Normal view

Shehaj mori kopjen e marrëveshjes me SHBA-në, Rama: Vodhi dokument të klasifikuar, prokuroria t’i tregojë vendin

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, reagoi sot pasi kryetari i partisë “Mundësia”, deputeti Agron Shehaj, mori pa leje nga ambientet e Kuvendit, një kopje të marrëveshjes së huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të klasifikuar si sekrete, duke e cilësuar veprimin si “vjedhje të një dokumenti të klasifikuar”.

Rama publikoi një video teksa shihet një punonjëse e Kuvendit duke ndjekur deputetin, e cila rrëzohet nga shkallët.

Kryeministri u shpreh se pret që prokuroria të zbatojë ligjin për rastin, ndërsa shprehu keqardhje për punonjësen e administratës që u përfshi në situatë gjatë incidentit.

“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdut kë i del përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin”, u shpreh Rama.

“Uroj po nuk shpresoj që prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumenteve të klasifikuar këtij personazhi të mbushur me urrejtje, ndërkohë që i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme duke falenderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit”, shkruan Rama.

/m.q/j.p/

The post Shehaj mori kopjen e marrëveshjes me SHBA-në, Rama: Vodhi dokument të klasifikuar, prokuroria t’i tregojë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – “Porsche” shkurton edhe 5 000 vende të tjera pune

27 July 2026 at 19:39

SHTUTGART, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Prodhuesi i njohur gjerman i makinave sportive “Porsche” ka njoftuar se do të shkurtojë edhe 5 000 vende pune në Gjermani deri në fund të vitit 2035, si pjesë e një plani ristrukturimi me vlerë 2,1 miliardë euro për të rikthyer fitimet e kompanisë.

Megjithatë, kompania garanton se nuk do të ketë pushime të detyruara nga puna gjatë kësaj periudhe.

Shkurtimet do të prekin kryesisht fabrikën kryesore në Stuttgart-Zuffenhausen dhe qendrën e kërkimit dhe zhvillimit në Weissach.

Sipas “Porsche”, reduktimi i stafit do të realizohet përmes daljes natyrore në pension, skemave të pensionit të parakohshëm dhe largimeve vullnetare, në marrëveshje me sindikatat dhe përfaqësuesit e punëtorëve.

Paketa e re parashikon gjithashtu masa kursimi për punonjësit, duke përfshirë shtyrjen e një pjese të rritjes së pagave deri në vitin 2035, uljen e shpërblimeve të fundvitit dhe lidhjen më të ngushtë të bonuseve me rezultatet financiare të kompanisë.

Ndërkohë, menaxherët nuk do të kenë rritje të pagës bazë në vitet 2027 dhe 2028, ndërsa puna nga shtëpia do të kufizohet në tetë ditë në muaj.

“Porsche” po përballet me rënie të ndjeshme të fitimeve për shkak të kostove në rritje, konkurrencës së fortë në tregun kinez, tarifave amerikane dhe kërkesës më të ulët se parashikimet për automjetet elektrike.

Në vitin 2025, fitimi neto i kompanisë ra me 91%, në 310 milionë euro, ndërsa shitjet globale u ulën me 10%, duke arritur në rreth 279 mijë automjete, niveli më i ulët që nga pandemia e COVID-19./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post GJERMANI – “Porsche” shkurton edhe 5 000 vende të tjera pune appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Radman: Potencial për avancimin e marrëdhënieve ekonomike, të punojmë për lidhje direkte Shqipëri-Kroaci

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Kroacisë, Gordan Grlić Radman, vlerësoi rolin e Shqipërisë si një partner të rëndësishëm dhe të besueshëm ekonomik, duke theksuar nevojën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit hoxha, Radman u shpreh se ekziston një potencial i madh për avancimin e marrëdhënieve ekonomike, veçanërisht në fushat e transportit, infrastrukturës, energjisë dhe mbrojtjes.

Radman theksoi edhe nevojën për përmirësimin e lidhjeve direkte mes dy vendeve.

“Shqipëria mbetet partneri i rëndësishëm dhe i besueshëm ekonomik i Kroacisë. Jemi të bindur se ekziston një hapësirë e konsiderueshme për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë ekonomik, veçanërisht përmes përmirësimit të lidhjeve të transportit dhe bashkëpunimit më të ngushtë në fushat e infrastrukturës, energjisë dhe mbrojtjes.

“Me ministrin Hoxha biseduam për të sqaruar sesi dje isha në Dubrovnik dhe Dubrovniku nga Tirana është vetëm 270 km larg. Por për të arritur në Tiranë më duheshin 6 orë. Shpesh më është dashur që për të arritur në Tiranë të shkoj në Vjenë dhe më pas të marr avionin për të arritur në Tiranë. Mendoj se duhet të punojmë rreth lidhjeve direkte. Mund të takoheshim me shpesh nëse do të ishim më mirë të lidhur. Për fat të keq ne kishim hapur një kompani e cila për arsye të ndryshme shkoi drejt mbylljes”, tha ai.

Ministri kroat bëri të ditur se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së detit Adriatik. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e Kroacisë për zhvillimin e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe projekteve energjetike, përfshirë gazsjellësin Adriatiko-Jonian, të cilat sipas tij do të forcojnë ndërlidhjen rajonale, sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik.

Gjatë bisedimeve u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë partneritetin trepalësh mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe bashkëpunimin policor, menaxhimin e migracionit dhe mbrojtjen e kufijve.

“Një rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë mbrojtjes dhe vazhdimit të bashkëpunimit për mbrojtjen e detit Adriatik. Gjithashtu Kroacia është e përkushtuar ndaj zhvillimit të korridorit Adriatiko-Jonian dhe mbështet projekte si gazsjellësi Adriatiko-Jonian të cilat do të kontribuojnë në forcimin e ndërlidhjes rajonale, sigurisë energjetike dhe rritje ekonomike. Biseduam dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes duke përfshirë partneritetin trepalësh ndërmjet Koracisë, Shqipërisë dhe Kosovës si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer policor, menaxhimin e migracionit dhe mbrojtjen e kufijve”, tha ai.

Radman falënderoi Shqipërinë për pjesëmarrjen aktive në nismën “Tri Detet”, duke vlerësuar praninë e presidentit Bajram Begaj dhe të kompanive shqiptare në forumin e biznesit të zhvilluar në Dubrovnik. Sipas tij, kjo dëshmon angazhimin në rritje të Shqipërisë në drejtim të ndërlidhjes rajonale, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.

“Dua të falënderoj Shqipërinë për pjesëmarrjen aktive në nismën e Tri Deteve në Dubrovnik. Pjesëmarrje e presidentit të RSH-së, Bajram Begajt, si dhe një numër kompanish shqiptare në forumin e biznesit tregoi qartë angazhimin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në fushën ndërlidhjes rajonale, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik”, tha ministri.

Ministri kroat u ndal edhe te zhvillimet rajonale dhe globale, duke theksuar mbështetjen e Kroacisë për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në parimin e meritës dhe përparimit individual të secilit shtet.

“Bisedimet e sotme u përqendruan dhe në zhvillimet rajonale dhe globale, duke përfshirë krizat aktual ndërkombëtare si dhe rolin transformues të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kroacia mbështet fuqishëm vazhdimin e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por duke u bazuar në parimin e arritjeve individuale dhe përparimin e secilit shtet. I gëzohem bashkëpunimit me Hoxhën dhe jam i bindur se në periudhën e ardhshme do të kemi mundësinë që të intensifikojmë marrëdhëniet tona dhe të vazhdojmë të zhvillojmë partneritetin ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë”, tha Radman.

