Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Papajorgji pret ambasadorin e Spanjës, në fokus organizimi i Kongresit Botëror i Ligjit në Tiranë

TIRANË, 4 shkurt /ATSh/ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, priti sot në një takim kortezie ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Gabriel Cremades Ventura.

Ambasadori Cremades e uroi Papajorgjin për marrjen e kësaj detyre të rëndësishme dhe rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Mbretërisë së Spanjës, veçanërisht në drejtim të forcimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe procesit të integrimit europian të vendit.

Gjatë takimit u evidentuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Gjykatave Kushtetuese respektive dhe u shpreh gatishmëria për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, në funksion të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe rritjes së kapaciteteve institucionale.

Po ashtu, Papajorgji shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Spanjës në organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit, si dhe zgjedhjen e Shqipërisë si vendi pritës i këtij Kongresi në vitin 2027, çka reflekton progresin e dukshëm të reformave të ndërmarra në sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe ofron një platformë unike për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e vlerave demokratike që qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës.

/m.q/r.e/a.f/

The post Papajorgji pret ambasadorin e Spanjës, në fokus organizimi i Kongresit Botëror i Ligjit në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Gjykata Kushtetuese po vepron si instrument politik i Kryeministrit

TIRANË, 4 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme me mediet, e cilësoi situatën aktuale në Gjykatën Kushtetuese si “degradimin më të thellë institucional që ka njohur vendi”.

Berisha tha në Gjykatën Kushtetuese se ka humbur çdo rol kushtetues dhe moral, duke vepruar, sipas tij, si instrument politik i Kryeministrit. Ai theksoi se me vendimet e fundit, kjo gjykatë ka kryer një akt të hapur vetëposhtërimi.

“Dita e djeshme faktoi para secilit prej jush, para të gjithë shqiptarëve, para komunitetit ndërkombëtar dhe mbarë botës se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është strofulla e fundit e hajdutëve tuaj. Në një akt ekstrem vetëposhtërimi, ata të cilët Kushtetuta i përcakton si garantë të saj dhe i ka vendosur në piedestalin më të lartë të piramidës së pushtetit gjyqësor, ata po faktojnë para syve tuaj se janë strofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit.

“Ata zotërinj dhe zonja, natyrisht jo të gjithë, se këtu nuk mund të mos vlerësoj qëndrime korrekte të ndonjërit prej tyre, dëshmojnë se janë të gatshëm jo të mbrojnë ligjin, Kushtetutën dhe interesat tuaja, por të shkelmojnë mbi ligjin, Kushtetutën dhe dinjitetin, moralin e vet”, tha Berisha.

Në fjalën e tij, Berisha e vendosi veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese në kontrast të drejtpërdrejtë me interesin e qytetarëve dhe krizën sociale në vend.

”Ajo gjykatë dëshmoi se para ligjit, para interesit të një populli të tërë, para interesit të qindra mijëra fëmijëve shqiptarë, që sipas të gjitha statistikave nuk ushqehen dot si duhet, para interesit të miliona shqiptarëve që braktisin vendin e tyre, sepse u shkatërrohen vendet e punës, para interesit të mijëra të sëmurëve që nuk marrin dot ilaçet e tyre, sepse u vidhen paratë e ilaçeve nga zyrtarët që këta mbrojnë, por edhe para dinjitetit të vendit, këta janë turpi i vendit, turpi i kombit. Këta e bëjnë Shqipërinë hore para gjithë botës me gjithë këto qëndrime. Këta e bëjnë Shqipërinë një shtet hor, zuzar, që nuk ka as ligj dhe as Kushtetutë, dhe e bëjnë vetëm për interesa personale. Kemi të bëjmë me një degradim të shkallës më të thellë që mund të ekzistojë. Me ambiguitetin e tyre tregojnë se sa të pakarakter dhe të pafytyrë janë”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se, Gjykata Kushtetuese nuk ka qenë gjithmonë pa probleme, por theksoi se kurrë më parë nuk ka arritur këtë nivel degradimi.

“Edhe atëherë kur ka dhënë 37 vendime kundër qeverisë time, nuk ka qenë e tillë. Edhe atëherë kur në gjykatë ishin anëtarë të kryesisë së PS, nuk ka qenë e tillë. Sot ajo është në gjendjen më të turpshme, më të mjeruar. Me njerëzit më pa dinjitet që mund të bëhen”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij Berisha dha edhe një mesazh drejtuar qytetarëve duke i cilësuar si forca dhe shpresa e vetme përballë këtij realiteti, ndërsa i ftoi qytetarët të vazhdojnë rezistencën politike dhe morale deri në “triumfin e të drejtës dhe dinjitetit”.

I pyetur për protestën e 10 shkurtit dhe mundësinë e një proteste të pandërprerë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se kjo kërkesë po vjen gjithnjë e më shumë nga vetë qytetarët.

“Tani kemi një objektiv, largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve”, tha Berisha.

/m.q/r.e/a.f/

The post Berisha: Gjykata Kushtetuese po vepron si instrument politik i Kryeministrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Piramidën e pagave e përmbysi Rama, gjyqtarët kanë të drejtë kushtetuese

TIRANË, 4 shkurt /ATSh/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi sot qeverinë për përmbysje të piramidës së pagave, duke deklaruar se kjo situatë ka cenuar hierarkinë institucionale dhe ka krijuar pabarazi në sistemin e drejtësisë.

