Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

OSBE vlerëson profesionalizmin e KQZ-së, PZAP-së dhe Policisë në organizimin e zgjedhjeve

30 December 2025 at 21:19


Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, ka vlerësuar si të rëndësishme dhe profesionale punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe të Policisë së Kosovës në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në një postim në rrjetin “X”, ambasadori McGurk tha se këto institucione punuan në mënyrë profesionale, efikase dhe të sigurt.

“Ndërsa procesi i numërimit është ende në vazhdim, puna e tyre mbetet thelbësore për qëndrueshmërinë demokratike të Kosovës dhe besimin e publikut”- ka shkruar ai.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të kandidatëve për deputetë si dhe verifikimin e votave për partitë politike në gjashtë Qendra Komunale të Numërimit.

KQZ më 30.12.2025 ka procesuar 100 për qind të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, vota të numëruara në vendvotime.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ-ja, fituese e zgjedhjeve të së dielës është Lëvizja Vetëvendosje me 433 mijë e 394 vota.

Partia Demokratike e Kosovës radhitet e dyta me 184 mijë e 318 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës nga ana tjetër ka siguruar 119 mijë e 201 vota.

Teksa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marr gjithsej 49 mijë e 698 vota.

Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues në Listën Votuese.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086

OSBE: Shqipëria përparime në politikat për të drejtat e të moshuarve

16 December 2025 at 16:51

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Prezenca e OSBE-së në vendin tonë prezantoi sot gjetjet dhe rekomandimet e vlerësimit mbi të drejtat e njeriut të personave të moshuar, me fokus në aksesin në shërbime dhe ndikimin e digjitalizimit.

Sipas OSBE, vendi ynë ka shënuar përparime në politikat për mbrojtjen e të drejtave të personave të moshuar, ndërsa thekson nevojën për ngushtimin e hendekut midis kuadrit politik dhe zbatimit praktik.

Vlerësimi i realizuar nga shtatori 2024 deri në nëntor 2025, shqyrtoi aksesin e të moshuarve në shërbimet sociale dhe ndikimin e mjeteve digjitale në të drejtat e tyre. Ai u mbështet në vizita në terren, konsultime, vëzhgime të drejtpërdrejta dhe diskutime me autoritetet vendore dhe shoqërinë civile, në të 12 qarqet e Shqipërisë. Raporti thekson prirjet kryesore, sfidat dhe rekomandimet për forcimin e zbatimit të politikave, ofrimit të shërbimeve, përfshirjes digjitale dhe bashkërendimit institucional.

“Me gati 20% të popullsisë të moshës 65 vjeç e lart dhe me gratë e moshuara që përbëjnë shumicën, është thelbësore të sigurohet që politikat publike dhe shërbimet t’u përgjigjen në mënyrë efektive të drejtave dhe nevojave në rritje të kësaj kategorie demografike”, tha ambasadori Michel Tarran, kryetar i Prezencës së OSBE-së, në hapje të takimit.

Shqipëria, shtoi ai, ka bërë përparime të rëndësishme në krijimin e kuadrit ligjor dhe të politikave për të drejtat e të moshuarve.

“Megjithatë, nevojiten përpjekje të vazhdueshme dhe të bashkërenduara për të ngushtuar hendekun midis politikave dhe praktikës”, shtoi ai.

Veprimtaria mblodhi aktorë kyç nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, institucionet kombëtare të drejtave të njeriut, Ndihma Juridike Falas dhe shoqëria civile, për të diskutuar gjetjet dhe për të eksploruar mënyra për mbrojtjen më të mirë të drejtave të personave të moshuar në Shqipëri.

Prezantimi shërben si pikënisje për dialog, monitorim të vazhdueshëm dhe veprim të përbashkët për të mbështetur mirëqenien e të moshuarve në të gjithë vendin.

OSBE, prezanton vlerësimin 2-vjeçar për drejtat e te moshuarve në Shqipëri – Florian Abazaj
1 nga 5
OSBE, prezanton vlerësimin 2-vjeçar për drejtat e te moshuarve në Shqipëri – Florian Abazaj

/a.gj/a.f/r.e/

The post OSBE: Shqipëria përparime në politikat për të drejtat e të moshuarve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rexhepi alarmon OSBE-në: Shqiptarët në Luginë përballen me bllokim fondesh, pasivizim adresash dhe krizë sigurie

11 December 2025 at 21:19


Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi ka thënë se sot shefit të OSBE-së në Serbi, Marcel Peshko ia paraqitën sfidat me të cilat po përballen shqiptarët në Luginë.

Rexhepi ka thënë se situata nuk është teknike, por prek përfaqësimin tonë institucional, sigurinë dhe të drejtat themelore.

“Theksuam bllokimin e 304,511.16 eurove të dedikuara për KKSH-në, refuzuar tri herë pa asnjë arsye, megjithëse 35,448 tekste tashmë janë shpërndarë dhe 3,650 nxënës i përdorin çdo ditë. Kjo është goditje e drejtpërdrejtë ndaj institucionit tonë”, ka bërë të ditur Rexhepi.

