Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Gjykata rrëzon aktakuzën ndaj Klinakut për kanosjen e Kurtit, procedura vazhdon vetëm ndaj Nuredin Selmanit

19 December 2025 at 11:15


Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj Faton Klinakut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tij për veprën penale “Kanosja” ndaj Kryeministrit Albin Kurti, ndërsa procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit tjetër, Nuredin Selmani.

Në seancën fillestare, më 3 shtator 2025, Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani ishin deklaruar të pafajshëm.

Klinaku kishte shkruar Fb më 29 gusht 2023 se: “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

Aktvendimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi” është nxjerrë më 20 nëntor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rahman Beqiri, pas shqyrtimit të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtësi i Klinakut, avokati Ramë Dreshaj.

Ndaj këtij aktvendimi nuk lejohet ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktvendimit, Gjykata ka vendosur që aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e datës 1 gusht 2025, të hudhet pjesërisht dhe procedura penale të pushohet vetëm në raport me të akuzuarin Faton Klinaku, i cili akuzohej për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata ka konstatuar se nuk ka pasur kërkesë pasurore-juridike, ndërsa shpenzimet e procedurës penale që lidhen me këtë pjesë të aktakuzës do të mbulohen nga mjetet buxhetore të Gjykatës.

Në aktvendim theksohet se, pas plotfuqishmërisë së tij, procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj Nuredin Selmanit, i cili vazhdon të përballet me akuzën për veprën penale “Kanosja” sipas të njëjtit nen të Kodit Penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 gusht 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të cilët akuzohen për kanosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Faton Klinaku akuzohet se më 29 gusht 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e kishte kanosur publikisht përmes rrjetit social Facebook, duke postuar shkrime kërcënuese.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij sa që tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka bërë por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë. I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin se sa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova. Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”, citohet të ketë shkruar Klinaku në Facebook.

Ndërsa, pas reagimeve të opinionit publik lidhur me këtë kërcënim, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Klinaku më 30 gusht 2023 ka përsëritur një shkrim po ashtu me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj tani të dëmtuarit Kurti.

“Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, citohet në aktakuzë të ketë shkruar Klinaku.

Me këto veprime, Klinaku akuzohet se publikisht dhe seriozisht e ka kanosur me vrasje të dëmtuarin Albin Kurti, për shkak të punës së tij zyrtare, si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Andaj, me këto veprime, Klinkau ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.

Ndërkaq, në pikën dy të aktakuzës, Nuredin Selmani akuzohet se më 30 gusht 2023, në Drenas, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës zyrtare, e ka kanosur publikisht në rrjetin social Facebook, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri Faton Klinaku.

Selmani ngarkohet se kishte postuar një fotografi në të cilën ishte montuar fotoja e të dëmtuarit Kurti, krahas asaj të Klinakut, duke e shoqëruar me një shkrim kërcënues të adresuar ndaj të dëmtuarit.

“E mbështes Faton Klinakun”, “Veç ni telefon ma ban Faton, aty mki për çka të ka nevojë, mezi s’po pres me ja nisë”, citohet në aktakuzë postimi i Selmanit.

Po atë ditë, në mbrëmje, thuhet se i njëjti u inkuadrua drejtpërdrejt në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, ku po trajtohej debati me temë “OVL-UÇK vs Kurti”. Aty thuhet se përmes video-linkut, pas pyetjeve të moderatorit të emisionit, i pandehuri, sipas aktakuzës, kishte deklaruar “Unë konsideroj që çdo njëri i cili bon të këqija siç bon Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij, duhet të vritet patjetër, sepse ajo është tradhti ndaj atdheut”.

Andaj, me këto veprime, Selmani ngarkohet se ka kanosur publikisht dhe seriozisht për vrasje të dëmtuarin Albin Kurti, për shkak të punës së tij zyrtare, e të cilat kërcënime, thuhet se i kishte shprehur edhe me disa bashkëbisedues tjerë, gjatë komunikimeve telefonike që i janë gjetur pas ekzaminimit të telefonit të tij, duke përfshirë edhe disa fotografi, ku i pandehuri shihet në posedim edhe të disa armëve të gjata luftarake.

