Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Përfundon sezoni për Behar Nezirin – ylli kosovar ka këputur ligamentin

17 December 2025 at 16:08


Mesfushori kosovar Behar Neziri ka pësuar një lëndim të rëndë, duke këputur ligamentet në gjurin e djathtë.

Ylli i St.Gallen u lëndua në ndeshjen të cilin ekipi zviceran e zhvilloi të martën në mbrëmje ndaj Sionit.

Neziri u aktivizua në këtë ndeshje si titullar dhe u lëndua pak minuta para fishkëllimës së fundit të gjyqtarit.

Testet mjekësore të cilave ai iu nënshtrua të mërkurën në mëngjes, konfirmuan se Neziri ka pësuar këputje të ligamentit.

22-vjeçari tani do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe do të mungojë për disa muaj.

Vlen të theksohet se Neziri këtë sezon u aktivizua në 17 ndeshje për St.Gallen, duke luajtur në të gjitha nga minuta e parë./Telegrafi/

Enes Metaj drejt hapit të madh: Prova te FC Basel për talentin 17-vjeçar të Rilindjes

10 December 2025 at 18:32


17-vjeçari kosovar, Enes Metaj po kryen prova te gjiganti zviceran FC Basel, pas performancave mbresëlënëse dhe punës së palodhur me trajnerë elitarë.

Talenti kosovar i FC Rilindja, 17-vjeçari Enes Metaj, këto ditë po qëndron në prova te gjiganti i futbollit zviceran, FC Basel. Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët portali Telegrafi për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe interesimin e disa klubeve evropiane, duket se Metaj ka rënë në radarin e njërit prej klubeve me më shumë përvojë në Zvicër dhe në arenën ndërkombëtare - FC Basel.

Enes Metaj te FC Basel

Deri më tani, Enes Metaj ka treguar cilësi të një mesfushori inteligjent dhe tejet të talentuar në fushë. Ai është ftuar dy herë në radhët e Kombëtares U18 të Kosovës, ku ka dëshmuar se është një futbollist me të ardhme premtuese. Pas paraqitjeve të shkëlqyera gjatë sezonit me ekipin e KF Rilindja në grupmoshën U19, si dhe disa paraqitjeve me ekipin senior, Metaj jo vetëm që ka spikatur me cilësitë e tij teknike, por edhe me inteligjencën dhe karakterin e fortë sportiv, transmeton Telegrafi.

Përparimi i tij nuk është i rastësishëm. Enesi ka punuar rregullisht me ushtrime të specializuara, në të cilat kanë qenë të përfshirë trajnerë me përvojë të madhe si në aspektin teknik ashtu edhe në atë fizik. Ndër ta: trajneri kondicional prof. dr. Enver Tahiraj, i cili me një punë dhe përkushtim profesional është më meritori; ish-futbollisti i njohur teknik Isuf Sejdiu; dhe trajneri i mirënjohur teknik, Hivzi Ahmeti.

Kur shumëkush nuk besonte ende në potencialin e tij të plotë, Enesi nuk u dorëzua në asnjë moment. Në momentet vendimtare ai vendosi të ndryshojë klub, duke gjetur te FC Rilindja mbështetjen dhe vlerësimin që i duhej për të shpërthyer si talent.

Tani koha është në duart e tij. Me talentin, disiplinën dhe përkushtimin që ka treguar, e ardhmja duket se po i hap dyert drejt një karriere të madhe. Sakrifica dhe puna e tij e palodhur po shpërblehen, dhe provat te FC Basel mund të jenë vetëm fillimi i rrugës së tij drejt majave të futbollit elitar evropian.

/Telegrafi/

Shkëlqimi me Baselin, Shaqiri në formacionin e javës në Zvicër

8 December 2025 at 14:29


Xherdan Shaqiri është rikthyer si protagonist te Baseli në fitoren 2-1 në udhëtim te Winterthur.

Sulmuesi gjilanas ishte më i miri te Baseli, duke shënuar edhe golin e parë në këtë sfidë.

33-vjeçari shkëlqeu në këtë sfidë, duke fituar edhe një penallti.

Shaqiri mori notën 8,3 nga SofaScore që ishte një nga notat më të larta në gjithë Superligën e Zvicrës. /Telegrafi/


Katër yjet kosovarë protagonist në fitoren e Sionit ndaj Young Boys

7 December 2025 at 18:31


Sion ka shënuar fitore të madhe në shtëpi ndaj gjigantit zviceran Young Boys.

Vendasit arkëtuan pikët e plota falë golave të yjeve kosovarë, me epilogun përfundimtar që doli të jetë 2-0.

Donat Rrudhani fillimisht u faullua brenda zonës pas një goditje direkte nga mbrojtësi kundërshtar, kësisoj gjyqtari akordoi penallti. Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Benjamin Kololli për ta zhbllokuar epërsinë (29’).

10 minuta më vonë, Rilind Nivokazi gjeti rrugën drejtë rrjetës por që VAR-i ndërhyri për t’ia anuluar golin.

Megjithatë, sulmuesi nuk u dorëzua dhe vulosi fitoren pas një asistimi brenda zonës (45+2’).

Për Nivokazin ky ishte goli i tetë në Superligën e Zvicrës, ndërsa ka të regjistruar edhe një asistim në proces.

Vlen të ceket se paraqitje të shkëlqyer kishte edhe qendërmbrojtësi Kreshnik Hajrizi, i cili ndihmoi Sionin ta mbajë portën e paprekur.

Pas kësaj fitore, Sion ngjitët në pozitën e pestë me 24 pikë, dy më pak se Young Boys./Telegrafi/

Amir Shaipi drejt largimit nga Lugano, kërkohet nga lideri i Superligës së Zvicrës

6 December 2025 at 16:23


Portieri i Kosovës Amir Shaipi është një ndër kandidatët potencial për të zëvendësuar të lënduarin Nino Ziswiler te lideri aktual i Zvicrës, Thun.

Shaipi ka informuar Luganon se nuk do ta rinovojë kontratën andaj edhe në muajt e parë të sezonit qëndroi vetëm në stol. Ai u rikthye si titullar në xhirot e fundit dhe ka qenë ndër më të mirët për Luganon.