Tutje, kreu u Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka thënë se me shefin e OSBE-së në Serbi kanë diskutuar edhe dëmin nga bllokimi i subvencioneve bujqësore, mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve në polici dhe krizën e sigurisë që kjo sjell. Ai ka thënë se policia multietnike është urgjencë.

Gjithashtu ai ka thënë se me Peshkon, kanë folur edhe për masivizimin e adresave e mos njohjen e diplomave nga Serbia.

“Theksuam dy plagët më të rënda që po prekin jetën e njerëzve çdo ditë. Pasivizimi i adresave që po zhvendos artificialisht popullsinë shqiptare. Mospërfillja e njohjes së diplomave, që i privon të rinjtë tanë nga puna dhe profesioni për të cilin janë kualifikuar”, tha ai.

Ka treguar se kanë kërkuar trajtim urgjent të pasivizimit dhe njohjes së diplomave. Realizimin e Planit 7 pikësh dhe Planit Aksional për punësimin e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore në nivel lokal, si dokumente bazë për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve.

Rexhepi thotë se bashkëpunimi institucional mes KKSH-së dhe OSBE-së mbetet thelbësor.


AGK dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë vlerësojnë punën e gazetarëve me Çmimet Vjetore të Gazetarisë 2025

10 December 2025 at 20:53


Misioni i OSBE-së së bashku me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe partnerë të tjerë, ndanë sot Çmimet Vjetore të Gazetarisë për vitin 2025.

Kjo ngjarje vlerëson rolin thelbësor të gazetarëve në ruajtjen e vlerave demokratike, duke njohur guximin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre për informimin e publikut dhe forcimin e besimit në media.

Çmimet përfshijnë disa kategori - me çmimin Gazetar i vitit si kategori kryesore - dhe vënë në pah raportimet që sfidojnë dezinformimin, që u japin hapësirë zërave të margjinalizuar dhe që ndajnë tregime që bashkojnë komunitetet duke promovuar transparencën, llogaridhënien dhe të drejtat e njeriut.

“Storiet e sontme na shfaqin gazetarinë në formën e saj më të mirë, si dhe gazetarë që kanë treguar përkushtimin e tyre për të informuar publikun përgjatë pasigurive duke sfiduar dezinformimin dhe duke i ndihmuar njerëzit të kuptojnë ngjarjet që formësojnë jetët e tyre,” tha Ambasadori Gerard McGurk, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, duke i dhuruar çmimin Gazetari i Vitit Agon Sinanajt nga portali Buletini Ekonomik.

"Vlerësimi i ekselencës nxit standarde të larta, inovacion dhe raportim etik që janë jashtëzakonisht të rëndësishme në një kohë kur gazetarët vazhdojnë të përballen me kërcënime, ngacmime online, presion politik dhe sfida ekonomike," shtoi ai.

Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të AGK-së, tha: “Jemi shumë të kënaqur që edhe një herë po shpërblejmë dhe vlerësojmë, tani për të pestin vit radhazi, më të mirët midis një grupi të fortë gazetarësh profesionistë dhe të përkushtuar. Me mbi njëqind storie në konkurrencë, artikujt fitues përfshijnë hetime mbi skandalet e korrupsionit, keqpërdorimin e detyrës publike, si dhe histori frymëzuese të njerëzve të zakonshëm që bëjnë ndryshimin në komunitetet e tyre për tema dhe në fusha të ndryshme.”

“Kjo ceremoni shërben si një kujtesë për rolin thelbësor që luajnë gazetarët dhe mediat në një demokraci të re dhe të gjallë si Kosova”, shtoi Resxha.

Kategoritë tjera të çmimeve janë: Kameramani i vitit, Raportimi për fuqizimin e grave, Raportimi mbi Antigjipsizmin, Gazetaria e senzibilizuar ndaj konfliktit dhe ballafaqimi me të kaluarën, Raportimi për punëtorët migrantë, Raportimi për të drejtat e punëtorëve, Raportimi për shëndetin mendor, Raportimi për ndërtimin e paqes dhe besimit, dhe Raportimi mbi ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Misioni i OSBE-së ka mbështetur fuqishëm këto çmime gjatë pesë viteve të kaluara, duke forcuar angazhimin për lirinë e mediave, standardet e larta dhe raportimin etik. Misioni i uron përzemërsisht të gjithë fituesit dhe të nominuarit për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në gazetari.

Tarran për pezullimin e Ballukut: Presim vendimin e Kushtetueses, s’kam dëgjuar raste të tilla në vendet ku kam jetuar e punuar

5 December 2025 at 22:18

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, deklaroi sot se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese sa i takon rastit të pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

I pyetur në një intervistë televizive për pezullimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku nga Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ambasadori Tarran, tha se vendimmarrja i takon organeve kompetente.

Sipas tij, pas adresimit të kësaj çështje për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, duhet të pritet se çfarë do të ndodhë.

“Unë jam diplomat dhe do të përgjigjem në mënyrë diplomatike. Nuk do të habiteni. Vetëm do të them që Kryeministri e ka adresuar në Gjykatën Kushtetuese”, tha Tarran.

