Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

ZYRIH – Zvicra vendos kontrolle të përkohshme kufitare gjatë Samitit G7 në Francë

Zvicra do të vendosë kontrolle të përkohshme kufitare përgjatë kufirit të saj me Francën përpara Samitit të ardhshëm të G7-ës, transmeton Anadolu.

Siç raporton sot “Swissinfo”, qeveria zvicerane njoftoi se masat do të jenë në fuqi nga 10 deri më 19 qershor, duke cituar shqetësimet e sigurisë lidhur me samitin, i cili do të mbahet në qytetin francez Evian.

Megjithëse takimi i liderëve do të zhvillohet në territorin francez, autoritetet thanë se qytetet e afërta zvicerane si Gjeneva dhe Lozana, si dhe rajoni më i gjerë i Liqenit të Gjenevës, mund të preken nga fluksi i pjesëmarrësve dhe protestat e mundshme.

Zyrtarët kanë vënë në dukje se në takimet e mëparshme të G7-ës janë shënuar trazira, ndërprerje dhe akte sabotimi, së bashku me dëmtime të pronës.

Ata cituan gjithashtu sfida më të gjera të sigurisë lidhur me mjedisin aktual gjeopolitik dhe përqendrimin e lartë të organizatave ndërkombëtare në rajon.

Sipas qeverisë, kërkesa për vendosjen e kontrolleve kufitare u dorëzua nga kantoni i Gjenevës.

Samiti i G7-ës është planifikuar të mbahet nga 15 deri më 17 qershor.   /os/

The post ZYRIH – Zvicra vendos kontrolle të përkohshme kufitare gjatë Samitit G7 në Francë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fotoalbum i punimeve të Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në punimet e Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian, në Jerevan të Armenisë.

Rama ndau në rrjetet sociale fotoalbumin e punimeve të këtij samiti, i cili këtë vit ka bërë bashkë 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti, nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”.

Në një kohë transformimesh të thella gjeopolitike, diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike.

Samiti u bashkëkryesua nga presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe kryeministri i Republikës së Armenisë, Nikol Pashinyan.

Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i cili bashkëkryesohet nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.

Diskutimet do të përqendrohen në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës, përfshirë trafikun detar dhe në porte, luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si dhe adresimin e sfidave që lidhen me drogat sintetike në Europë.

Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet një qasjeje gjithëpërfshirëse që përfshin masa parandaluese, trajtim, ulje të rrezikut dhe rikuperim.

Gjithashtu, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të bashkëkryesuar me kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, me temë “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”.

Në këtë sesion do të diskutohen masa konkrete për rritjen e lidhshmërisë në sektorët e energjisë dhe atij digjital, si dhe për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, duke reduktuar varësitë në kuadër të tranzicionit energjetik.

Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një aktor aktiv në diskutimet strategjike evropiane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Europe më të qëndrueshme, të sigurt dhe të bashkuar.

/m.m/a.f/r.e/

The post Fotoalbum i punimeve të Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, investim strategjik për Evropë më të sigurt dhe më konkurruese

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në samitin e 11-të të Nismës së Tre Deteve, të zhvilluar në Dubrovnik të Kroacisë, aty ku lindi kjo platformë nga 13 vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Shqipëria, prej vitit të kaluar, është anëtare e asociuar e kësaj platforme që synon forcimin e ndërlidhshmërisë, inovacionit, infrastrukturës dhe konkurrencës industriale.

Begaj bëri apel për rezultate të prekshme që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik rajonal dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

“Ballkani Perëndimor nuk është më periferi, por front strategjik i Evropës”, theksoi kreu i shtetit në fjalën e tij me fokus rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj e cilësoi këtë iniciativë si një histori suksesi që është shndërruar në një platformë konkrete për zhvillim.

“Një dekadë nuk është një kohë e gjatë në histori, por është e mjaftueshme për të testuar idetë. Sot kjo platformë po prodhon lidhje reale, investime reale dhe ndikim real”, u shpreh ai.

Kreu i Shtetit nënvizoi se Evropa ndodhet në një moment vendimtar dhe kërkon më shumë se koordinim.

“Gjeopolitika, pasiguria ekonomike dhe transformimet në energji dhe teknologji kërkojnë jo vetëm koordinim, por lidership, jo vetëm qëndrueshmëri, por vizion”, deklaroi Begaj.

Në lidhje me procesin e integrimit, Presidenti theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim për të ardhmen.

“Integrimi i rajonit tonë nuk është një çështje dytësore, por pjesë e zgjidhjes për një Evropë më të sigurt dhe më konkurruese”, tha Begaj.

Duke folur për Shqipërinë, Begaj vuri në dukje rëndësinë e lidhshmërisë dhe projekteve infrastrukturore.

“Lidhshmëria nuk është një qëllim abstrakt. Ajo përcakton se si rriten ekonomitë dhe si zhvillohen rajonet”, u shpreh ai.

Presidenti përmendi projekte konkrete në energji dhe transport, duke i cilësuar ato si transformuese, pasi krijojnë stabilitet dhe tërheqin investime.

Kreu i Shtetit rikonfirmoi objektivin strategjik të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 mbetet busulla jonë strategjike”, tha Begaj.

Presidenti përfaqëson për herë të dytë Shqipërinë me statusin e shtetit partner të asociuar në Samitin e Nismës së Tre Deteve.

Në deklaratën e miratuar nga Samiti i Dubrovnikit u theksua se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe begatinë në Evropë.

Deklarata përsëriti thirrjen për një proces pranimi transparent, të bazuar në meritë, të besueshëm dhe të parashikueshëm për vendet kandidate, me referencë të veçantë për Shqipërinë. /j.p/

1 nga 3

The post Begaj: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, investim strategjik për Evropë më të sigurt dhe më konkurruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama pret ambasadorin Whitaker, diskutime për Samitin e NATO-s në Tiranë

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama priti sot në Kryeministri ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker.

Rama theksoi në një postim në rrjetet sociale se në takim u fol për lidhjen e ngushtë mes dy vendeve, si dhe partneritetin strategjik mes dy shteteve.

“Folëm për lidhjen e ngushtë mes vendeve tona, partneritetin strategjik mes shteteve tona, marrëdhëniet tona të shkëlqyera diplomatike e ushtarake, forcimi i të cilave është prioritet i përbashkët”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se në takim u bisedua edhe për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, ku Shqipëria do të bëhet pikëtakimi i aleancës më të madhe ushtarake të botës.

Foto nga takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorit të SHBA në NATO, Matthew Whitaker.
Foto nga takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorit të SHBA në NATO, Matthew Whitaker.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama pret ambasadorin Whitaker, diskutime për Samitin e NATO-s në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Diaspora nga histori largimi në forcë zhvillimi për Shqipërinë

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Shënimet e javës” në Podkastin “FLASIM” u ndal te rëndësia e Samitit të IV të Diasporës, i zhvilluar në Tiranë më 13–15 prill, duke theksuar se ky aktivitet konfirmoi një ndryshim të qartë në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe diasporës.