Gjatë një konference për mediet, teksa u pyet në lidhje me debatin ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe Shoqatës së Gjyqtarëve për pagat e gjyqtarëve, Berisha tha se ndërtimi i piramidës së pagave është një kompetencë ekskluzive e ekzekutivit dhe një proces me përgjegjësi të lartë shtetërore.

Sipas Berishës, sot raporti i pagave në sistemin e drejtësisë është i deformuar. Berisha u shpreh se kërkesat e gjyqtarëve janë të drejta dhe të mbështetura në Kushtetutë.

“Çështja e pagave, unë e kam sqaruar, pagat dhe piramida e pagave janë e drejtë absolute ekskluzive për të gjithë shtetin dhe institucionet e tij e ekzekutivit, përveç ndërmarrjeve publike, që funksionojnë me mekanizëm tjetër. Ndërtimi i piramidës së pagave është një detyrë me shumë përgjegjësi dhe jashtëzakonisht e rëndësishme. Ndërtuesi i saj, në piramidën e pagave pasqyron përparësitë që ka kombi në rrugën e zhvillimit.

“Çdo gjykatës sot ka 100 për qind të drejtë të mos pranojë piramidën ekzistuese. Nuk është këtu çështja e niveleve. Është çështja sepse ky një prokurori në prokurorinë speciale i jep një rrogë dy herë më të madhe se gjykatësit kushtetues. Shteti është i detyruar t’i qëndrojë hierarkisë. Dhe kjo hierarki përcakton rrogën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, atë të Presidentit të Republikës.

“Ata kanë të drejtën e Zotit, kanë të drejtën e Kushtetutës, kanë të drejtën e ligjit në pretendimin e tyre. Nuk do mbështesja unë kurrë, por unë mbështes të drejtën. E drejta është që piramida është përmbysur dhe është përmbysur vetëm e vetëm për të paguar një grup mercenarësh për qëllime politike”, tha Berisha.

Ai tha se kryeministri Rama ka votuar vetë ndryshimet ligjore që, sipas tij, kanë përmbysur piramidën e pagave.

“Ky e ka përmbysur piramidën. Ky është përgjegjësi kryesor. Nuk luhet me piramidën e rrogave”, tha Berisha.

Berisha tha se qeveria ka përmbysur hierarkinë shtetërore për interesa politike.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Piramidën e pagave e përmbysi Rama, gjyqtarët kanë të drejtë kushtetuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Abazi: Prokuroritë të cilësohen objekt i rëndësisë së veçantë, të ruhen nga Policia e Shtetit

TIRANË, 4 shkurt /ATSh/ Në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u zhvillua sot seancë dëgjimore në lidhje me sigurinë në gjykata me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme.

Sekretari i Përgjithshëm i Prokurorisë së Përgjithshme, Luan Abazi, theksoi se “kërkohen masa shtesë dhe masat shtesë kanë një faturë financiare. Me fondet që kemi në dispozicion do të përpiqemi t’i plotësojmë këto kërkesa maksimalisht aq sa na lejojnë mundësitë”.

Sipas tij “në disa prokurori, nuk na jepet mundësia për shkak të godinave ekzistuese të vjetra për të garantuar në masën 100% masat e sigurisë. E kemi të pamundur për hyrje të veçantë për punonjësit, për të mbrojtur territorin në mënyrën më të mirë të mundshëm për shkak të kushteve që ndodhen këto godina”.

“Vetëm Shkodra, Korça dhe Elbasani plotësojnë standardet e miratuara, ndërsa në të gjitha prokurorit e tjera e kemi në pamundësi për të plotësuar kërkesat e legjislacionit. Nuk mundemi që tek prokuroria e Tiranës të garantojmë në masën 100% sigurinë. Pozicionet urbanistike të godinës janë të tilla që nuk na japin mundësinë për të çuar masat e sigurisë në atë nivel”, nënvizoi Abazi.

Abazi theksoi se ka godina ekzistuese të vjetra, siç është prokuroria e Lezhës, që këtë vit po ndërhyjnë të vendosim parametrat e kërkuara të sigurisë.

“Jemi në fazën e miratimit të projektit. Po kështu dhe në Berat do të ndërhyjmë ta sjellim sipas parametrave të kërkuara”, tha ai.

Abazi kërkoi që prokuroritë të cilësohen objekte të rëndësie së veçantë dhe të ruhen nga Policia e Shtetit.

“Sa i përket masave të sigurisë bashkë me KLGJ, i qëndrojmë mendimit që prokurorit të cilësohen objekte të rëndësisë së veçantë. Nëse do të konsiderohen objekte të cilësisë së veçantë atëherë ruajta do të behet nga policia e shteti. Ilyrian Guard ka kontratë me ne sot, nuk kemi problem, por punonjësit e saj në këndvështrimin tonë janë vetëm lajmëtar. Ata nuk kanë asnjë mjet për të ndërhyrë në situata që mund të paraqiten situate të rrezikshme për jetën e prokurorë të oficerëve. Janë qytetarë me një telefon celular ose radio që nëse ndodh një situatë e tillë njoftojnë “hajdeni”, por nuk kanë mundësitë për të ndërhyrë në situata të rrezikshme. Ne nuk duam ruajte me polici brenda godinës, por perimetrin e jashtëm të godinës”, tha ai.

Edhe kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj tha se në prokuroritë e vendit është konstatuar nga anëtarët e komisionit “një gjendje jo serioze në raport me misionin, përgjegjësinë dhe specifikat e punës së këtij institucioni, nga pikëpamja e infrastrukturës fizikë, Tirana, Lezha, Fieri aq sa ne kemi mundur të shohim dhe kjo ka qenë një sinjal alarmi dhe për ne e cila na ka vënë para një përgjegjësi për të luajtur rolin që ka Kuvendi në gjithë këtë proces”.

