Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 March 2026Main stream

Nafta nis të shtrenjtohet në Tiranë, rritje me 4 lekë për litër 

5 March 2026 at 16:15

Vetëm pak ditë pasi ekspertët paralajmëruan rritje të çmimit të karburanteve, shenjat e para të shtrenjtimit kanë nisur të shfaqen në tregun vendas. Në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë është vërejtur rritje e çmimit të naftës me rreth 4 lekë për litër. 

Faktoje vëzhgoi të njëjtat pika karburanti, dy ditë pas publikimit të analizës së mëparshme, dhe konstatoi se rritja e çmimit ka nisur të reflektohet në disa nga pikat e tregtimit me pakicë në kryeqytet.

Megjithatë, shtrenjtimi nuk është reflektuar në të gjitha rrjetet e karburanteve. Në shumicën e pikave me pakicë, nafta vijon të tregtohet nga 175 lekë për litër.

Një situatë e ngjashme u shënua edhe në Kosovë, ku çmimet e karburanteve u rritën menjëherë pas luhatjeve në bursat ndërkombëtare. Megjithatë, autoritetet përgjegjëse atje reaguan shpejt duke ndërmarrë masa për të parandaluar rritje të pajustifikuara.

Bursat ndërkombëtare

Shtrenjtimi në tregun vendas vjen në një moment kur çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm pas tensioneve dhe sulmeve në vendet e Lindjes së Mesme. Nafta është ngjitur në rreth 83 dollarë për fuçi, nga 65 dollarë për fuçi që ishte pak javë më parë, duke treguar një rritje të ndjeshme brenda një periudhe të shkurtër. Operatorët e tregut paralajmërojnë se rritja në bursë zakonisht reflektohet në tregun vendas brenda pak ditësh.

Në këtë kontekst, Konfindustria ka kërkuar masa të menjëhershme. 

Kontroll më të rreptë të zbatimit të ligjit për sigurimin e rezervës strategjike 3 mujore, masa ligjore ndaj praktikave jo konkurruese që mund të shkaktojnë spekulime, si gjatë krizës së luftës në Ukrainë (2021–22), dhe përgatitjen e një pakete ligjore për uljen e barrës fiskale në rast të rritjes së fortë të çmimeve ndërkombëtare. 

Konfindustria thekson se shenjat e rritjes në bursë kanë bërë të pashmangshme pasqyrimin e tyre në tregun vendor, ndërsa koha e zgjatjes së konfliktit mbetet e paqartë.

Për momentin, rritja e vërejtur në disa pika karburanti mbetet më e moderuar se paralajmërimet fillestare, por operatorët paralajmërojnë se shtrenjtimi mund të arrijë deri në 20 lekë për litër nëse tensionet në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë. 

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar nisjen e monitorimit të tregut të karburanteve, si në nivel shumice ashtu edhe pakice. Sipas institucionit, të gjitha ndërmarrjet që operojnë në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim. 

njoftimin e tij, ky autoritet thekson se në tregjet ndërkombëtare çmimet e karburanteve ndryshojnë vazhdimisht në varësi të ofertës, kërkesës dhe zhvillimeve ekonomike apo gjeopolitike. Për këtë arsye, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, luhatjet e çmimeve në tregun vendas duhet të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me ndryshimet në bursë.

Autoriteti paralajmëron se çdo devijim i pajustifikuar nga këto zhvillime mund të konsiderohet tregues i mundshëm i praktikave jo konkurruese në treg.

Reagimi politik

Deputeti Erion Braçe kritikoi mënyrën se si po monitorohet tregu, duke theksuar se hetimi duhet të nisë nga zinxhiri i importit dhe jo vetëm nga pikat e shitjes me pakicë.

Sipas tij, monitorimi i kufizuar vetëm tek tregu me pakicë nuk është i mjaftueshëm për të kuptuar pse çmimet rriten menjëherë, edhe kur bursat ndërkombëtare nuk kanë shënuar ndryshime të ngjashme.

Ndërkohë, Braçe ngriti pikëpyetje edhe për faktin se në periudhat kur çmimet ndërkombëtare kanë rënë, çmimet në tregun vendas shpesh kanë mbetur të pandryshuara.

Në të njëjtën linjë, edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka cilësuar paralajmërimin e kompanive për rritje çmimesh si spekulim të pastër tregtar. Ajo theksoi se tregjet ndërkombëtare ende nuk kanë reflektuar një rritje të tillë që të justifikojë shtrenjtimin e menjëhershëm në Shqipëri.

Sipas saj, çmimet e karburanteve në Shqipëri janë 20–30% më të larta se në vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe rritja e menjëhershme e çmimeve pa reflektim në bursat ndërkombëtare tregon se tregu i karburanteve nuk funksionon sipas parimeve të konkurrencës së lirë.

Për momentin, rritja e çmimeve në tregun shqiptar mbetet e kufizuar. Megjithatë, në një ekonomi që mbështetet kryesisht tek importet për furnizimin me karburante, zhvillimet në bursat ndërkombëtare pritet të përcaktojnë nëse ky shtrenjtim do të jetë i përkohshëm apo do të vijojë më shumë javët në vijim.

The post Nafta nis të shtrenjtohet në Tiranë, rritje me 4 lekë për litër  appeared first on Faktoje.al.

Premtimi i pambajtur për shkollën ‘Edith Durham’ në Tiranë

5 March 2026 at 13:46

Ndërtesa e re e shkollës Edith Durham është përfunduar, por nxënësit e saj ende nuk janë kthyer në klasa. Çështja u rikthye në vëmendje këtë të enjte në Kuvend, gjatë një interpelance të kërkuar nga deputeti socialist Erion Braçe me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro. Në qendër të debatit ishte premtimi që nuk u mbajt, hapja e shkollës në shtator të vitit të kaluar.

Braçe, i cili përfaqëson zonën e njësisë nr. 5 në Tiranë ku ndodhet shkolla, kujtoi kronologjinë e projektit dhe pritshmëritë që u krijuan tek prindërit. Sipas tij, punimet kishin nisur në dhjetor të vitit 2024 dhe gjatë një vizite në terren në mars të vitit të kaluar ishte vendosur një afat i qartë për përfundimin e tyre.

“Në mars të vitit që shkoi kryeministri ishte atje. Puna kishte nisur në dhjetor 2024 dhe në mars u vendos një afat i qartë që në shtator shkolla të ishte e përfunduar. Shkolla ka përfunduar në tetor, jemi në mars. Janë të paktën 1700-1800 prindër në vështirësi të madhe. Kur do të hapet shkolla ‘11 Janari (Edith Durham)?”, u shpreh Braçe.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit pranoi se afati i shtatorit të kaluar nuk u arrit, por sqaroi se ndërtesa tashmë është përfunduar dhe se shkolla po kalon fazën e fundit të pajisjes me mobilie dhe laboratorë.

“Unë e ndaj shqetësimin tuaj njësoj. Ndërkohë që flasim, ndërtimi ka përfunduar. Nuk mjafton të përfundojnë muret. Po përmbyllet mobilimi nga Bashkia e Tiranës. Një pjesë e mobilieve ka hyrë në ndërtesë”, deklaroi Kumbaro.

Sipas saj, shkolla e re do të ketë 33 klasa mësimore, nga të cilat 20 për ciklin 9-vjeçar, si dhe 10 laboratorë për lëndë të ndryshme, sallë multimediale, palestër dhe bibliotekë.

Ministrja tha se nxënësit do të vazhdojnë përkohësisht mësimin në shkollën ‘Emin Duraku’ dhe se rikthimi në godinën e re pritet të ndodhë në fillim të vitit të ri shkollor.

“Shumë shpejt nxënësit do të rikthehen. Njëherë e mirë në shtator të vitit të ardhshëm”, u shpreh ajo.

Por, siç tha edhe deputeti Braçe, problematika nuk lidhet thjesht me distancën fizike nga shkolla e përkohshme ku janë zhvendosur nxënësit, por me organizimin e jetës familjare. Aktualisht, nxënësit e “Edith Durham” zhvillojnë mësimin në ambientet e shkollës “Emin Duraku”, pasditeve.

“Mu duk vetja sikur isha i vetmi jo solidar me ndërtimin e kësaj shkolle. Nuk kam sjellë shqetësim personal këtu, ky është shqetësim prindërish. Nuk është çështje metrash, por fakti që procesi mësimor është zhvendosur nga paradite në pasdite. Prindërit duhet të lënë punën për të çuar fëmijët në shkollë në drekë”, tha ai.

Braçe theksoi gjithashtu se vonesat mund të ishin shmangur nëse procedurat për mobilimin dhe laboratorët do të ishin nisur më herët.

“Që në qershor të vitit që shkoi, kur pashë ritmet e punës, kam kërkuar që të merren me procedurat. Nëse dikush fle gjumë, nuk duhet ta vuajë as fëmija dhe as prindi”, shtoi deputeti.

Premtimi

Rindërtimi i shkollës u lajmërua në nëntor 2024 nga Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës. “Shtatori i 2025-s do t’i gjejë fëmijët në klasat e reja,” premtonte Veliaj në rrjete sociale. 

I njëjti premtim u përsërit edhe në janar 2025, kur Veliaj, bashkë me ministren e Financave Delina Ibrahimaj (asokohe), siguroi se afati ishte i pakthyeshëm.

Shtatori i 2025 u premtua edhe nga kryeministri Edi Rama një vit më parë gjatë inspektimit të kantierit.

Por dy muaj para afatit të premtuar, verifikimi i Faktoje tregoi se punimet ishin ende larg pritshmërive. Në korrik 2025, Bashkia e Tiranës pohonte se punimet ishin vetëm 80% të përfunduara, por pavarësisht kësaj, premtoi se shkolla do të ishte gati për vitin shkollor 2025–2026. 

Përfundim 

Afati i premtuar publikisht për përfundimin dhe hapjen e shkollës ishte shtatori i vitit të kaluar. Megjithëse ndërtesa është përfunduar disa muaj më vonë dhe aktualisht po pajiset me mobilie, nxënësit nuk e kanë nisur ende procesin mësimor në godinën e re. Në këto kushte, hapja e shkollës pritet të ndodhë rreth një vit pas afatit të premtuar fillimisht, duke e kthyer këtë rast në një tjetër shembull të premtimeve publike që nuk realizohen brenda afateve të shpallura.

The post Premtimi i pambajtur për shkollën ‘Edith Durham’ në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayMain stream

Nafta drejt 200 lekëve, ekonomia shqiptare përballë një prove të re

2 March 2026 at 16:00

Esmeralda Topi

Çmimi i naftës pritet t’i afrohet sërish pragut të 200 lekëve për litër. Një çmim që shqiptarët e përjetuan në vitin 2022, kur shpërtheu lufta në Ukrainë dhe tregjet globale të energjisë u përfshinë nga paniku.

Shkaku këtë herë vjen nga Lindja e Mesme. Përplasjet mes boshtit SHBA-Izrael dhe Iranit kanë shtyrë çmimin e naftës mbi 80 dollarë për fuçi, duke rikthyer frikën e një përshkallëzimi më të gjerë. Rreth një e pesta e naftës botërore dhe rreth 20% e gazit natyror që qarkullon në tregjet botërore kalon përmes Ngushticës së Hormuzit. Çdo kërcënim për bllokimin e saj mjafton për të ndezur tregjet. Nëse tensionet përshkallëzohen dhe Hormuzi bllokohet, çmimi i naftës mund të kapërcejë 100 dollarë për fuçi. Dhe kur kjo ndodh, vendet importuese si Shqipëria nuk kanë asnjë mburojë.

