“Komisar Daltoniko në Teatër”, homazh për Naun Shundin
TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Në skenën “Çehov” të Teatrit Metropol u shfaq “Komisar Daltoniko në Teatër”, një prodhim i Teatrit “Zonja e Bujtinës” në bashkëpunim me Teatrin Metropol.
Shfaqja ishte një homazh për regjisorin dhe aktorin e ndjerë, Naun Shundi, i cili kishte nisur punën për këtë produksion dhe kujtimi i tij mbetet i pranishëm në çdo detaj.
Teksti i dramaturgut italian Giuseppe Della Misericordia erdhi i përshtatur për publikun shqiptar nga regjisori Naser Shatrolli dhe me interpretimin mbresëlënës të aktorit të njohur Bujar Asqeriu.
Në shfaqje, komedia dhe ironia u ndërthurën me reflektime mbi pushtetin dhe artin, duke krijuar një histori ku teatri përballet me autoritetin përmes situatave absurde dhe simbolike.
Publiku pati mundësinë të rikthehej në energjinë krijuese dhe kujtimin e një artisti të dashur, duke përjetuar një performancë që dëshmon se arti vazhdon të flasë edhe kur krijuesi nuk është më mes nesh.
Në skenë interpretuan emra të njohur të teatrit shqiptar: Bujar Asqeriu, Marius Dhrami, Rajmonda Shundi dhe Adelina Muça, të cilët sollën me intensitet dhe finesë personazhet e veprës. Skenografia dhe kostumografia nga Sara Doda sollën një koncept vizual të thjeshtë, por të fuqishëm, ndërsa muzika e Endri Sinës dhe asistenca regjisoriale e Maria Brokshit kompletuan shfaqjen.
Shfaqja “Komisar Daltoniko në Teatër” do të mbetet një mbrëmje e paharrueshme dhe një homazh i denjë për trashëgiminë e Naun Shundit.
/m.q/r.e/
The post “Komisar Daltoniko në Teatër”, homazh për Naun Shundin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.