Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Gjykatësit duan rritje rroge/ Reagon Rama: Duan kompetencat e qeverisë, Kushtetuesja po zhvillon farsën më të shëmtuar!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, lidhur me procesin që po mbahet në Gjykatën Kushtetuese, mbi kërkesën e Unionin të Gjyqtarëve për rritje pagash.
Në reagimin e tij, Rama e cilëson procesin si një precedent të rrezikshëm dhe ngre shqetësime mbi ndikimin që një vendim i tillë mund të ketë në sistemin e pagave dhe ndarjen e pushteteve.

“Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit” – shkruan Rama.

Trump paralajmëroi tarifa shtesë, Macron: Të papranueshme! Asgjë nuk ndikon në qëndrimin tonë ndaj Groenlandës!

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka reaguar pasi deklaratës së Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore prej 10 përqind ndaj tetë vendeve evropiane për shkak të Groenlandës, përfshirë edhe Francën.

Macron kritikoi ashpër konkurrencën amerikane për marrëveshje tregtare që, sipas tij, “minojnë interesat tona të eksportit, kërkojnë lëshime maksimale dhe synojnë hapur dobësimin dhe nënshtrimin e Evropës”. Ai e cilësoi “thelbësisht të papranueshme” grumbullimin e vazhdueshëm të tarifave të reja, sidomos kur ato përdoren si mjet presioni ndaj sovranitetit territorial.

Sipas Macronit, evropianët janë të vetmit që nuk po mbrojnë mjaftueshëm kompanitë dhe tregjet e tyre, në një kohë kur vendet e tjera “nuk respektojnë rregullat e lojës së barabartë”.

Në fjalën e tij, presidenti francez mbrojti fuqishëm idenë e sovranitetit kombëtar, duke e quajtur atë “jo një koncept të vjetëruar”. Ai tha se ruajtja e pavarësisë dhe sovranitetit është thelbësore për të mos harruar mësimet e Luftës së Dytë Botërore, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Macron përmendi gjithashtu pjesëmarrjen e Francës në stërvitjet ushtarake në Grenlandë, duke theksuar se kjo nuk përbën kërcënim për askënd, por është një shenjë mbështetjeje për një aleat evropian, Danimarkën./abcnews.al

Kërkohej nga Britania e Madhe për vrasje/ Dorëzohet në Policinë e Tiranës 26-vjeçari shqiptar

Një 26 vjecar i kërkuar nga Britania e Madhe, është dorëzuar në Policinë e Tiranës. Bëhet fjalë për Armando Markun, ai dyshohet se është i përfshirë në një vrasje në Britaninë e Madhe.

Krimi për te cilin akuzohet është kryer në 2019. Hemawand Ali Hussein u vra në vitin 2019 në Hartlepool. Për këtë ngjarje në Bruksel në muajin dhjetor është arrestuar edhe shqiptari Sajmir Dodoveci.

Hemawand Ali Hussein u gjet i vdekur në një pronë në Hartlepool në shtator 2019 për shkak të një plage me armë zjarri.

Lidhur me vrasjen e tij janë dënuar edhe 4 persona të tjerë, përkatësisht Eugert Merizaj, 33 vjeç, me 32 vjet burg,Noza Saffari, 42 vjeç, u dënua me 15 vjet burg, Dorian Pirija, 36 vjeç, u dënua me 19 vjet burg si edhe Qazim Marku, 28 vjeç, u dënua me 19 vjet burg.

Ryanair zgjeron bazën në Tiranë dhe shton dhjetëra fluturime për verën 2026

Shtohet avioni i 4-t në bazë 400 milionë dollarë investime 20 linja të reja 50% rritje për 2026 (Verë 2026)

Ryanair, linja ajrore me kosto të ulët në Shqipëri, njoftoi sot (e martë, 20 janar) se do të shtojë në bazën e Tiranës avionin e katërt B737-800 nga prilli 2026 (investim prej 400 milionë dollarë) dhe do të hapë 20 linja të reja direkte, si Alghero, Baden-Baden, Eindhoven, Genoa, Memmingen, Parma dhe Wroclaw, përveç 23 linjave ekzistuese për sezonin Verë 2026 (gjithsej 43 linja). Ky zgjerim do të krijojë mundësinë për mbi 3,000 vende të reja pune dhe 120 pozicione me paga të larta për pilotë dhe ekuipazh kabine të Ryanair në Tiranë.

Ky investim prej 400 milionë dollarë i Ryanair në Tiranë është rezultat i drejtpërdrejtë i politikës proaktive të qeverisë shqiptare për heqjen e taksave të aviacionit dhe i rritjes së suksesshme të Aeroportit të Tiranës. Ryanair do të sjellë një rritje trafiku prej 50% dhe 4 milionë pasagjerë në vitin 2026.

