Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Këngëtarja Adelina Thaçi ia bën "sefte" si deputete në Kuvendin e Kosovës



Këngëtarja e njohur shqiptare, Adelina Thaçi - Meta, ka shënuar sot një kapitull të ri në jetën e saj profesionale, duke ia bërë “sefte” në Kuvendin e Kosovës si deputete.

Këtë të mërkurë, teksa po mbahet seanca për konstituimin e legjislaturës së re, këngëtarja e hitit “Kontrast” u shfaq për herë të parë në ambientet e Kuvendit si deputete e zgjedhur. Paraqitja e saj ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për shkak të figurës së saj publike, por edhe për kalimin nga skena muzikore në atë politike.

Adelina ka arritur të sigurojë një vend në listën e ngushtë prej vetëm 15 deputetësh të zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke u bërë pjesë e kësaj legjislature madje pa pasur nevojë për kuotë gjinore – një fakt që është komentuar si tregues i mbështetjes së drejtpërdrejtë qytetare për kandidaturën e saj.

Me një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në muzikë, përfshirë angazhimin e saj në Filharmoninë e Kosovës, Adelina Thaçi - Meta ka qenë për vite me radhë një emër i njohur në skenën artistike vendore. Tani, ajo ka vendosur ta sprovojë veten edhe në politikë, duke hyrë në një fushë krejtësisht të re për të.

Rrugëtimi i saj politik duket se ka nisur me sukses, pasi u zgjodh deputete që në kandidimin e parë, duke dëshmuar se mbështetja për të shtrihet përtej skenës muzikore. Mbetet të shihet se si do ta ndërthurë përvojën e saj artistike me angazhimin në jetën parlamentare, në një mandat që pritet të jetë sfidues për legjislaturën e re. /Telegrafi/

Bëhen virale pamjet ku Klodi shfaqej nudo në një reality show tjetër, para se të futej në Big Brother VIP Kosova



Klodian Mihaj është rikthyer në qendër të vëmendjes publike, por kësaj radhe jo për debatet apo dinamikat e krijuara brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Kosova”, ku për tre muaj me radhë u profilizua si një nga banorët më të qetë dhe më të kontrolluar.

Së fundmi, rrjeti ka “rizbuluar” një tjetër anë të tij, kësaj here nga eksperienca në formatin ndërkombëtar “Too Hot to Handle Italia”.

Një video që po qarkullon me shpejtësi në TikTok e shfaq Klodianin në një moment mjaft intim gjatë qëndrimit në këtë reality show, duke dëshmuar një anë më të shkujdesur dhe më të guximshme të tij, krejt ndryshe nga imazhi që publiku kosovar është mësuar të shohë.

Pamjet, të cilat kanë nxitur reagime të shumta në rrjete sociale, janë komentuar më tepër si një surprizë sesa si një skandal. Shumë ndjekës kanë theksuar se pjesëmarrja në formate të tilla ndërkombëtare kërkon një qasje tjetër, ku imazhi, vetëbesimi dhe lirshmëria janë pjesë e konceptit të spektaklit.

Kontrasti mes Klodianit të përmbajtur në “Big Brother VIP Kosova” dhe atij më spontan në “Too Hot to Handle Italia” ka hapur diskutime për mënyrën se si personazhet publikë përshtaten sipas formatit dhe audiencës.

Në fund të fundit, çdo reality show ka rregullat dhe dinamikat e veta, dhe pjesëmarrësit shpesh ndërtojnë një version të ndryshëm të vetes në varësi të kontekstit. /Telegrafi/

Rutte: Arktiku gjithnjë e më i rëndësishëm për sigurinë kolektive, NATO duhet të bëjë më shumë



Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë sot në Bruksel se Arktiku është gjithnjë e më i rëndësishëm për sigurinë e përbashkët dhe se NATO duhet të marrë kolektivisht përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e rajonit të Arktikut.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, Arktiku dhe Veriu i Largët 'gjithnjë e më i rëndësishëm për sigurinë kolektive', këmbëngul Rutte ndërsa NATO nis misionin për t'iu përgjigjur shqetësimeve të Donald Trump.

Në këtë drejtim, duke iu referuar Arktikut dhe Veriut të Lartë, Rutte thotë se rajoni është "gjithnjë e më i rëndësishëm për sigurinë tonë kolektive".

Ai thekson se anëtarët e NATO-s "kryejnë rregullisht ushtrime në Arktik, sigurohen që jemi gati për të luftuar dhe për të vepruar në të gjitha kushtet".

