Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rama: Mijëra jetë të shpëtuara përmes ndërhyrjeve në Kardiologjinë e QSUNT

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Shërbimi i Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza”, gjatë vitit të kaluar ka shpëtuar mijëra jetë përmes ndërhyrjeve jetike.

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje shifrat e referuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Prej muajit janar deri në dhjetor 2025 në Shërbimin e Kardiologjisë janë kryer 599 implantime aparaturash kardiake (pacemaker, CRT-D, CRT-P, defibrilatorë intrakardiakë të implantueshëm) si dhe 143 angioplastika të planifikuara me stent.

Gjithashtu, Kryeministri Rama informon se janë kryer 2,941 procedura PCI dhe koronarografi, nga të cilat 1,366 urgjenca, ndërhyrje në momentet më kritike për jetën.

Kreu i Qeverisë, falënderon çdo mjek, infermier dhe profesionist shëndetësor që qëndron çdo ditë në vijën e parë të kujdesit.

Shërbimi i Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ofron kushte dinjitoze dhe trajtim me teknologji moderne për çdo pacient.

/e.i/j.p/

The post Rama: Mijëra jetë të shpëtuara përmes ndërhyrjeve në Kardiologjinë e QSUNT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Miratimi i 41 vendeve vakante nga KLGJ, hap pozitiv për uljen e stokut të dosjeve

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përshëndeti vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit.

Lamallai theksoi se ky është një hap konkret që i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të dhënies së drejtësisë.

Sipas ministrit Lamallarit, ky vendim i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të procesit të dhënies së drejtësisë, një nga problematikat më të ndjeshme me të cilat përballet sot sistemi gjyqësor në vend.

“E shtrova nevojën e kësaj ndërhyrjeje edhe në takimin e së hënës për nisjen e vitit të ri gjyqësor. Shtimi i kapaciteteve dhe forcimi i burimeve njerëzore në sistemin tonë të drejtësisë nuk është thjesht një masë administrative, por një zgjedhje politike në funksion të qytetarëve, për një drejtësi më efikase, më të shpejtë dhe më të besueshme. Sigurisht edhe me standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi Lamallari.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas analizimit të situatës së sistemit gjyqësor dhe mundësive që ka Shkolla e Magjistraturës, miratoi numrin prej 10 kandidatë për magjistratë, profili gjyqtar dhe 6 kandidatë për ndihmës ligjorë në Gjykatat e Apelit dhe 35 kandidatë për ndihmës ligjorë në Gjykatat e Shkallës së Parë që do të pranohen në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2026-2027.

/m.q/j.p/

The post Lamallari: Miratimi i 41 vendeve vakante nga KLGJ, hap pozitiv për uljen e stokut të dosjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – SHBA-ja pritet të goditet nga një tjetër stuhi “bombë”

UASHINGTON, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Ndërsa Bregu Lindor i SHBA-së është ende duke u rikuperuar nga stuhia vdekjeprurëse dimërore fundjavën e kaluar, disa shtete në juglindje të vendit tashmë po përgatiten për një tjetër stuhi të fuqishme.

“Një sistem i presionit të ulët atmosferik, pranë bregdetit pritet të kthehet në një “ciklon bombë” – një stuhi dimërore që po intensifikohet në mënyrë shpërthyese”, tha sot Shërbimi Kombëtar i Motit.

Priten reshje të dendura dëbore dhe erëra me forcë uragani. Karolina e Jugut dhe ajo e Veriut, një pjesë e Xhorxhias dhe Virxhinias kanë të ngjarë të preken veçanërisht nga stuhia.

Sipas raporteve të medias amerikane, meteorologët presin valë stuhie, valë të rrezikshme dhe dëmtime të mundshme të ndërtesave në rajonet bregdetare të Karolinës së Veriut.

Lokalisht, reshjet e dëborës mund të arrijnë nivele që normalisht do të shiheshin gjatë një viti të tërë.

Pas stuhisë, ajri i ftohtë arktik po përfshin sërish jugun. Deri sot në mëngjes, temperaturat do të shënojnë nën zero gradë Celcius, në disa pjesë të Floridës së Jugut.

“Këto nivele temperaturash u matën për herë të fundit në fund të viteve 1980”, sipas shërbimit të motit.

Autoritetet po paralajmërojnë për temperatura të ftohta për shkak të erës – duke rritur rrezikun e hipotermisë dhe ngrirjes.

Stuhia e re vjen pas të ftohtit ekstrem dhe reshjeve të dendura të borës, fundjavën e kaluar, të cilat, sipas raportimeve të medias, shkaktuan vdekjen e të paktën 85 personave në disa shtete të SHBA-së.

Qindra mijëra familje në shumë vende janë ende pa energji elektrike. Disa shtete kanë shpallur ose zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme dhe i kanë bërë thirrje popullsisë të shmangë udhëtimet dhe të përgatitet për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike. //a.i/

The post METEO – SHBA-ja pritet të goditet nga një tjetër stuhi “bombë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beci: Shkodra, “yll i ri në ngjitje” në turizmin e qirave afatshkurtra

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Shkodra po shfaqet si një destinacion në rritje për turistët dhe bizneset e qirave afatshkurtra.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, teksa ndau të dhënat e një raporti të publikuar nga revista “Monitor”, theksoi se këto të dhëna tregojnë një rrugëtim të qartë drejt suksesit për qytetin.