Programi i Ryanair për Tiranën gjatëveres 2026 do të ofrojë:

  • 4 avionë me bazë operative– investim 400 milionë dollarë
  • 43 linja, 20 prej tyre të reja
  • Rritje trafiku në 4 milionë pasagjerë/vit (+50%)
  • Mbështetje për mbi 3,000 vende pune në Shqipëri
  • Zgjedhjen më të mirë të fluturimeve me tarifa të ulëta për qytetarët dhe vizitorët

Gjatë 5 viteve të ardhshme, Ryanair do të vijojë të investojë në Shqipëri, për ta çuar deri në 6 numrin e avionëve B737 me bazë operative në Tiranë (investim 600 milionë dollarë), duke u rritur në mbi 6 milionë pasagjerë në vit, operuar me mbi 60 linja, mbështetur mbi 4,000 vende pune deri në vitin 2030 dhe duke vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm me Aeroportin e Tiranës dhe qeverinë shqiptare përsa i përket infrastruktures dhe taksave aeroportuale.

Për të festuar avionin e 4-rt dhe 20 linjat e reja nga/drejt Tiranës për verën e 2026, Ryanair ka nisur një ofertë 3-ditore me 100,000 bileta në shitje duke filluar nga 29.99 €, të disponueshme për rezervim nga sot përmes aplikacionit Ryanair.

CEO i Ryanair, Michael O’Leary, deklaroi:

“Si linja e vetme ajrore me kosto te ulët në Shqipëri, Ryanair ka kënaqësinë të njoftojë avionin e 4-rt me bazë operative në Tiranë për S26, i cili do të zgjerojë pjesën e tregut të Ryanair në Shqipëri me 43 linja për Verën 2026, përfshirë 20 linja të reja drejt destinacioneve si Alghero, Baden-Baden, Eindhoven, Genoa, Memmingen, Parma dhe Wroclaw. Ky investim rekord prej 400 milionë dollarë dhe rritja rekord e trafikut prej 50% në 4 milionë pasagjerë për Tiranën, është rezultat i drejtpërdrejtë i politikës proaktive të Shqipërisë për heqjen e taksave të udhëtimit dhe i kostove më të ulëta të aeroportit, të mundësuara nga skemat e suksesshme stimuluese të rritjes.”

20 linjat e reja Verë 2026: Alghero, Genoa, Pescara, Baden-Baden, Liverpool, Poznan, Birmingham, Malta, Trieste, Bratislava, Memmingen, Torino, Dublin, Milano (M), Verona, Eindhoven, Napoli, Wroclaw, Gdansk, Parma.

Rritja rekord e Ryanair në Tiranë për vitin 2026 i ofron Shqipërisë një mundësi unike për t’u kthyer në tregun me rritjen më të shpejtë të trafikut ajror dhe turizmit në Europë. Ryanair planifikon të rritet në mbi 6 milionë pasagjerë në vit dhe të zgjerojë bazën deri në 6 avionë në Tiranë me një investim prej 600 milionë dollarë deri në vitin 2030, duke ofruar mbi 60 linja me tarifa të ulëta, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë politikën e taksës zero për aviacionin dhe Tirana të ruajë kostot aktuale të ulëta të aksesit përmes skemave stimuluese të rritjes.

Shefi i Operacioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, z. Piervittorio Farabbi, u shpreh:

“Zgjerimi i bazës së Ryanair në Tiranë është një dëshmi e fortë e partneritetit tonë dhe e ambicies sonë të përbashkët për rritje të qëndrueshme. Duke kombinuar rrjetin dhe eksperiencën e Ryanair me kapacitetet në rritje të shpejtë të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të nxitura nga investimet strategjike të Grupit Kastrati në infrastrukturë, teknologji dhe ekselencë operacionale, ne po krijojmë mundësi të reja për turizmin, biznesin dhe zhvillimin ekonomik në të gjithë Shqipërinë dhe rajonin.”/abcnews.al

 

Shkatërrohet organizata e drogës/ Operacioni në Shqipëri e Itali, 9 të arrestuar, 8 prej tyre shqiptarë

Një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar nga Policia italiane, duke çuar në arrestimin e nëntë personave, tetë me origjinë shqiptare dhe një shtetas italian.

Personat e arrestuar dyshohen të jenë pjesë e një organizate kriminale të strukturuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Kontrolle janë ushtruar dhe në vendin tonë me qëllim arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.

Shënojnë Laçi dhe Seferi/ Futbollistët kuqezinj shkëlqejnë në futbollin e Turqisë

Nuk ekziston vetëm Ernest Muçi. Padyshim lojtari ofensiv i Trabzonsporit është flamurmbajtësi I shqiptarëve në Turqi, veçse në ligat e këtij vendi luajnë edhe të tjerë.

Njëri prej tyre është mesfushori i kombëtares Qazim Laçi, që i dha vetes një gjysmë kënaqësi për ditëlindje.