“Duhet të presim çfarë do të thotë. Do të lexojmë, sigurisht do të interesohemi. Është situatë e re dhe duhet të shikojmë çfarë ndodh. Nuk hyn në mandatin tim të adresoj këtë çështje. Nuk do të bëj koment, vetëm të presim çfarë do të thonë autoritetet kompetente”, tha ambasadori i OSBE-së.

I pyetur nëse është ky rasti i parë në Europë, ai tha se me sa di ai po, dhe se nuk ka dëgjuar një rast të tillë në vendet ku jetonte dhe punonte.

“Me sa di unë, po. Nuk kam dëgjuar një rast të tillë në vendet ku jetoja dhe punoja”, tha ambasadori Tarran.

Sa i takon nivelit të korrupsionit në Shqipëri, ambasadori i OSBE-së tha se, të gjithë bien dakord që ky është problem kryesor dhe pengesë për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE-së.

“Shqipëria nuk do të bëhet anëtare e BE nëse nuk do të zgjidhë, ndoshta jo të gjithën, por një pjesë të madhe të problemit të korrupsionit që ekziston në nivele të ndryshme në vendin tuaj. Korrupsioni nuk ekziston vetëm këtu, por në Shqipëri është në një shkallë të veçantë. Situata me korrupsionin është shqetësuese në çdo nivel”, tha ambasadori i OSBE-së.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Tarran për pezullimin e Ballukut: Presim vendimin e Kushtetueses, s’kam dëgjuar raste të tilla në vendet ku kam jetuar e punuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tarran: OSBE do të ndihmojë Komisionin për Reformën Zgjedhore

5 December 2025 at 21:56

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran ka folur për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.

Në një intervistë televizive ai tha se, OSBE ka mandat për të ndihmuar institucionet shqiptare, për të përmirësuar sistemin zgjedhor.

“OSBE është një organizatë e gjerë. ODIHR ka një mandat për vëzhgimin e zgjedhjeve, OSBE nuk e ka një mandat të tillë. Ne kemi mandat për të ndihmuar institucionet shqiptare, për të përmirësuar sistemin zgjedhor, por nuk merremi në prezencë me vëzhgimin e zgjedhjeve. Mendoj që nuk është problem i vetëm në Shqipëri. Ka akoma probleme që vërtetë duhet të merret Shqipëria, ODIHR dhe ne si OSBE jemi këtu për t’ju ndihmuar”, tha ai.

Në lidhje me pretendimet e opozitës për zgjedhjet e 11 majit, të cilat i quan farsë elektorale, ambasadori i OSBE-së tha se fajin që rekomandimet e OSBE/ODIIHR nuk zbatohen, është i spektrit politik shqiptar.

“Mendoj që përgjigjja e pyetjes ndodhet në raportin që është bërë publik dhe mund ta lexoni. Ky raport nuk është bërë për të hyrë në debatin politik të brendshëm. Si e përdorin aktorët politikë këtu është rregulli i lojës, është problem i tyre. Ne si organizatë, një raport të tillë e bëjmë për të ndihmuar, për të treguar çfarë problemesh kemi identifikuar, çfarë zgjedhjesh mund të përdoren për të rregulluar këto probleme. Ne punojmë duke mos hyrë në debatin politik të brendshëm”, tha ai.

“Raporti fillon duke thënë: Zgjedhjet janë organizuar në mënyrë shumë profesionale, duke respektuar pluralitetin e skenës politike, por ka akoma problem siç është avantazhi i atyre kandidatëve që tashmë janë në pozicione të ndryshme”, tha ai.

“Dua t’ju them që me të vërtetë ky problem ekziston kudo ku një kandidat është në post dhe ka një avantazh me kandidatët e tjerë që vijnë. Shpresoj që me rekomandimet e ODIHR, disa marra do të merren, për shembull legjislacioni, si duhet të kufizohet përdorimi i administratës publike nga ata kandidatë që janë në pozicione të ndryshme”, tha ai.

Tarran theksoi se ka ende punë për të bërë.

“Mua më duket që hapi i parë është bërë, krijimi i komisionit bipartizan për Reformën Zgjedhore dhe kanë kërkuar ndihmën tonë dhe sigurisht që do të ndihmojmë edhe për legjislacionin”, u shpreh ambasadori i OSBE.

I pyetur se e kujt është përgjegjësia që rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për Reformën Zgjedhore nuk zbatohen ose zbatohen pjesërisht, Tarran tha se, është faji i spektrit politik shqiptar.

“Edhe një herë, duke mos hyrë në debatin e brendshëm politik këtu. Tani le të mos shikojmë mbrapa, por të shikojmë përpara. Të shpresojmë që ky komision që është krijuar do të funksionojë normalisht dhe ne jemi këtu për të ndihmuar dhe treguar shembullin e një vendi tjetër të suksesshëm. Të gjitha problemet me të cilat ju përballeni këtu, kanë ekzistuar dhe ekzistojnë edhe në vende të tjera, por ka edhe zgjidhje të këtyre problemeve”, tha ai.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Tarran: OSBE do të ndihmojë Komisionin për Reformën Zgjedhore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çështja Balluku, ambasadori i OSBE-së: Rasti i parë që dëgjoj, vendimi i takon drejtësisë

By: Elva
5 December 2025 at 21:53

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, ka komentuar çështjen e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK dhe është pezulluar nga detyra me vendim gjykate. I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Tarran u shpreh se vendimmarrja për këtë rast i takon plotësisht institucioneve kompetente shqiptare dhe se OSBE-ja do të […]

The post Çështja Balluku, ambasadori i OSBE-së: Rasti i parë që dëgjoj, vendimi i takon drejtësisë appeared first on BoldNews.al.