“Shkodra, “yll i ri në ngjitje”, kështu e ka titulluar Revista Monitor seksionin për Shkodrën në analizën e të dhënave të Airbnb mbi apartamentet me qira afatshkurtër.

“Një numër turistësh në rritje, të ardhura të kënaqshme dhe një dyfishim i njësive të disponueshme brenda vetëm një viti. Paralelisht rritja e numrit të bizneseve aktive e bën panoramën edhe më inkurajuese për ekonominë lokale në Shkodër”, shkruan Beci duke iu referuar shifrave të publikuara nga revista.

Beci shkruan se “këto të dhëna mund të mos i përshtaten narrativës së ndonjë deputeti të opozitës që flet për “mbyllje masive” biznesesh në Shkodër, por ky nuk është problemi ynë”.

Beci shtoi se faktet janë kokëforta pasi Shkodra sapo e ka nisur rrugëtimin e saj drejt suksesit dhe ka të gjitha arsyet për të besuar se do të shkojë atje ku i takon.

/m.q/j.p/

The post Beci: Shkodra, “yll i ri në ngjitje” në turizmin e qirave afatshkurtra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Homazhe për aktorin Fitim Makashi, nderim njeriut dhe kontributit në kulturën shqiptare

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ U mbajtën sot në mjediset e teatrit “ArtTurbina” në Tiranë homazhet në nderim të aktorit Fitim Makashi i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 82-vjeçare.

Personalite të kinemasë, teatrit e jetës publike sikundër edhe miq e dashamirës të artit nderuan kujtimin e tij dhe trashëgiminë për artin dhe kulturën shqptare.

Në ceremoni, familjarët mes te cilëve djali i aktorit, këngëtari Redon Makashi shprehën falënderimin për të pranishmit.

Duke folur për gazetarët për ndarjen nga jeta të të atit, Redon Makashi u shpreh se prania e miqve dhe të afërmve të babait ia lehtëson sadopak dhimbjen ndërsa tregoi se Fitim Makashi ndihej më mirë në vendin e vet, mes miqve të tij, pavarësisht se shkoi në SHBA për të ndjekur ëndrrën e tij.

“Brezi i tim eti ka qenë një brez që nuk kthehet më. Sinqeriteti i tyre dhe shoqëria e tyre. Ai në shtëpi fliste edhe për miqtë e tij, por edhe për miqtë e tij që kishin shkuar para tij. Babai u shkëput herët nga teatri, sepse ndodhën trazirat dhe në atë periudhë. Si nëna dhe babai u detyruan të iknin në Amerikë për 15 vite. Dhe sa herë i shihja që ktheheshin nga ai vend, ktheheshin gjithmonë e më të plakur. Edhe i thoja që të rrinin në Shqipëri, sepse këtu i kishin shokët e miqtë. Nuk ishte e lehtë jeta jashtë. Gjithsesi sot kur shoh shokët e tij, ma lehtëson pak dhimbjen. Por është dhimbje e pashërueshme”, tha mes të tjerash Makashi.

Aktorja Rajmonda Bulku, pas homazheve e përshkroi Fitim Makashin si një njeri me karakter, luftarak dhe brilant në profesionin e tij.

“Ashtu siç kishte rolet e tij xheneroze, ashtu ishte edhe në jetë. Një Fitim që do ta kujtojmë gjithmonë. Gjithmonë luftoi që në ato ambientet e teatrit të kishte një palestër që aktorit i duhej. Ishte edhe luftarak me heshtjen dhe mençurinë e tij. Pra një njeri i përkushtuar në profesion, një partner i shkëlqyer, shumë xheneroz. Aktor brilant i karaktereve të ngrohta. Fitimi krijonte një karakter që e mbaje mend, nuk e harroje”, tha Bulku.

Ndërsa për aktorin Mehdi Malkaj, Fitim Makashi ishte një njeri në kuptimin e plotë të fjalës.

“Iku një njeri që në kuptimin e plotë të fjalës ishte njeri”, tha Malkaj.

Fitim Makashi u shua si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ai vuante nga demenca dhe së fundmi kishte kryer edhe një operacion që i kishte përkeqësuar gjendjen shëndetësore.

Makashi la gjurmë të pashlyeshme edhe në kinematografinë shqiptare, duke interpretuar në filma të njohur që nga vitet ’60 deri në fillim të viteve ’90. Midis filmave ku luajti përfshihen: “Dueli i heshtur” (1967), “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegja” (1972), “Rugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992). Interpretimet e tij u dalluan për karakter të fortë dhe prani të veçantë artistike, duke e bërë pjesë të rëndësishme të brezit që ndërtoi identitetin e kinemasë shqiptare.

Përveç karrierës si aktor, Fitim Makashi kontribuoi si pedagog, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të artistëve shqiptarë.

Homazhe në nderim të aktorit Fitim Makashi, foto: Florian Abazaj
1 nga 12

The post Homazhe për aktorin Fitim Makashi, nderim njeriut dhe kontributit në kulturën shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIAD – Gjermania dhe Arabia Saudite rrisin bashkëpunimin në fushën e energjisë

RIAD, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Gjermania dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar një deklaratë gjithëpërfshirëse për të intensifikuar bashkëpunimin në energji, gjatë një vizite të ministres gjermane të Ekonomisë, Katherina Reiche sot në Riad.