Sidoqoftë, ekziston mundësia që Shaipi të largohet qysh në afatin kalimtar dimëror. Mediumi zviceran “4-4-2” raporton se Thun po e konsideron seriozisht ‘gardianin’ e Kosovës si pasues i Ziswiler.

Megjithatë, problemi i vetëm mbetet se portieri Nino Ziswiler do të vazhdojë të jetë portieri kryesor, andaj nuk dihet nëse Shaipi do ta pranojë kalimin të rivali vetëm si “alternativë”.

Exklusiv: FC Thun erkundigt sich nach Lugano-Goalie Amir Saipi https://t.co/B6Ce26ziM4 #FCThun
— 4-4-2.com (@www442ch) December 5, 2025

Aktualisht, Thun është interesuar për Shaipin por negociatat janë vetëm në fazë të hershme, por e tërë situata mund të ndryshojë brenda ditëve të ardhshme.

Shaipi aktualisht është i fokusuar të vazhdojë me formën e shkëlqyer te Lugano, si dhe ta ndihmojë të ngritët në tabelë pasi këtë edicion kanë dëshpëruar të gjithë me paraqitje të dobëta./Telegrafi/

Nivokazi shënon golin e gjashtë sezonal, ai mbetet në listën rezervë të Franco Fodas

9 November 2025 at 21:45


Sulmuesi kosovar, Rilind Nivokazi, ka shënuar golin e epërsisë për Sionin në minutën e 7-të të barazimit 2-2 ndaj Lausannes, në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Zvicrës.

25-vjeçari u aktivizua nga minuta e parë dhe u zëvendësua në minutën e 85-të, ndërsa ky është goli i gjashtë i Nivokazit me fanellën e Sionit këtë sezon në 13 ndeshje.

Në këtë ndeshje u aktivizuan edhe Kreshnik Hajrizi për Sionin dhe Donat Rrudhani në minutën e 72-të, ndërsa për Lausanne luajti nga minuta e 59-të Alban Ajdini.

𝙉𝙞𝙫𝙤𝙠𝙖𝙯𝙞 💣

7’ - Le 𝗙𝗖 𝗦𝗶𝗼𝗻 ouvre la marque à la Tuilière ! 🔥#LSSIO l 0-1

🗣 𝗔𝗹𝗹𝗲𝘇 𝗦𝗶𝗼𝗻 🔴⚪️#Ensemble #Toujours pic.twitter.com/CADRVsmNn0
— FC Sion (@FCSion) November 9, 2025


Pas këtij rezultati, Sioni zë vendin e pestë me 19 pikë, ndërsa Lausanne ndodhet në vendin e tetë me 16 pikë.

Rilind Nivokazi mbetet në listën rezervë të trajnerit të Kosovës, Franco Foda, për ndeshjet vendimtare të nëntorit kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, ku sulmuesit e ftuar përpara tij janë Vedat Muriqi, Fisnik Asllani dhe Albion Rrahmani. /Telegrafi/

“Edhe kur nuk shënon, bën diferencën” – Trajneri i Sionit vlerëson kontributin e Rilind Nivokazit

31 October 2025 at 22:29


Rilind Nivokazi po kalon një periudhë të artë me skuadrën e Sionit, ku është shndërruar në liderin ofensiv dhe golashënuesin më të mirë të ekipit deri më tani në Superligën e Zvicrës.

25-vjeçari ka realizuar pesë gola dhe një asistim në 11 ndeshje të zhvilluara këtë sezon, duke treguar vazhdimësi dhe pjekuri të madhe në lojën e tij.

Pas një pauze prej një muaji pa gol, Nivokazi u rikthye fuqishëm të martën, duke shënuar dy herë në fitoren dramatike të Sionit me rezultat 3-2 ndaj St. Gallenit.

Paraqitjet e tij mbresëlënëse nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga trajneri i klubit, Didier Tholot, i cili ka vlerësuar lart kontributin e sulmuesit kosovar.

“Një lojtar si ai nuk e lë jashtë ekipit edhe nëse nuk shënon, pavarësisht rasteve”, është shprehur Tholot për gazetën zvicerane Blick.

Përveç Nivokazit, Sioni vazhdon të mbështetet te forca e lojtarëve kosovarë si Kreshnik Hajrizi, Benjamin Kololli dhe Donat Rrudhani, të cilët janë pjesë e rëndësishme e skuadrës.

Skuadra nga Valisi do të rikthehet në fushë të shtunën në ora 18:00, kur përballet me Thunin në kuadër të xhiros së radhës të Superligës zvicerane.

Në këtë ndeshje, trajneri Tholot do të përballet me disa mungesa të rëndësishme pasi Hajrizi është i suspenduar, ndërsa Kololli do të mungojë për shkak të një lëndimi./Telegrafi/

Rilind Nivokazi – qendërsulmuesi që po bën emër në Zvicër: Do të jem gati kur të më fton Kosova

24 October 2025 at 12:51


Qendërsulmuesi Rilind Nivokazi është një tjetër emër që po e pret ftesën e parë të Kombëtares së Kosovës, ndërsa po vazhdon të shkëlqejë në Zvicër te skuadra e Sionit.

25-vjeçari ishte ndër më të mirët sezonin e kaluar në ligën e dytë të Zvicrës, ku shënoi 19 gola e dhuroi tre asistime te AC Bellinzona. Kësisoj, ai ra në sytë e Sionit, skuadër që e bleu përfundimisht për 500 mijë euro.

Pavarësisht që po luan në elitën e futbollit zviceran, Nivokazi tashmë ka gjetur rrugën drejtë rrjetës tre herë në nëntë paraqitje, kurse ka kontribuar edhe me një asistim.

Në një intervistë për Telegrafin, ai deklaroi se çelësi i këtij suksesi është puna e madhe në stërvitje, gjë që po i ndihmon ta dëshmojë vetën në ndeshje.

“Besoj se krejt kalon prej stërvitjeve, unë mundohem gjithë me u stërvit mirë dhe të jap maksimumin, atëherë jam edhe në lojë më i përgatitur. Jam shumë i gëzuar qysh po ecë sezoni, shpresoj edhe më mirë”, ka thënë fillimisht Nivokazi për Telegrafin.

