Thiago Silva ka zbuluar prapaskenat e ardhjes së Kylian Mbappe te Paris Saint-Germain, duke folur edhe për mënyrën se si më vonë u përkeqësua marrëdhënia mes tij dhe Neymarit.
Në një intervistë për Ligue1+, ish-kapiteni i klubit parisien kujtoi momentin kur sulmuesi francez shprehu dëshirën për t’iu bashkuar projektit të PSG-së.
“Më kujtohet shumë mirë Superkupa e Francës kundër Monacos së Mbappes, të cilën e fituam 2-1. Në fund të ndeshjes ai erdhi tek unë dhe më tha: ‘Nëse vjen Neymari, dua të vij edhe unë’.
“‘Mund të flasësh me presidentin. Edhe unë dua të jem pjesë e këtij ekipi’. Neymari nënshkroi dhe më pas erdhi edhe Mbappe. Që nga fillimi u krijua një miqësi e jashtëzakonshme”, tregoi Silva, duke theksuar kiminë e hershme mes dy yjeve.
Ai shtoi se më vonë gjërat ndryshuan mes tyre.
“Më pas, disa vite më vonë, ndodhi ajo që ndodhi. Jam pak i zhgënjyer me mënyrën se si përfundoi gjithçka. Duhej të kishte shkuar ndryshe”, përfundoi braziliani.
Neymar dhe Mbappe fituan gjithçka në Francë, megjithatë dështuan ta fitojnë Ligën e Kampionëve me PSG-në. Klubi francez e fitoi trofeun më të madh në botë, vetëm kur të dy u larguan nga klubi./Telegrafi
Avokatët e Kylian Mbappes kanë dërguar, sipas raportimeve të L’Equipe, një ekzekutor gjyqësor te PSG-ja për bonuset e papaguara të pushimeve, në vlerë 5.9 milionë euro.
Ky veprim vjen pasi klubi parisien nuk ka paguar pjesën e kompensimit që ishte urdhëruar më parë nga një gjykatë.
Në një vendim të mëparshëm, PSG-ja u urdhërua të paguajë Mbappes 60.9 milionë euro për bonuset e papaguara, ku 55 milionë euro përfshijnë paga dhe bonuse të tjera.
Nëse klubi nuk përmbush detyrimin, sistemi i drejtësisë mund të shkojë deri te sekuestro e pronave të PSG-së për të rimarrë shumën e detyrueshme.
Mbappe nuk ka komentuar publikisht për veprimin e fundit ligjor, por ka mbajtur qëndrim të prerë për të marrë të gjithë të drejtën e tij të plotë.
Rasti shton tensionet e vazhdueshme mes PSG-së dhe ish-kapitenit të tyre, tashmë te Real Madrid, për çështje financiare dhe kontraktuale.
Ekspertët ligjorë sugjerojnë se sekuestrimi mund të ekzekutohet brenda javësh, nëse PSG-ja dështon të shlyejë borxhin./Telegrafi/
Kylian Mbappe është një nga lojtarët me pagë rekord në futbollin botëror. Ai fiton rreth 31 milionë euro bruto në sezon te Real Madridi, dhe nga kjo përfiton edhe nëna e tij.
Fayza Lamari (51 vjeçe), e njohur si agjente e sulmuesit, merr një pagë neto prej 4.5 milionë eurosh në vit, që është më shumë se sa fitojnë shumë lojtarë të Realit si Raul Asensio, Franco Mastantuono, Gonzalo Garcia, Andriy Lunin, Fran Garcia, Arda Guler ose Brahim Diaz.
Sipas gazetës portugeze A Bola, Lamari ka një kontratë të caktuar me të birin dhe menaxhon jetën e tij private, të biznesit dhe financiare. Ajo luajti gjithashtu një rol kyç në mosmarrëveshjet ligjore me Paris Saint-Germain për pagat e papaguara.
Selon plusieurs informations relayées par la presse sportive, Fayza Lamari, la mère de Kylian Mbappé, joue un rôle central dans la gestion de sa carrière et de son image, avec une rémunération estimée par certains médias à environ 4,5 millions d’euros par an, pic.twitter.com/VrW5fAwEFf — Chris·Enquête (@chris_enquete) February 6, 2026
Rruga drejt statusit të "nënës milionere" nuk ishte e lehtë. Në një intervistë, Lamari zbuloi se në një moment ajo po kërkonte gjysmën e të ardhurave të djalit të saj derisa Mbappe iu përgjigj ashpër.
“Nuk do të të jap gjysmën! Çfarë ke ti? Unë shënoj gola, si mund të presësh 50 përqind?", i ka thënë Mbappe.
Ata përfundimisht arritën një kompromis. Lamari pranoi 30 për qind, me paralajmërimin se do të ndalonte së punuari për të nëse shuma binte nën këtë shumë. Mbappe përfundimisht e pranoi këtë marrëveshje.
Sipas Transfermarkt, Mbappe ka një vlerë tregu prej 180 milionë eurosh. Në vetëm 27 vjeç, ai ka fituar tashmë më shumë se 20 trofe të mëdhenj, duke përfshirë Kupën e Botës me Francën, Ligën e Kombeve dhe tituj të shumtë vendas me Monacon dhe PSG-në.
Në total, Mbappe vlerësohet të ketë një pasuri prej rreth 250 milionë dollarësh, duke përfshirë kontratat fitimprurëse të reklamave. /Telegrafi/
Para se të vinte në Paris Saint-Germain si drejtor sportiv, Luis Campos mbante të njëjtin rol te AS Monaco, ku zbuloi talentin e Kylian Mbappe.