Por duke marrë parasysh disa nga shqetësimet e shprehura të Trump për Grenlandën, ai thotë se "përballë aktivitetit ushtarak në rritje të Rusisë dhe interesit në rritje të Kinës në Veriun e Lartë, ishte thelbësore që të bënim më shumë".

Ai ka thënë se misioni i ri Arctic Sentry do të bashkojë ushtrimet dhe logjistikën ekzistuese për të treguar "angazhimin tonë të qartë të aleancës për të siguruar sigurinë e Arktikut dhe në të vërtetë sigurinë e të gjithë Aleancës së bashku".

Ai ka shtuar se misioni i ri do t'i ndihmojë gjithashtu aleatët të hartojnë "sfidat e mundshme" në mënyrë që "çdo boshllëk të mund të adresohet shpejt dhe në mënyrë efektive". /Telegrafi/

​Spitali i Mitrovicës jep detaje për gjendjen e të plagosurit



Një 25-vjeçar i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Mitrovicë të Jugut, është paraqitur në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri”, rreth orës 19:48.

Zëdhënësi i Spitalit Rajonal në Mitrovicë, Shpend Fazliu, ka konfirmuar për KosovaPress, se pacienti ka pësuar lëndime në këmbë dhe aktualisht po merr trajtim dhe terapi mjekësore, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Sonte, rreth orës 19:48, në Shërbimin Emergjent është paraqitur një pacient 25-vjeçar me lëndime në këmbë. I njëjti është duke u trajtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë,” ka deklaruar Fazliu.

Rasti ndërlidhet me incidentin e raportuar më herët me armë zjarri në rrugën “UÇK”, në Mitrovicë të Jugut, ku Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar dhe po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Andonovski: Ndalimi i internetit për fëmijët nën 15 vjeç do të ishte hap radikal



Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, thotë se Qeveria nuk po shqyrton kufizimin e qasjes në rrjetet sociale për të miturit nën moshën 15 vjeç, duke vlerësuar se një veprim i tillë do të ishte shumë radikal dhe do të nënkuptonte ndërhyrje nga shteti në të drejtat dhe liritë themelore.

Andonovski e tha këtë në përgjigje të pyetjeve gazetareske, me rastin e shënimit të Ditës së Internetit më të Sigurt, nëse Maqedonia do të ndjekë hapat e disa vendeve, disa prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ku po zhvillohen diskutime për të kufizuar qasjen në rrjetet sociale për të miturit.

“Kemi vënë re edhe peticione në Maqedoni. Bëra një koment. Vitin e kaluar, në kuadër të këtij projekti, prezantuam një mënyrë kontrolli në të gjitha shkollat, përmes së cilës prindërit mund të kontrollojnë se cilat aplikacione mund të kenë fëmijët e tyre në telefonat e tyre celularë dhe pajisje të tjera, sa kohë mund të kalojnë me to dhe çfarë përmbajtjeje u lejohet ose nuk u lejohet të ndjekin. Ne besuam se kjo ishte një mënyrë për të parandaluar rreziqet e internetit, dhe që prindërit të mbajnë kontrollin, dhe jo që shteti të marrë përsipër. Është kontrolli i mjeteve që janë jashtëzakonisht private. Ato përdoren nga prindërit, fëmijët, dhe do të ishte ndërhyrje nga shteti në punët e brendshme të çdo familjeje”, deklaroi Andonovski.

Sonte seanca për votimin e Qeverisë së Kosovës



Sot do të mbahet seanca e jashtëzakonshme plenare për votimin e qeverisë së Kosovës.

Seanca është caktuar të mbahet në ora 20:00, bëhet e ditur në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Megjithëse është parashikuar të mbahet në ora 20:00, seanca pritet të nisë në ora 21:00

Lexoni të plotë njoftimin:

Seancë e jashtëzakonshme plenare

Rendi i ditës

Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Koha: 20:00. /Telegrafi/

Hamza paralajmëron rezolutë për Hagën në seancën e parë të Kuvendit, kërkon mbështetje gjithëpërfshirëse



Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se legjislatura e re po nis në një moment vendimtar për Kosovën dhe ka paralajmëruar procedimin për votim të një rezolute lidhur me proceset gjyqësore në Hagë.