Një vëzhgim i Faktoje.al në disa pika tregtimi karburanti në Tiranë tregoi se nafta po shitet mes 175 dhe 187 lekë për litër. Por kjo është vetëm fotografia e sotme.

Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, brenda javës pritet një rritje me 10-15 lekë për litër, që do ta çonte çmimin pranë 200 lekëve.Kryetari i shoqatës, Luigj Aliaj, thotë se rritja pritet të jetë e përkohshme, 20-30 ditë, nëse situata stabilizohet. 

“Tek ne do të fillojë brenda javës me 10-15 lek rritje, por do të jetë e përkohshme, 20-30 ditë e më pas mendoj që do të rikthehemi tek çmimet e para konfliktit,” thotë për Faktoje.al kryetari i Shoqatës, Luigj Aliaj.

Shqipëria importuese neto 

“I gjithë ky tension në Lindjen e Mesme rrit rrezikun e ndërprerjes së furnizimit dhe, si pasojë, çmimi global i naftës rritet, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe tek tregjet shqiptare,” shpjegon ekonomistja Teuta Nunaj-Kortoçi.

“Shqipëria është importuese neto e naftës, ndaj çdo rritje në tregjet ndërkombëtare reflektohet menjëherë tek çmimi i produktit që shitet në tregun vendas,” shton ajo.

“Kompanitë tregtuese zakonisht nuk e absorbojnë rritjen, por e transferojnë atë tek konsumatori përfundimtar, duke e bërë shtrenjtimin të pashmangshëm,” përfundon Nunaj-Kortoçi.

Në të njëjtën linjë, edhe Qendra ALTAX, në një analizë të fundit, paralajmëron rritje të çmimeve të naftës. 

“Shqipëria, si importuese neto e naftës kryesisht nga tregjet evropiane dhe indirekt nga Lindja e Mesme, do të përballet me një shtim të menjëhershëm të çmimeve të karburanteve, potencialisht +10-15% në muajt e ardhshëm, ” paralajmërojnë ekspertët e qendrës ALTAX

Inflacioni në rritje

Rritja e çmimit të naftës nuk ndalet tek pompat e karburantit. Ajo përkthehet menjëherë në kosto më të larta transporti, prodhimi dhe shërbimesh, duke ushqyer një valë të re inflacioni në ekonomi. 

Sipas analizës së Qendra ALTAX, çdo rritje me 5% e çmimit të naftës shton rreth 0.1 pikë përqindje në inflacion. Nëse nafta ngjitet në 100 dollarë për fuçi, inflacioni në Shqipëri mund të rritet me 1 deri në 1.5 pikë përqindje deri në mesin e vitit 2026. Me normën aktuale në 2.3%, kjo do ta çonte inflacionin pranë 4%, duke fshirë gradualisht fuqinë blerëse të familjeve.

Në një ekonomi si Shqipëria, e varur nga importet dhe me strukturë të brishtë prodhimi, çdo tronditje e jashtme përkthehet shpejt në faturë për konsumatorin.

Përballë këtij realiteti, hapësirat e reagimit janë të kufizuara. Ekspertët sugjerojnë ndërtimin e rezervave strategjike të naftës, politika fiskale të kujdesshme dhe përshpejtimin e investimeve në energji të rinovueshme. Por në afat të shkurtër, ekonomia shqiptare mbetet e ekspozuar. Dhe kur çmimi i naftës rritet, zinxhiri i shtrenjtimit është i pashmangshëm.

The post Nafta drejt 200 lekëve, ekonomia shqiptare përballë një prove të re appeared first on Faktoje.al.

Rivlerësimi i pasurive me kosto shtesë, penalizohen rrethet

27 February 2026 at 16:00

Rivlerësimi i pasurive me tatim 5% ka hyrë në fuqi, por qytetarët jashtë Tiranës po përballen me kosto shtesë, pasi mungesa e çmimeve të reja të referencës i detyron t’i drejtohen vlerësuesve privatë. Për rrethet procesi mund të kryhet vetëm në privat, duke shtuar 100–500 euro mbi faturën e rivlerësimit.

Esmeralda Topi 

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim të reduktuar 5% hyri në fuqi, por jo sipas kushteve të premtuara. Pas dy muajsh zvarritje, Ministria e Financave publikoi udhëzimin përkatës në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugë aplikimeve. Megjithatë, qytetarët jashtë Tiranës po përballen me një barrë shtesë financiare, pasi rivlerësimi i pronave të tyre mund të kryhet vetëm përmes vlerësuesve privatë. Këtë detaj e bëri të ditur ministri i Financave Petrit Malaj.  

“Të gjithë ata qytetarë që duan të bëjnë rivlerësimin e pronave jashtë territorit të Tiranës për momentin duhet ta bëjnë me vlerësues privat”, deklaroi Malaj. 

Diferenca mes Tiranës dhe rretheve në procesin e rivlerësimit, sipas Malaj, diktohej nga fakti që rrethet nuk kanë ende të miratuara çmimet e reja të referencës. 

 “Jemi ende në diskutim sa i përket çmimeve të reja të referencës për zonat jashtë Tiranës, për shkak se pas kontrolleve të fundit nga autoritetet tatimore në zyrat imobiliare janë evidentuar diferenca mes çmimeve të regjistruara pranë ASHK-së dhe atyre që rezultojnë në sistemet e këtyre zyrave imobilare”, argumentoi ministri i Financave. 

150-500 euro kosto shtesë për rrethet

Procesi është i hapur në Tiranë, ku rivlerësimi mund të kryhet normalisht. Por jashtë kryeqytetit, çmimet e reja të referencës nuk janë vendosur ende. Për këtë arsye, qytetarët që duan të rivlerësojnë pronat e tyre në rrethe janë të detyruar të përdorin vlerësues privatë, të cilët punojnë me çmimet e tregut. 

Kjo sjell një kosto shtesë për qytetarët. Vlerësuesi privat për një apartament kërkon 100-150 euro pagese. Për vilat, fatura shkon nga 150-300 euro dhe rivlerësimi i ambienteve tregtare llogaritet në privat me kosto nga 200–500 euro. 

Pra, vonesat e ministrisë në miratimin e cmimeve të reja të referencës jashtë Tirane, kanë prodhuar një barrë financiare të panevojshme për qytetarët në rrethe.

Ndërsa për Tiranën, ku aplikimi për rivlerësim mund të bëhet online përmes Kadastrës, tarifat e shërbimit janë disa herë më të ulta. Ato nuk janë fikse por variojnë nga 35 deri në 100 euro, sepse përllogariten në varësi të shumës së tatimit që do të rezultojë nga rivlerësimi. 

Shembull 

Një qytetar ka blerë një apartament në vitin 2018 për 80 mijë euro. Sot ai e shet pronën për 140 mijë euro. Diferenca prej 60 mijë eurosh konsiderohet fitim kapital. Me normën prej 15%, tatimi që duhet të paguajë është 9 mijë euro.

Nëse qytetari zgjedh të bëjë rivlerësim dhe e çon vlerën e pronës nga 80 mijë euro në 140 mijë euro para shitjes, ai paguan tatim me normën e reduktuar 5%. Pra, 3 mijë euro.

Pas këtij veprimi, vlera e re e pronës në dokumente bëhet 140 mijë euro. Kur qytetari e shet më pas pronën për 140 mijë euro, nuk ka më diferencë mes çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar. Si rrjedhojë, nuk paguan më tatim shtesë mbi fitimin kapital.

Për qytetarët që kanë prona në rrethe, kostos së mësipërme i shtohet edhe tarifa e shërbimit nga vlerësuesi privat i licencuar, i cili kryen aktin e rivlerësimit të pronës. Kjo tarifë varion në varësi të zonës dhe vlerës së pasurisë, dhe përbën një shpenzim shtesë.

Kjo kosto shtesë ka ardhur si pasojë e faktit se Ministria e Financave nuk ka miratuar ende çmimet e reja të referencës për rrethet, ndonëse kjo ishte premtuar më herët, duke mbajtur peng procesin për rreth 20 muaj.

Premtimi 

Ministri i Financave, Petrit Malaj, kishte premtuar se rivlerësimi do të bëhej mbi çmimet e reja të referencës, duke i përafruar ato me vlerat e tregut. Kjo do t’u jepte mundësi qytetarëve të paguanin tatimin mbi bazën e vlerës reale të pronës, me normën e reduktuar 5%.

Por procesi nisi mbi referencat e vitit 2023 për Tiranën, ndërsa çmimet e reja për rrethet nuk janë miratuar ende.

Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) ka kritikuar vonesat dhe ka propozuar shtyrjen e afatit të rivlerësimit deri në dhjetor 2027. Sipas drejtorit ekzekutiv Reinaldo Pipiria, koha e mbetur është e pamjaftueshme për një proces të plotë dhe të drejtë, sidomos pas humbjes së dy muajve të parë të vitit.

https://faktoje.al/nis-rivleresimi-i-pasurive-te-paluajtshme-me-5-por-me-referencat-e-vjetra

The post Rivlerësimi i pasurive me kosto shtesë, penalizohen rrethet appeared first on Faktoje.al.

Nis rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me 5%, por me referencat e vjetra

24 February 2026 at 15:59

Ka hyrë në fuqi rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me tatim 5%. Pas dy muaj zvarritje, procesi u zhbllokua por do të zbatohet mbi referencat e vitit 2023 dhe jo me çmimet e reja të tregut sikurse u premtua. Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA), propozon shtyrje me një vit të afatit të rivlerësimit, për shkak të muajve të humbur me zvarritjet proceduriale.

Esmeralda Topi

Vjeshtën e kaluar, ministri i Financave, Petrit Malaj, premtoi se procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me normë 5% do të fillonte nga 1 janari i këtij viti. 

“Metodologjia e re e llogaritjes së taksave vendore mbi pasurinë e paluajtshme, çmimet e reja të referencës dhe rivlerësimi do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026,” premtoi Malaj gjatë një takimi me grupet e interesit.

Sipas Malajt, rivlerësimi me çmimet e reja të referencës do t’i jepte mundësi individëve dhe bizneseve për të vlerësuar pasuritë e tyre bazuar në vlerën e tregut, dhe për të kryer pagesat e taksave mbi këto vlera. 

Të njëjtim zotim, Malaj e përsëriti, edhe nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë.

“Jo pa qëllim, Ministria e Financave gjykoi që këto dy nisma të prezantoheshin paralelisht, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të kishin mundësi të përfitonin nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, duke i përafruar ato me vlerat e tregut, por nga ana tjetër do të kenë mundësinë ta kryejnë këtë rivlerësim me një normë më të reduktuar tatimore në masën 5% nga 15% që është aktualisht”, zotohej Malaj, gjatë diskutimit të projekt-buxhetit 2026. 

Rivlerësim me çmime të “vjetra”

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me 5% nuk nisi më 1 janar të këtij viti. Pas thuajse dy muaj zvarritje, Ministria e Financave publikoi udhëzimin që i hap rrugë zbatimit të rivlerësimit. Të hënën e 23 shkurtit, në Fletoren Zyrtare u publikua udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), që rregullon procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme për individët. 

Por, rivlerësimi do të bëhet me referencat që janë aktualisht në fuqi dhe jo me çmimet e reja të tregut sikurse u premtua. 

Në udhëzim thuhet se të drejtën e kryerjes së rivlerësimit e kanë të gjithë ata individë që kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026.

Mirëpo ekspertët e pasurive të paluajtshme thonë se koha e mbetur është e pamjaftueshme. 

