ZPS-ja ka paraqitur disa dokumente që tha se i janë konfiskuar Jakup Krasniqit, ku pretendohet se shfaqen regjistra të dokumenteve të protokolluara të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Prokurorët thanë se aty paraqiten urdhra që u janë dhënë zonave, që kanë të bëjnë “me brigada konkrete në Pashtrik, Nerodime e Dukagjin.
Urdhrat dhe vendimet kanë të bëjnë me unitetin komandues, emërimet, trajnimin, logjistikën, komunikimet dhe autoritetin për të kryer arrestime dhe ndalime”, tha ZPS-ja.
ZPS po ashtu publikoi një dokument që tha se paraqet vulat dhe nënshkrimet e shtatë komandantëve të zonave të UÇK-së, duke pretenduar se Shtabi dhe personat e akuzuar kanë “shpërndarë urdhra”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime prej nga 45 vjet burg për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e saj, Osmani thekson se pavarësia e Kosovës është rezultat i vullnetit të popullit dhe i një sakrifice shekullore, duke nënvizuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër, ndërsa krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë kryer nga Serbia ndaj popullit të Kosovës.
Ndryshe, Prokuroria ka kërkuar 180 vjet burgim për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:
“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme.
Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë.
Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër. Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentime për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur dhe zhvleftësuar betejën e popullit të Kosovës për liri”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Ky hap i hap rrugë konstituimit të Legjislaturës së Re të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja në Kosovë.
Mbledhja do të nisë në orën 18:00, konfirmoi zëdhënësi i KQZ-së.
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar gjashtë ankesa administrative kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vërtetuar në tërësi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe ruajtur legjitimitetin e procesit zgjedhor.
Ndër ankesat e refuzuara ishin ato të Partisë Rome e Bashkuar të Kosovës (PREBK), Koalicionit PAI–PDAK–LPB, Nova Demokratska Stranka (NDS) dhe kandidatit të PDK-së, Bekim Haxhiu, të cilat kërkonin ndërhyrje në numërimin e votave, anulim të mandateve dhe rivlerësim të rezultateve në baza etnike ose gjinore.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se analizat e fundit tregojnë se të gjithë parametrat e ujit nga Liqeni i Badocit janë brenda standardeve të sigurisë, duke e bërë atë të pijshëm.
Monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë rregullisht për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Shkollën “Pavarësia”, ku një mësimdhënës dyshohet se ka sulmuar fizikisht një nxënës.
Rasti ka marrë përmasa të mëdha publike pasi pamjet e incidentit janë shpërndarë gjerësisht sot në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se pas ndërhyrjes së Policisë dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj mësimdhënësit të dyshuar është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti është iniciuar dhe po trajtohet në procedurë penale.
Nxënësi i përfshirë në incident është intervistuar në prani të përgjegjësve përkatës, ndërkohë që organet hetimore janë duke analizuar edhe pamjet video që janë bërë publike gjatë ditës së sotme.
Hetimet për këtë rast janë në vazhdim, ndërsa priten masa të mëtejme institucionale pas kompletimit të procedurave ligjore.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë së Hagës për dënime prej 45 vjetësh ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje politike që synon të rishkruajë historinë.
Sipas VV-së, rezistenca e UÇK-së kundër dhunës serbe nuk mund të konsiderohet veprim kriminal, dhe çlirimi i Kosovës nuk është krim.
Partia thekson se Gjykata Speciale ka lindur nga interesa politike ndërkombëtare dhe jo nga nevoja për drejtësi të vërtetë.
“Kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës. Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. Kjo është e vërteta. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion”, thuhet në reagimin e partisë.
VV-ja kritikoi edhe pretendimin se shënjestrimi i individëve gjatë luftës ishte produkt i një fushëveprimi të gjerë të komanduar nga drejtues të UÇK-së. Sipas lëvizjes, kjo përpjekje është një operacion diskursiv që synon të zëvendësojë kontekstin politik të luftës me një skemë penale abstrakte, duke trajtuar rezistencën si projekt kriminal të organizuar.
