TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Partia Demokratike po zhvillon sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja, nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.
Të pranishëm në protestë janë kryetari i PD-së, Sali Berisha, deputetë të PD-së dhe përfaqësues të partive aleate, si dhe mbështetës të PD-së.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të vijojë protestat deri në arritjen e objektivave të saj politike.
Ai u shpreh se tubimet janë pjesë e një beteje që, sipas tij, lidhet me dinjitetin qytetar dhe kombëtar, si dhe me kundërshtimin e asaj që e cilësoi si qeverisje të dëmshme për vendin.
Berisha akuzoi qeverinë për keqqeverisje, korrupsion dhe përkeqësim të kushteve të jetesës, duke theksuar se opozita do të bëjë “gjithçka për të përmbysur këtë të keqe të madhe”.
Sipas tij, protestat synojnë rikthimin e shpresës dhe besimit te Shqipëria, veçanërisht për të rinjtë.
“Ne do të dalim dhe do të vazhdojmë të dalim në protesta deri në fitore”, deklaroi Berisha, duke shtuar se opozita është e vendosur të luftojë për ndryshim dhe për një të ardhme më të mirë për qytetarët shqiptarë.
Berisha, u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e paralajmëruar për datën 10 shkurt, duke e cilësuar atë si “ditën tjetër të kryengritjes paqësore” të opozitës kundër qeverisë.
Berisha ftoi çdo qytetar që beson te Shqipëria dhe potencialet e saj natyrore, historike dhe njerëzore, të marrë pjesë në protestë.
“10 shkurti është dita tjetër e kryengritjes sonë paqësore. Shqiptarët nga të katër anët ftohen në rrugët dhe sheshet e Tiranës për t’i dhënë leksionin e merituar këtij regjimi antishqiptar”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së e përqendroi thirrjen e tij veçanërisht te të rinjtë, duke theksuar se në momentet më kritike të historisë, sipas tij, ata kanë qenë forca vendimtare e ndryshimit.
Ai nënvizoi se opozita synon të përcjellë një mesazh të fortë brenda dhe jashtë vendit përmes protestës së 10 shkurtit.
Berisha përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se opozita do të vijojë aksionin e saj politik deri në arritjen e objektivave të shpallura.
E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.
/gj.m/j.p/
The post Berisha: Protesta kombëtare e 10 shkurtit, ditë kryengritjeje paqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.