Kosovë/ LDK thërret Kuvendin e partisë, kryetari Abdixhiku pritet të kërkojë votëbesim
Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbledhë kuvendin e përgjithshëm më 31 janar, ku kryetari Lumir Abdixhiku pritet të kërkojë votëbesim para 355 delegatëve, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, edhe pse pritshmëritë ishin që kjo parti të merrte një vendim për fatin e Abdixhikut më shpejt.
Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, e cila zgjati katër orë të hënën, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, tha se statuti i kësaj partie e njeh të drejtën e kryetarit për të kërkuar votëbesim.
“Natyrisht, duke filluar nga një analizë e rezultateve të zgjedhjeve të fundit dhe duke kulmuar, sipas kërkesës së vet kryetarit Abdixhiku, do të ftohet kuvendi si organi më i lartë vendimmarrës i LDK-së më 31 janar. Në këtë kuvend, siç e ka deklaruar vetë kryetari Abdixhiku, ai do të ofrojë dorëheqjen e tij duke i lënë Kuvendit të vendosë edhe për këtë çështje dhe për diskutime të tjera që mund të fliten në atë Kuvend”, u shpreh zëdhënësi i LDK, Besian Mustafa.
Sipas tij, vetëm pas kësaj procedure dhe varësisht prej rezultatit të votimit mund të shkohet te procesi zgjedhor i LDK-së, ku mund të ketë edhe shpallje të kandidaturave për kryetar të partisë më të vjetër në Kosovë.
“Kryetari Abdixhiku në këtë kuvend do të kërkojë votëbesim. Kuvendi i LDK-së, që i ka 355 delegatë, do të vendosë në këtë kërkesë nëse vazhdon të këtë besim të kryetari i partisë apo jo. Statuti i LDK-së e njeh të drejtën e kryetarit të partisë për të kërkuar votëbesim, andaj një gjë të tillë do ta kërkojë më 31 janar”, shtoi ai.
Po ashtu, Mustafa foli edhe për keqpërdorimet dhe vjedhjet e votave brenda subjekteve politike. Ai tha se për të gjithë ata zyrtarë të LDK-së që rezulton se kanë pasur dorë në manipulimin me vota, do të ketë pasoja edhe politike.
“Këto shkelje janë të rënda të demokracisë dhe duhet ndjekur penalisht dhe secili duhet të japë përgjegjësi ligjore dhe penale. Por, siç ka thënë edhe vetë kryetari Abdixhiku, do të ketë edhe pasoja politike për të gjithë anëtarët e LDK-së, pavarësisht nivelit të tyre të përgjegjësisë që e mbajnë, nëse rezulton nga procesi hetues ligjor që kanë marrë pjesë në këto procese të jashtëligjshme”, tha ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.24 për qind të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, që i sigurojnë 15 deputet në Kuvend, rezultati i dytë më i ulët ën historinë e kësaj partie që nga themelimi i saj.
