Dialog dypalësh Shqipëri-Slloveni për investime dhe zgjerim bashkëpunimi
TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Tirana u shndërrua sot në qendër të dialogut ekonomik dypalësh mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.
Forumi ekonomik shërbeu si një platformë e rëndësishme bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave dhe eksplorimin e mundësive konkrete të investimit, duke u dhënë mundësi kompanive sllovene dhe shqiptare të njihen më nga afër me potencialet e ndërsjella të tregjeve respektive.
Në fjalën e tij, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, theksoi se Shqipëria dhe Sllovenia kanë një histori të hershme bashkëpunimi ekonomik, që daton menjëherë pas rënies së komunizmit, ndërsa sot bizneset sllovene janë tashmë të mirëkonsoliduara në Shqipëri.
Musabelliu vuri në dukje se ekonomia shqiptare po kalon një moment të rëndësishëm pozitiv, me rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3,75% në vitin 2025, krahasuar me një mesatare prej 1,6% në Bashkimin Europian.
Sipas tij, inflacioni në Shqipëri mbetet pak më i ulët se mesatarja e BE-së, ndërsa norma e papunësisë ka zbritur në 8,5%, niveli më i ulët historik.
Ai theksoi gjithashtu se stoku i investimeve të huaja direkte është rritur me 4,4% në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024.
Zëvendësministri nënvizoi se procesi i integrimit europian po krijon një moment të rëndësishëm transformimi për vendin, duke shprehur pritshmëri për përmbylljen e negociatave me Bashkimin Europian në një afat të shpejtë, si dhe duke përmendur projekte infrastrukturore me rëndësi strategjike.
Në këtë kuadër, Musabelliu ftoi bizneset sllovene të rrisin praninë e tyre në Shqipëri dhe të shfrytëzojnë klimën e favorshme për investime.
Forumi i Biznesit Shqipëri-Slloveni u organizua nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me SPIRIT Slovenia, Institute for Strategic Solutions (ISR) dhe ambasadën e Republikës së Sllovenisë në Tiranë, me fokus të veçantë në sektorët e ndërtimit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), industrisë ushqimore dhe të pijeve, inovacionit në bujqësi dhe turizmit.
Pjesëmarrësit e vlerësuan forumin si një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e rrjetit të kontakteve profesionale dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.
Të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se importet nga Sllovenia drejt vendit tonë në vitin 2025 arritën në rreth 60 milionë euro, ndërsa eksportet drejt Sllovenisë llogariten 21 milionë euro.
/r.e/a.f/
The post Dialog dypalësh Shqipëri-Slloveni për investime dhe zgjerim bashkëpunimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