Reiche dhe ministri saudit i Energjisë Abdulaziz bin Salman nënshkruan gjithashtu 10 dokumente qëllimi për të zgjeruar bashkëpunimin midis kompanive gjermane dhe saudite.

“Marrëveshjet mbulojnë fusha kyçe për të ardhmen”, tha Reiche, duke përmendur energjinë, inteligjencën artificiale, hidrogjenin, krijimin e vlerës industriale dhe inovacionin.

Ajo vuri në dukje një deficit saudit për shkak të rënies së çmimeve të naftës, duke shtuar se Riadi po kërkonte të diversifikonte burimet e tij të të ardhurave.

“Diversifikimi është, gjithashtu një mënyrë për t’u siguruar kundër luhatjeve të çmimeve të naftës, për të vënë nën kontroll papunësinë dhe për t’i dhënë brezit të ri të vendit perspektiva për të ardhmen”, tha ministrja gjermane.

Moratoriumi i Mirëkuptimit i rënë dakord midis dy vendeve mbulon të gjitha fushat e energjisë, si dhe sektorin e kimikateve.

Ai trajton trajtimin e dioksidit të karbonit të gazit serrë, digjitalizimin në sektorin e energjisë dhe krijimin e zinxhirëve të besueshëm të furnizimit.

Bashkëpunimi midis kompanive dhe sektorit privat dhe publik do të forcohet gjithashtu. //a.i/

The post RIAD – Gjermania dhe Arabia Saudite rrisin bashkëpunimin në fushën e energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Tetë të vdekur dhe 26 të plagosur në një aksident me autobus në Antalia

ANTALIA, 1 shkurt /ATSH/ – Një aksident i rëndë ka ndodhur pranë qytetit turistik bregdetar në Turqinë jugore, në Antalia, ku një autobus doli nga rruga dhe u përmbys, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e 26 të tjerëve, sipas “Daily Sabah”.

Guvernatori i provincës, Hulusi Sahin, konfirmoi shifrat e viktimave dhe bëri me dije se mjeti po transportonte 34 pasagjerë drejt qendrës turistike kur ndodhi ngjarja tragjike.

Sipas deklaratës së guvernatorit, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë në një udhëkryq ku qarkullimi duhet të ishte i kufizuar, dhe lagështia në rrugë për shkak të reshjeve të shiut.

Sahin theksoi se disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë për jetën në spitalet e zonës. Deri më tani, autoritetet turke nuk kanë specifikuar nëse në mesin e viktimave apo të plagosurve ka shtetas të huaj.

Rajoni i Antalias njihet si një nga destinacionet më të njohura turistike në Turqi, i cili tërheq miliona vizitorë të huaj çdo vit. //a.i/

The post TURQI – Tetë të vdekur dhe 26 të plagosur në një aksident me autobus në Antalia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani, kurorë lulesh për dy dëshmorët e familjes Humolli në Koshare

PRISHTINË, 1 shkurt/ATSH/ Në përvjetorin e vrasjes së Elfete Humollit, heroinë e re që në moshën 16-vjeçare u ngrit kundër shtypjes dhe dhunës së regjimit serb, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në përkujtim dhe ka bërë homazhe, duke vizituar familjen Humolli në Lupç të Poshtëm.

Gjatë vizitës, u vendos një kurorë lulesh në nder të Elfetës dhe të vëllait të saj, Mentorit, i rënë dëshmor në betejën e Koshares 1999.

Presidentja Osmani ka theksuar se sakrifica dhe guximi i Elfetës dhe Mentorit janë frymëzim i përhershëm për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe pasqyrojnë dashurinë e tyre të pakufishme për lirinë e vendit.

Kujtimi i Elfetës dhe Mentorit shërben si simbol i përkushtimit ndaj lirisë dhe guximit, ndërsa vizita e Presidentes Osmani është një shenjë e respektit institucional dhe kombëtar për të rënët për atdheun. /KosovaPress/

The post Osmani, kurorë lulesh për dy dëshmorët e familjes Humolli në Koshare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Larijani: Irani po përgatitet për negociata me SHBA-në

TEHERAN, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Irani po përgatitet për negociata me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha dje sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani.

“Në kundërshtim me narrativën e luftës së prodhuar artificialisht nga mediat, formimi i një kuadri për negociata po përparon”, tha Larijani në X.

Portuali amerikan i lajmeve “Axios” raportoi në lidhje me postimin e Larijani në X se ai ishte takuar dje në Teheran me Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kryeministrin e Katarit, i cili po kërkon të ndërmjetësojë midis SHBA-së dhe Iranit.

Ndërkohë, një gazetar i “Fox News” citoi presidentin e SHBA-së Donald Trump të thoshte se pala iraniane po negocionte, dhe se palët ishin në pritje se çfarë do të ndodhte.

“Irani po bisedon me ne dhe do të shohim nëse mund të bëjmë diçka, përndryshe do të shohim se çfarë do të ndodhë… Kemi një flotë të madhe që po shkon atje”, tha Trump për “Fox News”.

Bisedimet pritet të përqendrohen, ndër të tjera, në frenimin e programit bërthamor të diskutueshëm të Iranit dhe kufizimin e zhvillimit të raketave balistike.