“Samiti i IV i Diasporës, i cili u zhvillua më 13 dhe 15 prill, konfirmoi një ndryshim të qartë në raportin e Shqipërisë me diasporën dhe vetë pozicionin e Shqipërisë në sytë e diasporës”, tha Rama.

Sipas tij, ky ndryshim ishte reflektuar edhe më herët në pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje.

“Them konfirmoi sepse kjo ishte diçka që ne e pamë dhe e prekëm konkretisht edhe në zgjedhjet e shkuara, ku diaspora mori pjesë në një numër jo të vogël krahasimisht me pritshmëritë, sepse ishte hera e parë që merrte pjesë në zgjedhje dhe ku, sipas këndvështrimit tim, u konfirmua një mbështetje masive për shkak të ndryshimeve dhe transformimit të madh që Shqipëria ka pësuar në këto vitet e fundit”, shtoi Rama.

Rama theksoi se roli i diasporës ka evoluar ndjeshëm, duke kaluar përtej remitancave.

“Sot diaspora shqiptare nuk është thjesht një histori largimi, por është një forcë e shtuar e zhvillimit të vendit, që shfaqet jo thjesht dhe vetëm përmes asaj që diaspora ka bërë gjithmonë, që ka qenë mbështetja monetare e familjeve këtu në Shqipëri, por edhe përmes elementësh realisht të admirueshëm të botës së saj të re”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se lidhja mes diasporës dhe vendit është forcuar në mënyrë konkrete.

“Çka ishte deri dje një hendek apo një distancë, sot është kthyer në një urë lidhjesh shumë konkrete në ekonomi, në dije dhe, përgjithësisht, në rritjen e ndikimit të Shqipërisë përmes shqiptarëve të saj kudo ku ata ndodhen”, u shpreh Rama.

Në vijim, kryeministri renditi disa nga treguesit kryesorë ekonomikë që, sipas tij, pasqyrojnë transformimin e vendit.

“Është një realitet që lidhet drejtpërdrejt, siç thashë, me transformimin e vetë Shqipërisë nga një ekonomi me më pak se 10 miliardë euro prodhim të brendshëm, siç ishte ekonomia që ne morëm kur nisëm këtë rrugëtim qeverisës, në një ekonomi me rreth 27 miliardë euro Prodhim të Brendshëm, me objektivin për të arritur në 35 miliardë euro deri në fund të kësaj dekade. Nga një vend me më pak se 3000 euro të ardhura për frymë, në një vend me mbi 11000 euro të ardhura për frymë, me synimin për të kapërcyer 15000 euro në fund të kësaj dekade. Nga 2 milionë turistë dikur, ku për turistë numëroheshin edhe ata që shkonin jashtë dhe, kur ktheheshin, futeshin në listën e këtyre 2 milionë e disave, në një Shqipëri që pret 12 milionë vizitorë në vit, siç ndodhi jo më larg sesa disa muaj më parë, kur u mbyll viti 2025. Nga disa 300-400 milionë euro investime të huaja në vit, në mbi 1.6 miliardë euro në vit”, theksoi Rama.

Rama theksoi se këto zhvillime reflektojnë një ndryshim të thellë në perceptimin dhe funksionimin e vendit.

“Këto nuk janë thjesht shifra, por janë vetëm shumë pak tregues të një Shqipërie që është rritur, të një Shqipërie që është forcuar dhe që ka ndryshuar mënyrën si funksionon dhe si perceptohet. Dhe mbi të gjitha, ky ndryshim reflektohet në raportin mes Shqipërisë dhe diasporës”, tha Rama.

/gj.m/a.f/

The post Rama: Diaspora nga histori largimi në forcë zhvillimi për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për takimin me Sanchez: Udhëheqës i mençur e kurajoz, privilegj të bashkëbisedosh

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Samitin “Në mbrojtje të demokracisë”, që po zhvillohet në Barcelonë, Spanjë.

Në nisje të samitit, kryeministri Rama u prit nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale kryeministri Sanchez është “një udhëheqës i mençur e kurajoz dhe një mik i vyer me të cilin është privilegj të bashkëbisedosh”.

Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit digjital për të luftuar dezinformimin, forcimit te institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.

Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrin Sanchez, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.

Ditën e djeshme kryeministri Rama dhe delegacioni vizituan Dhomën e Tregtisë së Katalonjës, një nga institucionet më prestigjioze ekonomike në rajonin e Katalonjës. /k.s/ /a.g/

 

The post Rama për takimin me Sanchez: Udhëheqës i mençur e kurajoz, privilegj të bashkëbisedosh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sporti, ambasador i natyrshëm i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Në kuadër të Samitit IV të Diasporës u zhvillua paneli i sportit, ku u theksua roli i sportit si një ambasador i natyrshëm i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Gjatë panelit, përmes historive frymëzuese dhe diskutimeve me figura të njohura të sportit dhe komunitetit, u evidentua rëndësia e diasporës në forcimin e identitetit kombëtar dhe në rritjen e vizibilitetit të Shqipërisë përtej kufijve.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi kontributin e sportit në promovimin e vendit dhe forcimin e imazhit të tij në botë, duke e cilësuar atë si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe diasporës.

Pjesëmarrësit në panel theksuan se sporti mbetet një nga mjetet më të fuqishme të diplomacisë publike, duke kontribuar në afrimin e komuniteteve shqiptare kudo në botë dhe në promovimin e vlerave kombëtare. /j.p/

The post Sporti, ambasador i natyrshëm i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Samiti IV i Diasporës, Hoxha: Dialog i hapur për strategjinë e re dhe bashkëpunimin me diasporën

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Në kuadër të Samitit IV të Diasporës, u zhvillua paneli me temë “Rruga përpara – Nga komunikimi te bashkëveprimi”, ku u diskutua mbi strategjinë e re për diasporën dhe forcimin e marrëdhënieve institucionale me shqiptarët jashtë vendit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një postim në rrjetin social X, vlerësoi diskutimet e zhvilluara gjatë dy ditëve të samitit, duke theksuar se pritshmëritë për mungesë përmbajtjeje në debatin mbi strategjinë e re për diasporën rezultuan të pabazuara.

“Patëm një shkëmbim të hapur, të sinqertë dhe energjik mendimesh mbi rrugën drejt së ardhmes, përmes një ndërveprimi konkret e të vazhdueshëm, përmes programeve dhe mekanizmave të qëndrueshëm, ashtu siç duhet të jetë dhe të evoluojë marrëdhënia jonë për Shqipërinë 2030”, u shpreh Hoxha.

Sipas tij, gjatë panelit u trajtua nevoja për një ndërveprim më të qëndrueshëm mes institucioneve dhe diasporës, përmes programeve dhe mekanizmave afatgjatë, në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”.