“Kjo legjislaturë e re po nis në një moment vendimtar për Kosovën. Mbrojtja e së vërtetës, drejtësisë dhe shtetësisë në Hagë nuk është çështje partie, por obligim shtetëror e kombëtar”, ka shkruar Hamza në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se në seancën e parë të punës do të procedohet për votim një rezolutë e hartuar nga ekspertë të pavarur.

“Në seancën e parë të punës do ta procedojmë për votim Rezolutën e hartuar nga ekspertët e pavarur, e cila kërkon një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, që mishëron standardet më të larta ndërkombëtare”, ka theksuar Hamza.

Në fund, kreu i PDK-së ka ftuar për mbështetje të gjerë institucionale dhe politike.

“Presim mbështetjen e të gjithëve që besojnë në drejtësi, dinjitet dhe shtet”, ka përfunduar Hamza. /Telegrafi/


E fejuara e Mick Jagger pretendon se është sulmuar jashtë klubit: Jam e shokuar dhe e trishtuar



E fejuara e Mick Jagger, Melanie Hamrick, ka pohuar se është sulmuar fizikisht jashtë një klubi në Londër.

Ajo shpjegoi në Instagramin e saj se u kap nga dy persona në një klub privat në Londër dhe më pas e fshiu postimin.

"Është vërtet e vështirë për t’u ndarë me të, por sonte u sulmova fizikisht. Jam mirënjohëse ndaj miqve të mi që më mbrojtën. Jam mirënjohëse ndaj njerëzve të mirë që më erdhën në ndihmë. Jam e shokuar, e trishtuar dhe me zemër të thyer që njerëzit sillen me njëri-tjetrin në këtë mënyrë", tha ajo.

Jagger dhe Hamrick u takuan për herë të parë në vitin 2014 pas dy vitesh lidhje. Edhe pse spekulimet kishin vazhduar për një kohë të gjatë, vetëm në prill të vitit 2025 ata konfirmuan se ishin të fejuar prej disa vitesh.

Jagger dhe Hamrick qëndrojnë shpesh në Francë dhe ndajnë foto nga udhëtimet e tyre së bashku në rrjetet e tyre sociale. /Telegrafi/

Presidentja Osmani mandaton Kurtin për formimin e qeverisë



Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mandatuar Albin Kurtin për kryeministër.

Kjo u bë e ditur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook.

“Sot, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, kam caktuar Kryeministrin Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

I uroj suksese në udhëheqjen e Qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ju priftë e mbara!”, shkruan Osmani. /Telegrafi/


BE synon baza për stërvitje të ushtarëve ukrainas edhe në  Ukrainë



Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të mërkurën se Brukseli po shqyrton disa baza që mund të përdoren për të trajnuar trupat ukrainase në vendin e shkatërruar nga lufta, nëse arrihet një marrëveshje për të ndaluar luftimet.

"Kemi diskutuar trajnimin e ushtarëve ukrainas, gjithashtu në tokën e Ukrainës", tha Kallas në një takim të ministrave të mbrojtjes të BE-së, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

"Kemi identifikuar dy qendra trajnimi që mund të përdoren për këtë qëllim", tha ajo, pa dhënë detaje.

BE-ja ka thënë se mund të fillojë trajnimin e forcave ukrainase në atdheun e tyre, si pjesë e garancive perëndimore të sigurisë sipas çdo marrëveshjeje të mundshme për t'i dhënë fund luftës katërvjeçare të Rusisë.

Blloku 27-vendesh ka trajnuar tashmë rreth 90,000 ushtarë ukrainas në tokën e BE-së, si pjesë e një programi të përbashkët evropian.

E një zyrtar i BE-së tha se rinovimet e objekteve të trajnimit mund të fillojnë para se të ndalen luftimet.

Disa nga mbështetësit evropianë të Ukrainës - të udhëhequr nga Britania dhe Franca - kanë thënë se janë të gatshëm të vendosin trupat e tyre në Ukrainë nëse përpjekjet e Shteteve të Bashkuara i japin fund konfliktit.

Rusia ka paralajmëruar se nuk do të pranojë trupa nga vendet e NATO-s në tokën ukrainase dhe do t'i konsiderojë ato një "objektiv legjitim". /Telegrafi/

Çeku për votimin e Simiqit: Ka qenë konsensus i kryesisë



Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku nuk ka komentuar votimin që i kanë bërë nënkryetarit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Ai pas përfundimit të seancës është pyetur se pse kanë votuar tash edhe nënkryetarin e Listës Serbe, derisa në seancat e vitit të kaluar nuk e votonin.