/m.q/j.p/

The post Radman: Potencial për avancimin e marrëdhënieve ekonomike, të punojmë për lidhje direkte Shqipëri-Kroaci appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JEMEN – Rebelët Houthi pretendojnë sulme të reja me dronë ndaj infrastrukturës saudite të naftës

27 July 2026 at 19:00

SANAA, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë deklaruar se kanë kryer sot sulme të reja me dronë kundër infrastrukturës naftësjellëse të Arabisë Saudite.

Sipas tyre, sulmet janë një kundërpërgjigje ndaj inkursioneve me dronë që, sipas rebelëve  Houthi, janë kryer nga mbretëria saudite.

Zëdhënësi ushtarak i Houthive, Yahya Saree, tha se janë goditur “disa objektiva të ndjeshme” dhe pika të përfshira në transportin e naftës bruto nga lindja e Arabisë Saudite drejt portit të Yanbu, në brigjet e Detit të Kuq.

Ky qytet është pika fundore e tubacionit strategjik Lindje–Perëndim, i cili shërben për eksportin e naftës saudite.

Deri tani nuk ka konfirmim të pavarur nga autoritetet saudite për sulmet apo për dëmet e mundshme. Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në rajon, ku objektet energjetike saudite kanë qenë shpesh në shënjestër të sulmeve me raketa dhe dronë nga rebelët Houthi./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post JEMEN – Rebelët Houthi pretendojnë sulme të reja me dronë ndaj infrastrukturës saudite të naftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Kroacisë për sigurinë rajonale nuk duhet të shqetësojë askënd

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Zhvillimet në rajon ishin ndër çështjet e diskutuara në takimin mes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha dhe homologut të tij kroat, Gordan Grlić Radman gjatë një takimi në Tiranë.

Në daljen e përbashkët për mediet, Hoxha u shpreh se me ministrin kroat ndanë vlerësimin e përbashkët se perspektiva evropiane e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, e bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve evropiane, përbën një investim strategjik për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.

“Theksuam rëndësinë e veçantë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, konsolidimin e paqes dhe përmbylljen e një kapitulli të vështirë të së kaluarës, në interes të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të gjithë rajonit”, deklaroi Hoxha.

Kryediplomati shqiptar deklaroi se ku proces nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin historik, mohimin e fakteve, lartësimin e kriminelëve të luftës apo përmes retorikave nacionaliste, përçarëse dhe deklaratave të papranueshme që relativizojnë, justifikojnë ose u japin jehonë krimeve të luftës dhe politikave të dënuara si nga drejtësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga ndërgjegjja njerëzore.

“Një qasje e tillë nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat evropiane, me frymën e bashkëpunimit rajonal dhe me përpjekjet për pajtim të vërtetë. E ardhmja e përbashkët evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndërtohet duke u kthyer pas në konfliktet e së kaluarës, por duke u përballur me historinë me përgjegjësi dhe duke ndërtuar marrëdhënie të reja mbi bazën e respektit, besimit dhe bashkëpunimit”, theksoi ai duke shtuar se pajtimi është një akt i guximshëm dhe fisnik që kërkon forcë politike, vizion, përgjegjësi dhe përkushtim për të tejkaluar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës.

“Si dy vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia kanë përgjegjësi dhe kontribuojnë në mënyrë aktive për paqen e stabilitetin rajonal, si dhe atë ndërkombëtar, duke përfshirë pjesëmarrjen në KFOR në Kosovë dhe EUFOR ALTHEA në Bosnjë-Hercegovinë”, vijoi më tej Hoxha

“Prandaj çdo angazhim i yni, koordinim dypalësh, tripalësh apo më shumë nuk duhet të shqetësojë askënd e as të përdoret nga askush, në rajon apo jashtë tij, për të justifikuar militarizimin e vendit e shoqërisë e aq më pak për t’i fryrë zjarreve të rrezikshme të luftërave dhe për të rikthyer thirrjet arkaike për fitore e përkatësi territoriale”, theksoi Hoxha.

“Kushdo që ëndërron një kthim pas në histori duhet të kuptojë se në të vërtetë ka mbetur pas në kohë dhe në mendësi. Asnjë përpjekje për të ringjallur ndasitë e së kaluarës, për të ushqyer tensione apo për të penguar proceset e pajtimit dhe bashkëpunimit nuk do të mund ta tërheqë zvarrë rajonin dhe as të cenojë të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”, shtoi ai

Shqipëria, sipas tij, do të vazhdojë të investojë me vendosmëri, vullnet politik dhe angazhim konkret për ta orientuar bashkëpunimin rajonal, si atë dypalësh ashtu edhe atë shumëpalësh, drejt mekanizmave që forcojnë dialogun e hapur dhe të sinqertë, mirëbesimin ndërmjet vendeve dhe ndërtimin e një hapësire të përbashkët zhvillimi.

“Përmes Tregut të Përbashkët Rajonal synojmë të krijojmë më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset tona, të integrojmë ekonomitë tona me njëra-tjetrën dhe t’i afrojmë ato gjithnjë e më shumë me Tregun e Përbashkët Evropian, duke përshpejtuar rrugëtimin tonë drejt BE”, tha Hoxha.

“Shqipëria do të mbetet e angazhuar për një Ballkan Perëndimor të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit, tërësisht të orientuar drejt familjes evropiane ku i takon.
Në këtë rrugë, Kroacia, si vend anëtar i BE-së, mbetet një partnere aktive, e besueshme dhe domosdoshme jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit”, përfundoi Hoxha.

The post Hoxha: Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Kroacisë për sigurinë rajonale nuk duhet të shqetësojë askënd appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Radman: Shqipëria përparim të jashtëzakonshëm në negociatat e anëtarësimit në BE, Kroacia do të vijojë mbështetjen

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke deklaruar se vendi ka pritur mjaftueshëm dhe se tashmë është koha të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Në një deklaratë për mediet, së bashku me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, Radman tha se Kroacia dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie tradicionalisht të afërta dhe miqësore, të ndërtuara mbi besimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe aleancën në kuadër të NATO-s.

Ai theksoi se takimet e shpeshta në nivel të lartë dëshmojnë nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes dy vendeve në planin dypalësh, rajonal dhe ndërkombëtar.

“Kroacia dhe Shqipëria kultivojnë marrëdhënie tradicionalisht të afërta dhe miqësore, të ndërthurura mbi besimin e ndërsjellët, vlerat e përbashkëta dhe aleancën tonë të fortë në kaudër të anëtarësimit të përbashkët në NATO. Takimet tona të shpeshta dypalëshe në nivel të lartë janë pasqyrim i gjendjes së shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit tonë në planin dypalësh rajonal dhe global. Zakonisht vij në Tiranë me lajme të mira dhe besoj se do të jem ai që do të marr lajmin që Shqipëria do të jetë vend anëtarë i Evropës. Shqipëria ka pritur gjatë për të qenë pjesë e BE-së dhe mendojmë se tashmë është koha. Vitin e ardhshëm shënojmë 35 vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike mes Shqipërisë dhe Kroacisë dhe besoj se kjo është një mundësi e shkëlqyer për ta thelluar më tej partneritetin tonë dhe për ta forcuar më tej miqësinë ndërmjet shteteve dhe popujve tanë”, tha ai.