Hoxha e cilësoi këtë qasje si një model të duhur komunikimi, ku sipas tij duhet të mbizotërojë dialogu me më pak fjalë dhe më shumë ide, propozime konkrete dhe rekomandime që sjellin rezultate të prekshme.

Ai shtoi se punimet e samitit u mbyllën pas dy ditësh intensive diskutimesh, të cilat, sipas tij, sollën kontribute të vlefshme dhe një atmosferë të angazhuar bashkëpunimi me diasporën shqiptare.

“Ishte ndoshta mënyra më e mirë për të mbyllur dy ditë intensive pune dhe diskutimesh me vlerë dhe një kuvend sa mbresëlënës aq edhe angazhues”, theksoi kryediplomati shqiptar. /j.p/

The post Samiti IV i Diasporës, Hoxha: Dialog i hapur për strategjinë e re dhe bashkëpunimin me diasporën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Samiti i Diasporës, Çela: Shqipëria destinacion autentik, rritje e interesit të turistëve

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela mori pjesë sot në Samitin e IV të Diasporës Shqiptare në panelin “Roli i diasporës në promovimin e Turizmit”, ku theksoi se “Shqipëria po përjeton sot një nga momentet më të rëndësishme të zhvillimit të saj turistik”.

Në fjalën saj, Çela tha se “gjatë 3-4 viteve të fundit është shtuar shumë numri i vizitorëve, por mbi të gjitha do të theksoja se është rritur shumë cilësia e mënyrës se si këta turistë po e përjetojnë sot Shqipërinë tonë turistike”.

“Nga një vend i panjohur sot vizitorët vijën në Shqipëri të kërkojnë autencitetin e saj, për të shijuar natyrën e bukur, e cila është akoma e paprekur, e pandotur, vijnë për të shijuar trashëgiminë kulturore, fizike dhe shpirtërore, gastronominë, një eksperiencë ndryshe”, shtoi ajo.

Duke u ndalur tek roli i promovimit, Çela tha se “është një moment kyç për të rrëfyer pikërisht këtë histori ndryshe të Shqipërisë si një destinacion turistik shumë autentik mesdhetar, por pse jo edhe global”.

AKT ka patur një rol kyç në promovimin e Shqipërisë turistike globalisht.

“AKT ka ndryshuar qajsen e saj të mënyrë së promovimit dhe marketimit duke lëvizur nga mënyra tradicionale  që në fakt bazoheshin në një promovim informues në mënyra të tjera në ato më moderne që bazohen në rrëfimin, në eksperiencën dhe në ndërtimin e  një identiteti shumë të veçantë dhe shumë të shquar, një identitet të veçantë të Shqipërisë, një identitet unik”, tha Çela.

Për drejtoreshën e AKT, sot fokusi i promovimit të Shqipërisë është krijimi i këtij identiteti autentik, që sipas saj “na bën të jemi ndryshe nga vendet e tjera sidomos nga vendet e tjera të rajonit”.

“Mënyra si ne e promovojmë Shqipërinë turistike globalisht është një paketë e integruar përmes promovimit, pjesëmarrjes fizike ne panairet më të rëndësishme, si në Panairin ITB Berlin, në Madrid, këtë vit kemi planifikuar të marrim pjesë edhe në panairin e Londrës”, nënvizoi Çela.

Por, shtoi ajo, promovimi fizikisht ecën paralelisht me atë digjital.

“Shqipëria ka pësuar një zhvillim fizik të turizmit të madh dhe rol kyç në këtë ndryshim kanë dhënë zhvillimet shumë të rëndësishme në infrastrukturë sidomos në zonën bregdetare. Në të gjithë rivierën tonë janë zhvilluar një rrjet i madh hotelesh dhe resortesh. Por jo vetëm në rivierë, por edhe në veri të vendit dhe në Shqipërinë e mesme”, theksoi Çela.

Drejtoresha e AKT-së bëri të ditur se “është rritur edhe interesi i investitorëve të huaj, kemi 17 brande ndërkombëtare shumë të rëndësishme, të gjitha këto ndryshime ne menduam që ti tregonim në kohë reale, në mënyrë digjitale që ato të shpërndahen globalisht dhe të hyjnë në komunikim me të gjithë turistët pse jo dhe investitorët e mundshëm që do vijnë ta shikojnë Shqipërinë si një vend ku mund të investohet”.

Çela u ndal edhe tek aplikacioni TEA, duke theksuar se “TEA është kthyer në guidën digjitale të Shqipërisë turistike, është një koncentrat dinamik i gjithë ofertës që ka tashme vendi ynë. E nisëm si një ide vizionare të kryeministrit Rama për të promovuar Shqipërinë, përmes trashëgimisë eventeve të kulturës dhe sportit”.

/k.s/a.f/

 

 

 

 

 

 

The post Samiti i Diasporës, Çela: Shqipëria destinacion autentik, rritje e interesit të turistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Platformë për regjistrimin vullnetar të shqiptarëve jashtë vendit

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot në Samitin e IV të Diasporës se Shqipëria synon një qasje të re dhe më konkrete në marrëdhënien me diasporën, duke e konsideruar atë një faktor kyç në zhvillimin e vendit dhe procesin e integrimit europian.

Në fjalën e tij në panelin “Rruga përpara – nga komunikimi te bashkëveprimi”, ku u prezantuan linjat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030, Hoxha theksoi se diaspora shqiptare duhet parë si një zgjatim i vetë Shqipërisë.

“Nuk kemi thjesht një diasporë jashtë vendit, por kemi një Shqipëri jashtë kufijve”, u shpreh ai.

Ministri nënvizoi se qasja e re nuk synon rikthimin fizik të emigrantëve, por përfshirjen e tyre aktive në zhvillimin e vendit.

“Nuk duam t’ju thërrasim të vini mbrapsht në Shqipëri, por duam t’ju ftojmë të bëheni aktorë, nëse besoni në angazhimin dhe sinqeritetin tonë, në atë që mund të bëjmë bashkë”, tha Hoxha.

Ai bëri thirrje për bashkëpunim konkret mes institucioneve dhe diasporës, duke theksuar se zhvillimi i vendit është një përgjegjësi e përbashkët.

“Hajde të punojmë bashkë për t’i rregulluar gjërat, sepse ne që kemi vendosur të jetojmë këtu jemi më të interesuar për ta çuar Shqipërinë atje ku e kemi dashur gjithmonë, në familjen europiane”, u shpreh ai.

Hoxha theksoi se strategjia e re synon të jetë më praktike dhe e orientuar drejt rezultateve konkrete.

“Nuk kemi nevojë për më shumë deklarata apo fjalë të bukura, por për një plan veprimi të qartë, me masa konkrete dhe të matshme”, tha ministri.

Ai evidentoi nevojën për më shumë koordinim institucional dhe mungesën e një panorame të plotë mbi aktivitetin e diasporës.

