SHQIPËRI- Reshjet e dendura të shiut dhe vërshimi i ujërave kanë shkaktuar probleme edhe në tokat bujqësore.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit rural, Andis Salla, në një komunikim me “Money Report” në ABC News u shpreh se ekipet e punës janë në terren dhe po punojnë për përballimin e situatës.
Ai theksoi se hidrovorët dhe kanalet kulluese kanë qenë në funksion të plotë, por prurjet kanë qenë të shumta.
“Do bëjmë ndërhyrjet e nevojshme. Jemi në terren së bashku me ekipin e Ministrisë së Bujqësisë, Emergjencat Civile.
Në tokat bujqësore jemi duke ndërhyrë në disa argjinatura dhe në disa kanale kulluese.
Hidorvorët janë në kapacitet të plotë, kanë funksionuar gjatë gjithë kohës për thithjen e ujit. Po monitorojmë situatën në terren”, tha ai.
Ai theksoi se pas qetësimit të situatës do të verifikohen edhe dëmet në terren.
“Kanë qenë në pastrim nga bordet e kullimit, por reshjet kanë bërë që disa kanale të dalin nga shtrati.
Ne jemi në fazën e përballimit të situatës, pastaj do evidentojmë dëmet e shkaktuara ndaj bujqësisë.
Ekipet e Ministrisë së Bujqësisë janë në terren për të përballuar situatën dhe pasi të tërhiqen ujërat do të shikojmë pasojat”, tha ai./abcnews.al
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën e përmbytjeve në vend.
Nëpërmjet një reagimi në Twitter, kryeministri ngre edhe shqetësimin e hedhjes së mbeturinave vend e pavend.
Gjithashtu ai shton se ekipet dhe të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë
Reagimi:
Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrin dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë… *Shkozet
Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia me masën arrest shtëpie CEO-n kinez të kompanisë Bankers Petroleum, Hongping Xiao. Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO zgjati afatet hetimore me 3 muaj për dosjen “Bankers”. Ka qenë një kërkesë nga vetë CEO I Bankers në gjykatën e posacme, e cila vendosi të zbusë masën e sigurisë.
Më herët Gjykata e Posaçme vendosi të zgjasë me 3 muaj afatet e hetimit për dosjen “Bankers Petroleum”, me kërkesë të SPAK. Prokuroret Enkeleda Millonai dhe Anita Jella argumentuan se kjo zgjatje është e nevojshme për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, për shkak të kompleksitetit të çështjes ndërsa kërkesa u miratua nga gjyqtari Erion Çela.
Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare për periudhën 2004–2024, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit.
Sipas Prokurorisë, Bankers ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.
Hetimi, i cili tashmë është në dorë të SPAK, është zgjeruar duke përfshirë përgjegjësi brenda administratës tatimore dhe doganore, si dhe zyrtarë lokalë që dyshohet se kanë injoruar abuzimet me TVSH-në dhe detyrimet e tjera fiskale, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme buxhetit të shtetit. Hetimi filloi më 2 korrik nga Prokuroria e Fierit, ku u ekzekutuan disa masa sigurie ndaj drejtuesve të kompanisë./abcnews.al
Policia vijon operacionin “Stolen Line” kundër trafikimit të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë vendit. Me rastin e fundit, shkon në 5 numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja e operacionit.
Në Vorë u sekuestrua një automjet tip BMW M-8, me vlerë rreth 140 mijë euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani. Për rastin u procedua penalisht blerësi dhe drejtuesi i mjetit në momentin e ndalimit.
Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim shqiptari nga Kosova, rreth 42 vjeç, i dyshuar se ka trafikuar automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen. Policia po punon për kapjen e tij.
Analistët politikë thonë se procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës do ta prodhojë edhe një sfidë të re politike me potencial bllokues. Bazuar në rezultatet e 28 dhjetorit, situata nuk është e thjeshtë.
Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, atyre me postë nga jashtë Kosovës, po vazhdon dhe rezultatet e përditësuara tashmë kanë sjellë një ndryshim në mandatet e fituara të deputetëve.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhje mori mbi 50% të votave, tashmë ka siguruar 57 mandate. Ajo pasohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 23 mandate. Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 14 mandate ndërsa tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ka ndryshim, mbetet me vetëm 6 mandate.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), rezultatet përfundimtare mund të shpallen më herët sesa ishte planifikuar data 19 janar, ku më pas edhe do të certifikohen rezultatet.
