Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

KLGJ nuk pranon nisjen e procedurave për verifikimin e statusit të gjyqtares Irena Gjoka

TIRANË, 30 janar /ATSh/ Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj), vendosi sot mos të nisë procedurën e verifikimit të statusit të gjyqtares Irena Gjoka, gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO).

Më gjashtë vota kundër, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor rrëzuan relacionin e përgatitur nga katër anëtarë të KLGj-së, pas materialit të dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje dënimin e Gjokës në Greqi për falsifikim dokumentesh.

Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pranoi ta merrte në shqyrtim çështjen me argumentin se dosja duhet t’i kalojë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.

Media raportoi se Ridvan Hado, anëtar i KLGj-së, teksa po shpjegonte votën kundër u shpreh se këshilli ka rol aktiv vetëm në rastin kur shkaku i pazgjidhshmërisë, i papajtueshmërisë, ka lindur para fitimit të statutit.

“Në raste e tjera kur pazgjidhshmëria ka lindur pas fitimit të statusit, duhet t’i dërgohet ILD. Kështu kemi vepruar edhe në raste të tjera. Nuk kemi kushtet që ta marrim ne direkt, duhet t’ia dërgojmë ILD-së. Prandaj jam kundër relacionit”, tha Hado.

Prokuroria e Përgjithshme nisi verifikimin për gjyqtaren Irena Gjoka pas një shkrimi të publikuar në mediet greke se është dënuar në vendin fqinj për falsifikim dokumentesh.

Irena Gjoka ështe edhe gjyqtarja paraprake e dosjes “Partizani”, në të cilën është marrë i pandehur ish-kryeministri Sali Berisha.

/m.q/j.p/

The post KLGJ nuk pranon nisjen e procedurave për verifikimin e statusit të gjyqtares Irena Gjoka appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Veprat penale të dënueshme deri në 3 vite të mos ndiqen në paraburgim

TIRANË, 30 janar /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha sot se duhet të merren masa konkrete që vepra të lehta mos të ndiqen në kushtet e paraburgimit.

Gjatë një konferencë për gazetarët, ministri theksoi se veprat e lehta dhe me parrezikshmëri shoqërore që mund të dënohen deri në 3 vite, propozohen të mos ndiqen në kushte paraburgimi, në bazë të rastit.

Lamallari shtoi më tej se për veprat e mesme që kanë rrezikshmëri jo të theksuar, por duan vëmendje, propozohet rreth 1 vit paraburgim dhe për veprat e rënda rreth 2 vite.

“Tryeza e djeshme ishte një mundësi e shkëlqyer për të bërë bashkë të gjithë aktorët në vend. Një diskutim shumë informues dhe konstruktiv nga prezantimet që u bënë dhe janë përgatitur rekomandimet, ku me të drejtë thuhet që ka ardhur koha që Shqipëria të përfaqësojë plotësisht standardet e kërkuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, po ashtu të zbatueshme në nivel të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, atyre që ne duam t’u përafrohemi, ku erdhën me masa konkrete për pragun që duhet të zbatohet për masa të caktuara, duke i ndarë në vepra të lehta e të rënda, pasi nuk ka kuptim që veprat e lehta të ndiqen në kushte paraburgimi, përkundrazi ata janë kosto humane, financiare, njerëzore dhe nuk përbëjnë kurrfarë rreziku që mund të citohet apriori në vendimet e gjykatave, për të njohur këtë kërkesë të prokurorisë, për futjen në paraburgim të personave, për veprat e lehta dhe me parrezikshmëri shoqërore.

“Ata vijnë me një propozim konkret që për veprat e dënueshme deri në 3 vite mos të aplikohet, duke e parë rast pas rasti dhe kjo kërkon një analizë të theksuar se cilat janë veprat që mund të dënohen deri në 3 vite, por për nga natyra mund të përjashtohen nga ky rishikim dhe nga ana tjetër ata prekën me të drejtë, kufijtë deri ku mund të aplikohet masa e paraburgimit për një person, si për 1 vit maksimumi për vepra të mesme që ato i klasifikuan, pra të një rrezikshmërie jo e theksuar, por që kërkon vëmendjen e autoriteteve, apo deri në 2 vite për veprat e rënda. Kjo nënkupton një përgjegjësi të shtuar edhe për organet e drejtësisë që të kryejnë veprime hetimore dhe në kohën më të shpejtë të mundshme, pasi drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”,  tha Lamallari.

Ministri i Drejtësisë, deklaroi se propozimet për paraburgimin, vijnë për shkak se ka një numër shumë të lartë njerëzish, të cilët ndodhen të paraburgosur dhe ende presin një vendim fajësie.

/m.q/j.p/

The post Lamallari: Veprat penale të dënueshme deri në 3 vite të mos ndiqen në paraburgim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Revolta qytetare e vetmja rrugë për largimin e qeverisë, protestë më 10 shkurt

TIRANË, 30 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme njoftoi datën e re të protestës kombëtare që do të zhvillojë opozita.

Berisha tha se më datën 10 shkurt në orën 17:00 në Tiranë do të zhvillohet protestë masive, duke e cilësuar revoltën qytetare si të vetmen rrugë për largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama duke ftuar qytetarët të bashkohen me opozitën.

