Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 February 2026Main stream

Vetëdorëzohet në polici kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla

9 February 2026 at 23:18

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla u vetëdorëzua mbrëmjen e sotme në polici pas shpalljes fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje, në bashkëpunim.

Memolla u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Kavajës, pas vendimit të shpallur sot nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dënimin me 1 vit burg, për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.

Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare). Gjithashtu u la në fuqi vendimi për heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për Edison Memollën për një periudhë 5-vjeçare.

Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audiopërgjimi ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektriçist për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.

Për Prokurorinë e Posaçme, e gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022.

/a.f/r.e/

The post Vetëdorëzohet në polici kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 9 February 2026Main stream

Kurti reagon ndaj Prokurorisë Speciale: Po deformohet e vërteta dhe kuptimi i asaj lufte

9 February 2026 at 21:58

PRISHTINË, 9 shkurt/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë për dënim me 45 vjet burgim për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kurti ka theksuar se thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit të Kosovës. Sipas tij, UÇK-ja zhvilloi një luftë të drejtë, duke mbrojtur popullin në rrethana të okupimit të egër, kur dhuna dhe apartheida po shndërroheshin në gjenocid shtetëror.

Ai ka nënvizuar se çdo përpjekje për të shkëputur veprimet individuale nga konteksti historik dhe politik rrezikon deformimin e së vërtetës dhe kuptimit të luftës çlirimtare. Sipas Kurtit, UÇK-ja nuk ka pasur ndonjë plan shfarosjeje ndaj popujve të tjerë apo civilëve.

“Kërkesa e Prokurorisë Speciale nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës për liri, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e saj.

Reagimi i Kurtit vjen pasi Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly Ëest, ka kërkuar dënim me 45 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

/KosovaPress/

The post Kurti reagon ndaj Prokurorisë Speciale: Po deformohet e vërteta dhe kuptimi i asaj lufte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcat “RENEA” dhurojnë gjak për pacientët me talasemi

9 February 2026 at 20:57

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Forcat e Repartit “RENA” kanë dhuruar gjak për pacientët me talasemi.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ndau pamje nga procesi i dhurimit të gjakut nga Forcat RENEA dhe theksoi se: “Të shpëtosh jetë nuk kërkon gjithmonë forcë fizike, ndonjëherë kërkon thjesht humanizëm dhe solidaritet”.

“Forcat Speciale RENEA e dëshmuan këtë duke iu përgjigjur thirrjes për të dhuruar gjak në ndihmë të pacientëve me talasemi. Të jesh pjesë e Policisë do të thotë, para së gjithash, të jesh njeri në shërbim të komunitetit”, vijoi Koçiu.

“Mirënjohje për efektivët tanë që, si në operacione, ashtu edhe në akte humanitare, mbeten gjithmonë në lartësinë e detyrës”, përfundoi ministrja Koçiu.

/a.f/

The post Forcat “RENEA” dhurojnë gjak për pacientët me talasemi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reagon Kryeministri Rama pas pretencës së Prokurorisë së Hagës për ish-krerët e UÇK-së

9 February 2026 at 22:52

 

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas shpalljes së pretencës së Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, e cila kërkoi një dënim total prej 180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së: Hashim  Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në reagimin e tij, Rama u shpreh se ende nuk gjen “fillin logjik” të arsyetimit të Prokurorisë për të dalë me një kërkesë kaq të rëndë.

“Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosjen për së gjalli të katër burrave”, shkruan kryeministri, duke shtuar se “si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur”.

Rama thekson se reagimi i tij është shtyrë pasi “i duhet kohë të gëlltisë gjithë atë që prokuroria nxori sot në zemër të Europës demokratike”.

Pretenca e sotme është një nga fazat më të rëndësishme të procesit ndaj ish-liderëve të UÇK-së, të cilët vijojnë të deklarojnë pafajësinë e tyre.