“Nuk ka se si të ketë pasur plane individuale për krime kundër njerëzimit, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë, në asnjë rrethanë, plane të tilla. Krimet kundër njerëzimit nuk janë veprime të izoluara, por kërkojnë aparat zbatues ose strukturë shtetërore dhe mekanizma sistematikë dhune. Asnjë njësi e UÇK-së nuk ka pasur ndonjëherë si synim, dhe as nuk ka vepruar, sipas një metode të tillë monstruoze”, thuhet tutje në reagim.
Mëngjesin e sotëm, policia në autostradën “Miqësia” ndaloi një automjet “Fiat Bravo” që transportonte katër emigrantë – dy nga Nepali dhe nga një nga India dhe Pakistani.
Drejtuesi i mjetit, N.S. (40) nga Kumanova, u arrestua dhe migrantët u dërguan në Qendrën e Tranzitit Tabanovcë. Policia po përgatit raport për rastin.
Një mësimdhënës në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë ka ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi, duke e goditur disa herë.
Rasti për Sinjalin është konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila ka njoftuar se menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar palët e përfshira në stacion policor.
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një rast sulmi fizik të ndodhur në një shkollë fillore në Prishtinë. Menjëherë policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar në stacion policor palët e përfshira në rast. Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur një hetim për zbardhjen e rastit”, shtoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës.
Detaji i parë që ju bie në sy në foto tregon si mendoni, sa këmbëngulës jeni dhe si i përballoni sfidat
Iluzionet optike dhe testet vizuale të personalitetit prej vitesh tërheqin vëmendje të madhe, sepse në mënyrë të thjeshtë dhe argëtuese mund të zbulojnë tipare të fshehura të personalitetit tonë. Ky test bazohet në përshtypjen e parë, atë që syri juaj vëren automatikisht, pa menduar dhe analizuar. Pikërisht kjo zgjedhje spontane, sipas interpretimeve, tregon shumë për ambicien tuaj, këmbënguljen dhe mënyrën se si luftoni për qëllimet tuaja.
Është e rëndësishme që të mos përpiqeni të kërkoni diçka në foto. Shikojeni shkurtimisht dhe mbani mend se çfarë ju tërhoqi vëmendjen e parë. Vetëm më pas lexoni kuptimin e zgjedhjes suaj, transmeton Telegrafi.
Nëse keni parë fillimisht veshjen, xhaketën apo kravatën
Kjo zgjedhje tregon një person që ka qëllime të qarta dhe nuk i frikësohet përgjegjësisë. Ambicia juaj është një forcë e fortë shtytëse, por ndryshe nga njerëzit impulsivë, ju e dini se suksesi kërkon kohë. Jeni të durueshëm, këmbëngulës dhe të gatshëm të ecni hap pas hapi derisa të arrini rezultatin e dëshiruar. Nuk dorëzoheni lehtë dhe shpesh lini përshtypjen e një personi serioz dhe të besueshëm te të tjerët.
Nëse keni vënë re fillimisht këmbët e gruas
Kjo zbulon një person plot energji, emocione dhe forcë të brendshme. Ju nuk vraponi verbërisht pas qëllimeve, por kur vërtet dëshironi diçka, tregoni këmbëngulje të jashtëzakonshme. Ambicia juaj nuk është e ftohtë dhe e llogaritur, ajo buron nga pasioni dhe bindjet personale. Keni një pavarësi të theksuar dhe nuk ju pëlqen kur të tjerët ju imponojnë rregulla. Shpesh arrini sukses pikërisht sepse dëgjoni veten, jo pritshmëritë e mjedisit.
Nëse ju ranë në sy fillimisht ndërtesat ose sfondi
Kjo zgjedhje flet për një personalitet kreativ dhe jokonvencional. Ju nuk mendoni brenda kornizave dhe shpesh keni ide që të tjerët nuk i vërejnë ose nuk i kuptojnë menjëherë. Ambicia ekziston edhe tek ju, por është e orientuar drejt zhvillimit personal, origjinalitetit dhe lirisë së zgjedhjes. Edhe pse rruga juaj drejt suksesit mund të jetë e pazakontë, pikërisht kjo perspektivë ndryshe ju jep avantazh.
