Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Telegrafi

Skema e mashtrimeve që përdor emra të njohur në Shqipëri

13 January 2026 at 23:55


Imagjinoni sikur në telefonin tuaj vjen një mesazh nga një prej njerëzve më të fuqishëm të politikës. Fotografia e profilit? E tij. Emri? I tij. Të përshëndet miqësisht dhe të bën një kërkesë urgjente.

"Më ndihmo me disa mijëra euro. Po dërgoj një njeriun tim t'i marrë paratë".

Duket si skenar filmi. Nuk është i tillë. Është realitet i ftohtë i dosjeve hetimore.

Një skemë mirëfilli mashtrimi, që vitet e fundit ka goditur disa nga biznesmenët më të njohur në vend.

Sipas hetimeve, truri i kësaj makinerie kriminal shpesh fshihet jashtë Shqipërisë. Emra si Florian Gjergji kanë “vjedhur” identitetet e ministrave, deputetëve a kryebashkiakëve për të zhvatur shuma që kapin shifra që shkojnë deri në 100 mijë euro.

“Newsroom” ekspozon disa episode të këtij krimi nga distanca.

E gjitha e bazuar në dokumente hetimore dhe gjyqësore të harkut kohor 2023-2025, në dëshmitë e vetë viktimave, apo personave të përfshirë. Do të zbërthejmë këtë “Modus Operandi” të një rrjeti që nuk njeh kufij. Ku besimi tradhtohet nga teknologjia dhe etja e njerëzve të biznesit për të qenë mik me pushtetin.

“Më ndihmo me disa mijëra euro”, biznesi në kurth

Shkurt 2023. Mesditë. Behar Çukajt, një biznesmeni të hidrokarbureve në Tiranë i mbërrin një mesazh në aplikacionin “Signal”. Numri i personit që i shkruan i shfaqet me emrin Erion Veliaj. Kërkesa, një sasi vlerash monetare. Biznesmeni nuhat pavërtetësi. Nën dyshimet për një mashtrim lajmëron policinë.

I udhëzuar prej tyre, vijon bisedën. I thotë tjetrit se nuk ishte në Tiranë dhe se mund të takoheshin të nesërmen. I kishin shkruar ngjashëm edhe më herët, madje dy persona kishin shkuar tek një nga karburantet në pronësi të tij, ku i kishin shfaqur të njëjtin pretendim administratorit të kompanisë.

Nga dosjet gjyqësore

“Na erdhi një sms te aplikacioni ‘Signal’ me emrin ErionVeliaj. Pavarësisht se na

kishin ardhur dhe herë të tjera, nuk i kam vënë re herën e parë dhe i thashë pronarit.

Me 27 shkurt kemi njoftuar policinë dhe kemi pritur të vinte personi dhe nuk ka ardhur”.

Edhe pse nuk janë kthyer të marrin paratë e kërkuara, hetimi i rastit ka identifikuar dy personat që kishin takuar administratorin. Ata ishin babë e bir, Bedri e Albert Vodha. Në takimin për të kërkuar para, në një ambient të mbuluar nga kamerat e sigurisë, kishin shkuar me automjetet e regjistruara në emër të tyre, një “Range Rove” e një “Volsvagen”. Të njëjtin “Range Rover” Bedri Vodha e mbante edhe në foton e profilit të kontaktit me të cilin kërkonte paratë.

Por skema nuk ishte krijuar prej tyre.

Ata ishin marioneta të Florian Gjergjit, një 39 vjeçari, që koordinonte gjithcka nga jashtë vendit. Ishte Gjergji që kronometronte lëvizjet e tyre, instruktonte veprimet dhe premtuar edhe shpërblimin që do merrnin për punën.

Teksa ishin vënë nën lupën e policisë, babë e bir, bëjnë “golin” e radhës. Këtë herë, në shënjestër të tyre u vu një biznesmen shumë i njohur në fushën e ndërtimit dhe të hotelerisë në Tiranë, Ram Geci.

Biznesmeni kallëzoi tentativën e zhvatjes së tij në maj 2023. Ai i tha oficerëve të policisë gjyqësore se një numër i prezantuar si Erion Veliaj i kishte kërkuar 100 mijë euro. Në këtë rast skema ishte zhvendosur në aplikacionin “Viber”.

Nga dosjet gjyqësore

“Sms e parë është dërguar në 09:30 me përmbajtje ‘Mirëmëngjes! Si je?’. Kallëzuesi i përgjigjet me sms me përmbajtje ‘Mgjes. Ngelëm pa pirë kafe? Kur të kesh pak hapësirë ndalo për kafe’. Përdoruesi i numrit të huaj telefonik i thotë ‘Jam shumë i ngarkuar këtë periudhë’. Komunikimi vazhdon dhe në orën 10:19 minuta. Përdoruesi i numrit telefonik i huaj i shkruan dhe i thotë ‘Faleminderit shumë, po ashtu do të dërgoj dikë tjetër që ta takosh". Në orën 11:16 përdoruesii numrit të huaj i ka dërguar një numër telefoni ‘068xxxx336 me emrin Nazmi".

Të nesërmen, personi i prezantuar me emrin Nazmi i thotë biznesmenit se ishte nisur drejt tij për të marrë paratë. Geci e pret në zyrë në hotelin pranë qendrës së Tiranës. Shkëmben disa sms me të dhe madje e orienton se nga ishte parkimi i hotelit. Teksa shkonte drejt tij, i prezantuari me emrin Nazmi, që në të vërtetë ishte Bedri Vodha, nuk e dinte se e priste një veprim i simuluar, i autorizuar nga prokuroria.

Ndodhet edhe ekonomisti i biznesmenit dhe mes të treve ndodh kjo bisedë:

Përgjimi ambiental

Biznesmeni: Hajde!

Nazmiu: A jeni mirë?

Ekonomisti: Çfarë bëre?

Biznesmeni: A more ti në telefon, se po na vjen ndonjë tjetër...

Nazmiu: Po po po, unë.

Biznesmeni: A foli veriori, këto gjëra...

Nazmiu: Krejt ai.

Biznesmeni: Shtatëdhjetë (70 mijë euro), skena bërë më.

Nazmiu: Mirë.

Biznesmeni: Si fytyrë e parë.

Nazmiu: Rri këtu në Tiranë.

Biznesmeni: Edhe unë rri në Tiranë. Punon tek Erioni apo...

Nazmiu: Po.

Biznesmeni: Mirë, ky është ekonomist. E çova i mori në bankë shtatëdhjetë. Do me i numuru?

Nazmiu: Jo.

Ekonomisti: O shef, lene se merem unë.

Biznesmeni: Shtatëdhjetë dhe ndihmoje pak deri aty tek makina.

Nazmiu: Po po.

Biznesmeni: Më tutje nuk të ndihmoj, të fala kryetarit.

Nazmiu: Ok, gjith të mirat.

I prezantuari me emrin Nazmi nuk mundi të çojë të fala askund. Jashtë zyrës qëndronin agjentët e policisë, që e shoqëruan. Në gjykatë biznesmeni ka dëshmuar se e kishte zbuluar mashtrimin, pasi kishte kontaktuar direkt me kryebashkiakun Veliaj, para së te sinjalizonte policinë.

Nga dëshmia e Gecit

“Mora në telefon Erjonin dhe i thashë eja për kafe, se s’kam kohë, por po çoj H.... I shkruaj Erjonit, pse po fshihesh. Ai me tha, nuk jam unë duhet të jenë mashtruese.

Shtatorin e viti 2023 shënjestër e një mashtrimi u në një tjetër biznesmen i ndërtimit. Në telefonin e tij, në aplikacionin telegram mbërriti një tekst nga një numër i panjohur, por që i prezantohej si kryebashkiaku Erion Veliaj. Teksi ishte “një mikut tim i nevojiten 70 mijë euro. Rregullohemi bashkë diku tjetër”.

Duke mos i shfaqur dyshime, biznesmeni me iniciale A. G. ka treguar gatishmëri t’ia dërgonte paratë te zyra në bashki. Por bashkëbiseduesi ka refuzuar duke sugjeruar fillimisht që paratë të dorëzoheshin në një restorant pranë Lushnjes e më pas në një vend në Tiranë.

Referuar dosjes gjyqësore, ky ishte një film i parë për biznesmenin, pasi të tjerë më herët kishin provuar me të njëjtën metodë. Kësisoj, ai ka vënë në dijeni policinë, para se të priste në parkimin e një qendre tregtare pranë Kthesës së Kamzës personin, që do t’i merrte paratë.

Nga dosjet gjyqësore

“Shtetasi A. G. ka qenë aty duke pritur për personin që e mori në celular, në shoqërinë e mikut të tij K. Ç. Në një moment afrohet një person. Ky i fundit i ka folur, duke i thënë se kishte ardhur për të marrë porosinë, ndërsa ai i ka thënë se porosia ndodhej në makinë. Në pjesën e pasme të makinës kishte një çantë, të cilën e kishte mbushur me letra. Në këtë moment ka zgjatur dorën për ta marrë dhe miku i tij e ka kapur për dore duke e ndalur dhe thënë të futej brenda të numëronte lekët. Në këtë moment, personi në fjalë ka zgjatur edhe njëherë dorën për të marrë çantën dhe të largohej, por A. G. dhe K. Ç. e kanë mbajtur që të mos largohej”.

Rezultoi se i riu ishte Leonard Xhixha. Edhe pas ndalimit nga policia, që po vëzhgonte nga distanca dorëzimin e parave, ai u instruktuar të vijojë komunikimin me porositësin, duke pretenduar se paratë u morën. Kjo çoi më pas në identifikimin e katër personave të tjerë të përfshirë.

Sipas vendimit gjyqësor të çështjes, “truri” i përpjekjes së mashtrimit ishte i pandehuri Xhensil Qefa-Hida, një 28 vjeçar që jetonte jashtë vendit.