“Revolta dhe vetëm revolta është përgjigja e merituar e sovranit ndaj këtij grupi që nuk ka ligj, kushtetutë e as moral. Revolta dhe vetëm revolta është rruga e daljes, e përmbysjes së diktaturave autokratike, njëlloj si në vendet e tjera”, tha Berisha

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion, vjedhje dhe kapje të shtetit, duke e quajtur atë një organizatë kriminale dhe duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme.

Berisha deklaroi se opozita mbështet iniciativën e një grupi intelektualësh për bashkimin e forcave opozitare.

“PD ka mbështetur plotësisht iniciativën e këtij grupi intelektualësh të cilët janë të përkushtuar për bashkimin e të gjitha forcave politike opozitare dhe faktorëve të tjerë në betejë, kundër qeverisë”, u shpreh Berisha.

Berisha përjashtoi çdo bashkëpunim me mazhorancën, duke e lidhur atë me mbrojtjen e aferave korruptive dhe bllokimin e drejtësisë.

Në reagim ndaj deklaratave të raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, Berisha u shpreh se BE duhet të kërkojë respektimin e standardeve evropiane, veçanërisht dorëheqjen dhe heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë kur përballen me hetime penale, duke e cilësuar këtë si standard etik dhe moral të domosdoshëm në një shtet ligjor.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Revolta qytetare e vetmja rrugë për largimin e qeverisë, protestë më 10 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Investime në shkollën profesionale në Kamzë nga asetet e sekuestruara kriminale

TIRANË, 30 janar /ATSh/ Pasuritë e përfituara nga aktivitete kriminale po kthehen në shërbim të komunitetit dhe arsimit profesional. Në Shkollën e Mesme Profesionale në Kamzë, më e madhja në vend, janë pajisur 7 klasa me bazën e nevojshme materiale, duke krijuar kushte më të mira për procesin mësimor.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, së bashku me kryetarin e bashkisë Kamzë, Rakip Suli dhe drejtues të arsimit profesional vizituan klasat e pajisura me logjistikën e nevojshme për zhvillimin e praktikës profesionale.

Duke u ndalur te burimi i këtyre pajisjeve, ministrja theksoi rëndësinë e përdorimit të aseteve të sekuestruara në funksion të interesit publik.

“Po bëjmë të mundur që të gjithë pasuritë edhe asetet që janë vendosur në formë kriminale apo për shkak të korrupsionit, pra aktiviteteve të paligjshme, të gjithë këto pasuri tashmë po kthehen në dobi të komunitetit, në dobi të qytetarëve, të atyre që kanë më shumë nevojë dhe në dobi të shoqërisë”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj pohoi se sot çdo gjë po shkon drejt inovacionit, ndaj duhen krijuar sa më shumë kapacitete në këtë sektor.

“Fokusi ynë është që shkollat profesionale t’i përmirësojmë, jo vetëm në drejtim të cilësisë së mësimdhënies e të shkollimit, por edhe në drejtim të ambienteve e të pajisjeve, të laboratorëve, pasi pa këto të fundit, sado i mirë të jetë edukimi apo cilësia e mësuesve, nuk arrihen dot rezultate. Ne jemi përqendruar në strukturat e mësimdhënies, laboratorët, por edhe konviktet, pasi ka raste që nxënës apo studentë që duan të ndjekin arsimin profesional nuk kanë pranë qendrave të banimit shkolla, por do bëjmë që konviktet të jenë me kushte të mira. IT sot është çelësi i suksesit për çdo të ri e të re. Nuk ka asnjë institucion publik apo privat, që të mos ketë nevojë për këtë sektor”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo nënvizoi se këto rezultate janë fryt i një përpjekjeje të përbashkët institucionale, falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve ligjzbatuese. Bashkëpunimi pozitiv mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, SPAK, BKH dhe prokurorive ka mundësuar administrimin e shpejtë dhe efikas të pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme, si dhe ndërtimin e bazës së nevojshme ligjore, duke garantuar që iniciativa të tilla të shtohen në të ardhmen.

Në vijim, Koçiu theksoi se fokusi do të jetë mbështetja e pushtetit vendor dhe shtresave në nevojë, përmes përdorimit social të këtyre aseteve.

“Ne do të mbështesim pushtetin vendor, duke ofruar mundësi, hapësira, edhe për strehim social, edhe për qendra sociale e rezidenciale, për shërbime sociale për shtresa në nevojë e sigurisht edhe për fëmijët e të rinjtë. Prandaj zgjodhëm shkollën profesionale këtu në Kamëz, që është një model për nga mënyra se si funksionon në fakt, për ta mirëpajisur me qëllim që ju të vazhdoni të aftësoheni akoma më shumë”, theksoi Koçiu.

Në përfundim, ministrja e Punëve të Brendshme përcolli një mesazh të qartë kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.

“Unë doja të jepja një mesazh të fortë për të gjithë ata që zgjedhin të merren me aktivitete kriminale e që mendojnë se nëpërmjet tyre do të pasurohen, tashmë nuk mund ta bëjnë këtë”, apeloi ajo.