Këto teste mbështeten në reagimet nënndërgjegjeshme, sepse truri në një fraksion sekonde zgjedh atë që i duket më e afërt. Edhe pse nuk duhet të merren si analizë e rreptë psikologjike, ato mund të jenë një mënyrë interesante për të ndalur dhe reflektuar mbi veten, motivet tona dhe mënyrën se si i qasemi sfidave të jetës. /Telegrafi/
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke e akuzuar atë për devijim nga misioni i saj dhe përpjekje për të ndërtuar një narrativë të rreme mbi luftën çlirimtare të Kosovës.
Sipas PDK-së, deklarimet e Prokurorisë në fazën përmbyllëse të gjykimit kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – konfirmojnë se procesi ka humbur karakterin e tij gjyqësor dhe është shndërruar në një përpjekje për “deformim të së vërtetës historike”.
Partia thekson se lufta e UÇK-së ka qenë përgjigje e domosdoshme ndaj represionit dhe krimeve të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, ndërsa përpjekja për ta portretizuar atë si projekt kriminal përbën “barazim të viktimës me agresorin”.
PDK e ka cilësuar “absurde” kërkesën e Prokurorisë për dënime të larta ndaj të akuzuarve, duke e interpretuar atë si ndëshkim politik. Po ashtu, partia e ka quajtur të papranueshme çdo tentativë për të lidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke theksuar se ky akt është i mbështetur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe i bazuar në të drejtën për vetëvendosje.
Në reagim, PDK rikonfirmon bindjen e saj në pafajësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe legjitimitetin e luftës çlirimtare, duke e konsideruar çdo kriminalizim të saj si tentativë për rishkrim të historisë dhe cenim të themeleve të shtetit të Kosovës.
“Liria nuk është krim. Dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon deklarata e partisë.
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka nisur hetime pas informacioneve publike të dala gjatë rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.
Me autorizim të Kryeprokurorit Petrit Kryeziu, organet hetimore kanë intervistuar 51 persona të dyshuar.
Nga ta, nëntë komisionerë janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria njofton se brenda afateve ligjore do të vendosë për masat që do të ndërmerren për të siguruar paraqitjen e të pandehurve në procedurë.
Institucionet përgjegjëse theksojnë përkushtimin e tyre për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, garantimin e së drejtës së votës, si dhe luftimin e çdo vepre penale që cenon zgjedhjet e lira dhe demokratike./Telegrafi/
Hendbollistet e respektuan himnin e Kosovës, por Federata spanjolle nuk e shkroi emrin Kosovë.
Të hënën në Prishtinë nisi Kampionati Mesdhetar i hendbollit për lojtaret deri në 16 vjet.
Në ndeshjen e parë u përballën Spanja dhe Kosova. Ndeshja filloi me intonimin e himneve të të dy shteteve. Lojtaret e Spanjës, siç është e zakonshme, e respektuan himnin e Kosovës. E njëjta ndodhi edhe me hendbollistet e Kosovës.
Ndërsa në Prishtinë gjithçka ishte në rregull, Federata e Hendbollit e Spanjës në faqen zyrtare bëri një paraqitje diskriminuese ndaj Kosovës.
Në raportin e ndeshjes u shkrua se Spanja kishte luajtur kundër “Federatës së Hendbollit të Kosovës” dhe jo kundër Kosovës. Në shumë pjesë, rivali i Spanjës u paraqit si “Federata e Hendbollit e Kosovës” e jo Kosova.
Ndërkohë, të gjitha kundërshtaret e ardhshme të Spanjës u shkruan me emrat zyrtarë: Mali i Zi, Bullgaria, Rumania dhe Turqia.
Në fakt, kjo nuk është diçka e re. Federatat spanjolle, përfshirë edhe atë të futbollit, kanë mbajtur vazhdimisht një qëndrim diskriminues ndaj Kosovës kur bëhet fjalë për prezantim. Zakonisht shmangin përdorimin e emrit zyrtar “Kosova”.
Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon të mbajë këtë qasje ndaj sportistëve kosovarë, të paktën sa i përket mënyrës së prezantimit./Telegrafi
Kate Middleton dhe Princi William kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për viktimat e Jeffrey Epstein, duke reaguar për herë të parë ndaj zbulimeve të fundit që dolën në dritë pas publikimit të një sërë dokumentesh të reja.
Çifti mbretëror tha se ishte thellësisht i shqetësuar nga informacionet tronditëse që vazhdojnë të dalin në publik.