 

 

/r.e/a.f/

The post Reagon Kryeministri Rama pas pretencës së Prokurorisë së Hagës për ish-krerët e UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Pretenca në Hagë kundër komandantëve të UÇK-së, e turpshme dhe e papranueshme

9 February 2026 at 20:07

TIRANË, 9 shkurt /ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar ndaj pretencës së paraqitur sot në Hagë kundër ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si të turpshme dhe si një goditje të rëndë ndaj pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Sipas Ballës, kjo pretencë përbën një batërdi të tmerrshme kundër së vërtetës historike dhe përpjekjeve të drejta të popullit të Kosovës për liri. Ai thekson se qëndresa paqësore shumëvjeçare e kosovarëve, lufta e drejtë e UÇK-së dhe eksodi masiv i civilëve që i shpëtuan spastrimit etnik, po anashkalohen duke u zëvendësuar me trillime.

“Pretenca e sotme është një alarm serioz, ndaj të cilit duhet të reagojmë me përgjegjësi për të mbrojtur legjitimitetin e luftës heroike të UÇK-së dhe të drejtën e patjetërsueshme të Kosovës për liri”, është shprehur Balla.

Ai nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të qëndrojë përkrah Kosovës dhe të vërtetës historike, duke mbrojtur vlerat e lirisë dhe drejtësisë.

/a.f/r.e/

The post Balla: Pretenca në Hagë kundër komandantëve të UÇK-së, e turpshme dhe e papranueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA konfirmon në detyrë Jurida Bajraktarin në Gjykatën Administrative të Apelit

9 February 2026 at 17:56

TIRANË, 9 shkurt /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili në vitin 2023 konfirmoi në detyrë Jurida Bajraktarin, pas një pezullimi 1-vjeçar dhe trajnimit që ajo zhvilloi në Shkollën e Magjistraturës.

Bajraktari punon si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit, ndërkohë që Komisioneri Publik kishte ankimuar vendimin e KPK-së për qëndrimin e saj në detyrë.

Në një njoftim për mediet, KPA bën të ditur se “trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 51/2023, datë 06.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Jurida Bajraktari.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Jurida Bajraktari. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, më datë 09.02.2026, në Tiranë”.

/a.f/r.e/

The post KPA konfirmon në detyrë Jurida Bajraktarin në Gjykatën Administrative të Apelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjimnazistët përgatiten intensivisht për edicionin e parë të Festivalit të Shkencës

9 February 2026 at 16:46

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Nxënës të shkollave të mesme publike në të gjithë vendin janë të angazhuar intensivisht në përgatitjet për pjesëmarrjen në edicionin e parë të Festivalit të Shkencës për gjimnazistë.

Ky aktivitet do të vendosë në garë potencialin e nxënësve të shkollave të mesme në nivel kombëtar në fushat e teknologjisë, shkencës dhe inovacionit.

“Festivali i Shkencës po merr formë ditë pas dite, duke i kthyer idetë në produkte dhe arritje”, shkruan ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ndërsa ndan foto të nxënësve që po përgatiten për këtë event.

Sipas saj, përmes punës në skuadër, potencialit krijues të nxënësve dhe mbështetjes e angazhimit maksimal të mësuesve, ky edicion i parë i Festivalit të Shkencës, me prezantime që reflektojnë pasionin e të rinjve për lëndët shkencore dhe nivele të larta dijeje, po hedh themelet e një tradite frymëzuese në shkolla dhe komunitete.

Përgatitjet për Festivalin e Shkencës kanë nisur që në muajin nëntor, me qëllim ekspozimin e talenteve të nxënësve të shkollave të mesme publike në vend.

“Faza e parë nis shumë shpejt, ndaj përgatituni të shihni nga afër gjeni të vegjël, eksperimente, ide kreative dhe projekte që tregojnë sa shumë talent ka në bankat e shkollave tona”, u shpreh Kumbaro.

Puna për organizimin e festivalit ka nisur që në muajin nëntor nga Ministria e Arsimit, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia e Kurikulave.