Rasti tjetër, që do të sjellin në këtë Newsroom, i katërti në radhë, ka në thelb sërish përdorimin e emrit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Viktimë ka qenë një ndërtues dhe përpjekja mashtruese edhe këtë radhë, e guximshme. Shuma e kërkuar ka qenë 50 mijë euro.

Nga dosjet gjyqësore

“Nga këqyrja e telefonit të shtetasit Sh. B. rezulton se në aplikacionin ‘Signal’, më datën 24.09.2024, ora 12:14 PM i ka shkuar një mesazh nga numër i regjistruar me emrin ‘Erion Veliaj’, me përmbajtje ‘Nga ndodhesh’. Shtetasi Sh. B. i ka kthyer përgjigje ‘Flet dot? Jam në Vlorë një vaki’. Ndërsa personi i ka shkruar ‘Ma mbaro një porsi kur të kthehesh!’. Shtetasi Sh. B. i është përgjigjur ‘Po patjetër’. Personi tjetër i i ka shkruar ‘Jepi 50! 068...404 Tani. Po të marr nga darka, hajde tek Padam".

Pasi ka vënë në dijeni policinë, për vazhdimin e veprimit simulues, dorëzimit të parave, biznesmeni ka lejuar shoqëruesin e tij të vijonte kontaktin telefonik me personat që do të merrnin paratë. Dorëzimi i kontrolluar i parave është bërë në një lokal në bulevardin “Zogu I”. Në momentin e takimit, personi i prezantuar me emrin Tani ishte i shoqëruar nga një tjetër person. Pritësi, shoqëruesi i biznesmenit, ju ka dorëzuar brenda në një qese shumën e parave, që u mor nga “Tani”. Ai rezultoi më pas të ishte Shkëlqim Saraçi. Në largim e sipër, pak metra më tutje, të dy janë mbërthyer nga agjentët e policisë.

Biznesmeni i futur në kurth në rastin e radhës ndodhej jashtë Tiranës, por skema është e njëjta. Dëmi i madh, pasi me bindjen se po ndihmonte deputetin Taulant Balla, me të cilin pretendonte se kishte miqësi familjare, dorëzoi 100 mijë euro tek persona të panjohur.

Edhe këtë herë, në prapaskenë qëndronte Florian Gjergji.

Referuar dosjes hetimore, biznesmeni nga Përrenjasi në maj 2024 është kontaktuar në aplikacionin “Viber” nga një numër që mbante emrin e deputetit socialist. “Jam në një drekë", "ma mbaron një porosi", "do kaloj një miku andej jepja 100 mije euro dhe rregullohemi". Kaq ka mjaftuar që biznesmeni të aktivizohej.

“Më ndihmo me disa mijëra euro”, biznesi në kurth

Sipas dosjes hetimore, kontakti që mbante emrin Taulant Balla i ka thënë biznesmenit se dikush do të telefononte pas pak. Një tjetër numër është vënë në kontakt më vonë me biznesmenin. Pasi dështojnë të lënë një takim, biznesmeni vetofrohet të shkonte në Tiranë për të dorëzuar shumën. Në të njëjtën kohë, ai ka qëndruar në lidhje me kontaktin, që mendonte se i përkiste deputetit, ku ky i fundit i jepte instruksione se ku duhet të dorëzonte shumën e parave. Për këtë “nder” nga numri i prezantuar si deputeti socialist mori përgëzimin “Faleminderit, nga e diela të bëjë telefon, hamë ndonjë drekë".

Të nesërmen, pasi mbërrin në Tiranë biznesmeni e pyet se ku mund ta takojë njeriun e tij.

Bashkëbiseduesi e orienton drejt një spitali privat.

Sipas direktivave, biznesmeni shquan një automjet “Mercedez Benz”, që kishte mbishkrimin “Taxi”. Ai afrohet tek mjeti ku ndodhej vetëm drejtuesi i cili nuk zbriti, dorëzon shumën e 100 mijë eurove të cilat i kishte futur në një kuti kartoni dhe kutin e kartonit në një qese të bardhë.

Disa ditë më vonë, kupton se kishte rënë pre e një mashtrimi.

Emri i Florian Gjergjit qëndron edhe pas një tentative mashtrimi, që ka pasur në shënjestër kryebashkiakun e kohës në Vlorë, Ermal Dredha. Ideatori i mashtrimi ishte kujdesur që kërkesa për para e kryebashkiakut të qytetit bregdetar të shkonte tek një mik i tij i fëmijërisë, një biznesmen i njohur i hidro-sanitarëve në kryeqytetet.

Personi që hiqej si kryebashkiak e ka kontaktuar “mikun” e tij të vjetër mes aplikacionit “Signal”. Ashtu si ndodh mes miqve që kishin kohë pa u dëgjuar, fillimisht ka bërë një bisedë të përzemërt me të. I ka thënë se të nesërmen do të ishte në Tiranë dhe i ka bërë ftesë të takohen për një kafe.

Nga dosja gjyqësore

“Në datën 02.08.2023, në telefonin e tij celular i ka shkruar sërish ky person dhe i ka kërkuar që t'i jap një njeriut të tij shumën prej 35.000 Euro dhe më pas do të rregulloheshin bashkë kur ai të vinte në Tiranë duke i thënë se do të vinte në Tiranë ditën e hënë. Kallëzuesit i është dukur e dyshimtë kjo bisedë, pasi me Ermalin nuk kanë pasur ndonjëherë kaq konfidencë dhe marrëdhënie lekësh me njëri-tjetrin, Në këto kushte sërish ka kontrolluar numrin telefonik që e mori dhe ka konstatuar se numri që e mori nuk ishte i shtetasit Ermal Dredha. Më datë 03.08.2023, kallëzuesi ka kontaktuar dhe me fëmijët e tij, të cilët e kanë këshilluar që të tregohet i kujdesshëm, pasi mund të bëhej fjalë për ndonjë skemë mashtrimi”.

Arrestimi i dy personave që do të takonin biznesmenin për të marrë paratë është bërë në kushtet e flagrancës, pranë një qendre tregtare në periferi të Tiranës. Që në momentin e parë të ndalimit, Gëzim Çelani ka pohuara para agjentëve se porosia ishte për Florian Gjergjin. Më tej, me ndalimin e të dytit Afrim Radiqit, policia i ka orientuar të vijonin komunikimin telefonik, duke pretenduar se i morën paratë. Përmes mesazheve, Gjergji i ka drejtuar për tek një person i tretë, që i priste tek “Zogu i Zi” në kryeqytet, që po ashtu është prangosur.

Tepër interesante në këtë rast ka qenë edhe një komunikim i “trurit” të mashtrimit, Florian Gjergjit, me efektivët e policisë së Tiranës. Pasi ka kuptuar se “ushtarët” e tij ishin arrestuar, Gjergji nuk i ka kursyer sms-te edhe në drejtim të policisë. Ai ka deklaruar se ishte ai “bossi” dhe ka sfiduar hapuar autoritetet.

Nga dosjet gjyqësore

“Nga ana e policisë gjyqësore janë bërë këqyrjet e telefonatave, nga ku karezultuar se në telefonin e të pandehurit Gëzim Çelanji ka patur një bisedë me emrin “Ermali Vlorë". Nga deklarimi i të pandehurit Gëzim Celanji ky numër është i shtetasit Florian Gjergji. Në këtë bisedë Floriani i tregon Gëzimit se si duhet të veprojë dhe në fund i thotë se do të rregullohen bashkë në lidhje me pagesat. Në momentin që shtetasi Florian Gjergji mëson se nuk është bërë dorëzimi i lekëve dhe se plani i tij ka dështuar, nëpërmjet sms ai ofendon Policinë dhe shprehet se policia nuk është e aftë ta kapë, pasi ai është koka e grupit. Nga kqyrja e telefonit të të pandehurit Afrim Radiçi rezulton një bisedë mes tij dhe Florianit ku ky i fundit i thotë të rrijë larg dhe mos afrohet ndërsa bisedat e tjera rezultojnë të fshira”.

Rastet që ndoqët deri tani nuk janë të izoluara. Ato janë disa ndër dhjetra raste të ngjashme, ku biznesmenët bëhen pre e personave që shiten si politikanë apo njerëz me pushtet për të zhvatur miliona.

Por këto hetime dhe gjykime, kanë zbërthyer mekanizmin e ndërmarrjeve të tilla kriminale, që edhe kur kanë aktorë të ndryshëm, zbatojnë me përpikëri të njëjtin skenar.

Referuar dosjeve gjyqësore, gjithçka niste nga platforma komunikimi digjitale të konsideruara të sigurta, si “Signal”, “Telegram” ose “Viber”. Filozofia e mashtrimit ka qenë thuajse identike: një mesazh përshëndetës, një bisedë miqësore dhe më pas kërkesa për një "favor" monetar, me premtimin se shuma do të kthehej shpejt ose do të "rregullohej" në një takim tjetër.

Të përfshirët në mashtrim përdornin numra të huaj ose numra shqiptarë, por me karta sim të blera në tregun e zi. Shumë prej tyre të blera në tregun famoz të Dollarit, toponimi popullor i pas viteve 90 i një rrugice në Tiranë, hallkë në zinxhirin e qindra ngjarjeve kriminale, që ndodhet paradoksalisht 30 hapa larg Bankës së Shqipërisë dhe 300 metra larg Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.

“Mesa mbaj mend personit që i mora porosinë më ka marrë në telegram dhe pasi e kam marrë porosinë e kam dërguar tek një person tjetër i cili dhe ky më mori në telegram në afërsi të Rrugës së Elbasanit. Rreth dy ditë më parë babi im i cili quhet Bedri më tha për të blerë një numër telefoni në treg të zi, kam shkuar bashkë me të dhe e kemi blerë në vëndin e quajtur ‘kryqëzimii dollarit’, tek një person i cili qëndronte në rrugë në vlerë 2000 lekë. Telefonin e kam pasur në shpi. Babai më ka thënë që këtë numër do ta përdorim për një porosi”.