Përveç humbjes së lirisë, pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme nuk do të gëzohen nga autorët, por do t’i kthehen shoqërisë dhe komunitetit. Duke iu drejtuar nxënësve, Ministrja uroi suksese dhe shprehu kënaqësinë që këto investime po përkthehen në motivim dhe mundësi reale për të rinjtë, duke i inkurajuar ata që në të ardhmen t’i shohim edhe si pjesë të administratës publike.

/m.q/j.p/

The post Koçiu: Investime në shkollën profesionale në Kamzë nga asetet e sekuestruara kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari për ATSh: Masterplan për përmirësimin e godinave të gjyqësorit, rritje e sigurisë

TIRANË, 30 janar /ATSh- Marseda Qefalia/ Qeveria shqiptare ka parashikuar një masterplan me qëllim rritjen e sigurisë në institucionet e drejtësisë, përmes përmirësimit dhe modernizimit të infrastrukturës gjyqësore. Investimet synojnë krijimin e një mjedisi më të sigurt për zhvillimin e proceseve gjyqësore si dhe rritjen e standardeve të aksesit në godinat e gjyqësorit.

Kështu bëri të ditur ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSh) gjatë një konference për shty, në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore për të rritur sigurinë në gjykata.

“Siç e ka lançuar dhe kryeministri, qeveria shqiptare ka vizionin e qartë dhe angazhimin e plotë për të vijuar me masterplanin e godinave të gjyqësorit, ku përfshihen jo vetëm gjykatat, por edhe prokuroritë”, tha Lamallari.

Lamallari nënvizoi se Ministria e Drejtësisë ka udhëhequr procesin e mbledhjes së informacionit nga gjykatat dhe prokuroritë në të gjithë vendin, duke evidentuar problematikat aktuale, përfshirë sigurinë e objekteve dhe mungesën e hapësirave të përshtatshme për ushtrimin e detyrës.

“Ministria e Drejtësisë ka kryesuar punën për mbledhjen e informacionit të disponueshëm nga gjykata dhe prokuroritë në të gjithë vendin, si në kuptim të gjendjes aktuale, ku përfshihet dhe siguria dhe hapësirat e pamjaftueshme për ushtrimin e detyrës, por edhe pritshmëritë e tyre për nevojat si në kuptim të hapësirave fikse, si për stafet që punojnë aty, për gjyqtarë, prokurorët, stafet ndihmës dhe ato për arkivimin e dosjeve”, u shpreh ai.

Lamallari theksoi gjithashtu se po shqyrtohen modele të suksesshme ndërkombëtare, kryesisht nga Italia dhe vende të tjera evropiane, ku funksionojnë të ashtuquajturat “parqe të drejtësisë”, ku institucionet e drejtësisë janë të përqendruara në një hapësirë të përbashkët.

“Por nga ana tjetër, duke parë edhe modele të ndryshëm që ekzistojnë kryesisht në Itali, por edhe në vende të tjera, të parqeve të drejtësisë,  ku bëhen bashkë të gjitha këto institucione, të cilat në fund të ditës, jo vetëm është e lehtë dhe më praktike në kuptim të përditshmërisë të punës të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët e ushtrojnë aktivitetin në një ambient të përbashkët, por edhe të aksesit në drejtësi për qytetarët. Nuk ka kuptim që një qytetar i cili i nënshtrohet një procesi gjyqësor të shkojë sa në prokuroi, më pas të bëjë disa kilometra për të shkuar në gjykatë”, tha ai.

Megjithatë, ministri i Drejtësisë theksoi se bëhet fjalë për një reformë masive, e cila do të zbatohet për herë të parë në Shqipëri dhe kërkon financim dhe kohën e nevojshme që të jetë sa më e koordinuar.

“Por duhet të jemi realist që kjo është një reformë masive që do të implementohet për herë të parë në Shqipëri dhe kërkon jo vetëm mbështetje të fortë financiare, për të cilën qeveria shqiptare është angazhuar, por kërkon edhe kohën e nevojshme në mënyrë që të jetë sa më e koordinuar, duke prioritizuar këtu ato gjykata dhe prokurori që janë në gjendje më emergjente për ndërhyrje.

/m.q/j.p/

The post Lamallari për ATSh: Masterplan për përmirësimin e godinave të gjyqësorit, rritje e sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia apel qytetarëve: Kujdes me mashtrimet online, oferta të rreme për të marrë kredi

TIRANË, 30 janar /ATSh/ Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, informoi sot qytetarët në lidhje me raste të mashtrimeve online që kanë të bëjnë me oferta të rreme për kredi.

Sipas policisë “janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese”.

Policia nënvizon se këto oferta janë mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.

Policia e Shtetit këshillon qytetarët që “të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar apo faqe interneti të pasigurta; Përpara se të aplikojnë për kredi pranë institucioneve financiare, të verifikojnë gjithmonë informacionin; Të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare”.

Gjithashtu policia fton qytetarët që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale.

/m.q/j.p/

The post Policia apel qytetarëve: Kujdes me mashtrimet online, oferta të rreme për të marrë kredi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Të ndahemi nga mendësia dhe politika e ashpër penale

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thirri sot një konferencë të nivelit të lartë me temë “E drejta për liri dhe siguri personale – nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, me fokus të veçantë adresimin e problemit të paraburgimit.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe Gianluca Esposito, drejtor i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Evropës, si dhe Nicola Lettieri, zëvendësprokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë dhe Theo Byl – gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antwerp në Belgjikë. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë tha se çështja e paraburgimit përbën një nga sfidat më të ndjeshme dhe më domethënëse për vendin tonë.

“Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur”, tha ministri Lamallari.

Në vijim, ministri i Drejtësisë u shpreh se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të ndahet njëherë e mirë nga mendësia dhe politika e ashpër penale, e trashëguar nga e shkuara dhe të afrohet me atë të familjes në të cilën synojmë të aderojmë së shpejti.

“Tema e kësaj konference na fton të bëjmë pikërisht këtë, dhe koha më e mirë është tani: Kodi i Ri Penal do duhet të reflektojë marzhet e dënimit të zbatueshme në Bashkimin Evropian për të njëjtat vepra penale; Kodi i Procedurës Penale, do duhet ndryshuar për të garantuar qartë dhe pa ekuivok të njëjtat garanci procedurale për lirinë dhe sigurinë e personit, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Në vijim Lamallari theksoi se bashkëpunimi ynë me Këshillin e Evropës dhe partnerët ndërkombëtarë është thelbësor në këtë rrugë. Jurisprudenca e Strasburgut nuk duhet parë si kritikë nga jashtë, por si udhërrëfyes për përmirësim të brendshëm.

Ndërkohë që dy magjistratët e pranishëm në takim, falë njohjes shumë të mirë të gjendjes në Shqipëri, kanë përgatitur për llogari të Këshillit të Europës dy raporte mjaft të vlefshme, me gjetje dhe rekomandime për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në Shqipëri, dokumente të cilat janë vënë në dispozicion të të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim.

/m.q/j.p/r.e/

The post Lamallari: Të ndahemi nga mendësia dhe politika e ashpër penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla propozon mbledhjen e komisionit për Reformën Territoriale të hënën, Bardhi: Opozita ju duhet për fasadë

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, Partia Socialiste ftoi opozitën që të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale.

Gjatë diskutimeve, kreu i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, tha se mbledhja e radhës së komisionit të thirret ditën e hënë dhe nëse opozita nuk merr pjesë në seancë, mazhoranca do të gjejë mekanizmat për të vijuar punën e komisionit.

“Mbledhja e radhës së Komisionit të thirret ditën e hënë. Nëse opozita bojkoton edhe mbledhjen e ditës së hënë, atëherë në seancë do vendosim mekanizmin zhbllokues. Reforma do të bëhet doni apo nuk doni ju”, tha Balla.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se nuk është bojkotuar mbledhja, pasi në dy data që kanë qenë për mbledhje, nuk kanë qenë anëtarët e opozitës sepse kanë pasur angazhime të tjera.

“Ne ju themi se duhen procese konsensuale, hajdeni të gjejmë mekanizma dialogu, nën frymën e rekomandimeve të BE-së. Ju thoni: jo! Hajdeni këtu, flisni kot, ne do të bëjmë çfarë të duam. Për çfarë ju duhet opozita në tryezë? Për të shitur ju fasadën sikur çdo gjë funksionon normalisht”, u shpreh Bardhi.

“Nuk është asgjë normale. Ju e dini këtë dhe çdo mik i yni ndërkombëtar e di. Në gjithë sjelljen tuaj keni bërë të kundërtën e asaj që keni thënë publikisht për konsensus dhe konstruktivitet. Ju nuk keni qëllim qytetarët, por hartën elektorale. E bëtë këtë në vitin 2014 dhe e pamë se çfarë bëtë, duke shkatërruar pushtetin vendor dhe duke dëmtuar qytetarët”, tha Bardhi.

Mazhoranca ka propozuar ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo – Territoriale, që të marrë shumicën e numrit të anëtarëve.

/m.q/j.p/

The post Balla propozon mbledhjen e komisionit për Reformën Territoriale të hënën, Bardhi: Opozita ju duhet për fasadë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në Maqedoninë e Veriut, takime me zëvendëskryeministrin Sali dhe kreun e BDI-së

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu, ndodhet në Maqedoninë e Veriut, nga ku zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin Bekim Sali.

Sipas Koçiut, vizita vjen në një moment kur rajoni ka më shumë se kurrë nevojë për bashkëpunim të mençur dhe veprim konkret.

Koçiu theksoi se gjatë takimit u diskutua për “projekte që nuk mbeten në letër, por që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve: nga zhvillimi ekonomik te lidhjet mes komuniteteve dhe ndërtimi i partneriteteve afatgjata përtej kufijve formalë”.

“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë një forcë lidhëse e pazëvendësueshme dhe një garanci reale për stabilitet, dialog dhe orientim evropian. Rruga jonë është e përbashkët dhe e ardhmja ndërtohet me besim, bashkëpunim dhe vizion”, theksoi Koçiu.

Gjithashtu, Koçiu u takua në Tetovë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, të cilin e cilëson si “mik i vjetër dhe një zë që gjithmonë e ka Shqipërinë në zemër”.

“Një figurë që e njeh nga përvoja personale peshën e historisë dhe çmimin e identitetit tonë kombëtar”, theksoi Koçiu.