Ministri kroat përgëzoi Shqipërinë për përparimin në negociatat e anëtarësimit, duke e cilësuar mbylljen e përkohshme të kapitujve 25, 26 dhe 30 si një moment të rëndësishëm që konfirmon përkushtimin e vendit ndaj objektivit strategjik të anëtarësimit në BE.

“Më lejoni të përgëzoj Shqipërinë për përparimin e jashtëzakonshëm që ka arritur në rrugën e saj Evropiane. Mbyllja e përkohshme e kapitujve 25, 26 dhe 30 është një moment i rëndësishëm që konfirmon përkushtimin tuaj të vazhdueshëm për arritjen e objektivit tuaj strategjik dhe ai është anëtarësimi në BE. Gjithashtu e kemi vlerësuar dhe vlerësojmë harmonizimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme të përbashkët evropiane dhe të sigurimit të BE-së”, tha ai.

Radman inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me të njëjtin ritëm reformash, duke garantuar se Kroacia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë gjatë gjithë procesit të anëtarësimit.

Sipas tij, Shqipëria jep shembull me arritjet e saj.

“Ajo dëshmon se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm vetëm kur një shtet respekton detyrimit e tij dhe arrin rezultate konkrete vetëm duke përmbushur kriteret e përcaktuara siç bëri dhe Kroacia. Kjo është rruga e vetme dhe e drejtë për të ecur përpara dhe Shqipëria ka arritur përparim mbresëlënës në këtë rrugë. Shqipëria po ecën me ritëm të mirë duke i tejkaluar dhe vendet e tjera kandidate dhe kjo vetëm falë meritave dhe arritjeve të saj. Ju inkurajoj të vazhdoni në këtë rrugë dhe do të keni mbështetjen tonë të plotë.

“Kroacia mbetet e gatshme dhe në vazhdim që t’i ofrojë ndihmë Shqipërisë gjatë procesit të saj të anëtarësimit duke ndarë përvojën tonë, duke forcuar kapacitetin e institucioneve dhe duke ofruar ndihmë teknikë sa herë që të jetë e nevojshme. Inkurajojmë Shqipërinë që të ruajë ritmin aktual të reformave dhe të arrijë rezultate të prekshme. Jam i sigurt që mundi juaj do të kurorëzohet”, tha Radman.

1 nga 5

/m.q/j.p/

The post Radman: Shqipëria përparim të jashtëzakonshëm në negociatat e anëtarësimit në BE, Kroacia do të vijojë mbështetjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Synojmë përfundimin e negociatave me BE-në brenda 2027-ës, Kroacia frymëzim se reformat shpërblehen

TIRANË, 27 korrik /ATSH/  Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria dhe Kroacia do të intensifikojnë bashkëpunimin strategjik në fusha kyçe si integrimi evropian, ekonomia, energjia, turizmi dhe infrastruktura.

Në një deklaratë të përbashkët për mediet me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, Hoxha bëri të ditur se bisedimet u fokusuan te marrëdhëniet dypalëshe, hapat për zbatimin e partneritetit strategjik dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Hoxha kujtoi se që nga viti 2018 Shqipëria dhe Kroacia i kanë ngritur marrëdhëniet në nivelin e partneritetit strategjik, duke theksuar se ato pasqyrojnë orientimin euroatlantik dhe vizionin e përbashkët për një rajon të bazuar në paqe, pajtim dhe integrim evropian.

Sipas Hoxhës, dy vendet po shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të mbledhjes së parë të përbashkët të dy qeverive.

Hoxha falënderoi Kroacinë për mbështetjen politike dhe ekspertizën teknike që ka ofruar gjatë negociatave, duke e cilësuar përvojën kroate një model frymëzues për Shqipërinë.

“Biseduam për mori të çështjes që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona dypalëshe, hapjen e rrugës përpara dhe për çështje të tjera me interes. Prej vitit 2018 Shqipëria dhe Kroacia kanë ngritur marrëdhëniet në nivelin e partneritetit strategjik. Mund të them me gojën plot se marrëdhëniet që gëzojmë sot mes dy vendeve janë një pasqyrë e vlerave në te cilat presojnë dy vendet tona dhe veçanërisht e një mendësisë në orientimin tonë të palëkundur euroatlantik si dhe te vizioni europianizues për rajonin që mbështet paqen, pajtimin, gjithëpërfshirjen dhe rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Europian.

“Diskutuam për hapat e ardhshëm për zbatimin e planit të veprimit të partneritetit strategjik mes vendeve tona dhe në këtë kuadër edhe mundësinë e zhvillimit të një takimi të parë në dy qeverive i cili do t’i japë bashkëpunimit tonë një dimension të ri energjizues dhe të integruar. U ndalëm gjerësisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe ndihmesën e vyer që Kroacia vijon te japë prej ditësh në këtë proces. Gjej rastin ta falënderoj publikisht homologun Rdaman për mbështetjen e zëshme dhe të fuqishme që Kroacia ka dhënë jo vetëm politikisht, por dhe praktikisht me ekspertizën e saj të gjatë në procesin teknik të negociatave”, tha Hoxha.

Ai nënvizoi se, pas mbylljes së tre kapitujve të parë të negociatave, qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të përmbushur të gjitha reformat, me objektivin që procesi teknik i negociatave të përfundojë brenda vitit 2027 dhe Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.

“Ajo çka Kroacia ka arritur vetëm në një dekadë pas anëtarësimit në BE është një shembull frymëzues për ne se kryerja e reformave, arritja e standardeve, shpërblehen dhe shndërrohen në një histori suksesi për të gjithë qytetarët pa përjashtim. E sigurova homologun tim kroat se pas mbylljes së tre kapitujve të parë 13 ditë më parë në Bruksel, qeveria shqiptare vazhdon të punojë me përkushtim dhe angazhim të dorës së parë për të përmbushur të gjitha detyrimet, që ne fakt janë angazhimet tona, se reformat e kërkuara me qëllim realizimin e objektivit që i kemi vënë vetes për të përmbyllur procesin teknik të negocimit brenda vitit 2027, për të bërë të mundur që Shqipëria të anëtarësohet në përputhje me ambicien tonë në përputhje me planin e punës ne Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade. Në këtë proces nuk ka as pauzë, as pushim. Ne mbetemi tërësisht të vendosur të ruajmë këtë ritëm dhe të sigurojmë që reformat që ndërmarrin të sjellin përfitime afatgjata për qytetarët tanë dhe te forcojnë gjithashtu besueshmërinë e rinisë shqiptare e shoqërisë shqiptare, në këtë proces”, tha ai.

Ministri bëri të ditur se Shqipëria dhe Kroacia ranë dakord të rrisin bashkëpunimin ekonomik përmes nxitjes së investimeve dhe projekteve të përbashkëta në energji, turizëm dhe infrastrukturë. Ai njoftoi gjithashtu se në tetor do të zhvillohet në Tiranë sesioni i gjashtë i Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik.

“Vlerësuam rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ramë dakord të intensifikojmë përpjekjet për të nxitur investimet dhe projekte të përbashkëta në energji, turizëm dhe infrastrukturë. Gjatë muajit tetor ne do të ndërpresim në Tiranë sesionin e gjashtë të komisionit të përbashkët të bashkëpunimit ekonomik i cili nuk është ngritur prej kohësh. Ramë dakord për të thelluar më tej bashkëpunimin në fushën e turizmit, se Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Kroacia në këtë fushë. Përmirësimin e lidhjeve të transportit, një aspekt themelor. Së bashku do të nxisim mundësitë për lidhje direkte ajrore dhe për zhvillimin e lidhjeve direkte detare kurdo ku është e mundur dhe ekonomikisht përfituese”, tha Hoxha.