Trump e ka kërcënuar vazhdimisht Iranin me sulme ushtarake, përfshirë edhe në lidhje me shtypjen e dhunshme të protestave të fundit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha të premten se vendi i tij ishte gati për negociata të drejta, por hodhi poshtë kërkesat qendrore të Trump.

“Strategjitë e mbrojtjes dhe sistemet e raketave nuk do të jenë kurrë objekt negociatash”, tha Araghchi.

Irani do të ruajë kapacitetet e tij dhe madje do t’i zgjerojë ato nëse është e nevojshme.

Ai paralajmëroi SHBA-në se konflikti ushtarak mund të shkonte përtej një lufte dypalëshe këtë herë.

Në qershor të vitit të kaluar, ushtria amerikane bombardoi objektet bërthamore në Iran. //a.i/

The post TEHERAN – Larijani: Irani po përgatitet për negociata me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Johnny Depp shfaqet si Ebenezer Scrooge në filmin e ri të Dickens-it

LOS ANGELES, 1 shkurt /ATSH/ – Aktori Johnny Depp është rikthyer në një prodhim të madh hollywoodian, duke interpretuar personazhin e Ebenezer Scrooge në një adaptim të ri të romanit klasik të Charles Dickens,  “A Christmas Carol”.

Sipas pamjeve nga seti i xhirimit, Depp shfaqet i transformuar në rolin e anti-heroit të Dickens-it, një figurë e vetmuar që përballet me gabimet e së kaluarës përpara se të ndryshojë rrënjësisht. Ky projekt shënon filmin e tij të parë me buxhet të madh pas katër vitesh, pas një periudhe larg produksioneve kryesore të studiove amerikane.

Në xhirime, Depp është parë i veshur me një pallto blu brokade, kapele të zezë dhe me favoritet gri, ndërsa ndodhej në shoqërinë e aktores Andrea Riseborough, e cila interpreton shpirtin e Krishtlindjes së shkuar. Riseborough shfaqet me një kostum të bardhë dhe elementë vizualë që theksojnë karakterin e saj fantazmagorik.

Produksioni përfshin një kast të njohur aktorësh, mes tyre Sir Ian McKellen, Daisy Ridley, Rupert Grint, Sam Claflin, Ellie Bamber dhe Tramell Tillman. Romani i Dickens-it, i botuar në vitin 1843, rrëfen historinë e Scrooge-it, një koprrac i moshuar që vizitohet nga shpirtra në prag të Krishtlindjes.

Filmi pritet të përballet me konkurrencë, pasi një tjetër adaptim i “A Christmas Carol” është në zhvillim nga Warner Bros, nën regjinë e Robert Eggers, me Willem Dafoe në rolin kryesor.

Depp ka deklaruar më herët se raportimet për jetën e tij gjatë viteve të fundit kanë qenë të pasakta dhe ka theksuar se ai nuk ka reshtur së punuari, pavarësisht mungesës në prodhimet kryesore të Hollywood-it.

The post Johnny Depp shfaqet si Ebenezer Scrooge në filmin e ri të Dickens-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rrëshqitje gurësh në Dragostunjë, bllokohet qarkullimi në aksin Librazhd-Qafë Thanë

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Policia e Elbasanit njoftoi sot se në aksin rrugor Librazhd – Qafë Thanë, në vendin e quajtur Dragostunjë, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali, qarkullimi i automjeteve është bllokuar plotësisht në të dyja drejtimet.

Policia bëri të ditur më tej se shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë  për hapjen e rrugës.

/m.q/j.p/

The post Rrëshqitje gurësh në Dragostunjë, bllokohet qarkullimi në aksin Librazhd-Qafë Thanë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Izraeli rihap pikën kufitare te Rafahut në Gaza në “bazë prove”

TEL AVIV/GAZA, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Rihapja zyrtare e pikës kufitare të Rafahut midis Egjiptit dhe Rripit të Gazës është shtyrë edhe një ditë, pasi operacionet në pikën e kontrollit iu nënshtruan sot një prove, konfirmuan burime izraelite, palestineze dhe të BE-së.

“Lëvizja e njerëzve do të lejohet vetëm nga e hëna mes diskutimeve të vazhdueshme mbi sigurinë dhe procedurat operative”, raportoi agjencia izraelite e lajmeve “ynet”, duke thënë se deri më tani pika e kalimit po funksiononte vetëm “në bazë prove”.

Izraeli tha më parë këtë javë se pika e kalimit jugor të Gazës do të rihapej për “lëvizje të kufizuara” nga e diela, pasi grupi ekstremist palestinez Hamas dorëzoi eshtrat e pengut të fundit izraelit të mbajtur në Gaza.

Rihapja pas një ndërprerjeje gati 1-vjeçare është pjesë e planit të paqes në Gaza të presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Një zëdhënës i autoritetit shëndetësor të Gazës tha se as pacientët dhe as banorët e tjerë nuk kanë qenë në gjendje të kalojnë deri më tani, pasi burime palestineze thanë më parë se rreth 50 pacientë fillimisht do të lejoheshin të largoheshin nga Rripi i Gazës së bashku me shoqëruesit e tyre.

Burime egjiptiane të sigurisë thanë se Izraeli ende nuk e ka rihapur pikën e kalimit. Ushtria izraelite mban kontrollin e kufirit pas armëpushimit të tetorit, i cili u arrit pas më shumë se dy vitesh lufte.