Rilind Nivokazi

Sion është ndër befasitë këtë edicion në Zvicër, ku renditet e katërta në tabelë, vetëm katër pikë larg liderit, Thun. I pyetur nëse mund të garojnë për titullin kampion, ai qëndroi me “këmbë në tokë”, ku shtoi se synimi është top gjashtë.

“Po e vërtetë (që jemi befasia aktuale), por duhet të mendojmë lojë pas lojë. Synimet për këtë sezon është që të qëndrojmë në top gjashtë”.

“Kampionati është ende shumë i gjatë, sekreti ynë duhet të jetë puna dhe forca e grupit”.

Te Sioni, Nivokazi është bërë bashkëlojtar edhe me dy lojtarët e tjerë të Kosovës, Donat Rrudhanin dhe Kreshnik Hajrizin.

I pyetur se sa e lehtë po është bashkëpunimi me ta, Nivokazi nënvizoi se gjithnjë tentojnë ta ndihmojnë njëri-tjetrin.

“Është gjithmonë mirë me pas shqiptar në skuadër, plus janë djemë tepër të mirë dhe punëtor. Mundohemi me e ndihmu gjithë njëri-tjetrin, e tani të vazhdojmë në këtë mënyrë”.

Që prej ardhjes së përzgjedhësit Franco Foda, Nivokazi ka qenë dy herë në listën e gjerë të Kosovës, por ende s’ka marrë ftesë zyrtare për ekipin A.

Rilind Nivokazi

25-vjeçari u shpreh se ka dëshirë ta përfaqësojë fanellën dardane mirëpo njëkohësisht është në dijeni se para tij janë emrat e mëdhenj si Vedat Muriqi, Fisnik Asllani e Albion Rrahmani që po shkëlqejnë në top pesë ligat evropiane.

“Dëshira është, por qysh po thua ka disa emra tjerë përpara meje. Janë super lojtarë. Unë duhet të vazhdoj me punu, e kur të më vjen dita (që të ftohem) atëherë do të jem gati”.

Ai ndër të tjera konfirmoi se mbeti shumë i lumtur me fitoren e Kosovës ndaj Suedisë, si dhe lavdëroi paraqitjen e Kreshnik Hajrizit, që arriti t’i ndalë së bashku me Albian Hajdarin e Ilir Krasniqin dy qendërsulmuesit Alexander Isak e Victor Gyokeres.

“Kosova me Suedinë zhvilloi një lojë të shkëlqyeshme, më mirë nuk kishim mundur me luajt. Jam gëzuar tepër kur kemi fitu”.

“Po, e ka bë një super lojë. Nuk është aspak e lehtë me i ndalë dy lojtarë si Gyokeres e Isak. Jemi gëzuar tepër për Kreshnikun sepse e meriton në maksimum”, përfundoi ai për Telegrafin.

Kujtojmë, Nivokazi në të kaluarën ka përfaqësuar grupmoshta e reja të Italisë (U16, U17 dhe U18), e pastaj kaloi te Kosova U21 nën drejtimin atëkohë nga Michael Nees./Telegrafi/

Behar Neziri, ylli i ri kosovar që po lë gjurmë në Zvicër: Nga largimi prej Bayernit te shkëlqimi në St Gallen dhe përfaqësimi i Kosovës

23 October 2025 at 14:18


Behar Neziri është futbollisti i radhës nga Kosova që ka filluar të lë gjurmë në futbollin zviceran, ku sot konsiderohet si ndër mesfushorët defensivë më të mirë në futbollin helvetik.

I dalë nga një prej akademive më të famshme ajo e Bayernit, Neziri vendosi që të bënte disa hapa mbrapa në karrierë, pr të shkuar në Zvicër dhe doli vendim i qëlluar, pasi tani ka filluar të lë gjurmë me fanellën e St Gallenit.

22-vjeçari është ndër futbollistët e paktë kosovarë që kanë luajtur për top klube evropiane dhe nuk kanë hezituar t'i bashkohet Kosovës, madje që nga grupmoshat, U16, U19 e U21.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Behar Neziri rrëfen rrugëtimin e tij në futboll, sfidat dhe ambiciet për të ardhmen. Në futbollin modern, rrugët drejt suksesit janë shpesh të gjata dhe të mbushura me sfida.

Një nga shembujt më frymëzues të një karriere që po ngrihet me përkushtim dhe karakter është ai i Behar Nezirit, mesfushorit 22-vjeçar me origjinë nga Gjilani, i cili aktualisht po shkëlqen me St. Gallenin në Superligën e Zvicrës.

Neziri është shndërruar në një nga mesfushorët më të rëndësishëm të kampionatit zviceran, duke qenë lider në fushë, i palodhur në fazën mbrojtëse dhe i saktë në ndërtimin e aksioneve.

Për shumëkënd në Zvicër, ai është tashmë “zemra dhe truri i mesfushës të St Gallenit”.

Nga Augsburg te Bayerni – fillimi i rrugës drejt profesionalizmit

Futbolli për Behar Nezirin ka nisur herët. Ai u rrit në Gjermani dhe që në fëmijëri e kishte pasion topin. Karrierën e nisi te Akademia e Augsburgut, ndërsa në vitin 2016 bëri hapin e madh, duke kaluar në Akademinë e Bayern Munichut, një nga më të mirat në Evropë.

Atje, Neziri kaloi nëpër të gjitha grupmoshat, nga U15 deri te ekipi i dytë, duke fituar eksperiencë nën drejtimin e disa emrave të mëdhenj të futbollit gjerman.

Behar Neziri 2021/08/Behar-Neziri.jpg telegrafi.com

“Trajnerët e mi kanë qenë Miroslav Klose dhe Martin Demichelis, dhe kam mësuar shumë nga ta. Por më pas pata disa probleme me shpinën dhe qëndrova rreth gjysmë viti jashtë fushave. Kampi i Bayernit është një nga më të mirët në Evropë nuk mungon asgjë, çdo detaj është perfekt dhe çdo ditë mësohesh diçka e re. Nëse punon në kushte të tilla është kënaqësi dhe futbolli të duket shumë më i lehtë”, nis rrëfimin e tij për Telegrafin, Behar Neziri

Në akademinë bavareze, ai ishte shok skuadre me Jamal Musialan, Pavlovic, Kenan Yildiz dhe Arijon Ibrahimovic, Neziri e kujton me krenari atë periudhë.