Xhafaj tha se sa i përket ndryshimeve ligjore për të rritur sigurinë, “jemi të angazhuar të shohim mundësinë se ku do të ndërhyhet për t shfrytëzuar një atribut, për të ndërmarrë nisma ligjore përmirësuese”.

/m.q/a.f/

The post Abazi: Prokuroritë të cilësohen objekt i rëndësisë së veçantë, të ruhen nga Policia e Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Gjyqtarëve nuk u është përkeqësuar pozicioni financiar, pagat si në Greqi

TIRANË, 4 shkurt /ATSh/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me debatin për pagat e gjyqtarëve, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit të çështjes së statusit financiar të magjistratëve.

Kryeministri hodhi poshtë pretendimet e gjyqtarëve se Këshilli i Ministrave ka suprimuar qëllimisht referencën e pagës, duke suprimuar pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave.

Rama shtoi se, arsyetimi pa prova dhe pa fakte, vë në pikëpyetje serioze mënyrën se si merren vendime që prekin interesin publik dhe fatet e qytetarëve.

“Ju jeni atje lart për të dhënë drejtësi dhe për të garantuar barazinë para ligjit dhe jo këtu poshtë ku jemi ne të tjerët, që përditë jemi në beteja të tilla dhe për t’u futur dhe ju në këtë përleshje me një gjuhë të papranueshme, të pajustifikueshme, që shkel çdo etikë të gjykatësit dhe ndërkohë të thoni se Këshilli i Ministrave kishte suprimuar qëllimisht dhe me keqbesim sipas jush referencën e pagës duke suprimuar vendin.

“Ju jeni dhe të painformuar, sepse nuk ka patur asnjëlloj suprimimi nga Këshillit të Ministrave, të ndonjë pozicioni të quajtur Drejtor i Përgjithshëm se nuk ka pasur Drejtor të Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave, si funksion. Mos flisni dokrra në sytë e popullit shqiptar, sepse gjithë këto dokrra që ju keni folur këtu ngrenë një pikëpyetje shumë të madhe nga mënyra sesi ju arsyetoni dhe nga mënyra juan e arsyetimit varen fate njerëzish, varet interesi publik e kombëtar, varen gjithfarë lloj familjesh. Ju nuk mund të arsyetoni pa prova, pa fakte dhe ju nuk mund të arsyetoni, duke marrë dhe shkelmuar faktet dhe provat, apo duke i marrë të mirëqena kur ato nuk ekzistojnë dhe ky është fiks një nga rastet kur flisni për një Drejtor të Përgjithshëm që qenka suprimuar në organigramën e Këshillit të Ministrave, kur Këshilli i Ministrave nuk ka pasur asnjëherë Drejtor të Përgjithshëm”, tha Rama.

Në lidhje me pretendimet për ulje pagash dhe përkeqësim të pozitës financiare, Rama tha se gjyqtarët duhet të paraqesin dokumente konkrete. Rama shtoi se pagat e gjyqtarëve shqiptarë janë të krahasueshme me ato të gjyqtarëve në Greqi dhe se kërkesat për rritje të mëtejshme janë të pajustifikuara.

“E pesta, ju thoni se për të ndrequr pakushtetutshmërinë. Kush jeni u që e përcaktoni këtë gjë kështu? Ju nuk jeni parti politike. Partitë politike, mund të flasin duke dhënë opinione të tilla në publik, ju jeni gjykatës, nuk jeni interlokutorë të publikut në arenën e pluralizmit politik. Si mund të flisni me këtë gjuhë, si mund të hidhni baltë mbi qeverinë me këtë lloj retorike dhe për më tepër flisni për zbritje fiktive në kategori më poshtë të pagës referuese të bëra nga ana e Këshillit të Ministrave. E vërteta është se flisni dhe për ulje pagash. Juve ju është përkeqësuar pozicioni financiar, sipas jush. Nxirrni një dokument të vetëm të përkeqësimit tuaj financiar”, tha Rama.

Rama theksoi se qeveria është garantja e pavarësisë së gjyqësorit dhe se ndryshimet e viteve të fundit kanë rritur ndjeshëm pavarësinë profesionale dhe personale të gjyqtarëve.

“I keni pagat njësoj si gjykatësit në Greqi sot, dhe doni t’i rrisni prap me nga 2000-3000 euro në muaj. Thoni që ne ua paskemi përkeqësuar pozicionin financiar juve?! Këto janë dokrra! Nxirrni një dokument të përkeqësimit të pozicionit financiar, se nuk jeni parti politike, për të bërë deklarata publike. Askush këtu sa më takon mua nuk ju cenon juve pozicion, kjo qeveri është garantja e pavarësisë suaj. Ju e shikoni vetë ndryshimin e madh që ka ndodhur dhe në jetën tuaj familjare, dhe në jetën tuaj profesionale, sepse jeni totalisht të pavarur. Jo të dilni në publik dhe të bëni fletërrufe”, tha Rama.

/m.q/r.e/a.f/

The post Rama: Gjyqtarëve nuk u është përkeqësuar pozicioni financiar, pagat si në Greqi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ shpërndan 3.57 milionë euro fonde vjetore për partitë politike

TIRANË, 3 shkurt /ATSh/ Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në seancë publike vendosi sot shpërndarjen e fondeve vjetore partive politike në formën e ndihmës financiare vjetor për vitin 2026.