Albert Vodha, i pandehur

“Me qëllim realizimin e kësaj porosie dhe sipas udhëzimeve të shtetasit Lulzim Delishi, i pandehuri Shkëlqim Saraçi ka blerë një telefon të markës ‘Nokia’, si dhe numrin e telefonit 068 xxxx404, i cili është i paregjistruar. Pasi ka siguruar numrin e telefonit të paragjistruar, ai ka komunikuar me numrin 069 xxxx861 dhe kanë rënë dakord që të takoheshin me qëllim marrjen e parave”.

Shkëlqim Saraçi, i pandehur

Është e qartë se këto ndërmarrje kriminale nuk ishin punë e një njeriu të vetëm. Në krye të piramidës, në pjesën më të madhe të rasteve që prezantuam prokuroria identifikon Florian Gjergjin. Ai ia ka dalë në vijimësi t’i drejtojë fijet nga distanca, me shumë gjasë nga një vend i Bashkimit Europian. Në rastet që ka dirigjuar, prokuroria thotë se Gjergji ka krijuar profilet e rreme dhe se bisedat fillestare me biznesmenët mbajnë firmën e tij.

Nga ana tjetër, Florian Gjergji, ka mbajtur vetëm kontakte telefonike me “ushtarët” e tij, që në disa raste, as nuk njiheshin dhe as nuk ishin takuar ndonjëherë.

“Unë e dija se porosia ishte për të pandehurin Florian Gjergji. Unë dua të ju sqaroj se Florian Gjergjin nuk e kam takuar asnjëherë, por ju them se i kam dërguar disa herë para nëpërmjet Wester Union, në shtetin e Gjermanisë unë dhe vëllai im, i cili quhet Ervin”.

Albert Vodha, i pandehur

“Disa ditë përpara kam kontaktuar me shtetasin Florian Gjergji, me të cilin jam njohur në Burgun e Drenovës gjatë kohës së pandemisë. Me këtë shtetas kam mbajtur komunikime të vazhdueshme dhe pas daljes nga burgu. Tre ditë përpara ngjarjes Floriani më ka kontaktuar dhe më ka kërkuar nëse kisha ndonjë shok, që të shkonte deri në Tiranë, për të marrë disa lekë për të.

Afrim Radiçi, i pandehur

“Ditën e ngjarjes ka shkuar pranë subjektit ‘L... H...’ pasi kishte për të marrë një porosi në emër të shtetasit Florian Gjergji, te një shtetas të cilin nuk e njihte. Ai ka deklaruar se shtetasin Florian Gjergji e ka dëgjuar fillimisht nga shoku i tij Afrim Radiçi, i cili ka thënë se Florianin e ka njohur në burgun e Drenovës dhe se ditën e ngjarjes do merrnin një porosi për llogaritë këtij shtetasi”

Gëzim Çelani, i pandehur

Referuar hetimit, jashtë Shqipërisë rezulton të ketë qenë edhe i akuzuar si “truri” i tentativës së mashtrimit të një prej biznesmenëve të ndërtimit mes emrit të Veliajt, Xhensil Qefa, si edhe “koka” e përpjekjes së futjes në kurth të biznesmenit të hidrosanitarëve mes emrit të Dredhës, ishte Lulëzim D.

Nga dosjet gjyqësore

“Para rreth 2 muajsh, Xhensili në dijeninë e tij ikën në Gjermani, por ata vazhdonin kontaktet në rrjetin social Instagram dhe konkretisht me adresën “donvito”. Para rreth 3-4 ditësh Xhensili i thotë nëse kishte mundësi ti bënte një nder dhe ti marrte një porosi në Tiranë, pasi ai e kishte të pamundur të vinte në Shqipëri, dhe ai i ka thënë në rregull. Një ditë më vonë i ka sjellë një djalë të vogël i cili kishte një celular për ti dhënë nga i cili ka kontaktuar me personin që do merrte porosinë”

Nga dosjet gjyqësore

“Shkëlqim Saraçi ka deklaruar se është telefonuar rreth tre ditë më parë nga shoku i tij Lulzim D., i cili banon në Itali. Ai është telefonuar përmes aplikacionit ËhatsApp nga numri +39 348 178 0424. Gjatë bisedës shtetasi Lulzim D., i ka kërkuar që të shkonte dhe t'i merrte një porosi, konkretisht një shumë prej 50.000 (pesëdhjetëmijë) Euro, tek një person i cili posedonte numrin e telefonit 069xxxx861, me premtimin se do i jepte një pjesë të parave”.

“Më ndihmo me disa mijëra euro”, biznesi në kurthFlorian Gjergji

Këta individë kanë vepruar si "koka" të skemës duke qëndruar shpesh në hije ose jashtë shtetit. Ata kanë përdorur persona të tjerë si korrierë apo ekzekutorë për të marrë fizikisht paratë. Secili merrte pagesa që varionin nga 2-3 mijë euro.

Për ta thjeshtuar, këta organizatorë mund të krahasohen me regjisorët e një shfaqjeje, të cilët qëndrojnë pas skenës dhe u tregojnë "aktorëve" (ekzekutorëve) se çfarë të thonë e ku të shkojnë, me qëllimin e vetëm për të vjelë përfitimet në fund.

Një nga garancitë e paprekshmërisë së tyre është segmentimi i ndërmarrjes kriminale. Referuar akteve gjyqësore, shpesh “aktorët” ose korrierët nuk e dinë identitetin e vërtetë të regjisorit. Kjo është garanci për ta. Nëse kapet korrieri, ai nuk ka informacion për të zbërthyer kokën e grupit.

Nga ana tjetër, ata janë kujdesur që paratë të kalonin në disa duar, derisa të niseshin drejt tyre.

Drejtësia ka dhënë dënime të rënda për këto vepra. Florian Gjergji është dënuar në mungesë me 9 vite burgim për mashtrim me pasoja të rënda, ndërsa është i pandehur në procese të tjera gjyqësore të hapura. Të tjerë bashkëpunëtorë, si korrierët, kanë marrë dënime që variojnë nga 2 deri në 3 vite burg, shpesh duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar ose pezullimi i dënimit në provë për shkak të rrezikshmërisë së paktë ose bashkëpunimit me hetimin.

Këto janë vetëm disa nga rastet e biznesmenëve të bërë pre e kësaj lloj skeme mashtrimi. Le të themi ndër më faltumët, për shkak se kanë mundur të nuhasin të vërtetën dhe të sinjalizojnë autoritetet.

Në një botë ku një fotografi profili mund të vidhet me një klikim, mesazhi i këtyre dosjeve gjyqësore është i qartë: Nëse një mik, apo njeri i pushtetshëm ju kërkon një nder financiar përmes aplikacioneve celulare, jini pak dyshues! (A2 Televizion)

“Rice është në të njëjtin nivel me Henry dhe Vieira” - legjenda e Arsenalit i jep vulë sezonit të mesfushorit

13 January 2026 at 23:52


Legjenda e Arsenalit, Robert Pires, ka lëvduar mesfushorin Declan Rice, duke theksuar se ai është në “të njëjtën ligë” me ikonat e klubit, Thierry Henry dhe Patrick Vieira.

Me Topçinjtë që aktualisht kryesojnë Ligën Premier me gjashtë pikë epërsi dhe synim për të fituar titullin e parë në mbi dy dekada, Pires beson se Rice është një element kyç për suksesin e skuadrës, raporton Goal.com.

Krahasimi me legjendat e epokës Highbury-t

Pires, pjesë e skuadrës historike të Arsenalit “Të Pamposhtur” në sezonin 2003/04, beson se Rice do të qëndronte në këmbë përballë ish-yjeve të Highburyt.

Ndërsa skuadra e Mikel Artetas synon të përfundojë një sezon historik dhe t’i japë fund pritjes 22-vjeçare për titull, miratimi i legjendës franceze nënvizon ndikimin transformues të Rice që nga mbërritja e tij në Londrën veriore.

“Ju nevojiten Patrick Vieira, Thierry Henry, Tony Adams… dhe Declan Rice është në të njëjtin rreth, po”, tha Pires për Sky Sports.

Talisman në mesfushë

Që nga transferimi prej 115 milionë eurosh nga West Ham verën e vitit 2023, Rice është bërë një lojtar i domosdoshëm për skuadrën e Artetas.

Ai u shpall lojtari i sezonit të Arsenalit për sezonin 2024/25 dhe vazhdon të jetë figurë kyçe këtë sezon. Sipas Pires, ndikimi i tij në mesfushë është i qartë: ashtu si Vieira u ofroi forcë dhe lidership “Të Pamposhturve”, Rice ofron bazën për suksesin e gjeneratës aktuale të Arsenalit.

Lëvdata edhe nga Roy Keane

Rice nuk është vetëm i vlerësuar nga legjenda e Arsenalit. Ish-kapiteni i Manchester United, Roy Keane, gjithashtu ka lavdëruar performancën e mesfushorit anglez. Para barazimit 0-0 të Arsenalit me Liverpoolin, Keane theksoi se Rice ka ngritur lojën e tij në nivel botëror.

“Ai duket si një djalë i përulur, por ka edhe vetëbesim – pak ego ju duhet për të luajtur për një klub të madh. Shikoni karrierën e tij: ka bërë një punë të shkëlqyer te West Ham dhe tani te Arsenali është i rrethuar nga lojtarë më të mirë”, tha Keane për Sky Sports. /Telegrafi/

"Ajo është këtu, e ndjej", ndonëse i verbër - banori i BBVA, Stenaldo e kupton prezencën e nënës së tij në shtëpi

13 January 2026 at 23:51


Një nga momentet më prekëse të këtij edicioni të Big Brother VIP Albania 5 ndodhi mbrëmjen e së martës, duke emocionuar jo vetëm banorët, por edhe mijëra shikues para ekranit.

Ndërsa pjesa tjetër e shtëpisë ishte drejtuar për të fjetur, në dhomën e ndenjës mbeti i vetëm këngëtari Stenaldo Mëhilli, i cili është i verbër, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe intime për një bisedë të thellë me moderatorin Ledion Liço.

