Komuna e Fushë Kosovës ka bërë të ditur se të hënën nis gjysmëvjetori i dytë në këtë komunë.
Në njoftim thuhet se pas stabilizimit të gjendjes së krijuar nga vërshimet, si dhe sanimit të problemeve me sistemin e ngrohjes në shkollat ku kishte prishje, tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për fillimin normal të procesit mësimor.
“Siç ju kemi njoftuar më herët, të hënën, më 19 janar, pritet të fillojë procesi mësimor në të gjitha shkollat e Komunës së Fushë Kosovës.
Pas stabilizimit të gjendjes së krijuar nga vërshimet, si dhe sanimit të problemeve me sistemin e ngrohjes në shkollat ku kishte prishje, tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për fillimin normal të procesit mësimor.
Drejtoria për Arsim ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për sulm fizik ndaj dy zyrtarëve policorë në vendin e punës.
Rasti ka ndodhur në Stacionin policor në Kaçanik, të premten e 16 janarit në ora 20:30, ndërkaq pas tretmanit mjekësor në QKMF, njëri nga zyrtarët është dërguar në emergjencën e Ferizajt për tretman të mëtutjeshëm.
“Stacion policor Kaçanik 16.01.2026 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë në vendin e punës”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të ryshfetit.
Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në pikën kufitare në Vërmicë, të premten në ora 16:15.
“SPK Vërmicë 16.01.2026 – 16:15. Është arrestuar i dyshuari për shkak se zyrtarit policor në pikë kufitar i kishte ofruar 5 euro ryshfet”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të mitur pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar me një mjetë të mprehtë bashkëmoshatarin.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Skënderbeu” në Lipjan, të premten e 16 janarit, në ora 18:35.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që kishte sulmuar me një mjetë të mprehtë viktimën mashkull kosovar i mitur”, thuhet në raport.
I lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërkaq me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Futbollisti i talentuar Endrit Morina, është bërë shpejtë me skuadër të re pas përfundimit të bashkëpunimit të tij me Dritën.
Sot (e premte) gjatë ditës, klubi gjilanas kishte bërë me dije se kanë ndërperë bashkëpunimin me Morinën, i cili ishte bërë pjesë e tyre nga Feronikeli ’74.
Sidoqoftë, ai nuk është vonuar për të gjetur një ambient të ri dhe tashmë ka gjetur ‘folenë’ e re.
Sipas burimeve të Telegrafit, Morina ka arritur marrëveshje me Prishtinën e Re dhe pritet që aty ta vazhdojë karrierën.
Prishtina e Re së fundmi ka ndarë rrugët me disa futbollistë dhe tashëm Morina pritet të jetë goditja e tyre e janarit.
24-vjeçari më parë ka luajtur edhe në Zvicër, ku ka veshur fanellat e Xamax dhe Biel-Bienne
Pas 19 xhirove të zhvilluara deri më tani në elitën e futbollit kosovar, Prishtina e Re renditet e fundit me 15 pikë të grumbulluara./Telegrafi/
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka dërguar email zyrtar Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) para Kuvendit Zgjedhor, që do të zhvillohet më 5 shkurt.
MKRS-ja e ka paralajmëruar FFK-në të bëjë disa ndryshime statutare para se ta zhvillojë Kuvendin Zgjedhor.
“Para se të procedohet me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të paralajmëruar për datën 05 shkurt 2026 është e domosdoshme që FFK të ndërmarrë harmonizimin e disa çështjeve thelbësore të Statutit dhe akteve të tejra normative konkretisht:”.
“Harmonzimi sipas dakordimit të arritur gjatë procesit të licencimit në vitin 2023 në mes të përfaqësuesve të UEFA-s, FIFA-s dhe MKRS dhe harmonizimin e Statutit të FFK-së me Ligjin për Sport dhe Udhëzimin Administrativ përkatës që rregullon procedurat e lejimit të ushtrimit të veprimtarisë sportive të federatave”.
Ndër të tjera, MKRS-ja i ka kujtuar FFK-së që të përfundojë edhe procesin e lincencimit për shtatë lidhje rajonale si dhe licendimin për shoqatat profesionale, me këtë të fundit që thuhet se ka qenë kusht nga MKRS edhe gjatë vitit 2025.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj N.C., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës.
"Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor", thuhet në njoftim.
Rasti i ka kaluar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka njoftuar sot se zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës ka filluar, duke theksuar se këto ligje sjellin qartësi juridike dhe jo penalizim për shqiptarët e Luginës që jetojnë në Kosovë.
Mustafi shpjegoi se periudha e tanishme është një fazë informuese që zgjat deri më 15 mars 2026.