Buxheti i shtetit ka parashikuar fondin prej 345 600 000 (treqind e dyzet e pesë milionë e gjashtëqind mijë) lekë, si mbështetje financiare për partitë politike për vitin 2026.

Në total përfitojnë gjithsej 17 parti politike dhe ndarja realizohet sipas rezultatit zgjedhor të 11 majit 2025, ku PS qëndron e para me 166 067 986 lekë, ndjekur më pas nga PD, e cila do të marrë 81 187 402 lekë.

E treta është Partia e Lirisë, së cilës KQZ do t’i japë mbi 10 985 978 lekë, ndjekur nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit që merr 10 327 314 lekë.

Partitë e reja në Parlament, Mundësia e Agron Shehajt merr 8 580 010 lekë, ndërsa Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt merr mbi 7 178 306 lekë.

Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit merr 6 324 674 lekë, ndërsa PDIU e Shpëtim Idrizit merr 5,795,906 lekë, PBDNJ merr 5 795 906 lekë, Partia Republikane e Fatmir Mediut si dhe Partia Ambientaliste Agrare do të përfitojnë 5 795 906 lekë secila.

Po ashtu rreth 5 795 906 lekë marrin edhe partitë PDK, PLL, FRD, PBKD, ndërsa KEA do të marrë 5 451 162 lekë.

Gjithashtu, në seancën e sotme publike u plotësuan vakancate krijuara në këshillat bashkiak: Këshilli i Bashkisë Vlorë me kandidatin e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, Valter Hasanaj; Këshilli i Bashkisë Bulqizë me kandidatin e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fllanxa Losha; Këshilli i Bashkisë Shijak me kandidatin e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, Mentor Jamaku; Këshilli i Bashkisë Vau Dejës me kandidatin e “Partisë Socialdemokrate”, Elton Frashnaj.

/m.q/a.f/

The post KQZ shpërndan 3.57 milionë euro fonde vjetore për partitë politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkelën rregullat e qarkullimit, gjobiten 244 shoferë në Tiranë


TIRANË, 3 shkurt /ATSh/ Policia Rrugore e Tiranës njoftoi sot se si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe përdorimit të pajisjeve logjistike bashkëkohore, gjatë 72 orët e fundit janë konstatuar shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, për të cilat janë vendosur masat administrative.

Konkretisht sipas policisë për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit janë vendosur 101 masa, për mosvendosje e rripit të sigurimit janë 80 masa dhe për mosrepektimi të radhës në trafik janë vendosur 63 masa.

Gjithashtu, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor: janë arrestuar/proceduar penalisht 23 shtetas si dhe janë ngritur me karrotrec 19 automjete.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e aksidenteve dhe në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

/m.q/a.f/

The post Shkelën rregullat e qarkullimit, gjobiten 244 shoferë në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Deputetë të opozitës takojnë presidentin e IRI dhe NDI në ShBA

TIRANË, 3 shkurt/ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut Jorida Tabaku, deputetët Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Ivi Kaso po zhvillojnë një vizitë zyrtare në ShBA, ku janë takuar me drejtorin e Institutit Republikan Amerikan (IRI) Daniel Twining dhe presidenten e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) Tamara Cofman Wittes.

Përfaqësuesit e opozitës kanë shkëmbyer informacionet e tyre mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe regresin që po bën vendi në drejtim të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjet e lira dhe funksionimi demokratik i institucioneve kanë qenë tema e diskutimit në këto dy takime.

Deputetët e opozitës kërkuan mbështetjen e IRI dhe NDI për opozitën dhe proceset demokratike në Shqipëri.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjet e lira dhe funksionimi demokratik i institucioneve janë çështje me interes të përbashkët. Shqipëria e ka jetike partneritetin me ShBA dhe mbështetjen për të sjellë standardet evropiane në qeverisje.

“IRI dhe NDI kanë ndihmuar ndër vite që Shqipëria të bëjë proges në standardet ndërkombëtare të qeverisjes së mirë dhe jam i lumtur të dëgjojë që do të vazhdojnë të kontribuojnë në këtë drejtim. Në emër të opozitës i falenderuam për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për të gjithë mbështetjen që kanë dhënë ndër vite”, shkruan Bardhi.

1 nga 2

/m.q/r.e/a.f/

The post Deputetë të opozitës takojnë presidentin e IRI dhe NDI në ShBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Samiti IV i Diasporës në Tiranë, MEPJ: Bëhuni pjesë, hapësirë ku rrënjët na bashkojnë

TIRANË, 3 shkurt/ATSh/ Samiti IV i Diasporës Shqiptare do të zhvillohet më 14–15 prill në Tiranë. Samiti duke synon forcimin e bashkëpunimit mes diasporës shqiptare dhe institucioneve në vend, si dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur se ky samit vjen si një hap i radhës në procesin e angazhimit të vazhdueshëm të diasporës, duke e çuar bashkëpunimin në një fazë më të strukturuar dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete.

Sipas MEPJ-së, Samiti IV i Diasporës synon të krijojë një hapësirë të thelluar dialogu dhe bashkëpunimi, ku përvoja ndërkombëtare e diasporës do të ndërthuret me prioritetet kombëtare të zhvillimit.