“Te U17 luajta me Musialan, ndërsa te U19 me Pavlovic, Yildiz dhe Arijon Ibrahimovic. Kishim një ekip shumë të mirë dhe ishim një grup lojtarësh që sot po luajnë në nivelet më të larta në Evropë”, vazhdon ndër të tjera Neziri.

Arsyeja e largimit nga Bayerni – donte që Tuchel ta shihte nga afër

Në verën e vitit 2023, pasi kishte kaluar pothuajse shtatë vite në strukturat e klubit më të madh gjerman, Neziri mori një vendim të guximshëm për t’u larguar nga Bayern Munich.

Deri te ky vendim erdhi pasi ai luante rregullisht, ishte kapiten i klubit dhe çuditërisht në ekipin e parë shkonin futbollistë të tjerë, që shpesh herë ishin rezervistë të tij.

“Bayerni deshi të vazhdonte kontratën edhe për tre vite të tjera, por unë kisha vetëm një kërkesë: të më dërgonin për disa javë në stërvitje me ekipin e parë që Thomas Tuchel të më shihte nga afër. Nëse i pëlqeja, mirë, nëse jo, atëherë mund të vendosnin vetë për mua".

"Sepse unë isha kapiten në çdo grupmoshë dhe luaja rregullisht, por në ekipin e parë shkonin lojtarë të tjerë. Kjo ishte arsyeja pse u largova. Isha i bindur që po të më vinte rasti në ekipin e parë do të ishe ende sot aty, pasi kam vetëbesim të madh dhe e di se çfarë cilësi kam", vazhdon tutje Neziri.

Fillimi në Zvicër – lëndimi dhe huazimi te Wil

Pas largimit nga Minichu, ai zgjodhi St. Galleni, një klub që i ofroi një projekt të qartë për zhvillim.

Neziri kishte opsione të tjera, të shkonte në Bundesliga 2, apo edhe në klube të tjera evropiane, por zgjodhi Zvicrën pasi i pëlqeu projekti që St Gallen kishte për të.

“Kam pasur oferta nga Bundesliga 2, por më pëlqeu ideja e St. Gallenit të bëhesha gati fillimisht me ekipin U21, e pastaj të kaloja te ekipi i parë. Por pas ndeshjes sime të parë u lëndova, edhe pse ishte planifikuar që menjëherë të shkoja te skuadra e parë".

"Pas atij lëndimi më duhej të prisja, dhe pastaj erdhi huazimi te Wil, ku jam zhvilluar shumë dhe kam fituar përvojë. Wil do të mbetet gjatë në mendjen time, pasi ishte skuadra e parë për mua në senior dhe u pjeka shumë si futbollist duke luajtur në secilën ndeshje".

Rikthimi te St. Gallen – një lider i ri në mesfushë

Ky sezon është kthimi i plotë i Behar Nezirit te St. Galleni. Ai është bërë pjesë e pandashme e formacionit bazë, duke luajtur çdo ndeshje nga minuta e parë deri në fund dhe duke qenë ndër lojtarët me më shumë kilometra të përshkuara në fushë.

Çdo aksion i St Galeln niset nga këmbët e Nezirit, derisa ai është padyshim lideri i ri i kësaj skuadre. Neziri thotë se e dinte se do të luante te St Gallen këtë sezon, por jo që të ishte në çdo ndeshje nga 90 minuta.

“Kam vetëbesim të madh dhe edhe para tre vitesh do të mendoja se do të luaja te Bayerni, ngaqë kam pasur gjithmonë vetëbesim. Por pas kthimit nga huazimi te Wil nuk e kam menduar që do të ishte kaq mirë. E kisha paramenduar se do të ishte një vit i mirë, por që t’i luaja të gjitha ndeshjet nga 90 minuta nuk e besoja. Jam shumë i kënaqur”, vazhdon tutje mesfushori gjilanas.

St. Galleni këtë sezon është një nga skuadrat më të qëndrueshme në Superligë dhe synon një titull që nuk e ka fituar prej 26 vitesh.

“Kemi një skuadër shumë të mirë, por është ende herët, nuk është luajtur as gjysma e sezonit. Megjithatë, me këtë formë që kemi, mund të ndodh që ta fitojmë titullin. Të gjithë po punojmë për këtë”, thotë mesfushori dardan.

Ambicia për rikthim në Gjermani – dhe ëndrra për Kosovën

Megjithëse ndodhet në një moment shumë të mirë te St. Galleni, Neziri nuk e fsheh synimin për t’u rikthyer një ditë në Bundesligë madje në klubin ku u rrit, Bayern Munich.

“Në Zvicër kam ardhur për t’u zhvilluar dhe për t’u futur në futbollin profesionist, por ky nuk është maksimumi im. E shoh si një trampolinë drejt Gjermanisë apo ndonjë kampionati tjetër të madh".

"Qëllimi im është të rikthehem një ditë në Bundesliga, pse jo te Bayerni. Gjithsesi fokusi im është të luaj sa më shumë këtu de pastaj të bëjë hapin e radhës në karrierë, qoftë në Bundesliga apo ndonjë kampionat tjetër evropian".

Por përtej ambicieve klubiste, lidhja emocionale e tij me Kosovën mbetet e pathyeshme.

Ai zgjodhi shumë herët ta përfaqësojë Kosovën, përkundër se ishte pjesë e klubit më të madh në Gjermani dhe ndër më të mëdhatë në botë. Pa bërë drama, pa pritje të gjata, Neziri luajti për Kosovën nga U16 pasi ky ishte qëllimi i tij dhe i familjes së tij.