“Sot në Shqipëri nuk ka një hartëzim të saktë të diasporës. Një nga sfidat tona do të jetë krijimi i një atlasi të aktiviteteve dhe kontributeve të saj”, theksoi Hoxha.

Sipas tij, një nga risitë kryesore të strategjisë është lidhja e drejtpërdrejtë me procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Asgjë në Shqipëri nuk bëhet jashtë kuadrit të integrimit europian. Kjo do të jetë kolona kryesore e strategjisë sonë për diasporën”, u shpreh ai.

Ministri renditi disa nga shtyllat kryesore të strategjisë së re, duke përfshirë një qasje më të centralizuar institucionale, garantimin e të drejtës së votës dhe përfaqësimit të diasporës, forcimin e identitetit përmes gjuhës dhe kulturës, si dhe zhvillimin e dimensionit ekonomik.

Ai bëri të ditur gjithashtu se po punohet për krijimin e një platforme për regjistrimin vullnetar të shqiptarëve jashtë vendit.

“Po ndërtojmë një platformë që do të na ndihmojë të dimë ku janë shqiptarët, në çfarë fushash operojnë dhe si mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit”, përfundoi Hoxha.

Samiti IV i Diasporës, paneli “Rruga përpara – nga komunikimi te bashkëveprimi” Foto : Florjan ...
1 nga 7

/gj.m/a.f/

The post Hoxha: Platformë për regjistrimin vullnetar të shqiptarëve jashtë vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Agjencia Kombëtare për gjuhën Shqipe, prioritet standartizimi i saj në diasporë

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në edicionin e katërt të Samitit të Diasporës që po mbahet këto ditë në Tiranë, gjatë panelit dedikuar gjuhës shqipe “Standardizimi dhe certifikimi i gjuhës shqipe në Diasporë”, theksoi rëndësinë e politikave të qëndrueshme dhe afatgjata për ruajtjen e gjuhës shqipe në Diasporë si dhe standardizimin e certifikimin e saj.

“Migracioni dhe krijimi i komuniteteve të mëdha shqiptare jashtë vendit kanë bërë që breza të tërë të rriten në mjedise shumëgjuhëshe, ku shqipja nuk është më gjuha e shkollimit, por shpesh mbetet vetëm gjuha e familjes. Në këto kushte, sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë janë bërë më komplekse. Nuk kemi më të bëjmë vetëm me transmetim të natyrshëm të gjuhës nga një brez në tjetrin, por me nevojën për ndërhyrje të strukturuar arsimore”, theksoi Kumabro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “brezi i parë e ruan gjuhën spontanisht; brezi i dytë ka nevojë për mbështetje; ndërsa brezi i tretë rrezikon ta humbasë atë nëse nuk ndërtojmë politika të qarta dhe të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse diaspora duhet të shihet jo thjesht si një realitet kulturor, por si një realitet arsimor që kërkon politika të posaçme, të menduara në mënyrë sistematike dhe afatgjatë. Prandaj kemi nevoje për një Agjenci Kombëtare për gjuhën shqipe. Kjo nuk është një çështje terminologjie, por një ndryshim thelbësor në qasje pedagogjike”.

Ministrja e Arsimit gjatë fjalës së saj shpjegoi edhe vizionin mbi të cilin do të hedhë themelet kjo agjenci, duke nënvizuar se kjo sfidë lidhet drejtpërdrejt edhe me vizionin tonë për Shqipërinë 2030.

“Mësimi i gjuhës si gjuhë e prejardhjes nuk i përgjigjet plotësisht nevojave të nxënësve që e mësojnë shqipen me ekspozim të kufizuar, në kohë të reduktuar dhe jashtë një mjedisi natyror gjuhësor. Standardizimi në këtë fazë nënkupton ndërtimin paralel të dy shtyllave: ruajtjen dhe zhvillimin e kurrikulës së gjuhës shqipe si gjuhë e trashëgimisë, dhe njëkohësisht krijimin e një kurrikule të re për gjuhën shqipe si gjuhë e dytë apo e huaj, të përshtatur me realitetin e diasporës. Kjo kërkon gjithashtu ndërtimin e një kornize kombëtare për gjuhën shqipe, e cila të përcaktojë nivelet e kompetencës gjuhësore dhe të harmonizohet me Kornizën e Përbashkët Evropiane të Referencës për Gjuhët (A1/2 B1/2 C1/2)”, nënvizoi Kumbaro.

Nëse arrijmë ta ndërtojmë këtë sistem, shtoi Kumbaro, ne nuk do të kemi bërë vetëm një reformë arsimore. Ne do të kemi krijuar një urë të qëndrueshme mes brezave, mes Shqipërisë dhe diasporës, mes trashëgimisë dhe së ardhmes.

Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro vlerësoi veçanërisht përpjekjet dhe organizimet e mësuesve e komuniteteve të diasporës për një qasje të unifikuar të gjuhës shqipe.

1 nga 4
Mirela Kumbaro - Ministër i Arsimit

/k.s/a.f/

The post Kumbaro: Agjencia Kombëtare për gjuhën Shqipe, prioritet standartizimi i saj në diasporë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jaupaj: Shqipëria drejt ekonomisë qarkulluese, diaspora sjell modelet më të mira

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj mori pjesë sot në Samitin e IV të Diasporës Shqiptare në panelin “Diaspora shqiptare si partner mbështetës për integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm”.

Në fjalën e tij, Jaupaj u ndal tek procesi i integrimit europian të Shqipërisë përmes përmbushjes së Kapitullit 27, që trajton çështjet e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.

“Kapitulli i Mjedisit është një nga ato lokomotivat e rënda të cilat duhet ta çojnë përpara për shumë arsye sepse është kapitulli më i gjatë. Ndikimi mjedisor në çfarëdo lloj ndikimi infastrukturor apo gjetkë ka rëndësi, por nga ana tjetër për Shqipërinë është edhe kapitulli më i kushtueshëm”, tha Jaupaj.

Sipas tij, ky kapitull përfshin 10 fusha të rëndësishme që lidhen me cilësinë e jetës dhe shëndetin e njeriut duke nisur nga cilësia e ujit, ujërat e ndotur, menaxhimi i mbetjeve, zonat e mbrojtura, natyra, kimikatet, ndryshimet klimatike etj.

Ministri Jaupaj bëri të ditur se “në Ministrinë Mjedisit jemi së bashku me 29 institucione që po çojmë përpara punën e kapitullit 27, i cili u hap në shtator të vitit të shkuar ku për gati 1 vit e gjysmë do të duhet që të miratojmë rreth 400 akte ligjore dhe nënligjore të cilat fomësojnë atë që quhet kuadri ligjor i BE-së”.

Megjithatë, vijoi Jaupaj, kjo nuk mjafton ne kemi punuar për të nxjerrë një kosto financiare për të kuptuar se sa kushton integrimi mjedisor i Shqipërisë në BE dhe kjo është një kosto e lartë.