"Këto ligje nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve tanë në Kosovë dhe nuk synojnë penalizim, por vendosin qartësi juridike aty ku për vite me radhë ka ekzistuar një zonë gri administrative", ka shkruar ai në Facebook.
Ai theksoi se periudha afirmative ka për qëllim rregullimin e statusit ligjor të qytetarëve dhe eliminimin e pasigurisë administrative: "Periudha afirmative shërben ekskluzivisht për rregullimin e statusit ligjor të qëndrimit dhe dokumentacionit, për eliminimin e pasigurisë administrative dhe për krijimin e mundësive shtesë në rast nevoje".
Mustafi përmendi gjithashtu përpjekjet e qeverisë për të lehtësuar procedurat për qytetarët e Luginës së Preshevës: "Qeveria e Republikës së Kosovës ka vënë në funksion formularin për situata të jashtëzakonshme, i cili ua mundëson qytetarëve apatridë/të pasivizuar në Luginën e Preshevës të aplikojnë dhe të pajisen me dokumentacion civil".
Ai theksoi rëndësinë e sigurimit të pronës dhe të drejtave administrative.
"Qytetarët e Luginës së Preshevës tani mund t’i bartin pronat e paluajtshme në emrin e tyre si titullarë, duke garantuar siguri juridike mbi pronën dhe duke hequr pengesat administrative që deri më tani i kanë përjashtuar nga e drejta elementare e pronësisë", thuhet më tej.
Mustafi përfundoi me një mesazh për qytetarët dhe institucioneve: "Pas datës 15 mars, zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë, dhe çdo neglizhencë apo mosveprim mund të prodhojë pasoja administrative të panevojshme. Kosova nuk është hapësirë e pasigurisë ligjore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por shtet i së drejtës që i mbron, i rregullon dhe i trajton me dinjitet e të barabartë".
Ky hap është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar drejtësi, qartësi ligjore dhe mundësi të barabarta për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, është nderuar me përfshirje në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Army Command and General Staff College).
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Maqedonci përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se ceremonia solemne është mbajtur në Fort Leavenworth, me ç’rast është zbuluar portreti i tij fotografik, i cili do të vendoset në galerinë e personaliteteve të shquara, si dhe i është dorëzuar certifikata e nderit për arritje të jashtëzakonshme.
“Shumë i nderuar për përfshirjen dhe nderimin në Sallën e Famës (Hall of Fame), në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është një mirënjohje dhe nderim për popullin dhe shtetin e Kosovës, si dhe për mua si ushtarak dhe Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se këtë mirënjohje ua kushton bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës.
“Këtë mirënjohje ia përkushtoj bashkëluftëtarëve të UÇK-së, shokëve me të cilët kam shërbyer në TMK, të gjithë oficerëve dhe pjesëtarëve të FSK-së, Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe popullit të atdheut tim”, ka theksuar ai.
Maqedonci ka rikujtuar se tre muaj më parë, më 14 tetor 2025, portreti i tij ishte vendosur edhe në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Army War College) në Pensilvani.
“Duke qenë ushtaraku i parë nga Kosova që i janë bërë këto nderime në këto dy kolegje prestigjioze amerikane, ndihem thellësisht krenar për mundësitë që më janë dhënë ndër vite për t’i shërbyer vendit tim”, ka shkruar ministri në detyrë i Mbrojtjes.
Në fund të mesazhit të tij, Maqedonci ka theksuar se do të vazhdojë shërbimin me përkushtim dhe përgjegjësi ndaj detyrës, misionit dhe atdheut. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorët të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kuadër të komunikimit të rregullt dhe zhvillimeve të fundit, Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i njoftuan për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe veprimet afirmative, që institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve.
“Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore. Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese, etj. Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se kryeministri informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate.
“Kryeministri tha se ky proces integruese do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë. Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Klubi nga Podujeva, Llapi ka njoftuar zyrtarisht shitjen e sulmuesit Axel Gnapi te klubi rus, FC Fakel Voronezh, i cili bën pjesë në nivelin e dytë të futbollit rus.
Gjatë ditës së sotme (e premte), Llapi ka njoftuar marrëveshjen e transferimit të Gnapit te rusët e Fakel Voronezh.
“KF Llapi njofton opinionin dhe tifozët se ka arritur marrëveshje me klubin FC Fakel Voronezh për transferimin e sulmuesit, Axel Gnapi”, thuhet fillimisht në njoftimin e Llapit.
“Pas interesimit të vazhdueshëm të klubit rus, KF Llapi ka rënë dakord për kushtet e ofruara dhe ka vendosur ta lirojë futbollistin”.
“KF Llapi e vlerëson maksimalisht angazhimin dhe profesionalizmin e treguar nga Gnapi gjatë këtyre muajve dhe i uron atij shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale”, mbyllet njoftimi pa specifikuar shifrat e transferimit.
