitalet universitare dhe rajonale në vend, thekson Lahe.

“Urgjentisht duhet të kryhet rishikimi i i menjëhershëm i modelit të ofrimit të shërbimit. Tashmë është e provuar që modeli i kontratave koncesionare në sistemin shëndetësor rezulton i dështuar me pasoja të rënda si në buxhetin e shtetit, ashtu edhe në vetë shërbimet.

Meqë kjo kontratë ka përfunduar dhe deri në fund të vitit pritet të përfundojnë të katër kontratat koncesionare, do të duhej që Ministria e Shëndetësisë të merrte masa që shërbimet të vazhdojnë të rimodeluara si shërbime publike”,  nënvizon  Alma Lahe (Together for Life). 

The post Pas datës 20 të çdo muaji s’ka analiza për të sëmurët kronikë…(me disa përjashtime) appeared first on Faktoje.al.

Media përballë presionit ekonomik, kërcënimeve dhe dezinformimit

18 May 2026 at 13:59

Liria e medias në Shqipëri mbetet nën presion, sipas përfaqësuesve të OSBE-së në Konferencën për Median në Evropën Juglindore në Tiranë. Ata theksuan rreziqet për sigurinë e gazetarëve, presionet ekonomike dhe fushatat denigruese online, duke nënvizuar se pa siguri nuk ka media të lirë.

Sebi Alla

“…sfidat ndaj lirisë së medias në Shqipëri mbeten dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Këto përfshijnë shqetësime që lidhen me sigurinë e gazetarëve, presionet ekonomike që ndikojnë në qëndrueshmërinë e mediave të pavarura, si dhe intimidimin dhe fushatat denigruese në internet”.

Kështu deklaroi Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, në Konferencën për Median në Evropën Juglindore, të mbajtur sot në Tiranë, e organizuar nga prezenca e OSBE në vendin tonë. Në takim morën pjesë përfaqësues të OSBE, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, si dhe përfaqësues të medias në Shqipëri dhe Europën Juglindore.

Mbrojtja ligjore

I pranishëm në konferencë ishte edhe përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Jan Braathu, i cili në fjalën e tij theksoi se gazetarët po përballen me kërcënime.

“Vetë gazetarët po përballen me rritje të kërcënimeve. Liria e medias është themeli i demokracisë. Gazetaria si e mirë publike është thelbësore. Është me rëndësi që të diskutohet lidhur me këtë çështje. Pas sigurinë nuk ka gazetarë të lirë, nuk ka media të lirë. Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhet të kalojnë pa u ndëshkuar”, u shpreh ai.

Ndërsa ambasadori Tarran theksoi se pavarësia editoriale dhe mbrojtja ligjore për gazetarët janë pikë kyçe për median e lirë.

“Nevojiten, gjithashtu, përpjekje të mëtejshme për të forcuar transparencën, pavarësinë editoriale dhe zbatimin e qëndrueshëm të mbrojtjeve ligjore, duke mbështetur njëkohësisht kushte që u mundësojnë gazetarëve të respektojnë standardet më të larta profesionale, etike dhe të raportimit të paanshëm. Angazhimi konstruktiv i vazhdueshëm i të gjithë aktorëve do të jetë thelbësor për adresimin e këtyre çështjeve në përputhje me angazhimet demokratike të Shqipërisë dhe standardet ndërkombëtare”, tha Tarran.

Përmirësimet

Duke u nisur konkretisht për rastin e Shqipërisë, ambadadori Tarran në fjalën e tij përmendi disa arritje që lidhen kryesisht më një sektor të veçantë të krijuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për verifikimin dhe hetimin e kërcënimeve ndaj gazetarëve, por edhe përmirësimin e kuadrit ligjor.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka krijuar një pikë kontakti për sigurinë e gazetarëve, e cila, së bashku me disa ndryshime ligjore, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së profesionistëve të medias”, theksoi kreu i OSBE në vendin tonë, Michel Tarran.

The post Media përballë presionit ekonomik, kërcënimeve dhe dezinformimit appeared first on Faktoje.al.

Vetëvrasjet, drama mes ekonomisë, vetmisë dhe bullizimit

15 May 2026 at 15:25

Rreth 200 jetë humben çdo vit nga vetëvrasja në Shqipëri. Pas shifrave fshihen histori ankthi, presioni ekonomik, bullizimi dhe vetmie. Një fenomen që po prek të gjitha moshat, nga adoleshentët te të moshuarit dhe mbetet sfidë e heshtur për shoqërinë.

Nga Sebi Alla

Dy ditë më parë, në Shkodër, një 27-vjeçar, B.S., i dha fund jetës në mënyrë tragjike, duke u shtuar si viktima më e fundit e këtij fenomeni në rritje në vend. Të dhënat ndër vite për vetëvrasjet në Shqipëri mbeten shqetësuese. Sipas INSTAT, shkalla e vdekjeve nga vetëvrasja varion nga 7.8 në 8.2 raste për 100 mijë banorë, çka përkthehet në rreth 190–210 raste në vit.

