Merr formë parku “Dua të luaj” në Elbasan, hapësira rekreative në shërbim të qytetarëve
TIRANË, 31 janar/ATSH/ Punimet për ndërtimin e parkut rekreativ “Dua të luaj” në Elbasan po vijojnë, një investim që i shërben komunitetit, duke krijuar hapësira moderne për sport dhe argëtim, si dhe duke rritur cilësinë e jetës në qytet.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga punimet në këtë kantier, një hapësirë moderne prej 22 mijë m², me fusha sportive, kënde lojërash dhe ambiente rekreative për fëmijë, familje dhe të moshuar.
Ky projekt po realizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe synon krijimin e një hapësire moderne dhe funksionale rekreative, në shërbim të të gjitha grupmoshave.
Projekti parashikon ndërtimin e një hapësire prej 22 mijë m², e cila do të përfshijë fushë sportive, kënde lojërash për fëmijë, si dhe ambiente rekreative të gjelbra, të konceptuara për fëmijë, familje dhe të moshuar.
Ky investim është pjesë e vizionit për transformimin e hapësirave publike, promovimin e një stili jetese aktive dhe krijimin e mjediseve të sigurta, të aksesueshme dhe miqësore me mjedisin.
Ndërkohë bashkia Elbasan vijon angazhimin për t’i dhënë qytetit më shumë gjelbërim, hapësira rekreative dhe mundësi të reja për komunitetin.
/m.m/a.f/
The post Merr formë parku “Dua të luaj” në Elbasan, hapësira rekreative në shërbim të qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.