Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Foltorja e PD, Balliu: Misioni i opozitës është qeveria teknike

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.

Gjatë fjalës së tyre, deputetët dhe qytetarët përsëritën kërkesën për largimin e qeverisë. Në fjalën e tij, deputeti Klevis Balliu theksoi se misioni i opozitës është qeveria teknike dhe largimi i Kryeministrit.

“Për çdo shqiptar, nëse duam të shpëtojmë të ardhmen e këtij vendi, zgjidhja është një dhe e vetme: përballje, kudo në çdo rrugë dhe në çdo institucion. Le të bashkohemi me datën 24 për qëndresë qytetare dhe patriotike”, tha ai.

E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.

Foltorja e Partisë Demokratike nisi në formë proteste ndaj asaj që PD e cilëson heshtje të zërit të saj në Kuvend.

/m.q/j.p/

The post Foltorja e PD, Balliu: Misioni i opozitës është qeveria teknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana dhe Vora ndajnë pikët, barazim 1-1 në Superiore

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Tirana dhe Vora u ndalën në një barazim 1-1 në përballjen e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore, pas një ndeshjeje të luftuar dhe me emocione deri në minutat e fundit.

Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste në të dyja portat, por pa gola.

Në fraksionin e dytë, Tirana hyri më e vendosur dhe gjeti avantazhin në minutën e 51-të me Ndong, i cili finalizoi saktë një aksion të shpejtë të bardhebluve.

Vora reagoi në fundin e ndeshjes dhe arriti të barazojë në minutën e 81-të me Adeloye, që përfitoi nga një top i mbetur në zonë për ta dërguar në rrjetë.

Në minutat e fundit, Tirana ishte shumë pranë golit të fitores, por fati nuk ishte në anën e saj: Myslovic goditi shtyllën, ndërsa Ernest u ndal nga traversa, duke lënë rezultatin të pandryshuar.

Me këtë barazim, Tirana mbetet në vendin e fundit të renditjes me 14 pikë, duke vijuar momentin e vështirë në kampionat. Nga ana tjetër, Vora merr një pikë të rëndësishme dhe pozicionohet në vendin e gjashtë me 23 pikë, duke ruajtur qetësinë në mesin e tabelës.

/gj.m/j.p/

The post Tirana dhe Vora ndajnë pikët, barazim 1-1 në Superiore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizja “Bashkë”, protestë para Kuvendit

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Lëvizja “Bashkë” protestoi sot para parlamentit në lidhje me situatën politike në vend, ndërsa mbështetës të saj me parulla dhe thirrje kërkuan largimin nga detyra të zëvendës kryeministres Belinda Balluku.

Në fjalën e tij, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi tha se prania e qytetarëve dëshmon “vullnetin për të rindërtuar besimin tek njëri-tjetri”.

Muçi tha se shteti duhet të ketë “prioritet kryesor mbrojtjen e shtresave në nevojë, të pensionistëve, të fëmijëve dhe pleqve që lypin rrugëve, të njerëzve që e kanë humbur shpresën për të ndërtuar një jetë me dinjitet”.

Gjithashtu, Muçi theksoi se “punëtorëve duhet t’u respektohen të drejtat dhe t’u paguhen sigurimet shoqërore”.

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri bëri thirrje që të bëhen bashkë që “t’i hapin rrugë ndërtimit të një shteti modern dhe që u mundëson gjithë qytetarëve të vet që të jetojnë me dinjitet”.

1 nga 5

/m.q/j.p/

The post Lëvizja “Bashkë”, protestë para Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Jugu i Francës goditet nga reshje të dendura shiu dhe përmbytje

PARIS, 19 janar /ATSH-DPA/- Reshjet e dendura të shiut në jug të Francës kanë çuar në përmbytje në shkallë të gjerë dhe mbylljen e rrugëve dhe shkollave.

Shërbimi meteorologjik “Météo France” lëshoi ​​paralajmërimin e dytë më të lartë për stuhi për tre rajone dhe Korsikën.

“Gjithashtu, nga mbrëmja e sotme dhe deri nesër priten reshje të dendura shiu në ishullin mesdhetar”, paralajmëroi “Météo France” duke lëshuar kodin e alarmit portokalli.

Kjo mund të çojë në një rritje të shpejtë të nivelit të ujit të lumenjve dhe përmbytjeve.

Banorët në dy rajone në Narbonne u detyruan të kalonin natën e së dielës në strehim emergjence si një masë paraprake.

