Nga Gazeta ‘SI’ – Sektori i ndërtimit në Shqipëri, përveç se shihet si motori kryesor i ekonomisë së vendit, është kthyer edhe në “lavatriçen” e preferuar të parave të pista.
Një raport i Fondacionit Friedrich Ebert (FES) për vitin 2025 zbulon se çmimet e pronave në vend, janë fryrë me 20–30% mbi vlerat reale, për shkak të injektimit të fondeve të pista. Vetëm në tre vitet e fundit, sektori ka përthithur mbi 1.6 miliardë euro të dyshimta dhe ka deformuar tregun imobiliar duke krijuar një iluzion rritjeje ekonomike që nuk reflekton realitetin dhe duke lënë jashtë tregut të blerjes familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta.
Një analizë nga Global Initiative against Transnational Organized Crime (GI-TOC) sqaron se për këtë proces, përdoren huatë bankare dhe hipotekore, ku kreditë shlyhen herët përmes depozitave të vogla për të fshehur origjinën e parave. Vetëm trafiku i drogës llogaritet të fusë deri në 500 milionë euro në vit në këto struktura. Parashikimet e GI-TOC sugjerojnë se në dy vitet e ardhshme, rreth 2 miliardë euro të tjera mund të kanalizohen drejt ndërtimit, duke shtyrë çmimet e pronave deri në 35% mbi vlerat reale.
Transformimi i pastrimit të parave është gjithashtu drejt digjitalizimit. Kriptovalutat dhe teknologjitë fintech pritet të jenë të përfshira në 40–50% të rasteve, ndërsa mashtrimet online nga call center-at mund të evoluojnë në skema të drejtuara nga inteligjenca artificiale, duke gjeneruar mbi 100 milionë euro në vit (Europol, 2026).
Studime të tjera, përfshirë raportin e ALTAX, theksojnë se sofistikimi i pastrimit të parave në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Teknologjitë e reja, pjesëmarrja e profesionistëve ligjorë dhe sektoret e luksit kanë krijuar mundësi të reja për formalizimin e fondeve të dyshimta.
Pse ndërtimi?
Ndërtimi mbetet sektori më i favorizuar, falë flukseve të mëdha financiare, vlerave të larta të transaksioneve dhe mungesës së transparencës.
Një problem shtesë është zinxhiri i paqartë i aktorëve. Kompanitë ndërtuese, zhvilluesit dhe nënkontraktorët formojnë një rrjet kompleks, ku gjurmimi i fondeve bëhet pothuajse i pamundur.
Një tjetër element kritik është zinxhiri i paqartë i aktorëve, ku gjurmimi financiar humbet mes kompanive ndërtuese, zhvilluesve dhe nënkontraktorëve. Sektori imobiliar funksionon përmes një rrjeti kompleks subjektesh, që e bën të vështirë identifikimin e përgjegjësive.
Rol të rëndësishëm luajnë edhe profesionet e licencuara, si noterët, avokatët dhe zhvilluesit, të cilët, përmes mungesës së vigjilencës ose përfshirjes aktive, formalizojnë transaksione pa verifikim real të origjinës së fondeve.
Në këtë kontekst, sipas të dhënave të World Economics (2025), ekonomia informale në Shqipëri arrin 27.9% të GDP-së, ose rreth 18.9 miliardë dollarë në terma PPP, duke e renditur vendin ndër më problematikët në Europë për nivelin e informalitetit.
The post Studimi/ Paratë e pista në Shqipëri kanë fryrë çmimet e pronave me 30% appeared first on Gazeta Si.