Por, akoma pa u certifikuar rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve të reja, nëse deri me 5 mars nuk zgjidhet Presidenti apo Presidentja. Mandati i Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon në fund të muajit prill, por një muaj më parë duhet të zgjidhe Presidenti apo Presidentja.
Albin Kurti tha për mediet lokale se për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë nuk i duhet mbështetja e partive të tjera shqiptare. Por për çështjen e Presidentit, në Kuvend duhet të jenë prezent dy të tretat e deputetëve dhe për këtë tash për tash nuk i kanë votat e nevojshme.
Çfarë thotë Kurti?
“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, e afati i fundit është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Natyrisht se ekziston mundësia teorike dhe praktike që të shkojmë në zgjedhje. 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Herën e kaluar nuk i bëmë dot 61, ndërsa 80 është numër shumë më i madh se 61. Kësaj radhe 61 i kemi, por 80 nuk i kemi. Ne e kemi parë deklarimin e Presidentes. Së pari, duhet ta formojmë Kuvendin dhe Qeverinë, gjithashtu duhet ta votojmë buxhetin, këta janë hapa më të rëndësishëm”, thotë Kurti.
Ai e konsideron të nevojshëm takimin me Vjosa Osmanin për të diskutuar interesimin e saj për një mandat tjetër pesëvjeçar. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj, tashmë ka deklaruar se synon edhe një mandat pesëvjeçar për t’i jetësuar, siç ka thënë, “planet e saj në të mirë të vendit”.
Por nëse kandidimin e saj edhe për një mandat nuk e përkrahin deputetët në Kuvend, Osmani ka paralajmëruar se do ta kenë përballë në zgjedhjet e ardhshme përmes aktivitetit të saj politik.
“Në fund të fundit është në vullnetin e deputetëve që vendosin nëse do të më përkrahin apo jo, dhe po e them përsëri, në qoftë se vendosin që po, do të vazhdojmë me punë të mira për vendin, mbrojtje të interesave të qytetarëve. Në qoftë se vendosin që jo, atëherë unë e vazhdoj punën në një mënyrë tjetër, nëpërmjet angazhimit politik dhe kurdo që të ketë zgjedhje, atëherë i përballim idetë, nocionet, qëndrimet, energjinë, besa e shumëçka tjetër. Por qëllimi im është që të vazhdoj të jem e angazhuar politikisht dhe ta ndihmoj Republikën e Kosovës që të ecë përpara”, është shprehur Osmani.
Qëndrimet e partive të tjera
Përfaqësuesit e PDK, LDK dhe AAK nuk kanë folur deri tani rreth formimit të institucioneve të reja dhe zgjedhjes së presidentit. Ato thonë se janë duke pritur certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit për të parë përbërjen përfundimtare të Kuvendit. Analistët politikë thonë se për zgjedhjen e presidentit të vendit, kompromisi politik është i pashmangshëm.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i tha DW-së se “zgjedhja e presidentit të shtetit në mungesë të 80 votave për koalicionin fitues të zgjedhjeve të fundvitit do të duhej të bazohej në marrëveshje politike dhe kompromis lidhur me një figurë unifikuese që do të ushtronte pozitën e presidentit me integritet dhe në mënyrë të paanshme”.
Sipas tij, Kosova e ka urgjencë shtetërore që menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, pa vonesë, të miratojë ligjin për buxhetin dhe të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë Planin e Rritjes.
“Sikurse LVV dhe z. Kurti, nëse e vënë në rend të parë interesin e Republikës së Kosovës, do të gjenin kompromis për të zgjedhur edhe Presidentin e Republikës për t’i dhënë drejtim zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian, dy procese që kanë stagnuar në status quo në pesë vitet e fundit. Kosova nuk e ka komoditetin për zgjedhje të reja, pasi kjo do të kishte pasoja të dëmshme dhe afatgjata për integrimin evropian, por edhe humbjen e besimit të partnerëve ndërkombëtarë”, thotë Miftaraj.
Analisti tjetër politik, Artan Muhaxhiri, i tha DW-së se procesi i zgjedhjes së presidentit do ta prodhojë edhe një sfidë të re me potencial bllokues.