Hapja e pikës së kalimit për lëvizjen e njerëzve është shtyrë për nesër, thanë burimet, që do të thotë se asnjë palestinez nuk do të jetë në gjendje të largohet sot nga Gaza, me udhëtimin provë që synon të testojë operacionet.

Rreth 150 persona do të autorizohen të largohen nga Rripi i Gazës çdo ditë nga e hëna, ndërsa rreth 50 të tjerë do të lejohen të kthehen në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta, sipas vlerësimeve të cituara nga mediat izraelite.

“Vetëm rreth 42 000 palestinezë që u larguan nga Rripi gjatë luftës midis Izraelit dhe Hamasit do të lejohen të hyjnë në Gaza përmes pikës së kalimit”, thanë autoritetet izraelite.

Sipas autoritetit shëndetësor në Rripin e Gazës, rreth 20 000 palestinezë të sëmurë aktualisht presin të largohen nga territori për trajtim në Egjipt. Midis tyre janë 440 raste akute ku mbijetesa e pacientëve është në rrezik.

Hyrja dhe dalja për në dhe nga Gaza do të autorizohet në bashkëpunim me Egjiptin dhe pas miratimit të sigurisë nga Izraeli dhe kontrollit nga një mision i Bashkimit Evropian.

Deri më tani, vetëm ndihma e kufizuar humanitare është lejuar të hyjë në territorin kryesisht të shkatërruar palestinez nëpërmjet pikave kufitare me Izraelin. //a.i/

The post FOKUS – Izraeli rihap pikën kufitare te Rafahut në Gaza në “bazë prove” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës “arrest me burg”

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rrëzoi sot kërkesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Kërkesa e Veliajt u shqyrtua sot nga gjyqtarja Etleva Deda dhe i pranishëm gjatë seancës ishte vetë kryebashkiaku.

Pas përfundimit të seancës, avokati Sokrat Gjermeni u shpreh se kryebashkiaku kërkoi detyrim paraqitje pesë herë në javë, madje edhe ofrimin e një shume monetare si garanci për lirimin, por kjo nuk u pranua nga gjykata.

“Kemi kërkuar që të caktohet një masë më e butë jo e “arrestit me burg” të cilën gjykata nuk e ka pranuar si kërkesë dhe e ka rrëzuar. Ishte dhe Veliaj. Ai ka deklaruar të njëjtat gjëra që janë parashtruar në kërkesë nuk ka dalë përtej aspekteve ligjore dhe si përfundim gjykata ka rrëzuar kërkesat”, tha avokati.

“U kërkuan disa masa, detyrim paraqitje, garanci pasurore, ndalim i daljes jashtë shtetit, të gjitha masat që janë të përshtatshme për të mbarvajtur hetimin që personi mos të largohet. Duke qenë se u rrëzua kërkesa nuk u shqyrtua opsioni i garancisë”, vijoi ai.

Sipas tij, prokuroria mbajti qëndrimin që masa e arrestit me burg duhet të vazhdojë pasi provat mund të manipulohen.

“Prokuroria mbajti qëndrimin se masa duhet të vazhdojë, sepse pavarësisht se kanë mbaruar hetimet provat përsëri mund të manipulohen. Kjo ishte logjika e prokurorisë për të cilën ne nuk jemi dakord sepse edhe një vendim njehsues i Gjykatës së Lartë thotë që provat sidomos ato shkresore, janë të tilla që nuk mund të ndryshohen, ndryshe nga provat e gjalla, që janë me dëshmitarët, por që edhe kjo logjikë nuk qëndron pasi vetë dëshmitarët nuk do të mund të ndryshojnë dëshmitë e tyre pasi edhe kjo përbën vepër penale për ta”, tha Gjermeni.

Kërkesa për ndryshimin e masës erdhi pas përfundimit të hetimit ndaj Veliajt dhe dërgimit të dosjes në gjykatë. Sipas SPAK, ndaj Veliajt rendojnë 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Po ashtu për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025.

/m.q/j.p/

The post GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës “arrest me burg” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve për paqe javën e ardhshme

KIEV, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Bisedimet tripalëshe për paqe midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së do të zhvillohen të mërkurën dhe të enjten në Abu Dhabi, tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Ukraina është gati për një diskutim thelbësor dhe ne jemi të interesuar të sigurohemi që rezultati të na afrojë më shumë me një fund të vërtetë dhe dinjitoz të luftës”, shkroi ai në X.

Negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit rifilluan një javë më parë pas një ndërprerjeje të gjatë. Ato u mbajtën pas dyerve të mbyllura dhe u ndërmjetësuan nga SHBA-ja përmes kryenegociatorit të tyre Steve Witkoff. Këtë herë, palët ndërluftuese po negociojnë pa përfaqësuesit e SHBA-së.

Ndërsa ekipet negociuese i kanë përshkruar vazhdimisht bisedimet si konstruktive, një marrëveshjeje paqeje nuk është ende në horizont, me çështjet territoriale që mbeten një pikë kyçe ngërçi.

Rusia po kërkon që Kievi të tërhiqet nga disa pjesë të rajonit lindor Donbas të Ukrainës – një zonë e përqendruar kryesisht në provincat e Donetskut dhe Luhanskut – që mbeten nën kontrollin ukrainas. Zelensky ka refuzuar vazhdimisht lëshime të tilla territoriale.

