Shkrimi i dorës forcon lidhjen mes mendimit dhe aftësive shprehëse të fëmijëve
TIRANË, 22 janar/ATSH/ Përdorimi i teknologjisë digjitale vitet e fundit ka ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si njerëzit shkruajnë dhe komunikojnë.
Si pasojë, shkrimi i dorës po përdoret gjithnjë e më pak, veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë. Në këtë kontekst, UNESCO ka propozuar një projekt të posaçëm për mbrojtjen e shkrimit me dorë, duke synuar ruajtjen e tij si trashëgimi kulturore jomateriale e njerëzimit.
Shkrimi i dorës ka një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e nxënësve, sidomos në arsimin fillor dhe ciklin e lartë të shkollës 9-vjeçare.
Mësuesja e gjuhës shqipe në ciklin e ulët të shkollës “Vaçe Zela” në Tiranë, Adelina Kraja shpjegoi për ATSH-në se si ndikon shkrimi i dorës në zhvillimin e fëmijës.
“Shkrimi i dorës ndihmon shumë në zhvillimin motorik të nxënësve, në përqendrimin e të menduarit kritik, zhvillimin e kujtesës, forcon lidhjen mes mendimit dhe aftësive shprehëse si: leximi, drejtshkrimi, sidomos në arsimin fillor”, nënvizoi ajo.
Sipas saj, zëvendësimi i lapsit me tastierën rrezikon të krijojë shumë boshllëqe në zhvillimin motorik dhe gjuhësor të fëmijëve, sepse ul përqendrimin dhe durimin e tyre.
Kraja sugjeron që shkrimi i dorës të praktikohet më shpesh si dhe të shtohen më shumë orët e shkrimit.
“Kjo është një thirrje për të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit për të mbrojtur dhe praktikuar sa më shumë shkrimin e dorës në shkolla, sidomos në klasat I–IV. Mendoj se duhet të rriten orët e diktimit në lëndën e gjuhës, të rriten më shumë orët e shkrimit si dhe të krijohet një balancë mes teknologjisë dhe shkrimit tradicional”, tha Kraja.
Ajo rekomandon të bëhen më shumë trajnime mbi rëndësinë e shkrimit të dorës, duke përfshirë edhe prindërit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka ky shkrim në zhvillimin motorik të fëmijëve të tyre.
Kraja u shpreh se çdo shkrim është unik dhe bart gjurmë të personalitetit të individit.
“Vetëm kështu ne mund të sigurojmë një arsim më cilësor për brezat që do të vijnë”, tha Kraja, duke shtuar se shkrimin e dorës duhet ta ruajmë si një pasuri kulturore, në ruajtjen e dijes dhe proceseve të të nxënit.
Ndërsa mësuesja e gjuhës shqipe e ciklit të lartë në këtë shkollë, Brunilda Kondakçiu, duke e vlerësuar këtë nismë të ndërmarrë nga UNESCO tha se “shkrimi i dorës nuk është vetëm aftësi, por ndihmon edhe në zhvillimin e trurit, përqendrimit, kujtesës, mendoj që është njëkohësisht dhe identitet”.
Kondakçiu vuri në dukje se duhet t’i kushtohet shumë vëmendje shkrimit të dorës, sidomos në arsimin fillor, pasi ai është baza e të nxënit dhe për zhvillimin motorik të fëmijëve.
“Teknologjia nga njëra anë ka rritur komunikimin dhe të nxënit, por nga ana tjetër ka ulur praktikën e të shkruarit të shkrimit të dorës. Mendoj se për ta praktikuar sa më shumë shkrimin e dorës duhet të jepen sa më shumë detyra të shkruara me shkrim dore pra kombinim i shkrimit të dorës me ndërthurjen e teknologjisë”, tha Kondakçiu.
Ekspertët dhe UNESCO theksojnë se ruajtja e shkrimit të dorës është e domosdoshme, jo vetëm për trashëgiminë kulturore, por edhe për cilësinë e arsimit dhe zhvillimin e brezave të ardhshëm.
Për UNESCO-n, shkrimi i dorës nuk është thjesht një aftësi e rëndësishme, por një element kyç i identitetit njerëzor, i të nxënit dhe i transmetimit të dijes ndër breza.
/k.s/j.p/r.e/
The post Shkrimi i dorës forcon lidhjen mes mendimit dhe aftësive shprehëse të fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.