Spiropali në Ministerialin e OSBE: Siguria në rajon fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran

4 December 2025 at 14:30

 

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali iu drejtua sot me një mesazh Ministerialit të 32-të të OSBE në Vjenë.

Në fjalën e saj Spiropali rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për ligjin ndërkombëtar, drejtësinë, llogaridhënien dhe dinjitetin njerëzor, përballë agresionit rus në Ukrainë.

Paqja, stabiliteti dhe siguria kudo në Europë, vijojnë të jenë prioritetet tona kryesore, nënvizoi ministrja Spiropali.

Ajo theksoi se, siguria dhe përparimi i qëndrueshëm në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

The post Spiropali në Ministerialin e OSBE: Siguria në rajon fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Vjenë, pjesë e Këshillit të 32-të Ministror të OSBE

4 December 2025 at 10:41

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali ndodhet në Vjenë për Këshillin e 32-të Ministror të OSBE-së që po mbahet në Pallatin Hofburg.

Spiropali u mirëprit nga kryesuesja e OSBE dhe Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen.

Ky Këshill përkon me Kryesinë e Finlandës të OSBE dhe me 50 vjetorin e Aktit Final të Helsinkit që solli në jetë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim.

Në fokus të Këshillit do të jenë parimet që qëndrojnë në themel të sigurisë europiane: barazia dhe integriteti territorial, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, respekti për të drejtat e njeriut.

Në këtë kontekst, në zemër të diskutimeve do të jetë shkelja flagrante e këtyre parimeve nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

Një vëmendje të veçantë do të marrë përgatitja e OSBE-së për sfidat e së ardhmes, prioritet ky i Kryesisë finlandeze, ndërkohë që Ministrja e Jashtme e Shqipërisë do të theksojë angazhimin e vendit për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Në margjinat e Këshillit Ministror, Spiropali do të takohet me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane, Brendan Hanrahan, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA.

Gjatë ditës, Ministrja e Jashtme do të marrë pjesë në tryezën e Ministrave të Jashtëm të nismës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, me ftesë të Ministres së Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger. Në takim do të marrin pjesë edhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Europian dhe Kryediplomatja europiane Kaja Kallas, si dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos.

Spiropali pritet të zhvillojë disa takime bilaterale me homologët nga Rumania, Armenia dhe Gjeorgjia, si dhe me zyrtarë të lartë të OSBE-së.

/gj.m/j.p/

 

The post Spiropali në Vjenë, pjesë e Këshillit të 32-të Ministror të OSBE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSBE: Moscertifikimi i Listës Serbe është largim nga standardet ndërkombëtare

2 December 2025 at 21:21


Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në një deklaratë publike, OSBE ka shprehur zhgënjim dhe shqetësim të thellë lidhur me mënyrën se si disa përfaqësues të partive politike votuan në mbledhjen e KQZ-së.

Sipas misionit, refuzimi ose abstenimi për miratimin e kërkesës së Listës Serbe për certifikim “cenon të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje” dhe përbën “largim të qartë nga standardet elektorale të pranuara ndërkombëtarisht”.

OSBE ka kritikuar ashpër polarizimin politik brenda KQZ-së, duke thënë se sjellja votuese e disa anëtarëve duket e motivuar nga interesa partiake dhe jo nga kritere ligjore apo parime demokratike.

Sipas deklaratës, kjo qasje minon paanshmërinë dhe besueshmërinë e institucionit që ka për detyrë administrimin e procesit zgjedhor.

Misioni paralajmëron se vendime të tilla rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në zgjedhje dhe të krijojnë perceptimin se procesi ndikohet politikisht.

Në fund, OSBE u bën thirrje KQZ-së dhe aktorëve politikë të respektojnë profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.


Nga izolimi në kontribuese aktive në diplomacinë shumëpalëshe, Shqipëria reflekton mbi udhëtimin e saj në OSBE

26 November 2025 at 17:36

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Përfaqësues nga institucionet qeveritare, komuniteti diplomatik, akademia dhe shoqëria civile u mblodhën sot në konferencën e nivelit të lartë “Transformimi dhe angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në: Nga Akti Final i Helsinkit deri më sot”.

Konferenca e organizuar bashkërisht nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Prania e OSBE-së në Shqipëri, shënoi një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin historik dhe bashkëkohor të Shqipërisë me OSBE-në dhe parimet e qëndrueshme të Aktit Final të Helsinkit.

Duke hapur konferencën, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali nënvizoi partneritetin e gjatë të Shqipërisë me OSBE-në dhe rolin e Organizatës në mbështetjen e tranzicionit demokratik dhe agjendës së reformave të vendit.