“Prandaj, hendeku i madh aktual mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera nënkupton vetëm një gjë normale: rigjetjen e vullnetit për bashkëpunim konstruktiv me kompromise reciproke ndaj interesave të dyanshme. Çdo qasje tjetër me automatizëm e çon Kosovën në zgjedhje të reja”, thotë Muhaxhiri. Sipas tij, “edhe një proces i ri zgjedhor do të ishte indikator madhor i paaftësisë së spektrit politik kosovar”.
“Do ta tregonte mungesën e plotë të integritetit personal, etikës publike dhe përgjegjësisë së tyre shtetërore ndaj dërgimit të shoqërisë në theqafje institucionale. Humbjet shumëdimensionale do të thelloheshin edhe më shumë, duke krijuar stagnime fundamentale sistemore politike dhe ekonomike, brenda vendit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thotë Muhaxhiri.
Si zgjidhet presidenti i vendit?
Kushtetuta e Kosovës, sipas nenit 86, e përcakton procedurën për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës: Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
– Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
– Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidat për President të Republikës së Kosovës, nëse siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për President të Republikës së Kosovës.
– Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
– Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet President i Republikës së Kosovës.
– Nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjedhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh./DW/
Në këto ditë me shi, banaqet televizive dhe tavolinat e kafeneve gumëzhijnë nga diskutimet për një qeveri teknike që pritet të krijohet së afërmi, e cila do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Madje diskutohet edhe për kandidaturat e mundshme të postit kryeministror dhe të posteve të ministrave të qeverisë teknike…
Në këtë situatë banakore-tavolinore, vlen të përmendet një fjalë e vjetër popullore: I bëjnë hesapet pa hanxhinë…
Që të krijohet një qeveri teknike, Edi Rama duhet të pranojë dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit dhe ta detyrojë partinë e tij të heqë dorë nga mzhoranca prej 83 mandatesh parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe përse duhet ta bëjë ai këtë gjë?
300 spartanët që i mblidhen Berishës çdo të hënë para kryeministrisë nuk mund ta detyrojnë Ramën dhe PS-në të heqin dorë nga pushteti. Aq më pak 50 besnikët që mbledh Lapaj nga ndonjëherë në ndonjë fundjavë. Kurse Delta Force e shumëpërmendur e ushtrisë amerikane është aktualisht e përqendruar në hemisferin perëndimor të globit – Surreli është jashtëzakonisht larg fokusit të saj, pavarësisht se banakistëve dhe tavolinistëve të këtushëm u duket fare afër…
Është e vërtetë se disa votues të PS-së janë zhgënjyer nga partia për të cilën votuan më 11 maj 2025 (1/6 e tyre rezultuan të zhgënjyer në sondazhin e fundit ‘Zeri i Shqiptarëve’). Por ky është një fenomen që, ku më shumë e ku më pak, vërëhet në gjithë botën demokratike, pasi bie euforia e zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, çereku i votuesve të PD-ASHM janë aktualisht të zhgënjyer nga PD-ja. Kurse 3/5 e votuesve të partive të vogla janë të zhgënjyer nga to. Sa i përket atyre që nuk votuan fare më 11 maj 2025, ata kanë qenë paradhënie të zhgënjyer me të gjitha partitë ekzistuese…
Me pak fjalë, teksa opinioni publik i brendshëm është i zhgënjyer më shumë me partitë opozitare se sa me partinë në pushtet, teksa Amerika trumpiste është e përqendruar në hemisferën perëndimore, teksa Europa është e përqendruar tek Ukraina, përse Rama papritur duhet t’i hapë rrugë krijimit të një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme? Endërr në shi…
Moti i keq ka shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve në të gjithë Europën. Aeroporti i Amsterdami, Schiphol, ka anuluar më shumë se 700 fluturime dhe të tjera mund të anulohen në vazhdim.
Në Paris aeroporti Sharl dë Gol u detyrua të anulojë 100 nga fluturimet e tij, ndërsa aeroporti Orli anuloi 40 të tjera.
Disa trena të Eurostar janë anuluar këtë të mërkurë duke përfshirë shërbimet nga Stacioni i Londrës për në Stacionin Qendror të Amsterdamit, Stacionin Qendror të Roterdamit dhe Stacionin Gar dy Nor të Parisit. Rrjeti i trenave tha se ndërprerjet do të vazhdojnë edhe të enjten.
Në Mbreterinë e Bashkuar temperaturat kanë rënë ndjeshëm dhe në Skoci është në fuqi një alarm I verdhë për reshje bore dhe ngrica si pasojë e stuhisë Goretti.