Koçiu nënvizoi se zhvilluan një bisedë të hapur “për vizionin që na bashkon, për përgjegjësinë që kemi ndaj shqiptarëve kudo që jetojnë dhe për nevojën që lidhjet mes nesh të mbeten të forta, të sinqerta dhe të qëndrueshme”.

“Mirënjohje Aliut për urtësinë dhe qëndrueshmërinë duke mbetur gjithmonë një pikë orientimi në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan Koçiu.

Koçiu ishte e shoqëruar në këtë vizitë edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

/m.q/j.p/

The post Koçiu në Maqedoninë e Veriut, takime me zëvendëskryeministrin Sali dhe kreun e BDI-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protestë e dytë kombëtare, koha të flasin qytetarët

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencë për shtyp pas vizitës në Strasburg u shpreh se situata në vend që e cilësoi katastrofale, do rregullohet vetëm me protestat qytetare.

Berisha paralajmëroi protestë tjetër kombëtare pas asaj të 24 janarit.

Kreu i PD-së deklaroi se opozita është e vendosur që të përballet “dhëmb për dhëmb” me këtë regjim.

“Jehona e protestës ishte e fuqishme. Pritej nga miqtë tanë protesta e dytë, po me aq insistim sa ç’pritet nga të gjithë opozitarët shqiptarë. Qytetarët do flasin shumë shpejt dhe ne do informojmë për protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe Shqipëria në ditët në vijim”, tha ai.

Berisha ftoi qytetarët dhe opozitën që të vazhdojnë “këtë betejë gjer në fitoren tone”. Sipas tij, shpresa e vetme është opozita.

I pyetur në lidhje me imunitetin e deputetes Belinda Balluku, Berisha tha se “Edi Rama po tërheq zvarrë dhe poshtëron Gjykatën Kushtetuese”.

Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të shqyrtonte çështje pa kaluar në Apel dhe në Gjykatën e Lartë.

Ai shtoi se “vetëm protesta është rruga e vetme, shpresa e vetme që shqiptarët t’i japin narkodiktatorit atë që i dhanë dikur diktaturës së parë”.

“Prandaj dhe do flasin qytetarët. Është koha e qytetarëve tani, nuk ka asnjë surprizë”.

Berisha tha se Rama duhet të japë dorëheqjen e të largohet menjëherë nga qeveria.

“Të japë dorëheqjen dhe të krijojë qeveri teknike për të bërë zgjedhje dhe të mos bllokohet drejtësia”, përfundoi kreu i Partisë Demokratike. /m.q/j.p/

The post Berisha: Protestë e dytë kombëtare, koha të flasin qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çelaj: Veprimet e policisë jo korrekte me qytetarët, Gogu: Respektojmë protestën si të drejtë kushtetuese

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, ngriti shqetësimin në lidhje me sjelljen e policisë gjatë protestës së opozitës më 24 janar.

Çelaj theksoi se qëndrimi i “forcave të policisë ndaj protestës së opozitës, ka qenë jo korrekt dhe joproporcional me shkallën e veprimit të protestuesve”.

Deputeti demokrat kërkoi nga kryetari i komisionit, Bledi Çuçi, që të mbajë qëndrim në lidhje me fjalët e përdorura nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së në parlament, sipas tij, të papërshtatshme.

“Ata janë njerëz që dalin aty për të protestuar kundër korrupsionit tuaj në këto 13 vite, kundër moszbatimit të ligjit, kundër shpopullimit, kundër diskriminimit, kundër varfërisë. Dalin për të luftuar ndryshimin dhe sjelljen e Shqipërisë në binarët e ligjit. Arrestuan fëmijë 10-vjeçarë dhe ministrja del dhe thotë se qëlloi me gurë policinë”, tha ai.

Shqetësimit të deputetit demokrat iu përgjigj ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, i cili deklaroi se qëndrimi i qeverisë është i qartë dhe i pandryshuar, respekton protestën si një të drejtë kushtetuese.

“Një sqarim për sa i përket insinuatës që ju ngritët ose ankesës që ngritët me të drejtë në fillim të kësaj seance për sa i përket protestës dhe protestuesve. Dua t’ju them që qeveria shqiptare respekton pafundësisht protestën është e drejtë kushtetuese.”

Ministri rikujtoi ngjarjet e 21 janarit dhe përkujtimin çdo vit të  4 dëshmorëve të atdheut.

“Nga ana tjetër ju e keni parë që si forcë politike në çdo janar të nderojmë protestues të paqtë që janë vrarë me duar në xhepa në mes të bulevardit dhe, duke pritur që drejtësia shqiptare të vendosë atë të drejtë të mohuar për shumë vite dhe që është një plagë që rrjedh ende gjak atje. Në nivel personal, ju e dini që unë i përkas një tradite fetare që protestën e ka gjenezën e vet”, tha ministri i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të opozitës.

Në vijim të diskutimeve në Komision, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin iu përgjigj edhe aludimeve për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke theksuar se Shqipëria ka kaluar në një fazë tjetër falë reformës në drejtësi dhe vullnetit politik.

“Nuk është që nuk ka pasur abuzime në 2013, por sot për shkak të këtij vullneti politik dhe për shkak të asaj reforme në drejtësi, ne mund të parandalojmë përmes administrimit, gjë që po ndodh,” deklaroi ministri.