“Vetëvrasjet janë plagë e madhe e shoqërisë, e cila nuk duhet trajtuar vetëm si statistikë, por duhet të evidentohen shkaqet e tyre dhe të merren masa serioze”, thotë për Faktoje, sociologu, profesor Gëzim Tushi.

Statistikat

Sipas të dhënave të INSTAT të mbledhura pranë zyrave të gjendjes civile në të gjithë vendin, në vitin 2020 janë regjistruar 215 vetëvrasje, në 2021 218 raste, në 2022 193 raste, ndërsa në 2023 180 raste. Tre vitet përkojnë me periudhën e pandemisë COVID-19, e cila u shoqërua me rritje të ankthit dhe depresionit në popullatë, ndërsa luhatjet e mëvonshme tregojnë se fenomeni mbetet i paqëndrueshëm dhe ende shqetësues.

Në vitin 2024 numri rritet sërish në 199 raste, duke shënuar një rritje rreth 10.6% krahasuar me 2023. Kjo rritje tregon se plagët e pandemisë nuk janë shëruar plotësisht. Ankthi, pasiguria ekonomike dhe mungesa e shërbimeve të mjaftueshme për shëndetin mendor vazhdojnë të ndikojnë në mënyrë të heshtur.

Burimi:INSTAT
Adoleshenca dhe rinia

Duke analizuar grupmoshat e prekura nga ky fenomen, vihet re se ai shtrihet nga adoleshenca deri tek moshat e treta. “Fenomeni i suiçidit (vetëvrasjes) është i përhapur si nga pikëpamja gjeografike, ashtu edhe moshore. Preken të gjitha shtresat e shoqërisë, si në zonat rurale, ashtu edhe urbane”, thotë prof. Tushi.

Sipas tij, mosha me rrezik të lartë të vetëvrasjeve është ajo e adoleshencës. “Është një moshë që futet në trekëndëshin trup–shpirt–seks. Adoleshentët ndihen më të rritur dhe kalojnë fazën e tranzicionit nga fëmijëria në adoleshencë, e cila në disa raste shoqërohet me ankth dhe pasiguri”, shpjegon ai.

Përtej ndryshimeve fizike dhe biologjike, Tushi thekson se faktorët socialë luajnë rol të rëndësishëm. “Tek moshat adoleshente, shtimi i ankthit, depresionit apo përjetimi i ngjarjeve lidhet me dobësimin e rolit edukativ në familje dhe shoqëri, mungesën e prindërimit të duhur, por edhe me fenomenin në rritje të bullizmit, i cili mund të çojë në vetëvrasje në këtë moshë delikate”, thekson sociologu.

Të ndryshme janë specifikat e shkaqeve të vetëflijimit tek moshët e reja 20-44 vjeç që lidhet me kulmin e moshës së rinisë e cila ka dëshira, objektiva dhe synime. “Kjo periudhë shoqërohet me ankth, depresion dhe pasiguri. Të rinjtë janë nën presionin e aspektit material dhe të suksesit social. Në shoqërinë e sotme i kushtohet rëndësi e madhe dukjes dhe mirëqenies materiale”, thotë Tushi.

Sipas tij, krahasimi me të tjerët dhe pamundësia për të përmbushur objektivat personale mund të ndikojnë ndjeshëm në gjendjen psikologjike. “Për një pjesë, kjo sjell ankth dhe depresion të thellë, që në raste ekstreme mund të përfundojë në vetëvrasje ose tentativa për vetëvrasje”, pohon ai.

Vetmia “godet” të moshuarit

Fenomeni i braktisjes së të moshuarve në dekadën e fundit është bërë gjithnjë e më i pranishëm në çdo zonë të vendit. Emigrimi, migrimi i brendshëm, por edhe shkëputja nga familja në emër të “modernizimit” kanë sjellë pasoja të ndjeshme për këtë shtresë të popullsisë.

“Vetmia është plagë e madhe sociale tek moshat e treta. Sipas studimeve që kam bërë, rreth 31 mijë të moshuar në të gjithë vendin jetojnë të vetmuar”, thotë Tushi.

Sipas tij, largimi i fëmijëve dhe të afërmve për shkak të emigrimit, por edhe një ndryshim i mënyrës së jetesës brenda familjes, ka rritur ndjeshëm numrin e të moshuarve që jetojnë vetëm. “Në emër të modernizimit, shumë familje të reja shkëputen nga struktura tradicionale dhe krijojnë një jetë të pavarur, duke lënë të moshuarit vetëm”, shpjegon ai.

“Ndërsa jetojnë vetëm, të moshuarit përballen kryesisht me izolim dhe shkëputje sociale. Po ashtu, humbja e bashkëshortit apo bashkëshortes është një traumë e madhe për ta”, shton Tushi.

Sipas tij, këta faktorë e thellojnë ndjeshëm vulnerabilitetin e kësaj grupmoshe. “Po shohim gjithnjë e më shumë raste të të moshuarve që kryejnë vetëvrasje”, përfundon sociologu.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë.

The post Vetëvrasjet, drama mes ekonomisë, vetmisë dhe bullizimit appeared first on Faktoje.al.

❌