“Unë e dija emrin e tij para se ta shihja të luante. Rreth tij kishte tashmë shumë diskutime. Kur mbërrita në Monaco”, tregon Campos.
“Unë kërkova të shkoja në qendrën e stërvitjes në La Turbie. Ishte ora 10:00. Ndeshja kishte nisur vetëm prej njëzet minutash. Pas njëzet minutash, rezultati ishte 3-0. Tre gola nga Kylian”.
“Nuk të duhej të ishe një specialist i madh për të kuptuar se me kë po merreshim. Vendimi për ta mbajtur u mor brenda pesëmbëdhjetë, njëzet minutash”.
“Duhej të adaptohej projekti kolektiv i klubit në raport me projektin e tij individual. E kam kuptuar me kalimin e kohës, dhe gjithmonë e kam aplikuar që atëherë”.
“Duhet të pajtohet projekti kolektiv i klubit me projektin kolektiv të lojës, por edhe me projektet individuale të lojtarëve. Duhet të punojmë çdo herë për t’i bashkuar ato një brenda tjetrit”.
“Kur flas me një lojtar që duhet të vijë në Paris, unë i theksoj rëndësinë e adaptimit të projektit të tij individual me projektin tonë kolektiv”.
“Ata duhet të jenë në harmoni. Adaptimi i projektit të Mbappe, një djalë 14-15 vjeç, duke punuar në një projekt kolektiv, mbetet një nga përvojat e mia më të mira”, ka deklaruar Campos./Telegrafi/
Reali i Madridit është skuadra, e cila ka fituar më shumë penallti këtë sezon. Sipas statistikave penalltia e fitores që morën në takimin përballë Rayo-s nuk është një rastësi.
Real-i i Madridit fiton mesatarisht një penallti në dy ndeshje të La Liga-s këtë sezon duke e kthyer ekipin e Arbeloa-s në formacionin me më shumë njëmbëdhjetëmetërsha të fituar.
Në 22 takimet e para të La Liga-s skuadra si Barcelona, Mallorca dhe Girona kanë mundur të fitojnë vetëm gjashtë penallti. Sa i përket diferencës mes penalltive të fituara dhe atyre që u janë akordua kundër Real-i qëndron në shifra komode +9 ndërsa Barça e ndjek me një diferencë +2.
Shifrat e Real-it i kanë zili edhe në arenën europiane. Në Premier League skuadra me më shumë penallti të fituara është Brentford me 7 në 24 ndeshje. Ekipit në fjalë i janë vërshëllyer kundër plot 6 penallti. Ndërsa ekipe si Arsenal dhe Manchester City kanë fituar secila nga 3 penallti. Në Bundesliga ekipe si Bayern, Borussia Dortmund, Fraiburg, Mainz dhe Borussia Moenchengladbach kanë fituar 6 penallti në 20 ndeshje. Ndërsa me bilancin më të mirë mes penalltive të fituara dhe atyre të pësuara kundër është Fraiburg me një diferencë +5. Në Serie A Como dhe Pisa janë dy ekipet, të cilat kanë fituar më shumë penallti me nga 6 secila në 23 javë.
Real Madridi ka në plan të përforcojë repartin e mbrojtjes gjatë afatit kalimtar të verës dhe një nga emrat që po monitorohet me vëmendje është Dayot Upamecano.
Mbrojtësi qendror i Bayern Munich dhe kombëtares franceze është drejt përfundimit të kontratës së tij, e cila skadon në fund të sezonit, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje për rinovim.
Në Bayern Munich ka shpresë që lojtari të qëndrojë, por mungesa e përparimit në negociata ka shtuar pasigurinë.
Ndërkohë, në Madrid po rritet besimi se Upamecano mund të transferohet në “Santiago Bernabeu” pa kosto transferimi.
Real Madrid ka shfrytëzuar me sukses tregun e lojtarëve të lirë vitet e fundit, duke afruar emra të rëndësishëm si Antonio Rudiger, Kylian Mbappe dhe Trent Alexander-Arnold.
Në këtë kontekst, Upamecano shihet si një përforcim i përshtatshëm për mbrojtjen madrilene.
Situata ka shkaktuar shqetësim edhe në kampin bavarez.
Presidenti i nderit i Bayern Munich, Uli Hoeneb, ka shprehur publikisht frikën se mbrojtësi francez mund të largohet në verë.
Me largimin e pritshëm të David Alaba dhe me të ardhmen e Antonio Rudiger ende të paqartë, Real Madrid ka nevojë për një mbrojtës të ri qendror.
Klubi madrilen ka hequr dorë më herët nga opsione të tjera, si Marc Guehi dhe Ibrahima Konate, gjë që e bën Upamecanon një alternativë serioze.
Për momentin, Real Madrid po ndjek nga afër zhvillimet, por nëse situata aktuale e lojtarit nuk ndryshon, nuk përjashtohet hapja e bisedimeve për një marrëveshje paraprake. /Telegrafi/
Pedja Mijatovic, lojtar i Real Madridit nga viti 1996 deri në vitin 1999 dhe drejtor sportiv i ‘Los Blancos’ nga viti 2006 deri në vitin 2009, foli në programin 'El Larguero' rreth mendimeve të tij për Madridin e Arbeloas pas humbjes së tyre 4-2 kundër Benficës në Ligën e Kampionëve .
“Isha i trishtuar, por mbi të gjitha, mjaft i shqetësuar. Real Madridi nuk më la me një ndjesi të mirë.