Në një ndeshje që skuadra e tij, Rizespor, e humbi me shifrat 3-1 në fushën e Gjoztepesë, shqiptari u përpoq shumë dhe shënoi një gol që mund të quhet i vogël.

Kjo, sepse pasi tentoi të realizonte në mënyrë spektakolare, Laçi u detyrua të kënaqej me një rrjetë nga pika e bardhë.

Rizespor fitoi penallti për prekje të topit me dorë, dhe mesfushori kuqezi nuk gaboi. Ky ishte goli i tretë këtë sezon në Superligën turke, në të cilën ka edhe 3 asistë në 17 ndeshje.

Duke zbritur në Ligën e Parë turke, aty ishin protagonistë Taulant Seferi dhe Arlind Ajeti. Sulmuesi i përfaqësueses, që kohët e fundit është harruar nga Silvinjo, shënoi për Bodrumsporin, edhe pse ndeshja u humb në shtëpi ndaj Sivasporit.

Goli ishte mjaft I bukur, edhe si pasim, edhe si ekzekutim dhe ishte i 11-ti për Seferin këtë sezon.

Heroi negativ, kuptohet pa dashje, ishte Ajeti. Mbrojtësi i kombëtares synoi të shënonte një gol spektakolar, por goditi kundërshtarin dhe arbitri i dha kartonin e kuq. Kjo, jo pa u konsultuar më parë me VAR-in.

 

Një “finale” në Milano/ Inter-Arsenal është dueli kryesor i sfidave të xhiros së shtatë

Nuk është ajo klasikja e madhe europiane. Gjithsesi, një Inter-Arsenal është një sfidë e shkëlqyer e Championsit dhe në “San Siro” sonte pritet një spektakël.

Dy skuadra që janë në formë shumë të mirë në kampionatet e tyre kanë krijuar një histori të bukur me disa rezultate të shënuara.

Nuk harrohet triumfi i madh i londinezëve në Milano, me shifrat 5-1, nën udhëheqjen dhe golat e legjendës franceze Tieri Henri, të francezit tjetër Pire, apo të yjeve si Edu dhe Ljungberg.

Gjithsesi, sezonin e kaluar, Interi fitoi minimalisht 1-0, falë një goli shënuar me penallti nga Hakan Çalhanoglu.

Për fat të keq, lombardët nuk do ta kenë mesfushorin e fortë turk, që është I dëmtuar.

Bashkë me të edhe mbrojtësi holandez i krahut, Damfris, ndonëse kjo nuk e ka penguar skuadrën e trajnerit Kristian Kivu që të ketë një seri shumë të mirë në Serinë A, të cilën edhe e kryeson.

“La Gazeta delo Sport” mezi e pret ndeshjen: Ethe për 90 minuta! Champions, Interi ndaj Arsenalit për një mbrëmje të madhe!

Po “topçinjtë”?

Anglezët cilësohen favoritë për fitore ndonëse luajnë jashtë fushe, por gjithsesi parashikimet nuk I japin avantazh të madh.

Trajneri Mikel Arteta ka vetëm dy mungesa, italianin Kalafiori dhe Piero Hinkapinë, pa llogaritur Maks Doumanin.

Tifozët mund të kenë besim pasi idhujt e tyre po shkëlqejnë në çdo konkurrim.

Ata kryesojnë Premier Ligën, janë pranë finales së Kupës së Ligës në Angli, dhe kryesojnë Championsin me 18 pikë të plota, pra me 6 fitore në gjashtë ndeshje, ndërsa Interi është në vend të 6-të me 12 pikë./abcnews.al

Brahim Diaz, penalltia e polemikave/ Akuza për futbollistin e Real Madrid: Gaboi me dashje 11 metërshin

E goditi keq, apo e humbi me dashje? Është kjo pyetje që i hedh më shumë benzinë zjarrit të polemikave për finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës.

E sigurtë është vetëm që Brahim Diaz nuk do të merrte përsipër penalltinë, që do të mbetet gjatë një njollë në karrierën e tij.

Në mediat marokene, po jo vetëm ka marrë zë një teori konspirative, se ylli i Real Madrid gaboi me qëllim me “Panenkën” e tij.

Ky version mbështetet në disa fakte sipas akuzuesëve.

Sipas tyre, Brahim Diaz u urdhërua të gabonte, në mënyrë që të shuhej irritimi i tifozëve të Senegalit, që në ato momente po tentonin të hynin në fushë, duke u përplasur me forcat e sigurisë.

Por ka edhe shpjegime më sportivë.

Si përshembull, tensioni në kokën dhe këmbët e futbollistit, i aplifikuar nga koha e gjatë e pritjes, pas braktisjes së fushës nga skuadra senegaleze.

Kjo mbështetet edhe nga portieri I Senegalit, Edourd Mendy, që bëri pritjen më të lehtë, por atë të jetës.