Në fushën e transportit, Hoxha tha se synojnë përmirësimin e lidhjeve ajrore dhe detare, si dhe avancimin e projekteve strategjike si Korridori Blu, Korridori VIII dhe gazsjellësi Adriatiko-Jonian, i cili do të lidhet me gazsjellësin TAP dhe do të kontribuojë në gazifikimin e vendeve të rajonit.

“Zhvillimi i Korridorit Blu, Korridorit VIII, Nisma e Tre Deteve dhe integrimi i tyre me korridoret e tjera panevropiane do të kontribuojë jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore e ujore, por edhe në forcimin e kapaciteteve të lëvizshmërisë ushtarake, një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit në fushën e sigurisë si dy vende anëtare të NATO-s”, tha Hoxha.

Hoxha vlerësoi edhe rolin e diasporës shqiptare në Kroaci, duke e cilësuar atë një urë të rëndësishme miqësie mes dy vendeve. Ai njoftoi gjithashtu se gjuha kroate do të përfshihet për herë të parë si gjuhë e huaj me zgjedhje në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, duke nisur nga viti akademik 2026-2027.

“Përmendëm diasporën shqiptare në Kroaci e cila mbetet një aset i çmuar i marrëdhënieve tona, një urë miqësie që kontribuon në jetën sociale dhe ekonomike të Kroacisë, ndërsa Kroacia ka qenë dhe mbetet një shembull i trajtimit dinjitoz dhe integrimit efektiv të pakicave. Ndava me homologun tim lajmin e mirë se gjuha kroate për herë të parë do të përfshihet në programin mësimor si gjuhë e huaj me zgjedhje në vitin akademik 2026-2027 në fakultetin e Gjuhëve të Huaja”, tha ministri.

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha me homologun kroat, foto: Florian Abazaj
1 nga 5

/m.q/j.p/

The post Hoxha: Synojmë përfundimin e negociatave me BE-në brenda 2027-ës, Kroacia frymëzim se reformat shpërblehen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Zjarret dhe spitalet shqetësimi kryesor i francezëve në prag të valës së ardhshme të të nxehtit

PARIS, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Franca do të përjetojë një tjetër valë të nxehti duke filluar nga e marta dhe duke ngritur shqetësime në lidhje me kushtet e pafavorshme për luftën kundër zjarreve dhe një ngarkesë të mëtejshme me pacientë në spitale.

“Vala e të nxehtit do të vendoset mbi një pjesë të madhe të vendit të martën, më 28 korrik, me një intensitet kulmor të mërkurën, më 29 korrik”, paralajmëroi ”Météo-France” në një informim, duke konfirmuar mbërritjen e këtij episodi të ri, i cili ishte konsideruar i mundshëm ditët e fundit.

”Të mërkurën, temperaturat do të vazhdojnë të rriten me një kulm të nxehtësisë intensive në një pjesë të madhe të Francës perëndimore. Temperaturat pritet të arrijnë 38°C në Paris dhe Tours, 36°C në Lyon dhe Grenoble, dhe kulme prej 40°C në jugperëndim, një rajon i prekur nga zjarret në Gironde dhe Landes”, sipas shërbimit publik të motit.

Thibault Corouge, një parashikues moti në ”Météo-France”, tha gjithashtu se era do të jetë “më pak e fortë në ditët në vijim”, edhe pse “ajri do të jetë pak më i thatë”.

– “Jini shumë të kujdesshëm” –

Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez deklaroi sot se zjarri në Gironde, i cili ka shkatërruar rreth 42 000 hektarë që nga e mërkura, ishte “i stabilizuar”, por “jo i përmbajtur”.

Ai i nxiti të gjithë të “mbeten shumë të kujdesshëm” për shkak të rikthimit të nxehtësisë intensive.

Shqetësimet shtrihen edhe në sistemin e kujdesit shëndetësor.

“Spitalet do të vuajnë në mënyrë të pashmangshme përsëri; ato do të duhet të përshtaten edhe një herë, qoftë në Bordeaux apo në të gjithë vendin”, deklaroi Arnaud Robinet, kreu i organizatës që përfaqëson spitalet publike franceze, në TF1.

“Është e qartë se objektet tona nuk janë përshtatur me ndryshimet klimatike”, vazhdoi ai, duke kujtuar se kishte “dhënë alarmin disa vite më parë duke bërë thirrje për një fond të gjelbër për spitalet, të ngjashëm me atë që u bë për komunat”.

Ndërsa “disa salla operacioni dhe reparte materniteti” kanë ajër të kondicionuar, përshtatja e ambienteve “përfaqëson afërsisht dy miliardë euro në vit” në investime, specifikoi presidenti i Federatës Franceze të Spitaleve (FHF).

– Nxehtësi gjatë gjithë javës –

Për ditët në vijim, ”Météo-France” parashikon një zhvendosje të temperaturave të larta drejt lindjes të enjten, por “temperaturat megjithatë duhet të mbeten të larta gjatë gjithë javës”.

Kohëzgjatja e valës së nxehtësisë ende nuk është përcaktuar.

Kjo do të jetë periudha e katërt e nxehtësisë ekstreme këtë verë dhe vala e 54-t e nxehtësisë në të gjithë vendin që nga viti 1947.

Një valë nxehtësie përkufizohet si një periudhë gjatë së cilës temperaturat janë anormalisht të larta për disa ditë.

Për ta përcaktuar atë, ”Météo-France” mbështetet në Treguesin Kombëtar Termik (ITN), një mesatare e matjeve ditore të temperaturës së ajrit nga 30 stacione meteorologjike në të gjithë vendin.

ITN duhet të arrijë ose të tejkalojë 25,3°C për një ditë të vetme dhe të mbetet në ose mbi 23,4°C për të paktën tre ditë radhazi.

Ndryshimi i klimës i shkaktuar nga emetimet e gazrave serrë të shkaktuara nga njeriu – veçanërisht përdorimi masiv i lëndëve djegëse fosile – po i bën këto valë të nxehti më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive. Ato mund të ndodhin edhe më herët ose më vonë gjatë sezonit.

Qeveria pret një ngrohje mesatare prej +4°C deri në fund të shekullit në Francë, me 10 herë më shumë ditë valësh të nxehti (krahasuar me vitet 1976-2005). Deri atëherë, Lille do të ketë klimën e Bilbaos sot, dhe Parisi atë të Montpellier./ a.jor.

The post KOMENT – Zjarret dhe spitalet shqetësimi kryesor i francezëve në prag të valës së ardhshme të të nxehtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balliu: PD dënon dhunën ndaj protestuesve para parlamentit

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, reagoi sot pas protestës së zhvilluar këtë të hënë para parlamentit, ku theksoi se ndaj protestuesve u ushtrua dhunë dhe se policia u përdor ndaj kundërshtarëve politikë të Kryeministrit.

Sipas Balliut, arrestimet dhe shoqërimet e qytetarëve kanë nisur që përpara fillimit të protestës, ndërsa shprehet se disa të rinj janë tërhequr zvarrë nga efektivë policie.

Balliu tha se, disa qytetarë kanë përfunduar në spital, ndërsa të tjerë janë shoqëruar në komisariate, vetëm sepse, sipas tij, tentuan të hedhin vezë në shenjë proteste ndaj qeverisë.