Pedja Mijatovic foli rreth "fantazmave të vjetra" që e përndjekin Real Madridin,
"A janë rishfaqur fantazmat e vjetra, ato që e përndiqnin Xabi Alonson dhe Ancelottin vitin e kaluar? Po, vitin e kaluar ata nuk fituan asgjë dhe ranë në një model 'do ta rregullojmë', 'është e përkohshme', 'nuk është asgjë', 'do të përmirësohemi'”.
“Dhe kjo është shumë e rrezikshme në futboll. Nuk mund të përmirësohesh kurdo që të duash, në mënyrë që rezultatet, atmosfera e mirë dhe ritmi të vijnë”.
"Mendoj se Real Madridi, jo vetëm tani, por që nga viti i kaluar, ka rënë në mendësinë 'nuk është ndonjë gjë e madhe, kemi fituar kaq shumë Liga Kampionësh...', dhe në futboll, dhe veçanërisht te Real Madridi, ndodhin gjithmonë shumë gjëra. Gjithmonë duhet të japësh gjithnjë e më shumë".
Mijatovic beson se mungesa e një lideri në fushë dhe në dhomën e zhveshjes po e pengon Real Madridin aktual.
“Mbappe është një futbollist i shkëlqyer, por nuk është një lider. Mendoj se Real Madridit i mungon një lider, jo një lojtar që bën diferencën”.
“Nuk shoh një lider që thotë, 'Çfarë dreqin po bëjmë?' Një Sergio Ramos, Modric, Benzema, Fernando Hierro, Raul... Një lider mbi të cilin fokusohet kamera", argumentoi ai.
"Në gjeneratën time, Fernando Hierro ishte lideri dhe kur Fernando thoshte diçka, duhej ta bëje sido që të ishte”.
“Lojtarët po sillen sikur janë më të mirët në botë, sikur nuk ka asgjë të keqe. Është lodhje, vetëkënaqësi, nuk e shoh shkëndijën, nuk shoh asgjë”, ka deklaruar ai./Telegrafi/
Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, shënoi në ndeshjen jashtë fushe të xhiros së tetë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve kundër Benficës.
Francezi 27-vjeçar shënoi në minutën e 30-të të ndeshjes nga një pasim të Raul Asensios, duke hapur rezultatin. Ai shënoi edhe një tjetër gol në minutën e 58-të.
Me këtë dy gola të shënuar ndaj Benficës, Mbappe theu rekordin e madh të legjendës portugeze të Real Madridit, Cristiano Ronaldo.
Mbappe u bë lojtari i parë në historinë e Ligës së Kampionëve që shënon 13 herë në fazën e grupeve edhe pse aktualisht quhet si faza e ligës.
Kylian Mbappé 𝐁𝐑𝐄𝐀𝐊𝐒 Cristiano Ronaldo's 𝐌𝐎𝐒𝐓 𝐄𝐕𝐄𝐑 goals in a single UCL group phase. 😮💨
Në anën tjetër, ylli portugez shënoi 11 gola, por luajti një ndeshje më pak se francezi.
Pas këtij rekordi të thyer, Mbappe do të synojë rekordin tjetër të madh të Ronaldos prej 17 golave brenda një sezoni të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/
Kylian Mbappe tani e ka arritur Harry Kanen në krye të renditjes së “Këpucës së Artë” për këtë sezon. Dy golat e francezit në Estadio de La Ceramica të shtunën e kaluar e çojnë atë në 21 gola, i njëjti numër me anglezin e Bayern Munich.
Performanca e Mbappes kundër Villarrealit e ka shtyrë atë të kalojë Erling Haaland në listën e golashënuesve, me norvegjezin që nuk luajti në fitoren e Manchester Cityt kundër Ëolves këtë fundjavë.
Ndërkohë, Kane gjithashtu dështoi të shënonte në humbjen e papritur të Bayernit ndaj Augsburgut në xhiron e fundit.
Një tjetër që vjen nga La Liga dhe gjenden në dhjetëshen e parë është ylli kosovar i Mallorcas, Vedat Muriqi, i cili ka 28 pikë falë 14 golave të tij këtë sezon.
Vlen të përmendet se golat në La Liga, Ligën Premier, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1 vlejnë nga dy pikë secili, ndërsa në ligat e tjera evropiane, golat vlejnë midis 1.5 dhe një pikë për gol.
Renditja aktuale e Këpucës së Artë
Harry Kane (FC Bayern Munich) 21 gola x 2 pikë = 42 pikë
Kylian Mbappe (Real Madrid) 21 gola x 2 pikë = 42 pikë
Erling Haaland (Manchester City) 20 gola x 2 pikë = 40 pikë
Igor Thiago (Brentford FC) 16 gola x 2 pikë = 32 pikë
Darko Lemajic (FK RFS) 29 gola x 1 pikë = 29 pikë
Vangelis Pavlidis (SL Benfica) 19 gola x 1.5 pikë = 28.5 pikë
Vedat Muriqi (RCD Mallorca) 14 gola x 2 pikë = 28 pikë
Ibrahim Diabate (GAIS Goteborg) 18 gola x 1.5 pikë = 27 pikë
Daniel Karlsbakk (Sarpsborg 08) 18 gola x 1.5 pikë = 27 pikë
August Priske Flyger (Djurgardens IF) 18 gola x 1.5 pikë = 27 pikë
Ayase Ueda (Feyenoord) 18 gola x 1.7 pikë = 27 pikë
Kylian Mbappe po mbështetet gjerësisht që më në fund ta fitojë Topin e Artë në vitin 2026, pas shumë vitesh ku ka qenë shumë pranë lavdisë individuale në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Ylli francez pushtoi botën në vitin 2018 me Francën, ndërsa në finalen e Kupës së Botës 2022 realizoi një het-trik historik, por në fund mbeti i zhgënjyer pas humbjes ndaj Argjentinës së Lionel Messit.