Prefektura më vonë i lejoi banorët të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Më shumë se 40 rrugë mbetën të bllokuara dhe shkolla ​​në 109 vende nuk do të qendrojnë mbyllur deri nesër.

Megjithatë, reshjet e dendura të shiut lehtësuan mungesën e vazhdueshme të ujit në rajon. Departamenti i Pyrenees-Orientales hoqi kufizimet e ujit që kishin qenë në fuqi për njëfarë kohe.

Autoritetet në Perpignan thanë se nivelet e ujit në shumë lumenj ishin kthyer në normalitet dhe se rezervat e ujit nëntokësor ishin rimbushur. //a.i/

The post METEO – Jugu i Francës goditet nga reshje të dendura shiu dhe përmbytje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MODË – Vdes në moshën 93 vjeçare stilisti italian Valentino Garavani

ROMË, 19 janar /ATSH-ANSA/ – Gjigandi i modës Valentino Garavani ka vdekur sot në moshën 93 vjeçare.

“Ai ndërroi jetë në paqe në rezidencën e tij romake, i rrethuar nga dashuria e të dashurve të tij”, njoftoi Fondacioni Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti në një deklaratë.

I lindur Valentino Clemente Ludovico Garavani, i njohur nga të gjithë si Valentino, stilisti lindi më 11 maj 1932, në Voghera, në provincën e Pavias.

Pasioni i tij për modën, i mbështetur nga prindërit e tij Mauro Garavani dhe Teresa de Biaggi, e shtyu atë të studionte modë dhe frëngjisht, përpara se të transferohej në Paris për të eksploruar mundësi të reja.

Ky ishte vetëm fillimi i një karriere të gjatë dhe rekordthyese që e çoi atë të bëhej një nga emrat më legjendarë në modën italiane dhe ndërkombëtare.

The post MODË – Vdes në moshën 93 vjeçare stilisti italian Valentino Garavani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi nis punimet në sesionin e dytë të legjislaturës, PD bllokon foltoren

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kuvendi nisi sot punimet për sesionin e dytë të Legjislaturës XI.

Seanca ka nisur me përplasje teksa deputetët e Partisë Demokratike, menjëherë pas përfundimit të Himnit Kombëtar, kanë bllokuar foltoren e Kuvendit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit edhe pse nuk iu dha fjala, akuzoi mazhorancën dhe qeverinë Rama për kapje të institucioneve.

Ndërsa kreu i Kuvendit Niko Peleshi mbante fjalën e hapjes së sesionit të ri, deputetët e PD-së u grumbulluan rreth Berishës në foltore.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi drejtoi akuza ndaj mazhorancës, teksa  Peleshi mbante fjalën.

Opozita nuk ka pranuar që të ulen në karriget e tyre dhe të vijojë seanca.

Peleshi me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka hedhur në votim pikat e rendit të ditës, duke mbyllur seancën.

Seanca pati rend dite procedurial, ku u përfshinë miratimi i procesverbalit të seancës së mëparshme dhe njoftime, sipas parashikimeve të Rregullores së Kuvendit.

Konferenca e kryetarëve miratoi sot më herët projektprogramin dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit, si dhe projektkalendarin e ushtrimit të kontrollit parlamentar, në përputhje me Rregulloren.

Seanca e parë e sesionit të ri parlamentar, foto: Andrin Hoxha, Florian Abazaj
1 nga 23

/gj.m/j.p/

The post Kuvendi nis punimet në sesionin e dytë të legjislaturës, PD bllokon foltoren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla fton opozitën në komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale: Kuvendi, jo peng i bojkotit

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike që nëse deri javën e ardhshme nuk paraqiten në komisionet për reformën zgjedhore dhe territoriale, mazhoranca do t’i bëjë ndryshimet pa PD-në.

Në deklaratën e tij, Balla theksoi se, mazhoranca ka vullnetin për bashkëpunim, por nuk do të lejojë bllokimin e proceseve të rëndësishme për vendin.

“Nëse deri javën e ardhshme nuk vini për reformën zgjedhore dhe territoriale, do t’i bëjmë ndryshimet pa ju. Ne ju ftojmë, por Kuvendi nuk mund të mbetet peng i bojkotit”, u shpreh Balla.

Balla përmendi edhe ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për kryeministrin Edi Rama për t’u përfshirë në një organizëm të ri ndërkombëtar, të cilin e cilësoi si një rol të rëndësishëm dhe të pazakontë për vendin.