“Shoqërimet dhe arrestimet filluan që përpara protestës, të rinjtë u tërhoqën zvarrë nga mercenarë partie, që ditën vishen si policë dhe natën veshin mantelin e patronazhistit. Disa qytetarë janë dërguar sërish në spital, të tjerë në qelitë e paraburgimit. Edhe më i turpshëm është fakti që, gjatë gjithë kësaj kohe që qytetarët janë dhunuar, institucionet ligjzbatuese nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të mbrojtur protestuesit. Ku është Prokuroria? Ku është drejtësia? Si ka mundësi që qytetarët dhunohen në mes të ditës dhe nuk arrestohen as urdhëruesit, as ekzekutuesit?”, tha Balliu.

Balliu theksoi se “Partia Demokratike dënon këto akte kriminale, çnjerëzore dhe barbare të këtij pushteti, tashmë të degraduar dhe në grahmat e fundit”.

“Ne u garantojmë qytetarëve se do të bëjmë gjithçka për t’i vendosur para drejtësisë këta narkopushtetarë, të cilët kanë dhunuar qytetarët e lirë të këtij vendi me skema të denja për diktaturën hoxhiste. Nuk është e largët dita kur të gjithë këta narkoterroristë të pushtetit do të përballen me ligjin, me drejtësinë dhe me qytetarët”, tha ai.

/m.q/j.p/

The post Balliu: PD dënon dhunën ndaj protestuesve para parlamentit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Marrëveshja 302 milionë dollarëshe me SHBA u përshpejtua për interesin kombëtar

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mbrojti procedurën e ndjekur për miratimin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara për financimin e pajisjeve ushtarake, duke theksuar se interesi kombëtar dhe siguria e vendit justifikonin shqyrtimin e përshpejtuar në Kuvend.

I pyetur për akuzat e opozitës se ishin shkelur afatet parlamentare, Balla tha se Kushtetuta përcakton qartë rastet kur nuk lejohet procedura e përshpejtuar dhe se, në këtë rast, institucionet shqiptare vepruan me seriozitet maksimal.

Sipas tij, marrëveshja prej 302 milionë dollarësh është mbështetja më e madhe që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në dekadat e fundit dhe do të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit në kuadër të angazhimeve në NATO.

Balla tha se procedura u përshpejtua për të mos vonuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes dhe nisjen e disbursimit të fondeve, që sipas tij pritet të fillojë në fillim të muajit shtator. Ai shtoi se norma e interesit nuk mund të bëhet publike, pasi është pjesë e informacionit konfidencial të dakordësuar mes dy vendeve.

“Kushtetuta e vendit ka parashikuar ligjet për të cilat nuk lejohet procedura e përshpejtuar, por mendoj që interesat e vendit, dhe kur flas për interesat e vendit, janë edhe interesat e sigurisë kombëtare në kushtet e një bote të trazuar, për herë të parë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore ka një luftë. Mendoj që interesi kombëtar është i tillë që një marrëveshje që forcon kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë, për të cilat ne synojmë që, që në shtator të fillojnë lëvrimet e para, gjithçka që na duhet për të forcuar mbrojtjen tonë, për të respektuar edhe elementët e sekretit, pra, për të cilën kemi pasur gjithë diskutimin. Ka qenë e nevojshme që të gjitha institucionet e përfshira në shqyrtimin e saj…

“Gjej rastin të përgëzoj qeverinë shqiptare, Kryeministrin, ministrin e Financave, ministrin e Mbrojtjes, të gjithë ata të përfshirë në negocimin e kësaj marrëveshjeje. Janë 302 milionë dollarë. Nëse do të bënim një bilanc historik të 35 viteve. Të paktën 35 vite në 104 vite marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është edhe mbështetja më e madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Shqipërisë”, tha ai.

Duke komentuar bojkotin e opozitës, Balla deklaroi se Partia Demokratike nuk mungoi për shkak të procedurave, por për arsye politike, duke e cilësuar marrëveshjen si historike për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

“Duhet të kuptoni që arsyeja pse Partia Demokratike bojkotoi sot seancën e votimit të saj marrëveshjeje. Nuk ka të bëjë fare me procedurat. Janë e njëjta parti politike që bojkotoi edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Janë e njëjta parti politike që bojkoton sot votimin në Kuvend të kësaj marrëveshjeje historike. Nuk hezitoj ta quaj marrëveshje historike, sepse është e rëndësishme aq sa mund të lejohet, për shkak të disponimit dhe certifikatës të sigurisë dhe të firmosjes së deklaratës së konfidencialitetit”, tha ai.

Në prononcimin për gazetarët, Balla u ndal edhe te Reforma Administrativo-Territoriale, duke bërë të ditur se puna e Komisionit të Posaçëm po vijon sipas planit dhe se në sesionin e ardhshëm parlamentar do të paraqiten propozimet përfundimtare.

Ai theksoi se reforma nuk do të kufizohet vetëm te ndarja e re administrativo-territoriale, por do të përfshijë edhe masa për përmirësimin e shërbimeve publike, me synimin që qytetarët, si në zonat urbane ashtu edhe në ato rurale, të kenë akses më të mirë në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe shërbime administrative. Sipas Ballës, do të parashikohen edhe zgjidhje për qytetarët që nuk përdorin shërbimet online, përmes zyrave të posaçme në çdo njësi vendore.

“Në sesionin tjetër, përveç kësaj pjese, do të keni edhe propozime që lidhen me përmirësimin e shërbimeve. Fokusi ynë është që të garantojmë që çdo shtetasi të Shqipërisë, pavarësisht se jeton në qendër të Tiranës apo në fshatin më të thellë të Shqipërisë, të ketë infrastrukturë arsimore të mirë, infrastrukturë shëndetësore të mirë, infrastrukturë rrugore të mirë, shërbime. Jo pa qëllim kemi investuar përmes e-Albania-s në përmirësimin e shërbimeve dhe ofrimin e shërbimeve online.

“Për këto shërbime online duhet të ofrohen në mënyrë të atillë që edhe moshat e treta apo të tjerë që nuk i aksesojnë dot shërbimet, t’i kenë në zyrat e posaçme në çdo fshat, në çdo qendër komune, në mënyrë që ne të kemi, flas për zonën rurale, të garantojmë shërbime”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar PS, Taulant Balla, foto: Andrin Hoxha
1 nga 2

/m.q/

The post Balla: Marrëveshja 302 milionë dollarëshe me SHBA u përshpejtua për interesin kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BUKURESHT – Rumania dëbon një diplomat rus pas shkeljeve të hapësirës ajrore nga dronë ditët e fundit

27 July 2026 at 17:37

BUKURESHT, 27 korrik /ATSH-AFP/- Rumania ka urdhëruar dëbimin e një anëtari të Ambasadës së Rusisë, si përgjigje ndaj shkeljeve të përsëritura të hapësirës së saj ajrore nga dronë rusë.

Ministria e Jashtme rumune e cilësoi vendimin si një “përgjigje të vendosur”, ndërsa diplomatit të shpallur persona non grata i është lënë afat pesë ditë për të larguar vendin.

Vendi fqinj me Ukrainën ka përjetuar disa incidente ditët e fundit.

Në fundjavë, ushtria rumune rrëzoi tre dronë brenda tre ditësh, ndërsa një tjetër shkelje e hapësirës ajrore u raportua edhe të hënën.

Autoritetet rumune ia paraqitën ambasadorit rus Vladimir Lipaev edhe mbetjet e një droni të tipit “Shahed”, i përdorur nga Rusia në sulmet kundër Ukrainës dhe i rrëzuar nga një avion luftarak rumun F-16.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Rumania është përballur vazhdimisht me hyrje të paautorizuara të dronëve në territorin e saj.