Ndryshe, Gnapi iu bashkua Llapit në korrik të vitit të kaluar nga FC Prishtina, ndërsa gjatë qëndrimit të tij te klubi llapjan u paraqit në 15 ndeshje kampionale, ku realizoi 7 gola dhe regjistroi 4 asistime.
Në anën tjetër, Fakel Voronezh zë vendin e parë në Ligën e Dytë Ruse, pasi pas 21 xhirove të zhvilluara ka mbledhur plotë 48 pikë dhe është pretendenti kryesor për t’u ngjitur në Superligë. /Telegrafi/
Në Qendrën Korrektuese të Dubravës, zyrtarët korrektues, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një operacion të gjerë bastisjeje me qëllim parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë brenda institucionit.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se gjatë operacionit janë kontrolluar të gjitha hapësirat e brendshme, përfshirë dhomat e të burgosurve, si dhe hapësirat e jashtme, salla e sportit dhe ambientet e tjera përcjellëse.
"Në aksion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë korrektues nga institucione të tjera, si dhe njësiti special K9. Pas përfundimit të bastisjes nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm. Gjatë kontrollit janë larguar sende të tepërta nga dhomat e të burgosurve dhe hapësirat e përbashkëta", thuhet në njoftim.
Shërbimi Korrektues i Kosovës falënderon të burgosurit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë këtij aksioni, i cili ka për synim ruajtjen e sigurisë dhe krijimin e një ambienti korrektues të qetë dhe të sigurt. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e 9 dëshmitarëve të propozuar nga avokatja Jovana Filipoviq, duke vlerësuar se as pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nuk tregojnë se i pandehuri ka pasur rol të drejtpërdrejtë gjatë datave kritike të përshkruara në parashtrimin e mbrojtjes.
Gjykata theksoi se dëshmitarët e propozuar nuk do të ndryshonin vlerësimin mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit, i cili sipas aktakuzës akuzohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar.
Po ashtu, u refuzuan edhe propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, pasi gjykata vlerësoi se një vlerësim i tillë mund të bëhet direkt nga përmbajtja e fotografive. Në lidhje me pyetjen nëse arma ishte snajper apo pushkë gjuetie, gjykata tha se kjo nuk ka relevancë për të përcaktuar përfshirjen e Dushan Maksimoviq në grupin terrorist.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni, deklaroi se arsyetimi më i detajuar mbi bazën ligjore dhe arsyeshmërinë e refuzimit të këtyre propozimeve do të përfshihet gjatë përpilimit të aktgjykimit.
Gjithsesi, propozimi i avokates Jovana Filipoviq për dëgjimin e dëshmitarit Millosh Radosajlleviq mbetet i validuar dhe do të mbahet, ashtu siç ishte miratuar paraprakisht nga kjo gjykatë.
Rasti “Banjska”, sërish dy të akuzuarit nuk deklarohen e njëri thotë se nuk është fajtor
(Përditësuar 10.41) Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues.
Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala, pas avancimit të Hotit në Gjykatën e Apelit.
Në seancë ishte i pranishëm dëshmitari Millosh Radosajlleviq, i propozuar nga mbrojtja për të dhënë deklarimin e tij. Kryetari Arrni njoftoi se për momentin nuk ka mundësi kohore për të vazhduar me dëshminë, për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu u konstatua se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është lexuar dhe pranuar nga të gjitha palët, pasi mbrojtja dhe prokuroria hoqën dorë nga leximi zyrtar.
Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq thanë se nuk dëshirojnë të deklarohen.
Ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për akuzën që ngarkohet.
Avokati Millosh Deleviq, theksoi se aktakuza duhet të përqendrohet në veprimet konkrete të Vladimir Toliq.
Prokurori Naim Abazi tha se shqyrtimi duhet të fillojë rishtazi dhe provat të lexohen për të vazhduar nga faza e mëparshme. Avokatët e të akuzuarve dhe të pandehurit ranë dakord, duke thënë se kjo shmang vonesa dhe siguron efikasitet të procedurës.
Lidhur me propozimin për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve të ri nga ana e mbrojtjes, pas analizimit të shkresave, Prokuroria ka kundërshtuar këtë propozim.
Sipas prokurorisë, propozimi i tillë ka mungesë të relevancës dhe individualizimin konkret të provës që janë propozuar.
Prokuroria konsideron se dëshmitarët e propozuar nuk rezultojnë të tregojnë për atë se çfarë ka ndodhur në Bansjkë.
“Dëshmitarët e propozuar synojnë të ndërtojnë një narrativë të përgjithshme të mbrojtjes apo alibi kolektive a ndonjë vlerë të re provuese dhe që është krejtësisht në kundërshtim me provat materiale dhe personale që i kemi dorëzuar në këtë shqyrtim gjyqësor”, ka thënë prokurori Abazi.
