TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria dhe Kroacia do të intensifikojnë bashkëpunimin strategjik në fusha kyçe si integrimi evropian, ekonomia, energjia, turizmi dhe infrastruktura.
Në një deklaratë të përbashkët për mediet me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, Hoxha bëri të ditur se bisedimet u fokusuan te marrëdhëniet dypalëshe, hapat për zbatimin e partneritetit strategjik dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Hoxha kujtoi se që nga viti 2018 Shqipëria dhe Kroacia i kanë ngritur marrëdhëniet në nivelin e partneritetit strategjik, duke theksuar se ato pasqyrojnë orientimin euroatlantik dhe vizionin e përbashkët për një rajon të bazuar në paqe, pajtim dhe integrim evropian.
Sipas Hoxhës, dy vendet po shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të mbledhjes së parë të përbashkët të dy qeverive.
Hoxha falënderoi Kroacinë për mbështetjen politike dhe ekspertizën teknike që ka ofruar gjatë negociatave, duke e cilësuar përvojën kroate një model frymëzues për Shqipërinë.
“Biseduam për mori të çështjes që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona dypalëshe, hapjen e rrugës përpara dhe për çështje të tjera me interes. Prej vitit 2018 Shqipëria dhe Kroacia kanë ngritur marrëdhëniet në nivelin e partneritetit strategjik. Mund të them me gojën plot se marrëdhëniet që gëzojmë sot mes dy vendeve janë një pasqyrë e vlerave në te cilat presojnë dy vendet tona dhe veçanërisht e një mendësisë në orientimin tonë të palëkundur euroatlantik si dhe te vizioni europianizues për rajonin që mbështet paqen, pajtimin, gjithëpërfshirjen dhe rrugën e përbashkët drejt Bashkimit Europian.
“Diskutuam për hapat e ardhshëm për zbatimin e planit të veprimit të partneritetit strategjik mes vendeve tona dhe në këtë kuadër edhe mundësinë e zhvillimit të një takimi të parë në dy qeverive i cili do t’i japë bashkëpunimit tonë një dimension të ri energjizues dhe të integruar. U ndalëm gjerësisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe ndihmesën e vyer që Kroacia vijon te japë prej ditësh në këtë proces. Gjej rastin ta falënderoj publikisht homologun Rdaman për mbështetjen e zëshme dhe të fuqishme që Kroacia ka dhënë jo vetëm politikisht, por dhe praktikisht me ekspertizën e saj të gjatë në procesin teknik të negociatave”, tha Hoxha.
Ai nënvizoi se, pas mbylljes së tre kapitujve të parë të negociatave, qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të përmbushur të gjitha reformat, me objektivin që procesi teknik i negociatave të përfundojë brenda vitit 2027 dhe Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.
“Ajo çka Kroacia ka arritur vetëm në një dekadë pas anëtarësimit në BE është një shembull frymëzues për ne se kryerja e reformave, arritja e standardeve, shpërblehen dhe shndërrohen në një histori suksesi për të gjithë qytetarët pa përjashtim. E sigurova homologun tim kroat se pas mbylljes së tre kapitujve të parë 13 ditë më parë në Bruksel, qeveria shqiptare vazhdon të punojë me përkushtim dhe angazhim të dorës së parë për të përmbushur të gjitha detyrimet, që ne fakt janë angazhimet tona, se reformat e kërkuara me qëllim realizimin e objektivit që i kemi vënë vetes për të përmbyllur procesin teknik të negocimit brenda vitit 2027, për të bërë të mundur që Shqipëria të anëtarësohet në përputhje me ambicien tonë në përputhje me planin e punës ne Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade. Në këtë proces nuk ka as pauzë, as pushim. Ne mbetemi tërësisht të vendosur të ruajmë këtë ritëm dhe të sigurojmë që reformat që ndërmarrin të sjellin përfitime afatgjata për qytetarët tanë dhe te forcojnë gjithashtu besueshmërinë e rinisë shqiptare e shoqërisë shqiptare, në këtë proces”, tha ai.
Ministri bëri të ditur se Shqipëria dhe Kroacia ranë dakord të rrisin bashkëpunimin ekonomik përmes nxitjes së investimeve dhe projekteve të përbashkëta në energji, turizëm dhe infrastrukturë. Ai njoftoi gjithashtu se në tetor do të zhvillohet në Tiranë sesioni i gjashtë i Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik.
“Vlerësuam rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ramë dakord të intensifikojmë përpjekjet për të nxitur investimet dhe projekte të përbashkëta në energji, turizëm dhe infrastrukturë. Gjatë muajit tetor ne do të ndërpresim në Tiranë sesionin e gjashtë të komisionit të përbashkët të bashkëpunimit ekonomik i cili nuk është ngritur prej kohësh. Ramë dakord për të thelluar më tej bashkëpunimin në fushën e turizmit, se Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Kroacia në këtë fushë. Përmirësimin e lidhjeve të transportit, një aspekt themelor. Së bashku do të nxisim mundësitë për lidhje direkte ajrore dhe për zhvillimin e lidhjeve direkte detare kurdo ku është e mundur dhe ekonomikisht përfituese”, tha Hoxha.
Në fushën e transportit, Hoxha tha se synojnë përmirësimin e lidhjeve ajrore dhe detare, si dhe avancimin e projekteve strategjike si Korridori Blu, Korridori VIII dhe gazsjellësi Adriatiko-Jonian, i cili do të lidhet me gazsjellësin TAP dhe do të kontribuojë në gazifikimin e vendeve të rajonit.
“Zhvillimi i Korridorit Blu, Korridorit VIII, Nisma e Tre Deteve dhe integrimi i tyre me korridoret e tjera panevropiane do të kontribuojë jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore e ujore, por edhe në forcimin e kapaciteteve të lëvizshmërisë ushtarake, një aspekt i rëndësishëm i bashkëpunimit në fushën e sigurisë si dy vende anëtare të NATO-s”, tha Hoxha.
Hoxha vlerësoi edhe rolin e diasporës shqiptare në Kroaci, duke e cilësuar atë një urë të rëndësishme miqësie mes dy vendeve. Ai njoftoi gjithashtu se gjuha kroate do të përfshihet për herë të parë si gjuhë e huaj me zgjedhje në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, duke nisur nga viti akademik 2026-2027.
“Përmendëm diasporën shqiptare në Kroaci e cila mbetet një aset i çmuar i marrëdhënieve tona, një urë miqësie që kontribuon në jetën sociale dhe ekonomike të Kroacisë, ndërsa Kroacia ka qenë dhe mbetet një shembull i trajtimit dinjitoz dhe integrimit efektiv të pakicave. Ndava me homologun tim lajmin e mirë se gjuha kroate për herë të parë do të përfshihet në programin mësimor si gjuhë e huaj me zgjedhje në vitin akademik 2026-2027 në fakultetin e Gjuhëve të Huaja”, tha ministri.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha me homologun kroat, foto: Florian Abazaj
/m.q/j.p/
The post Hoxha: Synojmë përfundimin e negociatave me BE-në brenda 2027-ës, Kroacia frymëzim se reformat shpërblehen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.