Disa prej tyre janë rrëzuar në tokën rumune, ndërsa në muajin maj një dron goditi një ndërtesë banimi, duke plagosur dy persona.

Pas incidenteve të shumta, NATO dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar shkeljet e hapësirës ajrore të një vendi anëtar dhe i kanë bërë thirrje Rusisë të shmangë përsëritjen e tyre.

Ndërkohë, në vitin 2025, Parlamenti rumun miratoi një ligj që i jep ushtrisë të drejtën të rrëzojë çdo dron që shkel hapësirën ajrore të vendit. /Ad.Ab./  a.jor.

The post BUKURESHT – Rumania dëbon një diplomat rus pas shkeljeve të hapësirës ajrore nga dronë ditët e fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet me 74 vota pro marrëveshja e huasë me SHBA-në, opozita bojkotoi seancën

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 74 vota pro të Partisë Socialiste, 0 kundër, 0 abstenim, marrëveshjen e huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).

Shqyrtimi u zhvillua në një seancë me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar, ndërsa procesi i votimit ishte i hapur.

Ashtu siç paralajmëroi, Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk po morën pjesë në seancë. PD në parim u shpreh pro kësaj marrëveshje, por e konsideroi antikushtetuese futjen me procedurë të përshpejtuar.

Marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikon një hua prej 302 milionë dollarësh për financimin e modernizimit të Forcave të Armatosura, që do të mundësojë blerjen e pajisjeve, sistemeve dhe shërbimeve sipas standardeve të NATO-s.

1 nga 4

/m.q/

The post Miratohet me 74 vota pro marrëveshja e huasë me SHBA-në, opozita bojkotoi seancën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nufi: Ratifikimi i marrëveshjes së huasë me SHBA-në, investim strategjik për sigurinë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kuvendi miratoi sot marrëveshjen e huasë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF).

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi ratifikimin e marrëveshjes si një ngjarje historike.

Nufi theksoi se “që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA në 1990-tën, pas anëtarësimit në NATO, ky është akti më testimonial i mbështetjes ndaj Shqipërisë në terma konkretë dhe financiarë”.

Sipas ministrit, marrëveshja nuk përfaqëson vetëm një instrument financiar, por një investim strategjik që synon forcimin e sigurisë kombëtare në kuadër të konceptit NATO 3.0 dhe angazhimit të Shqipërisë si aleate e përkushtuar në Aleancë.

“Ajo nuk është thjesht një instrument financiar, por një investim strategjik për: sigurinë kombëtare në kuadër të NATO 3.0 dhe angazhimit të vendit tonë si aleat i përkushtuar në Aleancë; forcimin e kapaciteteve dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura; thellimin e partneritetit strategjik të Shqipërisë me aleatin tonë më të rëndësishëm në siguri dhe mbrojtje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thekson Nufi.

/m.q/j.p/

The post Nufi: Ratifikimi i marrëveshjes së huasë me SHBA-në, investim strategjik për sigurinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Abdixhiku thërret kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së pas kërkesës për shkarkimin e tij

PRISHTINË, 27 korrik/ATSH/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka thirrur një kuvend të jashtëzakonshëm të partisë për 30 korrik, ku pritet të trajtohet nisma e qindra delegatëve të partisë për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e partisë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Zyra e LDK-së njoftoi të hënën në Facebook se takimi është thirrur për të enjten e 30 korrikut në orën 18:00.

Vendimi vjen pasi javë më parë, zyrtarë të partisë dorëzuan rreth 150 nënshkrime të nevojshme të delegatëve të partisë për ta thirrur kuvendin.

“Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit. Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm”, tha LDK-ja të hënën.

Kuvendin e partisë e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.

Nisma për shkarkimin e kryetarit vjen pas përplasjeve të hapura brenda LDK-së dhe pakënaqësive me Abdixhikun, pasi partia doli e treta në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke fituar 18 vende në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.

Zhvillimet në LDK gjithashtu kanë ndikuar edhe në bisedimet për formimin e institucioneve të reja të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Abdixhiku nisi javë më parë bisedimet me liderin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.

Por, ai më pas njoftoi se do t’i pezullonte bisedimet me Kurtin për shkak të zhvillimeve brenda partisë.Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 6 gusht, kur do të nisë edhe rrjedhja e procesit për themelimin e institucioneve të reja dhe pritet të shihet nëse Abdixhiku do të mbetet në krye të LDK-së dhe nëse do të ketë vazhdim të bisedimeve LDK-LVV.

Çfarë pritet të ndodhë në kuvendin e LDK-së?

Në kuvendin e 30 korrikut do të shtjellohet çështja e ngritur nga anëtarët e partisë për shkarkimin e kryetarit.

Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë nëse e rifiton votëbesimin, por në rast se e humb atë, atëherë LDK-ja duhet ta zgjedhë një kryetar të ri.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për atë se cila do të jetë agjenda e plotë e kuvendit.

Por, sipas statutit të LDK-së, nëse kryetari i tanishëm shkarkohet, atëherë duhet të thirret një kuvend i ri brenda 60 ditësh, ku do të zgjidhej kryetari i ri.

Si erdhi deri këtu?

Pasi LDK-ja, e cila garoi në një listë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani, dështoi të arrijë rezultat bindësh zgjedhor më 7 qershor, filluan zëra pakënaqësish brenda partisë, të cilët nuk ishin diçka e re, gjithsesi.

Në fund të qershorit, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.

Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.

Por, tani ai do të përballet me kërkesën e anëtarëve të partisë së vet për shkarkimin e tij në kuvendin e 30 korrikut.

Kjo nuk është hera e parë që kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, pasi ngjashëm ndodhi edhe në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.

Në janar ai i mbijetoi një votëbesimi që e kishte kërkuar vetë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.

Por, disa figura partiake kishin kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim. Në mesin e tyre ishte Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.

Para atij Kuvendi, anëtari tjetër i kësaj partie, Avdullah Hoti e shpalli kandidaturën për kryetar të partisë, por delegatët diskutuan vetëm për performancën e Abdixhikut.

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.

Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit. /rel/

The post Abdixhiku thërret kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së pas kërkesës për shkarkimin e tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Spanja në garë me kohën për të frenuar zjarret para valës së re të të nxehtit

27 July 2026 at 17:07

MADRID, 27 korrik /ATSH-AFP/ – Spanja po përballet me një nga sezonet më të rënda të zjarreve në vitet e fundit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se dy ditët e ardhshme janë vendimtare për të vënë nën kontroll flakët përpara mbërritjes së një vale të re të nxehti.

Kryeministri Pedro Sanchez u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë “kujdes maksimal”, pasi temperaturat pritet të rriten ndjeshëm gjatë javës.

Zjarret, që shpërthyen në pyjet përreth Madridit në kulmin e sezonit turistik, kanë detyruar rreth 60 mijë banorë të evakuohen me nxitim nga shtëpitë e tyre. Shumë prej tyre u larguan brenda pak minutash, duke lënë pas kafshët shtëpiake, ilaçet dhe sendet personale.

Në zonën e Navaluengës, dhjetëra banesa janë shkrumbuar, ndërsa peizazhi është mbuluar nga toka e djegur dhe tymi.

Temperaturat më të ulëta gjatë natës, era më e dobët dhe lagështia më e lartë kanë ndihmuar ekipet e zjarrfikësve të bëjnë përparim në luftën me flakët.

Megjithatë, Agjencia Meteorologjike e Spanjës (AEMET) ka shpallur se nga e marta nis vala e katërt e të nxehtit këtë verë, me temperatura që mund të arrijnë 42°C në verilindje dhe 39°C në pjesën qendrore të vendit.