Me këto veprime, i pandehuri Nuredin Selmani ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.

Hajdari: Nuk kam pranuar ndonjë thirrje për seancë nga ana e Gjykatës

10 December 2025 at 11:17


Seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e rezervave shtetërore ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nuk u zhvillua të martën për shkak të mungesës së të akuzuarës.

Hajdari, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në Facebook, sqaroi se nuk ka marrë asnjë thirrje për pjesëmarrje nga Gjykata, duke premtuar se do të paraqitet në seancën e ardhshme sapo të konfirmohet ftesa.

“Të nderuar qytetarë, për seancën e sotme gjyqësore lidhur me çështjen e rezervave shtetërore të mallrave, nuk kam pranuar ndonjë thirrje nga Gjykata. Në momentin që të marr ftesën për seancën e ardhshme, do të jem e pranishme”, shkroi Hajdari, raporton Telegrafi.

Procesi dështoi gjithashtu për shkak se avokati i të akuzuarit tjetër, Irfan Lipovica, nuk ishte i pranishëm. Pas situatës, shqyrtimi fillestar u caktua të mbahet më 13 janar 2026.

Kreu i trupit gjykues, Avni Syla, tha se Hajdarit i ishte dërguar ftesa përmes postës, por deri tani nuk kishte konfirmim për pranimin e saj. Në seancë ishte i pranishëm vetëm avokati i saj, Florent Latifaj.

Nga të akuzuarit e tjerë, në sallë ishte Hafiz Gara me avokatin Nazim Mehmeti dhe Ridvan Muharremi me avokatin Mahmut Halimi, ndërsa avokati i Lipovicës, Feim Alaj, mungoi për shkak të një ftesë të njëkohshme nga Gjykata Themelore në Pejë. Ai kishte dërguar një përfaqësues ligjor dhe kishte informuar gjykatën përmes e-mailit.

Kryetari i trupit gjykues shtoi se gjykata kishte kërkuar që Alaj të gjejë zëvendësim ligjor, por nuk kishte marrë miratimin e të mbrojturit të tij për këtë hap. /Telegrafi/


Aktakuzë për laboratorin e drogës në Prizren, nëntë persona përballen me drejtësinë

2 December 2025 at 10:52


Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave për rastin e laboratorit të drogës të zbuluar më 23 prill 2025 në Prizren.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë kultivuar 175 bimë “kanabis sativa” në dy banesa në lagjen “Dardania”, të pajisura me llamba profesionale, sisteme ventilimi dhe pajisje të tjera mbështetëse. Ata akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” sipas nenit 272 të KPRK-së.

Nëntë të pandehurit, mes të cilëve D.M., E.M., M.S. dhe A.S., akuzohen gjithashtu për përgatitje dhe shpërndarje të lëndës narkotike, përmes tharjes, paketimit dhe shitjes së kanabisit dhe kokainës. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 451.91 gram kokainë, para të gatshme, pajisje për peshimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike, si dhe dy vetura. Një nga të pandehurit, K.R., akuzohet se ka shkëmbyer 2 kg marihuanë për një veturë “Audi A6”, përcjell Telegrafi.

Të pandehurit kanë vepruar së bashku si grup i organizuar, ndërsa njëri prej tyre, B.M., akuzohet për ndihmë në kultivimin e bimëve duke informuar të tjerët për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit.

Prokuroria ka propozuar konfiskimin e pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal, përfshirë dy banesa në Prizren, dy automjete, narkotikë, telefona mobil dhe para të gatshme në vlerë 1,020 euro dhe 30 franga zvicerane.

Pas administrimit të provave, Prokuroria kërkon që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen. /Telegrafi/

Rritje rekord e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në Prokurorinë e Pejës

1 December 2025 at 12:06


Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur sot se gjatë periudhës janar–tetor 2025 është shënuar një rritje e konsiderueshme e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë nga personat nën procedurë penale, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i rasteve të marrëveshjeve është rritur me 147.83%, ndërsa numri i personave të përfshirë ka shënuar një rritje prej 126.92%.