Ish-reprezentuesi i Francës, Bacary Sagna, nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e Mbappes dhe beson se ky është momenti i tij i madh.
“Ai do ta fitojë. Mendoj se ky është sezoni i duhur që ai ta fitojë Topin e Artë”.
“Mendoj se Kupa e Botës do të jetë shumë e mirë për të me kombëtaren e Francës. Gjithashtu besoj se ai do të ketë një ecuri shumë të fortë në Ligën e Kampionëve me Real Madridin”.
Sipas tij, sulmuesi tashmë është një hap përpara rivalëve të tij.
“Ai është tashmë në avantazh sepse po luan shumë mirë dhe është në pozicionin e parë. Përveç nëse ka një Kupë Bote shumë të dobët, gjë që nuk e besoj, mendoj se ai do ta fitojë Topin e Artë.”
Edhe një tjetër ish-lojtar i Francës, Frank Leboeuf, shpreson që ylli i Real Madridit më në fund të shpërblehet për nivelin e tij të jashtëzakonshëm.
“Unë vërtet dua që Mbappe ta fitojë Topin e Artë, sepse ai është një lojtar i jashtëzakonshëm”.
Mbappe vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të futbollit botëror dhe viti 2026 shihet nga shumëkush si momenti ideal që ai ta kurorëzojë karrierën e tij me çmimin individual më prestigjioz./Telegrafi
Pas dy golave të shënuar të shtunën mbrëma ndaj Villarrealit, Kylian Mbappe duket gjithnjë e më i favorizuar për të fituar Topin e Artë 2026. Të paktën kështu beson Eden Hazard.
Në këtë sezon, sulmuesi i Real Madridit ka regjistruar tashmë 11 gola në Ligën e Kampionëve dhe 21 gola në La Liga, shifra që e vendosin kapitenin e përfaqësueses franceze në rrugën e një sezoni historik, potencialisht më të mirin e karrierës së tij.
Forma e jashtëzakonshme individuale e bën Mbappen një nga kandidatët kryesorë për çmimin më prestigjioz individual në futboll.
Megjithatë, për të kurorëzuar këtë objektiv, ylli i “Los Blancos” do të duhet edhe sukses në aspektin kolektiv. Në një vit Kupe Bote, trofetë me klubin dhe një paraqitje e fortë me Francën do të jenë vendimtare.
I pyetur nga “Telefoot”, Eden Hazard u shpreh i bindur se ish-sulmuesi i PSG-së ka gjithçka që i nevojitet për ta fituar Topin e Artë.
“Që në fillim të sezonit, ai e ka vendosur shiritin shumë lart. A mund ta fitojë Mbappe Topin e Artë? Mendoj se po. Do t’i duhet të fitojë Ligën e Kampionëve, La Liga-n dhe të shkojë larg në Kupën e Botës. Por nuk kam asnjë dyshim për të: Topin e Artë, ai do ta fitojë”, deklaroi ish-reprezentuesi belg.
Me ritmin aktual dhe rolin vendimtar që po luan si te Real Madridi ashtu edhe te Franca, Mbappe duket gjithnjë e më pranë një sezoni që mund ta çojë në majën absolute të futbollit botëror./Telegrafi
Sulmuesi francez dhe lojtari i Real Madridit, Kylian Mbappe, po kalon një formë të shkëlqyer.
Ai është pa dyshim një nga lojtarët më të mirë të klubit mbretëror dhe, në 21 ndeshje në La Liga, ka shënuar po aq gola dhe ka dhënë katër asiste.
Gazetari italian Fabrizio Romano ka publikuar një krahasim interesant mes Kylian Mbappe dhe, sipas shumë njerëzve, sulmuesit më të mirë të të gjitha kohërave – Ronaldos brazilian.
Konkretisht, Mbappe ka shënuar më shumë gola në karrierë sesa Ronaldo, pasi statistikat tregojnë se francezi ka 415 gola, ndërsa legjenda braziliane ka 414 gola.
Duhet theksuar se Mbappé është vetëm 27 vjeç dhe pritet që në vitet në vazhdim ta përmirësojë edhe më tej bilancin e tij të golave. /Telegrafi/
Real Madridi ka shënuar fitore të vështirë te Villarreali, në kuadër të xhiros së 21-të në La Liga.
“Los Blancos” triumfuan me rezultat 0-2, sfidë që ishte tepër e baraspeshuar nga fillimi.
Villarreal e nisi më mirë për të rrezikuar përmes Buchanan, por që Courtois me një pritje të bukur ia mohoi golin.
Reali pastaj rrezikoi me Arda Guler që dribloi për mrekulli në zonë por goditja e turkut ishte qendrore. Rast shënimi kishte edhe Vini Jr, megjithatë edhe braziliani nuk e finalizoi.
Heroi i Realit ishte Kylian Mbappe që përfitoi nga asistimi i Viniciusit për ta zhbllokuar rezultatin (47’).
Villarreal tentoi deri në fund që të barazonte duke rrezikuar me Gerard Morenon, mirëpo goditja e këtij të fundit përfundoi mbi portë.
Krejt në fund, Mbappe edhe e fitoi një penallti pasi u faullua brenda zonës, ku pastaj edhe e finalizoi për epilogun përfundimtar 0-2 (90+2').
Kësisoj, Reali merr primatin në La Liga me 51 pikë, dy mbi Barcelonën që ka një ndeshje më pak të zhvilluar derisa Villarreal bie në pozitën e katërt me 41 sosh./Telegrafi/
Lojtarët e Real Madridit dominojnë listën e lojtarëve më të paguar në La Liga, sipas të dhënave të Transfermarkt, dhe këtë e bëri të ditur gazetari i njohur, Fabrizio Romano, në rrjetet sociale.