Kushtet e nxehta, era dhe lagështia e ulët pritet të rrisin rrezikun për përhapjen e zjarreve.

Ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska deklaroi se dita e sotne dhe e nesërmja janë “ditë absolutisht vendimtare” për të fituar kontroll mbi vatrat e zjarrit përpara ardhje së valës së ardshme të të nxehtit.

Edhe kryeministri Sanchez theksoi se vendi po hyn në “orë të vështira”, duke u bërë apel qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.

Shkencëtarët e lidhin shtimin e zjarreve dhe valëve ekstreme të të nxehtit me ndryshimet klimatike.

Kryeministri Pedro Sanchez i cilësoi zjarret si “shprehjen më të dhimbshme të emergjencës klimatike”, duke theksuar se ngjarje të tilla nuk janë më përjashtim, por po bëhen një realitet i përsëritur.

Deri tani këtë vit, zjarret në Spanjë kanë përfshirë rreth 150 mijë hektarë tokë dhe kanë shkaktuar 13 viktima, ndërsa vetëm zjarret aktuale kanë djegur rreth 77 mijë hektarë./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Spanja në garë me kohën për të frenuar zjarret para valës së re të të nxehtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Tri gra mbeten të plagosura pas një sulmi me thikë

27 July 2026 at 16:24

PARIS, 27 korrik /ATSH/ – Tri gra mbetën të plagosura dhe u dërguan në spital pas një sulmi me thikë që ndodhi të sot në zonën Porte de Clichy, në veri të Parisit, sipas Reuters.

Një efektiv policie jashtë shërbimit arriti të neutralizonte dhe arrestonte autorin e dyshuar menjëherë pas sulmit.

Viktimat, të moshave 19, 24 dhe 36 vjeç, u goditën me dy thika kuzhine.

Dy prej tyre pësuan plagë të rënda, njëra në pjesën e poshtme të shpinës dhe tjetra në bark, por ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, deklaroi se asnjëra nuk ndodhet në rrezik për jetën.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur identitetin e sulmuesit dhe as motivin e tij.

Sipas ministrit Nunez, i dyshuari ka bërë deklarata të pakuptimta gjatë arrestimit, ndaj hetuesit po shmangin nxjerrjen e përfundimeve të parakohshme mbi arsyet e sulmit.

Ngjarja ndodh vetëm dy ditë pas një tjetër sulmi të rëndë në Berlin, ku një ekstremist islamik përplasi një furgon me turmën gjatë një parade të komunitetit LGBTQ+, duke vrarë një grua dhe plagosur 29 të tjerë.

Megjithatë, autoritetet franceze theksuan se deri më tani nuk ka prova që e lidhin sulmin në Paris me terrorizmin ose me ngjarjen në Gjermani.

Policia franceze ka nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e sulmit, motivin e autorit dhe nëse ai kishte probleme të shëndetit mendor apo veproi për arsye të tjera.

Ndërkohë, prania e forcave të sigurisë është shtuar në zonën ku ndodhi incidenti, ndërsa gjendja e tri grave të plagosura po monitorohet nga ekipet mjekësore. /Ad.Ab./ a.jor.

The post PARIS – Tri gra mbeten të plagosura pas një sulmi me thikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK dërgon në gjyq 11 persona për trafik ndërkombëtar narkotikësh drejt Finlandës

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në GJKKO kërkesën për gjykimin e 11 të pandehurve, të akuzuar për prodhim, shitje dhe trafikim të narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Konkretisht SPAK ka dërguar për gjykim Besnik Spatën, Ermelind Pupën (alias Ermelind Myzyri), Erind Agalliun (alias Erind Teneqexhiu), Geraldo Seferajn, Dorjan Luzajn, Kevin Qevanin (alias Bojken Qevani), Toni Kote (alias Elton Tavani, Thoma Tavani dhe Toni Tavani), Eltion Myftari (alias Eltjon Miftari), Ledjon Hoxhën, Altin Mustën dhe Nikollaq Godon (alias Pavjol Gode).

Sipas SPAK procedimi penal është ndarë nga çështja e vitit 2023. Hetimet u kryen në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore, ende aktive, e cila u krijua më datë 21 nëntor 2023, mes Prokurorisësë Posaçme dhe Policisë Qendrore Kriminale të Finlandës, Departmentit pranë Institucionit Policor të Finlandës Jugperëndimore dhe Departmentit pranë Institucionit Policor të Helsinkit.

SPAK bëri me dije se gjatë hetimit janë përdorur metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, regjistrime të fshehta fotografike, filmike ose me video në vende publike), si dhe janë shkëmbyer informacione dhe prova me Byronë Kombëtare të Finlandës, në kohë reale.

“Sipas provave prej vitit 2022 dhe në vazhdim, disa grupe të strukturuara kriminale me anëtarë shqiptarë dhe të huaj, të krijuar, të organizuar dhe drejtuar nga shtetas shqiptarë kanë trafikuar drejt Finlandës sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike me rrezikshmëri të lartë (marihuanë, amfetaminë, tableta ekstazi, kokainë etj) dhe  të cilat më pas janë shitur, shpërndarë, dorëzuar në disa qytete të Finalndës, përmes një rrjeti shpërndarësish, me qëllimin për të krijuar të ardhura të kundraligjshme”, njoftoi SPAK.

SPAK theksoi se karakteristikë e këtyre grupeve të strukturuara kriminale ishte bashkëpunimi mes tyre dhe ndërveprimi me grupe të tjera kriminale. Një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve të strukturuara kriminale janë arrestuar dhe dënuar nga gjykatat e Finlandës për veprimtarinë kriminale.

Sipas SPAK, nga provat e administruara rezultojnë të provuara disa raste të veprimtarisë kriminale.

Sipas SPAK, për hetimet kanë dhënë ndihmesën e tyre; Zyra e Oficerit Ndërlidhës së Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën si edhe “Rrjeti @ON”,  i financuar nga Komisioni i Bashkimit Europian, i drejtuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA).

Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e shërbimit të policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po vazhdojnë intesivisht hetimit për procedimin penal të vitit 2023, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët janë përfshirë në veprimtari të kundraligjshme, të konstatuara gjatë hetimeve paraprake.

/m.q/j.p/

The post SPAK dërgon në gjyq 11 persona për trafik ndërkombëtar narkotikësh drejt Finlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi shqyrton marrëveshjen me SHBA-të pa praninë e medies, mungon opozita

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Kuvendi është mbledhur sërish sot në seancë plenare për të diskutuar për marrëveshjen e huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Diskutimet do të zhvillohen pa praninë e medies, ndërsa procesi i votimit do të jetë i hapur.

Ashtu siç paralajmëroi Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk po marrin pjesë në seancë.

Më herët, PD deklaroi se në parim është pro kësaj marrëveshje, por kërkoi kohë për t’u njohur me tekstin e saj.

Marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikon një hua prej 302 milionë dollarësh për financimin e modernizimit të Forcave të Armatosura, që do të mundësojë blerjen e pajisjeve, sistemeve dhe shërbimeve sipas standardeve të NATO-s.

/m.m/a.f/

The post Kuvendi shqyrton marrëveshjen me SHBA-të pa praninë e medies, mungon opozita appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz premton masa politike pas sulmit vdekjeprurës në Paradën e Krenarisë në Berlin

27 July 2026 at 15:50

BERLIN, 27 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi sot se, qeveria do të ndërmarrë masa politike pas sulmit vdekjeprurës në Paradën e Krenarisë në Berlin, që ndodhi të shtunën në parkun Tiergarten.