Teksa Ledioni po e pyeste për historinë e tij të jetës, për sfidat dhe rrugëtimin personal, në shtëpi hyri pa u vënë re nëna e tij, Flutura. Ajo u ul në një qoshe të sallonit, duke u përpjekur të mos e prishte momentin dhe të mos zbulohej, ndërsa shikonte të birin nga afër pas një kohe të gjatë.

Megjithatë, në një mënyrë krejt instinktive, Stenaldo e ndjeu praninë e saj. Pa e parë, ai ndaloi për një çast dhe tha me bindje të plotë: “Ajo është këtu, jam 100 për qind i sigurt”. Ky reagim i menjëhershëm la të shtangur Ledionin, i cili i befasuar e pyeti se si arriti ta kuptojë një gjë të tillë.

Përgjigjja e Stenaldos ishte po aq prekëse sa edhe momenti vetë. Ai u shpreh se mes tij dhe nënës ekziston diçka më e fortë se shqisat e zakonshme, një lidhje që ai e quajti “hyjnore”, e cila i lejon ta ndiejë praninë e saj edhe pa e parë.

Ky çast i mbushur me emocion solli një nga skenat më të bukura të këtij sezoni, duke treguar fuqinë e lidhjes mes një nëne dhe një djali, përtej çdo pengese fizike. /Telegrafi/

A është Evropa gati për luftë?

13 January 2026 at 23:50


Me tensionet në rritje përgjatë kufijve të Evropës, Bashkimi Evropian ka deklaruar se masat e tij të reja mbrojtëse do të ndihmojnë bllokun të përballet me Rusinë dhe kërcënimet e tjera deri në vitin 2030. Por, a është ky një realitet i besueshëm? Dhe sa të përgatitur janë evropianët për një konflikt të mundshëm?

Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, i kombinuar me presionin e vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara, ka lënë Bashkimin Evropian me një zgjedhje të pakëndshme: të përqendrohet seriozisht në kapacitetin e tij të mbrojtjes dhe sigurisë.

Rreziqet mbeten të larta, pasi nuk ka shenja që lufta në Ukrainë të jetë pranë përfundimit. Në të njëjtën kohë, besimi në aftësitë e Evropës është i ulët, pasi kontinenti duket i cenueshëm dhe jo i përgatitur, si ushtarakisht ashtu edhe diplomatikisht, transmeton Telegrafi.

Angazhimi kryesor i Evropës është mbrojtja e vetvetes, duke vazhduar të mbështesë Ukrainën. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, udhëheqësit e BE-së ranë dakord për një kredi të re prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi iniciativa të reja mbrojtëse në muajin tetor, të cilat i prezantoi si hapa për të forcuar mbrojtjen e Evropës ndaj Rusisë dhe kundërshtarëve të tjerë deri në vitin 2030.

Duke shtuar tensionin, presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi më 2 dhjetor se Rusia është e gatshme të luftojë nëse është e nevojshme dhe nuk do të lërë “askënd me të cilin të negociojë”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se “ne jemi objektivi i radhës i Rusisë” dhe se një sulm ndaj aleancës mund të ndodhë brenda pesë viteve të ardhshme.

Strategjia e sigurisë kombëtare e SHBA-së kritikoi Evropën dhe agjendën e saj, duke e etiketuar si një aleat të dobët. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i bëri jehonë paralajmërimeve të historianëve ushtarakë në nëntor, duke deklaruar se “tashmë e patëm verën tonë të fundit të paqes”.

Shqetësimi kryesor është i qartë: evropianët tani besojnë se një sulm rus ndaj NATO-s ose vendeve fqinje është gjithnjë e më i mundshëm, duke krijuar një ndjenjë të fortë urgjence për veprim.

A janë evropianët gati për luftë?

Një sondazh i fundit i Euronews pyeti se “A do të luftonit për kufijtë e BE-së?”. Rezultatet treguan hezitim të madh përballë perspektivës së luftës. Nga 9950 pjesëmarrës, tre nga katër (75 për qind) thanë se nuk do të ishin të gatshëm të merrnin armët. Nëntëmbëdhjetë për qind u shprehën të gatshëm për të luftuar, ndërsa 8% mbetën të pasigurt, duke reflektuar pasiguri për gatishmërinë personale dhe për nivelin e përgatitjes së vendit të tyre për një konflikt të mundshëm.

Një sondazh i YouGov nxori në pah se agresioni rus perceptohet si një nga kërcënimet më të mëdha për Evropën, me 51 për qind në Poloni, 57 për qind në Lituani dhe 62 për qind në Danimarkë që e identifikuan si shqetësimin kryesor. Po ashtu, “konfliktet e armatosura” u renditën si shqetësimi i tretë më i madh mes evropianëve.

Megjithatë, ndërsa udhëheqësit evropianë ndajnë këto shqetësime, janë kryesisht vendet baltike - Lituania, Estonia dhe Letonia - që kanë ndërmarrë hapa më të vendosur. Këto shtete ndodhen në kufirin lindor të NATO-s dhe BE-së dhe kanë një vijë kufitare me Rusinë dhe Bjellorusinë më shumë se 1000 kilometra.

Lituania ka filluar të ndërtojë “mure kundër dronëve” dhe, duke bashkëpunuar me Letoninë, po restaurojnë kënetat si mbrojtje natyrore. Ata kanë nisur gjithashtu fushata kombëtare ndërgjegjësimi, ushtrime për qëndrueshmëri dhe stërvitje televizive për të ndihmuar qytetarët të përgatiten mendërisht për një konflikt të mundshëm.

Vitin e kaluar, Ministria e Brendshme e Lituanisë publikoi harta për strehimore dhe linja emergjence, ndërsa Letonia shtoi një kurs të detyrueshëm kombëtar të mbrojtjes në kurrikulën e arsimit publik. Polonia ndërtoi barriera përgjatë kufijve me Bjellorusinë dhe futi kurse sigurie në shkolla, përfshirë stërvitje në përdorimin e armëve për të rinjtë nga mosha 14 vjeç.

Finlanda dhe Estonia u dërguan familjeve broshura udhëzuese mbi veprimet gjatë luftës, duke rikthyer praktika të Luftës së Ftohtë. Suedia nisi një iniciativë kombëtare në vitin 2025 për të shpërndarë broshura të përditësuara “Nëse Vjen Kriza ose Lufta” në çdo familje. Të tre vendet integruan gjithashtu mbrojtjen në kurrikulat arsimore, me Estonin që prezantoi një kurs të posaçëm kombëtar të mbrojtjes në shkollat e mesme në vitin 2023.

Paralelisht, ka një rritje të dukshme të interesit të qytetarëve për gatishmërinë civile. Në vendet pranë Rusisë, si Finlanda, Estonia, Polonia, Lituania dhe Suedia, kërkimet në Google gjatë pesë viteve të fundit për tema si “çfarë të marr me vete për luftë ose evakuim” dhe “ku janë strehimoret kundër bombave pranë meje?” janë rritur ndjeshëm, duke arritur kulmin në vitin 2025.

Çfarë po bën Brukseli?

Pavarësisht panikut të mundshëm, qeveritë kombëtare nuk janë të vetmet që veprojnë për të rritur aftësitë mbrojtëse. Në nivelin e BE-së, janë ndërmarrë iniciativa për të përmirësuar kapacitetin e bllokut për një skenar “për çdo rast”.

Buxhetet e mbrojtjes në Evropë janë rritur mbi 300 miliardë euro në vitin 2024. Propozimi i KFSH 2028-2034 i prezantuar nga Ursula von der Leyen ndan 131 miliardë euro shtesë për hapësirën ajrore dhe mbrojtjen - pesë herë më shumë se buxheti paraprak.

Plani “Gatishmëria 2030”, i miratuar nga të 27 shtetet anëtare, synon të mbyllë boshllëqet në aftësi dhe të përshpejtojë reagimin ushtarak, duke mundësuar lëvizjen e trupave dhe pajisjeve brenda tre ditëve në kohë paqeje dhe brenda gjashtë orëve gjatë emergjencave, përmes krijimit të një kuadri “Shengen Ushtarak”.

BE-ja po zhvillon rrjet korridoresh të transportit ushtarak, duke përfshirë rrugë, hekurudha dhe porte të përforcuara për automjete të rënda. Rreth 500 pika infrastrukturore kritike, si ura dhe tunele, janë identifikuar për përmirësim, për të përballuar automjete mbi 60 ton.

Plani synon gjithashtu standardizimin e pajisjeve dhe procedurave logjistike të forcave të armatosura të BE-së, të cilat aktualisht funksionojnë në sisteme të papajtueshme. Kostoja e këtyre përmirësimeve vlerësohet midis 70 dhe 100 miliardë euro, me fonde nga buxhetet kombëtare dhe programet e BE-së, si Programi “Connecting Europe Facility”.

Një nga mjetet kryesore është ReArm Europe, prezantuar në 2025, një platformë qendrore për koordinimin e kapacitetit industrial dhe gatishmërisë së mbrojtjes. Dy mekanizma nën këtë ombrellë janë EDIP, Programi Evropian i Industrisë së Mbrojtjes, dhe SAFE, Zarfi i Financimit të Armatimeve Strategjike.

EDIP ofron 1.5 miliard euro bashkëfinancim për projekte që përfshijnë të paktën tre shtete të BE-së ose dy plus Ukrainën. SAFE ofron një strukturë kredie prej 150 miliardë eurosh për blerje të përbashkëta armësh, duke ulur kostot dhe duke përshpejtuar prokurimin.

Këto iniciativa synojnë bashkimin e burimeve, përmirësimin e negocimeve dhe sigurinë e ndërveprueshmërisë së sistemeve të reja mbrojtëse.

Pse SHBA-të e shtyjnë Evropën drejt riarmatosjes?

Strategjia e sigurisë e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump në muajin dhjetor të vitit 2025 kritikoi Evropën si një partner të dobët, duke i kërkuar kontinenti të marrë përsipër pjesën më të madhe të përgjegjësive të NATO-s deri në vitin 2027, përfshirë inteligjencën dhe sistemet raketore.