Sipas tij, projektet e financuara nga Bashkimi Europian dhe instrumentet IPA po shërbejnë jo vetëm për zhvillim, por edhe për forcimin e kapaciteteve administrative, duke ndihmuar në ndarjen e keqfunksionimit nga korrupsioni.

Ministri akuzoi opozitën se po e politizon debatin dhe se çdo problem përpiqet ta etiketojë si korrupsion.

“Ju duket e gjitha korrupsion, sepse në forcën tuaj politike e keni të ngjizur korrupsionin nuk po ndaheni dot nga ajo që e keni vetë. Ju e dini vetë se keni bërë disa komisione kuvende që përpiqeni ta gjeni, kush korruptoi, kallëzime keni dhe ato kallëzimet që i bëni njëri-tjetrin për korrupsion” tha ministri.

Në përmbyllje, ministri bëri thirrje që diskutimi të mos politizohet dhe të mbetet në nivel teknik, veçanërisht sa i përket çështjeve të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian.

/m.q/j.p/

The post Çelaj: Veprimet e policisë jo korrekte me qytetarët, Gogu: Respektojmë protestën si të drejtë kushtetuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi, takim me raportuesin për Shqipërinë në PE: Rritje e rolit të Kuvendit në negociata

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi sot në Kryesinë e Kuvendit takim me Andreas Schieder, raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë.

Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit, arritjet për vijimin e reformave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Peleshi nënvizoi rritjen e rolit të Kuvendit në procesin e anëtarësimit dhe vijimin e negociatave, nëpërmjet përmirësimeve ligjore e strukturore, për rritjen e funksionit legjislativ dhe mbikëqyrjes parlamentare, me fokus të veçantë përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së.

Në takim u theksua gjithashtu mbështetja e gjerë popullore dhe nevoja e rëndësia e konsensusit politik e parlamentar dhe marrja e përgjegjësive të përbashkëta për integrimin europian.

Në fokus të diskutimit ishte edhe përparimi në përmbushjen e kritereve të kapitujve 23 dhe 24, liria e medias, forcimi i institucioneve të pavarura dhe ndjekja nga Kuvendi e rekomandimeve të Komisionit Europian për vitin 2025. U vlerësua qasja e bazuar në rezultate dhe rëndësia e zbatimit në praktikë të reformave transformuese.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, ndërsa raporteri Schieder riafirmoi angazhimin për ta mbështetur këtë avancim, nëpërmjet rritjes së ndërveprimit të Parlamentit Europian me Kuvendin. /j.p/

The post Peleshi, takim me raportuesin për Shqipërinë në PE: Rritje e rolit të Kuvendit në negociata appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO lë në shërbim prove pesë ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dënoi tre ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës për shkelje të barazisë në tendera e kryer në bashkëpunim, në lidhje me dosjen “5D”.

Vendimi u mor sot nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), pas ankimimeve të të pandehurve, Eglantina Zere, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulato vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 17 qershor 2025.

Apeli i GjKKO ndryshoi vendimin e GjKKO-së për Eglantina Zere, ish-drejtuese e autoritetit kontraktor “Tirana Parking”. Eglantina Zere u dënua me shërbim prove për dymbëdhjetë muaj për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Zeres gjithashtu i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Gjithashtu Apeli GJKKO ndryshoi edhe vendimin për Rivjola Baxhan, Enkelejda Qytan, Bruno Koçin dhe Kristo Zhulaton, anëtare të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), të cilët u lanë në shërbim prove për dymbëdhjetë muaj, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim

Atyre u hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Pesë ish-zyrtarët ishin dënuar me 6 muaj burgim.

/m.q/j.p/

The post Apeli i GJKKO lë në shërbim prove pesë ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA rikthen në detyrë prokurorin Lazër Çardaku

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për prokurorin e Tiranës, Lazër Çardaku, duke e rikthyer në detyrë.

Vendimi u mor dje nga trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi me shumicë votash ndryshimin e vendimit të KPK-së marrë më 8 nëntor 2024.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Prokurori i Tiranës, Lazër Çardaku, u shkarkua nga detyra për probleme në kriterin e pasurisë, që në vlerësimin tërësor u konsideruan se e vendosnin në kushtet e cenimit të besimit të publikut te drejtësia. Ndërkohë, Çardaku u vlerësua i besueshëm në kriterin e figurës dhe se kishte arritur nivelin minimal kualifikues për profesionalizmin.

/m.q/j.p/

The post KPA rikthen në detyrë prokurorin Lazër Çardaku appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AAPSK publikon katalogun e përditësuar të mjeteve të sekuestruara dhe të konfiskuara

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar katalogun e përditësuar të mjeteve të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke vijuar procesin e transparencës dhe informimit publik mbi pasuritë që administrohen nga shteti. Ky publikim vjen vetëm pak ditë pasi AAPSK bëri publikë edhe katalogët e përditësuar të pasurive të tjera të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke ofruar një panoramë më të plotë të portofolit të pasurive nën administrim.