“Këtu flasim për investimet publike, megjithatë shpesh herë harrojmë që në fakt edhe sektori privat është ai sektor, i cili duhet të japë kontributin e atij në atë që quhet transformimi i gjelbër apo agjenda e gjelbër që ne po zbatojmë. Mendoj se sektori privat është shumë përpara se sektori publik sa i takon investimeve. Kur shkojmë tek sektori privat për të parë të gjithë ato investime të cilat transformojnë ekonominë nga një ekonomi lineare në një ekonomi qarkulluese shohim që janë shqiptarët e diasporës ata të cilët kanë sjellë modelet më të mira në Shqipëri”, nënvizoi Jaupaj.

Jaupaj u shpreh se “janë shqiptarët e diasporës të cilët janë përballur për herë të parë me koncepte si ndryshime klimatike, ekonomi qarkulluese, riciklimi, ripërdorimi ku Shqipëria gjatë periudhës së tranzicionit vazhdonte të ishte një shoqëri kaotike dhe vazhdonte në atë që quhej ekonomia lineare prodho dhe hidh, por jo riqarkullo dhe risill”.

Jaupaj informoi se “Ministria e Mjedisit me një program të veçantë po bën promovimin dhe angazhimin e këtyre biznesve që është një program që quhet “Krijo dhe qarkullo” kryesisht bizneset janë ato të shqiptarëve të diasporës”.

“Një aspekt i veçantë që Ministria e Mjedisit ndjek dhe çon përpara janë edhe ato që ne konsiderojmë zona të mbrojtura të Shqipërisë, rreth 22% e territorit të Shqipërisë është zonë e mbrojtur janë një nga pasaportat më të rëndësishme të Shqipërisë sa i takon sektorit të turizmit dhe për të cilat ne jemi duke ecur përpara me plane menaxhimi, por nga ana tjetër duam të prezantojmë atë që quhet ekonomia e qëndrueshme e komuniteteve që jetojnë në këto zona”, tha Jaupaj.

Jaupaj foli edhe për punë e madhe që është bërë nga Ministria e Mjedisit dhe shoqëria civile gjatë tre viteve për të shpallur Park Kombëtar lumin e fundit të egër në Evropë, Vjosën.

“Ishte një punë kolosale sepse 480 km lumë ku u mor edhe angazhimi serioz i qeverisë për të ndërprerë 26 kontratat HEC, ndërtimi në këtë zonë të mbrojtur dhe që më pas po e çojmë përpara me programe siç është “Paketa e maleve””, tha Juapaj.

Ministri Jaupaj u shpreh se “sektori i turizmit është shumë i rëndësishëm. Vitin e kaluar e mbyllëm me 12.5 milionë vizitorë të huaj, ku 60% e tyre nuk shkuan në plazhe por ishin në pjesën qendrore dhe të thellë të vendit duke vizituar parqe kombëtare, male lumenj, liqene etj”.

/k.s/a.f/

The post Jaupaj: Shqipëria drejt ekonomisë qarkulluese, diaspora sjell modelet më të mira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Samiti i Diasporës Shqiptare, shpallen çmimet e përkthimit “Jusuf Vrioni”

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Gjatë mbrëmjes gala të Samitit të IV të Diasporës Shqiptare u ndanë edhe çmimet “Jusuf Vrioni” të konkursit të shpallur nga Qendra e Botimeve për Diasporën për përkthyesit e rinj nga diaspora.

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro shpalli fituesit të cilët do të përfitojnë një kontratë me Qendrën e Botimeve për Diasporën për përkthimin e një prej librave të projektit “Jam shqiptar”, si dhe do të marrin pjesë në punëtori përkthimi, për të thelluar më tej aftësitë e tyre profesionale.

“Kjo nismë ka lindur nga nevoja për të nxitur dhe formuar përkthyes të rinj nga gjuha shqipe në gjuhë të huaja, aq të domosdoshëm për të çuar më tej misionin e Jusuf Vrionit, për njohjen e letërsisë dhe kulturës shqiptare përtej kufijve të vendit. Dhe më vjen shumë mirë që ky nuk është vetëm një çmim simbolik, por Fituesit do të përfitojnë një kontratë me Qendrën e Botimeve për Diasporën për përkthimin e një prej librave të këtij projekti, si dhe do të marrin pjesë në punëtori përkthimi, për të thelluar më tej aftësitë e tyre profesionale”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “një veçanti e këtij edicioni është se fituesit vijnë nga vende të ndryshme dhe përfaqësojnë prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, dëshmi kjo se diaspora është trualli i shqiptarisë që na bashkon të gjithëve”.

“Motivacioni i jurisë për të gjithë fituesit ka qenë i njëjtë, meqenëse kemi të bëjmë me të rinj që janë në nisje të zejes së përkthimit: “Ky vlerësim i jepet për seriozitetin dhe përgatitjen e dëshmuar në konkurrim, si dhe si nxitje për vijimin dhe përsosjen e artit të përkthimit” tha Kumbaro.

Më tej ministrja Kumbaro shpallli fituesit e çmimit të konkursit Jusuf Vrioni:

Gentian Çitaku (fitues për përkthimin shqip-frëngjisht)

Fisnik Zyberi (fitues për përkthimin shqip-gjermanisht)

Fecerica De Bastiani (fituese për përkthimin shqip-italisht)

Orgesa Kodhelaj (fituese për përkthimin shqip-greqisht; Uarda Erebara (fituese për përkthimin shqip-anglisht)

1 nga 5

/k.s/a.f/

The post Samiti i Diasporës Shqiptare, shpallen çmimet e përkthimit “Jusuf Vrioni” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kokona ftesë diasporës: Investoni dhe bëhuni pjesë e transformimit të Shqipërisë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona i kërkoi sot përfaqësuesve të  Diasporës të besojnë tek Shqipëria dhe të bëhen pjesë e transformimit të saj.

Në fjalën e saj në Samitin e IX të Diasporës Shqiptare që po zhvillohet në Tiranë, Kokona tha se “ky samit nuk është për të folur për ide abstrakte. Është për të ndërtuar ura reale me diasporën. Nuk ju kërkojmë thjesht të besoni tek Shqipëria. Ne ju ofrojmë mundësinë të investoni në të. Të bëheni pjesë e transformimit të saj. Jo si spektatorë, por si bashkë-ndërtues. Sepse Shqipëria që po ndërtojmë sot nuk është vetëm për ne që jetojmë këtu”.

“Diaspora shqiptare sjell eksperiencë, rrjete ndërkombëtare, dhe standarde të reja pune. Me këtë kapital të jashtëzakonshëm që nuk është vetëm financiar por edhe njohurish e aftësish, Diaspora mund të hyjë si investitor në projekte konkrete të zhvilluara nga AIC. Në projekte si Durana Tech Park, kjo është vendimtare sepse nuk ndërtojmë thjesht hapësira fizike, por një ekosistem inovacioni që lidhet me botën. Në projekte si Expo Albania, kemi hapësirën perfekte të krijojmë një platformë ku diaspora nuk është thjesht investitor individual, por një rrjet i organizuar që sjell kapital, ide dhe partneritete ndërkombëtare”, nënvizoi Kokona.