Në samitin e NATO-s në Hagë, aleatët ranë dakord të investojnë 5 për qind të GDP-së çdo vit në mbrojtje deri në 2035, ndërkohë që kontributet aktuale evropiane janë më të ulëta.

Strategjia e SHBA-së kritikonte gjithashtu politikat evropiane mbi migracionin, lindshmërinë, lirinë e fjalës dhe mbështetjen ndaj Ukrainës.

Qëllimi i Uashingtonit është normalizimi i marrëdhënieve me Rusinë ose “rivendosja e stabilitetit strategjik”, duke e paraqitur Rusinë jo si një aleat, por as si kundërshtar të qartë.

Zyrtarët evropianë, si Valdis Dombrovskis, Antonio Costa dhe Kaja Kallas, refuzuan këtë kritikë, duke theksuar vendosmërinë e BE-së për të vepruar pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së dhe duke mbrojtur vendimet demokratike të brendshme.

Sfidat e mbrojtjes evropiane

telegrafi.com

Megjithëse Evropa po riarmatoset, ekspertët paralajmërojnë se urgjenca politike nuk mjafton. Seamus Boland, president i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, vuri në dukje se Evropa mbetet një objektiv i lehtë për diktaturat, pasi nuk është e detyruar të jetojë sipas të njëjtave standarde si vendet autokratike.

Pengesat strukturore vazhdojnë të kufizojnë përpjekjet mbrojtëse, siç theksoi Thomas Regnier nga Sovraniteti i Teknologjisë dhe Mbrojtjes. Komisioni po përshpejton ndryshimet me rregullore “mini-omnibus” dhe plane më të gjera, për të shkurtuar vonesat në prodhim dhe për të përshpejtuar prokurimin.

Industria e mbrojtjes në Evropë është konkurruese, por e fragmentuar. Koordinimi më i thellë është thelbësor për financimin, zhvillimin, prodhimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve mbrojtëse. SAFE dhe mekanizma të tjerë synojnë të përshpejtojnë prokurimin e përbashkët dhe të zvogëlojnë varësinë nga furnizuesit jashtë BE-së, duke siguruar “përdorim të pavarur” të pajisjeve mbrojtëse evropiane.

Planet e SAFE përfshijnë 691 projekte, me fokus kryesor prokurimin e përbashkët për mbrojtjen ajrore, raketore, dronët, sistemet anti-dronë dhe aftësitë detare, me një financim paraprak prej deri në 22.5 miliardë euro që mund të lirohet në mars 2026.

Afatet kohore janë të ngushta. Evropa duhet të modernizojë industrinë e mbrojtjes, të mbështesë Ukrainën dhe të përgjigjet ndaj paralajmërimeve të sigurisë nga NATO dhe SHBA.

Suksesi do të varet nga bashkëpunimi i thellë, mbyllja e boshllëqeve në aftësi dhe ruajtja e mbështetjes për Ukrainën. Në këtë mjedis të definuar nga urgjenca, sfida për Evropën nuk është nëse duhet të veprojë, por nëse mund të veprojë mjaftueshëm shpejt. /Telegrafi/

Mbyllet përkohësisht ura në rrugën Drenas-Shtrubullovë-Krajkovë, u dëmtua nga vërshimet

13 January 2026 at 23:38


Rruga Drenas–Shtrubullovë–Krajkovë është mbyllur përkohësisht për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Sipas njoftimit nga Komuna e Drenasit, ura në afërsi të varrezave të Drenasit ka pësuar dëmtime serioze dhe paraqet rrezik për qarkullim.

“Për arsye sigurie, qarkullimi mbi urë ndalohet përkohësisht deri në një njoftim të radhës,” thuhet në njoftim.

Tutje në këtë njoftim, thuhet se në ditët në vazhdim do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.

“Njësitet e Policisë dhe të Zjarrfikësve janë të pranishme në vendin e ngjarjes dhe po monitorojnë situatën”.

Zbutësi i koncentruar apo ai i zakonshëm – cilin po e përdorni gabim?

13 January 2026 at 23:23


Sekreti për rroba më të freskëta, më të buta dhe me aromë më të gjatë

Përdorimi i rregullt i zbutësit gjatë larjes u jep rrobave freski dhe aromë të këndshme, si dhe i mbron nga procesi i plakjes. Në këtë mënyrë, veshjet tuaja të preferuara duken si të reja dhe zgjasin shumë më gjatë.

Zbutësi i rrobave është një tretësirë ujore e substancave sipërfaqësore kationike, me përbërës organikë dhe inorganikë. Substancat kationike përdoren në sasi të vogla dhe kanë funksionin e zbutjes. Ato dallohen sipas aromës dhe përqendrimit.

Zbutësi i jep tekstilit freski, aromë të këndshme dhe butësi në prekje. Përveç kësaj, mbron materialin nga humbja e formës dhe zbehja e ngjyrës. Ka edhe efekt antistatik dhe e lehtëson hekurosjen.

Si vepron zbutësi?

Parimi i veprimit të zbutësit është i ngjashëm me balsamin për flokë. Përbërësit kryesorë, substancat kationike dhe silikoni, pas larjes “fiksohen” në fijet e tekstilit dhe formojnë një shtresë mbrojtëse.

Kjo shtresë parandalon grumbullimin e gëlqeres, zbehjen e ngjyrës, si dhe degradimin e fibrave si pasojë e ujit të fortë, fërkimit mekanik në rrobalarëse apo përdorimit gjatë veshjes. Si rezultat, rrobat ruajnë më gjatë pamjen fillestare, janë më të lehta për t’u hekurosur dhe nuk grumbullojnë elektricitet statik, transmeton Telegrafi.

Zbutës i koncentruar apo i zakonshëm?

Zbutësi i koncentruar është një version më i avancuar që dozohet në sasi më të vogla, por ofron mbrojtje më të mirë për tekstilet dhe është më ekonomik për të njëjtën sasi rrobash.

Nga këndvështrimi ekologjik, zbutësi i koncentruar është gjithashtu zgjedhje më e mirë, sepse për prodhimin e tij shpenzohen më pak burime natyrore, veçanërisht ujë. Transporti i produkteve të koncentruara kërkon më pak logjistikë, duke ulur emetimin e dioksidit të karbonit. Për shkak të konsumit më të vogël, përdoret edhe më pak ambalazh plastik, çka kontribuon shtesë në mbrojtjen e mjedisit.

Është e rëndësishme të theksohet se zbutësi duhet përdorur edhe gjatë larjes në temperatura të ulëta. Larja në 30 °C dhe më poshtë është më e butë për tekstilet dhe ndihmon në ruajtjen e shtresës së ozonit, sepse kursen energjinë që do të shpenzohej për ngrohjen e ujit, duke reduktuar emetimin e gazrave serrë.

Si të përdoret saktë zbutësi?

Zbutësi fillon të veprojë vetëm në fazën e shpëlarjes, në fund të ciklit të larjes, prandaj është e rëndësishme ta hidhni në ndarjen e posaçme të sirtarit të rrobalarëses.

Rregulli i artë është t’i përmbaheni udhëzimeve në paketim dhe dozimit të saktë. Për shembull, për 4–5 kg rroba rekomandohen 35 ml zbutës - një kapak. Nëse vendosni shumë pak, efekti do të mungojë; nëse vendosni tepër, zbutësi nuk do të shpëlahet plotësisht dhe rrobat mund të mbeten të pakëndshme në prekje.

Zbutësi është i përshtatshëm për një gamë të gjerë materialesh moderne. Përjashtim bëjnë materialet prej leshi, si flisi, kadifeja, shenili dhe frotiri.

A është e sigurt përdorimi i zbutësit nëse jeni alergjik?

Nëse vuani nga alergjitë, zgjidhni zbutës me shenjën “dermatologjikisht i testuar” dhe kombinojini me detergjent hipoalergjik, mundësisht të certifikuar nga Qendra Evropiane për Kërkimin e Alergjive (ECARF).

Për personat me lëkurë të ndjeshme, përdorimi i zbutësit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse zvogëlon parehatinë gjatë veshjes dhe e bën tekstilin më të butë.

Megjithatë, mbani parasysh se mund të ketë intolerancë individuale ndaj disa përbërësve. Kjo vlen për gjithçka me të cilën biem në kontakt, përfshirë edhe zbutësit. Nëse, për shembull, jeni të ndjeshëm ndaj një aromë të caktuar, lexoni me kujdes përbërjen e produktit dhe sigurohuni që të mos përmbajë komponentë problematikë. /Telegrafi/

Alarmohet Franca - më shumë vdekje sesa lindje që nga Lufta e Dytë Botërore

13 January 2026 at 23:20


Franca ka regjistruar për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore më shumë vdekje sesa lindje në vitin 2025, një zhvillim që dobëson avantazhin demografik që vendi ka pasur tradicionalisht mbi shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të martën.

Instituti Kombëtar i Statistikave (INSEE) njoftoi se vitin e kaluar u regjistruan 651 mijë vdekje dhe 645 mijë lindje, me një rënie të ndjeshme të lindshmërisë që nga pandemia e COVID-19.

Franca ka pasur historikisht statistika demografike më të forta se pjesa më e madhe e Evropës, por një popullsi në plakje dhe normat e ulëta të lindshmërisë tregojnë se vendi po përballet me një krizë demografike që mund të rëndojë financat publike në kontinent, raporton reuters.

INSEE njoftoi se norma e fertilitetit ka rënë në 1.56 fëmijë për grua vitin e kaluar, niveli më i ulët që nga Lufta e Parë Botërore. Për krahasim, në vitin 2023 Franca renditej e dyta në BE me një normë fertiliteti prej 1.65, pas Bullgarisë me 1.81.

Ndryshimet demografike pritet të rrisin sërish shpenzimet publike në nivele të ngjashme me ato të pandemisë, ndërsa do të dobësojnë bazën tatimore, sipas zyrës kombëtare të auditimit publik.