“Mund të konfirmoj se Princi dhe Princesha janë thellësisht të shqetësuar nga këto zbulime. Në këtë moment, mendimet dhe mbështetja e tyre janë me viktimat”, deklaroi zëdhënësi i Pallatit Kensington.
Foto: Reuters
Kjo shënon herën e parë që William dhe Kate flasin hapur për skandalin që ka përfshirë edhe xhaxhanë e Princit William, Andrew Mountbatten-Windsor, i cili është përballur me hetime dhe akuza për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.
Heshtja e mëparshme e familjes mbretërore kishte ngjallur kritika të shumta, ndaj ky reagim po shihet si një hap i rëndësishëm.
Ndërkohë, në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai, Princi Edward u bë anëtari i parë i familjes mbretërore që foli publikisht për zhvillimet e fundit që lidhen me Epstein, duke theksuar nevojën për përgjegjësi dhe transparencë.
Burime pranë Pallatit Kensington bëjnë të ditur se Princi dhe Princesha e Uellsit po e ndjekin situatën me vëmendje të madhe dhe se qëndrimi i tyre reflekton angazhimin e vazhdueshëm për drejtësi dhe mbështetje ndaj viktimave. /Telegrafi/
Zyra e Prokurorit të Specializuar pas një pauze ka vazhduar fjalën përmbyllëse, në gjyqin e madh ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, me pretendimet e tyre për funksionimin dhe strukturat e Shtabit të Përgjithshëm.
Sipas prokurorit, të akuzuarit kanë pasur kompetencë mbi strukturat që ekzistonin dhe i kanë përdoruar për të ekzekutuar planin e tyre që e quajnë “kriminal”.
Në pjesën e parë, ai ka përmendur vendet strategjike të UÇK-së, që sipas tij janë caktuar për të pasur kontroll.
“Vendet e caktuara për Shtabin e Përgjithshëm, ishin të rëndësishme për kontekstin dhe janë përzgjedhur në mënyrë strategjike, për të siguruar që të operonin dhe të ushtronin kontroll në mënyrë efektive. Shtabi ka përdorur disa vende, në Drenicë, Pashtrik dhe Nerodime. Në fillim të periudhës së aktakuzës, shtabi e kishte bazën dhe funksiononte në Likofc. Këto vende dhe seli, ishin në qendër të Kosovës, në afërsi të zonave operative, duke lehtësuar kontrollin e Shtabit, ashtu siç është shpjeguar nga Fatmir Limaj”
E për këtë çështje, është shfaqur edhe një deklaratë e Fatmir Limajt.
“Pa marrë parasysh terrenin, e kishte vendin më të sigurt vendosjen në këtë pjesë të Kosovës, nga ku do të ndërlidhte veprimet ushtarake dhe komunikimin me të gjitha njësitë ushtarake anekënd Kosovës. Kjo ishte qendra e Kosovës, në të cilën mund të komunikohej me të gjitha anët e Kosovës. Prandaj, edhe vendosëm që shtabi ta kalojë pjesën më të madhe në këtë pjesë”, thotë Limaj.
Është e nevojshme të blihet një aeroplan i ri shtetëror që do të përdoret për nevoja zyrtare dhe shtetërore, tha sot drejtori i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski.
Ai thotë se nëse vendi dëshiron një imazh serioz në nivel ndërkombëtar, duhet të ketë pajisje dhe mjete transporti të përshtatshme.
"Po shqyrtohen mundësitë për blerjen dhe financimin e një aeroplani me kapacitet më të madh, pra blerjen e një aeroplani me të paktën 14 vende, si dhe të ketë mundësi për transport mjekësor kur është e nevojshme.
Shteti, nëse duam të jetë serioz, duhet të ketë një imazh serioz, automjete serioze dhe një aeroplan serioz", tha Tomovski.
Ai shtoi se avioni që kemi është i vjetër, prishet shpesh dhe ka një kapacitet të vogël. Ka vetëm 6 vende, gjë që nuk është e përshtatshme për transportin e një delegacioni të madh shtetëror./Telegrafi/
Borussia Dortmund aktualisht mban avantazhin në garën për qendërsulmuesin e Hoffenheimit Fisnik Asllani.