Banorët janë paralajmëruar për ndërprerje të udhëtimeve dhe energjisë elektrike.
Ndërkohë pesë persona kanë humbur jetën në Francë dhe një grua në Bosnje. Në Francë vdekjet ishin shkak i aksidenteve rrugore për shkak të ngricave, ndërsa në Sarajevë një grua humbi jetën në spital pasi u godit nga një pemë që u rrëzua nga pesha e reshjeve të borës./abcnews.al
Reshjet e dendura të shiut kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve në disa akse kombetare në vend.Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se gjatë natës ka pasur reshje intensive në pothuajse të gjithë vendin . Nga subjektet kontraktore vazhdon puna gjatë gjithë kohës me kapcitetet maksimale për mbajtjen funksionale të rrugëve nacionale.
Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.
Segmentet rrugore që kanë pasur probleme për shkak të rënies së gurëve dhe inerteve në trup ët rrugës rezultojnë se janë Bajram Curri-Valbonë, Dushaj- Lekbibaj, Sopot-Kam, Hani Hotit –Dogana, Kukës –Shishtavec, Skuraj-Burrel si dhe Peshkopi Vasije.
Ndërkohë në pjesën jugore të vendit disa prej akseve më problematike rezultojnë se janë Kardhiq-Delvinë dhe Lekël–Këlcyrë.
Në pjesën veriore reshjet e shiut kanë pushuar ndërsa për shkak të uljes së temperaturave kanë ka nisur bora e cila ka pasur intesitet në zonën e Bogë –Theth si dhe Qafë Mali-Fierzë.
Për shkak të motit të keq në aeroportin Nënë Tereza gjatë mbrëmjes, nga ora 01:30-03:30, për shkak të kushteve meteorologjike të ngarkuara janë devijuar 5 fluturime (Bologna, Milano, Torino, Bari dhe Keln) për në Brindisi dhe Bari.
Gjatë ditës së sotme operimet vijojnë normalisht.Edhe në porte aktiviteti vijon normalisht pa problematika ndërsa vazhdon të jetë e pezulluar lëvizja e mjeteve të vogla në Gjirin e Vlorës.
Furnizimi me energji elektrike po ashtu ëshët prekur nga reshjet pasi janë aktualisht janë 17 fidera të stakuar për shkak të situatës nga moti i keq.
Nënstacioni Kajan në Belsh është jashtë pune si pasojë e shkarkesave atmosferike.Të gjitha brigadat e linjave dhe nënstacioneve janë në gatishmëri./abcnews.al
Gjykata e shkallës së parë Tiranë ka dënuar me 25 vite burgim të pandehurin Isuf Hasa, i cili vrau mikun e tij Xhemal Meta që ti vidhte një shumë parash. Ai u cilësua fajtor për akuzën “vjedhja me pasojë vdekjen”.
Ngjarja ndodhi në fshatin Shëngjergj të Tiranës në datë 13 Janar 2025.
Viktima humbi jetën si pasojë e dëmtimeve të forta në kokë, të cilat u shkaktuan nga mjete të forta si çekiçi.
Nuk mund të luhej në këto kushte. Gjithsesi, skuadra italiane e Trapanit doli në fushë për sfidën e plej ofit në Ligën e Kampionëve në basketboll për meshkuj, për të bërë detyrën dhe për t’iu shmangut një dënimi të ashpër.
Rreziku ishte 400 000 euro gjobë, ndërsa ekipi italian me emrin “Sharks”, pra peshkaqenët, pati vetëm pesë basketbollistë në dispozicion për ndeshjen kundër rivalit izraelit, Hapoel Holon,
Kjo për shkak të krizës së rëndë financiare të ekipit nga Apeninet.
Nga pesë lojtarët, dy ishin marrë nga të rinjtë pasi basketbollistët e tjerë e kanë braktisur klubin sepse nuk janë paguar.
Peshkaqenët nga Trapani rezistuan vetëm një periodë prej 10 minutash, dhe në fund nuk kishin mundësi të plotësonin pesëshen në parket.
Hapoel fitoi me shifrat e pazakonshme 38-5, dhe e tillë ishte diferenca cilësore dhe e motivimit nga të dyja palët.
Sipas rregullave të basketbollit europian dhe ndërkombëtar, nëse nuk arrin të përfundosh një ndeshje, I humb të gjitha sfidat e tjera në vazhdim në sezon, pra Trapani tashmë është I eliminuar.