“E di që babi im gjithmonë ka dashur që unë të luaja për Kosovën, por edhe unë e kam dashur që në fillim. Asnjëherë nuk kam menduar se jam lojtar i Bayernit dhe e mohoj vendlindjen. Te Kombëtarja kemi qenë të gjithë të njëjtë, si ai i Llapit, i Dritës apo i Prishtinës, të gjithë me fanellën e Kosovës pa ndasi. Qëllimi ka qenë i përbashkët, të bëjmë më të mirën me fanellën e vendit tonë, pa menduar se kush në cilin klub luan”, tha Neziri.

rkrahja e madhe nga familja, motiv shtesë për mos t'u dorëzuar

Familja luan një rol të rëndësishëm te secili futbollist, nga hapat e parë në karrierë deri në fund të saj.

Sigurisht edhe për Beharin ka qenë familja mbështetësi më i madh, pasi i kanë qëndruar pranë.

"Nëna më ka dërguar 1 orë rrugë në stërvitje te Augsuburg gjithmonë, çdo ditë. Prindërit më kanë përkrahur nga fillimi deri më sot dhe ata janë ndihma dhe motivimi im që të vazhdoj".

"Gjithashtu përveç familjes që është e shenjtë dhe e kam gjithmonë në krah, dua ta përmend edhe agjentin tim Isi Jasharaj që ka besuar te unë, më ka qëndruar afër dhe punon vazhdimisht me mua dhe për mua", tha ndër të tjera Neziri që nuk i harron në asnjë moment njerëzit më të rëndësishëm në karrierën e tij.

Lista e pritjes dhe fokusimi te klubi

Emri i tij është përfshirë edhe në listën e pritjes të përzgjedhësit Franco Foda, një sinjal që puna e tij po vlerësohet.

Megjithatë ai deri më tani thotë se nuk është kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, apo selektori Franco Foda.

“E kam parë vetën në listën e pritjes dhe normalisht më ka ardhur mirë, sepse po vlerësohet puna që po bëj në fushë me klubin. Gjithsesi, mua nuk më ka kontaktuar askush, as nga Federata dhe as selektori Foda".

"Unë jam djalë i Kosovës dhe e kam zgjedhur që nga mosha 16-vjeçare, edhe kur kam mundur të luaj për Gjermaninë. Tani jam i fokusuar vetëm te klubi dhe të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja".

Në fund, Neziri e përmbyll rrëfimin e tij për Telegrafin me një mesazh që tregon maturi dhe përkushtim.

“Objektivi im është të luaj sa më shumë, të zhvillohem sa më shumë dhe qëllimi im është vetëm të luaj mirë, të mos kem lëndime dhe në fund të shohim se ku do të jem", përfundoi Neziri.

Donat Rrudhani shënon penalltinë vendimtare - por tani do të përballet me "rrahje" nga shokët e ekipit

20 October 2025 at 19:39


Donat Rrudhani ka qenë protagonisti i ndeshjes së fundit të FC Sion, ku me një penallti të shënuar siguroi fitoren 1-0 kundër Grasshoppers, ndërsa ai pas ndeshjes falënderoi shokun e skuadrës që ia dha mundësin të gjuante.

Por ai do të përballet me traditën e njohur të “tunelit”, një provë që lojtarët e ekipit i bëjnë shokut golashënues për ta festuar në mënyrë të veçantë golin e parë.

Historia filloi me një gjest të thjeshtë, por të veçantë: kur gjyqtari me VAR akordoi penallti, shoku i tij i skuadrës, Ali Kabacalman, nuk e mori për vete. Ai vendosi t’ia kalonte topin Rrudhanit, duke i dhënë mundësinë që të shënonte golin e tij të parë për Sionin.

“Më erdhi menjëherë se Donat duhej të shënonte. Doja që ai të merrte këtë moment të veçantë”, deklaroi Kabacalman pas ndeshjes.

Trajneri i Sionit, Didier Tholot, komentoi momentin, duke treguar se momente të tilla e bashkojnë ekipin.

“Ky ekip është gjallë, është i shëndetshëm. Momente të tilla tregojnë se lojtarët e pëlqejnë njëri-tjetrin”, deklaroi ai.

Për Rrudhanin, ky ishte një moment i veçantë. Lojtari është pjesë e klubit të Valais për pak më shumë se dy muaj, pasi u transferua nga Young Boys, dhe kjo ishte hera e tij e parë si titullar, pas dëmtimit të Benjamin Kololli.

Performanca e tij i siguroi notën 6 nga Blick, ndërsa bashkëpunimi me shokun e ekipit Rilind Nivokazi duket sikur ka vite që funksionon së bashku.

Pas golit, Rrudhani mbeti modest, duke falënderuar Kabacalman dhe shokët e ekipit për mbështetjen. Ai theksoi rëndësinë e fitores.

“Liga është kaq e ngushtë; dy fitore mund të të çojnë në krye, dhe dy humbje papritmas të çojnë në vendin e 11”, deklaroi përfaqësuesi i Kosovës.

Megjithatë, nuk mund të shpëtojë nga “tuneli”, një traditë ku lojtarët e ekipit i japin një provë të lehtë golashënuesit. Rrudhani e pranoi me buzëqeshje, duke komentuar: “Mendoj se duhet ta kaloj tani – është pjesë e ekipit dhe kjo është pjesë e festës”. /Telegrafi/

Nga Shaqiri te Hajrizi - katër futbollistë shqiptarë në formacionin e javës në Zvicër

20 October 2025 at 11:38


Ka përfunduar xhiro e nëntë në elitën e futbollit zviceran me disa rezultate mjaftë befasuese.

Por si gjithmonë edhe këtë xhiro futbollistët shqiptarë kanë pushtuar formacionin e javës në elitën e futbollit zviceran.

Qendërmbrojtësi dardan, Kreshnik Hajrizi pati paraqitje fantastike me fanellën e Sionit në fitoren 0-1 ndaj Grasshopper dhe mori notën 7,6 duke u futur në formacionin e javës.

Në mesfushë është Kastriot Imeri i Thun që realizoi gol në fitoren 3-1 ndaj Servettes.


Nuk ka se si të mungoj Xherdan Shaqiri, i cili ishte i pandalshëm me një gol dhe një asistim në fitoren e Baselit 3-0 ndaj Winterthurit, derisa ikona shqiptare ishte lojtari me notën më të madhe në Superligë nga SofaScore 8,9.