“Shqipëria sapo është ftuar të marrë një rol të paimagjinueshëm pak vite më parë. Ftesa e Presidentit Trump, i cili ka ftuar personalisht Kryeministrin Edi Rama dhe përmes tij Republikën e Shqipërisë, është një moment që duhet vlerësuar maksimalisht”, deklaroi Balla.

Sipas tij, Shqipëria është përzgjedhur jo vetëm për shkak të anëtarësimit në NATO, por edhe për shkak të marrëdhënies së besimit mes Kryeministrit Rama dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke iu referuar qëndrimeve të opozitës për këtë çështje, Balla i cilësoi ato kontradiktore, duke theksuar se kritikat kanë ndryshuar vazhdimisht pas publikimit të ftesës.

Në fund të fjalës së tij, Balla përmendi edhe kalendarin zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme vendore pritet të zhvillohen mes datave 15 prill – 15 maj 2027, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme mes 15 prill – 15 maj 2029, çka sipas tij e bën të domosdoshme përmbylljen në kohë të reformave zgjedhore dhe territoriale.

/gj.m/j.p/

The post Balla fton opozitën në komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale: Kuvendi, jo peng i bojkotit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – Kryeministrja Takaichi shpall zgjedhje të parakohshme më 8 shkurt

TOKIO, 19 janar /ATSH-DPA/- Japonia do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme më 8 shkurt, njoftoi sot kryeministrja Sanae Takaichi, pas vetëm tre muaj në detyrë.

“Parlamenti do të shpërbëhet të premten”, tha politikania konservatore 64-vjeçare në një njoftim, të pritur gjerësisht.

Takaichi ka pasur një pozicion të lartë në sondazhet e opinionit dhe po kërkon të rrisë shumicën e vogël që mbahet nga Partia e saj Liberal Demokratike (LDP) dhe partia neoliberale “Ishin” (Partia e Inovacionit të Japonisë), në Parlamentin Kombëtar.

Bursa e Tokios ka arritur nivele rekord në pritje të zgjedhjeve, pasi një shumicë më e madhe qeverisëse do t’i lejojë koalicionit të Takaichi të zbatonte plane të rritjes ekonomike bazuar në rritjen e shpenzimeve shtetërore.

Takaichi, e cila u zgjodh kryeministrja e parë (grua) e Japonisë në fund të tetorit, tha se stabiliteti politik ishte i nevojshëm për reformën.

Vendimi i saj për të shpallur zgjedhje të parakohshme nuk është pa rrezik dhe mbetet për t’u parë nëse popullariteti i saj do të ndikojë në partinë e saj.

Partia, e cila ka qenë në qeveri pothuajse vazhdimisht që nga viti 1955, kohët e fundit humbi shumicën e saj në të dy dhomat e parlamentit.

Partia më e madhe e opozitës, Partia Kushtetuese Demokratike e Japonisë, e udhëhequr nga ish-kryeministri Yoshihiko Noda, dhe “Komeito” kanë njoftuar se do të bashkojnë forcat në një parti të re reformiste të qendrës – që e sheh veten si një alternativë liberale ndaj koalicionit konservator të Takaichi. //a.i/

 

The post JAPONI – Kryeministrja Takaichi shpall zgjedhje të parakohshme më 8 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj pritet nga Sandu: Mbështesim popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Moldavi, u prit sot në një takim nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Takimet kokë më kokë dhe më pas ai në praninë e delegacioneve përkatëse, u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, sigurinë rajonale, situatën e ndërlikuar gjeopolitike dhe unitetin evropian përballë këtyre sfidave.

“Shqipëria mbështet popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe evropiane, në një kontekst gjeopolitik dhe sigurie mjaft sfidues të shënuar nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe kërcënimet e sigurisë që burojnë prej tij”, u shpreh Presidenti Begaj.

Krerët e dy shteteve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Edhe në konferencën për gazetarët, Presidenti Begaj dhe Presidentja Sandu konfirmuan angazhimin për bashkëpunim në përmbushjen sa më shpejtë të agjendës evropiane, me synimin anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes progresit të bazuar në meritë dhe reforma.

Presidenti Begaj theksoi se “Shqipëria beson se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga instrumentet më efektive për garantimin e sigurisë, stabilitetit, begatisë dhe paqes së qëndrueshme në Evropë. Shqipëria shpreh mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, Presidenti Begaj shprehu mbështetje ndaj Presidentes Sandu për politikat proevropiane në drejtimin e shtetit.

Presidenti Begaj vlerësoi qëndrimin e Moldavisë përballë ndikimeve keqdashëse, presioneve dhe fushatave dezinformuese, si dhe angazhimin e palëkundur për ndërtimin e një shteti demokratik, pjesë integrale të familjes evropiane.