Mëkat, sepse italianët ishin në formë të mirë, ndonëse tani rrezikojnë përjashtimin edhe nga liga e tyre kombëtare, me ndeshjen e fundit që nuk u zhvillua.
Inter dhe trajneri i tij, Kristian Kivu, i kanë të qarta idetë për të ardhmen dhe për projektin e tyre, dhe Kristian Asllani nuk është pjesë e tij.
Gjithsesi, klubi zikaltër ka përgjegjësi dhe detyrim për kartonin e mesfushorit të Shqipërisë sepse e zotëron gjithnjë ai, dhe dëshiron të marrë sërish paratë që shpenzoi për të.
Momenti duket shumë i vështirë sepse Torino, ku shqiptari ndodhet në huazim, nuk dëshiron ta mbajë më tej, ndërsa nuk dihet nëse karriera e tij do të vazhdojë në Itali apo jashtë saj.
Inter, sipas lajmeve në mediat në Apenine, pëlqen më shumë që Asllani të largohet nga Seria A, edhe pse ka klube në vend që interesohen për të.
Informacioni është që Parma dhe Sasuolo mund të jenë kandidatë potencialë për ta marrë 23-vjeçarin që nuk po gjen qetësi në karrierë.
Natyrisht, kohë ka pasi periudha e transferimeve vazhdon gjatë gjithë janarit, ndërsa pengesa më e madhe është shuma që lombardët kërkojnë për kartonin.
Interi shpenzoi 13 milionë euro për ta marrë nga Empoli, ndërsa prej Torinos kërkoi 11.5 milionë.
Tashmë, kjo shifër duket jashtë realitetit, por nëse mesfushori kuqezi gjen ekipin e duhur dhe luan mirë gjysmën e dytë të sezonit, në Spanjë apo Itali, situata mund të përmirësohet.
Banorët e fshatit “Vajzë” të cilëve iu rrezikua banesa pas shembjes së dherave nga reshjet e dendura të shiut janë shprehur të shqetësuar.
Në një intervistës për “ABC News”, ata treguan momentet e frikës dhe panikut kur kuptuan se ndodheshin të rrezikuar. Një prej kryefamiljarëve, tregoi se gjatë natës, ranë muret e jashtme të banesës dhe aty dolën menjëherë jashtë, pasi ishin të gjithë të rrezikuar.
Ai shprehet i shqetësuar, për situatën dhe kërkon një zgjidhje.
“Nga ora 02: 00 e natës ranë muret e jashtme. Dhe më pas u ngritëm dhe menjëherë kemi dalë jashtë. Kemi shpëtuar për pak. Presim që shtëpia të batohet nga momenti në moment, nuk guxojmë të futemi brenda të marrim diçka. Shtëpitë janë të reja. Deri tani nuk kemi asnjë informacion. Policia dhe nga bashkia kanë ardhur, por ende nuk kemi asnjë sqarim”, ka thënë ai.
“Nuk marr dot asnjë gjë. Është e rrezikshme”, u shpreh një tjetër kryefamiljar.
Nga Londra, në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, vjen historia frymëzuese e Gazmend dhe Bujar Muharremit, dy vëllezër shqiptarë që kanë kthyer një pasion rinor në një biznes unik ndërkombëtar. Auto Fabrica, kompania e tyre e specializuar në ndërtimin artizanal të karrocerive dhe motoçikletave me porosi, sot është një emër i njohur në botën e dizajnit dhe mjeshtërisë së motorëve.
Gjithçka nisi thjesht, në një garazh në vitin 2011, si një ide për të ndërtuar një motoçikletë që nuk ekzistonte në treg dhe që vetë ata nuk mund ta përballonin financiarisht. Por ajo që dukej e pamundur, u kthye në mision jete.
Në vitin 2012, në Londër, lindi zyrtarisht Auto Fabrica, fillimisht një projekt i vogël, personal, që me kalimin e kohës la të fliste vetëm puna.
“Auto Fabrica është më shumë se punë, është identitet dhe mënyrë jetese,” shprehet Gazmendi. Çdo projekt konceptohet, dizajnohet, prototipohet dhe prodhohet nga zero, tërësisht me dorë, pa manuale apo formula të gatshme.
“Vështirësia më e madhe është fakti që gjithçka nis bosh. Duhet menduar, dizajnuar, testuar dhe ribërë disa herë,” tregojnë vëllezërit.