Në qendër të sulmit është Rilind Nivokazi i Sionit, që përkundër se nuk shënoi ishte i pandalshëm në fitoren 0-1 te Grasshoppers. /Telegrafi/

Behar Neziri, kosovari i pazëvendësueshëm i St. Gallen: Ëndërroj rikthimin te Bayern Munich

16 October 2025 at 22:29


Behar Neziri ka kontratë me FC St. Gallen që nga viti 2023 dhe është bërë një lojtar i pazëvendësueshëm në mesfushën e skuadrës zvicerane.

22-vjeçari vazhdon të ketë ambicie të mëdha për të ardhmen e tij personale.

Neziri ka një histori të gjatë me Bayern Munich: në vitin 2016, si 12-vjeçar, iu bashkua akademisë së klubit nga Augsburg dhe qëndroi aty deri në vitin 2023.

Trajneri Enrico Maassen ka besim absolut te Neziri, i cili ka luajtur si titullar në të tetë ndeshjet e Superligës zvicerane këtë edicion.

Askush në klub nuk dëshiron të heqë dorë nga cilësitë e ish-lojtarit të Bayernit. Ndërkohë, Neziri ëndërron hapur një rikthim te FC Bayern Munich.

"Dhe kam luajtur në pozicionin e sulmuesit me shumë lojtarë të mëdhenj, përfshirë me Aleksandar Pavlovic. Mund ta imagjinoj ta bëj këtë edhe në të ardhmen sërish te Bayerni", thotë Neziri për Blick.

Dy vjet më parë, Neziri vendosi të mos e zgjaste kontratën e tij në ekipin e dytë të Bayernit dhe e shpjegon vendimin.

"Bayern më ofroi një zgjatje kontrate, por unë doja të transferohesha në St. Gallen. Klubi është po aq i pozicionuar profesionalisht sa i përket infrastrukturës. Në vend të tre makinave, ka vetëm një në palestër. Por këtu mund të stërvitesh po aq mirë", tha Neziri.

Megjithatë, rruga për një rikthim të mundshëm te Bayern është ende e gjatë, por Neziri ka ambicien ta realizojë.

Për momentin, Superliga mbetet përparësia e tij kryesore dhe ai shpreh edhe një dëshirë të veçantë. "Doja fanellën e Shaqirit, por për fat të keq ai ishte larguar tashmë. Ndoshta herën tjetër do të funksionojë", tha Neziri.

22-vjeçari ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Kosovës, derisa pret që të marrë ftesën nga Kombëtarja A. /Telegrafi/


A ka Baseli problem me Xherdan Shaqirin?

29 September 2025 at 19:14


FC Basel po përballet me një sfidë të veçantë këtë sezon në Superligë, ku sulmuesi i tyre kryesor Xherdan Shaqiri ka qenë pa ndikim të madh në tri ndeshjet e fundit.

Për ekipin zviceran, kjo ka bërë që performanca e ofensivës të duket e varur pothuajse ekskluzivisht nga kapiteni i tyre, shkruan Blick në analizën e tyre.

Shaqiri, 33 vjeç, mbetet top-lojtari i Baselit dhe i gjithë Superligës së Zvicrës, me katër gola dhe tre asistime në shtatë ndeshje, askush si ai në kampionat.

Xherdan Shaqiri

Por ndeshja e fundit kundër Luzernit (1-2) tregoi se edhe ylli shqiptar mund të kalojë momente të vështira – ai u pa aktiv vetëm me disa pasime të bukura dhe nuk arriti të shënonte ose asistonte.

E njëjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Freiburgut dhe në Kupën e Zvicrës ndaj Carouge, ku madje humbi një penallti pas futjes në lojë.

Trajneri Ludovic Magnin e pa të nevojshme të hiqte Shaqirin nga fusha pas vetëm një ore lojë kundër Luzernit, duke e kuptuar që skuadra kishte nevojë për freski. Problemi kryesor është se pa Shaqirin, ofensiva e Basel duket e dobët, pasi gjithë loja është e ndërtuar rreth tij.

Xherdan Shaqiri

Statistikat flasin qartë: nga 84 golat e Baselit këtë vit, 79 janë realizuar kur Shaqiri ka qenë në fushë. Për më tepër, përveç dy golave në Kupë të Zvicrës kundër Biel, këto janë golat e vetme që ekipi ka shënuar në vitin 2025 pa të, dhe kjo në 35 ndeshje të zhvilluara.

Me ngarkesën e trefishtë të Baselit këtë sezon – Superligë, Kupë dhe gara ndërkombëtare – Shaqiri do të ketë më shumë minuta pushim në javët e ardhshme. Për këtë arsye, Magnin po mendon për një plan B: sulmuesi i ri Koba Koindredi është alternativa kryesore për rolin e numrit 10, por për ndeshjet kundër Freiburg dhe Luzern, ai mungoi për shkak të dëmtimit.

Në mungesë të tij, trajneri ka përdorur Ibrahim Salah si zëvendësues.

Xherdan Shaqiri

Megjithatë, Magnin mbetet i qartë: nuk ka krizë për Shaqirin. “Njerëzit janë shumë të ashpër me të. Ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne dhe duhet ta kuptojnë të gjithë”, deklaroi ai.

Nëse Basel do të vazhdojë të mbështetet kaq shumë tek Shaqiri, çdo pauzë e tij mund të ketë ndikim të madh në rezultatet e ardhshme. /Telegrafi/

Xherdan Shaqiri nderohet për kontributin në Zvicër

22 September 2025 at 14:55


Është mbajtur ngjarja më e madhe e komunitetit shqiptar në Zvicër 'Swissalbs Award Gala Night'.

Swissalbs Award Gala Night është aktiviteti më i madh shoqëror i komunitetit shqiptar në Zvicër. Çdo vit, shoqata swissalbs – organizata ombrellë e komunitetit – nderon sipërmarrës dhe personalitete për arritjet e tyre të jashtëzakonshme ekonomike dhe shoqërore.

Futbollisti kosovar Xherdan Shaqiri u nderua për angazhimin e tij sportiv dhe shoqëror.