Në këtë frymë, ai theksoi se Shqipëria synon thellimin e bashkëpunimit duke shfrytëzuar mekanizmat e krijuar në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Integrimin Evropian të nënshkruar së fundmi.

“Shqipëria qëndron pranë Moldavisë si mike, si partnere dhe si aspirante e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së bashku, ne kontribuojmë për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe të bashkuar, të ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, lirisë dhe përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen tonë”, u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi, gjithashtu, angazhimin për thellim të marrëdhënieve në fushat ku ka potencial për bashkëpunim më të thelluar në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Midis dy vendeve ekziston marrëveshja për tregtinë e lirë, si dhe ajo për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e taksimit të dyfishtë. Sipas Presidentit Begaj kjo është një bazë e mirë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj i kushtoi gjatë kësaj vizite Kosovës. Presidenti vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Moldavia në lidhje me aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kontributin me trupa në misionin e KFOR-it.

“Në këtë frymë të bashkëpunimit, Shqipëria shpreson se Moldavia, kur ta gjykojë të arsyeshme, do të rishqyrtojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës. Ne i dimë problemet e brendshme që ekzistojnë, të lidhura me Transnistrian, por gjithsesi, është një çështje që ne mendojmë se do të sillte paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe besim te demokracia”, deklaroi Presidenti Begaj.

Në agjendën e sotme të Presidentit ishin edhe takimi me një përfaqësi nga Parlamenti i Moldavisë, drejtuar nga kryetari Igor Grosu, me të cilët u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy shteteve si edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në Moldavi.

/gj.m/j.p/

The post Begaj pritet nga Sandu: Mbështesim popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama reagon ndaj “Safe Journalists”: Keqkuptim thellësisht i shtrembëruar i qëndrimit tim për RTSH-në

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së rrjetit “Safe Journalists”, duke e cilësuar atë si një keqkuptim të shtrembëruar të qëndrimit të tij mbi Transmetuesin Publik Shqiptar (RTSH).

Rrjeti “Safe Journalists” ngriti shqetësimin në lidhje me deklaratat publike të Kryeministrit Rama sa i takon transmetuesit televiziv publik RTSH duke reaguar se “lidhja e financimit ose ekzistencës së RTSH me miratimin politik minon pavarësinë e tij dhe paraqet rreziqe për lirinë e medias”.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama u shpreh se po krijohet “një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë”, duke iu referuar reagimeve që, sipas tij, nuk pasqyrojnë thelbin e deklaratave të bëra prej tij.

“Po bëhet një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë, që të përballemi me deklarata si ajo e bashkëngjitura, të cilat pasqyrojnë një keqkuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me Transmetuesin Publik Shqiptar”, shkroi Rama.

Kryeministri ftoi autorët e deklaratës së “Safe Journalists” që ta lexojnë ose dëgjojnë me kujdes fjalimin e tij dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar mesazhin real.

“I ftoj autorët e kësaj deklarate keqorientuese ta lexojnë ose ta dëgjojnë me kujdes fjalimin tim dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar thelbin. Vërejtjet e mia nuk kanë të bëjnë absolutisht aspak me “lidhjen e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik”. Çdo interpretim i tillë është thjesht i pasaktë dhe keqorientues. Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit”, shkroi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama reagon ndaj “Safe Journalists”: Keqkuptim thellësisht i shtrembëruar i qëndrimit tim për RTSH-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Fillon Samiti i Forumit Ekonomik Botëror me temën “Fryma e Dialogut”

DAVOS, 19 janar /ATSH-AA/ – Takimi i 56-të Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) ka filluar në Davos me temën “Fryma e Dialogut”.

Samiti, i cili mbahet në qytetin zviceran të Davosit dhe që zgjat deri më 23 janar, pritet të tërheqë gati 3.000 pjesëmarrës nga 130 vende.

Pritet të marrin pjesë afërsisht 400 zyrtarë të nivelit të lartë dhe udhëheqës politikë, përfshirë 65 krerë shtetesh dhe qeverish, 55 ministra ekonomie dhe financash, 33 ministra të jashtëm, 34 ministra tregtie dhe industrie dhe 11 guvernatorë të bankave qendrore.

Në samitin e këtij viti, me temë “Fryma e Dialogut”, do të marrin pjesë edhe organizata ndërkombëtare joqeveritare, akademikë të shumtë dhe përfaqësues kryesorë të botës globale të biznesit.