Sipas këtyre të dhënave, pagën më të lartë bruto vjetore e merr Kylian Mbappe, i cili fiton 31.3 milionë euro.
Vinicius Junior vjen pas me 25 milionë euro, pastaj David Alaba me 22.5 milionë euro, dhe mesfushori anglez, Jude Bellingham, është gjithashtu i katërti me një pagë vjetore bruto prej 20.8 milionë eurosh.
Portieri i Atletico Madridit, Jan Oblak, plotëson pesëshen e parë me të ardhura prej 20.8 milionë eurosh.
Pas kësaj vjen dyshja e Barcelonës, Robert Lewandowski, i cili fiton njësoj si Bellingham dhe Oblak, dhe Frenkie de Jong me 19 milionë euro.
Më pas vijnë Nico Williams, Raphinha, Federico Valverde, Rodrygo Goes, Lamine Yamal dhe Trent Arnold-Alexandar, të cilët fitojnë nga 16.7 milionë euro.
Marc-Andre Ter Stegen dhe Jules Kounde përfundojnë listën e 15 lojtarëve më të paguar me një pagë bruto vjetore prej 15.6 milionë eurosh. /Telegrafi/
Alvaro Arbeloa mori përsipër ndoshta detyrën më të vështirë në futboll, me presionin jo vetëm për ta rikthyer Real Madridin në binarë, por edhe për të korrigjuar gabimet e epokës jetëshkurtër të Xabi Alonsos.
Ish-trajneri i Bayer Leverkusen e përmbushi vetëm shtatë muaj nga kontrata e tij trevjeçare me “Los Blancos”, duke humbur postin më pak se 24 orë pasi Real Madridi pësoi humbje 3–2 nga Barcelona në finalen e Superkupës së Spanjës.
Rezultati mund t’ia ketë vulosur fatin Alonsos, por vendimet taktike që ngjallën habi, përplasja publike me Vinicius Junior dhe pamundësia për t’i dhënë skuadrës një identitet të qartë, e shndërruan një nga trajnerët e rinj më premtues në futboll në diçka më shumë se një titull të bujshëm në gazetat spanjolle.
Arbeloa dështoi testin e parë
Sa faj i takon realisht Alonsos për gjendjen e Real Madridit mbetet e debatueshme, por ajo që nuk vihet në dyshim është detyra e frikshme që trashëgoi Arbeloa: një dhomë zhveshjeje e lodhur, nën presion për të fituar trofe, pa një drejtim të qartë se si.
Pa asnjë përvojë si trajner në elitë, Arbeloa mori drejtimin e klubit më të madh në botë dhe e nisi aventurën e tij në mënyrën më të keqe të mundshme vetëm dy ditë më vonë. Real Madridi u eliminua nga Kupa e Mbretit pas një humbjeje befasuese 3–2 ndaj Albacetes, skuadër e kategorisë së dytë, duke u ndalur në fazën e 1/8-ave.
Nuk kishte rëndësi që shumë prej yjeve kryesorë kishin mbetur në Madrid për atë ndeshje; nëse Arbeloa nuk ishte në gjendje të udhëhiqte një formacion me Vinicius Junior, Federico Valverde, Arda Guler dhe Gonzalo Garcia drejt fitores ndaj një ekipi të La Liga 2, atëherë e ardhmja e Real Madridit dukej vërtet në rrezik.
Arbeloa deklaroi besnikëri te numri 7 i Real Madridit
Megjithatë, pavarësisht asaj që ndodhi në fushë, trajneri i ri la përshtypje në konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke marrë të gjithë përgjegjësinë mbi vete dhe duke refuzuar t’i ekspozonte lojtarët e tij që kishin zhgënjyer. Ish-trajneri i Real Madrid Castilla u shfaq shumë në stilin e Carlo Ancelottit para mikrofonit, duke e mbrojtur skuadrën me bindje të plotë, me vlerësimin më të madh të rezervuar për Vinicius Jr.
“Ai ishte i gatshëm ta ndihmonte ekipin dhe ta merrte mbi shpinë, të vraponte kudo dhe të mos fshihej kurrë. Ky është Vini Jr. që dua të shoh, ai që guxon, që merr përgjegjësi dhe që bën diferencën”.
“Do të ketë ditë më të shkëlqyera dhe të tjera më pak të mira, por kam parë se është i përkushtuar dhe se është një kapiten. Jam i bindur se do të na dhurojë net të mëdha dhe se nëse Real Madridi dëshiron të fitojë trofe, na duhet versioni më i mirë i tij”.
Arbeloa shpalli besnikërinë e tij ndaj numrit 7 të Real Madridit. Më pak se katër javë para këtyre deklaratave, Alonso ishte gjendur në një situatë të ngjashme, i pyetur për vështirësitë e Vinicius Jr në fushë, të cilat kishin sjellë fishkëllima nga tifozët në Santiago Bernabeu. Ish-reprezentuesi spanjoll ishte shprehur thjesht se tifozët kishin “të drejtën të shprehnin mendimin e tyre”.
Nuk ishte sekret që marrëdhënia mes Alonsos dhe Vinicius Jr ishte e thyer. Braziliani u largua me zemërim nga fusha dhe u fut në tunel kur u zëvendësua në El Clasico-n e parë të sezonit, e la Alonson jashtë ndjesës së tij publike për incidentin dhe heshti, ndryshe nga bashkëlojtarët, kur klubi u nda me trajnerin spanjoll.