Bayern Munich ka reduktuar ndjeshëm interesimin për yllin e skuadrës gjermane Hoffenheimit. Sipas “kicker”, 23-vjeçari “nuk luan një rol të rëndësishëm” në planet aktuale të bavarezëve.
Edhe pse Bayern e ka ndjekur nga afër Asllanin dhe ka vlerësuar cilësitë e tij brenda zonës së rreptësisë, shpejtësia e lojtarit nuk e ka bindur klubin. Për më tepër, pozicioni i tij i mundshëm në formacion është tashmë i zënë pas vazhdimit të kontratës së Serge Gnabryt.
Kësisoj, mediat gjermane raportojnë se Dortmund po përfiton nga situata dhe ka shtuar interesim për lojtarin, duke e bërë top prioritet për afatin kalimtar dimëror.
E ardhmja e Asllanit mbetet e hapur, me një vendim që pritet të merret gjatë vitit 2026.
Sulmuesi i Hoffenheimit ka kontratë deri në vitin 2029, por mund të largohet nga klubi për një shumë që varion nga 25 deri në 29 milionë euro.
Mediumi tjetër “Sky” ka shtuar se brenda këtyre tre muajve, Asllani do t’i jep përgjigjen përfundimtare skuadrës të cilës dëshiron t’i bashkohet./Telegrafi
Cilat vlera janë normale, kur duhet të shqetësoheni dhe pse ndryshimi i numrave është më i rëndësishëm se vetë numri
Kur saturimi i oksigjenit në gjak fillon të bjerë, në praktikën mjekësore gjithmonë nisemi nga supozimi se ky rënie mund të vazhdojë deri në nivelin ku bëhet e nevojshme dhënia e oksigjenit shtesë. Për këtë arsye, saturimi nuk shihet si një numër i izoluar, por si një tregues dinamik që mund të sinjalizojë përkeqësimin e gjendjes shëndetësore edhe para shfaqjes së simptomave të rënda.
Çfarë është saturimi dhe çfarë tregon realisht kjo vlerë
Saturimi, përkatësisht ngopja e gjakut me oksigjen (SaO₂), përfaqëson përqindjen e oksigjenit që është e lidhur me hemoglobinën në qelizat e kuqe të gjakut. Hemoglobina është një nga përbërësit kyç të gjakut, dhe aftësia e saj për t’u lidhur me oksigjenin varet nga funksioni i mushkërive, i zemrës, por edhe nga vetë sasia e hemoglobinës në gjak.
Tek personat e shëndetshëm, në gjendje qetësie vlerat normale të saturimit janë 97–98 për qind, ndërsa të gjitha vlerat mbi 95 për qind konsiderohen të rregullta.
Kur është e detyrueshme matja e saturimit
Matja e saturimit bëhet e domosdoshme në të gjitha situatat kur ekziston dyshimi për çrregullim të frymëmarrjes ose të shkëmbimit të gazeve në mushkëri. Është veçanërisht e rëndësishme:
• kur shfaqet gulçim, ndjesi e mungesës së ajrit ose shtrëngim në gjoks • gjatë infeksioneve virale dhe bakteriale që mund të prekin mushkëritë • gjatë trajtimit në shtëpi të sëmundjeve respiratore • tek personat me sëmundje kronike të mushkërive dhe zemrës • në rast anemie, sepse sasia e ulët e hemoglobinës ndikon në furnizimin e përgjithshëm me oksigjen • gjatë përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes së përgjithshme, me lodhje, dobësi ose konfuzion.
Saturimi është i rëndësishëm të matet edhe në mënyrë të përsëritur, pra disa herë, sepse një vlerë normale e matur vetëm një herë nuk e përjashton përkeqësimin e mëvonshëm, transmeton Telegrafi.
Vlerat normale, kufitare dhe alarmante
95–100% – oksigjenim normal 93–94% – vlera kufitare, kërkojnë mbikëqyrje të shtuar 90–92% – shenjë e çrregullimit të rëndësishëm të oksigjenimit nën 90% – gjendje alarmante
Saturimi nën 90 për qind tregon se në mushkëri nuk po ndodh shkëmbimi adekuat i gazeve dhe përbën një sinjal të qartë për t’u paraqitur urgjentisht te mjeku dhe për të filluar terapinë me oksigjen, pavarësisht nga shkaku.