“Të mos bëjmë shaka. Cili lojtar do të donte të gabonte një penallti në minutën e fundit dhe që do ta bënte hero të një populli. Ai mendoi se do të hidhesha, por unë prita deri në momentin e fundit”, ka thënë portieri.

Vetë Brahim Diaz ka reaguar me një postim në rrjetet sociale. Ai ka kërkuar falje për mënyrën se si zgjodhi të godasë penalltinë, duke thënë se “e ka zemrën e thyer dhe se do të bëjë maksimumin në të ardhmen për të shlyer gabimin”.

Një mision aspak i lehtë, duke ditur se polemikat për këtë finale do të vazhdojnë gjatë.

 

Senegali rrezikon titullin dhe Botërorin/ Maroku, ankesë në FIFA e CAF për finalen e Kupës së Afrikës

Tifozët vazhdojnë festën, por nuk dihet si do të jetë fundi. E vërtetë që kombëtarja e futbollit e Senegalit lumturoi popullin e saj, veçse një kërcënim I madh ka lindur për trofeun e Kupës së Kombeve të Afrikës të ngritur në stadiumin e Rabatit nga kapiteni Kulibali dhe shokët e tij.

Maroku, skuadra vendase që humbi finalen, ka bërë ankesë zyrtare në FIFA dhe në Konfederatën e Futbollit të Afrikës, duke kërkuar ose ndeshjen në tavolinë, ose përsëritjen e saj.

Argumenti më I fortë I Federatës Marokene është që Senegali braktisi finalen në sekondat e fundit të pjesës së dytë pasi arbitri Zhan Zhak Ndala dha penallti kundër miqve.

Nxitja erdhi nga trajneri Pape Çau, I cili më pas kërkoi falje për veprimin. Ndërprerja zgjati 17 minuta, dhe I vetmi që kërkoi rifillimin e lojës ishte Sadio Mane, që bindi ekipin të kthehej në terren.

Brahim Diaz e humbi penalltinë e tij në formë “Panenke”, por ankesa e marokenëve thekson se ylli i Realit u ndikua shumë nga kjo ndërprerje.

Jo vetëm ai, por të gjithë lojtarët u ndikuan negativisht. Pritet të shihet se cili do të jetë qendrimi I FIFA-s dhe Konfederatës Afrikane, ndërsa në të kaluarën kemi dy raste të tilla që kanë përfunduar keq për braktisësit.

Në Kupën e Botës në Spanjë në 1982, Kuvajti provoi të linte ndeshjen ndaj Francës i pakënaqur nga arbitri, i urdhëruar nga sheiku Fahd Al Ahmed Al Sabah, ndonëse “gjelat” fituan në fund 4-1 dhe ndeshja u mbyll.

FIFA e gjobiti Kuvajtin me mbi 14 000 USD ose mbi 1.3 milionë peseta spanjolle. Rasti i dytë ishte ai i braktisjes së ndeshjes nga Milani, në fushën e Olimpikut të Marsejës në çerekfinale të Kupës së Kampionëve në 1991.

Francezët po fitonin 1-0 pas barazimit 1-1 në “San Siro”, dhe administratori i deleguar, Adriano Galiani, nxiti italianët të largoheshin pasi ikën dritat në stadiumin “Velodrom”. UEFA ia dha kualifikimin Marsejës, ndërsa Milani u përjashtua një vit nga kupat e Europës./abcnews.al

“Arome Gruaje”/ Rrëfehet Alisa Katroshi: U përlota, kur kritika italiane, më krahasoi me mitin e operas Maria Callas

Në studion e Pas Mesnatë, sopranoja Alisa Katroshi, rrefen emocionet e gruas ne operan e dashurisë. Për vitin që lamë pas, ajo thotë se ishte ndër më të bukurat në jetën e saj ndërsa koncerti në TKOB ishte një festë më shumë se koncert për të. E vecanta e koncertit, ishte vajza e saj, vetëm 1 vjece, që e ndiqte në sallë si spektatore.

“Një nga vitet më të bukura, koncerti në TKOB ishte një festë më shumë se një koncert. Ishte një mrekulli, një përgjegjësi edhe më e madhe. Kisha frikë si do sillej, ishte shumë e interesuar, nuk qau në asnjë moment. Në shtëpi, kur këndoja para saj, ariet që i pëlqenin qeshte dhe tundte kokën. Në Shqipëri, nuk kemi një kritikë të mirëfilltë, pas një shfaqje operestike. Pas një opere, në botë shumë gazeta shkrujanë për të.” -u shpreh ajo.

Formimi i Alisa Katroshit mes Shqipërisë dhe Italisë ka ndikuar fuqishëm në identitetin e saj artistik. Pikërisht në Itali ajo ka përjetuar një nga emocionet më të forta të karrierës, kur kritika italiane e krahasoi me mitin e operës botërore, Maria Callas.