“Ky samit krijon një hapësirë të thelluar dialogu dhe bashkëpunimi, ku përvoja ndërkombëtare e diasporës ndërthuret me prioritetet kombëtare të zhvillimit. Fokus i veçantë do t’i kushtohet ideve, projekteve dhe iniciativave që lidhin ekonominë, inovacionin, kulturën, teknologjinë, arsimin dhe sipërmarrjen me vizionin për Shqipërinë 2030″, njoftoi MEPJ.

I ndërtuar si një platformë bashkëkrijimi, sipas MEPJ-së “samiti synon të forcojë lidhjen mes diasporës, institucioneve qendrore dhe aktorëve vendorë, duke kontribuar në politika gjithëpërfshirëse, partneritete funksionale dhe bashkëpunime të qëndrueshme ndërkombëtare. Pjesëmarrja në këtë proces nuk është simbolike, ajo është pjesë e mënyrës se si formulohen zgjidhjet dhe orientohen prioritetet për të ardhmen”.

Samiti IV i Diasporës fton profesionistë, sipërmarrës, krijues dhe ekspertë nga e gjithë bota të bëhen pjesë e këtij dialogu, të ndajnë përvojën e tyre dhe të kontribuojnë në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit.

“Bëhuni pjesë e Samitit IV të Diasporës. Një hapësirë ku rrënjët na bashkojnë, dhe vizioni i përbashkët na çon përpara”, njoftoi MEPJ.

Linku i regjistrimit

/m.q/r.e/a.f/

The post Samiti IV i Diasporës në Tiranë, MEPJ: Bëhuni pjesë, hapësirë ku rrënjët na bashkojnë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Imuniteti i Ballukut, Berisha: Kuvendi është kthyer në mburojë të krimit

TIRANË, 3 shkurt/ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, akuzoi mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe për mbrojtje të hapur të korrupsionit, teksa iu referua shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve për të miratuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha u shpreh ky vendim përbën një akt grushti shteti dhe e kthen Kuvendin në mburojë të krimit dhe të vjedhjes së fondeve publike.

Kryetari i PD, Sali Berisha iu referua konceptit të “banalitetit të së keqes” të filozofes Hannah Arendt, duke akuzuar deputetët e mazhorancës se po veprojnë pa përgjegjësi morale dhe si zbatues të verbër të urdhrave të kryeministrit Edi Rama.

“E keni të shkruar secili prej jush në ballë. Ja, po të lexoj unë në ballet tuaja, lexoj: e keqja banale, me të cilën ju në mënyrë të verbër mbështesni korrupsionin, bëheni shtylla të sistemit të gjakpirjes së qytetarëve. Njerëz që nuk mendojnë. Automatë që nuk mendojnë. Nuk ndjejnë përgjegjësi. Ju kërkoj të lexoni sa të dilni nga kjo seancë “Banaliteti i së keqes” dhe të shihni se si jeni prototipi i saj”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se përdorimi i imunitetit parlamentar për të mbrojtur korrupsionin po rrit revoltën qytetare dhe në përfundim u bëri thirrje shqiptarëve të reagojnë kundër qeverisë.

“A e kuptoni ju se ç’do të thotë të bllokoni imunitetin e një njeriu? A e kuptoni se ç’do të thotë të përdorni imunitetin si mburojë për vjedhjen e shqiptarëve? A mendoni ju se çfarë zemërimi dhe revolte të jashtëzakonshme krijoni tek qytetarët që mezi mbyllin ditën për kafshatën e gojës, që mezi mbyllin muajin, që nuk blejnë dot ilaçet e tyre, që vdesin spitaleve?

“Nuk duhet të vini si automatë këtu. Ky është një akt depersonalizimi. Njerëz që nuk mbani asnjë përgjegjësi ndaj shqiptarëve, ndaj vetes tuaj, ndaj familjeve tuaja. Shqiptarët kërkojnë të zhbllokohet sistemi i drejtësisë”, tha Berisha.

/m.q/r.e/a.f/

The post Imuniteti i Ballukut, Berisha: Kuvendi është kthyer në mburojë të krimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD-PS përplasje për “Territorialen” në Kuvend, nis interpelanca me ministrin e Drejtësisë

TIRANË, 3 shkurt /ATSh/ Kuvendi po zhvillon sot seancën plenare të radhës. Punimet nisën në orën 10:00. Në fokus të seancës plenare është kërkesa e deputetëve të Partisë Socialiste për disa ndryshime në përbërjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën e Territoriales, si dhe interpelanca me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Lidhur me ndryshimet e propozuara nga mazhoranca, opozita kërkoi mos kalimin e tyre në seancë plenare. 

Në nisje të seancës plenare, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh se në Konferencën e Kryetarëve nuk është marrë një vendim për përfshirjen e këtij vendimi në seancën e sotme plenare.

“Diçka e pavotuar në Konferencën e Kryetarëve nuk mund të futet për votim në seancën plenare”, tha Zhupa.

Zhupa siguroi se PD ka qenë gjithmonë e gatshme për t’i qëndruar vendimit që ka votuar në Kuvend për të bërë bashkërisht reformën territoriale, ndërsa kërkoi edhe nga mazhoranca që t’i qëndrojë këtij vendimi.

Duke marrë fjalën në seancë, bashkëkryetari demokrat i komisionit të posaçëm të reformës administrativo-territoriale, Luçiano Boçi u shpreh se “nuk ka pasur marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve”.

“Është dhënë vetëm një ultimatum për një mbledhje të thirrur nga komisioni i reformës territoriale. Kur ka një kryetar, sipas rregullores mbledhja thirret përmes dakordësisë së kryesisë së komisionit”, u shpreh Boçi, duke kërkuar që ndryshimet e propozuara të mos votohen gjatë seancës plenare në Kuvend.