Nga janari deri në tetor 2025 janë arritur 57 marrëveshje për pranimin e fajësisë, me gjithsej 59 persona pjesëmarrës. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, Prokuroria kishte realizuar vetëm 23 raste, me 26 persona të përfshirë, përcjell Telegrafi.

Prokuroria Themelore në Pejë thekson se mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj trajtimit efikas, profesional dhe objektiv të çdo rasti penal, duke e konsideruar këtë rritje si rezultat të punës së përmirësuar dhe bashkëpunimit të shtuar në procedurat penale.

Institucioni premton se edhe në vazhdim do të prioritizojë efikasitetin dhe transparencën në trajtimin e të gjitha rasteve në juridiksionin e saj. /Telegrafi/


Gjykata Themelore në Gjakovë dënon me 4.5 vjet burg një të pandehur për tentim vrasje

1 December 2025 at 10:49


Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit P.B., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili akuzohej për vrasje të mbetur në tentativë dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Trupi gjykues, i kryesuar nga kryetari Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, e shpalli të pandehurin fajtor dhe e dënoi me një dënim unik prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj burgim, përcjell Telegrafi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, më 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Diaspora” në Brekoc – Gjakovë, i pandehuri P.B. ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B., pas një mosmarrëveshjeje pronësore.

Gjatë një bisede pranë rrethojës së oborrit, i pandehuri ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar nga një distancë prej rreth tre metrash, duke e goditur në pjesën e poshtme të shpinës.

Si pasojë, i dëmtuari pësoi lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, të cilat kërkuan ndërhyrje kirurgjikale.

Palët kanë të drejtë të ankohen ndaj këtij aktgjykimi brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit në formë të shkruar. /Telegrafi/

Migjen Kastrati emërohet gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Pejë, dega Istog

6 November 2025 at 11:35


Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në vijim të takimit të tij të 355-të, ka miratuar emërimin e Migjen Kastratit si gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Pejë, dega Istog.

Ky vendim u mor pas shqyrtimit të aplikacioneve, intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga Paneli i KGJK-së, dhe bazuar në rekomandimin e Komisionit Vlerësues.

Procesi i votimit përfundoi me votë unanime për Kastratin.

Emërimi i tij kontribuon në forcimin e funksionimit të sistemit gjyqësor në nivel lokal, duke garantuar administrim të drejtë dhe efektiv të çështjeve në këtë degë të gjykatës.

Për shumë më DETAJE. /Telegrafi/


Fëllanza Knushaj emërohet kryetare e Gjykatës Themelore në Gjakovë

6 November 2025 at 11:31


Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka miratuar në takimin e tij të 355-të emërimin e Fëllanza Knushajt si kryetare e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Ky vendim u mor pas shqyrtimit të aplikacioneve, intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga Paneli i KGJK-së, dhe bazuar në rekomandimin e Komisionit Vlerësues, përcjell Telegrafi.

Procesi përfundoi me votim, ku Knushaj u zgjodh me shumicë votash për këtë pozitë.

Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm në funksionimin e sistemit gjyqësor në Gjakovë, duke kontribuar në përforcimin e drejtësisë dhe administrimin e drejtë të çështjeve në nivel lokal.

Për shumë DETAJE. /Telegrafi/


Rama në Londër: Të gjitha ata që e duan lirinë, kanë vetëm një alternativë: Bashkimi Evropian!

21 October 2025 at 16:29

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës në në Londër, u shpreh se Bashkimi Evropian është alternativa e vetme, e cila garanton liritë dhe të drejtat e njeriut.

“Të gjitha ata që duan lirinë,  që të drejtat  tyre të jenë të padiskutueshme, që shteti i së drejtës të jetë i paprekshëm ka vetëm një alternativë, BE, derisa MB të na vërtetojë se e kemi gabim, por që për momenti po na e vërteton se kemi më shumë se të drejtë”, u shpreh kryeministri i vendit.