Katalogu i mjeteve përfshin një gamë të gjerë automjetesh dhe mjetesh të tjera, të ndara sipas statusit ligjor, mjete të sekuestruara dhe mjete të konfiskuara, për secilën prej të cilave paraqiten të dhëna të detajuara mbi bazën ligjore të sekuestrimit apo konfiskimit, përshkrimin teknik, vitin e prodhimit, si dhe vlerën e përafërt të pasurisë. Dokumenti përfshin si automjete të përdorimit të përditshëm, ashtu edhe mjete me vlerë më të lartë tregu, duke reflektuar diversitetin e pasurive të administruara nga agjencia.

Publikimi i këtij katalogu synon të rrisë transparencën dhe aksesin e publikut në informacion, duke i dhënë mundësi çdo pale të interesuar të njihet me pasuritë e luajtshme që ndodhen nën administrimin e AAPSK-së. Njëkohësisht, ky hap krijon bazën për procese të mëtejshme të administrimit, përdorimit ose tjetërsimit të këtyre pasurive, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vendimet gjyqësore përkatëse.

Në vijim të publikimit të katalogëve të përditësuar të pasurive të paluajtshme, katalogu i mjeteve plotëson mozaikun e informacionit mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara në Shqipëri. Kjo qasje e integruar e AAPSK-së shihet si një element i rëndësishëm për forcimin e besimit publik, rritjen e llogaridhënies institucionale dhe promovimin e një administrimi sa më efikas të pasurive që kanë kaluar në administrim të shtetit.

/m.q/j.p/

The post AAPSK publikon katalogun e përditësuar të mjeteve të sekuestruara dhe të konfiskuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nga Biblioteka Kombëtare te Pallati i Sportit, projektet e reja me arkitekturë mbresëlënëse

TIRANË, 29 janar /ASTh/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në Konkursin Ndërkombëtar për “Shtëpinë e Re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore”.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama falënderoi arkitektët e mbledhur për këtë konkurs të radhës të organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve, e cila sipas kreut të qeverisë do të jetë “në funksion të krijimit të mëtejshëm të kushteve për të përfituar nga partneriteti publik privat, hapësira të reja për funksione publike”.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë falënderoi edhe arkitektët që pranuan të jenë pjesë e kësaj jurie ndërkombëtare.

“Jam i bindur se do të kemi përsëri një ditë intensive emocionesh krijuese dhe një tjetër arsye për t’u ndjerë mirë në fund të ditës, duke arritur të vendosim një projekt tjetër në radhët e këtyre projekteve që siç prezantoi edhe drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve, janë tanimë në një fazë të avancuar dhe madje një pjesë e tyre janë gati për të marrë lejen e zhvillimit dhe për të filluar nga puna”, tha Rama.

Rama tha se falë këtij procesi do të realizohen disa projekte, duke përfshirë ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare, Pallatin e ri të Sportit, një stadium të ri si dhe zyra të reja për administratën shtetërore.

“Falë këtij procesi do të kemi pas kaq vitesh një stadium të ri të përmasave evropiane, një tjetër vepër arkitektonike të denjë për historinë e re që po shkruajmë së bashku me këtë skuadër të jashtëzakonshme arkitektësh; Bibliotekën e re Kombëtare, një mjedis i më se i nevojshëm prej vitesh dhe njëkohësisht një tjetër vepër e spikatur në historinë jo thjesht të vendit tonë, por të arkitekturës bashkëkohore; do të kemi një kompleks të ri zyrash për administratën për një numër të konsiderueshëm institucionesh; Pallatin e ri të Sportit një vepër mbresëlënëse”, tha Rama.

Duke folur për projektet e reja që hyjnë sot në garën ndërkombëtare, Rama tha se i hapet rruga dy drejtimeve të reja për të ardhmen duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë të duart e solidaritetit të shoqërisë; jetimet dhe njëkohësisht edhe për korpusin e ri të inspektorateve.

Rama nënvizoi se Shqipëria tashme është bërë një pikë referimi në botën e arkitekturës bashkëkohore.

“Dua t’i përgëzoj dhe të gjitha studiot lokale që janë këtu të pranishme si partner të studiove ndërkombëtare, se ndërkohë që zhvillohen projekte, lidhen marrëveshje të reja. Shqipëria është bërë një pikë referimi në botën e arkitekturës bashkohore, si një vend që ka një përqendrim të madh arkitektesh ndërkombëtar me shumë zë”, tha Kryeministri.

“Shqipëria është njëkohësisht dhe një universitet i hapur që u jep mundësi arkitektëve të rinj shqiptarë, studiove të reja në Shqipëri, që përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me këta mjeshtra dhe studio të mëdha me plot eksperiencë të marrin dije dhe të përfitojnë eksperienca që nuk ka asnjë universitet apo praktike punë në një studio të huaj që t’i jep”, tha Rama.

Para jurisë ndërkombëtare prezantohen sot projekt-idetë: Shtëpinë e Re të Fëmijëve, një hapësirë moderne dhe dinjitoze, e konceptuar për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve pa kujdes prindëror si dhe kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore, që synon bashkimin e institucioneve inspektuese në një strukturë funksionale, më efikase dhe më të aksesueshme, në shërbim të qytetarëve. /j.p/

The post Rama: Nga Biblioteka Kombëtare te Pallati i Sportit, projektet e reja me arkitekturë mbresëlënëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Profesionet e lira nuk marrin dot shërbimet bazë nga tatimet

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se i gjithë sistemi i teknologjisë së informacionit të qeverisë është i bllokuar, duke e bërë praktikisht të pamundur marrjen e shërbimeve bazë nga tatimet, institucionet publike dhe platforma e-Albania.