Kokona tha se Shqipëria ka një rezervë të madhe asetesh publike që historikisht kanë qenë të nënshfrytëzuara, të cilat sot, përmes AIC, po i kthejmë ato në motorë zhvillimi.

“Projekte si Lift dhe Void Tower janë shembuj konkretë ku ndërtesat e amortizuara apo hapësira të pashfrytëzuara, po I transformojmë në struktura moderne që krijojnë vlerë ekonomike dhe identitet urban. Këto janë projekte ku diaspora mund të hyjë me besim sepse baza është publike, struktura është profesionale dhe vizioni është afatgjatë”, theksoi Kokona.

Më tej Kokona tha se “Shqipëria ka rritje të qëndrueshme e të vazhdueshme ekonomike, një klimë investimesh të sigurta dhe mbi të gjitha, një ritëm të ri në realizimin e projekteve”.

“Ne si AIC jemi një instrument i ri i fokusuar posaçërisht për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social nëpërmjet projekteve strategjike të investimeve kombëtare dhe rajonale. Këto përpjekje përputhen me politikat kombëtare që synojnë të përdorin në mënyrë efektive asetet shtetërore, të mobilizojnë kapitalin publik dhe privat, si dhe t’i shndërrojnë idetë inovatore në projekte të zbatueshme dhe me ndikim të lartë”, tha ajo.

Sipas saj, AIC nuk është thjesht një institucion i ri, por një mënyrë e re të menduari për rolin e shtetit në ekonomi.

“Ne identifikojmë asete publike të lëna në harresë por me potencial të lartë dhe i strukturojmë ato në projekte të investueshme, duke krijuar modele financiare të qëndrueshme, dhe i hapim për bashkë-investim me sektorin privat”, tha Kokona.

Drejtoresha e AIC-së, Kokona bëri të të ditur se “sot kemi një portofol projektesh që tejkalon 1 miliard euro investime, qindra milionë euro që kthehen direkt në ekonomi dhe komunitet dhe mbi 85 projekte në zbatim. Kemi kthyer pronën publike në aset investimi përmes projektesh me vlerë të shtuar në zhvillime urbane, destinacione turistike e hapësira ekonomike të reja. Kemi ndërtuar projekte që tërheqin kapital, jo që presin kapital duke krijuar njëkohësisht partneritete që ndajnë fitimin dhe riskun. Ky është ndryshimi i madh. Shteti nuk është më vetëm rregullator, por është bashkë-zhvillues”.

/k.s/

 

The post Kokona ftesë diasporës: Investoni dhe bëhuni pjesë e transformimit të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: Diaspora mund të bëhet aktor ndryshimi në territor duke investuar

TIRANË, 14 prill/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo u shpreh sot se me investimet e saj, diaspora mund të bëhet aktor ndryshimi në territor.

Gjatë punimeve të Samitit IV të Diasporës në Tiranë, Demo u shpreh se marrëdhënia me diasporën nuk mund të perceptohet thjesht dhe vetëm duke u bazuar te remitancat por mbi të gjitha tashmë diaspora mund të luajë një rol shumë aktiv sidomos në zbulimin e territorit.

Duke u ndalur te roli që luan diaspora në zhvillimin ekonomik, Demo theksoi se Shqipëria sot përcjell mundësi të jashtëzakonshme në çdo cep të saj.

“Aktualisht kemi një bum turistik. Këtë e tregon edhe fakti se kemi aeroportin më të madh në Ballkan, një tregues i vizitorëve që vijnë në vendin tonë. Dita-ditës po faktohet që shumë përfaqësues të diasporës po zgjedhin të investojnë në Shqipëri, madje edhe në fushën e pasurive të paluajtshme”, tha Demo.

Nisma e qeverisë për Paketën e Maleve, sipas tij, në kuadrin e zhvillimit rural në territor premton të adresojë zhvillimin rajonal, duke krijuar mundësi edhe për zona të caktuara që nuk kanë pasur zhvillim deri më sot.

Sipas tij, ka një interesim të jashtëzakonshëm nga shqiptarët që jetojnë jashtë që janë të gatshëm të investojnë atje ku kanë prejardhjen e  familjes.

“Zhvillimi rajonal është shumë i rëndësishëm edhe për sa i përket fuqizimit në territor  nëpërmjet bashkive. Tashmë Shqipëria ka kushtet e duhura për të ofruar garancitë e duhura për të zhvilluar sipërmarrjen”, u shpreh Demo. /j.p/

Zhvillimi lokal dhe territorit, samiti i diasporës, foto: Florian Abazaj
1 nga 7

The post Demo: Diaspora mund të bëhet aktor ndryshimi në territor duke investuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama fton diasporën të investojnë në “Paketën e Maleve”: Rritja e turizmit i bën fitimprurëse

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, në Samitin e Diasporës Shqiptare me temë “Përmes rrënjëve lartësohemi”, prezantoi nismën më të re të qeverisë, “Paketën e Maleve”, të cilën e cilësoi si një vendim me vlerë konkrete dhe simbolike për shqiptarët që kanë emigruar.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ndër shumë çështje që mund të sillte në këtë samit, zgjodhi të prezantojë këtë paketë, e cila synon të krijojë mundësi për të gjithë ata që kanë lënë tokat e tyre në zonat malore për një jetë më të mirë jashtë vendit.

Ai theksoi se malet në Shqipëri historikisht kanë qenë të izoluara nga zhvillimi dhe shpesh kanë shërbyer si vende strehimi për shqiptarët në kohë të vështira.

Sipas tij, sot ka ardhur një moment i ri, kur këto zona mund të bëhen pjesë e rëndësishme e burimeve të mirëqenies së vendit.

“Por sot ka ardhur dita e bekuar kur malet mund të bëhen edhe ato pjesë e burimeve të mirëqenies së shqiptarëve, sepse sot për herë të parë në historinë tonë, ne kemi dy gjëra që deri jo shumë vite më parë nuk i kishim. Kemi Shqipërinë e besuar nga bota dhe shqiptarët e botës me besimin te Shqipëria. Kemi botën që vjen përmes vizitorëve të shumtë që eksplorojnë edhe malet dhe kemi shqiptarët jashtë vendit që e shohin Shqipërinë si një destinacion tërheqës jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët”, u shpreh kryeministri.

Rama u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që zotërojnë toka apo shtëpi në zonat malore apo kodrinore, që t’i shfrytëzojnë ato përmes “Paketës së Maleve”, duke i kthyer në burime të qëndrueshme të ardhurash.

Ai garantoi se zhvillimi i turizmit në Shqipëri, i cili sipas tij tërheq miliona vizitorë çdo vit, krijon mundësi reale që investimet në këto zona të jenë fitimprurëse.