Për Alisa Katroshin, opera nuk është thjesht muzikë, por një rrëfim i thellë njerëzor. “Dashuria është forca më e madhe që ndryshon njeriun dhe botën”, përfundon ajo, duke lënë në skenë dhe në publik aromën e përjetshme të gruas që dashuron./abcnews.al

“Reformat, ju presim deri javën e ardhshme”, Balla: Ëndrrat në diell thuaja krushqve në orën 6 se me ne ke mbaruar punë

Ndërsa mori fjalën në seancë plenare, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh i qartë me opozitën kur tha se kanë kohë deri javën e ardhshme për t’u ulur sa i takon reformës territorial dhe asaj zgjedhore në të kundërt maxhoranca do të veprojë e vetme.

“Sa i përket objektivave, dëgjojeni mirë kohë për të humbur me ju ne kemi zero. Nguliteni mirë. Doni të vini të bëjmë reformën administrative territoriale jeni të mirëpritur nëse deri në javën e ardhshme nuk paraqiteni në komision ne do të bëjmë ndryshimin e vendimit sepse po shkelni në mënyrë të njëanshme.

Doni reformë zgjedhore, jeni të mirëpritur deri javën e ardhshme, nëse nuk vini, në 2014 e kemi bërë edhe pa ju reformën administrative, në 2020 e kemi bërë edhe pa ju reformën zgjedhore. Tre gjëra mbajini mirë në mend, zgjedhjet e ardhshme lokale janë diku në mes 15 prillit dhe 15 majit 2027.

Zgjedhjet e përgjithshme janë diku mes 15 prillit dhe 15 majit 2029 këto ëndrrat në diell shko thuaja atyre krushqve tani në orën 6 se me ne ke mbaruar punë. Ti edhe qyqarët që të vijnë nga mbrapa.” u shpreh Balla./abcnews.al

“Shqipëria sot në një fazë të re”, Peleshi: Axhenda integruese në BE, do të jetë kryefjala e këtij sesioni

“Axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri”, kështu u shpreh kryeparlamentari Niko Peleshi, në nisje të seancës plenare, e para për këtë.

Fjala e Kreut të Kuvendit, Niko Peleshi: 

“Në këtë Kuvend na ka sjellë besimi i qytetarëve nga të gjitha anët e vendit.

Ata presin që ne të mbajmë parasysh interesat e tyre dhe interesat e vendit, kur propozojmë apo miratojmë ligje.

Të rinjtë duan të binden se e nesërmja për ta është më e mirë këtu sesa çdo opsion tjetër.

Të moshuarit duan të sigurohen se mundi i viteve të punës do të shpërblehet me ditë të bardha.

Qytetarët, në qytet apo në fshat, kërkojnë siguri dhe standarde gjithnjë e më të mira të shërbimeve publike dhe të infrastrukturës.

Axhenda integruese në Bashkimin Europian, që do të jetë kryefjala edhe në këtë sesion të ri, ka potencial të jashtëzakonshëm për të dhënë përgjigje ndaj sfidave të shoqërisë shqiptare dhe për t’u kthyer në një narrativë kombëtare entuziaste.

Ky sesion nuk është thjesht vazhdim i një kalendari.

Është një provë e dytë – provë e pjekurisë sonë parlamentare, e standardeve që pret shoqëria prej nesh dhe e aftësisë për ta kthyer momentin europian të Shqipërisë në ligje të mira, institucione më të forta dhe një dialog politik më dinjitoz.

Gjatë sesionit të parë u përballëm me një ngarkesë të konsiderueshme pune dhe një axhendë të ngjeshur ligjvënëse e mbikëqyrëse.

Por, le ta pranojmë me sinqeritet, krahas volumit të punës, kemi pasur shpesh edhe një ngarkesë të tepruar politike, larg funksionit tonë dhe larg nevojave reale të qytetarëve.

Kjo është arsyeja pse sesioni që çelim sot kërkon një kthesë të vogël në stil dhe një kthesë të madhe në rezultate.

Në vitin që vjen do të ketë më shumë ligje për të shqyrtuar, më shumë detyra për komisionet, më shumë raporte dhe kontroll, më shumë monitorim të reformave dhe më shumë pritshmëri nga publiku. Do të ketë edhe më shumë sfida politike, por detyra jonë është ta mbajmë Kuvendin në rolin e vet: një institucion që prodhon zgjidhje dhe standarde, jo zhurmë.

Gjatë sesionit të kaluar zhvilluam 18 seanca plenare, miratuam 41 ligje dhe 59 vendime. U zhvilluan 2 interpelanca dhe 2 mocione me debat. Deputetët e shumicës mbajtën 229 diskutime me kohëzgjatje rreth 40 orë, ndërsa deputetët e opozitës 330 diskutime me kohëzgjatje rreth 48 orë.