“Nuk kam koment. Ka qenë konsensusi që ka bërë kryesia e legjislaturës....Tash jemi duke i kryer procedurat për përgatitjen e seancës, në të cilën do të propozohet përbërja e kabinetit qeveritar. Besoj se shumë shpejt do të sqarohen të gjitha. Duhet t'ia lëmë mandatarit, kryeministrit të ardhshëm, të tanishëm Kurtin, që ta prezantojë ai përbërjen”, tha ai.

Përndryshe pesë nënkryetarët e Kuvendit janë votuar si pako.Nga LVV-ja nënkryetar u zgjodh deputeti, Ardian Gola, PDK, Vlora Çitaku, LDK, Kujtim Shala, Lista Serbe, Sllavko Simiq dhe Emilja Rexhepi nga komunitetet jo serbe. /KP/

Revolucion në kampionatin japonez: Ndeshjet që përfundojnë baras, shkojnë në penallti



Kampionati japonez J-League, ka prezantuar një risi të madhe për sezonin e saj të 100-të në vitin 2026, duke hequr përkohësisht barazimet nga ndeshjet.

Sipas rregullit të ri, ndeshjet që përfundojnë në barazim pas 90 minutave do të vendosen përmes gjuajtjeve të penalltive.

Fituesi i penalltive do të marrë dy pikë, ndërsa skuadra humbëse do të fitojë një pikë.

Fitoret e arritura brenda kohës së rregullt mbeten të pandryshuara, me tre pikë për fituesin dhe zero për humbësin.

Ky rregull do të zbatohet vetëm gjatë sezonit kalimtar të vitit 2026, i cili do të zhvillohet nga shkurti deri në qershor.

Elita e futbollit japonez po harmonizon kalendarin e saj me atë evropian, i cili do të nisë më vonë, në gusht ose shtator.

Organizatorët e ligës deklarojnë se qëllimi është rritja e spektaklit dhe ulja e numrit të barazimeve.

Megjithëse rregulli është zyrtarisht i përkohshëm, zyrtarët pranojnë se e ardhmja e tij mund të rishqyrtohet nëse rezulton i suksesshëm dhe pritet pozitivisht./Telegrafi/

Miftaraj: LVV braktisi parimet dhe votoi kandidatin e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit



Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për përkrahjen e Listës Serbe dhe Slavko Simiqit për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si kundërthënie me qëndrimet e mëparshme të partisë.

“Lëvizja Vetëvendosje papritmas vendosi me përkrah Listën Serbe dhe Slavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Ai ka akuzuar LVV-në se gjatë vitit të kaluar ka sulmuar kritikët që kërkonin zbatimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.

“Gjatë vitit të kaluar LVV dhe klientela e saj e ka shpallur tradhtar secilin që ka pas guxim me kërku zbatimin e Kushtetutës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar ai.

Miftaraj ka vlerësuar se sot e njëjta parti ka vepruar në kundërshtim me parimet që, sipas tij, i kishte promovuar më herët.

“Sot e njëjta parti harroi krejt parimet e saj të bazuara në gënjeshtra dhe mashtrime publike në emër të patriotizmit fallc dhe me votat e saj votoi Listën Serbe dhe Slavko Simiqin nënkryetar të Kuvendit”, ka shkruar ai.

Ai ka ngritur edhe pyetje për qëndrimin e LVV-së ndaj Listës Serbe, duke iu referuar deklarimeve të mëhershme të kësaj partie.

“LVV dhe Albin Kurti sot do duhej të na tregonin se Lista Serbe a është terroriste?”, ka shkruar Miftaraj.

Po ashtu, ai ka kritikuar qëndrimet e mëhershme të LVV-së ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Albin Kurti dhe LVV e cenuan dialogun strategjik me ShBA duke sulmuar GJK për Listën Serbe dhe Slavko Simiqin, kurse sot e votuan njëzëri për ta”, ka theksuar ai.

Në fund, Miftaraj ka uruar konstituimin e Kuvendit dhe ka shprehur shpresën për formimin e shpejtë të qeverisë.

“Urime konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Të shpresojmë të formohet qeveria sa më shpejt të jetë e mundur”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


Kasami: Nesër mbledhim Kuvendin Qendror, do të vlerësojmë pozicionin tonë në qeveri



Kryetari i Komunës së Tetovës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka deklaruar për Tv21 se gjatë ditës së nesërme do të mblidhet Kuvendi Qendror i partisë, për të vendosur mbi çështjet e kuadrove dhe pozicionimin e partisë në qeveri.