The post Gjimnazistët përgatiten intensivisht për edicionin e parë të Festivalit të Shkencës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Si erdhi topi i parë në Kosovë, rrëfimi që pak kush e di

7 February 2026 at 11:09

PRISHTINË, 7 shkurt/ATSh/ Pak kush e ka ditur kur nisi të luhet futbolli në Kosovë. Edhe më të rrallë janë ata që e dinë se kush e solli topin e parë të këtij sporti.

Por, ky detaj unik nuk i iku zyrtarit të FIFA-s, Rolf Tanner. Ai ishte caktuar të vijë në kuvendin zgjedhor të FFK-së dhe vendosi të përgatitet mirë për fjalimin që do ta mbante.

Derisa hulumtonte për historinë e futbollit në Kosovë, zbuloi kush dhe kur e solli të parin top këtu.

Sipas tij, edhe klubet e para u themeluan në Prishtinë dhe rreth saj, pak vite pas ardhjes së topit të parë në Kosovë.

“Po ky është i vetmi shënim, e vetmja datë që përmendet, sepse në futbollin e Kosovës nuk ka shumë dokumente të asaj kohe kur ka ardhur topi i parë, kur janë formuar klubet e para. Kështu që data 1919 është data kur përmendet se disa studentë që kanë studiuar në Francë, në qytetin e Grenoble, e kanë sjellë një top dhe ajo merret si topi i parë që ka ardhur në Kosovë, e kanë sjellë në Prishtinë”, tha ai.

Brovina thekson se klubet e para të futbollit në vend janë krijuar para Luftës së Dytë Botërore. Klubi i “Prishtinës” u bë i pari, më 1922, ndërsa më pas lindën edhe “Vllaznimi”, më 1927 dhe “Trepça”, më 1932.

“Para Luftës së Dytë Botërore, sepse janë datat e klubeve kur janë formuar, për shembull Prishtina figuron 1922, edhe disa klube të tjera, Trepça ’32-shin, Vllaznimi 1927. Mirëpo këto kanë qenë si shoqëri sportive, kulturore, kanë luajtur herë pas here, por garat e organizuara të futbollit nuk ka pasur. Garat e organizuara të futbollit në Kosovë fillojnë mbas Luftës së Dytë Botërore, prej vitit 1945 dhe deri tani. Kampioni i parë ka qenë Jedinstvo i Prishtinës, ashtu është quajtur atëherë, bile dy herë me radhë dhe pastaj të tjerat”, thotë Brovina.

Ndeshjet, në atë kohë, sipas Brovinës luheshin në fusha të improvizuara. Një tjetër problem madhor sipas tij, ishte mungesa e kuadrove të kualifikuara, e në radhë të parë trajnerëve, të cilët, sic thotë, në shumë raste duhej të “importoheshin” nga vise të tjera të rajonit.

/KosovaPress/

The post Si erdhi topi i parë në Kosovë, rrëfimi që pak kush e di appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manipulim i rezultateve të votimit, vendimi i gjykatës për 22 të dyshuarit

7 February 2026 at 11:06

PRISHTINË, 7 shkurt/ATSh/ Gjykata Themelore në Gjakovë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj njëzet e dy personave, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit, duke u caktuar atyre masën e paraqitjes në stacion policor.

Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë pas tri seancave të ndara dëgjimore të mbajtura mbrëmë, ku gjykata ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, kanë ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet dhe duke cenuar integritetin e procesit zgjedhor si dhe vullnetin e lirë të votuesve.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vendosur caktimin e masës së paraqitjes në stacion policor për të gjithë të pandehurit. Sipas këtij vendimi, ata obligohen të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një (1) muaji, nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit të paraparë ligjor.

/KosovaPress/

The post Manipulim i rezultateve të votimit, vendimi i gjykatës për 22 të dyshuarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Trump meriton Çmimin Nobel për Paqe

6 February 2026 at 11:45

PRISHTINË, 6 shkurt /ATSh/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti Donald Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqe.

Kur u pyet nga Newsweek të mërkurën nëse do ta nominonte Trump për këtë çmim prestigjioz, Osmani u përgjigj: “Sigurisht, nëse unë jam presidente (kurdo që këto gjëra do të ndodhin)”.