Falënderoj të gjithë kolegët deputetë, administratën parlamentare dhe strukturat mbështetëse, sepse, pavarësisht tensioneve, ky Kuvend ka vijuar të funksionojë, të vendosë dhe të prodhojë.

Por këtë vit na duhet diçka më shumë: më shumë fokus dhe më shumë disiplinë ndaj axhendës europiane.

Një parlament europian nuk matet vetëm me numrin e ligjeve që miraton, por edhe me kulturën që përçon.

Ne nuk mund të kërkojmë standarde europiane nga shoqëria, nëse brenda kësaj salle nuk vendosim standarde të reja të sjelljes dhe të respektit institucional.

Për këtë arsye, dua ta ritheksoj qartë: gjuha e urrejtjes, fyerjet, personalizimi i debatit, nënçmimi dhe përbaltja nuk mund të normalizohen dhe nuk mund të shiten si “politikë e fortë”.

Nuk janë forcë. Janë dobësi. Një dobësi që parlamentet e vendeve të Bashkimit Europian e kanë lënë pas prej dekadash.

Si Kryetar i Kuvendit, do të vazhdoj ta ushtroj detyrën me përkushtim dhe paanësi, me bindjen se shumica dhe pakica dallojnë nga fuqia vendimmarrëse, por jo nga të drejtat, jo nga mundësitë për të folur, jo nga qasja në proces dhe jo nga respekti institucional që meriton secili deputet.

Kjo është baza e një Kuvendi që fiton autoritet. Europa ka qenë fokusi kryesor i veprimtarisë sonë dhe do të mbetet i tillë.

Shqipëria sot është në një fazë të re: faza ku nuk flasim më vetëm për “rrugëtim”, por për “hyrje”. Nga proces integrimi, në proces anëtarësimi.

Ky ndryshim kërkon më shumë përgjegjësi, më shumë koordinim institucional dhe një konsensus politik më të gjerë për çështjet strategjike.

Objektivi ynë është i qartë: mbyllja e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi brenda kësaj dekade.

Në këtë kuadër, Kuvendi duhet të bëjë dy gjëra njëkohësisht:

– të përshpejtojë përafrimin ligjor, pa komprometuar cilësinë e ligjit;

– të rrisë kontrollin mbi zbatimin, sepse në Bashkimin Europian nuk mjafton të miratosh, duhet të provosh se ligji funksionon.

Kjo do të thotë që sesioni i ri duhet të jetë sesioni ku kontrolli post-legjislativ bëhet praktikë e qëndrueshme: ligjet të maten jo vetëm në sallë, por në terren – te qytetari, te biznesi, te shërbimi publik.

Gjatë sesionit të kaluar vijoi bashkëpunimi funksional me institucionet e pavarura dhe u përmbyll raportimi i 27 institucioneve.

 

Kjo nuk është një rutinë proceduriale. Është mënyra se si Kuvendi mban gjallë ekuilibrat kushtetues dhe garanton që institucionet të funksionojnë si mbrojtës të interesit publik.

Mbështetja ndaj institucioneve të drejtësisë mbetet e palëkundur.

Sot kemi një drejtësi të re, të pangjashme me atë të trashëguar.

Kuvendi ka një rol kyç në sfidën për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies.

Sesioni që nisim sot do të udhëhiqet nga disa drejtime të qarta pune:

  • Axhenda e integrimit europian si prioritet i padiskutueshëm

Projektligjet e përafrimit, reformat për shtetin e së drejtës, antikorrupsionin, të drejtat themelore, lirinë e medias, transparencën dhe mirëqeverisjen do të kenë trajtim të përshpejtuar, por edhe filtrin e cilësisë.

  • Diplomacia parlamentare si rrjet besimi për anëtarësiminDiplomacia parlamentare do të jetë më aktive, më e koordinuar dhe më e pranishme, sepse procesi i anëtarësimit është edhe proces besimi, ku sfida më e madhe nuk është vetëm përafrimi teknik, por ratifikimi final nga të gjitha shtetet anëtare.
  • Mbikëqyrje më e fortë, më e dobishme, më pak formale

Kuvendi do të rrisë kërkesën për llogaridhënie, me më shumë mekanizma kontrolli dhe me më shumë vlerësim të ndikimit real të ligjeve dhe politikave publike.

  • Modernizimi dhe transparenca-Kuvendi i hapur 24/7

Teknologjia nuk është luks, por mjet për ta sjellë Kuvendin më pranë qytetarëve: arkivim, indeksim dhe transmetim më të mirë e më të kuptueshëm të punimeve parlamentare, konsultim publik më të aksesueshëm, gjurmim të akteve dhe një kulturë të re transparence që e bën Kuvendin të lexueshëm për publikun.

Të gjitha këto sot i bën të mundura teknologjia, me më shumë lehtësi dhe cilësi.