“Do të doja të përgëzoja Kryesinë Finlandeze për fokusin e saj në të ardhmen e OSBE-së përmes iniciativës Helsinki+50. Mbi të gjitha, kjo iniciativë nuk ka të bëjë vetëm me shënimin e një përvjetori. Objektivi është të formësohet një OSBE që mund t’i përgjigjet realiteteve të sotme dhe të nesërme. Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, ekziston një mundësi për ne që të japim një kontribut të rëndësishëm në procesin e ripërtëritjes”, theksoi Spiropali.

E dërguara Speciale e Kryetarit të Radhës të OSBE-së, ambasadorja Terhi Hakala, theksoi rëndësinë e vazhdueshme të parimeve të Helsinkit dhe qasjen gjithëpërfshirëse të OSBE-së ndaj sigurisë, një qasje që e njeh paqen si të pandashme nga të drejtat e njeriut, bashkëpunimi ekonomik dhe dialogu midis shteteve.

“Shqipëria ka qenë një anëtare e përkushtuar e familjes së OSBE-së që nga tranzicioni i saj demokratik dhe ka pritur një operacion aktiv në terren që nga viti 1997. Bashkëpunimi i ngushtë midis Prezencës dhe autoriteteve shqiptare dhe aktorëve të shoqërisë civile ka kontribuar me sukses në qëllimet strategjike të Shqipërisë dhe në axhendën e reformave të sotme”, tha ambasadorja Hakala.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran foli për bashkëpunimin e ngushtë midis Prezencës dhe institucioneve shqiptare, për gati tre dekada, në avancimin e qeverisjes demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

“Më lejoni të mbyll me një shënim që arkitektët e Helsinkit e kuptuan mirë: siguria është një përpjekje e përbashkët. Dialogu është më i qëndrueshëm se përçarja. Dhe dinjiteti njerëzor duhet të mbetet qendra e gjithçkaje që bëjmë. Këto nuk janë ideale abstrakte; ato janë themeli për stabilitet në një epokë të trazuar”, tha Tarran.

Gjatë gjithë aktivitetit, pjesëmarrësit reflektuan mbi trajektoren e Shqipërisë nga izolimi në një kontribues aktiv në diplomacinë shumëpalëshe.

Ekspertë kombëtarë, historianë dhe përfaqësues institucionalë paraqitën perspektiva historike mbi rolin e Shqipërisë në procesin e Helsinkit, pranimin e saj në KSBE/OSBE në fillim të viteve 1990 dhe transformimin demokratik të vendit.

Gjithashtu u vlerësua kryesia e suksesshme e OSBE-së nga Shqipëria në vitin veçanërisht sfidues 2020, e cila demonstroi lidershipin në rritje të vendit në bashkëpunimin rajonal, parandalimin e konflikteve dhe të drejtat e njeriut.

Folësit nënvizuan mësimet e nxjerra nga angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në dhe vunë re evolucionin e reformave në fusha të tilla si proceset zgjedhore, përpjekjet kundër trafikimit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, liria e medias dhe qeverisja e mirë.

Ata gjithashtu trajtuan sfidat bashkëkohore me të cilat përballet OSBE-ja në një mjedis gjeopolitik në ndryshim, duke nënvizuar nevojën për të mbrojtur parimet e dialogut, bashkëpunimit dhe sigurisë gjithëpërfshirëse.

Konferenca përfundoi me një riafirmim të angazhimit të përbashkët të Shqipërisë dhe OSBE-së për të mbështetur frymën e Aktit Final të Helsinkit dhe për të vazhduar të punojnë së bashku për të çuar përpara sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike në rajon dhe më gjerë.

/k.s/r.e/

The post Nga izolimi në kontribuese aktive në diplomacinë shumëpalëshe, Shqipëria reflekton mbi udhëtimin e saj në OSBE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në Konferencën Rajonale të OSBE: Fokus te rreziqet online dhe dhuna me bazë gjinore

25 November 2025 at 20:25

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu mori pjesë sot në Konferencën Rajonale të OSBE-së për Evropën Juglindore, me temë: “Dhuna me Bazë Gjinore Online dhe Radikalizimi drejt Dhunës në Epokën Digjitale”, aktivitet që shënon nisjen e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu theksoi rritjen e rreziqeve në hapësirën digjitale, përfshirë bullizmin, shantazhin dhe format e radikalizimit.

Ajo nënvizoi se dhuna ndaj grave mbetet një shqetësim serioz dhe kërkon veprim të koordinuar.

“Dhuna ndaj grave nuk është statistikë, është alarm për veprim. Këtë vit fokusi është te rreziqet online: bullizmi, shantazhi digjital dhe radikalizimi”, nënvizoi Koçiu

Ministrja bëri të ditur se institucioni që drejton po zgjeron bashkëpunimin me platformat globale, po fuqizon hetimet për veprat penale online dhe po zbaton programe të sigurisë në shkolla, me synim përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe parandalimit.

“Ministria e Punëve të Brendshme po thellon bashkëpunimin me platformat globale, po forcon hetimet e veprave në internet dhe po fuqizon programet e sigurisë në shkolla, për një qasje më të fortë dhe më të koordinuar ndaj këtyre fenomeneve”, theksoi Koçiu.

