Berisha: SPAK ka shtuar akuzat ndaj meje, jep konkluzione alogjike
TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së, për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të prokurorisë theksoi se ndaj tij është shtuar akuzë fakti që fëmijët e tij kanë përfituar nga privatizimi i banesave.
“Sa për t’ju informuar, se në akuzat kundër Sali Berishës rezulton edhe fakti se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë duke qëndruar në pushtet gjer në vitin 1997, shtetasit Malltezi, që në atë kohë nuk kanë asnjë lidhje me dosjen “Partizani”, konstatohet se kanë filluar investimet në përfitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme.
“Tani dëgjojeni se cilat janë pasuritë: Referuar deklaratave të dorëzuara në ILDKP të pasurisë, konstatohet se shtetasja Argita Malltezi ka evidentuar në deklaratën e saj për vitin 1993 pronësinë vetëm të një apartamenti banimi me sipërfaqe 77 metra katrorë në rrugën “Myzeqari”, përfituar nga privatizimi, pjesa që zotëron një e treta e apartamentit.
“Gjithashtu Sali Berisha deklaron se zotëron një apartament 3 plus 1, të privatizuar, të drejtë reale zotërojnë bashkëjetuesit, bashkëshortja dhe djali. Tani kjo, se vajza ime dhe djali im, në përputhje me ligjin, vajza ime ka zotëruar një të tretën e apartamentit siç i takonte në atë kohë, sepse ishte mbi 18 vjeç dhe ligji i privatizimit të banesave parashikonte që fëmijët mbi 18 vjeç të përfitojnë. Kjo është dhënë si një akuzë për korrupsion nga prokuroria politike”, tha Berisha.
Sipas Berishës, prokuroria jep konkluzione që jo vetëm nuk kanë lidhje me faktet, por janë alogjike.
“Për shembull, Prokuroria e Posaçme në mënyrë që të rëndojë sa më shumë faktet, pavarësisht se nuk jep natyrë penale, shprehet se pasi në vitin 1992, shtetasi Sali Berisha është zgjedhur president duke qëndruar në pushtet deri në vitin 1997, shtetasit Malltezi konstatohet se kanë filluar investime për fitim të drejtash mbi pasuri të paluajtshme. Shtetasit Malltezi kanë përfituar siç kanë përfituar 1 milion shqiptarë nga privatizimi i banesave. Në atë kohë që të dy nuk kanë qenë kryefamiljarë, por kanë qenë anëtarë të familjeve që kanë privatizuar në përputhje me Ligjin 7652”, tha Berisha.
Berisha shtoi se kjo është e reja e akuzës së ish-kreut të SPAK, Altin Dumanit.
Gjatë fjalës së tij Berisha bëri të ditur se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese masën e Apelit të GJKKO “detyrim paraqitje”. Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese u mblodh në seancë plenare për masën e tij, por nuk shpalli vendim.
“Njoftimi u mor sepse avokati im bëri shkresë dhe kërkoi njoftim se çfarë vendimi morët. Po meqenëse votat nuk u dolën për vendimin që donin, atëherë thanë se nuk kishte seancë, dhe do mblidhen në seancë plenare. Këta ishin në seancë plenare. Këta tregojnë se janë një grup mjeranësh, organizatë e mirëfilltë e PS-së, gjykatë e turpit që vepron në këtë mënyrë”, tha Berisha.
Berisha dënoi gjithashtu edhe “dhunën policore ndaj protestës së organizuar nga “Shqipëria bëhet” e Adriatik Lapajt”.
“E kam dënuar me forcën më të madhe që dje. Akt i shëmtuar. Edi Rama i tmerruar nga çdo protestë, sepse çdo protestë iu kujton shqiptarëve dhe botës se Ramaduro është në pushtet”, tha ai.
I pyetur lidhur me zgjedhjen e Klodian Brahos si drejtues i ri i SPAK dhe qëndrimin e Partisë Demokratike, Berisha theksoi se opozita do ta vlerësojë çdo drejtues apo punonjës të institucioneve të drejtësisë në bazë të respektimit të ligjit.
“Drejtuesi i ri, e thashë dhe një herë, çdo drejtues dhe punonjës i këtij institucioni që zbaton ligjin, ka dhe do të ketë vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare”, tha Berisha.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
/m.q/r.e/a.f/
The post Berisha: SPAK ka shtuar akuzat ndaj meje, jep konkluzione alogjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.