Lidhur me pretendimet e opozitës, Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se opozita nuk është ende e qartë lidhur me pjesëmarrjen ose jo në komisionin e posaçëm të reformës administrativo-territoriale.

Duke iu përgjigjur deputetëve të opozitës, Balla tha se mazhoranca është e gatshme të presë deri në mbrëmje, kur edhe do të votohet, për një vendim nëse do të marrin apo jo pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit.

Balla kërkoi qartësi dhe përgjegjësi institucionale nga opozita, ndërsa u shpreh se shumë vendime të opozitës i kanë mësuar përmes medies.

Sipas tij, opozita ka ndryshuar qëndrim brenda një dite, duke lënë të paqartë nëse është tërhequr apo jo nga bojkoti i komisionit.

Sa i takon rendit të ditës, gjatë seancë do të shqyrtohen disa projektligje, përfshirë ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027.

Pritet shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Komisionit Evropian për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë, 2021-2027, projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021–2027.

Gjithashtu do të shqyrtohet projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021-2027.

Në rendin e ditës është parashikuar që të diskutohet edhe projektligji në fushat e barnave narkotike dhe lëndëve psikotrope, projektligji për mbrojtjen nga diskriminimi dhe projektligji parandalimit të konfliktit të interesave në funksionet publike.

Gjatë seancës do të diskutohet edhe projektvendimi i propozuar nga Partia Socialiste për ndryshimin në Komisionin për Reformën Administrativo-Territoriale.

Gjithashtu do të diskutohet dhe projektvendimi “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.

Kuvendi në seancë plenare - Foto: Andrin Hoxha
1 nga 3

vijon…

/m.q/j.p/r.e/

The post PD-PS përplasje për “Territorialen” në Kuvend, nis interpelanca me ministrin e Drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Xhixho kërkon seancë pyetje-përgjigje me Kumbaron: Mbi 11 mijë mësuesve u është ulur paga

TIRANË, 2 shkurt /ATSh/ Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha sot se mbi 11 mijë mësuesve u është ulur paga nga 2 mijë deri në 6 mijë lekë.

Përmes një deklarate për mediet, deputetja e PL-së theksoi se “11 172 mësues shqiptarë janë përballur me uljen e pagës”, pasi “janë penalizuar nga Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 26 qershor 2024”.

“Kjo VKM dhe në mënyrë të veçantë Lidhja nr. 4, e cila përcakton shtesën e nivelit të kualifikimit, cenon disa të drejta të punonjësve të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin e Punës dhe Kontratën Kolektive.

“Mësuesit e prekur janë trajtuar për vite me radhë në mënyrë të barabartë dhe në përputhje me ligjin, ndërsa ndryshimi i njëanshëm i kësaj trajtese përkeqëson kushtet e tyre të punës dhe cenon paga të fituara ligjërisht”, tha ajo.

Në lidhje me këtë çështje, Xhixho ka kërkuar një seancë pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro.

“Duke reflektuar shqetësimin e qindra mësuesve dhe të Sindikatës së Bashkuar të Mësuesve, i jam drejtuar Kuvendit me një kërkesë për një seancë pyetje-përgjigje me Ministren e Arsimit. Në mbështetje të kërkesave të tyre të drejta, sindikatat dhe punonjësit e arsimit kërkojnë rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe hapjen e një dialogu institucional serioz, që garanton trajtim të barabartë, respektim të të drejtave të fituara dhe dinjitet për mësuesit”, tha Xhixho.

/m.q/r.e/a.f/

The post Xhixho kërkon seancë pyetje-përgjigje me Kumbaron: Mbi 11 mijë mësuesve u është ulur paga appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transportonte emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës, arrestohet maqedonasi

TIRANË, 2 shkurt /ATSh/ Një shtetas maqedonas u arrestua sot nga policia pasi  transportonte emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së, kundrejt pagesës.

Policia e Tiranës njoftoi sot se u vu në pranga shtetasi maqedonas, J. N., 41 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi M. A., 33 vjeç, banues në Durrës.

Policia bëri të ditur se 41-vjeçari u kap në flagrancë, në aksin rrugor Kashar-Thumanë, teksa transportonte dy emigrantë.

Ndërkaq, sipas policisë nga hetimi dyshohet se 33-vjeçari iu ka marrë secilit prej emigrantëve, 2500 euro, me premtimin se do të mundësonte transportimin ilegal të tyre, në Itali.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimi për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/m.q/a.f/r.e/

The post Transportonte emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës, arrestohet maqedonasi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO kalon për gjykim kryebashkiakun e Tropojës

TIRANË, 2 shkurt /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trupë gjykuese të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, vendosi sot pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq themeli të kryebashkiakut të Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësit të tij, Abedin Kërnaja.

Rexhë Byberi dhe Abedin Kërnaja akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim. Në gusht të vitit të kaluar, GjKKO vendosi detyrim paraqitje një herë në muaj për ta.

Çështja në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të gjykohet me tjetër trupë gjykuese.

Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 6 volume hetimore (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes).

Konkretisht, ata akuzohen nga SPAK për moszbatimin e procedurave ligjore gjatë ndërtimit të rrugës “Stacioni i Anijes Palç-Guri i Lules”, që ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 277 milionë lekësh.