Avokatja Jovana Filipoviq kërkoi që dëshmitarja Dragana Antonijeviq të ftohet sërish, pasi ka punuar me Maksimoviq dhe mund të japë informacione, por gjykata konstaton se nuk është arritur ta sigurojë prezencën e saj. Deklarata e saj është konsideruar e lexuar për të mos zvarritur procesin, ndërsa gjykata do të bëjë një përpjekje të re në të ardhmen.
Prokurori njoftoi se nga shqyrtimi i mëparshëm më 17 prill 2025 nuk ka ndryshime në situatën e të akuzuarve, por do të dorëzohen prova të reja materiale me shkrim.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Arianit Koci dhe palët e dëmtuara nuk kanë pasur çfarë të shtojnë, ndërsa avokatët e të akuzuarve mbeten pas fjalës hyrëse.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU.
Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësisë/
Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e një personi që dyshohet për grabitje.
Policia thekson se për çdo informatë që mund të identifikojë të dyshuarin qytetarët mund t’i shkruajnë Policisë.
“Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën penale ‘Grabitje’. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë është paraqitur për kontroll një dërgesë mallrash.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se gjatë verifikimit dokumentar dhe ekzaminimit fizik të dërgesës, janë konstatuar mospërputhje ndërmjet përshkrimit të deklaruar dhe gjendjes faktike të mallit, i cili ishte deklaruar si lëndë e parë për prodhim.
“Gjatë ekzaminimit të detajuar, përfshirë kontrollin e origjinës, sasisë, formës së paraqitjes dhe karakteristikave të tjera, është konstatuar se mallrat nuk përbëjnë lëndë të parë, por janë produkte farmaceutike të gatshme, të paketuara për shitje me pakicë. Me këtë veprim, është tentuar shmangia e pagesës së TVSH-së, si dhe nuk është paraqitur dokumentacioni shtesë përkatës, përfshirë certifikatën për import të produkteve farmaceutike të gatshme. Vlera totale e mallrave arrin rreth 49,000 euro”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se ky rast përbën kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkak të deklarimit të pasaktë të të dhënave doganore me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve fiskale. /Telegrafi/
Pesë të mitur janë arrestuar pasi të njëjtit kanë goditur dy të mitur të tjerë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 12:48, në Drenas.
Tutje bëhet e ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKUK.
“Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, të moshës së mitur pasi që të njëjtit kanë goditur dy viktimat meshkuj kosovarë po ashtu të moshës së mitur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKUK. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Katër persona janë arrestuar pasi që të njëjtit i kanë sulmuar dy zyrtarë policorë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 20:00, në Malishevë.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
“Malishevë 15.01.2026-20:00. Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit i kanë sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë. Si pasojë e lëndimeve të mara dy zyrtarët policorë kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit dërgohen në mbajtje”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës po vazhdojnë angazhimet e shtuara për rritjen e sigurisë në trafik, pavarësisht fokusit të deritanishëm në zbatimin e planit operativ “Sezoni Dimëror”.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor, në periudhën nga 1 janari deri më 14 janar 2026, ka vepruar në kushte të vështira atmosferike, duke u angazhuar në rregullimin dhe menaxhimin e trafikut rrugor, veçanërisht në zonat ku qarkullimi ka qenë i vështirësuar. Këto aktivitete janë realizuar në koordinim me zyrtarët e ministrisë përkatëse dhe kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve.
Paralelisht me menaxhimin e situatës në terren, Policia ka theksuar se është punuar edhe në rritjen e nivelit të sigurisë në trafik. Vetëm gjatë dy javëve të para të këtij viti, në rajonin e Prishtinës janë shqiptuar gjithsej 1.883 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Sipas statistikave të Policisë, përveç tejkalimit të shpejtësisë, sidomos në kushtet e dimrit, një sfidë e vazhdueshme mbetet edhe numri i madh i automjeteve të paregjistruara.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 353 automjete të paregjistruara, të cilat përbëjnë rrezik serioz për sigurinë rrugore, pasi qarkullojnë pa kontrollim teknik.
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë drejtuesit e automjeteve që t’u përmbahen rregullave dhe shenjave të trafikut, duke paralajmëruar se Njësiti Rajonal i Trafikut Rrugor – Prishtinë do të vazhdojë aktivitetet policore me qëllim të mbarëvajtjes dhe rritjes së sigurisë në rrugë. /Telegrafi/
Një person është arrestuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 05.01.2026 në rrugën “Ali Hadri”, në Prizren.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Rr. Ali Hadri, Prizren 05.01.2026 – 22:45. Lidhur me rastin, është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/