Madje, raportet pretendonin se Vinicius Jr kishte ndalur negociatat për rinovimin e kontratës me Real Madridin për shkak të marrëdhënies së keqe me Alonson, i cili e la anësorin në fushë për 90 minuta vetëm në nëntë ndeshje gjatë periudhës së tij në stol.
Të kesh një nga fytyrat kryesore të klubit në konflikt të vazhdueshëm me trajnerin ishte e dëmshme për të gjithë, dhe Arbeloa u sigurua që të ndërtonte që në fillim një marrëdhënie pozitive me numrin 7, duke e quajtur Vinicius Jr “një nga lojtarët më emocionues në botë” në konferencën e tij të parë për shtyp.
Mbështetja e hapur e Arbeloas tashmë ka ndihmuar brazilianin të rizbulojë formën. Vinicius Jr krijoi tre gola kundër Monacos dhe shënoi një gol spektakolar në fitoren 6–1 ndaj skuadrës së Ligue 1. Me një buzëqeshje të madhe, 25-vjeçari vrapoi drejt vijës anësore për të përqafuar trajnerin e tij të ri pasi realizoi.
Real Madridi ngadalë po gjen një identitet të ri
Arbeloa hodhi tej librin e lojës së Alonsos. Një tjetër problem i vazhdueshëm i epokës Alonso ishte taktika e çuditshme. Ish-ikona e Liverpoolit nuk kishte frikë të eksperimentonte me formacione dhe rotacione, shpesh në dëm të vetes.
Që nga vendosja e Vinicius Jr në krahun e djathtë kundër Paris Saint-Germain e deri te lënia e tij në stol në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve, apo aktivizimi i Fran Garcia si mesfushor i majtë kundër Elches, Alonso krijoi lëvizje të panevojshme dhe kryesisht të pasuksesshme në Bernabéu.
Ish-trajneri madje mbrojti me pesë lojtarë në finalen e Superkupës së Spanjës, një sistem që vështirë se mund të funksiononte kur dy nga mbrojtësit ishin mesfushorë natyralë, përballë emrave si Lamine Yamal, Robert Lewandowski dhe Raphinha.
Arbeloa, në anën tjetër, ka bërë të qartë se do të largohet nga taktikat e Alonsos dhe do t’u japë liri yjeve të tij vendimtarë, duke ndjekur edhe një herë shembullin e Ancelottit.
“Ne duam të shohim një Madrid, përtej ideve taktike, sistemeve të lojës apo organizimit”.
Shembulli më i mirë i asaj që mund të bëhet nën drejtimin e tij u pa kundër Monacos. Mbappe, Vinicius Jr, Jude Bellingham dhe Franco Mastantuono shënuan gola, Guler dhe Valverde dhuruan tre asistime, ndërsa Aurelien Tchouaméni gaboi vetëm dy pasime në 90 minuta.
Do të ketë kundërshtarë më të fortë në të ardhmen, por Arbeloa tashmë po tregon se më pak taktikë dhe më shumë liri i jep skuadrës dritën jeshile për të luajtur pa kufizime dhe si një njësi e bashkuar.
Real Madridi po ndërton gradualisht një identitet të ri. Një tjetër problem i madh nën Alonson ishte mungesa e identitetit. Skuadra shpesh dukej pa dëshirë dhe kohezion, sikur thjesht po e kryente detyrën edhe në ndeshjet më të mëdha.
Edhe kur fitonin, lojtarët nuk përmbushnin standardet dhe pritshmëritë e fanellës. Nuk kishte shkëlqim, nuk kishte pasion, aq sa tifozët në shtëpi i fishkëllenin lojtarët e tyre në disa raste.
Edhe nën Arbeloan, skuadra u fishkëllua rëndë në pjesën e parë kundër Levantes fundjavën e kaluar. Megjithatë, një pjesë e dytë brilante tregoi shenja të një identiteti të ri që po formohet, të cilin ish-trajneri i Castilla-s po e vendos mbi gjithçka tjetër.
“Karakteri dhe mentaliteti nuk mund të mungojnë kurrë dhe përfaqësojnë atë që është Real Madridi. Ai mentalitet, ajo ambicie, ajo dëshirë, ai pasion, të gjithë së bashku, uniteti. Këto janë vlerat tona. Janë ato që duhet të na përfaqësojnë dhe që nuk duhet t’i braktisim kurrë. Pas tyre do të vijnë edhe idetë futbollistike”.
Skuadra mbetet pa dyshim një punë në proces dhe Arbeloa nuk mund t’i rregullojë menjëherë problemet sistematike të Real Madridit. Por spanjolli tashmë duket si një përshtatje më e mirë për atë që kërkon klubi: një menaxher, jo thjesht një trajner./Telegrafi
Kylian Mbappe po kalon një sezon të jashtëzakonshëm me Real Madridin, duke shënuar më shumë gola sesa numri i ndeshjeve të luajtura me fanellën e “Los Blancos”.
Pavarësisht një sezoni me ulje-ngritje për skuadrën madrilene dhe disa pikëpyetjeve ende të hapura, sulmuesi francez ka vazhduar të jetë faktori vendimtar në fushë.
Mbappe nuk ka treguar mëshirë as ndaj ish-klubeve të tij.
Monaco e përjetoi këtë drejtpërdrejt të martën mbrëma, kur ai realizoi dy gola që i dhanë Real Madridit kontrollin e ndeshjes dhe rikthyen entuziazmin e tifozëve në “Santiago Bernabeu”.
Forma e ekipit mund të ketë luhatje, por ndikimi i Mbappes mbetet konstant.
Në total, 27-vjeçari ka shënuar 32 gola në 27 paraqitje me Real Madridin.