“E para duhet theksuar se vajtën dëm 20 muaj, pasi procesi u lajmërua që në korrik 2024. Na u tha që do bëhet me çmime të reja tregu por është e vështirë për një treg që ka mangësitë e veta. Eksperienca tregoi që nuk mjafton 20 muaj”,  thotë për Faktoje Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA). 

Nisur nga vonesat që shoqëruan proçesin, Pipiria propozon shtyrje me një vit të afatit të rivlerësimit.  

“Të shtyhet deri në dhjetor 2027 sepse nga 2026 dy muaj i humbëm. Kjo në mënyrë që procesi të jetë i plotë dhe të mbështesë kadastren fiskale, të kemi një rivlerësim të plotë”, argumenton më tej drejtuesi i Shoqatës të Pasurive të Paluajtshme. 

Referuar udhëzimit, i gjithë procesi do të realizohet online, me dy procedura, me ekspert të licencuar ose pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

6 mijë aplikime 

Prej kur qeveria lajmëroi publikisht nismën për të ulur tatimin, tregu i pasurive të paluajtshme u fut në ngërç. Qytetarët dhe bizneset bllokuan shitjet e pronave duke pritur që më parë të hyjë në fuqi ligji i rivlerësimit, për të mos paguar 15 për qind tatim, por 5 për qind.

“Unë di që janë 6 mijë aplikime që kanë qenë në pritje…”, argumenton Reinaldo Pipiria, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA). 

Nga ana tjetër, zvarritja prej thuajse dy vitesh që kur u lajmërua për herë të parë publikisht nisma, ka favorizuar ndërtuesit. Kjo sepse, në shitjen e parë, nga ndërtuesi tek qytetari, nuk aplikohet tatim mbi fitimin kapital, pasi nuk ka çmim blerje. Vetëm në rastin e shitjes së dytë, taksa fillon dhe merr diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes.

Shembull 

Një qytetar ka blerë një apartament në vitin 2018 për 80 mijë euro. Sot ai e shet pronën për 140 mijë euro. Diferenca prej 60 mijë eurosh konsiderohet fitim kapital. Me normën prej 15%, tatimi që duhet të paguajë është 9 mijë euro. 

Nëse qytetari zgjedh të bëjë rivlerësim dhe e çon vlerën e pronës nga 80 mijë euro në 140 mijë euro para shitjes, ai paguan tatim me normën e reduktuar 5%. Pra, 3 mijë euro. 

Pas këtij veprimi, vlera e re e pronës në dokumente bëhet 140 mijë euro. Kur qytetari e shet më pas pronën për 140 mijë euro, nuk ka më diferencë mes çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar. Si rrjedhojë, nuk paguan më tatim shtesë mbi fitimin kapital.

Prapavijë 

Drafti për të ulur tatimin mbi fitimet kapitale përmes rivlerësimit të pronave u propozua nga ish deputetja socialiste Blerina Gjylameti në maj të 2024. Drafti i Gjylametit propozonte që biznesit dhe qytetarëve t’u jepej një tjetër mundësi të rivlerësonin pronat kundrejt një tatimi prej 3 për qind.

Propozimi mbeti sirtarëve të Kuvendit deri në muajin korrik të atij viti, kur kryeministri Edi Rama lajmëroi nismën publikisht. Por Rama saktësoi se taksa e rivlerësimit do të ishte 5 për qind, jo 3 për qind sa kishte propozuar Blerina Gjylameti. 

“Do të ndërtojmë një proces që rivlerësimi të jetë i hapur 1 vit, fund shtatori me fund shtatori dhe ndërkohë duhet të jetë e qartë dhe diçka tjetër, rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i dyti me 3% i treti dhe i fundit me 5%,” deklaroi Rama më 17 korrik.

Por afati i dhënë nga kryeministri u shkel. Drafti nuk u miratua. Në vjeshtë, qeveria e pezulloi duke e shtyrë për vitin 2025.  

Asokohe si argument ministria e Financave tha se qeveria kishte plan për të rritur çmimet e referencave në të gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht në zonat bregdetare të vendit.

Ndaj sipas ministrit të Financave, taksa e rivlerësimit do të miratohej pas rritjes së çmimeve të referencës në të gjithë territorin e vendit. Kjo do t’u jepte mundësi të gjithë qytetarëve me prona në bregdet apo pjesë të tjera të vendit të kishin mundësi rivlerësimi me çmimet e rritura të referencës.

Përfundim 

Nisur nga të dhënat e mbledhura dhe verifikimi i kryer, premtimin e ministrit të Financave Petrit Malaj se “çmimet e reja të referencës dhe rivlerësimi do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2026”, e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur. 

The post Nis rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me 5%, por me referencat e vjetra appeared first on Faktoje.al.

Faktoje prezanton gjetjet e monitorimit për bashkinë e Shkodrës

24 February 2026 at 10:41

Shkodër, 23 shkurt 2026 – Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje, prezantoi të hënën përpara përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas një viti monitorimi të punës së kësaj bashkie.

Ky proces është pjesë e projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED), që prej gjashtë vitesh mat performancën e pushtetit vendor në Shqipëri.

Pjesë e monitorimit për vitin 2025 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda. Monitorimi është bazuar në tre elementë kryesorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, përmbushjen e premtimeve elektorale si dhe fondin social.

Transparenca

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se bashkitë me performancën më të lartë në transparencë janë Shkodra, Lezha, Korça dhe Saranda, me 100%përmbushje të indikatorëve të matur.

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Shkodër matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 100%.

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka vlerësoi procesin e monitorimit nga qendra Faktoje.

“Ne e vlerësojmë shumë edhe Faktoje e cila për disa vite radhazi ka pjesë të kërkimit të saj edhe të analizës, edhe Bashkinë Shkodër. Edhe këtë vit ne mbajmë atë traditën e mirë përsa i përket transparencës ndaj publikut,”- u shpreh Beka.

Bilanci i premtimeve

Sa i përket premtimeve elektorale të monitoruara nga qendra Faktoje, në rastin e Bashkisë Shkodër, nga 4 premtime të monitoruara, 3 premtime janë kategorizuar si pjesërisht të mbajtura dhe 1 i përmbushur plotësisht.

“Disa nga premtimet, të cilat kanë qënë pjesë e monitorimit të Bashkisë Shkodër, janë mbaruar. Disa janë në proces dhe disa presin të vazhdojnë shumë shpejt,”- shtoi më tej nënkryetari i bashkisë Shkodër.

Në total, nga 40 premtime të verifikuara në të dhjeta bashkitë vetëm 5 janë realizuar plotësisht, 12 pjesërisht, ndërsa 23 nuk janë përmbushur.

Kjo do të thotë se 57.5% e premtimeve mbeten të pambajtura, duke krijuar një hendek të madh mes retorikës elektorale dhe veprimit konkret. Premtimet u monitoruan përmes analizës së buxhetit, ndjekjes së prokurimeve publike dhe vëzhgimeve në terren.

Ky është viti i gjashtë që Faktoje realizon një raport të tillë, duke sjellë një panoramë të qartë mbi transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit vendor në Shqipëri.

Fondi Social

Gjetjet për vitin 2025 tregojnë se Fondi Social ka vijuar të zgjerojë shtrirjen e tij në nivel vendor, duke përfshirë bashki të reja dhe duke mbështetur një gamë më të gjerë shërbimesh sociale. Megjithatë, analiza evidenton edhe sfida të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me cilësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara, mospërputhjet ndërinstitucionale dhe mungesën e planifikimit të qartë për vazhdimësinë e shërbimeve pas përfundimit të financimit.

Në disa raste, shërbimet mbeten të varura nga fondet qendrore dhe të ekspozuara ndaj rrezikut të ndërprerjes, ndërsa shpërndarja e tyre nuk reflekton gjithmonë në mënyrë të balancuar nevojat e të gjitha grupeve vulnerabël. Këto gjetje nënvizojnë nevojën për më shumë transparencë, koordinim dhe planifikim të qëndrueshëm, në mënyrë që investimi publik të përkthehet në shërbime me ndikim real dhe afatgjatë për komunitetet.

Projekti “40 premtime, 10 bashki” është i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).

The post Faktoje prezanton gjetjet e monitorimit për bashkinë e Shkodrës appeared first on Faktoje.al.

Qeveria premton çeljen e IPARD III, por Brukseli nuk ka folur

18 February 2026 at 15:23

Bujqësia shqiptare ka hyrë në vitin e tretë të pezullimit të fondeve IPARD III nga Bashkimi Evropian për shkak të dyshimeve për korrupsion. 

Që nga korriku i vitit 2023, kur Komisioni Evropian ndërpreu rimbursimet për IPARD II dhe pezulloi IPARD III, qeveria shqiptare ka paralajmëruar disa herë rikthimin e afërt të financimeve. 

Së fundmi, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se fondet do të çelen brenda 6-mujorit të parë të vitit.

“Ne i kemi bërë detyrat tona, çfarë na është kërkuar nga Bashkimi Evropian. Jemi në datën 9 mars (Bruksel), për të vazhduar hapat e mëtejshëm që ne brenda 6 mujorit të parë të kemi IPARD III,”  u shpreh Salla.

Por a ekziston një vendim zyrtar nga Komisioni Evropian që konfirmon këtë afat?

Qeveria shqiptare ka deklaruar disa herë se fondet IPARD do të rihapen “së shpejti” apo brenda një afati të caktuar. Në çdo rast të mëparshëm, Komisioni Evropian ka sqaruar se procedura ishte ende në proces dhe se nuk kishte një datë të përcaktuar.

Edhe sot, pas deklaratës së ministrit Salla, nuk ka një konfirmim publik nga Komisioni Evropian për hapjen e IPARD III brenda 6-mujorit të parë apo për disbursimin e miliona eurove këtë vit. 

Çfarë dihet deri tani?

Komisioni Evropian ka përsëritur vazhdimisht se rifillimi i fondeve për bujqësinë shqiptare varet nga përmbushja e masave korrigjuese dhe garantimi i mbrojtjes së interesave financiare të BE-së. Ndërkohë, hetimi penal në Shqipëri, i trajtuar nga SPAK, vijon prej vitesh pa rezultate konkrete.

Programi IPARD III parashikon rreth 146 milionë euro për bujqësinë shqiptare. Por pezullimi i tij është një vendim formal i Komisionit Evropian dhe vetëm një vendim tjetër formal mund ta heqë atë.

Deri më tani, nuk ka një njoftim zyrtar nga Brukseli që:

  • konfirmon përfundimin e procedurës,
  • shpall heqjen e pezullimit,
  • apo nënshkrimin përfundimtar të Marrëveshjes së Financimit.

Premtime të përsëritura

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare shpallin një afat për hapjen e IPARD III.

Në korrik 2023, ministrja e atëhershme e Bujqësisë, Frida Krifca, e cilësoi pezullimin si “procedurë administrative normale”, duke sugjeruar se raste të ngjashme kishin ndodhur edhe në vende të tjera të BE-së. Por Komisioni Evropian reagoi për Faktoje.al se “nuk ka pasur raste të ngjashme”, duke e cilësuar masën ndaj Shqipërisë si të paprecedentë.

Në maj 2024, zëvendësministri i bujqësisë Dhimitër Kote deklaroi se IPARD III do të ishte funksional në vitin 2025. Edhe kjo deklaratë u përgënjeshtrua nga Komisioni Evropian, i cili sqaroi se procedura ishte ende në vazhdim dhe nuk kishte një datë për rikthimin e fondeve. Zëdhënësi për tregtinë dhe bujqësinë pranë KE-së, Olof Gill, theksoi se ndërprerja e rimbursimeve mbetej në fuqi deri në një njoftim tjetër.

