Lebibe Topalli përfaqëson artin nga Kosova në festivalin ndërkombëtar Gulìa Urbana në Itali
Artistja vizuale dhe profesoresha universitare Lebibe Topalli ishte pjesë e edicionit të 6-të të “Gulìa Urbana – International Mural Festival”, i cili u mbajt në Santa Sofia d’Epiro, Kalabri të Italisë, duke sjellë në këtë ngjarje ndërkombëtare përvojën dhe krijimtarinë artistike nga Kosova.
E ftuar si pjesë e programit të festivalit, Topalli realizoi një mural të ri në hapësirën publike të Santa Sofia d’Epiro, një prej qendrave historike të komunitetit arbëresh në Itali. Përmes kësaj vepre, artistja vazhdoi hulumtimin e saj krijues mbi figurën e gruas, identitetin, kujtesën dhe trashëgiminë kulturore, duke ndërthurur artin bashkëkohor mural me historinë dhe veçantinë e komunitetit arbëresh.
Pjesëmarrja në Gulìa Urbana përbën një prezantim të rëndësishëm të artit nga Kosova në një skenë ndërkombëtare, si dhe një mundësi për shkëmbim artistik me muralistë nga vende të ndryshme. Për Topallin, realizimi i kësaj vepre në një komunitet që për shekuj ka ruajtur gjuhën, traditat dhe kujtesën e origjinës shqiptare kishte një domethënie të veçantë.
“Është një ndjenjë e veçantë të lësh një pjesë të artit tënd në një komunitet si ai arbëresh. Përtej realizimit të muralit, kjo eksperiencë ishte një takim me njerëz, histori dhe një kulturë që ka ruajtur lidhjen me rrënjët shqiptare ndër shekuj”, ka thënë Topalli.
Ajo ka shprehur mirënjohje për mikpritjen dhe mundësinë që përmes artit të saj të kontribuojë në këtë hapësirë, duke theksuar rëndësinë e krijimit të urave të reja bashkëpunimi mes Kosovës dhe Italisë.
Kjo pjesëmarrje shënon gjithashtu një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërmjet Gulìa Urbana dhe Mural Fest Kosova, festivalit të themeluar në Ferizaj nga Lebibe Topalli. Ky bashkëpunim synon të forcojë shkëmbimin kulturor dhe artistik përmes pjesëmarrjes së artistëve, ndarjes së përvojave dhe zhvillimit të iniciativave të përbashkëta në të ardhmen.
Lidhja me komunitetin arbëresh i jep këtij bashkëpunimi një dimension të veçantë kulturor, duke e shndërruar artin publik në një hapësirë takimi mes krijimtarisë bashkëkohore, historisë dhe identitetit.
Edicioni i 6-të i Gulìa Urbana, i kuruar nga organizatorët e festivalit, u zhvillua në Santa Sofia d’Epiro dhe solli artistë ndërkombëtarë të muralit e artit urban, duke krijuar dialog mes hapësirës publike, komunitetit dhe trashëgimisë kulturore të zonës.
Pjesëmarrja në këtë festival përforcon rrugëtimin ndërkombëtar të Lebibe Topallit, e cila krahas aktivitetit të saj si artiste vizuale dhe profesoreshë universitare, është themeluese dhe drejtoreshë artistike e Mural Fest Kosova. Që nga viti 2016, ky festival ka kontribuar në zhvillimin e artit mural në Kosovë dhe transformimin e hapësirave publike, duke krijuar lidhje me artistë dhe iniciativa ndërkombëtare./KultPlus.com