Prej tyre, 19 gola janë realizuar në La Liga dhe 11 në Ligën e Kampionëve, duke e bërë atë golashënuesin kryesor në të dyja kompeticionet deri në këtë fazë të sezonit.
Me 11 gola në Evropë, ai ka barazuar tashmë rekordin e Cristiano Ronaldos në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, një rekord që francezi mund ta thyejë në ndeshjen e radhës në Lisbonë.
Duhet theksuar se, ndryshe nga sezoni kur Ronaldo e vendosi këtë rekord, faza e grupeve aktuale përfshin tetë ndeshje, krahasuar me gjashtë më parë.
Rekorde të reja në horizont
Një tjetër objektiv madhor është rekordi prej 17 golash i shënuar nga Cristiano Ronaldo në sezonin 2013/14 në Ligën e Kampionëve.
Mbappe ka tashmë 44 gola në 59 ndeshje në këtë kompeticion përgjatë karrierës së tij, dhe shanset për t’iu afruar ose tejkaluar këtë rekord do të varen nga ecuria e Real Madridit në fazat eliminatore.
Aktualisht, skuadra madrilene është shumë pranë sigurimit të një kualifikimi direkt në raundin e 16 më të mirave.
Në moshën 27-vjeçare, Mbappe vazhdon të thyejë rekorde dhe të konfirmojë statusin e tij si një nga futbollistët më dominues të brezit të tij.
Edhe pse shifrat legjendare të idhullit të tij të fëmijërisë mbeten ende larg, francezi ka hapësirë për përmirësim dhe motivim të mjaftueshëm për të vazhduar garën në majat e futbollit evropian.
Ndërsa Cristiano Ronaldo i afrohet shifrës simbolike të 1000 golave zyrtarë në karrierë, një sfidues i ri po ngrihet fuqishëm në Evropë dhe pikërisht në ish-klubin e tij duke vënë në provë disa nga rekordet më mbresëlënëse të futbollit modern. /Telegrafi/
Karlo Ançeloti e ka thënë hapur dhe e ka pasur gjithmonë të qartë. Një trajner nuk mund të jetë fitues nëse nuk ka yje në ekip, dhe kjo po konfirmohet tek Reali. Kilian Mbape ka marrë përdore skuadrën e madhe madrilene, sidomos tani pas shkarkimit të teknikut Shabi Alonso, dhe po synon trofetë, madje duke arritur rekorde.
Njeriu i ri i stolit, Arbeloa, krejtësisht pa përvojë në detyra të mëdha, ishte pjesë e lavdisë, ndërsa “merengesit” mundën 6-1 Monakon, me dy gola nga sulmuesi francez. Ai shënoi në minutat 5 e 26, pra I dha rrugë fitores.
Francezi barazoi rekordin e madh të Kristiano Ronaldos me 11 gola në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve në një sezon të vetëm. Legjenda portugeze ia kishte dalë në 2015-2016, por Mbape mund ta thyejë rekordin nëse shënon në ndeshjen e fundit që Reali e luan në 28 janar në Lisbonë ndaj Benfikës.
Nuk dihet nëse, sulmuesi do të mundet të arrijë apo të kalojë rekordin tjetër të CR7-ës, me 17 gola në një edicion të Championsit. Rrjetat e tjera u shënuan nga Mastantuono, autogol nga Kehrer, Vinisius dhe Xhud Belingham.
E përditshmja e kryeqytetit spanjoll, “Marka”, ka një titull si këshillë për dyshen Mbape-Vinisius: Kështu iu do “Bernabeu”! Gazeta e shquar e Parisit, “L’Ekip”, edhe “qan” për mbytjen e Monakos, por edhe lumturohet për formën e kapitenit të kombëtares së Francës.
Reali është kthyer tashmë në pretendent për gjithçka duke qenë vetëm një pikë prapa Barcelonës në renditjen e La Ligës, si dhe në vend të dytë në Champions, i sigurt për të qenë në zonën e sipërme, edhe pse duhet të presë ndeshjet e Bajernit, Atalantës, Atletikos apo Liverpulit./abcnews.al
Vinicius Junior ishte në qendër të vëmendjes në mbrëmjen e Ligës së Kampionëve në “Santiago Bernabéu”, në një ndeshje të veçantë për Real Madridin dhe për vetë brazilianin.
Edhe pse tifozët e falën dhe e mbështetën hapur, ylli i madrilenëve zgjodhi të mos e festonte golin e tij me tribunat.
Në pjesën e dytë, Vinicius shënoi një gol spektakolar, duke hyrë në zonë dhe lëshuar një gjuajtje të fuqishme që u ndal në cepin e sipërm të portës. Stadiumi shpërtheu në duartrokitje, por ndryshe nga pritshmëritë, braziliani nuk vrapoi drejt tifozëve për të festuar.
Pavarësisht përpjekjes së Kylian Mbappe për ta afruar drejt tribunave, Vinicius u drejtua fillimisht në qendër të fushës, ku përqafoi disa nga bashkëlojtarët, e më pas shkoi drejtpërdrejt te Alvaro Arbeloa, duke e përqafuar ngrohtësisht.
Një gjest simbolik, që tregon mbështetjen e fortë që trajneri spanjoll i ka dhënë atij që nga dita e parë.
Mbështetja e Mbappes dhe reagimi i stadiumit
Gjatë gjithë ndeshjes, sa herë që Vinicius prekte topin, Mbappe shikonte nga tribunat, me gjeste që nënkuptonin mbështetje të plotë. Para takimit, francezi kishte deklaruar.