Në vitin 2025, kryeministri Edi Rama deklaroi se bëhej fjalë vetëm për “parregullsi” dhe jo për dyshime korrupsioni. Por dokumentet dhe përgjigjet zyrtare të KE-së kanë theksuar se pezullimi u bazua në informacion të marrë në kuadër të një hetimi të OLAF, jo thjesht në auditime rutinë.

Përfundim

Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, i cili u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro fonde. Dhe teksa vendi priste të niste mbështetjen në bujqësi përmes IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian vendosi pezullimin bazuar në dyshimet për korrupsion. 

Pa një vendim zyrtar nga Komisioni Evropian, deklaratat për çeljen e fondeve IPARD III mbeten premtime politike të njëanshme.

Deri në momentin që Brukseli të shpallë zyrtarisht heqjen e pezullimit, çdo afat i shpallur nga qeveria shqiptare për rikthimin e fondeve është i pakonfirmuar dhe, bazuar në precedentët e viteve të fundit, rrezikon të mbetet thjesht propagandë.

The post Qeveria premton çeljen e IPARD III, por Brukseli nuk ka folur appeared first on Faktoje.al.

“Na ruajti Zoti”, sekondat që ndanë incidentin nga tragjedia në Dragostunjë

13 February 2026 at 16:00

Një javë pas rrëshqitjes së masivit në kthesën e Dragostunjës, Faktoje.al dokumenton nga terreni gjurmët e shembjes që rrezikoi jetën e një familjeje dhe bllokoi një nga segmentet kryesore drejt juglindjes.

Esmeralda Topi

“Na rujti Zoti.” Kështu e nis rrëfimin Safet Duka, një javë pasi masivi i gurëve u shkëput mbi kthesën e Dragostunjës, në segmentin Librazhd–Prrenjas. 

“Po çoja mamin për vizitë. Pashë gurë të vegjël që po binin. Nga pak… pastaj e kuptova që po rrëshqiste gjithë mali,” rrëfen Safeti. “Ndalova dhe ika mbrapsh. Po të mos kisha ikur, do na kishte zënë poshtë.”

Makina e tij u godit nga gurë të vegjël. Xhami i parë dhe llamarinat u dëmtuan. “Po të kishin rënë ata të mëdhenjtë, sot s’do të ishim gjallë,” thotë ai. 

Një javë pas shembjes, rruga ishte e hapur, por shenjat kishin mbetur aty. Mjetet kalonin ngadalë sepse frika nuk mund të pastrohet si gurët. 

Shkëmbi ngrihej i zhveshur mbi rrugë. Faqja e tij e çarë, me damarë dheu e zhavorri dukeshin sikur mund të rrëshqisnin sërish në çdo çast. Mes atyre çarjeve dallohej qartë rrjedhje ujërash. 

Poshtë, rruga ishte ngushtuar dhe mbuluar nga balta e kuqërremtë. Në anë të saj, një tabelë trekëndore paralajmëronte punime. 

Përgjatë skarpatës ishin vendosur rrjeta mbrojtëse, si një përpjekje për të mbajtur në vend atë që natyra ka lëshuar. Por nga afër, kuptoje se më shumë se një zgjidhje përfundimtare ishte një masë emergjente. 

Edhe pse binte shi, mbi këtë shpat të çarë, vazhdonin punimet për Korridorin 8. 

“Nuk ka lidhje me Korridorin 8”

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) thotë për Faktoje.al se shkak për shembjen e rrugës në kthesën e Dragostunjës ishte “prezenca e shtuar e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, si pasojë e reshjeve të shumta në një kohë të shkurtër”. 

Sipas ARRSH-së, situata “nuk ka ndonjë lidhje me punimet e Korridorit 8”.

Por në terren, ky nuk është i vetmi shpjegim. Në krahun lindor të rrugës, mbi vijën ekzistuese, vazhdojnë punimet për Korridori 8. Edhe të hënën e 9 shkurtit, ditën kur shkuam në terren, makineritë punonin. 

“Dora e njeriut” 

“Nga ajo që duket në pamje, shembja ka të bëjë me punimet që po bëhen sipër rrugës ekzistuese,” thotë inxhinieri gjeodet Romeo Nazarko.

 “Punimet në masiv e kanë ndarë pjesën shkëmbore në dy pjesë. Pjesa poshtë segmentit të korridorit, e shkëputur nga bazamenti, nga tronditjet dhe nga shirat që kanë hyrë në hapësirat e krijuara, ka provokuar shembjen.”- argumenton më tej ai. 

Sipas tij, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore “nuk janë shkaku kryesor”. “Rrëshqitje nga ujërat ka çdo vit. Por kjo nuk ishte rrëshqitje rutinë. Ishte e provokuar nga ndërhyrja e njeriut.”

Edhe Safet Duka me bashkëshorten, ndajnë të njëjtin mendim.  “Shi bie çdo vit,” thotë Luiza, bashkëshortja e Safetit. “Po nuk ka rënë ndonjëherë kështu rruga.” 

“Punojnë lart me shpime. Ka kriju çarje. Shiu gjen vend e futet.”- shton Safeti. 

Inxhinier Nazarko paralajmëron se situata “mund të përsëritet edhe në segmente të tjera për shkak të terrenit”. Sipas tij, duhen monitorime të vazhdueshme dhe kontroll i imtësishëm i stabilitetit të masivit. “Kur ndërhyn në një terren të tillë, duhet të dish që çdo gërmim, çdo vibrim, ndryshon ekuilibrin natyror. Nëse nuk monitorohet në vijimësi, rreziku mbetet.”- përfundon ai. 

Shumë para por pak cilësi

Segmenti Librazhd–Prrenjas është një nga nyjet kryesore të qarkullimit drejt juglindjes. Çdo bllokim i këtij aksi është më shumë se një incident lokal. Është ndërprerje e një korridori.

 “Shembjet e përsëritura janë tregues i një modeli ekonomik joefikas,” thotë eskperti Eduard Gjokutaj. “Shumë para për ndërtim, shumë pak për cilësi.” Sipas tij, rrugët duhet të trajtohen si asete afatgjata, jo si projekte që mbyllen me inaugurim.

“Rruga nuk duhet të matet me kilometrat e inauguruar, por me vitet që funksionon pa bllokime dhe pa rrezik për jetën,” thekson ai. Çdo bllokim, shton Gjokutaj, është një “taksë e fshehur” që paguhet nga qytetarët me kohë, karburant dhe stres.

***

“Na rujti Zoti,” përsërit Safeti në fund. Në duar mban targën e makinës, të gjetur mes gurëve e baltës një ditë pas shembjes. E fshin me duar, e rrotullon ngadalë, si një dëshmi të asaj që mund të kishte qenë shumë më tepër se një dëm material. Disa sekonda ndanë një incident nga një tragjedi. Safet Duka dhe nëna e tij patën fat. Herës tjetër fati mund të mos mjaftojë.

The post “Na ruajti Zoti”, sekondat që ndanë incidentin nga tragjedia në Dragostunjë appeared first on Faktoje.al.

Amerikanët të shqetësuar për përplasjen qeveri–SPAK

11 February 2026 at 18:00

Tensionet qeveri–SPAK shqetësojnë SHBA-në, që e lidh partneritetin me pavarësinë e gjyqësorit. Ambasada në Tiranë thekson pêr Faktoje se “pavarësia e institucioneve të drejtësisë mbetet thelbësore për bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Shqipërisë”.

Esmeralda Topi

Tensionet mes ekzekutivit dhe drejtësisë, që shpërthyen nga rastet e fundit në qeveri kanë kaluar kufijtë e politikës së brendshme. Dy partnerët kryesorë ndërkombëtarë që kanë qënë mbështetësit kryesor të reformës në drejtësi, tanimë janë të shqetësuar mbi pavarësinë e institucioneve të reja.

Pas reagimit të Komisionit Evropian, që paralajmëroi se presioni politik mbi gjyqësorin rrezikon besueshmërinë e reformës në drejtësi dhe rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë sinjalin e tyre.

Washington-i e sheh pavarësinë e drejtësisë si kusht për partneritetin strategjik mes dy vendeve.

“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar. Nuk kemi koment për çështjet ligjore që janë në proces.”- u shpreh për Faktoje.al, Ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Reforma në drejtësi është “investim” i partnerëve ndërkombetarë, si SHBA dhe BE, të cilët janë angazhuar që në fazat e para me mbeshtetje teknike dhe financiare, për të ndërtuar një sistem drejtësie që eleminon pandëshkueshmërinë dhe garanton trajtimin e te gjithëve si të barabartë para ligjit.


Besueshmëria digjitale, një tjetër alarm


Por shqetësimet amerikane nuk ndalen te përplasja qeveri–SPAK. Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) doli me një shqetësim paralel. Digjitalizimi i shtetit, një tjetër pikë kritike e besueshmërisë institucionale.

Anëtarët e Dhomës Amerikane paralajmërojnë rreziqe serioze në funksionimin e platformës e-Albania dhe sistemit të AKSHI-t.
“…disa shërbime të platformës e-Albania aktualisht funksionojnë në mënyrë të paqëndrueshme dhe nuk përmbushin nevojat operacionale të bizneseve dhe qytetarëve”, shkruhet në deklaratë.

Për AmCham, ky nuk është thjesht problem teknik. Por një kërcënim i drejtpërdrejtë për besueshmërinë e shtetit digjital dhe klimën e investimeve.

Bizneset amerikane theksojnë se mungesa e auditimit të pavarur, sigurisë kibernetike dhe përditësimit sipas standardeve ndërkombëtare përbën një kërcënim për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë kombëtare. Ata gjithashtu kanë raportuar ndërprerje të shërbimeve, vonesa dhe performancë të paqëndrueshme, që pengojnë aktivitetin e tyre të përditshëm.

“Ky shqetësim është veçanërisht i rëndësishëm për AmCham, pasi Dhoma përfaqëson një numër të konsiderueshëm kompanish anëtare që operojnë në ekosistemin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe sektorë të lidhur me të”, theksohet në deklaratë.
AmCham e lidh drejtpërdrejt besueshmërinë e sistemeve digjitale me sigurinë kombëtare dhe klimën e biznesit.

Për këtë arsye, Dhoma Amerikane i bën thirrje Qeverisë të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të të gjitha shërbimeve të e-Albania-s, me fokus të veçantë te shërbimet kritike për aktivitetin e biznesit dhe prokurimet.

Përfundim

Shqipëria nuk mund të ecë drejt integrimit evropian dhe të ruajë partneritetin me SHBA-në pa garantuar besueshmërinë e institucioneve të saj. Pavarësia e gjyqësorit dhe siguria e sistemeve digjitale nuk janë thjesht çështje teknike apo ligjore ato janë themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës, stabiliteti ekonomik dhe besimi i qytetarëve. Nëse këto themele lëkunden, Shqipëria rrezikon rrugën drejt BE-së dhe partneritetin me SHBA-në.

The post Amerikanët të shqetësuar për përplasjen qeveri–SPAK appeared first on Faktoje.al.

Faktoje prezanton gjetjet e monitorimit për bashkinë e Korçës

11 February 2026 at 10:07

Korçë, 10 shkurt 2026 –Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje, prezantoi të marten e 10 shkurtit përpara përfaqësuesve të Bashkisë Korçë, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas një viti monitorimi të punës së kësaj bashkie.

Ky proces është pjesë e projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED), që prej gjashtë vitesh mat performancën e pushtetit vendor në Shqipëri.