Ai foli edhe për Procesin e Berlinit, ndërsa shtoi se qëllimi i tij është për t’i shtyrë vendet kandidate drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Procesi i Berlinit është bërë për t’i shtyrë vendet përpara drejt BE, ndërsa MB këmbëngul ta organizojë procesin e Berlinit këtu sepse i ka marrë malli për BE, i mungon BE, kanë këtë dhimbjeje që nuk duhet ta thonë”, tha ai.

Pastrim parash dhe grup kriminal, dënohen vëllezërit Ramaj dhe ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit

20 October 2025 at 12:50


GJKKO ka dënuar me 7 vite burg për pastrim parash të kryer në bashkëpunim ish-drejtoreshën e Kadastrës në Durrës, Rajmonda Dashi.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi për ish-zyrtaren zbret ne 4 vite e 8 muaj burg, raporton gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat.

Megjithatë Dashi nuk do të bëjë asnjë dit burg pasi dënimi i konvertohet ne 3 vite shërbim prove. GJKKO ka vendosur t’i heqë edhe masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe ndalim dalje jashtë shtetit ish-drejtoreshës së Kadastrës Durrës.

Dy vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj u dënuan me 17 vite e 6 muaj burg, ku dënimi për të parin u reduktua në 6 vite e 8 muaj për kryerjen e veprës penale “grup i strukturuar kriminal”, ndërsa për Leonardin në 5 vite për “pastrim parash”.

Ndërsa për Ardjan Malasin, gjykata vendosi dënimin me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar. /Tch/

Dështoi seanca ndaj Dardan Molliqajt për sulm ndaj Haki Abazit, do të lëshohet urdhërarrest

16 October 2025 at 13:17


Në mungesë të të akuzuarit Dardan Molliqaj, ka dështuar sërish të nis gjykimi të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ai dhe Fatos Sahiti, akuzohen për sulmin ndaj Haki Abazit pas një debati televiziv në vitin 2019. Ndaj Molliqajt, do të lëshohet urdhërarrest.

Gjyqtari i rastit, Fisnik Gashi bëri të ditur se për shkak të mungesës në seancë, ndaj Molliqajt do të lëshohet urdhërarrest, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së të pandehurit Dardan Molliqaj. Ndaj të pandehurit Dardan Momlliqaj do të lëshohet urdhërarrest”, tha gjyqtari.

Të pranishëm në seancë ishin i akuzuari Fatos Sahiti dhe avokati i Dardan Molliqajt, Dren Kukaj. Ndërsa, nga pala e dëmtuar Haki Abazi me avokaten Sadije Mjekiqi.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë dështoi.

I akuzuari Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) mungoi edhe në seancën e 4 shtatorit 2025, në të cilën mungesën e kishte arsyetuar me angazhimet për fushatën zgjedhore.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator 2019, rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, në Kolegjin “AAB”, të pandehurit e lartcekur pas përfundimit të debatit në emisionin “Pressing” në studion së televizionit T7, ku ishin të ftuar Endrit Shala, Rexhep Hoti, Haki Abazi dhe Dardan Molliqaj, me të dalë në korridor të kolegjit AAB, i pandehuri Molliqaj fillimisht e ka thirrë të dëmtuarin Abazi “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, i cili ishte para tyre në korridor duke dalë në shoqëri me Rexhep Hotin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se posa i afrohet i pandehuri Molliqaj me dashje, duke e përdorë forcën e sulmon të dëmtuarin Haki Abazi në atë mënyrë që fillimisht e ka kapur për duar e më pas e godet me grusht në fytyrë dhe shqelma në këmbë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtij sulmit i bashkëngjitet edhe i pandehuri Sahiti, i cili e godet të demtuarin me grusht derisa i dëmtuari arrin t’iu largohet dhe të ikë me shpejtësi në drejtim të studios së televizionit T7, dhe kështu i shqetësuar për rastin e thërret policinë. /BetimipërDrejtësi

Sheholli në gjendje të rënduar shëndetësore, dërgohet në QKUK

13 October 2025 at 16:29


Fatmir Sheholli është transferuar në gjendje të rënduar shëndetësore nga Qendra Spitalore në Gjilan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në avokati i tij mbrojtës, Mentor Neziri, i cili tha se aktualisht Shehollit po i bëhen ekzaminimet e nevojshme mjekësore.