/m.q/a.f/r.e/

The post GJKKO kalon për gjykim kryebashkiakun e Tropojës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Piramida e pagave në drejtësi është “kokëposhtë” dhe në shërbim të interesave politike

TIRANA, 2 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se qeveria ka shkelur ligjin dhe frymën e Kushtetutës në ndërtimin e piramidës së pagave në sistemin e drejtësisë, duke favorizuar drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme për interesa politike.

I pyetur në lidhje me kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga dy shoqata gjyqtarësh për rritjen e pagave të gjyqtarëve, Berisha tha se përcaktimi i pagave është kompetencë ekskluzive e ekzekutivit, por kjo kompetencë duhet ushtruar në përputhje me parimet kushtetuese dhe ligjore.

Sipas Berishës, në rastin konkret piramida e pagave është ndërtuar “kokëposhtë”, duke cenuar hierarkinë institucionale dhe duke poshtëruar gjyqtarët e lartë dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese.

“Piramida e pagave është kompetencë e ekzekutivit dhe vetëm e tij. Në këtë kontekst, në pamje të parë gjykata nuk ka asnjë lidhje. Por në qoftë se ekzekutivi e ndërton kokëposhtë piramidën, unë nuk e kuptoj, se gjykata nuk mund të ndërhyjë.

“Në ç’kuptim? Piramida parashikon rrogën më të lartë atë të kreut të shtetit. Piramida ka një shkallare me disa shkallë. Në qoftë se ekzekutivi ka firmosur për faqen e zezë të tij, që Altin Troplini të jetë njeriu më i paguar në sistemin e drejtësisë nga kufiri Slloveni-Austri gjer në Qipro, atëherë ai ka bërë një piramidë të rrogave jo në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe ligjit, por ka bërë një piramidë në përputhje me interesat e tij personale, të cilën nuk mund ta bënte kurrë.

“Vërtetë ajo është kompetencë ekskluzive, por në të vërtetë ekzekutivi është i detyruar ta ushtrojë atë kompetencë në përputhje me parimet, frymën dhe germën e ligjit”, tha Berisha.

Berisha shtoi se vendimi i qeverisë ka cenuar rëndë dinjitetin e gjyqtarëve kushtetues, gjyqtarëve të lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta rrëzojë këtë vendim, edhe pse rregullimi i mëtejshëm duhet t’i mbetet sërish ekzekutivit.

“Atëherë çdo gjykatës i lartë, çdo gjykatës Kushtetues, Prokurori e Përgjithshme kanë të drejtë të ndihen të shkelmuar, të poshtëruar nga qeveria në vendimin e saj.

“Nuk them ta rregullojë, nuk mund të them, sepse duhet një ekspertizë më e thellë ligjore. Por ka të drejtë ta rrëzojë, absolutisht po. Rregullimin, mendoj unë, duhet ta bëjë përsëri ekzekutivi, sepse është një kompetencë shumë ekskluzive e ekzekutivit. Por gjykata, për mendimin tim, kur ajo ndërtohet mbi bazë xhepi dhe jo ligji, mbi bazë interesi: të paguaj unë një mercenar që të bëjë gjahun e kundërshtarëve politikë, atëherë ata kanë të drejtë. Dua të jem i drejtë me ta”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: Piramida e pagave në drejtësi është “kokëposhtë” dhe në shërbim të interesave politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha paraqitet në SPAK: KLGJ duhej t’i ndërpriste mandatin gjyqtares Gjoka

TIRANA, 2 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, gjatë një prononcimi për mediet u ndal tek vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, për gjyqtaren e GJKKO, Irena Gjoka, çështjen e së cilës e kaloi për shqyrtim në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.

Sipas Berishës, Irena Gjokës, e cila është edhe gjyqtarja paraprake e dosjes “Partizani”, duhet t’i ishte ndërprerë mandati.

“Me votat e Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelien Koçaj, Emona Muçi, Klodian Kurushi dhe kreut të tij, Ilir Rusi, me 6 vota, refuzuan apo vendosën mospranimin e nisjes së procedurave për verifikimin dhe shpalljen e papajtueshmërisë së mandatit me famozen Irena Gjoka.

“Këta persona, të cilët shkelmojnë mbi një seri dokumentesh zyrtare shqiptare dhe ndërkombëtare, dokumente të cilat i ndërpresin automatikisht mandatin Irena Gjokës, këta janë më kriminelë se vetë Irena. Të votosh, të shkelmosh të gjithë këto dokumente, do të thotë të mos kesh as edhe minimumin e ndërgjegjes profesionale, ndërgjegjes ligjore, do të thotë të mos kesh dinjitet njerëzor”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “të poshtërosh veten duke mohuar vulat apostolike, duke mohuar formularët zyrtarë të këtij shteti, do të thotë je bashkautor në këto krime”.

“Nuk mund të imagjinohej të shkelmoheshin ligjet në këtë mënyrë”, theksoi ai.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

/m.q/a.f/

The post Berisha paraqitet në SPAK: KLGJ duhej t’i ndërpriste mandatin gjyqtares Gjoka appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Miratimi i 41 vendeve vakante nga KLGJ, hap pozitiv për uljen e stokut të dosjeve

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përshëndeti vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit.

Lamallai theksoi se ky është një hap konkret që i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të dhënies së drejtësisë.

Sipas ministrit Lamallarit, ky vendim i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të procesit të dhënies së drejtësisë, një nga problematikat më të ndjeshme me të cilat përballet sot sistemi gjyqësor në vend.