/gj.m/r.e/

The post Koçiu në Konferencën Rajonale të OSBE: Fokus te rreziqet online dhe dhuna me bazë gjinore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Celibashi: Puna e OSBE dhe rekomandimet e ODIHR, jetike për forcimin e integritetit zgjedhor

20 November 2025 at 12:44

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mori sot pjesë në prezantimin dhe raportimin e raportit vjetor të Prezencës së OSBE-së, ku mbajti edhe një fjalim para përfaqësuesve nga 57 delegacionet e Këshillit të Përhershëm.

Gjatë fjalës së tij, Celibashi falënderoi të pranishmit dhe veçanërisht Ambasadorin Michel Tarran dhe stafin e tij të Prezencës në Tiranë.

Celibashi deklaroi “se jo vetëm KQZ, por i gjithë vendi ynë ruan respekt të thellë për OSBE-në”.

“Partneriteti ynë me OSBE-në është themelor dhe i pazëvendësueshëm, duke sjellë rezultate konkrete në forcimin e administratës zgjedhore, nxitjen e dialogut dhe rritjen e besimit publik.

“Puna e Prezencës së OSBE-së ka qenë jetike, duke ofruar mbështetje teknike, trajnime dhe ekspertizë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ndërkohë rekomandimet e ODIHR-it shërbejnë si një hartë rrugore praktike për forcimin e integritetit zgjedhor”, tha Celibashi.

Celibashi nënvizoi se “përballë sfidave të reja zgjedhore, zhvillimet teknologjike dhe nevoja për përafrim me standardet evropiane, bëmë thirrje për mbështetje të vazhdueshme dhe të zgjeruar, veçanërisht për digjitalizimin e proceseve dhe lehtësimin e votimit për të gjithë zgjedhësit shqiptarë”.

“Investimi në zgjedhje është investim në stabilitetin demokratik dhe në të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, përfundoi Celibashi.

1 nga 5

/m.q/ /a.g/

The post Celibashi: Puna e OSBE dhe rekomandimet e ODIHR, jetike për forcimin e integritetit zgjedhor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKK mbledh Kolegjiumin e Zyrtarëve Ligjorë për procedurat e konstituimit të organeve komunale

18 November 2025 at 12:52


Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka organizuar takimin e Kolegjiumit të Zyrtarëve Ligjorë, me fokus funksionimin dhe konstituimin e organeve të komunave pas zgjedhjeve lokale.

Takimi u zhvillua në bashkëpunim me OSBE-në dhe përfshiu një debat gjithëpërfshirës mbi procedurat ligjore dhe administrative që lidhen me formimin e institucioneve komunale.

Diskutimet përfshinë etapë pas etape procesin e konstituimit: nga dhënia e betimit nga Kryetari i Komunës dhe anëtarët e Kuvendit Komunal, verifikimi i mandateve, organizimi i seancës konstituive, zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit, deri te rregullat e funksionimit të tij, përcjell Telegrafi.

Pjesëmarrësit adresuan gjithashtu kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve ekzekutive, procedurat e vendimmarrjes, nënshkrimin dhe ekzekutimin e akteve komunale, si dhe harmonizimin me kuadrin ligjor në fuqi.

Qëllimi ishte qartësimi i të gjitha aspekteve praktike dhe juridike për të garantuar funksionim të rregullt, transparent dhe në përputhje me standardet ligjore.

Në përfundim, përfaqësuesja e AKK-së njoftoi se deri në fund të vitit do të mbahet një trajnim për pozitat udhëheqëse dhe një punëtori në bashkëpunim me OSBE-në, ku do të prezantohen aktivitetet e Kolegjiumit gjatë vitit 2025 dhe do të hartohet plani i punës për vitin 2026. /Telegrafi/


OSBE në Kosovë publikon dokumentarin “Përtej titujve”, kërkohet mbrojtje më e fortë për gazetarët

2 November 2025 at 13:03



Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, misioni i OSBE-së në Kosovë ka lansuar dokumentarin “Përtej titujve”, që trajton rritjen e kërcënimeve ndaj profesionistëve të medias dhe nevojën urgjente për mbrojtje institucionale më të fortë.

I realizuar në bashkëpunim me gazetarë vendorë, dokumentari nxjerr në pah ngacmimet online, fushatat e njollosjes dhe sulmet fizike që janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit 2025. Vetëm nga janari e deri tani janë raportuar 56 incidente kundër gazetarëve, duke e tejkaluar numrin total të rasteve të vitit të kaluar. Sipas OSBE-së, gazetaret gra mbeten veçanërisht të cenueshme ndaj kërcënimeve me bazë gjinore.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, tha se rritja e sulmeve dhe ngacmimeve online është shqetësuese dhe kërkon reagim të menjëhershëm.

“Rritja e sulmeve dhe e ngacmimeve online, veçanërisht kundër gazetareve gra, është thellësisht shqetësuese dhe e papranueshme. Nevojiten përpjekje më të mëdha e të vazhdueshme për t’u siguruar që gazetarët të mund të punojnë në mënyrë të sigurt e të pavarur”, tha McGurk.