Sheholli është arrestuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të “spiunazhit”, bazuar në nenin 124, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli dyshohet se ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë (BIA) dhe ka vepruar nën urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarit të BIA-së, Bojan Dimiq.

Në aktakuzë thuhet se ai ka mbledhur informacione mbi pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe i ka përcjellë ato nëpërmjet komunikimeve telefonike te zyrtarët serbë të inteligjencës.

Po ashtu, më 26 shtator 2025, në Mitrovicë të Veriut, Sheholli dyshohet se ka marrë materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat dyshohet se janë komprometuese.

Prokuroria thekson se, përmes këtyre veprimeve, Sheholli me vetëdije dhe qëllimisht ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, si dhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, duke ndihmuar një shërbim të huaj inteligjent në dëm të interesave shtetërore.

Paraburgim për një muaj ndaj personit që dyshohet se pengoi gjyqtarin në Malishevë

9 October 2025 at 15:21


Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit D.Z., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dosjes së prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor 2025 në fshatin Berishë, Komuna e Malishevës, kur i pandehuri dyshohet se ka tentuar të pengojë gjyqtarin N.Q. nga Gjykata Themelore e Gjakovës – Dega në Malishevë, gjatë një seance në terren për një kontest pronësor, raporton Telegrafi.

Gjatë incidentit, i pandehuri fillimisht ka debatuar me avokatin e njërës palë dhe më pas është përballur me gjyqtarin, duke e shtyrë fizikisht në gjoks dhe duke e penguar në zhvillimin e procedurës.

Në vendimin e saj, gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se lënia e të pandehurit në liri mund të ndikojë në rrjedhën e procedurës penale, përfshirë mundësinë e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjen e veprës.

I pandehuri do të qëndrojë në paraburgim deri më 6 nëntor 2025, duke u llogaritur afati nga dita e arrestimit, më 7 tetor 2025. /Telegrafi/

Sot sërish marshohet në Koçan, kërkohet drejtësi për tragjedinë në "Pulse"

4 October 2025 at 11:50


Shoqata Qytetare "16 Marsi 2025 Koçani" njofton për sot një protestë të re, të 25-të me radhë, "Marshimi për Engjëjt" e cila do të fillojë në orën 16:05.

Prindërit dhe qytetarët do të marshojnë nga "Parku i Revolucionit" përmes Qendrës Tregtare dhe ndërtesës së Drejtorisë së të Ardhurave Publike deri në Stacionin e Policisë.

Nga atje, marshimi do të vazhdojë deri në Gjykatën Themelore dhe Prokurorinë në Koçani.

"Ky marsh është simbol i unitetit, dinjitetit dhe një zëri që kërkon përgjegjësi. Ia kushtojmë engjëjve që nuk do të harrohen kurrë dhe luftës për të vërtetën që ua kemi borxh. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, pavarësisht fesë, etnisë apo përkatësisë politike, të na bashkohen dhe së bashku të tregojnë se drejtësia për engjëjt tanë është mbi të gjitha", thuhet në deklaratën e Shoqatës "16 Marsi 2025 Koçani".

Marshimi zakonisht përfundon nga pika e fillimit në "Parkun e Revolucionit" në Koçan.

12 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen e vjehrrit në Prishtinë, iu ricilësua vepra penale

29 September 2025 at 16:43


Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Edon Bujupit i akuzuar për vrasjen e vjehrrit të tij A.K. Me këtë aktgjykim, Bujupi u shpall fajtor për “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe u dënua me 12 vjet burgim.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Bujupi u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, masë e cila iu vazhdua.

Bujupi obligohet edhe për shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 100 euro dhe 50 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.Palët e dëmtuara A.K., dhe A.K., udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil. Ankesa është e lejuar në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit përmes kësaj gjykate.