Pjesë e monitorimit për vitin 2025 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.

Monitorimi është bazuar në tre elementë kryesorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, përmbushjen e premtimeve elektorale si dhe fondin social.

Transparenca

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se bashkitë me performancën më të lartë në transparencë janë, Korça, Shkodra, Lezha dhe Saranda, me 100%përmbushje të indikatorëve të matur.

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Korçë matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 100%, nga 87.5% vitin e kaluar.

Bilanci i premtimeve

Sa i përket premtimeve elektorale të monitoruara nga qendra Faktoje, në rastin e Bashkisë Korçë, nga 4 premtime të monitoruara në dy vitet e fundit, 2 premtime janë kategorizuar si të pambajtura, 1 i mbajtur dhe 1 tjetër pjesërisht të mbajtur.

Nga 4 premtime të verifikuara në Korçë:

• 1 është përmbushur,

• 1 pjesërisht,

• 2 mbeten të papërmbushur.

Në total, nga 40 premtime të verifikuara në të dhjeta bashkitë vetëm 5 janë realizuar plotësisht, 12 pjesërisht, ndërsa 23 nuk janë përmbushur.

Kjo do të thotë se 57.5% e premtimeve mbeten të pambajtura, duke krijuar një hendek të madh mes retorikës elektorale dhe veprimit konkret. Premtimet u monitoruan përmes analizës së buxhetit, ndjekjes së prokurimeve publike dhe vëzhgimeve në terren.

Ky është viti i gjashtë që Faktoje realizon një raport të tillë, duke sjellë një panoramë të qartë mbi transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit vendor në Shqipëri.

Fondi Social

Gjetjet për vitin 2025 tregojnë se Fondi Social ka vijuar të zgjerojë shtrirjen e tij në nivel vendor, duke përfshirë bashki të reja dhe duke mbështetur një gamë më të gjerë shërbimesh sociale. Megjithatë, analiza evidenton edhe sfida të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me cilësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara, mospërputhjet ndërinstitucionale dhe mungesën e planifikimit të qartë për vazhdimësinë e shërbimeve pas përfundimit të financimit.

Në disa raste, shërbimet mbeten të varura nga fondet qendrore dhe të ekspozuara ndaj rrezikut të ndërprerjes, ndërsa shpërndarja e tyre nuk reflekton gjithmonë në mënyrë të balancuar nevojat e të gjitha grupeve vulnerabël. Këto gjetje nënvizojnë nevojën për më shumë transparencë, koordinim dhe planifikim të qëndrueshëm, në mënyrë që investimi publik të përkthehet në shërbime me ndikim real dhe afatgjatë për komunitetet.

Projekti “40 premtime, 10 bashki” është i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).

The post Faktoje prezanton gjetjet e monitorimit për bashkinë e Korçës appeared first on Faktoje.al.

Brukseli monitoron, por përgjegjësia për ‘Smart City’ i mbetet Tiranës

9 February 2026 at 17:00

Brukseli pret që Shqipëria t’i trajtojë të dhënat personale në përputhje me legjislacionin e ri që ka përafruar me Bashkimin Evropian. Ndërsa, Avokati i Popullit thotë se mund të veprojë vetëm mbi bazën e ankesave konkrete për shkelje të të drejtave të njeriut, duke e lënë “Smart City”, jashtë një hetimi institucional.

Esmeralda Topi 

Kur projekti “Smart City” u bë publik, ai u prezantua si një hap drejt modernizimit të sigurisë dhe menaxhimit urban. Kamerat inteligjente, analizimi i të dhënave dhe përdorimi i teknologjisë së avancuar u përshkruan si mjete për një qytet më të sigurt. Por ndërsa projekti avancon, pyetjet për transparencën, mbrojtjen e të dhënave personale dhe kostot mbeten të hapura. 

“Smart City” përfshin sigurimin dhe instalimin e platformave të inteligjencës artificiale për menaxhimin e qytetit dhe trafikut, përveç një qendre të avancuar kontrolli.

Projekti me kosto 140 milionë dollarë parashikon ngritjen e një sistemi monitorimi përmes instalimit të rreth 5 mijë kamerave në qytetet më të mëdha të vendit. Pjesë e tij janë dhe 3 mijë kamera trupore për punonjësit e policisë së shtetit.

KE: “Përgjegjësia është kombëtare”

Në përgjigje të një kërkese për informacion, Komisioni Evropian sqaroi për Fakotje.al se çështjet e mbrojtjes së të dhënave personale në vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë, monitorohen në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Pritshmëria e Brukselit është që Shqipëria t’i trajtojë të dhënat personale në përputhje me ligjin e saj kombëtar. 

“Shqipëria së fundmi ka miratuar një legjislacion të ri për mbrojtjen e të dhënave, në përputhje me acquis të BE-së. Prandaj ne presim që Shqipëria të trajtojë të dhënat personale në përputhje me legjislacionin e saj kombëtar,” thuhet në përgjigjen e Komisionit. 

Edhe në fushën e prokurimit publik, Komisioni thekson se roli i tij është mbështetës dhe vlerësues në nivel kuadri, jo kontratash individuale. 

“Tani i takon Shqipërisë të vlerësojë përputhshmërinë e kontratave individuale me standardet e BE-së për prokurimin publik,” sqaron Komisioni.

Avokati i Popullit: “Nuk kam ankesa”

Në Tiranë, Avokati i Popullit mban një qëndrim po aq të rezervuar. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, institucioni kujton se kompetencat e tij ushtrohen mbi bazën e ankesave konkrete dhe të individualizuara, ose kur ekzistojnë indicie të besueshme për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Mbrojtja e të dhënave personale dhe respektimi i jetës private janë të garantuara nga Kushtetuta dhe nga legjislacioni në fuqi,” thuhet në përgjigje, duke shtuar se autoritetet publike janë të detyruara të respektojnë parimet e domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe sigurisë gjatë përpunimit të të dhënave.

Sa i përket projektit “Smart City”, Avokati i Popullit sqaron se është i gatshëm të vlerësojë çdo çështje që lidhet me ndikimin e tij mbi të drejtat e qytetarëve, por vetëm nëse paraqiten ankesa konkrete ose fakte të verifikueshme.

Edhe rekomandimet ndaj organeve të administratës publike, sipas Avokatit të Popullit, jepen vetëm pasi konstatohet një shkelje konkrete e të drejtave të njeriut. Institucioni nënvizon se nuk ushtron mbikëqyrje të përgjithshme mbi politikat publike dhe nuk ndërhyn në diskrecionin administrativ, për sa kohë ky ushtrohet në përputhje me ligjin.

Si nisi “Smart City”? 

Projekti “Smart City” nisi si një nismë zyrtare në prill 2024, kur ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë ‘Presight AI’, pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. 

Marrëveshja e klasifikuar si sekrete, parashikon instalimin e një rrjeti kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të vendit, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe përmirësimin e menaxhimit të trafikut përmes inteligjencës artificiale. 

shkurt 2025, gjatë vizitës së parë të presidentit të Emirateve të Bashkuara në Tiranë, kryeministri Edi Rama nënshkroi një letër angazhimi për projektin, i cili u bë pjesë e projekteve me rëndësi kombëtare. 

Kostot e “Smart City”

Kostoja që fillimisht parashikohej të ishte 60 milionë dollarë, pas vizitës u rrit thuajse dyfish dhe do të mbulohet përmes një huamarrje nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit, duke arritur në 140 milionë dollarë me TVSH.

Projekti përfshin instalimin e 2 239 kamerave ANPR, 2 602 kamerave PTZ, 3 816 kamerave trupore për policinë, si dhe 100 radarëve inteligjentë dhe 100 sensorëve zhurme për trafikun. 

Buxheti i projektit tregon se 31 milionë dollarë shkojnë për liçencat e softuerëve, 62.4 milionë për pajisjet hardware dhe infrastrukturën, 8 milionë për shërbime profesionale dhe 17.1 milionë për mirëmbajtje katërvjeçare. 

Në dhjetor 2025, kompania ‘Presight AI’, kompani të dhënash dhe Inteligjencë Artificiale e regjistruar në Abu Dhabi, hapi degën e saj në Shqipëri, me objektivin e vetëm zbatimin e kontratës. 

The post Brukseli monitoron, por përgjegjësia për ‘Smart City’ i mbetet Tiranës appeared first on Faktoje.al.

Porto Romano, tre vite zvarritje për ndërtimin e portit të ri

5 February 2026 at 16:36

“Më 31 janar do të kemi një fitues, një konsorcium që do të nisë punimet për portin e ri në Porto Romano”,  deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vjeshtën e kaluar. 

Kur ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e dha këtë afat, u duk sikur më në fund saga e portit të ri në Porto Romano po i afrohej zgjidhjes. Pas zvarritjeve disavjeçare, 31 janari i këtij viti u prezantua si afat që do t’i hapte rrugën ndërtimit të portit të ri.

Një projekt i prezantuar nga qeveria si ambicioz, me vlerë rreth 400 milionë euro, i cili do të transformojë jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin, duke u shërbyer Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Por kur kalendari shënoi 31 janar, afati u shkel sërish. Ndryshe nga sa deklaroi Balluku, nuk u shpall asnjë konsorcium fitues për Portin e ri në Porto Romano. 

Në regjistrin e prokurimeve publike afati i ri për shpalljen e fituesit është muaji mars. Dhe si çdo herë tjetër, shtyrja e afatit u pasua me heshtje institucionale duke vijuar historinë e zvarritjeve për projektin.

Afate të shkelura

Kjo nuk është hera e parë që Porto Romano shndërrohet në një sagë të pafundme afatesh të shkelura. 

Dhjetor 2022 – Janar 2023 

Ministrja Belinda Balluku deklaroi se gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit do të hapej në fund të janarit 2023. Kur erdhi koha, gara nuk u çel. Ministria nuk dha shpjegime, ndërsa Autoriteti Portual justifikoi vonesën me “grupe pune” që ende vlerësonin dokumentet juridike e financiare. I vetmi zhvillim konkret ishte një takim konsultativ më 2 shkurt 2023 me kompani të interesuara. Fituesi që duhej shpallur në korrik mbeti vetëm një skenar i parealizuar. Ky ishte afati i parë i shkelur.

Korrik 2024 

Pas një viti e gjysmë vonesash, gara u hap. Këtë herë, Balluku e prezantoi si “kurorëzimin e katër viteve punë”, duke folur për mbi 420 mijë orë analiza e studime. Sipas qeverisë interesi ishte i madh, me 15 kompani ndërkombëtare të regjistruara. Por në vjeshtën e 2024 tenderi me vlerë 393 milionë euro u anullua për mungesë ofertash të përshtatshme. Një tjetër afat i thyer.

Dhjetor 2024 – Prill 2025 

Pas anulimit të tenderit në vjeshtën e vitit 2024, gara për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano u rihap në dhjetor të po atij viti. Në këtë fazë morën pjesë pesë kompani të mëdha ndërkombëtare:

  • Archirodon Construction (Overseas) Company Limited – me bazë në Qipro, pjesë e grupit Archirodon NV me seli në Holandë dhe Greqi, e specializuar në projekte marine dhe infrastrukturore.
  • Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V. – kompani holandeze e njohur për punime të mëdha në dredging dhe inxhinieri detare.
  • China Communications Construction Company (ÇÇ) – gjigant kinez i ndërtimit, i përfshirë në projekte infrastrukturore globale.
  • Webuild S.p.A. – kompani italiane e ndërtimit, e fokusuar në projekte komplekse inxhinierike.
  • Konsorciumi Jan De Nul NV – Soletanche Bachy International – Vinci Construction Geoinfrastructure – një bashkim kompanish nga Belgjika dhe Franca, me eksperiencë në inxhinieri detare dhe ndërtim të madh.