“Biznesi është në krizë. Profesionistët e lirë po vuajnë më shumë se kushdo tjetër,” thekson ajo.

Tabaku theksoi se profesionistët e lirë nuk arrijnë dot të kryejnë veprimet më elementare: të gjenerojnë fatura, të llogarisin kostot apo të bëjnë një analizë minimale të punës së tyre ditore përmes sistemit self-care.

“Imagjinoni një profesionist të lirë, një biznes i vogël që punon nga mëngjesi në darkë, dhe nuk arrin dot të nxjerrë as një faturë të vetme,” thekson ajo.

Sipas deputetes së PD-së, bëhet fjalë për tatimpagues të rregullt, njerëz korrektë me shtetin, të cilët paguajnë taksa të rritura dhe kosto të larta fiskalizimi, por nuk marrin as shërbimin minimal në këmbim.

“Kjo është ‘qeveria e shërbimeve’. Kjo është qeveria e medaljeve të kota,” deklaron Tabaku, duke ngritur pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë.

Në përfundim, ajo e cilëson realitetin aktual si paradoksal: një Shqipëri e shpallur ‘digjitale’, që nuk ofron dot as certifikata për biznesin dhe që ndaj sipërmarrjes shqiptare përgjigjet vetëm me “ERROR 404”.

Sipas saj, ky kolaps digjital po e zhyt biznesin në krizë dhe po minon besimin e qytetarëve te shteti.

/m.q/j.p/

The post Tabaku: Profesionet e lira nuk marrin dot shërbimet bazë nga tatimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Mbi 345 milionë lekë dëmshpërblime për 15 bashkitë e prekura nga zjarret e verës

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri sot të ditur se mbi 345 milionë lekë dëmshpërblime janë dhënë për 15 bashkitë e prekura nga zjarret e verës.

Konkretisht, ministri publikoi edhe shifrat për ndarjen e dëmshpërblimeve nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, sipas bashkive.

Delvinë – 36 milionë lekë; Dibër – 10,5 milionë lekë; Gramsh – 86,6 milionë lekë; Has – 0,7 milionë lekë; Rrogozhinë – 1,8 milionë lekë; Krujë – 146 milionë lekë; Kukës – 0,6 milionë lekë; Librazhd – 0,2 milionë lekë; Peqin – 4 milionë lekë; Tepelenë – 0,3 milionë lekë; Kamëz – 2 milionë lekë; Maliq – 1,2 milionë lekë; Finiq – 40 milionë lekë; Dropull – 7,7 milionë lekë; Malësi e Madhe – 6,6 milionë lekë.

Vera e 2025-ës është cilësuar si më e vështira në Shqipëri për shkak të dëmeve të shumta nga zjarret. Kompensimi për dëmet nga zjarri përfshin periudhën nga 15 qershori deri më 15 shtator.

/m.q/j.p/

The post Vengu: Mbi 345 milionë lekë dëmshpërblime për 15 bashkitë e prekura nga zjarret e verës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dobi pret përfaqësues të Expertise France, në fokus drejtësia për të mitur

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi zhvilloi një takim me Pauline Girerd dhe Rania Fakhoury nga Expertise France.

Ministria e Drejtësisë njoftoi se gjatë takimit u nënvizua rëndësia bashkëpunimit të deritanishëm mes palëve, veçanërisht në fushën e drejtësisë për të mitur dhe asistimit të institucioneve të drejtësisë.

Po ashtu, sipas ministrisë të Drejtësisë u diskutuan mundësitë konkrete për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, në funksion të reformave dhe rezultateve konkrete në sigurimin e nje drejtësie më të afërt dhe në shërbim të qytetareve.

Expertise France, si një entitet publik mobilizon ekspertizën franceze dhe ndërkombëtare për të mbështetur në përcaktimin dhe zbatimin e politikave publike, që u përgjigjen sfidave institucionale, ekonomike, demografike dhe sociale. Expertise France ndihmon për një qasje të integruar të politikave publike.

1 nga 5

/m.q/a.f/r.e/

The post Dobi pret përfaqësues të Expertise France, në fokus drejtësia për të mitur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kushtetuesja rrëzon ankimimin Beqajt për masë “arresti me burg” nga GJKKO

TIRANË, 28 janar /ATSh/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Beqaj kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj tij; vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën “arrest me burg”; si dhe vendimin e Gjykatës së Lartë e cila rrëzoi rekursin ndaj tij.

Gjithashtu, Beqaj, kërkoi rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për çështjen e tij.

Ilir Beqaj prej 4 korrikut 2024 ndodhet në burg, pasi u arrestua me urdhër të SPAK për abuzimet me fondet e BE në SASPAC, kur ishte në krye të kësaj agjencie.

Ndërsa për dosjen e “Sterilizimit”, ish-ministri po ndiqet në gjendje të lirë.

/m.q/a.f/r.e/

The post Kushtetuesja rrëzon ankimimin Beqajt për masë “arresti me burg” nga GJKKO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