Vetëm disa persona të caktuar mund të paraqesin nominime për Çmimin Nobel për Paqe, dhe afati për nominime mbyllet në fund të janarit. Fituesi i ardhshëm do të shpallet në tetor.

Trump prej kohësh ka synuar publikisht Çmimin Nobel për Paqe, duke u quajtur “paqebërës-i-parë”. Republikani ka pretenduar se ka arritur marrëveshje që i kanë dhënë fund konflikteve në mbarë botën, megjithëse vëzhguesit e vënë në dyshim se sa luftra ka ndaluar me të vërtetë.

Pyetje rreth ligjshmërisë së sulmeve amerikane ndaj anijeve të dyshuara për drogë pranë Venezuelës, që paraprinë një operacion të Forcave Speciale amerikane për të kapur Presidentin venezuelian Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij muajin e kaluar, ende hetojnë figurën e Trump.

Osmani, duke folur nga Samiti i Qeverive Botërore në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, e përshkroi popullin e Kosovës si “popullin më pro-amerikan në botë” dhe “shumë, shumë mirënjohës për çdo administratë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

/KosovaPress/

The post Osmani: Trump meriton Çmimin Nobel për Paqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi pritet nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, në fokus siguria dhe drejtësia

6 February 2026 at 10:46

TIRANË, 6 shkurt/ATSh/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në vijim të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara, zhvilloi një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit me Michael Rigas, zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Gjatë takimit u theksua partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe bashkëpunimin e ngushtë, që i shërben të ardhmes dhe prosperitetit të të dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi se ShBA mbetet partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në rrugëtimin euroatlantik dhe reformat e brendshme të vendit, duke nënvizuar rolin e Kuvendit si institucion kyç në avancimin e këtyre reformave.

Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, forcimi i shtetit të së drejtës, si edhe përpjekjet e përbashkëta për të adresuar fenomenet e krimit të organizuar në rajon. Po ashtu, u diskutua zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe rritja e investimeve amerikane në sektorë strategjikë në Shqipëri.

U vlerësua gjithashtu roli i Shqipërisë si aleate e besueshme në NATO dhe angazhimi i saj për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale, përfshirë gatishmërinë për të përmbushur objektivat e reja të Aleancës drejt rritjes së shpenzimeve në mbrojtje, si edhe angazhimi maksimal për mikpritjen e Samitit të NATO-s.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve strategjike të konektivitetit dhe sigurisë në rajon, përfshirë zhvillimin e Porto Romanos dhe rëndësinë e Korridorit 8, si një bosht i ri europian që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke shërbyer jo vetëm si projekt i zhvillimit ekonomik, por edhe si korridor i sigurisë, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik.

Kryetari Peleshi dhe zëvendëssekretari Rigas diskutuan gjithashtu zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë te Kosova dhe roli i shqiptarëve, si faktor i rëndësishëm për stabilitetin, integrimin dhe paqen në rajon, si edhe rolin e ShBA-së si garant i paqes dhe integrimit euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Takimi u vlerësua si një moment domethënës për diplomacinë parlamentare shqiptare dhe një hap i rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik Shqipëri-ShBA, duke forcuar më tej rolin e Kuvendit si nxitës dhe mbështetës i bashkëpunimit mes dy vendeve.

/a.f/r.e/

The post Peleshi pritet nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, në fokus siguria dhe drejtësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

​Kosova me gjashtë xhudistë në Grand Slam-in e Parisit

6 February 2026 at 10:45

PRISHTINË, 6 shkurt /ATSh/ Gjashtë xhudistë të Kosovës do të marrin pjesë në Eventin e Madh të Parisit, që do të zhvillohet me datën 7 dhe 8 shkurt në Accor Arena të Parisit.

Kosova do të garojë në gjashtë kategori. Akil Gjakova (deri në 73 kg), Laura Fazliu (deri në 63 kg), Distria Krasniqi (deri në 52 kg), Fatjona Kasapi (deri në 52 kg), Flaka Loxha (deri në 57 kg) dhe Erza Muminoviç (deri në 48 kg), në krye me Driton Kukën dhe të artën Majlinda Kelmendin, do të synojnë që të kthehen me medalje në Kosovë.