Delegacioni ukrainas do të udhëhiqet nga kryenegociatori Rustem Umerov, ndërsa Igor Kostyukov, kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake GRU, do të kryesojë ekipin rus.

Me kërkesë të presidentit të SHBA-së Donald Trump, Rusia ka rënë dakord të ndërpresë përkohësisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike për shkak të të ftohtit ekstrem dhe dëmeve të shumta ekzistuese në Kiev dhe qytete të tjera. Sulmet ndaj objektivave të tjerë kanë vazhduar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha të premten se armëpushimi i kufizuar do të zgjaste vetëm deri të dielën, në mënyrë që të ofrojë një “bazë të mirë” për bisedimet e paqes.

Zelensky tha se nuk kishte marrëveshje zyrtare për një armëpushim të tillë, por u zotua se Ukraina nuk do të sulmonte objektivat ruse të energjisë nëse Rusia do të respektonte njoftimin e saj.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë për gati katër vjet me mbështetjen e Perëndimit. //a.i/

The post KIEV – Zelensky: Ukraina dhe Rusia do të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve për paqe javën e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trafik me armë zjarri nga Kosova në Tiranë, katër të arrestuar

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Një grup kriminal i cili shiste armë zjarri në Tiranë, të trafikuara nga Kosova, është goditur nga policia e Tiranës.

Policia bëri të ditur se pas një hetimi dymujor u finalizua operacioni “Lockdown”. Sipas policisë “në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit:Gloris Nezaj, Rezarto Rumi, Kelvin Caushi dhe Ardjan Caushi, banues në Tiranë”.

“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht nga Kosova, i sillnin ato në Tiranë dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në Selitë”, njoftoi policia.

Gjatë kontrollit në ambientit e përshtatur, banesave të tyre,  policia sekuestroi 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, jelek multifunksion dhe 9 celularë.

Nën drejtimin e Prokurorisë punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/

The post Trafik me armë zjarri nga Kosova në Tiranë, katër të arrestuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqiptarët po rrisin investimin në cilësinë e jetës

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Mirëqënia shëndetësore e ndërlidhur me bukurinë fizike tashmë ka tërhequr vëmendjen prej vitesh edhe të qytetarëve shqiptarë, shumë prej të cilëve i drejtohen klinikave për ndërhyrje estetike por edhe që përmirësojnë të ndjerit mirë me veten.

Një prej këtyre klinikave është edhe Repeat Clinic, pjesë integrale e Repeat Group.

Sipas drejtuesve dhe sipërmarrësve të qendrës, klinika po konsolidohet si një nga qendrat më të avancuara të Wellness-it dhe mjekësisë rigjeneruese në vend, duke ofruar një qasje të integruar ndaj shëndetit, bukurisë dhe jetëgjatësisë.

Të ftuar në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, përfaqësues të klinikës treguan se Repeat është është themeluar në qershor të vitit 2017 me një filozofi të fortë për jetesën e shëndetshme.

“Klinika mjekësore Repeat është pjesë integrale e Repeat Group. Repeat Grup është themeluar rreth një dekadë në qershor 2017. Ka lindur si biznes me një filozofi shumë të fortë për jetën e shëndetshme. Ka nisur fillimisht me aktivitetin fizik, më pas me ushqimin e shëndetshëm, klinika është hapur në tetor të 2018 dhe më pas është finalizuar me shkollën e parë të instruktorëve.

“Repeat-përsëritje, nuk është vendosur pa arsye, ka të bëjë me disiplinën dhe qëndrueshmërinë. Kujdesi ndaj vetes nuk është destinacion, por është një proces dhe le të themi se është procesi më i rëndësishëm jetësor në jetën e njeriut”, tha përfaqësueja e klinikës.

Në Repeat Clinic ofrohen shërbime të avancuara të mjekësisë rigjeneruese, trajtime medikale dhe plane të personalizuara që synojnë përmirësimin estetik. Kirurgia plastike Vilma Tafilaj thekson se qasja e klinikës është gjithëpërfshirëse.

“Për mua është familje, nuk është vetëm klinikë dhe çdo person që vjen tek ne trajtohet njësoj, që jo vetëm të bësh një trajtim bukurie por të dalësh dhe te ndihesh më mirë me veten tënde. Unë kam 3 vite që jam prezentë, vendosa që të nis punë aty me një frymë inovative me dëshirën e madhe për të mësuar dhe për t’u përmirësuar çdo ditë”, u shpreh mjekja.

“Është një qendër Wallness-i, që nga ana e mjekësisë rigjeneruese nga ana e pjesë së trajtimeve më të avancuara, të trajtimeve medikale, mundohemi ta kapim shëndetin në të gjitha gradët, që jo vetëm të dukemi bukur nga jashtë por ta rikthejmë moshën tonë  mbrapsht, ta rikthejmë moshën tonë”, tha Tafilaj.

Sipas saj, vizioni afatgjatë është edhe më ambicioz.

“E mira e një plani të ardhshëm do ishte të bënim një spital për të rigjeneruar trupin tënd, pra të zgjasim jetën tonë dhe të rikthejmë pas moshën biologjike”, tha Tafilaj.

Ndërkohë, zhvillimi i klinikave të jetëgjatësisë po shihet edhe si një mundësi për turizmin shëndetësor në Shqipëri.