Ai vlerësoi se kapaciteti i Lëvizjes Besa në VLEN dhe në qeveri është shumë më i madh se ai që e kemi treguar deri tani.

“Nuk mund të them se jemi plotësisht të kënaqur, sepse gjithmonë ka nevojë për më shumë angazhim nga gjitha dikasterët të cilat i udhëheqim ne. Kemi bërë disa herë analiza ku janë anët e forta dhe të dobëta të Lëvizjes Besa në VLEN dhe si pjesë e VLEN-it në qeveri. Brenda javës, nesër ne kemi thirru një mbledhje të Kuvendit Qendror për të diskutuar këto çështje dhe për të vlerësuar pozicionin tonë në qeveri dhe për të marrë një vendim për rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm. Besoj aty të gjithë funksionarët do të raportojnë për atë se cili është rezultati i qeverisjes së tyre dhe menaxhimit të tyre me institucionet dhe si organ kryesor i LB-së mes dy kongreseve do të marrë edhe qëndrime sa ne jemi të kënaqur dhe a do të kishte qenë më mirë”, tha mes tjerash Kasami.

Begaj uron Haxhiun: Shqipëria do të qëndrojë pranë Kosovës



Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Albulena Haxhiun, e cila sot u zgjodh kryetare e Kuvendit.

Begaj në një postim në Facebook ka shkruar se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës.

“Punime të mbara Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën X! Urime, znj. Albulena Haxhiu, për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit!

Shqipëria do të vijojë të qëndrojë pranë Kosovës, në mbështetje të institucioneve demokratike të saj dhe rrugëtimit Euroatlantik!”, shkruan ai. /Telegrafi/


Naim Murseli e përmendi në seancë gjyqësore për një kredi, reagon Behgjet Pacolli



Naim Murseli i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Murseli sot në seancën gjyqësore ka përmendur një kredi që kishte garantuar biznesmeni Behgjet Pacolli.

Në seancën e së mërkurës, vetë Murseli tha se ka ekzistuar një parakontratë borxhi mes tij dhe Pacollit, duke theksuar se borxhi është shlyer në mënyra tjera.


E pas këtij lajmi, ka reaguar edhe Pacolli përmes një postimi në Facebook, duke sqaruar rreth rastit.

Lexoni të plotë postimin:

Sot është mbajtur një seancë në kuadër të procesit gjyqësor kundër Naim Murselit.

Ndër të tjera, është diskutuar edhe për një kredi të garantuar nga unë për familjen Murseli (Liridona dhe Naimi).

Sot, shumë media të interesuara për këtë çështje kërkuan informacione dhe, në këtë kuadër, u sqarua se familja Murseli, në atë kohë, kishte blerë një lokal në Uddevalla, ku kishte punuar edhe e ndjera Liridona.

Nga kjo kredi, familja Murseli ka kthyer në para të gatshme më pak se 12,000 euro, por Naimi, në atë kohë ka kryer edhe punë në KOMPENSIM, kryesisht në mirëmbajtjen e faqeve të internetit të kompanive të grupit Mabetex, të Fondacionit BP dhe të disa platformave në rrjetet sociale. Nuk besoj se kjo shumë është kthyer në tërësi, por nga ana ime nuk ka pas asnjë trusni për ndonjë kthim urgjent. /Telegrafi/

Inspektorati i Fushë Kosovës ndërpret punimet në dy raste për shkelje të procedurave ligjore



Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Fushë Kosovës ka zhvilluar inspektime të rregullta në terren për të verifikuar respektimin e procedurave ligjore dhe kushteve të lejes ndërtimore gjatë realizimit të punimeve ndërtimore.

Sipas njoftimit të Drejtorisë, gjatë kontrolleve janë konstatuar disa parregullsi procedurale, ndërsa në dy raste është ndërmarrë masa e ndërprerjes së menjëhershme të punimeve deri në përmbushjen e plotë të obligimeve ligjore nga ana e investitorëve.

Drejtoria e Inspektoratit ka apeluar tek punëkryesit dhe investitorët që të respektojnë me përpikëri kërkesat ligjore, kushtet e lejes ndërtimore dhe standardet teknike gjatë të gjitha fazave të realizimit të punimeve, duke theksuar se respektimi i procedurave është garanci për sigurinë e qytetarëve dhe cilësinë e objekteve.