Në prill 2025, pas fazës së parakualifikimit, vetëm Archirodon dhe Van Oord mbetën në garë. Kompanitë e tjera u skualifikuan nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Konsorciumi Jan De Nul – Vinci – Soletanche Bachy paraqiti një ankesë kundër vendimit të skualifikimit, por Komisioni i Prokurimit Publik e rrëzoi, duke lejuar vazhdimin e procedurës me dy ofertuesit e mbetur.

Shtator – Tetor 2025 

Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, në fazën finale mbeti e kualifikuar vetëm një ofertë ekonomike, Archirodon Construction (Overseas) Company Limited me bazë në Qipro. 

Vjeshtën e kaluar, gjatë ceremonisë zyrtare të prezantimit të drejtorit të ri të Portit të Durrësit, Liburn Aliu, Balluku u shpreh se, “Më 31 janar do të kemi një fitues, një konsorcium që do të nisë punimet për portin e ri në Porto Romano” Por në vend të shpalljes së konsorciumit fitues, procedura u shty për në 9 mars 2026, duke shtuar edhe një kapitull tjetër në historinë e zvarritjeve.

Përfundim

Porto Romano është një projekt me barrë të rëndë financiare për qytetarët shqiptarë. Kosto totale llogaritet në 1 miliardë e 20 milionë euro. Fillimisht qeveria prezantoi një faturë prej 393 milionë eurosh për fazën e parë të ndërtimit, por më pas projekti u pasurua me faturat e tjera. 261 milionë euro për fazën e dytë dhe 366 milionë euro për bazën detare. 

Mirëpo ndonëse i shpallur si investim strategjik, ndërtimi i portit të ri në Porto Romano po zvarritet me shtyrje të njëpasnjëshme afatesh prej tre vitesh. Nga deklarata për hapjen e garës në janar 2023, tek anulimi i tenderit në 2024, rihapja e tij në 2025 dhe shtyrja e shpalljes së fituesit nga janari në mars 2026, projekti është kthyer në një sagë të pafundme vonesash.

Nisur nga verifikimet e bëra, deklaratën e ministres Balluku se më 31 janar 2026 do të shpallej fituesi e kategorizojmë të pavërtetë, sikurse edhe disa të tjera më herët, të verifikuara nga Faktoje. 

The post Porto Romano, tre vite zvarritje për ndërtimin e portit të ri appeared first on Faktoje.al.

Premtimi për rimbursimin e biletës së transportit në Lezhë, në pritje të zbatimit

31 January 2026 at 00:00

Një muaj para zgjedhjeve lokale të majit 2023, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, premtoi se do të rimbursonte gjysmën e biletës së transportit urban për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë.

“Në buxhetin e vitit 2024 do vlerësohet rimbursimi i gjysmës së biletës së transportit urban për moshën e tretë dhe kategoritë e tjera në nevojë,” deklaronte Ndreu gjatë një takimi elektoral.

Në vitin 2024, verifikimetFaktoje.al treguan se Bashkia Lezhë nuk kishte asnjë fond të planifikuar për premtimin e kryebashkiakut Ndreu. Edhe vitin e kaluar, Bashkia Lezhë konfirmoi se situata nuk kishte ndryshuar. Në buxhetin afatmesëm 2025–2027 nuk figuronte rimbursimi i biletës.

Sipas Bashkisë, e vetmja masë që lidhej me çmimin e biletave ishte një vendim i Këshillit Bashkiak që prekte invalidët e punës, miratuar vite para premtimit elektoral të Ndreut.

“Me Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.36, datë 28.03.2018 është parashikuar që vetëm invalidët e punës të përfitojnë 50 % ulje në çmimin e biletës,” sqaronte Bashkia Lezhë. 

Bashkia bënte me dije se ishte partnere në projektin ndërkombëtar SMART LAND, të financuar nga Interreg South Adriatik, nëpërmjet të cilit janë zhvilluar dy trajnime për të analizuar gjendjen e transportit publik dhe për të propozuar zgjidhje afatgjata.

Megjithatë, deri më nëntor të 2025, kur ne verifikuam premtimin, nuk ishte miratuar asnjë plan konkret apo afat për krijimin e një shërbimi urban.

Fakt

Këtë vit, situata ndryshoi. Pas verifikimeve të Faktoje.al, Bashkia Lezhë njoftoi se ka përfunduar një projekt ndërkombëtar (SMARTLAND1) dhe tashmë ka nisur zbatimi i (SMARTLAND 2).

Në kuadër të këtij projekti është parashikuar blerja e një automjeti për transportin publik, i cili do të përdoret posaçërisht për nevojat e moshës së tretë.

Blerja është e miratuar në Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.113, datë 15.12.2025, ndërsa masa për rimbursimin e biletës do të përfshihet në Planin e Transportit që pritet të hartohet gjatë këtij viti.

Përfundim

Premtimi i kryebashkiakut Pjerin Ndreu për rimbursimin e gjysmës së biletës së transportit urban për të moshuarit dhe kategoritë në nevojë, bazuar në informacionet e fundit të Bashkisë Lezhë, kategorizohet si premtim pjesërisht i mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Premtimi për rimbursimin e biletës së transportit në Lezhë, në pritje të zbatimit appeared first on Faktoje.al.

“Jemi në hall”, zëri i fermerit nga Divjaka që sfidoi monologun e qeverisë

30 January 2026 at 13:40

Një dëgjesë që duhej të ishte dialog, rezultoi monolog. Në Divjakë, një fermer kërkoi vetëm një minutë për të folur për hallin e mbijetesës, përballë një kryeministri me mikrofon dhe një ekonomie “të hapur” që nuk mbron askënd. 

Esmeralda Topi 

Në Divjakë, një nga zonat më pjellore të Shqipërisë, qeveria kishte shkuar për të dëgjuar fermerët. Të paktën kështu u njoftua. 

Dëgjesa për Skemën Kombëtare 2026 duhej të shërbente për të ndërtuar një panoramë të nevojave në terren. Por ajo që ndodhi në sallë ishte krejt tjetër. Një monolog i gjatë pushteti përballë qindra fermerëve që prisnin, radhën për të folur.

Fjalimet nisën me drejtuesen politike të qarkut, vijuan me kryetarin e bashkisë, ministrin e Financave, ministrin e Bujqësisë dhe u mbyllën me kryeministrin. 

Takimi u ndërpre disa herë nga një zë fermeri që mezi dëgjohej nga salla. “Ore, na mbroni!” 

I njëjti që u ngrit në këmbë sapo kryeministri lajmëroi se duhej të largohej për një angazhim tjetër. “Mesa kuptoj, nuk ju vijnë mirë informacionet!”, i tha.

“Ti nuk na kupton mirë, kështu që mos fillo nga e kundërta,” iu përgjigj kryeministri.

“E kemi nga halli, s’e kemi nga qejfi…”, tha fermeri, ende pa mikrofon.

“Dëgjo, unë e kuptoj shumë mirë…”, vijoi Rama.

“Nuk ka lidhje personale, as politikë s’po bëj…”, u përpoq të sqarojë fermeri.

“Unë po bëj politikë për veten time,” u përgjigj kryeministri.

“Jo, mos më keqkupto, të lutem më dëgjo… mesa kuptoj unë, nuk të vijnë informacionet e sakta…”

“Po nga e kupton ti?”, pyeti Rama.

“Po të të vinin informacionet e sakta, do thoje që ne kemi të drejtë që në fjalën e parë”

“Për çfarë të thashë unë që s’ke të drejtë? Ti s’ke folur akoma,” ia preu kryeministri.

Fermeri iu kthye sallës: “Një minutë, një minutë se jam ngritur unë tani. Jam fermer. Punoj 8–10 hektarë tokë, herë dy bëhen 20 hektarë. Ne jemi shtresa më e pambrojtur në Shqipëri”

“Po për çfarë?”, ndërhyri Rama.

“Ja ta shpjegoj. I thamë ministrit të Financave kur u mblodhëm për fushatë politike: na mbro se po hyjnë mallra nga jashtë”

 “Kjo nuk ekziston,” e ndërpreu kryeministri.

“Ju doni ta bëni monopol mallin, më tha. Që nuk është e vërtetë…”, vijoi fermeri.

“Të lutem…”, tha Rama.

“Unë kam respekt, por do flas se jam në hall. Kryetari e di shumë mirë, zoti kryeministër, që ne e marrim mallin pa likuidim…”

“O miku im, unë kam një problem shumë të madh: mua njeri nuk më imponohet dot me forcë,” tha Rama.

“Me zor nuk imponohesh mbi të tjerët që ta marrësh fjalën se do ti. Ulu, ulu. Ka radhë dhe ka edukatë. Fjala nuk merret me zor”

“Ore, do mbaj familjen unë, se nuk e mbaj dot me fjalë,” u dëgjua fermeri.

“Janë 500 veta këtu,” tha Rama.

“Të njëjtin hall kanë,” erdhi përgjigjja.

“Më dëgjo mua tani. Nuk ekziston në një ekonomi të hapur mbyllja e kufijve të produkteve. E kuptove?”

Debati vazhdoi derisa Rama e mbylli: “Mos ta zgjasim këtë muhabet se është muhabet kot. T’i mbyllim kufijtë që ti të shesësh mallin, kjo nuk ekziston”

“Dakord… ne s’kemi forcë,” tha fermeri, duke ngritur supet, i dorëzuar.

Kryeministri u largua, sinjali u ndërpre. Dëgjesa mbaroi me të vetmin fermer që tregoi hallin e tij, që tha se e ndante me 500 të tjerët që ishin aty dhe duartrokitën teksa kryeministri iku.

Përfundim 

Dëgjesa në Divjakë është një shembull se si propaganda mund të maskojë realitetin. Ajo që duhej të ishte një dialog për nevojat e fermerëve u shndërrua në një monolog të pushtetit, ku zëri i atyre që prodhojnë ushqimin nuk u dëgjua. Fermeri që sfidoi rregullin e mikrofonit dhe kërkoi vetëm një minutë për të folur, nuk arriti të ndryshojë vendimet, por u bë simbol i hallit të një shtrese të pambrojtur. Asaj që propaganda përpiqet ta fshehë. Të paktën publikisht. Për aq sa dëgjuam e pamë me dyer të hapura.    

The post “Jemi në hall”, zëri i fermerit nga Divjaka që sfidoi monologun e qeverisë appeared first on Faktoje.al.

Zvarritje punimesh në rrugën Ndroq–Plepa

30 January 2026 at 12:14

5 kilometrat e parë të rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa duhet të përfundonin përpara natës së ndërrimit të viteve. Verifikimet në terren tregojnë se punimet nuk janë mbyllur, ndërsa ARRSH konfirmon për Faktoje se rikonstruksioni i plotë i aksit është ende larg.

Esmeralda Topi

Punimet për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa nisën në vjeshtën e vitit 2024. Aksi, me një gjatësi totale rreth 28 kilometra, po zbatohet në tre faza dhe konsiderohet një investim i rëndësishëm për lidhjen e zonave rurale me Tiranën dhe Durrësin, si dhe për zhvillimin e agroturizmit.

Gjatë një inspektimi në kantier, kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaruan se faza e parë, që përfshin rreth 5 km, ishte drejt përfundimit.