“E vërteta është se këto klinika të jetëgjatësisë kanë filluar bëhen gjithnjë e më prezente sidomos si komponent i destinacioneve turistike, sepse duke qenë prezentë ne destinacione turistike kanë kapacitetin që të krijojnë turizëm për 12 muaj dhe në Shqipëri ne kemi vende kaq të bukura, që janë shumë të bukura dhe në dimër, por nuk mund të bësh turizëm kur nuk ka një ofertë për mënyrën si do të kalosh ditët. Kështu që kjo do të ishte fantastike”, u shpreh Rama.

Në Repeat është bashkuar edhe një mjek italian, i cili prej tetë muajsh jeton dhe punon në Tiranë. Mjeku theksoi se fokusi i tij në Repeat lidhet me mikrobiomën dhe ushqyerjen e saktë.

“Kam ardhur këtu 8 muaj më parë. Cilësia e jetesës për mendimin tim në Tiranës është e lartë. Ndoshta, ose të paktën ajo që unë perceptoj në Tiranë, ka një energji shumë të madhe, njerëz me shumë entuziazëm, dëshirë për të punuar, dëshirë për t’u angazhuar, shumë sipërmarrës edhe të rinj. Pra një ambient që më tërhoqi dhe ku vendosa që të qëndroj. Unë erdha dhe fillova të punoj në grupin e spitaleve amerikane.

“Filluam një projekt të bukur. Unë jam marrë më kirurgji bariatrike, pra me pacientë obezë dhe kam qenë shumë pranë, nga ana kulturore me gjithçka që lidhet me ushqimin. Deri në 10 vitet e fundit jam fokusuar shumë tek mikrobioma e zorrëve. Ajo që bëj unë në REPEAT, lidhet pikërisht më mikrobiomën dhe më ushqyerjen e saktë, probiotikë dhe gjithë aktivitetin që synon gjendjen e mirë të shëndetit të trupit tonë, sepse mikrobiota lidhet me të gjitha funksionet e trupit dhe me sëmundjet metabolike, kardiologjike, imunitare, tumorale që shfaqen gjatë jetës”, tha mjeku italian.

Sipas tij, edhe kultura shëndetësore e pacientëve shqiptarë ka ndryshuar ndjeshëm.

“Kur vjen një pacient i informuar, që studion që kërkon shpjegime, rritet edhe kultura mjekësore. Dhe këtu ndjehet që ka ardhur momenti, edhe në kirurgji edhe në mjekësi”, tha doktori italian.

Sipërmarrësja theksoi se “është rritur numri i njerëzve që investon në cilësinë e jetës. Kujdesi ndaj vetës nuk është më luks, është domosdoshmëri, dhe shqiptarët e kanë kuptuar këtë”.

/m.q/j.p/

The post Shqiptarët po rrisin investimin në cilësinë e jetës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: “Fëmijët e saj”, restaurim i filmit duke ruajtur autenticitetin e veprës

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit vijon puna për restaurimin digjital të veprave kinematografike shqiptare.

Aktualisht po restaurohet për herë të parë filmi shqiptar me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj” (1957), me regji dhe skenar nga Hysen Hakani.
Ministri i Turizmit, Kulturë dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndërsa solli pamje nga puna që kryhet në Arkin Qendror ShtetVror të Filmit u shpreh se procesi i restaurimit përfshin skanimin digjital të materialit filmik origjinal, stabilizimin e imazhit, pastrimin e dëmtimeve fizike, korrigjimin e kontrastit dhe densitetit, si dhe rikuperimin e cilësisë vizuale sa më afër versionit origjinal, duke respektuar parimet profesionale të ruajtjes së autenticitetit të veprës.
“Fëmijët e saj” është një film shqiptar me metrazh të shkurtër, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” në vitin 1957. Regjia dhe skenari janë të Hysen Hakanit dhe muzika nga Tish Daija. Premiera e filmit është shfaqur më 22 shkurt 1958, Tiranë. 
Restaurimi i filmit vjen pas pas restaurimit dhe shfaqjes për publikun të disa filmave shqiptarë që kanë mbetur në kujtesë dhe që janë pjesë e trashëgimisë kulturore tashmë edhe për brezat e ardhshëm.

The post Gonxhja: “Fëmijët e saj”, restaurim i filmit duke ruajtur autenticitetin e veprës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Khamenei paralajmëron SHBA-në: Nëse sulmon Iranin, lufta e ardhshme do të jetë rajonale

TEHERAN, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rrezikun e sulmit ndaj vendit, duke thënë se sulmi do të shkaktonte “një luftë rajonale”.

“Amerikanët duhet ta dinë se nëse fillojnë një luftë, këtë herë do të jetë një luftë rajonale”, tha Khamenei, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim, e cila është afër Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

“Irani nuk dëshiron luftë dhe nuk do ta fillojë një të tillë”, tha udhëheqësi suprem, i cili ka “fjalën e fundit” në të gjitha çështjet strategjike.

“Por populli iranian do t’i japë një goditje të rëndë kujtdo që sulmon ose shkakton dëm”, shtoi ai.

Frika është rritur për një ndërhyrje të mundshme të SHBA-së në Iran pas shtypjes së përgjakshme të Teheranit ndaj protestave të fundit antiqeveritare, pasi presidenti Donald Trump kërcënoi vazhdimisht me veprime ushtarake.