Ky event do të mbledhë 499 garues, nga 80 shtete e 6 kontinente, garë e cila ndiqet nga mijëra shikues çdo vit.

/KosovaPress//r.e/

The post ​Kosova me gjashtë xhudistë në Grand Slam-in e Parisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Imazhi i Kosovës në rrezik, akuza për vrasje dhe helmim të qenve

6 February 2026 at 09:35

PRISHTINË, 6 shkurt /ATSh/ Situata e qenve endacakë në Kosovë ka arritur nivele alarmante, me akuza të rënda ndaj autoriteteve lokale për keqtrajtim, helmim dhe vrasje sistematike.

Sadri Sopi nga shoqata “Animals Kosovo”, e themeluar në Holandë, pohon se qasja e shumicës së komunave ndaj këtij problemi është çnjerëzore dhe ka dëmtuar rëndë imazhin ndërkombëtar të vendit.

Sipas Sopit, përpjekjet e shoqatës së tij për të bashkëpunuar me komunat kanë hasur në një mur heshtjeje, me përjashtim të Komunës së Shtimes.

Ai pretendon se shumica e komunave të tjera nuk janë të interesuara për një zgjidhje humane, por kanë plane për zhdukjen e qenve dhe keqpërdorimin e fondeve.

“Ka raste të helmimit të qenve, ka raste të vrasjes së qenve, ka domethënë shumë më të zeza që mund të paramendojë njeriu, tani i përjetojnë kafshët tona në Kosovë, ne i kemi ftuar të gjitha komunat të bashkëpunojnë me ne, po deri më tani vetëm Komuna e Shtimes ka treguar interes dhe jemi në bashkëpunim, kurse komuna të tjera, po të them shumica e komunave të tjera vetëm kanë plane si me i zhduk qentë, si me i keqpërdorur fondet, po jo me zgjidhur problemin”, theksoi Sopi.

Sipas tij, agresiviteti te qentë shpesh shkaktohet nga uria dhe zhvendosja e tyre në territore të panjohura, pasi asnjë komunë në Kosovë, nuk ka një program për ushqimin e tyre.

“Ne e kemi thënë disa herë që vrasja e qenve, zhvendosja, deportimi, sikur atë që e praktikojnë, nuk është zgjedhje, po duhet t’i sterilizojmë krejt qentë. As ndërtimi i strehimoreve të shtrenjta nuk është zgjidhje, se ato para mund me të përdoren për t’i sterilizuar qentë. Se një strehimore e thjeshtë që këta e ndërtojnë kushton 300.000 euro. Me 300.000 euro ne i sterilizojmë 6.000 qenë e ata 6.000 qenë kur t’i sterilizojmë, parandalohet lindja e më së paku 15.000 këlyshëve. E ata 15.000 këlysh, këta kurrë nuk mund me i strehuar në atë strehimoren që po ju kushton 300.000 euro”, theksoi Sopi.

Ai theskon se në Komunën e Pejës ka një problematikë të shtuar të fenomenit.

“Aty kemi sterilizuar vitin e kaluar mbi 1.000 qenë. Edhe i kemi thirr e kemi ftuar kryetarin edhe të gjithë, domethënë zyrtarët e komunës, “ejani t’i sterilizojmë, se jemi duke harxhuar para të holandezëve në komunën e juaj.” As që reagojnë. Kjo vlen edhe për komunën e Prishtinës, edhe për Prizrenin e të gjitha komunat”, theksoi Sopi.

Sipas tij, keqtrajtimi i qenve po krijon një imazh jo të mirë për vendin.

Ai shton se ekziston dyshimi që disa komuna ose zyrtarë nuk po duan t’i sterilizojnë se po kanë frikën që do t’iu humbet biznesi.