Sot, pas 13 vitesh në tregun britanik, Auto Fabrica numëron 26 prototipe të pashoqe. Pas lançimit të Type 1, bazuar në Kaëasaki, pasoi Type 2 mbi Yamaha, me një qëllim të qartë: të ndërtohej një motoçikletë që bashkon estetikën me funksionalitetin.
Vlerësimet për punën e tyre nisën të përhapen në mbarë botën, duke i bërë të njohur për stilin dallues, dizajnin dhe imazhin unik. Blerës të motorëve të tye unik të punuar totalisht në mënyrë artizanale janë kryesisht persona të pasur e “të fiksuar”, mes të cilëve dhe yje të kinemasë botërore.
Viti 2025 ka qenë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Norvegji, me një verë të shënuar nga një valë e fortë të nxehti dhe një fillimdimri të vonuar e jashtëzakonisht të butë, njoftoi sot Instituti Meteorologjik Norvegjez.
Si një tjetër tregues i çrregullimeve klimatike të shkaktuara nga aktivitetet njerëzore, termometri arriti në 4,0 gradë Celcius më 22 dhjetor në Longyearbyen, kryeqendra e arkipelagut të Svalbardit në zemër të Arktikut, më shumë se në Sevilje (3,0 gradë Celcius) apo Ankara (1,0 gradë Celsius) në të njëjtën ditë.
“Është një vit rekord”, deklaroi klimatologu Hans Olav Hygen nga Instituti Meteorologjik Norvegjez.
“Shumë zona të Norvegjisë përjetuan një verë jashtëzakonisht të nxehtë, me një valë të fortë të nxehti në korrik. Kjo, sigurisht, ndikon në bilancin e gjithë vitit. Për më tepër, para Krishtlindjeve pamë një fund vjeshte dhe një fillim dimri relativisht të butë”, shtoi ai.
Në shkallë kombëtare, temperaturat mesatare vitin e kaluar rezultuan 1,6 gradë Celcius mbi normalen (mesatarja e periudhës 1991–2020) dhe 2,8 gradë Celcius mbi nivelet e periudhës paraIndustriale (1871–1900), sipas Institutit
Niveli ujit në Kaskadën e Drinit ka vijuar të rritet me shpejtësi për shkak të reshjeve të dendura të shiut .Për të mbajtur nën kontroll prurjet aktualisht shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentrali i Komani kanë arritur në 1200 metër kub në sekondë ndërsa në hidrocentralin e Vaut të Dejës po shkarkohet një sasi prej 1600 m³/sekondë.
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare theskon se prurjet kanë arritur në 3850 metër kub në sekondë ndërsa reshjet e shiut parashikohen të jenë prezente për disa ditë, gjë që nënkupton se sasia e prurjeve të ujit në kaskadë do të jetë maksimale.
Por përtej permbytjeve reshjet e shiut kanë përmirësuar ndjeshëm situatën energjitike në vend .Në liqenin e fierzës niveli i ujit është rritur me gati 5 metra vetëm në 24 orë duke arritur në 285 metra. Ndërsa në hidrocentralin e Komanit niveli i ujit është 174 .13 metra dhe në atë të VAut të Dejës 75 metra.Aktualisht prodhimi ditor i energjisë elektrike rezulton se ka arritur në 12,130 Mwh.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vijon të monitorojë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme situatën hidrike në kaskadë, duke garantuar menaxhim të sigurt dhe efikas të burimeve ujore.
Njoftimi:
𝐒𝐢𝐭𝐮𝐚𝐭𝐚 𝐧𝐞̈ 𝐤𝐚𝐬𝐤𝐚𝐝𝐞̈𝐧 𝐞 𝐥𝐮𝐦𝐢𝐭 𝐃𝐫𝐢𝐧
Sot dhe ditët në vazhdim situata sinoptikale pritet të mos ketë përmirësim. Reshjet e shiut do të jenë prezente disa ditë, gjë që nënkupton se sasia e prurjeve të ujit në kaskadë të jenë maksimale.
Prurjet natyrore në kaskadë janë rreth: 3850 m3/sek Shkarkimet fundore në Vaun e Dejës: 1600 m3/sek Akumulim i volumit total në kaskadë: 2250 m3/sek (Në liqenin e Fierzës).
Prodhimi ditor: 12,130MWh
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vijon të monitorojë me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme situatën hidrike në kaskadë, duke garantuar menaxhim të sigurt dhe efikas të burimeve ujore.