Në kuadër të kësaj nisme, OSBE-ja ka organizuar edhe një debat televiziv me temën e njëjtë, që do të transmetohet sonte në TV Dukagjini në orën 19:00, ku panelistë – gazetarë dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë do të diskutojnë sfidat dhe përgjigjet institucionale ndaj kërcënimeve që përballen gazetarët.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, vuri në pah vështirësitë në të cilat po kalon gazetaria në vend

“Katër vitet e fundit kanë qenë më të vështirat për gazetarinë në Kosovë. Sulmet janë intensifikuar, ndërsa dënimet e buta po i trimërojnë autorët e krimeve”, tha Rexha.

Në të njëjtën linjë, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Jan Braathu, paralajmëroi për kulturën në rritje të mosndëshkimit:

“Situata për gazetarët në Kosovë po përkeqësohet, me një kulturë shqetësuese të pandëshkueshmërisë. Autoritetet duhet ta njohin rolin thelbësor që luajnë gazetarët në demokraci dhe të veprojnë me vendosmëri për të garantuar sigurinë e tyre”, u shpreh Braathu.

Misioni i OSBE-së në Kosovë theksoi se siguria e gazetarëve është prioritet afatgjatë, duke kujtuar bashkëpunimin me Këshillin e Mediave të Shkruara, Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Përmes këtij bashkëpunimi, OSBE ka ofruar ndihmë juridike për gazetarët, ka dhuruar jeleke dhe xhaketa mbrojtëse me mbishkrimin PRESS, si dhe ka organizuar trajnime të përbashkëta me Policinë e Kosovës për raportim në situata krize.

Gjithashtu, organizata ka përgatitur një Udhëzues për raportim nga gjykatat, me qëllim që gazetarët dhe pjesëtarët e gjyqësorit të kuptojnë më mirë rolet dhe përgjegjësitë e ndërsjella. /Telegrafi/


- YouTube www.youtube.com

Spahiu pret Pasztory: Rekomandimet e OSBE, prioritet për Kuvendin

31 October 2025 at 18:53

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu priti sot në një takim, Clarisse Pasztory, zëvendëskryetare e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në Kuvend, përfshirë fillimi i këtij legjislacioni, ristrukturimi i komisioneve parlamentare dhe proceset e rëndësishme të reformës zgjedhore dhe territoriale.

Spahiu vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e çmuar të OSBE-së në forcimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e transparencës parlamentare.

Po ashtu, Spahiu theksoi se rekomandimet e dhëna nga OSBE mbeten një prioritet për Kuvendin, si udhërrëfyes për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve parlamentare dhe demokratike në vend.

Nënkryetarja e Kuvendit theksoi se, dialogu konstruktiv është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për forcimin e demokracisë dhe bashkëpunimit institucional.

/gj.m/j.p/

The post Spahiu pret Pasztory: Rekomandimet e OSBE, prioritet për Kuvendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSBE mbështetje Shqipërisë në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit

31 October 2025 at 16:36

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Prokurorë, hetues dhe oficerë ligjzbatues nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Lalëz, më 29 dhe 30 tetor, në një trajnim dyditor për parandalimin e pastrimit të parave dhe masat kundër korrupsionit.

I organizuar nga Prezenca e OSBE-së, kursi kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe operacionale të Shqipërisë për hetimin e krimeve të ndërlikuara financiare.

Trajnimi mblodhi prokurorë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe prokuroritë e rretheve, hetues nga Byroja Kombëtare e Hetimit, oficerë të Policisë së Shtetit, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme Kundër Korrupsionit dhe Njësia e Hetimit Tatimor.

Pjesëmarrësit ndanë përvoja rajonale dhe metodologji praktike për të trajtuar korrupsionin dhe krimin financiar në mënyrë më efektive.

Përmes sesioneve të thelluara dhe diskutimeve mbi raste konkrete, pjesëmarrësit shqyrtuan qasje efektive për parandalimin e korrupsionit në prokurimet publike, zbulimin e flukseve të paligjshme financiare, gjurmimin e produkteve të veprës penale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në hetimet penale.

Në hapje të takimit, Catherine Dunmore, Juriste e Lartë në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, theksoi se krimi financiar dhe korrupsioni vijojnë të minojnë besimin e publikut dhe sundimin e ligjit.

Ajo vuri në dukje rëndësinë e bashkërendimit të qëndrueshëm ndërinstitucional ndërmjet prokurorëve, hetuesve dhe autoriteteve ligjzbatuese për të forcuar llogaridhënien, integritetin dhe efektivitetin përgjatë zinxhirit të drejtësisë në Shqipëri.

Në kurs kontribuuan pesë ekspertë të njohur: kolonel Giampiero Carrieri, atashe diplomatik në Ambasadën e Italisë në Shqipëri; gjeneral Giovanni Salerno, komandant i Njësisë së Posaçme Kundër Korrupsionit të Guardia di Finanza; Mirko Kučina, drejtues i Shërbimit për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin në Policinë Kombëtare të Kroacisë; Vedran Libl, zëvendësdrejtor i Zyrës së Prokurorisë së Shtetit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (USKOK); dhe Hergis Jica, drejtues i Sektorit të Çështjeve të Koordinimit në Drejtorinë EUROPOL të Policisë së Shtetit Shqiptar.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e organizoi trajnimin përmes bashkëpunimit midis disa prej departamenteve të saj, duke reflektuar qasjen e integruar për promovimin e transparencës, qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit ndërmjet sektorëve të drejtësisë dhe sigurisë.

