Nga divizioni i shtatë në vendin e tretë në Bundesligë: Ëndrra e Hoffenheimit me ideatorin Hopp dhe shqiptarët po bëhet realitet
Mos e quani “klub plastik”. Ajo që po bën Hoffenheim në futbollin gjerman është rezultat i një vizioni afatgjatë, i ndërtuar me durim, strukturë dhe ide të qarta – jo thjesht me para.
Mjafton një vështrim në renditjen aktuale të Bundesligës për të habitur shumëkënd: TSG 1899 Hoffenheim ndodhet në vendin e tretë, menjëherë pas gjigantëve Bayern Munich dhe Borussia Dortmund. Rastësi? Aspak.
Pas kësaj historie fshihet rrugëtimi i jashtëzakonshëm i një klubi të vogël dhe i një njeriu që u kthye te rrënjët e tij për të ndërtuar diçka të madhe.
Nga fshati në elitë
Hoffenheim është një vend i vogël në Baden-Württemberg, me vetëm disa mijëra banorë. Megjithatë, çdo fundjavë stadiumi modern i klubit mbushet dhe popullsia e zonës trefishohet, duke e kthyer qytetin në një qendër të vërtetë futbolli.
Gjithçka nisi në fund të viteve ’90, kur Dietmar Hopp – bashkëthemelues i gjigantit teknologjik SAP dhe ish-lojtar i Hoffenheimit në rini – vendosi të marrë në dorë klubin e zemrës. Në atë kohë, Hoffenheim luante në divizionin e shtatë të futbollit gjerman, larg çdo vëmendjeje.
Hopp nuk ndërtoi suksesin përmes “afisheve” apo emrave të mëdhenj, por përmes infrastrukturës, qendrave stërvitore moderne dhe një modeli menaxhimi profesional. Ideja ishte e qartë: suksesi sportiv vjen si pasojë e organizimit të fortë.
Ngritja marramendëse dhe dimri magjik
Rruga drejt elitës u shënua nga dy figura kyçe të futbollit modern. Fillimisht Hans-Dieter Flick, i cili përpara lavdisë me Bayern Munich dhe Barcelonën, ndihmoi Hoffenheimin të hidhte hapa të mëdhenj nga ligat e ulëta. Më pas erdhi Ralf Rangnick, arkitekti i projektit që tronditi Gjermaninë.
Me investime të mëdha për nivelin e atëhershëm – mbi 18 milionë euro në Zweite Liga – Rangnick ndërtoi një skuadër konkurruese me emra ende të panjohur për publikun e gjerë: Demba Ba, Chinedu Obasi dhe Vedad Ibisevic. Rezultati ishte spektakolar: brenda vetëm 24 muajsh, Hoffenheim u ngjit nga liga e tretë në Bundesligë.
Sezoni 2008-2009 mbetet historik. Në debutimin e tyre në elitë, Hoffenheim e mbylli gjysmën e parë të kampionatit si “kampion dimëror”. Vetëm dëmtimi i rëndë i Ibisevicit, i cili kishte shënuar 18 gola në 17 ndeshje, i ndali ëndrrat për titull. Por projekti nuk u ndal kurrë.
Hoffenheim sot - stabilitet dhe ambicie
Sot, Hoffenheim po jeton një tjetër kapitull të artë. I udhëhequr nga përvoja dhe klasi i Andrej Kramarić (6 gola dhe 2 asistime) dhe energjia e talentit të ri Tim Lenperle (6 gola dhe 2 asistime), klubi ka siguruar vendin e tretë në Bundesligë, duke u konfirmuar si forcë serioze në futbollin gjerman.
Gur në këtë mur, këtë vit kanë vënë edhe treshja shqiptare që luan te Kosova, Albian Hajdari, Leon Abdullahu dhe Fisnik Asllani, të moshës nga 21 deri në 23 vjeç, që kanë qenë motorët e skuadrës që nga rikthimi i tyre në formën e lartë.
Edhe pse shpesh është etiketuar si klub “pa histori”, realiteti flet ndryshe. Ndërsa emra të mëdhenj si Schalke 04 dhe Hambur SV kanë rënë në krizë, Hoffenheim ka ndërtuar vazhdimësi. Ky është sezoni i 18-të radhazi i klubit në Bundesligë – një arritje që flet për stabilitet dhe vizion.
Një histori që vazhdon
Hoffenheim është dëshmia se në futbollin modern, pasioni i një ish-lojtari të kthyer në miliarder, i kombinuar me ide të qarta dhe punë afatgjatë, mund ta shndërrojë një fshat të vogël në një emër të respektuar të futbollit evropian.
Nga divizioni i shtatë deri në zonën e Ligës së Kampionëve – rrugëtimi i Hoffenheimit dëshmon se asgjë nuk është e pamundur kur projekti është i fortë dhe ambicia nuk njeh kufij. /Telegrafi/