Pse ndryshimi është më i rëndësishëm se vetë numri
Në praktikën klinike shpesh rezulton se dinamika e rënies së saturimit është më e rëndësishme se vetë vlera absolute. Personat me sëmundje kronike të mushkërive ose zemrës mund të jetojnë për vite me saturim rreth 90 për qind dhe ta tolerojnë relativisht mirë. Ndërsa, tek një person plotësisht i shëndetshëm, një rënie e menjëhershme nga 97 në 93 për qind mund të jetë shenjë e hershme e një përkeqësimi serioz.
Nëse gjatë trajtimit saturimi fillon të bjerë dhe nuk kthehet në vlerat fillestare, konsiderohet se ekziston rreziku që rënia të vazhdojë deri në nivelin që kërkon mbështetje me oksigjen.
Çfarë mund të shkaktojë rënien e saturimit
Ulja e oksigjenimit të gjakut (hipoksemia) mund të ndodhë si pasojë e sëmundjeve të mushkërive (pneumoni, astmë, HOBP, fibrozë pulmonare), sëmundjeve të zemrës, trombit në arterien pulmonare, qëndrimit në lartësi të madhe mbidetare, anemisë, apneas së gjumit, veprimit të disa barnave (përfshirë sedativët dhe narkotikët), por edhe cilësisë së dobët të ajrit në ambiente të mbyllura.
Është e rëndësishme të theksohet se jo çdo rënie e saturimit është shenjë e pneumonisë, por kërkon monitorim dhe vlerësim në kontekstin e simptomave.
Simptomat që tregojnë rënie serioze të nivelit të oksigjenit në gjak
Rënia e saturimit mund të shoqërohet me dhimbje koke, të përziera dhe të vjella, lodhje dhe dobësi të theksuar, përgjumje, konfuzion dhe ndryshime në sjellje. Gjithashtu, mund të shfaqen frymëmarrje dhe rrahje të përshpejtuara të zemrës, ngjyrë kaltërosh e buzëve dhe e gishtërinjve, si dhe ndjesi mbytjeje edhe gjatë sforcimeve minimale.
Këto shenja kërkojnë vlerësim urgjent mjekësor dhe, nëse është e nevojshme, ndërhyrje të menjëhershme.
Pulsoksimetri në kushte shtëpie
Pulsoksimetri është një pajisje e thjeshtë, pa dhimbje dhe jo-invazive që mundëson matjen e shpejtë të saturimit dhe pulsit. Edhe pse është i përshtatshëm për përdorim në shtëpi, vlerat e marra duhet të interpretohen gjithmonë së bashku me simptomat dhe ndryshimet e tyre me kalimin e kohës, dhe jo si kriteri i vetëm i gjendjes shëndetësore. /Telegrafi/
LSM për nesër njoftoi bllokadë të Kuvendit për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe një rritje lineare të të gjitha pagave. Deputetët do të duhet të kalojnë nëpër bllokada.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në një konferencë për shtyp me gazetarët deklaroi se pret që protesta të kalojë paqësisht, përcjell "DW" në gjuhën maqedonase.
Ai tha se deputetët janë njoftuar të vijnë në punë dhe se protesta nuk do të pengojë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në seancë.
Lidhur me një bllokim të mundshëm të hyrjeve në Kuvend, Gashi tha: “Nuk do të ketë sigurim të veçantë në Kuvend. Ministria e Brendshme ka protokolle të rregullta sigurie. Pra, ne do të punojmë, ata do të protestojnë”.
Gashi beson se problemi nuk mund të zgjidhet vetëm duke rritur pagat.
“Duhet të merret parasysh e gjithë panorama ekonomike. Mendoj se duhet të nivelizojmë pagat sipas përparësisë, të përcaktojmë se cilat funksione janë më të rëndësishmet në vend. Nga aty të fillojmë nga Presidenti i vendit, Kuvendi, Kryeministri, deputeti, drejtori, mësuesit, mjekët… dhe të kemi një nivelim më të drejtë të pagave. Mendoj se kjo do të ishte mënyra më e drejtë për të zgjidhur këtë problem”, tha Gashi./Telegrafi/