Të nderuar kolegë deputetë,

Na pret një volum i madh pune. Por ky volum është privilegj dhe përgjegjësi, sepse kemi në dorë një kapitull historik: ta afrojnë Shqipërinë me Europën jo vetëm si aspiratë, por si standard.

Në fund të kësaj legjislature, Kuvendi duhet të jetë më i respektuar, më funksional, më i hapur dhe më europian në etikë, në procedurë, në cilësinë e debatit dhe në shërbimin ndaj qytetarëve.

Përballë sfidave të mëdha kombëtare nuk jemi thjesht shumicë apo opozitë. Jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, që duhet të ecë me dinjitet drejt të njëjtit destinacion: Shqipërisë anëtare të Bashkimit Europian.

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në këtë sesion parlamentar.

Nga Ramaduro, duro Ramën/ Berisha: Tani do bjerë vetë

Nga Rama Duro, ne Duro Ramen. Ftesa e Trump në Bordin e Paqes rrëzoi shpresat e rrëmbimit të kryeministrit nga ‘Deltat Amerikane’, por për Berishën ka ende shpresë, u tha demokratëve se me apo pa Tramp, Rama po bie vetë.

“Asgjë nuk e shpëton atë nga rrokullima e madhe. Këtë mund t’u them. Ai është në procesin e rrokullimës së madhe”, tha Berisha.

Pra Rama po bie, por kur iken? Berisha nuk e ka një përgjigje tani, demokratët do duhet të presin fundjavën e radhës.

“Asnjë përgjigje përveç asaj që do i japin shqiptarët më 24 janar. Kjo është përgjigja ime,” – u shpreh ai.

Lapaj ishte betuar se do e rrëzonte Ramën të shtunën e kaluar, Berisha ka zënë radhë ta rrëzojë këtë të shtunë.

Cdo protestë ka të njëjtin refren, vetëm se Berisha këtë të hëneë pranoi përfundimisht, se në Shqipëri nuk ka më RamaDuro por thjesht

“Ky është thjesht Edi Rama” – tha ai.

BE në bllok kundër Trump/ Gati kundërmasat pas tarifave ‘Grenland’

Ambasadorët e Bashkimit Europian arritën të dielën një marrëveshje për të rritur përpjekjet për të bindur presidentin ameirkan Donald Trump që të mos vendosë tarifa, ndërsa përgatiten gjithahstu masa hakmarrëse nëse ai nuk heq dorë nga goditja ekonomike.

Ushëheqësit e unionit do të diskutojnë opsionet në një samit që mbahet të enjten. Një ngë kundërmasat që konsiderohet është një paketë tarifash mbi 93 miliardë euro të importeve amerikane që mund të hyjnë automatikisht në fuqi më 6 shkurt pas një pezullimi gjashtëmujor.

Masa tjetër është edhe më ekstreme, deri tani e papërdorur ndonjëherë. “Instrumenti Anti-Detyrim”, i cili mund të kufizojë aksesin në tenderët publikë, investimet ose aktivitetin bankar ose të kufizojë tregtinë e shërbimeve, në të cilat SHBA kanë një suficit me bllokun, duke përfshirë shërbimet dixhitale.

Një burim pranë Presidentit francez Emmanuel Macron tha se ai po nxit aktivizimin e këtij mekanizmi.  Megjithatë paketa e tarifave duket se ka marrë mbështetje më të gjerë si një përgjigje e parë sesa masat anti-detyrim.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili kryeson samitet e bllokut, tha në një postim në rrjetet sociale se konsultimet e tij me anëtarët e unionit kishin treguar angazhimin e tyre të fortë për të mbështetur Danimarkën dhe Groenlandën dhe gatishmërinë për t’u mbrojtur kundër çdo forme ndëshkimi.

Donald Trump u zotua të zbatojë tarifa prej 10%, të cilat më vonë mund të rriten në 25%, ndaj Danimarkës, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Holandës dhe Finlandës, së bashku me Britaninë dhe Norvegjinë, derisa SHBA t’u lejohet  të blejnë Groenlandën./abcnews.al

Eventet e mëdha sportive, në Digitalb/ 15 kanale sportive në platformë, kampionatet më të rëndësishme të futbollit

Viti 2026 ka nisur i magjishëm në DigitAlb, që si asnjëherë më parë e askush në botë sjell paketën më të plotë sportive. Kampionatet më elitare dhe komepticionet më të rëndësishëm në kontinent vijnë ditë pas dite në shtëpitë e të gjithë shqiptarëve me një maratonë transmetimi që nuk ndal për asnjë moment, në 15 kanale të dedikuara për sportin. Premier League, La Liga, Serie A, Ligue 1, Bundesliga, Eredivise, gjashtë ligat më të magjishme të futbollit në botë ndërtojnë vetëm kopertinën e një pakete e cila sjell gjithçka për këdo, e kudo në botë me Aplikacionin DigitAlb, krahas paketave tokësore dhe satelitore.