“Vetëm deklaratat nuk mjaftojnë. Duhet të reagojmë me qetësi, por edhe me vendosmëri”, tha Merz.

Sulmi u krye nga një i dyshuar 21-vjeçar, Abdul B, i cili, sipas autoriteteve, përplasi me një furgon turmën e njerëzve dhe më pas sulmoi kalimtarët me një hanxhar, përpara se të arratisej.

Pas një kërkimi që zgjati gjithë ditën, ai u qëllua për vdekje nga policia.

“Pyetja kryesore është se si arriti autori i dyshuar, i cilësuar si islamist, të afrohej pa u penguar, pranë paradës dhe të kryente sulmin”, tha Merz.

Sipas kancelarit, objektivi nuk ishte zgjedhur rastësisht.

“Ky nuk ishte vetëm një sulm ndaj komunitetit LGBTQ+, por edhe ndaj lirisë sonë, shoqërisë sonë të hapur dhe vlerave liberale. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i mbrojtur ato”, u shpreh ai.

Merz, i cili vizitoi dje vendin e ngjarjes, së bashku me ministrin e Brendshëm, Alexander Dobrindt, tha se udhëheqja e partisë së tij, Unioni Kristian Demokrat (CDU), e diskutoi ngjarjen në mbledhjen e sotme.

Pas sulmit, anëtarë të CDU-së kanë kërkuar ashpërsimin e ligjeve për dënimin e të rinjve.

I dyshuari, i lindur në Berlin dhe me origjinë libaneze, ishte i njohur për autoritetet dhe më parë, pasi ishte dënuar me 1 vit e 10 muaj burg me kusht. //a.i/

The post GJERMANI – Merz premton masa politike pas sulmit vdekjeprurës në Paradën e Krenarisë në Berlin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lufta kundër manipulimit të informacionit, ekspertët kërkojnë krijimin e një rezistence mbarëshoqërore

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi sot në Tiranë konferencën ndërkombëtare “Lufta kundër Manipulimit dhe Ndërhyrjes së Huaj në Informacion (FIMI): Shqipëria dhe konteksti i zgjerimit”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve evropiane, NATO-s, ekspertëve të sigurisë, akademikëve dhe përfaqësuesve të medias.

Në hapje të aktivitetit përshëndeti ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndërsa fjalën kryesore e mbajti Kryeministri Edi Rama.

Diskutimet u përqendruan te sfidat që paraqet manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion, si një prej kërcënimeve hibride më të rëndësishme për shoqëritë demokratike, veçanërisht në një kohë kur aktorë të huaj përdorin platformat digjitale, inteligjencën artificiale dhe fushatat e koordinuara për të ndikuar debatin publik.

Në panelin e parë “FIMI në Evropë – Fronti i ri i sigurisë evropiane”, moderatori Miroslav Sazdovski, analist i lartë në Qendrën Evropiane të Ekselencës për Luftën kundër Kërcënimeve Hibride, theksoi rëndësinë e rritjes së rezistencës shoqërore ndaj dezinformimit.

“Ne duhet të rrisim rezistencën, veçanërisht në ato grupe të shoqërisë që sulmohen më shumë, në shërbimet për qytetarët dhe hapësirat shoqërore ku përpiqet të influencojë FIMI përmes dezinformimit”, u shpreh ai.

Sazdovski bëri të ditur se janë identifikuar 30 fusha kryesore që mund të bëhen objekt sulmesh nga fushatat e manipulimit të informacionit.

“Këto fusha i kemi në nivel kombëtar. Kemi identifikuar pikat që targetohen nga dezinformimi dhe, duke i mbrojtur ato, e bëjmë shoqërinë tonë më të fortë. Kjo lidhet me ndikimin mbi proceset demokratike. Në aktivitetet hibride 1+1 nuk është gjithmonë e barabartë me 2, pasi një sulm prek të gjitha domenet”, deklaroi ai.

David Colon, profesor në “Sciences Po Paris” dhe ekspert për FIMI, u ndal te nevoja për besim te shkenca dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës ndaj kërcënimeve të reja.

“Na duhet besimi në shkencë për të luftuar të gjitha këto sulme. Aktori kryesor i sulmit në Evropë është Rusia dhe regjimi i Putinit, i cili ka cenuar rrjete të tëra. Kërcënimi ka natyrë globale dhe nuk duhet ta neglizhojmë”, tha Colon.

Ai theksoi se përballja me këtë fenomen kërkon strategji të përbashkëta, bashkëpunim institucional dhe forcim të mbrojtjes digjitale.

“Mësuam se na duhej të forconim strategjinë tonë të luftës, të rregullonim platformat inteligjente digjitale dhe të trajnonim gazetarët për FIMI-n. Përtej asaj që mund të ndihmojë BE-ja, ajo që na duhet është një koalicion vullnetar kundër krimit të dezinformimit”, deklaroi ai.

Eksperti Andy Pryce, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), nënvizoi rëndësinë e krijimit të një rezistence të qëndrueshme ndaj dezinformimit.

“Duhet ta shohim botën e kërcënimeve ndaj ekosistemeve që përfshijnë korrupsionin, sistemet financiare dhe ndikojnë në perceptimin e njerëzve. Duhet të shohim ekosistemin në tërësinë e vet”, tha Pryce.

Sipas tij, përgjigjja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ku qeveritë, mediat, partitë politike dhe shoqëria civile bashkëpunojnë për krijimin e një rezistence mbarëshoqërore.

“Duhet të krijohet një ekosistem funksional ku qeveria punon me gazetarët, partitë politike dhe shoqërinë civile”, theksoi ai.

Në konferencë u diskutua edhe kuadri i ri politik i Bashkimit Evropian për këtë fushë, përfshirë nismat “European Democracy Shield” dhe “FIMI Toolbox”, që synojnë forcimin e rezistencës demokratike përmes bashkëpunimit institucional, mbështetjes së medias së pavarur, kërkimit akademik dhe angazhimit të shoqërisë civile.

Përfaqësuesja e “Free Russia Foundation”, Natalia Arno, tha se FIMI duhet të shihet si një çështje sigurie dhe jo vetëm komunikimi.

“FIMI duhet të trajtohet më shumë se një çështje komunikimi. Ajo lidhet me sfida të sigurisë dhe sulme dashakeqe. Nuk mund ta shkëpusim nga dezinformimi dhe korrupsioni, por duhet të trajtohet në mënyrë holistike”, deklaroi Arno.

Ajo solli si shembull rezistencën e shoqërisë civile në Moldavi, duke theksuar se lufta ndaj manipulimit të informacionit kërkon përgatitje të vazhdueshme.

“Ne nuk kemi vetëm një luftë me informacionin, por edhe me mbetjet e së kaluarës. Taktikat mbeten të njëjta: lufta psikologjike dhe përdorimi i frikës në komunitete. Për të rezistuar nuk duhet të kemi vetëm fushata të rastit, por një përpjekje të vazhdueshme nga e gjithë shoqëria”, u shpreh ajo.

Konferenca synon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë për përballimin e manipulimit dhe ndërhyrjeve të huaja në informacion, duke e konsideruar sigurinë e informacionit si një element kyç për mbrojtjen e proceseve demokratike dhe avancimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

/e.xh/a.f/

The post Lufta kundër manipulimit të informacionit, ekspertët kërkojnë krijimin e një rezistence mbarëshoqërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