Udhëheqësit politikë dhe përfaqësuesit kryesorë të biznesit do të mblidhen në samit për të marrë pjesë në seanca të hartuara për të filluar diskutime produktive mbi problemet më urgjente të botës dhe në fund të fundit për të krijuar ndikim.

Në këtë periudhë të rritjes së rreziqeve gjeopolitike dhe gjeoekonomike, pjesëmarrësit do të diskutojnë çështje sfiduese si ekonomia globale, transformimi teknologjik, inteligjenca artificiale dhe qëndrueshmëria.

Midis pjesëmarrësve të rëndësishëm në samit, pritet të jenë të pranishëm shumë liderë politikë, përfshirë presidentin e SHBA-së Donald Trump, zëvendëskryeministrin kinez He Faiang, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin palestinez Mohammed Mustafa, presidentin sirian Ahmed al-Shara, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez dhe presidentin argjentinas Javier Milei.

Është planifikuar Trump të mbajë fjalimin e tij pasditen e 21 janarit dhe pritet të shoqërohet nga sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe Përfaqësuesi i Tregtisë Jamieson Greer.

– Masa të rrepta sigurie në Davos

Samiti i këtij viti, i cili pritet të shohë një numër rekord përfaqësuesish të qeverisë së nivelit të lartë në historinë e Takimeve Vjetore të WEF, po mbahet nën masa të rrepta sigurie.

Policia dhe ushtria zvicerane po përdorin “inteligjencën artificiale” për të monitoruar në mënyrë strikte të gjitha rrugët dhe rrugët hekurudhore të lidhura me Davosin. Civilët që mbërrijnë në Davos i nënshtrohen skanimeve me anë të njohjes së fytyrës dhe kontrolleve nga forcat e sigurisë.

Në samit, kryhen kontrolle sigurie të ngjashme me ato në aeroporte për të hyrë në qendrën mediatike, sallat e konferencave dhe ndërtesat e tjera të ngjarjeve. Laptopët dhe çantat e pjesëmarrësve skanohen gjithashtu nga makinat me rreze X.   /os/

The post DAVOS – Fillon Samiti i Forumit Ekonomik Botëror me temën “Fryma e Dialogut” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Fox News”: Irani akuzohet për vrasjen e 16 500 personave në një goditje të gjerë kundër “gjenocidit”

TEHERAN, 19 janar /ATSH/- Protestuesit iranianë po përballen me ditët e tyre më vdekjeprurëse deri më tani, ndërsa forcat e sigurisë kryejnë vrasje masive dhe ekzekutime në një goditje të gjerë, që vëzhguesit e kanë quajtur “gjenocid”, thanë raportet e reja, sipas “Fox News”.

Sipas një raporti të “The Sunday Times”, i përpiluar nga mjekë të vendosur në rajon dhe i shqyrtuar nga media vlerëson se forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën 16 500 protestues dhe kanë plagosur më shumë se 330 000 të tjerë.

Raporti gjithashtu e përshkroi dhunën si një “masakër të plotë”, duke paralajmëruar se numri i vërtetë mund të jetë edhe më i lartë për shkak të aksesit të kufizuar në spitale dhe mbylljes pothuajse totale të komunikimeve.

“Shumica e viktimave, besohet të jenë nën moshën 30 vjeç, duke nënvizuar numrin e madh të viktimave mbi brezin e ri të Iranit, ndërsa regjimi intensifikon përpjekjet e tij për të shtypur disidentët”, sipas raportit.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, pranoi të dielën se “disa mijëra” persona ishin vrarë që nga shpërthimi i protestave më 28 dhjetor.

Në një fjalim televiziv, ai fajësoi demonstruesit, duke i quajtur ata “ushtarë këmbësorë të SHBA-së” dhe duke pretenduar në mënyrë të rreme se protestuesit ishin të armatosur me municion të vërtetë të importuar.

Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) raportoi se që nga dita e 22-të e protestave, shifrat e verifikuara tregojnë 3 919 persona të vrarë, me 8 949 vdekje shtesë nën hetim, 2 109 të plagosur rëndë dhe 24 669 të ndaluar.

HRANA vuri në dukje se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë për shkak të mbylljes së internetit.

“Krahas vrasjeve në rrugë, ekzekutimet janë rritur ndjeshëm”, sipas Ali Safavi, një zyrtar i lartë në Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI).

“Fox News Digital” se 2 200 persona u ekzekutuan në vitin 2025, ndërsa 153 janë varur tashmë në 18 ditët e para të janarit 2026, duke arritur mesatarisht në më shumë se tetë ekzekutime në ditë.