Në arsyetimin e vendimit, gjykatësja Dermaku tha se arsyeja e ricilësimit të veprës penale nga “Vrasje” në “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” është se i akuzuari ka qenë i sulmuar nga viktima dhe dëshmitari.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e datës 21 tetor 2024, thuhet se Edon Bujupi, me datë 29 nëntor 2023, rreth orës 21:15, në banesën e tij në rrugën “Ali Vitija”, pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe miqve të tij (babait dhe vëllait të gruas), kanë filluar përleshjen mes vete, ku gjatë përleshjes fizike, me dashje që ta privojë nga jeta, i pandehuri Edon godet me armë të ftohtë – thikë e cila kishte gjatësinë e tehut 19 centimetra – në regjionin e majtë të kraharorit tani të ndjerit A.K., i cili si pasojë e plagëve të shkaktuara ka ndërruar jetë në SHSKUK.

Me këtë, Bujupi sipas aktakuzës thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

E dyshuara për spiunazh, Jelena Gjukanoviq mbetet në paraburgim edhe për dy muaj

23 September 2025 at 12:39


Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Jelena Gjukanoviqit, zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, e cila po akuzohet për veprën penale të spiunazhit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

"Ju njoftojmë se pas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehures J.Gj., gjyqtari i kësaj çështje penale pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 19.09.2025 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtës iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, e cila masë do të llogaritet deri me datë 18.11.2025", ka pohuar Gashi.

Gjukanoviq, dyshohet se ka përcjellë informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues dhe sigurinë institucionale të Republikës së Kosovës te Aleksandar Vllajiq, i identifikuar si agjent rezident i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA). /Telegrafi/


Tema të tjera

Prokuroria për rastin “Albkings”: Të dënuar me burgim themeluesit dhe administratorët, për anëtarët e thjeshtë u arrit marrëveshje për pranimin e fajësisë

22 September 2025 at 16:48


Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar pas polemikave të fundit rreth procedurës gjyqësore ndaj të pandehurve për veprën penale “Ngacmim”, ku e dëmtuar është gazetarja A.A.

Në njoftim thuhet se rasti i njohur si “Albkings” është ndarë në dy pjesë:

Një procedurë ndaj themeluesve dhe administratorëve të grupit, e cila ka përfunduar me aktgjykim dënues dhe burgime efektive, ku viktimë ishte edhe gazetarja në fjalë.

Një procedurë tjetër ndaj anëtarëve të identifikueshëm, të cilët nuk kishin kompetenca administrative, por kishin komentuar, shkëmbyer informata dhe kontaktuar të dëmtuarën.

Prokuroria sqaron se gjatë hetimeve janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë edhe eksaminimin e telefonave të të dyshuarve. Në këtë fazë, me kërkesën e të pandehurve dhe sipas nenit 230 të KPPRK-së, është zhvilluar procedura për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, ku e dëmtuara është njoftuar për të drejtën e saj për të paraqitur kërkesë pasurore juridike, e cila është inkorporuar në marrëveshje.

Duke marrë parasysh se vepra penale “Ngacmimi” parashikon dënim me gjobë ose burgim deri në tre vjet, si dhe faktin se të pandehurit ishin për herë të parë para drejtësisë dhe e pranuan fajësinë që në fazën e parë, Prokuroria ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për një dënim më të butë. Ky vendim është miratuar si i ligjshëm edhe nga Gjykata.

Në fund, Prokuroria ka theksuar se nuk është obligim i saj të kërkojë pëlqimin e palës së dëmtuar për lartësinë e dënimit, por vetëm për trajtimin e kërkesës pasurore juridike.

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit e arrestuar në Vushtrri

22 September 2025 at 15:08


Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve, pas një aksioni të zhvilluar më 21 shtator në Vushtrri dhe fshatin Ropicë.

Të pandehurit me inicialet Rr.G., A.G., E.G. dyshohen për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa i pandehuri me iniciale K.G. për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.