“Duke marrë parasysh pensionimin e brezave të mëdhenj të lindur në vitet 1960, tensionet në tregun e punës dhe mungesën e fuqisë punëtore pritet të rriten shpejt në vitet e ardhshme”, tha ekonomisti Philippe Crevel nga “Cercle d’Épargne”.

Megjithatë, edhe pse vdekjet tejkaluan lindjet, popullsia e Francës u rrit pak vitin e kaluar, duke arritur në 69.1 milionë banorë, falë migracionit neto, të cilin INSEE e vlerësoi në 176 mijë njerëz. /Telegrafi/

"Ty të pres si sallamet e Italisë", Ludo Lee 'eskalon' ndaj Hygertës

13 January 2026 at 23:14


Një tjetër përplasje e fortë ka tronditur shtëpinë, këtë herë mes Hygertës dhe Ludos, të cilët u përfshinë në një debat të ashpër që degradoi shpejt në fyerje dhe kërcënime verbale.

Situata u tensionua kur Ludo iu drejtua Hygertës me një shprehje provokuese, duke i thënë se do ta “presë si sallamë të Italisë”, një frazë që ndezi menjëherë reagimin e saj.

Hygerta nuk u tërhoq aspak, përkundrazi, i ktheu përgjigje me tone edhe më të forta, duke e sfiduar hapur. Ajo tha se nuk ka nevojë për respektin e tij dhe e quajti frikacak, duke e ftuar të përballet drejtpërdrejt me të.

Replikat mes tyre u bënë gjithnjë e më të ashpra, ndërsa Ludo vazhdoi me paralajmërime se do t’i vijë radha dhe se ai “e di si t’i gjuajë”, duke e çuar situatën në një nivel edhe më të tensionuar.

- YouTube youtu.be

Pas këtij shpërthimi, Hygerta u largua nga debati dhe vijoi bisedën me Arditin, aty ku e kishin lënë më herët. Në një ton më të qetë, ajo u shpreh se pas përballjes së fundit e kishte kuptuar përfundimisht se me kë kishte të bënte dhe se nuk kishte më asnjë arsye të merrej me Ludo.

“Pas bisedës së sotme unë s’merrem më me të, e identifikova”, tha Hygerta, duke lënë të kuptohet se për të kjo përplasje ka mbyllur çdo kapitull komunikimi mes tyre. Debati ka lënë pas një atmosferë të rënduar në shtëpi dhe pritet të ketë pasoja në raportet mes banorëve në ditët në vijim. /Telegrafi/

Semenyo zjarr te Man City, fitore të madhe ndaj Newcastle me hap të madh drejt finales

13 January 2026 at 23:08


Në ndeshjen e parë gjysmëfinale të EFL Cup, Manchester City arriti një fitore të rëndësishme 2-0 në fushën e Newcastle, duke marrë avantazh të konsiderueshëm për finalen e kompeticionit.

"Qytetarët" e Pep Guardiolës morën iniciativën që nga minuta e parë dhe shfaqën kontroll të fortë mbi lojën, megjithëse Newcastle krijoi disa raste të rrezikshme.

Goli i parë erdhi në minutën e 53-të, kur Antoine Semenyo shfrytëzoi një hapësirë brenda zonës pas një pasimi të Bernardo Silvës dhe goditi në mes të rrjetës, duke çuar Manchester City në avantazh prej 1-0.

Joelinton, Bruno Guimaraes dhe Tonali kishin raste ta barazonin rezultatin, por nuk ia dolën.

Për të vulosur rezultatin, Rayan Cherki shënoi golin e dytë në minutën e 90+9’, pas një pasimi të bukur nga Rayan Ait Nouri. Ky gol i dha qetësi skuadrës së Guardiolës dhe pothuajse siguruan vendin në finalen e EFL Cup.

Me këtë fitore, Manchester City ka një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit dhe është favorit për të siguruar vendin në finalen e EFL Cup.

Të gjitha sytë janë drejtuar te finalisti i mundshëm që do të dalë nga çiftet gjysmëfinale, ku në ndeshjen tjetër rivalët e mëdhenj Arsenal dhe Chelsea do të përballen për avantazh para ndeshjes së kthimit. /Telegrafi/

Torino eliminoi Romën nga Kupa e Italisë në ndeshjen që u shënuan pesë gola

13 January 2026 at 23:01


Torino ka shkaktuar befasi të madhe në Kupën e Italisë, duke eliminuar Romën me fitore 3-2 pas një ndeshjeje dramatike, të vendosur në minutat e fundit në “Stadio Olimpico”.

Skuadra mike kaloi e para në epërsi në minutën e 35-të, kur Nikola Vlašić lëshoi një pasim perfekt në hapësirë për Che Adams, i cili pa portierin jashtë pozicionit dhe e dërgoi topin me qetësi në këndin e poshtëm për 0-1. Roma pati disa raste për të barazuar në pjesën e parë, por mungoi konkretizimi.

Vetëm 46 sekonda pas rifillimit të pjesës së dytë, Roma reagoi. Leon Bailey asistoi për Mario Hermoson, i cili nga brenda zonës realizoi për 1-1, duke rikthyer shpresën për vendasit.

Megjithatë, Torino u rikthye shpejt në avantazh. Në minutën e 52-të, pas një aksioni të ndërtuar nga Vlasic, Che Adams shënoi golin e tij të dytë personal me një goditje të saktë për 1-2.

Roma nuk u dorëzua dhe në minutën e 81-të arriti barazimin. Wesley França krosoi bukur nga krahu, ndërsa Antonio Arena u shkëput mirë në zonë dhe me kokë shënoi për 2-2, duke e çuar ndeshjen drejt një fundi të tensionuar.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt vazhdimeve, Torino goditi në momentin vendimtar. Në minutën e 90-të, pas një topi të kthyer nga portieri, Emirhan İlkhan reagoi më shpejt se të gjithë dhe e shtyu topin në rrjetë për 2-3, gol që vulosi eliminimin e Romës nga Kupa e Italisë.

Në minutat shtesë, Roma tentoi me ngulm të barazonte, me Antonio Arenën që ishte shumë pranë golit në minutën e 90+4’, por goditja e tij përfundoi pak centimetra jashtë shtyllës.

Kështu, Torino siguron kualifikimin dhe vazhdon rrugëtimin në Kupën e Italisë, ndërsa për Romën kjo humbje përbën një tjetër goditje të rëndë sezonale dhe një eliminim zhgënjyes para tifozëve të saj. /Telegrafi/

Nëse çorapet ju lënë shenja të thella në këmbë, nuk është rastësi: Ja çfarë po sinjalizon trupi

13 January 2026 at 22:58


Gjurmët e theksuara nga çorapet mund të jenë më shumë sesa problem estetik - në disa raste, ato tregojnë gjendje shëndetësore që kërkojnë vëmendje

Në fund të ditës, kur ndërroni rrobat e përditshme me pizhame, ndoshta vini re se çorapet ju kanë lënë shenja të thella në pulpë ose rreth kyçeve. Vijat duken të “gdhendura” në lëkurë dhe zhduken ngadalë. Shpesh mendohet se shkaku është thjesht masa e gabuar e çorapeve, por në disa raste, trupi po dërgon një sinjal të rëndësishëm shëndetësor.

Çorapet nuk janë vetëm aksesor praktik apo estetik. Ato mbrojnë këmbët, parandalojnë flluskat, ndihmojnë ecjen dhe ngrohin trupin. Megjithatë, momenti i heqjes së tyre shpesh shoqërohet me ndjeshmëri të lëkurës dhe shenja të dukshme shtrëngimi.

Në shumicën e rasteve, këto gjurmë janë të padëmshme dhe kalimtare. Por kur shfaqen shpesh, janë të theksuara ose zgjasin për orë të tëra, nuk duhet të injorohen.

Edema periferike – shkaku më i shpeshtë

Një nga arsyet më të zakonshme është edema periferike, gjendje në të cilën ndodh mbajtje e lëngjeve në pjesët e poshtme të trupit. Përveç shenjave nga çorapet, mund të vëreni:

  • ënjtje të këmbëve dhe kyçeve
  • lëkurë të shtrënguar dhe me shkëlqim
  • ndjesi rëndese ose dhimbje
  • lëvizshmëri të kufizuar

Kjo gjendje shpesh lidhet me qëndrimin e gjatë në këmbë, uljen e zgjatur, shtatzëninë ose ndryshimet hormonale, por mund të ketë edhe shkaqe më serioze, transmeton Telegrafi.


Problemet me venat

Nëse shenjat zgjasin më shumë dhe shoqërohen me vena të zgjeruara, ngërçe të shpeshta, kruarje ose ndryshim të ngjyrës së lëkurës, mund të bëhet fjalë për insuficiencë venoze. Ky problem është mjaft i përhapur dhe kërkon vlerësim mjekësor, sidomos nëse simptomat përkeqësohen me kalimin e kohës.

Çrregullime të sistemit limfatik

Sistemi limfatik luan rol kyç në imunitet dhe largimin e toksinave. Kur funksionimi i tij dëmtohet, lëngjet grumbullohen në inde. Nëse ënjtja dhe shenjat nga çorapet shfaqen çdo ditë, shoqërohen me ndjesi të vazhdueshme rëndese dhe nuk tërhiqen as pas pushimit, mund të bëhet fjalë për limfedemë, një gjendje që kërkon vlerësim dhe trajtim profesional.

Ndikimi i medikamenteve

Disa barna, veçanërisht ato për rregullimin e tensionit të gjakut, mund të shkaktojnë ënjtje të këmbëve. Si pasojë, çorapet lënë shenja më të thella edhe nëse përdorni të njëjtin model si më parë.

Kur duhet treguar kujdes i veçantë

Këshillohet konsultë mjekësore nëse:

  • shenjat nuk zhduken as pas një ore
  • lëkura bëhet e ngrohtë, e dhimbshme ose ndryshon ngjyrë
  • ënjtja është më e theksuar vetëm në njërën këmbë
  • shfaqen vështirësi në frymëmarrje ose dhimbje gjoksi
  • keni histori sëmundjesh të zemrës, veshkave ose mëlçisë
  • keni pasur së fundmi udhëtime të gjata ose fluturime

Në këto raste, kontrolli mjekësor është i domosdoshëm.