/gj.m/j.p/

The post OSBE mbështetje Shqipërisë në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vjedhje në Kishën Katolike të Ferizajt, reagon edhe OSBE-ja

30 October 2025 at 18:54


Dy kambana të Kishës Katolike në Ferizaj janë vjedhur mbrëmjen e 28 tetorit, ka konfirmuar për zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.

Sipas Policisë, rasti është raportuar rreth orës 20:10, kur tre persona të dyshuar, të cilët po lëviznin me një automjet civil, kanë hyrë në oborrin e kishës dhe kanë marrë dy kambanat metalike – njërën me peshë rreth 150 kilogramë, ndërsa tjetrën rreth 30 kilogramë, raporton Telegrafi.



Në lidhje me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore e Ferizajt, ndërsa hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve janë në zhvillim. Policia ka iniciuar rast penal për “vjedhje të rëndë”.

Pas ngjarjes, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar duke shprehur shqetësim për vjedhjen e kambanave, të cilat përbëjnë pjesë të trashëgimisë fetare dhe shpirtërore të komunitetit katolik.

“Vjedhja e kambanave të kishës cenon jo vetëm dinjitetin e komunitetit katolik, por edhe parimin e lirisë së fesë dhe të besimit” – thuhet në reagimin e OSBE-së.



“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të rendit që të veprojnë pa vonesë dhe presim që të gjitha komunitetet dhe institucionet të riafirmojnë respektin e ndërsjellë për vendet fetare dhe kulturore”.

Misioni i OSBE-së ka shtuar se do të vazhdojë të mbështesë autoritetet dhe komunitetet lokale në promovimin e bashkëjetesës paqësore dhe në mbrojtjen e trashëgimisë fetare në Kosovë. /Telegrafi/

OSBE, angazhim për forcimin e mbrojtjes së të dhënave për kufij më të sigurt

24 October 2025 at 16:52

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Zbatimi i Ligjit të ri për Përpunimin e Informacionit të Udhëtimit ishte në qendër të diskutimeve në trajnimin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbi mbrojtjen e të dhënave për Njësinë Shqiptare të Informacionit të Pasagjerëve (PIU).

Aktiviteti mblodhi përfaqësues nga PIU, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe ekspertë holandezë, të cilët ndanë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe përvoja nga Holanda.

Diskutimet u përqendruan te zbatimi i Ligjit të ri për Përpunimin e Informacionit të Udhëtimit, te Direktivës së Bashkimit Europian për Mbrojtjen e të Dhënave dhe sfidat praktike për të siguruar një administrim të dhënash që është sa më i sigurt dhe i përgjegjshëm.

Aktiviteti u përmbyll me një vizitë studimore në ambientet e PIU-së shqiptare pranë Aeroportit Ndërkombëtar i Tiranës Nënë Tereza, ku pjesëmarrësit panë nga afër zbatimin e praktikave të mbrojtjes së të dhënave në një mjedis operacional.

Prezenca e OSBE bën të ditur se, kjo nismë mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të përafruar praktikat kombëtare me standardet e Bashkimit Europian mbi privatësinë, sigurinë e informacionit dhe të drejtat themelore.

/gj.m/

The post OSBE, angazhim për forcimin e mbrojtjes së të dhënave për kufij më të sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tarran takon Sadushin: OSBE, partner afatgjatë i Reformës në Drejtësi

14 October 2025 at 11:51

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran u takua me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Në takim u ripohua mbështetja e fortë e Prezencës së OSBE-së për institucionet e drejtësisë në Shqipëri.

Në fillim të takimit, ambasadori Tarran shprehu ngushëllimet dhe përsëriti dënimin për vrasjen tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja.

Ai theksoi se, Prezenca e OSBE-së është një partnere afatgjatë e Reformës në Drejtësi, duke ofruar ekspertizë teknike, shqyrtime legjislative dhe ndërtim kapacitetesh për institucionet kyçe, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, SPAK-un dhe Gjykatat Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe gjykatat në mbarë vendin.

Përmes Projektit për Monitorimin e Proceseve Gjyqësore, të financuar nga BE-ja, Prezenca e OSBE monitoron çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi drejtësie më efikas dhe transparent.

Temat e diskutimit përfshinë stokun e çështjeve në gjyqësor dhe shkallën e lartë të arrestit në burg në Shqipëri.

Ambasadori Tarran tha se, Prezenca po përgatit një tryezë të rrumbullakët për të promovuar alternativa ndaj arrestit në burg dhe qasje më njerëzore ndaj drejtësisë.

Tarran shtoi se, “duke parë përpara drejt vitit 2026, presim me kënaqësi të shënojmë 10-vjetorin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke festuar arritjet dhe duke formësuar përparimin e mëtejshëm”.

1 nga 2

/gj.m//r.e//a.f/

The post Tarran takon Sadushin: OSBE, partner afatgjatë i Reformës në Drejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