“Ali Khamenei po vazhdon ekzekutimet masive paralelisht me vrasjen e protestuesve të rinj”, tha Safavi.

“Tre ekzekutime në formën e varjes po ndodhin tani çdo orë sipas të dhënave tona”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi kundërshtoi numrin e lartë të vdekjeve të raportuara në një intervistë për “Fox News”, duke pretenduar se viktimat kishin arritur në qindra dhe duke i hedhur poshtë shifrat më të larta si “dezinformim”.

Presidenti amerikan, Donald Trump e dënoi ashpër Khamenei gjatë fundjavës, duke e quajtur atë një “njeri të sëmurë” dhe duke kërkuar udhëheqje të re në Iran.

Në një intervistë për “Politico”, Trump akuzoi Khamenei për mbikëqyrjen e “shkatërrimit të plotë të vendit” dhe përdorimin e “dhunës në nivele të papara më parë”, duke shtuar se udhëheqja e Iranit duhej të ndalonte vrasjen e njerëzve. //a.i/

The post “Fox News”: Irani akuzohet për vrasjen e 16 500 personave në një goditje të gjerë kundër “gjenocidit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Berlini dënon kërcënimet për tarifa të Trump dhe paralajmëron kundërmasa

BERLIN, 19 janar /ATSH-DPA / – Qeveria gjermane ka dënuar kërcënimin e papranueshëm të presidentit amerikan Donald Trump për tarifa ndëshkuese lidhur me mosmarrëveshjen për Groenlandën, ndërsa partitë në Berlin nga të gjitha spektrat politike po përpiqeshin të përgjigjeshin ndaj provokimit më të fundit të politikës së jashtme amerikane.

“Me këto kërcënime, ai po përshkallëzon konfliktin tregtar”, tha zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius.

“Nuk ka fitues në një konflikt tregtar”, shtoi Kornelius, duke theksuar se vendet evropiane janë të vendosura të përgjigjen me masa efektive kundërveprimi, përfshirë tarifat ndëshkuese.

“Do të përgatitim gjithashtu masa të mëtejshme ekonomike nëse është e nevojshme. Dhe nëse është e nevojshme, që nga shkurti”, tha zëdhënësi.

“Ka një marrëveshje të gjerë mbi këtë mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, shtoi  ai.

Komentet vijnë pasi Trump deklaroi  sot se do të vendosë një tarifë 10% mbi mallrat nga Danimarka dhe shtatë vende të tjera evropiane duke nisur nga 1 shkurti, e cila do të rritej në 25% nga 1 qershori, nëse nuk arrihet një marrëveshje e kënaqshme, që sipas tij do të ishte blerja e plotë dhe totale e Groenlandës, e administruar nga Danimarka.

Trump ka insistuar se kontrolli amerikan mbi ishullin Arktik është i nevojshëm për të mbrojtur rajonin nga Rusia dhe Kina.

Kërkesa e tij e ashpër ka hasur kundërshtim brenda Groenlandës, në Kopenhagë dhe mes aleatëve evropianë të Danimarkës./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Berlini dënon kërcënimet për tarifa të Trump dhe paralajmëron kundërmasa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurimi shpëton nga shembja Urën e Niçës


TIRANË, 19 janar/ATSh/ Ura e fshatit Niçë është restauruar dhe tashmë është jashtë rrezikut të shembjes.

Bashkia e Pogradecit e konsideroi këtë ndërhyrje restauruese si një kapitull të ri për urën historike të Niçës.

Kjo urë është Monument Kulture, Kategoria I dhe daton të jetë ndërtuar në shekullin e 18-të. Përveç se është një urë për kalim këmbësorësh ajo është edhe një atraksion kulturor.

Ura e Niçës ndodhet fare pranë fshatit me të njëjtin emër në krahinën e Gorës. Ajo është ndërtuar prej guri dhe përbëhet nga një hark i vetëm. Ura i përket shek. XVIII, por është ndërtuar mbi një rrugë shumë më të vjetër se ajo e cila ishte një degëzim i rrugës Egnatia dhe lidhte Përrenjasin me Gurin e Kamjes-Niçën-Llëngën etj.

Vetë ura lidhte dy brigjet e një përroi dhe ka përmasa relativisht të vogla ku gjatësia nuk i kalon 6 m ndërsa lartësia është rreth 3 m. Për ndërtimin e saj ekziston ndër banorët e fshatit një legjendë si ajo e kalasë së Rozafës e cila lidhet me murosjen e një nuseje të re në këmbët e urës, si e vetmja mënyrë që ura të mos shembej. Largësia nga qyteti i Pogradecit është rreth 15 km në jugperëndim.