Po ashtu, është theksuar se çdo shmangie nga rregullat do të trajtohet me seriozitet dhe do të pasohet me masa në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke rikujtuar se zbatimi i ligjit është obligim dhe jo alternativë. /Telegrafi/


Araujo mori një telefonatë nga ylli i Real Madridit pas luftës me ankthin dhe depresionin



Ylli i Barcelonës, Ronald Araujo, duket se është në rrugën e duhur pas një periudhe të vështirë 18-mujore, gjatë së cilës u përball me ankth dhe më pas me depresion.

Mbrojtësi uruguaian ka deklaruar se “më e keqja ka kaluar”, pas rikthimit të tij në fushë në muajin janar. Ai kishte marrë një pushim nga futbolli në dhjetor për t’u fokusuar në rikuperimin e tij mendor.

Qendërmbrojtësi kishte humbur vendin e titullarit te Barcelona dhe, pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Chelseat në fund të nëntorit, vendosi të ndalonte përkohësisht.

Araujo u rikthye në aksion në janar dhe javën e kaluar bëri startin e tij të parë kundër Albacete.

Në një intervistë të thelluar të martën, ai foli hapur për betejat e tij personale, duke theksuar se tashmë ndihet në një fazë ngritjeje dhe përmirësimi.

Edhe pse rivaliteti mes klubeve është shpesh i ashpër, mbi të gjitha lojtarët mbeten kolegë që e kuptojnë njëri-tjetrin.

Sipas Diario AS, gjatë periudhës së vështirë të Araujos, ai mori një telefonatë nga ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, me të cilin është përballur shpesh në duele të zjarrta në fushë.

Në fund të vitit 2025, gjatë pushimit të tij nga futbolli, braziliani e kontaktoi për ta pyetur si ishte dhe për t’i ofruar mbështetje dhe inkurajim.

Pas finales së Superkupës së Spanjës, Araujo dhe Vinicius u panë duke u përqafuar, ashtu si edhe Dani Ceballos dhe Dani Carvajal, të cilët gjithashtu e pyetën për gjendjen e tij./Telegrafi/

Nis rregullimi i urës në Vaganicë pas dëmeve nga vërshimet e fundit



Kanë nisur punimet për sanimin e urës në fshatin Vaganicë të Komunës së Mitrovicës, e cila kishte pësuar dëme të konsiderueshme si pasojë e vërshimeve të fundit të shkaktuara nga lumi Lushta.

Sipas njoftimit të Komunës së Mitrovicës, kryetari Faton Peci, së bashku me Drejtorin për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Mujën, kanë vizituar punimet që po zhvillohen në këtë urë, për të parë nga afër progresin e ndërhyrjeve.

Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për sanimin e dëmeve, me qëllim parandalimin e dëmeve të mëtejshme dhe garantimin e sigurisë në qarkullimin e qytetarëve.

Komuna ka bërë të ditur se ndërhyrjet janë pjesë e masave emergjente pas vërshimeve dhe se do të vazhdojë monitorimin e situatës në terren për të siguruar funksionalitetin e plotë të infrastrukturës në zonat e prekura. /Telegrafi/


Rrezik nga rrëshqitja e dheut në lagjen Bair, Osmani viziton familjet e rrezikuara



Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Enis Osmani, ka vizituar sot familjet e rrezikuara në lagjen Bair, pas raportimeve për dridhje të tokës dhe rrezik nga rrëshqitja e dheut në rrugën “Ali Pashë Tepelena”.

Sipas njoftimit të Komunës së Mitrovicës, në terren kanë dalë edhe Drejtoresha për Emergjenca dhe Siguri, Fitore Mehmeti Behrami, Drejtori i Inspekcionit, Mujë Igrishta, si dhe Kryesuesi i Komisionit, Rame Hamza, së bashku me ekipet përkatëse, të cilët kanë bërë vlerësimin e situatës.

Nga verifikimet në terren ka rezultuar se tri familje janë të rrezikuara si pasojë e rrëshqitjes së dheut, ndërsa një shtëpi e pabanuar është dëmtuar. Institucionet komunale kanë ofruar strehim të përkohshëm për familjet e prekura, por ato kanë zgjedhur që përkohësisht të sistemohen tek familjarët e tyre.

Në takim është theksuar gatishmëria për bashkëpunim me nivelin qendror, duke u theksuar se problematika e rrëshqitjeve të dheut në këtë lagje është e pranishme që nga viti 2023 dhe kërkon zgjidhje afatgjata institucionale.

Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me institucionet relevante, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve. /Telegrafi/


❌