Champions League bashkohet përsëri me Europa dhe Conference League, duke ndërtuar mozaikun më të madh të futbollit europian, me përballjet me emblematike dhe sfidat e gjigantëve të futbollit ndërkombëtar.

Kombëtarja e Shqipërisë dhe Përfaqësuesja e Kosovës kanë patur e do të kenë gjithnjë në rrugën e tyre DigitAlb, që udhëton çdo herë me ekipet kombit, në realizimin e ëndrrave për të shkuar sa më larg. Pa dyshim dhe ekipet më elitare Kombëtare vijnë gjithmonë në rrugëtimin e tyre në Ligën e Kombeve dhe kualifikueset europiane.

Për të kompletuar buqetën futbollistike, DigitAlb sjell edhe Superligën e Turqisë, atë të Greqisë, kampionatin arab të Cristiano Ronaldos, elitën e futbollit zviceran, pa harruar dhe Championshipin anglez. Të gjitha Kupat e Anglisë, Spanjës, Italisë, Francës, Holandës, Gjermanisë, Turqisë e Arabisë janë po ashtu pjesë e kësaj panorame të paimagjinueshme më parë.

Por, krahas futbollit që mbetet dashura më e madhe shiqptarëve, DigitAlb ka menduar dhe për të pasionuarit e Formula 1, që sjell ekskluzivisht emocionet garave me makina. Nuk do të mungojnë as eventet më të rëndësishëm të tenisit, emocionet e NBA, garat e Moto GP, sfidat e mëdha të UFC, por dhe duelet e boksierëve shqiptarë në misionin e tyre ndërkombëtar.

Për të gjithë abonimiet Premium 12 Mujore, vijon oferta e pabesueshme me zbritje deri në 35%. DigitAlb, ju pret në cdo pikë shtje të autorizuar, kudo në Shqipëri dhe jashtë saj, si dhe në çdo kohë,  në faqen zyrtare www.digitalb.al.

Milan fiton me Jasharin/ Kuqezinjtë mundin rivalin Lecce, kreu i Serisë A, 3 pikë larg

U duk si një nga ato mbrëmjet e mallkuara. Milani bëri shumë, madje më shumë sesa duhej, por fitorja në “San Siro” ndaj Leçes mbeti larg derisa trajneri Alegri bëri një lëvizje.

Në fushë u hodh sulmuesi gjerman, Niklas Fylkrug, dhe gjigandi prej gati 1.9 metrash shtatlartësi, çliroi të vetët dhe rreth 75 000 tifozë në impiantin e famshëm të Lombardisë.

Ylli I marrë hua nga Uest Hemi bëri atë që duhet të bëjë një numër 9, ndërsa la pas vjedhjen e shtëpisë me vlerë rreth 500 000 euro.

Sfida e Serisë A ndaj Leçes, që kishte titullar Ylber Ramadanin, do të mbahet mend edhe për debutimin si titullar në shtëpi të Ardon Jasharit, shqiptarit të Zvicrës, që u mor me luftë të madhe në verë, kundrejt një shpenzimi që do të shkojë deri në 39 milionë euro.

Ylli me origjinë nga Maqedonia nuk zhgënjeu dhe ishte një nga më të mirët në fushë, për 87 minuta derisa u zëvendësua nga Luka Modriç.

Kamera e klubit nuk mund të mos e kishte pas ndeshjes.

“Mendoj se çdo ndeshje është e vështirë në këtë ligë. E tillë ishte edhe kjo, por mendoj se e merituam fitoren. Mendoj se duhej të kishim fituar më thellë, por në fund të fundit kjo nuk ka rëndësi. I lumtur për Niklasin që shënoi golin e parë, I lumtur për ekipin. Le të vazhdojmë kështu. Jam krenar të vesh këtë fanelë, dhe kjo ishte ndeshja ime e parë si titullar në “San Siro”. Dua vetëm të ndihmoj  ekipin me stilin tim, dhe shpresoj të vazhdoj kështu. I lumtur për fitoren. Le të vazhdojmë kështu”.

Suksesi bëri që Milani të jetë tërësisht në garë për titull në Serinë A, duke mos lejuar arratisje të rivalit zikaltër. “Shiko çfarë nënte, – thërret “La Gazeta delo Sport”, – gjermani hyn dhe palos Leçen. Me kokë Fylkrug, Milani kthehet në -3 nga Interi!”

“Në maksimum, – është titulli I “Il Korriere delo Sportit”, që bën lojë fjalësh me emrin e trajnerit Masimiliano Alegri, – një finale prej Milanim mendon Fylkrug. Interi kapet sërish, është në -3!”

Inter kryeson Serinë A me 49 pikë, Milan e ndjek me 46, ndërsa Napoli  e Roma janë diçka më prapa./abcnews.al

❌