Sipas Ramës, të ardhurat nga këto investime mund të tejkalojnë ato që shumë emigrantë sigurojnë duke punuar jashtë vendit.

“Ajo çka Shqipëria e sotme, që tërheq 12 milionë turistë në vit, është në gjendje të bëjë për ta, falë investimit të tyre dhe mbështetjes së qeverisë është, që nga ai burim i ri mirëqenie ata do të fitojnë në fund të muajit më shumë se sa fitojnë duke punuar për të tjerët jashtë atdheut”, deklaroi Rama.

Në vijim, kryeministri vuri theksin te rëndësia e një komuniteti global shqiptar të arsimuar, të lidhur dhe me ndikim, i cili mund të shërbejë si një urë lidhëse mes vendeve, kulturave dhe mundësive.

Ai nënvizoi se shqiptarët e diasporës, pavarësisht nëse vendosin të kthehen për të jetuar në Shqipëri apo të qëndrojnë jashtë, kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe tashmë kanë edhe më shumë mundësi për të përfituar duke bashkëpunuar me Shqipërinë.

“Dhe kjo e maleve vlen për të gjitha. Një komunitet global shqiptar, i arsimuar i lidhur, me ndikim dhe krenar, një komunitet që kupton Shqipërinë dhe botën, nj komunitet që mund të shërbejë si urë, jo vetëm mes vendeve, por mes ideve, kulturave, mundësive, është një komunitet, anëtarët e të cilit pavarësisht nëse vendosin të kthehen për të qëndruar në Shqipëri, apo duke qëndruar kudo ku janë i kthejnë sytë nga Shqipëri, kanë jo vetëm shumë për të bërë për Shqipërinë, por sot kanë edhe çfarë të fitojnë duke punuar me Shqipërinë“, tha ai më tej.

Rama e cilësoi këtë ditë si të rëndësishme jo vetëm për faktin e mbledhjes së diasporës, por për forcimin e marrëdhënies mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke e kthyer atë nga një lidhje emocionale në një angazhim konkret dhe strategjik për zhvillimin e Shqipërisë.

“Dita e sotme është e rëndësishme jo sepse jemi mbledhur, por sepse po e ushqejmë marrëdhënien tonë për për ushqyer sa më mirë Shqipërinë. Nga distanca në afërsi, nga kujtesa në angazhim, nga ndjenjat në strategji”, tha Rama.

The post Rama fton diasporën të investojnë në “Paketën e Maleve”: Rritja e turizmit i bën fitimprurëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Macron dhe Starmer bashkojnë liderët botërorë për sigurinë e Hormuzit pas luftës

LONDËR, 14 prill /ATSH-DPA/-  Udhëheqës ndërkombëtarë do të mblidhen të premten në Paris për të diskutuar një plan që synon të sigurojë mbajtjen e hapur të Ngushticës së Hormuzit për transportin detar pas përfundimit të luftës në Lindjen e Mesme.

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të bashkëdrejtojnë samitin.

Një zëdhënës i kryeminstrit Starmer deklaroi se takimi synon të avancojë punën për një plan të koordinuar, të pavarur dhe shumëkombësh për mbrojtjen e transportit ndërkombëtar detar sapo konflikti të përfundojë.

Presideint Macron ka theksuar më herët se vendet pjesëmarrëse do të punojnë për një “mision rreptësisht mbrojtës”, të ndarë nga palët ndërluftuese, i cili pritet të vendoset sapo kushtet ta lejojnë.

Ndërkohë, në Westminster, vendndodhja e qeverisë britanike, është krijuar një komitet i ri qeveritar për të menaxhuar pasojat e konfliktit me Iranin.

Komiteti për Reagimin ndaj Lindjes së Mesme zhvilloi sot mbledhjen e tij të parë, ku në fokus ishte situata në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimet globale me naftë dhe gaz./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post PARIS – Macron dhe Starmer bashkojnë liderët botërorë për sigurinë e Hormuzit pas luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Diaspora, partner kyç për inovacionin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në panelin “Diaspora Partner në Biznes dhe Inovacion”, pjesë e Samitit të Diasporës, i organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ky panel u fokusua në mundësitë që diaspora shqiptare ofron për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë përmes investimeve, inovacionit dhe transferimit të njohurive.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se diaspora shqiptare është një aset i jashtëzakonshëm që mund të nxisë dhe përshpejtojë proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo nënvizoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve me diasporën dhe angazhimin e saj në mbështetje të startup-eve dhe infrastrukturës inovative në Shqipëri.

“Diaspora është një urë lidhëse e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Me gjithë entuziazmin dhe dëshirën e mirë që kemi pasur gjatë samiteve të kaluara, besoj se mund të bëjmë shumë më tepër. Ky vit do të jetë një moment kyç për të pasur rezultate konkrete dhe për të intensifikuar bashkëpunimin me diasporën, duke krijuar një ekosistem më të hapur dhe më konkurrues”, tha ministrja Ibrahimaj.

Ajo gjithashtu theksoi se numri i shqiptarëve nga diaspora që kanë aplikuar për fondet e mbështetjes së startup-eve ka pësuar një rritje të dukshme, nga 35 aplikime në vitin e kaluar në 70 aplikime këtë vit.

Ibrahimaj vuri në dukje se diaspora shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuar në nxitjen e inovacionit dhe për të sjellë njohuri dhe eksperiencë të vlefshme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si energjia e rinovueshme dhe turizmi.

“Ne kemi krijuar mundësi për investitorët nga diaspora, dhe 10% e fondeve që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion për mbështetje të inovacionit janë të dedikuara për diasporën. Kjo është një hap i rëndësishëm për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dhe për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet një vend më i zhvilluar ekonomikisht”, theksoi Ibrahimaj.

Ibrahimaj shtoi se përmes këtij paneli, synohet forca e lidhjeve me diasporën, nxitja e inovacionit dhe zhvillimi i bashkëpunimit për të kontribuar në transformimin ekonomik dhe teknologjik të Shqipërisë. Ajo theksoi se roli i diasporës është thelbësor jo vetëm si burim financiar, por si partner aktiv në zhvillimin e vendit.

Ministrja Ibrahimaj bëri thirrje për një angazhim të përbashkët dhe konkret në mbështetje të iniciativave të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive dhe mbështetjes për të rinjtë dhe startup-e shqiptare.

Paneli u pasua nga diskutime mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet sipërmarrësve dhe profesionistëve shqiptarë nga diaspora dhe bizneset në Shqipëri, si dhe mbi mekanizmat lehtësues që mund të mundësojnë investime më të shumta dhe krijimin e një ekosistemi më të hapur dhe konkurrues.

