TIRANË, 15 janar/ATSh/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali deklaroi sot nga Kievi se “drejtësia për viktimat, mbajtja e përgjegjësisë për agresorin dhe rivendosja e plotë e sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nuk janë të negociueshme”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Kiev me homologun ukrainas, Sybiha, kryediplomatja shqiptare u shpreh se këto janë parakushte për paqen.
“Prej gati katër vitesh, Ukraina po përballet me një luftë të pajustifikuar dhe të paprovokuar agresioni, shkaktuar nga Federata Ruse, e cila vazhdon të sjellë shkatërrim, vuajtje dhe humbje. Gjithsesi, nuk ia ka dalë të mposhtë vullnetin dhe shpirtin e popullit ukrainas”, u shpreh ajo.
Spiropali theksoi se “ndërsa dimri ashpërsohet, Ukraina po përballet sërish së fundmi me sulme brutale dhe të qëllimshme të Rusisë ndaj sistemeve energjetike, instalimeve të ngrohjes dhe infrastrukturës tjetër kritike”.
Kjo, sipas saj, ka detyruar miliona ukrainas të luftojnë për përditshmërinë e tyre ekzistenciale, për të pasur shtëpi të ngrohta, spitale funksionale dhe shërbime thelbësore operative.
“Këto sulme janë të paprovokuara, të pajustifikuara dhe të kryera në shpërfillje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe dinjitetit njerëzor, duke rrezikuar qëllimisht jetën e civilëve dhe duke goditur infrastrukturën kritike. Goditjet masive, përfshirë përdorimin e raportuar të një rakete balistike me rreze të ndërmjetme, përfaqësojnë një përshkallëzim shumë më të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm”, u shpreh Spiropali.
Ato, sipas saj, “synojnë jo vetëm të terrorizojnë dhe të thyejnë shpirtin e popullit ukrainas, por edhe të dërgojnë një mesazh kërcënues përtej kufijve të Ukrainës”.
Spiropali theksoi se veprime të tilla rrezikojnë sigurinë e të gjithë rajonit dhe vazhdojnë të minojnë stabilitetin global.
“Shqipëria i dënon këto krime pa asnjë rezervë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim, asnjë paqartësi përballë një agresioni kaq brutal. Ata që janë përgjegjës për këto mizori, duhet mbajnë përgjegjësi të plotë. Mosndëshkimi nuk është opsion”, shtoi ajo.
Kryediplomatja shqiptare nënvizoi se Shqipëria ka qenë një mbështetëse e qëndrueshme dhe e palëkundur e Ukrainës që nga fillimi i agresionit të paprovokuar të Rusisë.
“Ne jemi rreshtuar plotësisht me sanksionet dhe masat kufizuese të BE-së, si edhe me ato të organizatave të tjera ndërkombëtare, kemi mbështetur integrimin evropian të Ukrainës dhe kemi përkrahur të gjitha nismat për pezullimin e Rusisë nga organizatat ndërkombëtare. Në mbështetjen tonë, nuk jemi kushtëzuar nga përmasat e dimensionit tonë gjeografik, por nga qartësia e qëllimeve, vlerave, kontributeve dhe veprimeve tona”, u shpreh Spiropali.
Si çdo komb tjetër demokratik dhe i qytetëruar që e çmon paqen, Spiropali theksoi se “ne dëshirojmë që vuajtjet të marrin fund dhe të nisë rindërtimi, në mënyrë që fëmijët të mund të flenë pa frikë”.
“Por, për ta arritur këtë, është thelbësore një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme. Shqipëria mirëpret përpjekjet ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump, të Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerëve që sinqerisht kërkojnë një zgjidhje që nderon sakrificat e jashtëzakonshme të Ukrainës. Çdo nismë që na afron realisht drejt përfundimit të kësaj lufte meriton angazhimin tonë”, theksoi ajo.
Gjithsesi, Spiropali theksoi se “një paqe e drejtë do të thotë garanci reale sigurie”.
“Një paqe e drejtë do të thotë kthimi në shtëpi i fëmijëve të rrëmbyer, kthimi i të burgosurve, hetimi dhe ndjekja penale e krimeve të luftës dhe mbajtja e përgjegjësisë nga ana e agresorit. Me sytë nga e ardhmja, besoj se është po aq e rëndësishme të shohim përtej fushëbetejës. Të fillojmë që tani të projektojmë të ardhmen e Ukrainës. Kjo e ardhme përcaktohet nga perspektiva jonë e përbashkët si anëtarë të ardhshëm të familjes evropiane”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, Spiropali siguroi se Shqipëria do ta mbështesë këtë vizion. “Ne do ta mbështesim pa asnjë hezitim rrugën evropiane të Ukrainës në çdo forum shumëpalësh dhe jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë, përfshirë punën teknike të negociatave dhe reformave”, u shpreh ajo.
“Sot zhvilluam diskutime të sinqerta dhe konstruktive edhe sa i takon mënyrave për të avancuar marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të harmonizuar më tej lidhjet tona të forta politike me një bashkëpunim më të fuqishëm në shumë fusha. Bashkërisht ramë dakord që, pavarësisht vështirësive, të përqendrohemi në mundësitë për tregti dhe investime, edhe në rrethana të jashtëzakonshme; Kontakte më të thella ndërmjet komuniteteve të biznesit; Bashkëpunim në sektorë ku Shqipëria dhe Ukraina mund të krijojnë vlerë të shtuar, si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe teknologjia”, theksoi Spiropali.
Po ashtu, ajo theksoi se do të inkurajohen kontakte më të ngushta mes njerëzve dhe do të thellohet bashkëpunimi në kulturë, arsim, shkencë dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Në këtë drejtim, Spiropali vlerësoi shumë rolin e konsoliduar prej vitesh të komunitetit të diasporës shqiptare në Ukrainë, e cila shërben si një urë e rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona.
“Diskutuam edhe për gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në projektet e pasluftës dhe në rindërtim, në koordinim me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare. Ukraina po shkruan një nga historitë e mëdha të kohës sonë, një histori rezistence, dinjiteti dhe refuzimi për t’u dorëzuar përballë tiranisë. Shqipëria është krenare të jetë pjesë e kësaj historie, si një mike që zgjodhi të qëndrojë në krahun tuaj në momentet vendimtare. Dhe do të vazhdojmë të jemi, për sa kohë të kërkohet, sepse nuk mund të jesh neutral mes zjarrit dhe zjarrfikëses. Nuk ka terren të mesëm moral mes një kombi që lufton për mbijetesën e tij dhe një lufte perandorake që synon ta fshijë atë nga ekzistenca”, u shpreh Spiropali.
/m.m/a.f/r.e/
The post Spiropali: Drejtësia për viktimat dhe rivendosja e sovranitetit të Ukrainës parakushte për paqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.