“Afati kontraktual është maj 2026, por synimi ynë është që këto 5 kilometrat e para t’i përfundojmë natën e vitit të ri”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, rruga do të kalonte nga një rrugë rurale në një rrugë të kategorisë C, me kurorë 12.5 metra, dy korsi qarkullimi dhe shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë. 

Pjesë e projektit është edhe ndërtimi i një ure të re në zonën e Urës së Beshirit, me fonde të Bankës Botërore, e cila do të eleminojë kthesat e rrezikshme në këtë segment.

Fakt

Verifikimet në terren tregojnë se 5 kilometrat e para të rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa nuk janë përfunduar, pavarësisht deklaratave për mbylljen e tyre përpara ndërrimit të viteve. Në segmentet e para të aksit vijojnë të jenë aktive punimet, me zona të papërfunduara dhe ndërhyrje në infrastrukturën nëntokësore.

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), punimet në kontratën “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa”, Loti 1, janë realizuar vetëm në masën 76% të vlerës së kontratës.

“Punimet sipas kontratës përfundojnë në maj 2026”, sqaron shkurtimisht ARRSH për Faktoje.

Kostoja totale për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Tiranë–Ndroq–Plepa është 87 milionë euro, faturë që do të mbulohet nga taksat e qytetarëve. 

Faza e parë e rikonstruksionit të rrugës Tiranë–Ndroq–Plepa përfshin rreth 5 kilometra nga 28 km që është gjatësia totale e aksit, pra rreth 18% e gjithë rrugës. Kjo do të thotë se afërsisht 82% e punimeve mbeten ende për t’u realizuar.

Përfundim

Rikonstruksioni i rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa është një projekt me rëndësi të veçantë infrastrukturore dhe ekonomike për zonat përreth, por deri tani është shoqëruar me deklarata optimiste që nuk janë reflektuar në terren.

Nisur nga verifikimet e kryera dhe informacionet zyrtare të ARRSH-së, deklaratën e ministres Belinda Balluku se 5 kilometrat e parë të rrugës do të përfundonin përpara natës së ndërrimit të viteve, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Zvarritje punimesh në rrugën Ndroq–Plepa appeared first on Faktoje.al.

Rasti “Balluku”, Kuvendi zvarrit kërkesën e SPAK

28 January 2026 at 13:53

Mazhoranca ka mbi 1 muaj e gjysmë që zvarrit kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke shtyrë pa afat mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Rregullorja e Kuvendit përcakton se nëse nuk ka vendim brenda 3 muajve, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Për Ballukun, afati skadon më 16 mars.

Esmeralda Topi

“Ne si Parti Socialsite dhe si grup parlamentar do të votojmë çdo kërkesë për heqje imuniteti, për autorizim të Kuvendit për çdo deputet qoftë krahut të majtë, qoftë krahut të djathtë, qoftë pa krahë,” deklaronte dy vite më parë Bledi Çuçi në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar socialist.

Sot, dy vite pas kësaj deklarate, realiteti është krejt tjetër.

Socialistët shtynë pa afat mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Numri dy i qeverisë akuzohet për “paracaktim fituesish në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe shkelje në procedurat e Unazës së Madhe” me vlerë qindra milionë euro.

Megjithatë, mazhoranca ka 1 muaj e gjysmë që e zvarrit kërkesën e SPAK. Shtyrja e vendimit u bë me justifikimin e verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

“…shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ‘për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit… të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese…”– shkruhet në urdhërin e firmosur këtë të mërkurë nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Ping – pong institucional

“Në rastin Balluku, Kuvendi po i largohet përgjegjësisë funksionale dhe përgjegjësive kushtetuese.” – thotë për Faktoje.al studiuesi Afrim Krasniqi.

Zvarritja prej javësh e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve shkon në të njëjtën linjë me qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama, që në krye të herës deklaroi se mazhoranca do të priste të shprehej Gjykata Kushtetuese, përpara se të mbante qëndrim për heqjen e imunitetit parlamentar të zëvendëses së tij.

Në fakt, vendimi i gjyqtarëve kushtetues lidhet me një tjëtër masë të marrë më herët nga Gjykata e Posaçme ndaj Ballukut.

“Kuvendi nuk ka pse pret Gjykatën Kushtetuese në interpretimin e një vendimi që nuk lidhje direkte me mandatin dhe kërkesën e SPAK-ut.”- thekson Krasniqi.

Mirëpo, një ditë më parë edhe Kushtetuesja shtyu pa afat vendimin e saj për Ballukun. Me pak fjalë, Gjykata Kushtetuese pret Kuvendin e Shqipërisë, Kuvendi pret Kushtetuesen. Në këtë ping-pong institucional, Belinda Balluku është fituesja e përkohshme, duke ruajtur postin e saj në qeveri si zv.kryeministre dhe ministre, si edhe në parlament si deputete.

Rast i paprecedentë

Kjo është hera e parë që Kuvendi i Shqipërisë zvarrit shqyrtimin e një kërkese për heqje imuniteti ndaj një deputeti.

Të dhënat e Institutit të Studimeve Politike tregojnë se nga viti 2015 deri më 2025, Kuvendi ka marrë vendim për kërkesat e prokurorisë brenda pak ditësh, nga 2 deri në 9 ditë në shumicën e rasteve.

“Kjo përbën një zhvillim të ri kundër frymës së reformës në drejtësi dhe kundër retorikës antikorrupsion në Shqipëri.”- ngre si shqetësim studiuesi Afrim Krasniqi.

“Është paradoks se kjo ndodh në kohën kur Shqipëria është një vend që po i afrohet gjithnjë e mëshumë BE-së.”- shton më tej ai.

Për Tom Doshin, Mark Frrokun, Armando Prengën, Arben Ahmetajn dhe Sali Berishën, Kuvendi ka vepruar me shpejtësi.

Ndërsa për Belinda Ballukun, kërkesa e SPAK është depozituar më 16 dhjetor 2025 dhe ende nuk ka asnjë vendim, duke shënuar një zvarritje të paprecedentë.

“Çdo sjellje tjetër, përfshi edhe alibi të tilla për shtyrje proceduriale janë akte politike që synojnë të mbrojnë zv.kryeministren dhe synojnë të shmangin përballjen e saj me drejtësinë duke i dhënë një mbrojtje të madhe politike që nuk e kanë pasur pjesa më e madhe e zyrtareve gjatë viteve të fundit.”- argumenton Afrim Krasniqi nga ISP.

Ku fle lepuri?

Zvarritja institucionale ka një kufi të qartë. Rregullorja e Kuvendit përcakton tre muaj kohë për të dalë me një vendim, në të kundërt kërkesa e SPAK bëhet nul.

“Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.”- përcakton neni 118, pika 5, e Rregullores së Kuvendit.

Ky nen është çelësi i lojës.

“Afati mund të konsumohet nëse parlamenti vazhdon të djeg etapat me procedura të tilla, siç po ndodh,” – argumenton Krasniqi. 

Më 16 mars, procedurat ligjore për heqjen e imunitetit digjen. Nëse Kuvendi nuk merr vendim brenda afatit, kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut bie automatikisht, duke e lënë pa efekt.

“Zyrtarja më e lartë e qeverisë, numri dy i saj është akuzuar dhe duhet të përballet me drejtësinë. Çdo formë tjetër, procedurë apo akt që pamundëson këtë gjë thjesht bëhet pengesë për drejtësinë.”- përfundon Afrim Krasniqi.

“Mos e mbroni korrupsionin”

Përballë kryesisë së Kuvendit, një grup qytetarësh dhe aktivistësh protesuan kundër shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, duke kërkuar që Parlamenti të mos dorëzojë imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Protestuesit i bënë thirrje pesë deputetëve të mazhorancës, që të mbajnë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre dhe të mos bëhen palë me korrupsionin.

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, në fjalën e tij, u kërkoi deputetëve të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe jo, siç u shpreh ai, “ministrat hajdutë që vjedhin qytetarët”.

 “Nuk mundet me urdhër partie të mbrohen ata që bëjnë rrugë me 220 milionë euro që prishen. Deputetët janë mandatuar nga qytetarët për të mbrojtur interesat e tyre dhe jo hajdutët,” u shpreh ai.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi i kryer, deklaratën e deputetit socialist Bledi Çuçi se ‘Partia Socialsite do të votojë çdo kërkesë për heqje imuniteti’, e kategorizojmë të pavërtetë.

Shënim i redaksisë: Titulli i këtij artikulli është ndryshuar. Versioni i mëparshëm ishte “Balluku, si ‘lule mos më prek’ për socialistët”.

Përditësuar më 28 janar 2026.

The post Rasti “Balluku”, Kuvendi zvarrit kërkesën e SPAK appeared first on Faktoje.al.

Sigurim i detyrueshëm nga tërmetet, jashtë skemës përmbytjet dhe zjarret

26 January 2026 at 13:29

Shtatë vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, qeveria ende nuk ka miratuar ligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Ministri i Financave, Petrit Malaj, kishte deklaruar se ligji i ri do të miratohej brenda dhjetorit 2025, por drafti vijon pezull.

I paqartë mbetet edhe primi i sigurimit, duke lënë të hapur pyetjen se sa do të paguajnë qytetarët për të siguruar banesat nga tërmeti.

Esmeralda Topi

Në dhjetor 2025, ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se ligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet do të miratohej brenda muajit. Ai e paraqiti nismën si një hap të domosdoshëm për një vend me risk të lartë sizmik, duke theksuar se konsultimet kishin përfunduar dhe se drafti ishte gati për miratim në qeveri.

“Ky projektligj do të miratohet në qeveri këtë muaj.”- deklaroi Malaj, gjatë një interviste televizive.

Pavarësisht këtij zotimi, drafti ende nuk ka marrë dritën jeshile nga Këshilli i Ministrave. Këtë janar, Malaj u detyrua të përsëriste përpara gazetarëve se miratimi do të ndodhte “shumë shpejt”. Ai nuk dhe shpjegime për vonesën,e as një afat të ri. 

Primi i paqartë

Drafti për sigurimin e detyrueshëm u hodh për konsultim publik korrikun e vitit të shkuar.  Në të parashikohet krijimi i një Fondi Kombëtar, organizuar si shoqëri aksionare shtetërore, që do të administrojë skemën.

Ky fond do të mbështetet nga primet e qytetarëve, buxheti i shtetit, risigurimi dhe grante të ndryshme. Por detaji më i ndjeshëm, tarifa/primi që çdo familje do të duhet të paguajë për sigurimin e banesës, mbetet ende i paqartë.

“Primi do të jetë lehtësisht i përballueshëm nga qytetarët shqiptarë. ”- tha Malaj.

Kufiri maksimal i shumës së sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa metodologjia e llogaritjes së primit do të jetë e bazuar në klasifikimin e banesave sipas riskut.

Skema parashikon që buxheti i shtetit të mbulojë primin për personat që përfitojnë ndihmë sociale. Ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore do të financojnë primin për banesat sociale.

Përjashtohen zjarret dhe përmbytjet

Skema e sigurimit përjashton zjarret dhe përmbytjet, ndonëse Shqipëria goditet çdo vit nga këto fatkeqësi natyrore, duke i lënë qytetarët të pambrojtur përballë rreziqeve të përsëritura.

“Përsa i përket fatkeqësive të tjera natyrore, zjarri, përmbytje e të tjera, ne nuk e kemi të parashikuar në këtë ligj. Pavarësisht se për çështjen e përmbytjeve kemi parashikuar diçka e cila më tej mund të shtjellohet me aktet nënligjore. Por për momentin ligji do të paraqitet vetëm për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti,”-argumentoi ministri i financave Petrit Malaj.