Një zyrtar i lartë iranian tha dje se vendi po përgatitej për bisedime diplomatike me SHBA-në, përfshirë programin bërthamor të vendit. //a.i/

The post TEHERAN – Khamenei paralajmëron SHBA-në: Nëse sulmon Iranin, lufta e ardhshme do të jetë rajonale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Buxheti për mbrojtjen këtë vit, mbi pragun standard të përcaktuar nga NATO

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve, duke kaluar nivelin 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që do të thotë ka kaluar mbi pragun standard të përcaktuar nga NATO për vendet anëtare.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë podkastit “Flasim”, teksa teksa renditi disa prej zhvillimeve kryesore të javës mes të cilave edhe deklarimet për buxhetin nga ana e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Sipas Ramës, ky nivel shpenzimesh nuk përfaqëson thjesht një shifër që është më e lartë se sa pragu, por tregon një qasje proaktive ndaj detyrimeve të vendit, jo vetëm ndërkombëtarisht, por edhe për të zhvilluar një industri të re të mbrojtjes.

“Ministri i Mbrojtjes bëri me dije në një konferencë gjatë kësaj jave shumë detaje lidhur me buxhetin e mbrojtjes për vitin 2026, i cili e ka tejkaluar objektivin bazë të shpenzimeve për mbrojtjen, duke shkuar mbi 2% të prodhimit të brendshëm bruto, pra mbi atë pragun standard të NATO-s, që është edhe pragu standard për të gjitha vendet anëtare”, u shpreh Rama.

Ky nivel shpenzimesh tregon sipas tij, qasje proaktive edhe për të zhvilluar një industri të re të mbrojtjes.

Rama nënvizoi se buxheti i vitit 2026 përfaqëson investimin më serioz historikisht në sektorin e mbrojtjes dhe shënon fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, e cila synon ndërtimin e kapaciteteve ushtarake dhe industriale në vend.

“Është buxheti me investimin më serioz në mbrojtje historikisht dhe këto përmasa financimi, struktura e financimit, flasin për fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, që nuk kufizohet më në blerje pajisjesh apo thjesht në modernizim përmes blerjeve, por synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale këtu në vend dhe kjo qasje lidhet me një bazë vendore të industrisë së mbrojtjes, lidhet me investime në prodhim, jo vetëm për nevojat e brendshme, por edhe për eksport, lidhet transferim teknologjie dhe mirëmbajtje dhe lidhet në instancë të fundit me atë domosdoshmëri të prekshme, që tanimë mund ta adresojmë, sepse i kemi krijuar mundësitë”, tha Rama

Kreu i qeverisë shtoi se “është një Shqipëri tjetër me fuqi të tjera për të bërë të mundur që në sektorin e mbrojtjes shteti, jo thjesht të shpenzojë, pra, jo vetëm të shpenzojë, por edhe të fitojë dhe duke fituar të riinvestojë. Dhe duke investuar dhe riinvestuar, të rrisë edhe mundësitë për punësim cilësor të mirëpaguar”.

/m.q/j.p/

The post Rama: Buxheti për mbrojtjen këtë vit, mbi pragun standard të përcaktuar nga NATO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rezultate domethënëse nga sensibilizimi kundër informalitetit në ndërtim

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Objektivat e administratës tatimore do të orientohen në formalizimin e tregut të punës, në deklarimin e pagave reale, por edhe në rritjen e deklarimeve dhe të qarkullimit të xhiros së bizneseve që operojnë në sektorin e ndërtimit.

Kryeministri Edi Rama në shënimet e javës gjatë podkastit “Flasim” mëngjesin e sotëm u ndal tek ky objektiv i Tatimeve i deklaruar nga ministri i Financave Petrit Malaj ndërsa paraqiti rezultatet e deritanishme.

Kryeministri solli këtë zhvillim të javës duke theksuar se ka një subjekt me rëndësi, subjektin e informalitetit në ndërtim.

“Dhe faktikisht jemi në një proces, ku shohim përmirësime të vazhdueshme, falë qasjes aktive të Ministrisë së Financave dhe të autoriteteve tatimore për të mos lejuar që informaliteti të godasë në mënyrën më të padrejtë familjet e atyre që punojnë në sektorin e ndërtimit”, vuri në duke kreu i qeverisë.

Rama theksoi se rezultatet janë të reflektuara në fondin e pagave, të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në sektorin e ndërtimit, me rritje domethënëse.

“Një rritje domethënëse që do të thotë një deklarim shumë më real të pagave pasi administrata tatimore dërgoi rreth 15 mijë mesazhe të personalizuara, të cilat dhanë si efekt që për rreth 18 mijë të punësuar, fondi i pagave u rrit me 9%, ndërsa kontributet me 4%.”, vuri në dukje ai.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, ulja e numrit të pagave në fashën e 500 eurove është domethënëse, ashtu siç është rritur ndjeshëm numri i pagave mbi 700 dhe mbi 1 mijë euro, një rritje deri në 18 %, si dhe paga mbi 1200 euro me një rritje mbi 10%.

“Këto janë tregues të qartë, jo vetëm të faktit që pagat janë rritur ndjeshëm, por mbi të gjitha të faktit se edhe ekonomia informale po ulet ndjeshëm”, përfundoi Rama.

The post Rama: Rezultate domethënëse nga sensibilizimi kundër informalitetit në ndërtim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