Operacioni u zhvillua në koordinim ndërmjet Prokurorisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, gjatë të cilit u kontrolluan disa lokacione në komunën e Vushtrrisë.

Si rezultat, katër të dyshuarit u arrestuan dhe janë vendosur në ndalim 48-orësh me vendim të prokurorit të rastit.

Gjatë bastisjeve, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme të sendeve që mund të lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal, përfshirë: 2 armë të shkurta, 352 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm,2 karikatorë, 2 palë dylbi, 7 telefona celularë 1 shkop druri, 1 thikë, 1 palë dorëza, dokumente të ndryshme, 1 pasaportë, 1 patentë shofer, 1 USB, 1 llaptop, 1 palë patika dhe 1 çelës motori.

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve do të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri.

Prokuroria ka njoftuar se do të vazhdojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë. /Telegrafi/

Policia ndalon tre persona për falsifikim në dosjet e patentë shoferëve

15 September 2025 at 18:41


Policia e Kosovës, përmes Sektorit për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Hetimet janë zgjeruar pas veprimeve të mëhershme të zhvilluara më 21 gusht 2025.

Sot janë ftuar për intervistim katër persona, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në falsifikimin e dokumenteve zyrtare me qëllim të kompletimit të dosjeve për kandidatë për patentë shofer, duke shkelur procedurat ligjore.

Pas intervistimit në prani të avokatëve, me vendim të Prokurorit janë ndaluar tre persona për 48 orë, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë kompetente për zbardhjen e plotë të rastit dhe procedimin ligjor ndaj personave përgjegjës./Telegrafi/

MPB: Tre të lënduar nga një aksident trafiku në Strumicë

13 September 2025 at 20:52


Tre persona janë lënduar nga një aksident trafiku mes një kamioni dhe një makinerie për prerjen e druve në rrugën rajonale Strumicë–Vallandovë, në fshatin Kosturinë.

Lajmi është konfirmuar për Agjencionin e Lajmeve nga SPB Strumicë, të cilët informuan se dje, rreth orës 13:00, është raportuar një aksident trafiku në rrugën rajonale Strumicë–Vallandovë.

“Më 12.09.2025, në orën 13:00, në Stacionin Policor të Strumicës është raportuar se në rrugën rajonale Strumicë–Vallandovë, në fshatin Kosturinë të Strumicës, ka ndodhur një aksident trafiku mes një kamioni ‘Volvo’ me gjysmërimorkio, me targa të Gjevgjelisë, i drejtuar nga M.T. (56) nga Bogdanci dhe një makinerie pune për prerjen e druve, e drejtuar nga Ç.E. (36) nga Strumica. Nga aksidenti kanë pësuar lëndime të rënda trupore drejtuesi i makinës së punës dhe pasagjeri M.E. (31) nga Strumica, ndërsa një i mitur, pasagjer në të njëjtën makineri, ka marrë lëndime të lehta, të cilat janë konstatuar në Qendrën Mjekësore të Strumicës,” thuhet në njoftimin e SPB Strumicë.

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore e Strumicës është njoftuar për rastin, ndërsa në vendin e ngjarjes ka kryer ekspertizë një ekip nga Stacioni Policor i Strumicës.

Gjykata e Prishtinës urdhëron një muaj paraburgim për Morinën, i dyshuar për krime lufte

By: Fax Web
14 August 2025 at 12:49

Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar të enjten një muaj paraburgim për Ramadan Morinën, i cili u arrestua të martën nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë se gjykata e pranoi kërkesën e prokurorëve për ta paraburgosur Morinën për një muaj gjatë një seance mëngjesin e së enjtes.

Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se Morina dyshohet se mori pjesë në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në fillim të vitit 1999 në një fshat të Malishevës, në juglindje të vendit. “R.M. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, më 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës”, sipas Prokurorisë.

Prokuroria tha se kundër të akuzuarit ka siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve të ngjarjes dhe të të mbijetuarve. Së fundi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa aktakuza për krimet që janë kryer gjatë luftës më 1998-’99.

Po ashtu, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur. Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL

❌
❌