Si të shmangni shenjat e pakëndshme nga çorapet

Nëse çorapet ju lënë shpesh gjurmë të thella:

  • shmangni modelet me llastik të fortë
  • zgjidhni çorape pa qepje, prej materialesh të buta dhe ajrosëse (si pambuku)
  • merrni një numër më të madh, sidomos nëse jeni mes dy masave
  • lëvizni rregullisht dhe ngrini këmbët gjatë pushimit

Mbani mend: Shenjat nga çorapet shpesh janë të padëmshme, por kur trupi i përsërit ato çdo ditë, ia vlen të dëgjohet. Lëkura është një nga pasqyrat më të sinqerta të shëndetit. /Telegrafi/

“Nuk e dija që po stërvisja një çerdhe” - gjithçka u prish te Real Madridi shumë kohë më parë kur Alonso u bërtiti lojtarëve

13 January 2026 at 22:54


Xabi Alonso u shkarkua nga detyra e trajnerit të Real Madridit të hënën, ndërsa në vend të tij u emërua Alvaro Arbeloa, ish-lojtari i klubit që deri më tani kishte punuar me ekipet e të rinjve.

Vendimi i klubit ka shkaktuar zemërim te një pjesë e madhe e tifozëve, por edhe reagime të forta dhe kritika nga media spanjolle dhe ish-lojtarë të Real Madridit.

Gazeta Marca, më e lexuara sportive në Spanjë, i ka kushtuar largimit të Alonsos një artikull të gjatë në faqen e parë me titullin: “Dita kur Xabi u rrëzua dhe gjithçka shkoi për dreqi: ‘Nuk e dija që do të vija të stërvisja fëmijë kopshti!’”.

Në këtë shkrim përshkruhet momenti kur marrëdhënia mes trajnerit dhe një pjese të madhe të skuadrës u thye përfundimisht, gjatë një seance stërvitore në muajin nëntor.

Fraza që ndryshoi gjithçka

Sipas Marcas, përçarja mes ekipit dhe Xabi Alonsos pas dyerve të mbyllura ishte tashmë e dukshme. Distanca mes palëve po rritej gradualisht, derisa situata shpërtheu. Gjatë një seance stërvitore, Alonso humbi kontrollin dhe u bërtiti lojtarëve:
“Nuk e dija që po vija të stërvisja një çerdhe!”

Nuk ishte një paralajmërim i zakonshëm për të tronditur skuadrën, as një shpërthim i çastit zemërimi, por një britmë dëshpërimi, rraskapitjeje dhe frustrimi. Alonso ishte prej kohësh i irrituar, pasi mendonte se lojtarët nuk po i përmbushnin kërkesat e tij, sidomos ato që kishin të bënin me aspektin taktik dhe disiplinën në stërvitje.

“Fytyra të zymta, mungesë përqendrimi, pëshpëritje… derisa ai shpërtheu dhe shqiptoi fjalinë që shënoi fillimin e fundit. Ai tha me zë të lartë atë që kishte menduar prej kohësh dhe hapi një plagë në marrëdhënien me ekipin që nuk u mbyll më kurrë”, shkruan Marca.

Mbingarkesë taktike dhe informacion i tepërt

Lojtarët, nga ana tjetër, i konsideronin seancat stërvitore të Alonsos tepër të vështira nga ana taktike dhe ankoheshin se u ngarkohej shumë informacion në një kohë të shkurtër. Zelli i tepruar i Xabit në punën taktike, obsesioni me detajet dhe korrigjimet e vazhdueshme, sipas raportimeve, krijuan lodhje edhe te stafi i tij teknik.

Pakënaqësi kishte edhe ndaj asistentëve, veçanërisht ndaj Sebas Parrilla, ndihmësit kryesor të Alonsos. Prania e shumë personave që jepnin udhëzime dhe monitoronin çdo detaj i bënte lojtarët të ndiheshin nën presion dhe në siklet. Atmosfera e punës u përkeqësua ditë pas dite dhe konsumimi psikologjik filloi të ndihej gjithnjë e më shumë.

Megjithatë, Xabi Alonso i shihte gjërat krejtësisht ndryshe. Kupa e parë e Botës për Klube, e ndjekur nga një rikthim i menjëhershëm në garë, pothuajse pa përgatitje, sipas tij i kishte lënë shumë pak hapësirë për të punuar mbi idetë që dëshironte t’i implementonte te Real Madridi. Ai mendonte se kishte shumë gjëra për t’u ndryshuar dhe korrigjuar dhe se i duhej çdo minutë e çdo seance stërvitore për ta përcjellë këtë te ekipi.

“Xabi e dinte se skuadra ishte larg asaj që ai kishte në mendje dhe se procesi duhej përshpejtuar. Por ky ritëm pune dhe përvetësimi i koncepteve të reja hasnin në vështirësi në dhomën e zhveshjes. Palët nuk ishin në të njëjtën gjatësi vale dhe jeta e përditshme po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Xabi ishte i pakënaqur me lojtarët dhe lojtarët ishin të pakënaqur me Xabin”, shton Marca.

Emri i Arbeloas filloi të qarkullojë

Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, thashethemet për Alvaro Arbeloan nisën të qarkullojnë gjithnjë e më shpesh në dhomat e zhveshjes. Emri i tij shihej si një zgjidhje e mundshme për të ardhmen dhe prania e tij rreth ekipit të parë po bëhej gjithnjë e më e dukshme.

Qoftë sepse klubi kishte filluar ta testonte këtë opsion, apo sepse vetë lojtarët e vërenin, fakti që Arbeloa – si trajner i Castillas – ishte rregullisht i pranishëm në stërvitjet e ekipit të parë, shtoi pasigurinë dhe dyshimet.

Në këtë klimë të tensionuar erdhi edhe kriza e rezultateve. Real Madridi humbi stabilitetin e pakët që kishte dhe problemet nisën të grumbulloheshin. Edhe pse në momentet e fundit skuadra u përpoq të qëndronte e bashkuar për të kapërcyer situatën dhe për të shmangur shkarkimin e Alonsos, por diçka ishte thyer tashmë.

Dyshimet dhe trazirat nga dhoma e zhveshjes u reflektuan edhe në nivelet më të larta të klubit dhe kthim pas nuk kishte më. Superkupa u bë pika e fundit, por, siç përfundon Marca, britma në stërvitje ishte në fakt fillimi i fundit. /Telegrafi/

Petrova: Nuk është diskutuar për heqjen e masës "TVSH-ja Ime"

13 January 2026 at 22:49


"Nuk është diskutuar për një heqje të mundshme të masës “TVSH-ja Ime”", deklaroi drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Elena Petrova.

“Nuk mund të them se ekziston ndonjë vendim apo qëllim për miratimin e një vendimi të tillë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për një masë për të cilën shpenzohen mjete publike, sigurisht që duhet të shqyrtohet dhe të diskutohet efikasiteti i saj dhe nëse masa i ka arritur qëllimet për të cilat është vendosur. Përmes kësaj mase, në nivel tremujor për vitin 2025, ndahen rreth 14,5 milionë euro për, mesatarisht, rreth 502 mijë përfitues".

"Ky shumë rritet çdo vit krahasuar me vitet e mëparshme. Rritet edhe numri i përfituesve, por për shkak se rritet edhe arkëtimi i të ardhurave, mesatarisht mund të themi se për këtë masë ndahen rreth 4 për qind e arkëtimit vjetor të të ardhurave nga TVSH-ja, ose ekuivalente me afërsisht gjysmën e të ardhurave mujore nga TVSH-ja”, tha Petrova.

Ajo theksoi se masa, e cila u vendos në vitin 2019, kishte për qëllim uljen e ekonomisë gri dhe vendosjen e çdo qytetari në rolin e një inspektori tatimor.

“Nëse duam ta vlerësojmë masën nga ky këndvështrim, gjendjet që i shohim në terren dhe ato që mund t’i konstatojmë edhe brenda institucionit, bazuar në të gjitha të dhënat që kemi në dispozicion, çojnë qartë në përfundimin se masa nuk ka dhënë efektin e dëshiruar”, theksoi Petrova.

I dërguari i Trumpit takohet fshehurazi me princin iranian

13 January 2026 at 22:40


I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, u takua fshehurazi me princin iranian, Reza Pahlavi gjatë fundjavës për të diskutuar protestat në Iran, raportoi Axios, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan.

Administrata Trump u habit kur gjatë shumë demonstratave protestuesit brohoritën emrin e princit, përsëri duke cituar një zyrtar të lartë amerikan.

“Ka pasur një rritje të popullaritetit të Pahlavit. Ata po brohorasin emrin e tij në demonstrata në shumë qytete, dhe duket se kjo po ndodh organikisht”, u citua të ketë thënë zyrtari amerikan.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje protestuesve iranianë që të marrin nën kontroll institucionet e vendit.

Ai i quajti protestuesit “patriotë iranianë” dhe i inkurajoi ata të mos dorëzohen përballë represionit.

Trump u kërkoi gjithashtu që të dokumentohen dhe të ruhen emrat e atyre që janë përgjegjës për vrasjet dhe abuzimet ndaj protestuesve, duke theksuar se këto veprime nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi.

Ndryshe, iranianët po protestojnë për shkaqe ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/

"Kam prime në BBVA", Monika Kryemadhi thotë se është dakorduar me SPAK që të mos shkojë të marteve as të mërkurave në mëngjes për shkak të spektaklit

13 January 2026 at 22:36


Angazhimi i Monika Kryemadhit si opinioniste në edicionin e pestë të “Big Brother VIP Albania” ka pasur ndikim jo vetëm në ekran, por edhe në kalendarin e drejtësisë.