“E shtrova nevojën e kësaj ndërhyrjeje edhe në takimin e së hënës për nisjen e vitit të ri gjyqësor. Shtimi i kapaciteteve dhe forcimi i burimeve njerëzore në sistemin tonë të drejtësisë nuk është thjesht një masë administrative, por një zgjedhje politike në funksion të qytetarëve, për një drejtësi më efikase, më të shpejtë dhe më të besueshme. Sigurisht edhe me standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi Lamallari.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas analizimit të situatës së sistemit gjyqësor dhe mundësive që ka Shkolla e Magjistraturës, miratoi numrin prej 10 kandidatë për magjistratë, profili gjyqtar dhe 6 kandidatë për ndihmës ligjorë në Gjykatat e Apelit dhe 35 kandidatë për ndihmës ligjorë në Gjykatat e Shkallës së Parë që do të pranohen në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2026-2027.

/m.q/j.p/

The post Lamallari: Miratimi i 41 vendeve vakante nga KLGJ, hap pozitiv për uljen e stokut të dosjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beci: Shkodra, “yll i ri në ngjitje” në turizmin e qirave afatshkurtra

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Shkodra po shfaqet si një destinacion në rritje për turistët dhe bizneset e qirave afatshkurtra.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, teksa ndau të dhënat e një raporti të publikuar nga revista “Monitor”, theksoi se këto të dhëna tregojnë një rrugëtim të qartë drejt suksesit për qytetin.

“Shkodra, “yll i ri në ngjitje”, kështu e ka titulluar Revista Monitor seksionin për Shkodrën në analizën e të dhënave të Airbnb mbi apartamentet me qira afatshkurtër.

“Një numër turistësh në rritje, të ardhura të kënaqshme dhe një dyfishim i njësive të disponueshme brenda vetëm një viti. Paralelisht rritja e numrit të bizneseve aktive e bën panoramën edhe më inkurajuese për ekonominë lokale në Shkodër”, shkruan Beci duke iu referuar shifrave të publikuara nga revista.

Beci shkruan se “këto të dhëna mund të mos i përshtaten narrativës së ndonjë deputeti të opozitës që flet për “mbyllje masive” biznesesh në Shkodër, por ky nuk është problemi ynë”.

Beci shtoi se faktet janë kokëforta pasi Shkodra sapo e ka nisur rrugëtimin e saj drejt suksesit dhe ka të gjitha arsyet për të besuar se do të shkojë atje ku i takon.

/m.q/j.p/

The post Beci: Shkodra, “yll i ri në ngjitje” në turizmin e qirave afatshkurtra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rrëshqitje gurësh në Dragostunjë, bllokohet qarkullimi në aksin Librazhd-Qafë Thanë

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Policia e Elbasanit njoftoi sot se në aksin rrugor Librazhd – Qafë Thanë, në vendin e quajtur Dragostunjë, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali, qarkullimi i automjeteve është bllokuar plotësisht në të dyja drejtimet.

Policia bëri të ditur më tej se shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë  për hapjen e rrugës.

/m.q/j.p/

The post Rrëshqitje gurësh në Dragostunjë, bllokohet qarkullimi në aksin Librazhd-Qafë Thanë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës “arrest me burg”

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rrëzoi sot kërkesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Kërkesa e Veliajt u shqyrtua sot nga gjyqtarja Etleva Deda dhe i pranishëm gjatë seancës ishte vetë kryebashkiaku.

Pas përfundimit të seancës, avokati Sokrat Gjermeni u shpreh se kryebashkiaku kërkoi detyrim paraqitje pesë herë në javë, madje edhe ofrimin e një shume monetare si garanci për lirimin, por kjo nuk u pranua nga gjykata.

“Kemi kërkuar që të caktohet një masë më e butë jo e “arrestit me burg” të cilën gjykata nuk e ka pranuar si kërkesë dhe e ka rrëzuar. Ishte dhe Veliaj. Ai ka deklaruar të njëjtat gjëra që janë parashtruar në kërkesë nuk ka dalë përtej aspekteve ligjore dhe si përfundim gjykata ka rrëzuar kërkesat”, tha avokati.

“U kërkuan disa masa, detyrim paraqitje, garanci pasurore, ndalim i daljes jashtë shtetit, të gjitha masat që janë të përshtatshme për të mbarvajtur hetimin që personi mos të largohet. Duke qenë se u rrëzua kërkesa nuk u shqyrtua opsioni i garancisë”, vijoi ai.

Sipas tij, prokuroria mbajti qëndrimin që masa e arrestit me burg duhet të vazhdojë pasi provat mund të manipulohen.

“Prokuroria mbajti qëndrimin se masa duhet të vazhdojë, sepse pavarësisht se kanë mbaruar hetimet provat përsëri mund të manipulohen. Kjo ishte logjika e prokurorisë për të cilën ne nuk jemi dakord sepse edhe një vendim njehsues i Gjykatës së Lartë thotë që provat sidomos ato shkresore, janë të tilla që nuk mund të ndryshohen, ndryshe nga provat e gjalla, që janë me dëshmitarët, por që edhe kjo logjikë nuk qëndron pasi vetë dëshmitarët nuk do të mund të ndryshojnë dëshmitë e tyre pasi edhe kjo përbën vepër penale për ta”, tha Gjermeni.

Kërkesa për ndryshimin e masës erdhi pas përfundimit të hetimit ndaj Veliajt dhe dërgimit të dosjes në gjykatë. Sipas SPAK, ndaj Veliajt rendojnë 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Po ashtu për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025.

/m.q/j.p/

The post GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës “arrest me burg” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