“Duhet ta mbrojmë më mirë. Ai nuk do të jetë kurrë vetëm në Madrid”.
Një moment kyç erdhi në minutën e 41-të, kur Vinicius tentoi një veprim individual, humbi topin dhe stadiumi për një çast murmuriti. Por reagimi ishte i menjëhershëm: një ovacion i fuqishëm nga “Santiago Bernabeu”, që heshti çdo dyshim dhe tregoi se tifozët ishin në anën e tij.
Përveç golit, Vinicius dha edhe një asist vendimtar për Mastantuonon, ndërsa tifozët filluan ta thërrisnin emrin e tij në kor: “Vinicius, Vinicius, Vinicius!”.
BernabEu e bëri të qartë: falja dhe mbështetja janë aty. Vinicius, nga ana e tij, zgjodhi ta shprehte këtë moment në heshtje, me gjeste dhe përqafime – një mesazh që flet po aq fort sa një festë para tribunave. /Telegrafi/
Kylian Mbappé merr vëmendjen, por edhe përgjegjësinë. Në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Monacos, klubit që e lançoi atë në ligën më të lartë evropiane, sulmuesi i Real Madridit u zgjodh për të folur në emër të ekipit në një moment kritik të sezonit.
Francezi e hapi konferencën për shtyp me një mesazh që tejkalon futbollin, duke menduar për viktimat e aksidentit hekurudhor në Cordoba: “Ka gjëra më të rëndësishme se futbolli. Mendimet e mia shkojnë për familjet që kanë humbur dikë”.
Më pas është koha për në fushë. Mbappé nuk e nënvlerëson Monacon, ndërsa pranon vështirësitë e tyre: “Ata nuk janë në momentin e tyre më të mirë, por janë ende një ekip i aftë të konkurrojë. Do të duhet të jemi agresivë dhe ta tregojmë se është një mbrëmje për ne. Në Bernabeu, në Champions, kemi një avantazh”.
Tema më e nxehtë mbetet raporti me publikun, fishkëllimat e tifozëve. Mbappé nuk fshihet: “I kuptoj. Si tifoz, përpara se të bëhesha futbollist, edhe unë fishkëllenja kur gjërat nuk shkonin mirë. Por nëse fishkëllen, duhet ta bësh me të gjithë ekipin. Nuk ka kuptim të drejtosh gishtin nga dikush. Po bëjmë keq si grup dhe duhet ta ndryshojmë këtë brenda fushës”.
Një diskutim që ndërthuret në mënyrë të pashmangshme me situatën e Vinícius Jr., i cili e ka gjetur veten në shënjestër të tifozëve. “Nuk është faji i tij, është përgjegjësi e të gjithëve. Vinícius është një qenie njerëzore, si dhe një kampion. Ai duhet të mbrohet, jo të lihet vetëm. Kur është i lumtur, është një nga më të mirët në botë”.
Sulmuesi Kylian Mbappe vazhdon të ankohet për dhimbje në gju dhe mbetet në dyshim për ndeshjen e Real Madridit ndaj Levantes këtë të shtunë, sipas raportimeve të fundit.
Sulmuesi francez e pësoi problemin në fillim të dhjetorit, por pavarësisht shqetësimit vendosi të luajë për të ndjekur rekordin e golave në një vit kalendarik të Cristiano Ronaldos, duke e barazuar përfundimisht portugezin me 59 gola.
Megjithatë, drejt fundit të muajit, klubi madrilen konfirmoi se Mbappe do të kishte nevojë për kohë pushimi për t’u rikuperuar.
Fillimisht u vendos një afat rreth trejavësh për rikthimin e tij, çka e bënte pothuajse të sigurt mungesën në Superkupën e Spanjës. Megjithatë, ai u rikthye më herët se sa pritej, duke hyrë nga stoli në finalen e humbur ndaj Barcelonës, më pak se dy javë pas diagnozës fillestare.
Sipas “Marca”, Mbappe ka vazhduar të stërvitet me grupin, por pasi u pushua për humbjen në Kupën e Mbretit ndaj Albacetes, ai ende po ndjen parehati në gju.
Sulmuesi është grumbulluar për ndeshjen kundër Levantes dhe trajneri Alvaro Arbeloa ka këmbëngulur se gjendja e tij është përmirësuar.
“Gjendja e tij është më e mirë”, ka deklaruar Arbeloa, duke lënë të hapur mundësinë e aktivizimit të kujdesshëm.
Megjithatë, raportimet sugjerojnë se roli i Mbappe mund të jetë i kufizuar në javët në vijim. Shkalla e saktë e shqetësimit aktual nuk dihet, por brenda klubit ekziston bindja se ai nuk e ka përkeqësuar lëndimin në gju dhe thjesht ka nevojë për pak më shumë kohë për t’u rikuperuar plotësisht, ashtu siç ishte parashikuar fillimisht.
Sipas “L’Equipe”, vetë Mbappe ka pranuar se nxitimi për t’u rikthyer mund të mos ketë qenë vendimi më i mençur.
“E dija se po rrezikoja disi, por nuk pendohem, sepse doja të ndihmoja Real Madridin të fitonte një trofe kundër Barcelonës”, raportohet të ketë thënë ai.
Në këtë kontekst, thuhet se Mbappe mund të pushojë ndaj Levantes dhe madje të mungojë edhe në ndeshjen pasuese kundër Monacos, për t’u rikthyer më vonë gjatë muajit, në udhëtim ndaj Villarrealit.
Mbrojtja e gjendjes fizike të yllit francez do të jetë kyçe për Real Madridin, edhe nëse kjo do të thotë një goditje afatshkurtër për Arbeloan./Telegrafi