Diaspora, partner në biznes dhe inovacion, foto: Florian Abazaj
1 nga 8

/j.p/

The post Ibrahimaj: Diaspora, partner kyç për inovacionin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lekaj: Shqipëria ka mundësinë të bëhet “portë” logjistike dhe financiare për Ballkanin

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Në Samitin e Diasporës, në panelin “Diaspora Partner në Biznes dhe Inovacion”, kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës, Ardian Lekaj, u shpreh se qeveria shqiptare, për herë të parë në këtë ngjarje, nuk do të flasë vetëm për tema të përgjithshme, por do të angazhohet në një bashkëbisedim konkret me diasporën, për të ndarë ide dhe për të gjetur zgjidhje për zhvillimin e biznesit shqiptar.

“Askush nuk ka dyshim që gjatë 10 viteve të fundit kemi bërë përparim ekonomikisht. Ata që nuk e shikojnë këtë, janë miopë. Ata që nuk duan ta shikojnë le të përpiqemi t’u hapim sytë, sepse po bëjnë gabim”, u shpreh Lekaj, duke theksuar se nuk duhet të mohohen arritjet, edhe pse ka ende sfida si informaliteti dhe korrupsioni.

Pavarësisht vështirësive, ai theksoi se Shqipëria nuk është e vetmja që përballet me këto probleme, duke sjellë si shembuj vende si Holanda dhe Belgjika.
Lekaj nënvizoi se çështjet si këto janë të pranishme në shumë shtete dhe për këtë duhet të punojmë së bashku për t’i luftuar dhe minimizuar ato.

Një tjetër problem që ai përmendi ishte fuqia punëtore, e cila, sipas tij, është e kufizuar.

“Ne kemi një fuqi punëtore prej 1.1 milionë njerëzish. Nëse do të fokusoheshim vetëm në sektorë si turizmi dhe bujqësia, do të hasnim disa fenomene të vështira ekonomike”, tha Lekaj, duke sugjeruar se duhet të shohim edhe mundësitë që ofrojnë sektorë të tjerë dhe të zhvillojmë më shumë industri me vlerë të shtuar.

Ai solli si shembuj vende të vogla si Singapori, Holanda dhe Belgjika, që kanë arritur të zhvillohen në nivele të larta, falë cilësisë dhe efikasitetit në logjistikë dhe infrastrukturë.

“Ka kompani të shumta që thonë se duan të investojnë dhe të bashkëpunojnë me ne për zhvillimin e infrastrukturës së logjistikës. Një shembull është Porti i Antverpenit, porti i dytë më i madh i Europës, që gjeneron xhiro prej 20 miliardë eurosh në vit dhe punëson direkt 75 mijë njerëz, ndërsa 200 mijë të tjerë punojnë në mënyrë indirekte”, tha Lekaj.

Ai theksoi se ky lloj ndikimi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë e një vendi të vogël si Belgjika.

“Imagjinoni se çfarë ndikimi mund të kishte një port i tillë për ekonominë shqiptare”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, Lekaj kujtoi se në Këshillin e Investimeve, disa vite më parë, me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, ishte hedhur ideja “Albania – Gate to Southeast Europe”, pasi Shqipëria ka potencialin për të qenë një qendër logjistike dhe financiare për rajonin, për të ofruar mundësi investimi dhe zhvillimi të mëtejshëm.

“Ky është një projekt që jo vetëm ofron mundësi për një port logjistik, por gjithashtu mund të zhvillojë sektorë të tjerë si IT, energji dhe financa. Ne kemi një pozicion gjeografik shumë të favorshëm dhe një hinterland të pasur në Ballkan. E vetmja gjë që investitorët kërkojnë është siguria. Ata kërkojnë një kontakt të drejtpërdrejtë dhe një komunikim të qartë. Nëse ne lidhim institucionet dhe krijojmë mundësi për kontakte të drejtpërdrejta, do të mund të kuptojmë më mirë kërkesat e investitorëve dhe të përshtatim ofertën tonë me ato kërkesa”, tha Lekaj.

Ai nënvizoi se kjo është mënyra e vetme për të përkthyer bisedat teorike në praktika konkrete për biznesin. /j.p/

The post Lekaj: Shqipëria ka mundësinë të bëhet “portë” logjistike dhe financiare për Ballkanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Diaspora, pjesë qendrore e zhvillimit dhe integrimit europian

TIRANË, 14 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është  kantier i madh transformimesh që e fton diasporën për pjesëmarrje në investime, në inovacion dhe në jetën akademike e ndërtimin e së ardhmes.

Në sesionin e hapjes së samitit IV të Diasporës, Rama theksoi se Shqipëria sot nuk është më një vend që i kërkon diasporës vetëm kujtesë apo indulgjencë monetare.

Duke nënvizuar rolin e patjetërsueshëm të diasporës në zhvillimin e vendit, Rama tha se “Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori, por jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën dhe ndjenjën e pakthyeshme të përkatësisë të tyre kombëtare”.

“Ka pasur një kohë jo shumë të largët kur shqiptarët iknin nga atdheu duke marrë me vete guximin e atij që nuk ka gjë për të humbur”, u shpreh Rama.

Por, sipas tij, atë që historia deri dje e quante ikje të pangushëllueshme, koha e ka shndërruar në një lidhje të pazëvendësueshme.

“Diaspora shqiptare nuk është një histori ikjeje. Ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerë e shtuar e Shqipërisë. Mes dallgësh dhe të përpjetash të frikshme shqiptarët ndërtuan jetën në vende që nisën t’i njohin ata jo përmes stereotipeve, por përmes dobisë së tyre, ndërkohë që Shqipëria mbetej një vrimë e zezë në parafytyrimin e të tjerëve”, tha Rama.

Përtej historive individuale të suksesit, Rama tha se diaspora mbart fillin e padukshëm që na lidh të tërëve në këtë tokë që asnjë distancë nuk e këput, gjuha shqipe.

Rama theksoi se “ky fill është aseti ynë strategjik, forca e madhe përbashkuese që kombi ka dhe sfida që Shqipëria dhe shqiptarët kanë sot për ta mbajtur e ruajtur”.

Ky samit, sipas tij, nuk është një mbledhje ceremoniale por është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta dhe mishërim i bindjes sonë që diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare, por në qendrën e saj.

“Vendi ndodhet në kantier transformimesh dhe si në çdo kantier edhe në kantierin e Shqipërisë 2030 në BE ka pluhur, pisllëk, zhurmë ndonjëherë shurdhuese. Por mjafton të kthejmë kokën pas në kohën kur filluam të mendonin për Samitin e parë të Diasporës për të vijuar punën kolosale që kemi nisur atëherë”, shtoi Rama.

Sot, vijoi ai, Shqipëria ndodhet në fazën e ndërtimit të asaj që ka qenë boshti i bisedës sonë shekullore, rrugës së lidhjes përfundimtare në atë anë të botës ku dielli lind andej nga perëndon. /j.p/

Samiti i Diasporës, foto: Florian Abazaj
1 nga 8

 

The post Rama: Diaspora, pjesë qendrore e zhvillimit dhe integrimit europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