“Këta më duket zyrtarët tonë këtu vetëm e përcjellin Big Brother, nuk i përcjellin si flitet për Kosovën aty. Kjo duhet me u zhduk. Se zyrtarët mendojnë tash vetëm të vetëpasurohen. A nuk e kanë brengën çka do të pësojë Kosova e gjeneratat tona që do të identifikohen mbas 10-15 viteve me një popull që ka vrarë qen, ka helmuar qen edhe, edhe i ka keqpërdorur qentë”, tha Sopi.

Ai shtoi se strehimi i qenve është hapi i parë i zhdukjes së tyre.

“Zgjidhja, çelësi kryesor, një e deri në 10 është sterilizimi intensiv, me i sterilizuar të gjithë qentë. Edhe nëse duan me i strehuar, të strehohen këlyshët edhe qentë që kanë nevoja mjekësore. Domethënë edhe ka qen shumë të aksidentuar e mos t’i, mos t’i strehojnë këta qentë e shëndoshë, se këta e quajnë strehim, po ajo është hapi i parë para zhdukjes. Po ajo strehimore nuk është me qëllim humanitar sikur që përdoret në perëndim për me strehuar, domethënë një qen që ka nevoja mjekësore”, tha Sopi.

Sopi bën thirrje që menaxhimi i kësaj çështjeje t’u besohet vullnetarëve dhe dashamirësve të kafshëve, dhe jo zyrtarëve që, sipas tij, i urrejnë qentë dhe kanë si qëllim të vetëm përfitimin nga fondet e dedikuara për ta, duke i lënë Kosovës një “hije të zezë” si vend i vrasësve të kafshëve.

/KosovaPress/

The post Imazhi i Kosovës në rrezik, akuza për vrasje dhe helmim të qenve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

27 vjet nga konferenca e Rambujesë

6 February 2026 at 09:24

PRISHTINË, 6 shkurt /ATSh/ Para 27 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Maiorsky, Rusi dhe Wolfgang Petritsch nga BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentativa e fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte e suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviç që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

/KosovaPress/

The post 27 vjet nga konferenca e Rambujesë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani takohet me gra liderë në Emiratet e Bashkuara Arabe: Të gatshme për kapituj të rinj bashkëpunimi

5 February 2026 at 15:48

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me gra lidere, me kryetaren e e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum.

“Një pasdite në shoqërinë e grave lidere, me nikoqire Lartmadhërinë e Saj, Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve. Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë më shumë sesa miqësi: kanë hapësirë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi edhe në kulturë, krijimtari, art dhe inovacion”, ka shkruar Osmani në Facebook.


/Kosovapress/

The post Osmani takohet me gra liderë në Emiratet e Bashkuara Arabe: Të gatshme për kapituj të rinj bashkëpunimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Agim Ademi rizgjidhet president i FFK-së

5 February 2026 at 13:29

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Në kuvendin zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili u mbajt në Prishtinë, Agim Ademi u rizgjodh si president i FFK-së. Ky do të jetë mandati i tij i tretë në krye të federatës, pas zgjedhjes së parë në vitin 2018 dhe rizgjedhjes në vitin 2022.

Nga 52 delegatët që ishin të pranishëm në kuvend,, të cilët votuan me votim të hapur, Agim Ademi mori të gjitha votat pro që i jep mundësinë të vazhdojë punën në krye të federatës edhe për katër vite të tjera, raporton KosovaPress.

Procesi zgjedhor u zhvillua në një ambient të mbyllur për mediet, por u transmetua drejtpërdrejt në kanalet zyrtare të FFK-së.

/KosovaPress//r.e/

The post Agim Ademi rizgjidhet president i FFK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti nuk i përgjigjet pyetjes për koalicionin qeverisës

5 February 2026 at 11:06

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti të enjten nuk u prononcua për mediet, kur u pyet nëse synon koalicion qeverisës, pas fitores së arritur në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

“Jam shumë vonë per takimet e radhës”, u shpreh Kurti para gazetarëve.

Ai sot mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë – Dita e Biznesit Francez në Kosovë”.