Ish-bashkëshortja e ish-presidentit Ilir Meta ka bërë të ditur se për shkak të pjesëmarrjes së saj në spektaklin e Top Channel, është detyruar të kërkojë ndryshim të orareve të seancave gjyqësore që lidhen me dosjen Meta–Kryemadhi në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kryemadhi i është drejtuar gjyqtares Irena Gjoka me kërkesën që seancat të mos zhvillohen ditëve të martë, për shkak se atë mbrëmje ajo është e angazhuar me “prime”-in e Big Brother VIP Albania, si dhe të mos mbahen as të mërkurave në mëngjes, pasi emisioni përfundon vonë gjatë natës. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata, duke sjellë një riorganizim të plotë të kalendarit të procesit gjyqësor.

- YouTube youtube.com

Si rezultat, të gjitha seancat e ardhshme për këtë çështje do të zhvillohen ditëve të enjte, ndërsa seanca e radhës është caktuar për datën 22 janar. Vetë Kryemadhi ka konfirmuar publikisht se gjyqtarja e ka marrë parasysh angazhimin e saj televiziv gjatë marrjes së këtij vendimi.

“Seanca tjetër u la në datën 22. Bëra një kërkesë se donin ta linin ditë të martë. Gjyqtarja e pranoi kërkesën time që ditën e martë që kam prime në Big Brother të mos kemi seancë gjyqësore. As të mërkurën në mëngjes se shkon prime shumë vonë. Që kështu ne do të kemi seancë çdo të premte”, ka deklaruar Monika Kryemadhi, duke zbuluar prapaskenat e këtij ndryshimi të pazakontë.

Ky zhvillim ka ngjallur reagime të shumta, pasi rrallë ndodh që një format televiziv të ndikojë drejtpërdrejt në agjendën e një procesi gjyqësor, duke e bërë rastin Meta–Kryemadhi edhe më të komentuar në opinionin publik. /Telegrafi/

Icardi humb dy herë penalltinë - por gjesti i tij pas kësaj ishte plotë klas

13 January 2026 at 22:32


Galatasaray ka siguruar kualifikimin në Kupën e Turqisë, duke mposhtur Fethiyesporin me rezultat 2-1, në një ndeshje ku vëmendja u përqendrua te një moment i pazakontë me Mauro Icardin.

Në minutën e 35-të, gjiganti nga Stambolli fitoi një penallti, ndërsa përgjegjësinë për ta ekzekutuar e mori Icardi. Sulmuesi argjentinas u ndal nga portieri i Fethiyesporit, Arda Akbulut, i cili bëri një pritje të shkëlqyer.

Pas rishikimit me VAR, gjyqtari vendosi që penalltia të përsëritej, por edhe në tentativën e dytë rezultati ishte i njëjtë – Akbulut sërish doli fitues në duel me Icardin.

Veprimi i Icardit pas penalltisë së dytë u vlerësua gjerësisht, pasi ai i zgjati dorën dhe e përgëzoi portierin kundërshtar për pritjet vendimtare, duke treguar sportivitet të lartë.

💥 MAURO ICARDI, 2 KERE KULLANDIĞI PENALTI VURUŞUNDAN YARARLANAMADI!

🦁 Galatasaray, 35. dakikada penaltı kazandı.

❌ Mauro Icardi, 36. dakikada kullandığı penaltı vuruşundan yararlanamadı.

📺 37. dakikada VAR'dan gelen uyarıyla penaltı tekrar edildi.

❌ Mauro Icardi, 38.… pic.twitter.com/U4IMPnh2Nr
— A Spor (@aspor) January 13, 2026

Pavarësisht këtij momenti, Galatasaray arriti të kontrollojë ndeshjen dhe në fund ta mbyllë atë me fitore, duke vazhduar rrugëtimin në Kupën e Turqisë. /Telegrafi/

Transformoni Suzuki Jimny në klasën G ose Defender

13 January 2026 at 22:30


Kompania japoneze DAMD ka paketa të veçanta “tuning” për Suzuki Jimny e popullarizuar.

E para është transformimi i këtij SUV-i të vogël në Mercedes-Benz G-Class origjinal të vitit 1979, dhe quhet Little G Traditional.

Tuning-u përfshin një sërë elementesh, nga grill-i i përparmë, mbrojtësi i ri, kapaku i motorit, dritat e mjegullës… Qëllimi është, natyrisht, të arrihet një simbiozë dizajni me modelin legjendar të Mercedes-it.

Ristrukturimi kushton rreth 3600 euro, ndërsa automjeti i plotë do të kushtonte rreth 20 mijë euro.

Sistemi i fuqisë dhe motori nuk ndryshohen – është instaluar një motor benzine 1.5 litër me 102 kuaj/fuqi, në kombinim me tërheqje në të katër rrotat (me reduktor) dhe kutia manuale 5-shkallëshe ose automatike 4-shkallëshe.

DAMD gjithashtu ristrukturon Jimny-n në një Land Rover Defender të vjetër. Ky model quhet Little D. /Telegrafi/


Momenti kur Altin Ndoci arratiset me vrap nga spitali i Durrësit

13 January 2026 at 22:25


Pamje nga momenti i arratisjes së Altin Ndocit janë publikuar teksa vrapon me shpejtësi. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Euronews Albania, Ndoci largohet në këmbë mes makinave të parkuara në ambientet e spitalit Infektiv të Durrësit.

Kamerat e sigurisë kanë arritur të kapin për disa çaste momentin e arratisjes. Ai largohet nga fushëpamja e kamerave me shpejtësi pa lënë gjurmë.

I paraburgosuri, Altin Ndocit u arratis këtë të martë nga ambientet nga spitali Infektiv i Durrësit. Ndoci i shoqëruar me dy efektivë të policisë së burgut u paraqitën në spital për të kryer kontrolle dhe ekzaminime ndaj të paraburgosurit.

Ndoci gjatë kryerjes së analizave ka përfituar nga momenti dhe ka goditur efektivët që prisnin jashtë derës së laboratorit. Mësohet se gjithashtu është qëlluar me arme gjate momentit të arratisjes së tij.

Ende nuk është identifikuar nëse të shtënat kanë qenë prej policisë se burgut apo personave te cilët po prisnin te arratisurin. Pas arratisjes, Ndoci ka shkuar pranë një parkimi ku e priste një makinë Audi e bardhë A7 me targa AA700RS, e cila e ka larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka nisur hetimet ndërsa po zhvillohen kontrolle dhe postoblloqe në akset kryesore që lidhin Durrësin dhe Tiranën si edhe me qytetet e tjera.

Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai akuzohet nga SPAK për vrasje, grup kriminal etj. Ndoci është në gjykim si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” për masakrën e Bradasheshit, ku mbeti i vrarë vëllai i Endrit Alibejt, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk.

Ai u arrestua në vitin 2020 i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës si dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, po në Durrës.

Dalin pamjet e arratisjes së Altin Ndocit nga spitali i Durrësit pic.twitter.com/H5oxHE4HPc
— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) January 13, 2026

Fenerbahce afër goditjes së madhe, Kante pranon kushtet e gjigantit turk

13 January 2026 at 22:18


Fenerbahce ka nisur bisedime me përfaqësuesit e N’Golo Kante për një transferim të mundshëm gjatë afatit kalimtar të janarit, me lojtarin që shumë shprepjt mund të përfundojë te gjiganti turk.

Mesfushori francez, 34 vjeç, ka kontratë me Al Ittihad deri në verë dhe klubi turk shpreson të arrijë një marrëveshje me skuadrën saudite për ta rikthyer atë në futbollin evropian.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Fenerbahçe i ka paraqitur Kantes një ofertë kontrate, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zhvillohen edhe bisedime direkte mes dy klubeve. Ende mbetet e paqartë nëse Al Ittihad do të pranojë ta lëshojë lojtarin në mes të sezonit të Saudi Pro League.

🚨🔵🟡 Fenerbahçe had direct meeting today with N’Golo Kanté camp with initial contract proposal now presented.

Discussions continue also with Al Ittihad and Kanté to understand if possible to proceed. pic.twitter.com/jBMBudS7dl
— Fabrizio Romano (@FabrizioRomano) January 13, 2026


Kante iu bashkua futbollit saudit në vitin 2023, pasi i përfundoi kontrata me Chelsean, por burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai është i hapur për një rikthim në Evropë, me kushtet e ofruara nga Fenerbahcen që janë të pranishme për Kanten.

Francezi ishte pjesë e Francës në Euro 2024 dhe pritet të jetë sërish në planet e Didier Deschamps për Kampionatin Botëror të ardhshëm.

Në aspektin statistikor, Kanté ka zhvilluar 14 ndeshje këtë sezon në Saudi Pro League, duke shënuar një gol dhe pa asiste, ndërsa vazhdon të jetë një element i rëndësishëm në mesfushën e Al Ittihadit.

Fenerbahce aktualisht është vetëm tre pikë prapa Galatasarayt në krye të renditjes dhe vjen pas fitores ndaj rivalit të përjetshëm në Superkupën e Turqisë.

Fenerbahçe nuk ka fituar titullin kampion në Turqi që nga viti 2014 dhe afrimi i një lojtari me përvojën dhe profilin e Kantés do të ishte një shtysë e madhe në përpjekjen për t’i dhënë fund pritjes së gjatë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Rinumërimi i 914 vendvotimeve, KQZ publikon rezultatet e para

13 January 2026 at 22:16


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur procesi i rinumërimit të 914 vendvotimeve nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), rinumërimi po zhvillohet në nivel vendi dhe përfshin të gjitha komunat e Kosovës. Procesi aktualisht është në zhvillim dhe, sipas përditësimit të fundit, një pjesë e vendvotimeve tashmë janë përpunuar.

Të dhënat paraprake nga rinumërimi tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.49 për qind të votave të numëruara deri tani, e ndjekur nga AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 33.64 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) renditet e treta me 13.59 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 7.53 për qind.

Procesi i rinumërimit është iniciuar pas vendimeve të organeve përkatëse zgjedhore dhe ka për qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe rritjen e transparencës zgjedhore.

Nga KQZ është bërë e ditur se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përmbylljes së plotë të rinumërimit dhe certifikimit zyrtar të tyre.

❌
❌