/a.f/r.e/

The post Restaurimi shpëton nga shembja Urën e Niçës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump: SHBA do ta largojë kërcënimin rus nga Groenlanda

UASHINGTON, 19 janar /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot  se Uashingtoni do të marrë masa vendimtare për të eliminuar kërcënimin rus në Groenlandë, sipas Reuters.

“NATO i ka thënë Danimarkës për 20 vjet. Duhet të largoni kërcënimin rus nga Groenlanda. Fatkeqësisht, Danimarka nuk ka qenë në gjendje të bëjë asgjë. Tani është koha dhe do të bëhet!”, tha Trump në platformën e tij Truth Social.

Trump ka insistuar vazhdimisht se nuk do të kënaqet me asgjë më pak se pronësinë e Groenlandës, një territor autonom i Danimarkës.

Liderët e Danimarkës dhe të Groenlandës kanë theksuar se ishulli nuk është për shitje dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Trump diskutuan dje situatën e sigurisë në Grenlandë dhe Arktik në një telefonatë.

Rutte tha se të dy do të vazhdojnë të punojnë për këtë.

Groenlanda ka tërhequr prej kohësh interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes strategjike, burimeve të saj të mëdha minerale, si dhe shqetësimeve të supozuara për aktivitetin në rritje rus dhe kinez.

Ndërkohë, Kremlini pranoi javën e kaluar statusin ligjor të Groenlandës si pjesë e Danimarkës.

”Ne veprojmë mbi parimin se Groenlanda është një territor i Mbretërisë së Danimarkës”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post UASHINGTON – Trump: SHBA do ta largojë kërcënimin rus nga Groenlanda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kub France Shkodra ofron një udhëtim virtual në Katedralen e Parisit

TIRANË, 19 janar/ATSh/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” do t’u ofrojë nxënësve të shkollave një përvojë interaktive me ekspozitën “Udhëtim në Notre Dame de Paris”.

Kjo ekspozitë e menduar për fëmijë të moshave 10-13 vjeç, është pjesë e Kub France Shkodra, ku pjesëmarrësit do të mund të bëjnë një udhëtim unik mes artit, historisë dhe teknologjisë. Në këtë aktivitet edukativ zbulohet historia e katedrales së famshme të Parisit, duke ndjekur historikun e saj nga një monument ikonë i trashëgimisë botërore, deri te procesi i rindërtimit pas dëmtimit të rëndë nga zjarri.

Aktiviteti me nxënësit e shkollave përfshin fotografi, piktura, video, momente operistike, si edhe lojëra edukative dhe realitet virtual, duke iu mundësuar të eksplorojnë katedralen Notre Dame nga këndvështrime të ndryshme.

Muzeu “Marubi” thotë se, përvoja nxit kuriozitetin, të menduarit kritik dhe imagjinatën, duke e zhvilluar mësimin në formën e një udhëtim përmes kulturës evropiane.

Gjatë aktivitetit nxënësit do të udhëhiqen nga ekipi edukativ i Kub France Shkodra.

/r.e/a.f/

The post Kub France Shkodra ofron një udhëtim virtual në Katedralen e Parisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – OKB: Rritje alarmante e dënimeve me vdekje në botë në 2025

GJENEVË, 19 janar /ATSH-AFP/ – Dënimi me vdekje në botë ka shënuar një rritje alarmante, paralajmëroi sot Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke shprehur shqetësim për situatën në Iran, Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

”Ndërsa tendenca globale vazhdon të shkojë drejt shfuqizimit universal të dënimit me vdekje, numri i ekzekutimeve është rritur ndjeshëm në 2025, kryesisht për shkak të një rritjeje të dukshme në disa shtete që e ruajnë këtë dënim”, theksoi Volker Turk në një deklaratë të publikuar sot në Gjenevë.

”Zyra ime ka konstatuar një rritje alarmante të përdorimit të dënimit me vdekje në 2025, veçanërisht për shkelje që nuk përfshihen në kriterin e krimeve më të rënda të kërkuara nga ligji ndërkombëtar”, deklaroi zyrtari i OKB-së.

Në Iran, ku sipas Turk të paktën 1 500 persona janë ekzekutuar në 2025, shkalla dhe ritmi i ekzekutimeve tregojnë një përdorim sistematik të dënimit me vdekje si mjet intimidimi nga shteti.