/KosovaPress//r.e/

The post Kurti nuk i përgjigjet pyetjes për koalicionin qeverisës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Linjë telefonike pa pagesë për informim mbi Ligjin për të Huajt dhe atë për automjetet

5 February 2026 at 09:31

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Ministria e Punëve të Brendshme nga sot ka vënë në dispozicion të publikut edhe një kanal komunikues – linjën telefonike pa pagesë – 0800, në kuadër të periudhës informuese rreth zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, për të njoftim të shpejtë dhe të drejtë të qytetarëve, të huajve dhe vizitorëve.

Numri i kësaj linje është: 0800 46 757, thuhet në njoftim.

“Duke telefonuar në këtë numër, pa kosto të shërbimit telefonik, palët e interesuara mund të informohen lidhur me përcaktimet e Ligjit për  të huajt dhe Ligjit për Automjete.”

Kjo linjë pa pagesë do të ofrojë informacione në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.

Linja telefonike pa pagesë është një prej formave që MPB ka planifikuar të vërë në dispozicion, për ofrimin e informacioneve të nevojshme me qëllim të lehtësimit të qëndrimit të vizitorëve dhe të huajve në Republikën e Kosovës, dhe për qarkullimin e automjeteve të regjistruara në vendin e huaj.

Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit në fuqi.

/KosovaPress//r.e/

The post Linjë telefonike pa pagesë për informim mbi Ligjin për të Huajt dhe atë për automjetet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nëntë vjet nga rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës

5 February 2026 at 09:27

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Muri ilegal në veri të Mitrovicës afër Urës së Ibrit është rrënuar përfundimisht më 5 shkurt 2017.

Dy ekskavatorëve iu është dashur vetëm një orë për ta rrënuar murin e ndërtuar në Mitrovicën e Veriut.

E para që doli për t’i vëzhguar punimet ishte shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalija Apostollova, e cila tha se ky është një moment i rëndësishëm për Mitrovicën dhe qytetarët e saj, derisa ka pati deklaruar se “së shpejti do të formohet edhe Asociacioni i Komunave Serbe”.

Muri ndarës qëndroi në këtë pjesë të qytetit për dy muaj radhazi.

/KosovaPress//r.e/

The post Nëntë vjet nga rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfaqësues të Ambasadës amerikane vizitojnë ambientet e reja të KosovaPress

5 February 2026 at 09:26

PRISHTINË, 5 shkurt /ATSh/ Përfaqësues nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë vizituan sot ambientet e reja të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, ku u pritën nga drejtuesit e institucionit.

Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me kapacitetet e reja profesionale dhe teknologjike që KosovaPress ka vënë në funksion pas vendosjes në këto hapësira, si dhe me zhvillimet që synojnë forcimin e mëtejshëm të standardeve editoriale dhe cilësisë së raportimit.

Drejtuesit e KosovaPress prezantuan para mysafirëve vizionin strategjik, projektet në zhvillim dhe planet e ardhshme të agjencisë, me fokus në modernizimin e shërbimeve informative, zgjerimin e platformave digjitale dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerë vendorë e ndërkombëtarë.

KosovaPress është agjencia e parë e lajmeve në Kosovë dhe një ndër mediat më të vjetra në vend, e themeluar më 4 janar 1999. Me një traditë të gjatë dhe rol të konsoliduar në hapësirën mediale, KosovaPress vazhdon të jetë një nga burimet më të besueshme në grumbullimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e përmbajtjeve informative për mediat vendore e ndërkombëtare, si dhe për klientët e saj.

KosovaPress, pas një lobimi disavjeçar, u anëtarësua me të drejta të plota në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE) në vitin 2017, ku dha kontribut të vazhdueshëm, organizoi Asamblenë e Përgjithshme dhe mbajti presidencën për vitin 2021–2022 si dhe anëtarësinë në bord, ndërsa në vitin 2022 u pranua zyrtarisht edhe në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), duke zgjeruar bashkëpunimin me agjencitë evropiane të lajmeve.

/KosovaPress//r.e/

The post Përfaqësues të Ambasadës amerikane vizitojnë ambientet e reja të KosovaPress appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