Ish-reprezentuesi i Zvicrës , aktualisht lojtar i FC Baselit, nuk ka arritur vetëm suksese ndërkombëtare në fushë, por përdor popullaritetin e tij për të frymëzuar të rinjtë dhe për të mbështetur projekte sociale.


Ai përfaqëson vlera si guximi, disiplina dhe këmbëngulja, të cilat i përcjell te gjenerata e re.

"Jam krenar që e marr këtë çmim nga swissalbs", tha Shaqiri.

"Futbolli më ka hapur shumë dyer dhe është e rëndësishme për mua të jap diçka mbrapsht, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë që përmes sportit gjejnë komunitet, disiplinë dhe gëzim", tha Shaqiri. /Telegrafi/

Dy gola e një asist: Xherdan Shaqiri mahnitës për Baselin ndaj Thun

13 September 2025 at 20:12


Ylli shqiptar Xherdan Shaqiri ka zhvilluar një tjetër paraqitje fantastike, këtë herë ndaj liderit aktual të Superligës Zvicerane, Thun.

Gjilanasi ishte ylli i ndeshjes pasi shënoi dy gola dhe asistoi të një tjetër, në fitoren 1:3 të Baselit kundër Thun.

Pas vetëm 24 minutave lojë, Shaqiri u gjend në vendin e duhur dhe nga afërsia lehtësisht e zhbllokoi rezultatin.

Shaqiri pastaj asistoi për Albian Ajetin, i cili me një goditje të fortë e dyfishoi epërsinë (41’).

Thun u kthye në lojë falë Bertone, që u tregua i saktë nga pika e bardhë (51’).

Megjithatë, krejt në fund, Baseli përfitoi një penallti – të cilën Shaqiri e konkretizoi për mrekulli (90+7’).

Me këtë paraqitje të shkëlqyer, Shaqiri u vlerësua me notën 8.7 nga "Sofascore".

Basel me këtë fitore zë pozitën e tretë me 13 pikë, një më pak se lideri Thun./Telegrafi/

“Do të preferoja të isha pa klub sesa te Zurich” - mbrojtësi i Kosovës flet për largimin pas 21 vitesh nga klubi

11 September 2025 at 22:04


Pas 21 vitesh në klubin ku u rrit, Mirlind Kryeziu u largua këtë verë nga FC Zurich, ndërsa së fundmi ai ka zbuluar detaje se si erdhi deri në këtë pikë.

Në një intervistë për “Blue Sport”, mbrojtësi 28-vjeçar ka folur hapur për periudhën e vështirë që kaloi dhe për arsyet pse sot ndihet më i qetë, edhe pse është pa kontratë.

“Është një ndjesi e re për mua të jem pa klub, por duke marrë parasysh gjashtë muajt e fundit në Zurich, është një lehtësim. Do të preferoja të isha pa klub sesa të vazhdoja atje”, deklaroi Kryeziu.

Mirlind Kryeziu te Zurich

Kryeziu kujton me zhgënjim mënyrën se si u trajtua në muajt e fundit, duke zbuluar se nuk iu lejua të luante.

“Nuk më lejohej të luaja më, vetëm të stërvitesha. Për një futbollist, moslejimi për të luajtur është skenari më i keq. Doja ta ndihmoja ekipin, por nuk më lejohej. Gjashtë muajt e fundit nuk kanë qenë të lehtë”, tregon Kryeziu.

Megjithëse ishte pjesë e FCZ-së që prej fëmijërisë, ai pranon se shpesh i duhej forcë e madhe për të mos u dorëzuar.

“Të zgjohesh çdo mëngjes dhe të dish që je në stërvitje, por nuk ke asnjë rol, është një ndjesi e çuditshme. Kërkon shumë forcë mendore”, deklaroi mbrojtësi i Kosovës.

Për sa i përket negociatave për kontratën e re, mbrojtësi thekson se versionet janë të ndryshme.

Mirlind Kryeziu sa ishte te Zurich

“Më mirë të mos flas shumë për këtë. Secila palë ka perspektivën e vet. Nga ana ime, unë deklaroj qartë se nuk është siç e paraqitën zyrtarët e FCZ-së.”

“Luajta gjysmën e parë të sezonit dhe më pas, vetëm pse kontrata nuk u materializua, mbeta në stol dhe tribuna. Të gjithë e dinë për çfarë bëhet fjalë”, nënvizoi ai.

Sa i përket së ardhmes, ai është i qartë, duke treguar se ka oferta, ndërsa vazhdon të punojë për ta mbajtur formën.

“Dua të nënshkruaj me një klub që më përshtatet plotësisht. Kam disa oferta, por ende nuk e kam gjetur të duhurën. Nuk do të lejoj veten të stresohem. Jam i bindur se diçka do të ndodhë në të ardhmen e afërt”.

Mirlind Kryeziu te Kosova

“Dita ime është e strukturuar njësoj si më parë. Në mëngjes jam në palestër, pasdite në fushë. Kam punësuar edhe një trajner personal dhe po stërvitem çdo ditë”.

“Gjithmonë kam qenë një futbollist që i do shokët e ekipit, por këputja e ligamentit të kryqëzuar më mësoi të punoja vetëm. Edhe sot mund ta shtyj veten pa problem”, përfundoi Kryeziu. /Telegrafi/

Zyrtare: Donat Rrudhani transferohet tek Sioni

29 August 2025 at 17:24

Mesfushori kosovar, Donat Rrudhani, ka kompletuar transferimin tek klubi zviceran Sion. 

Rrudhani ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare më këtë klub, sipas së cilës do të jetë pjesë e tyre deri në qershor të vitit 2026. 

Vlen të theksohet se 26-vjeçari gjendet në listën e pritjes tek Kosova për dy ndeshjet e muajit shtator që ‘Dardanët’ do t’i luajnë ndaj Zvicrës dhe Suedisë. 

Njoftimi i plotë i Sionit: 

FC Sion ka kënaqësinë të njoftojë mbërritjen e Donat Rrudhanit . Mesfushori 26-vjeçar kosovar ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me klubin e Valais, deri në qershor të vitit 2029 . 