Në Arabinë Saudite, të paktën 356 persona, përfshirë të paktën dy të mitur, janë ekzekutuar në 2025, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vitit 2024.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Komisionerit të Lartë, kanë ndodhur 47 ekzekutime në 2025, që përbën numrin më të lartë në 16 vitet e fundit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJENEVË – OKB: Rritje alarmante e dënimeve me vdekje në botë në 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Tri ditë zi kombëtare pas aksidentit vdekjeprurës hekurudhor

MADRID, 19 janar /ATSH-AFP-EFE/ – Spanja shpalli tri ditë zi kombëtare, njoftoi sot kryeministri Pedro Sanchez, i cili shtoi edhe se do të kishte një ”transparencë absolute” për shkakun e aksidentit që shkaktoi 39 viktima dhe 170 të plagosur.

Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva, i cili gjithashtu doli nga shinat.

Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar sipas raportimeve 39 viktima dhe 170 të plagosur, ku 24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.

Një numër i madh forcash shpëtimi mbërritën në vendngjarje duke u përpjekur të nxjerrin  njerëzit e bllokuar nga rrënojat.

Sipas ministrit spanjoll të Transportit, Oscar Puente, linja ku ndodhi tragjedia ishte modernizuar së fundmi.

Ndërkaq më shumë se 200 trena janë prekur nga pezullimi i trafikut hekurudhor në linjat me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe qyteteve andaluziane të Seviljes, Kordobës, Malagës dhe Huelvës./  a.jor.

The post SPANJË – Tri ditë zi kombëtare pas aksidentit vdekjeprurës hekurudhor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Eksportet 27 miliardë lekë në dhjetor 

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Eksportet e mallrave gjatë muajit dhjetor 2025 arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 5,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) krahasuar me muajin nëntor 2024, eksportet e mallrave u ulën me 4,3%.

Sektorët që kanë kontribuar në këtë rezultat janë “Mineralet, lëndët djegëse, energji elektrike” që u rritën me 3,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me nga 2,4 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 1,2 pikë përqindje.

Ndërsa ndikim negativ dhanë grupet: Ushqim, pije, duhan dhe produkte kimike dhe plastike me 0,5 pikë përqindje.

Në të njëjtën kohë, importet e mallrave arritën 80 miliardë lekë, duke u rritur me 1,3% krahasuar me dhjetor 2024 dhe me 12,6% krahasuar me nëntor 2025.

Si pasojë, deficiti tregtar në dhjetor 2025 ishte 53 miliardë lekë, duke u ulur me 0,8% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, por duke u rritur me 23,7% krahasuar me nëntorin e kaluar.

INSTAT bëri të ditur se gjithashtu se gjatë vitit 2025, eksportet e mallrave arritën vlerën 346 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 6,1% krahasuar me vitin 2024. Ndërsa, importet arritën 887 miliardë lekë, duke u ulur lehtë me 0,8%.

/e.xh/r.e/a.f/

The post INSTAT: Eksportet 27 miliardë lekë në dhjetor  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet leku, valutat humbasin terren

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, këtë mes janari, leku forcoi pozitat në raport me monedhat e huaja.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan të hënën u zhvlerësua me 0,08 lekë, krahasuar me fundjavën, ndërsa monedha europiane zbriti me 0,01 lekë.

Dollari amerikan u këmbye me 83,01 lekë, ndërsa euroja u këmbye me 96,51 lekë.

Ndërkohë paundi britanik u këmbye me 111,27 lekë, ose 0,15 lekë më pak dhe franga zvicerane këmbehet me 103,92 lekë, ose 0,24 lekë më shumë se në fundjavë.

Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 83.01 -0.08
Euroja EUR 96.51 -0.01
Paundi britanik GBP 111.27 -0.15
Franga zvicerane CHF 103.92 +0.24
Jeni japonez (100) JPY 52.58 +0.02
Dollari australian AUD 55.61 -0.13
Dollari kanadez CAD 59.77 -0.05
Korona suedeze SEK 8.99 -0.02
Korona norvegjeze NOK 8.23 -0.02
Korona daneze DKK 12.92 0.00
SDR SDR 113.30 -0.04
Ari (OZ 1) XAU 387323.83 +4,498.29
Argjendi (OZ 1) XAG 7729.61 +165.72
Juani kinez (onshore) CNY 11.92 0.00
Juani kinez (offshore) CNH 11.93 0.00
Lira turke TRY 1.92 0.00

/r.e/a.f/

The post Forcohet leku, valutat humbasin terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