Drafti i konsultuar parashikon mbulim vetëm për banesat dhe seksionet brenda tyre, edhe kur përdoren si zyra apo njësi tregtare, ndërsa ndërtesat e ndërtuara me qerpiç, kallam apo struktura të përkohshme mbeten jashtë skemës.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e ministrit të financave Petrit Malaj se ‘projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet do të kalonte për miratim brenda dhjetorit 2025’, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Sigurim i detyrueshëm nga tërmetet, jashtë skemës përmbytjet dhe zjarret appeared first on Faktoje.al.

Zgjerimi i vonuar i autostradës Tiranë–Durrës

23 January 2026 at 12:55

Vjeshtën e shkuar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se 6 kilometrat e para të zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës do të hapeshin për qarkullim brenda muajit dhjetor 2025. Segmenti nga Casa Italia deri në mbikalimin e Kasharit, sipas saj, do të kthehej në një autostradë tip A, me 32.5 metra gjerësi, tre korsi në secilën anë dhe një korsi emergjence. 

“Ecuria e projektit është shumë e mirë. Pra, faza e parë është 65% ecuria dhe në fazën e dytë 85%. Domethënë ne shpresojmë që për festat e fundvitit ta kemi dorëzuar”, deklaroi Balluku. 

Rruga që lidh Tiranën me Durrësin është 38 km e gjatë. Punimet për zgjerimin e saj nisën në shtator të 2024-ës. Sipas kontratës, zgjerimi i rrugës Tiranë-Durrës në 6 kilometrat e parë përfundon këtë shtator. 

Por që në krye të herës, ministrja përgjegjëse pretendoi përfundim përpara afatit zyrtar.

Fakt 

Koha dëshmoi se puna në terren shkon përtej pritshmërive optimiste të qeverisë. 6 kilometrat e para të rrugës që lidh kryeqytetin me Durrësin nuk mbaruan në fund të vitit. Dhe si për ironi të fatit, këtë fillim vit, 16% i rrugës që duhet të ishte hapur për qarkullim u bë i pakalueshëm.

Rruga Tiranë-Durrës u përmbyt më 6 janar nga reshjet e dendura të shiut dhe autoritetet devijuan mjetet në drejtime të tjera.

Fotot tregojnë gjendjen e zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës gjatë ditës së verifikimit nga Faktoje, më 15 janar. Në pamje dallohet se një pjesë e segmentit është ende në punime, me mjete ndërtimi aktive dhe zona të papërfunduara, ndërsa qarkullimi i automjeteve zhvillohet pjesërisht. 

Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), hapja e plotë e 6 km të para të rrugës u bë e pamundur për shkak se segmenti i urës pranë “Kullës Eiffel” mbeti i papërfunduar. 

“Afati i përfundimit të kontratës “Zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës (Faza I)” është 24.05.2026, ndërsa për Fazën II është 15 shtator 2026.” – sqaron për Faktoje ARRSH.

Edhe faza III, që përfshin mbikalimin e Kasharit dhe Laknasit, nisi më 9 tetor 2025 dhe ka afat përfundimi 18 muaj.

Por afatet rrezikojnë të shkelen për shkak të shpronësimeve. 

“Faktorë që mund të ndikojnë është procesi i shpronësimeve që akoma nuk është përmbyllur.”- thotë ARRSH për Faktoje.

Përfundim

Zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me kosto 218 mln euro, por deri më tani ka prodhuar më shumë premtime të parealizuara sesa kilometra të dorëzuar. Deklaratat për hapjen e 6 km të para në dhjetor 2025 nuk u realizuan, ndërsa afatet kontraktuale tregojnë se punimet mbyllen majin e këtij viti.

Nisur nga verifikimet e kryera dhe informacionet e mbledhura, deklaratën e ministres Belinda Balluku se 6 km e para të rrugës Tiranë-Durrës do të hapen për qarkullim në fund të dhjetorit’ e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Zgjerimi i vonuar i autostradës Tiranë–Durrës appeared first on Faktoje.al.

Reforma territoriale, PS ndryshon rregullat e ‘lojës’

22 January 2026 at 13:34

Mazhoranca ndryshon rregullat e komisionit për reformën territoriale, duke hequr paritetin dhe veton. Lëvizja e papritur, sipas Arbjan Maznikut, zhbllokon punën e komisionit pas bojkotit të opozitës.  

Në ditën kur sytë e publikut ishin ngulur tek Kushtetuesja për çështjen “Balluku” dhe tek Bordi i Paqes, mazhoranca zgjodhi të lëvizë gurët e saj tek reforma territoriale. 

Komisioni i posaçëm, i ngritur për këtë proces, vendosi t’i propozojë Kuvendit ndryshimin e projektvendimit mbi mënyrën e funksionimit të tij. Pariteti i numrave mes mazhorancës dhe opozitës, si edhe e drejta e vetos, hiqen nga “loja”. 

“Dashamirësia e mazhorancës dhe e Kuvendit për të krijuar barazi dhe bashkëkryesi është kthyer tashmë në një mekanizëm bllokimi për vijimësinë e punës. Ne nuk kemi më kohë për të humbur. Koncepti i paritetit dhe bashkëkryesisë të mos jenë më, që t’i hapim vetes mundësi për të pasur kuorum për të arritur objektivat që brenda korrikut të kemi mbyllur reformën,” argumentoi Arbjan Mazniku në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit. 

“Mbetemi të hapur për opozitën…” theksoi më tej ai. 

Në një mbledhje që nuk i mbushi dhjetë minuta mazhoranca i hapi rrugën vetes për të marrë vendime mbi një nga reformat më të rëndësishme, territorialen. 

Në bazë të vendimit të Kuvendit, mbledhjet e Komisionit janë të vlefshme kur në to marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij. Komisioni synon që vendimmarrja të arrihet me konsensus për të gjitha çështjet që shqyrton.

Për çështje të veçanta për të cilat nuk kanë gjetur konsensus do të vlerësohet dhe mund të kërkohet ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Lëvizja e fundit e mazhorancës i jep asaj  dorë të lirë për të çuar përpara diskutimet, duke shmangur bllokimin e krijuar nga bojkotet e fundit të opozitës. Strategjia e kryeministrit, e artikuluar më herët në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së, po zbatohet hap pas hapi. Propozimet e Komisionit të Posaçëm për reformen territoriale pritet t’i propozohen Kuvendit në një seancë plenare. 

The post Reforma territoriale, PS ndryshon rregullat e ‘lojës’ appeared first on Faktoje.al.

Përmbytja e Vlorës në 2024 nuk ishte nga reshjet

20 January 2026 at 15:00

Esmeralda Topi 

Mëngjesi i 4 tetorit 2024 e gjeti Vlorën të zhytur nën ujë. Shiu i rrëmbyer mbuloi lagje të tëra, aq sa nga dronët e mediave qyteti i ngjante “Venezias”, ku në vend të gondolave lundronin makinat. 

Vlora u gjunjëzua nga reshjet për disa ditë, duke nxjerrë në pah dobësitë e një sistemi kullimi të amortizuar dhe mungesën e reagimit institucional. Mirëpo, kryeministri Edi Rama kishte një tjetër shpjegim për përmbytjen masive të qytetit bregdetar. 

“E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnjë ku humbën jetën shumë njerëz… Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve,” tha ai. 

Kryeministri e vendosi theksin tek intensiteti i reshjeve, duke sugjeruar se edhe një infrastrukturë “ekselente” nuk do të përballonte goditjen e parë pa organizim dhe trajnim të strukturave. Auditimet nxorrën në pah të kundërtën.

Përmbytja ishte e parandalueshme

Një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi përmbytjet masive të vitit 2024 në Vlorë, i publikuar së fundmi, ka gjetje të cilat rrëzojnë narrativën e “formacionit të reshjeve”. 

Shkaku kryesor i përmbytjeve sipas KLSH-së lidhet me mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese prej dekadash, të cilat janë arteriet kryesore të kullimit të reshjeve për relievin e qytetit.  

Kanalet kulluese KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, rezultuan më shumë se 15 vjet të pa pastruara, ndërsa segmente brenda qytetit nuk janë pastruar për mbi 30 vite”- KLSH. 

Pastrimi i kanaleve dhe rehabilitimi i sistemit kullues është një detyrë urgjente thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse në të kundërt, qyteti është i rrezikuar gjithmonë nga përmbytjet.

Një tjetër problematikë sipas KLSH-së ka qënë mosfunksionimi në kapacitet të plotë të Hidrovorit të Akërnisë. Në ditën e përmbytjes ky hidrovor punoi vetëm me 45% të kapacitetit, pa pompa rezervë, pa gjenerator emergjence dhe me tension elektrik të ulët. KLSH shton se Këshilli i Qarkut nuk e shpalli gjendjen e emergjencës civile, ndërkohë që Bashkia nuk kërkoi kryerjen e vlerësimit të dëmeve për banesat.

“Në përfundim, nëse e gjithë infrastruktura dhe sistemi i kanaleve kulluese do të kishin qenë funksionale dhe do të operonin me kapacitet të plotë, rreziku që qyteti i Vlorës të pësonte përmbytje, si ajo e datës 04.10.2024, do të ishte i ulët”, argumenton Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Si pasojë e përmbytjeve, Bashkia e Vlorës evidentoi 375 familje të dëmtuara, për të cilat ndau një fond dëmshpërblimi prej 54 milionë lekësh. 

Përgjegjësia është institucionale

Përmbytjet e Vlorës në tetor 2024 nxorën në pah jo vetëm dobësitë teknike të sistemit të kullimit, por edhe problemet e thella të qeverisjes. 

Agron Haxhimali thekson se ato ishin “pasojë e dështimeve të akumuluara në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit nëntoksore dhe mbitokësore dhe jo thjesht e reshjeve intensive”. “Përmbytja u përshkallëzua nga pastrimi i pamjaftueshëm i kanaleve dhe kapaciteti i kufizuar i hidrovorit”, shton ai.  

Në të njëjtën linjë kritike, Zef Preçi e sheh konstatimin e KLSH-së si dëshmi të mënyrës se si qeveriset vendi. “Kanalet kulluese kanë më shumë se 15 vjet që nuk janë pastruar, një tregues i paqartësisë së kompetencave, korrupsionit dhe klientelizmit në rritje”, thotë ai. 

Preçi akuzon qeverinë për mungesë transparence dhe për tendera të dyshimtë.

“Qershia mbi tortë’ qeveria që nuk mban asnjë përgjegjësi por ‘e kthen dhimbjen në forcë’ duke kryer tendera të rinj, edhe këta shumica të dyshuar si korruptivë”,  thekson Preçi.

Të dy ekspertët bien dakord se rrënja e problemit është neglizhenca institucionale dhe mungesa e mirëmbajtjes, duke kërkuar një reformë të thellë në menaxhimin e ujërave dhe një ndarje të qartë përgjegjësish mes institucioneve.

Përfundim 

Përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë ishte e parandalueshme dhe nuk mund të justifikohet me reshje të pazakonta, por sepse sistemi i kullimit mungon. Dhe ky fakt e bën narrativën e qeverisë jo vetëm të pasaktë, por edhe të rrezikshme, sepse fsheh përgjegjësinë dhe vonon zgjidhjet që nevojiten me urgjencë në Vlorë.

Nisur nga të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se përmbytja e Vlorës në tetor të 2024 ishte pasojë e “formacionit të reshjeve” e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Përmbytja e Vlorës në 2024 nuk ishte nga reshjet appeared first on Faktoje.al.

❌
❌