I stërvitur fillimisht në Francën fqinje dhe më pas në kantonin e Bazelit, veçanërisht me AS Timau dhe FC Black Stars, Donat Rrudhani e nisi karrierën e tij profesionale te FC Aarau, ku u vendos si një lojtar kyç për tre sezone.  

Në vitin 2022, ai u bashkua me Young Boys Bern, më pas u huazua te Lausanne-Sport dhe FC Luzern. 

Ishte me ngjyrat e Luzernit, gjatë sezonit 2024/2025, që ai pati një nga sezonet e tij më të mira, duke nënshkruar një sezon të plotë me 31 paraqitje, 9 gola dhe 6 asistime. 

Një mesfushor i gjithanshëm, i aftë të luajë në qendër, si dhe në krahë, Rrudhani i shton zemër lojës së Sionit dhe sjell kreativitetin, vizionin dhe aftësitë e tij për të shënuar gola. 

/Telegrafi/

The post Zyrtare: Donat Rrudhani transferohet tek Sioni appeared first on Telegrafi.

Shaqiri fillon shkëlqimin në sezonin e ri, shënon gol të bukur ndaj Young Boysit

6 August 2025 at 21:38

Xherdan Shaqiri ka gjetur golin e parë në sezonin 2025/26 në Superligën e Zvicrës.

Në derbin e javës së tretë, Baseli po përballet me Young Boysin në “St. Jakob Park”, me pjesën e parë që është mbyllur me rezultat 1-1.

Shaqiri realizoi në minutën e 39-të, pas një asistimi të bukur nga Dominik Schmid. Pas dy ndeshjeve pa gol, ylli kosovar me pasaportë zvicerane më në fund konkretizoi paraqitjet e mira.

Ai ishte lojtari më i mirë në fushë gjatë pjesës së parë, duke krijuar disa raste dhe duke udhëhequr skuadrën në sulm.

Pjesa e dytë pritet të jetë edhe më e zjarrtë, pasi të dyja skuadrat janë në kërkim të fitores në këtë përballje të madhe.

Shaqiri është rikthyer te Baseli vitin e kaluar dhe sezonin e kaluar fitoi kampionatin dhe Kupën e Zvicrës me skuadrën ku filloi karrierën. /Telegrafi/

 

View this post on Instagram

 

A post shared by blue Sport (@bluesport.ch)

The post Shaqiri fillon shkëlqimin në sezonin e ri, shënon gol të bukur ndaj Young Boysit appeared first on Telegrafi.

Ish-yllit të Man Cityt i ndërpritet kontrata në Zvicër pas vetëm tetë ndeshjesh

26 July 2025 at 19:20

Ish-mbrojtësi i Manchester Cityt, Benjamin Mendy, është liruar nga klubi zviceran Zurich pas vetëm tetë ndeshjesh, pas kritikave nga drejtuesit e klubit. 

31-vjeçari iu bashkua Zurichut në shkurt me një kontratë që parashikonte qëndrimin e tij deri në verën e vitit 2026, por është larguar një vit më herët. 

Sipas Mundo Deportivo, klubi është zemëruar me sjelljen e Mendyt jashtë fushës, veçanërisht kur ai dyshohet se ka festuar vetëm disa orë pas humbjes 4-0 ndaj rivalëve të Baselit në muajin prill. 

“FC Zurich njofton se kontrata me mbrojtësin francez Benjamin Mendy është ndërprerë me marrëveshje të ndërsjellë”. 

“Ai largohet menjëherë nga klubi. FCZ i uron Benjamin Mendyt gjithë të mirat në të ardhmen e tij personale dhe sportive”, thuhej në deklaratën zyrtare të klubit. 

Pas humbjes kundër Baselit, trajneri Ricardo Moniz kishte ‘shpërthyer’ në kritika ndaj francezit. 

“Mendy nuk performoi në nivelin që pritet nga një lojtar i kalibrit të tij. Gjendja e tij fizike nuk ishte në standardet që presim për një lojtar në këtë ligë”. 

Pas një humbje me rezultat 4-0, nuk mund të sillesh në atë mënyrë ndaj tifozëve”, kishte thënë ai. 

Mendy ka qenë në përpjekje për të rindërtuar karrierën e tij pas pezullimit fillestar nga Manchester City në gusht të vitit 2021, kur më pas u akuzua për përdhunim dhe sulm seksual./Telegrafi/

The post Ish-yllit të Man Cityt i ndërpritet kontrata në Zvicër pas vetëm tetë ndeshjesh appeared first on Telegrafi.

Albian Hajdari në shënjestër të Werder Bremen – interesim edhe nga Anglia dhe Italia

3 July 2025 at 22:24

Pas afrimit të afërt të Maximilian Wober, Werder Bremen po kërkon të shtojë edhe një emër në repartin mbrojtës, dhe një nga kandidatët kryesorë është Albian Hajdari i FC Lugano.

Sipas gazetës gjermane BILD, mbrojtësi 22-vjeçar është në listën e dëshirave të klubit gjerman, i cili ka nevojë për përforcime.

Hajdari ishte një nga lojtarët kyç të Luganos sezonin e kaluar, me 40 paraqitje zyrtare. Ai është përdorur kryesisht si qendërmbrojtës, por ka treguar fleksibilitet edhe si mbrojtës i majtë dhe mesfushor mbrojtës. Në mars të këtij viti, ai debutoi me Zvicrën në një fitore 3-1 ndaj Luksemburgut.

Një transferim i tij mund të realizohet për vetëm 5 milionë euro, falë një klauzole lirimi, ndonëse vlera e tij aktuale në treg sipas Transfermarkt vlerësohet në 12 milionë euro.

Megjithatë, Werder Bremen nuk ka gjeneruar ende të ardhura nga shitjet dhe mbetet e paqartë nëse mund të përballojë marrëveshjen pa largime paraprake nga skuadra.

Përveç gjermanëve, interes për Hajdarin kanë shprehur edhe Bournemouth dhe West Ham, si dhe disa ekipe nga Serie A. /Telegrafi/

The post Albian Hajdari në shënjestër të Werder Bremen – interesim edhe nga Anglia dhe Italia appeared first on Telegrafi.

❌
❌