Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Main stream

Fakulteti i Sporteve dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, bashkëpunim për Lojërat Mesdhetare 2030

27 January 2026 at 17:19

PRISHTINË, 27 janar /ATSh/ Përfaqësues të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit kanë zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, ku është diskutuar thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sportit.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të projekteve të përbashkëta që synojnë zhvillimin dhe avancimin e sportit në vend.

Gjatë bisedës, palët shkëmbyen ide konkrete për iniciativa që do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe akademike, si dhe në promovimin e vlerave olimpike. Një pjesë e veçantë e diskutimeve iu kushtua edhe mundësive të bashkëpunimit në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030.

Nga “FEFS” u theksua se takime të tilla janë thelbësore për ndërtimin e urave mes institucioneve dhe krijimin e sinergjive afatgjata, të cilat do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për të gjithë komunitetin sportiv në Kosovë.

/KosovaPress/

The post Fakulteti i Sporteve dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, bashkëpunim për Lojërat Mesdhetare 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për arrestimin e tre zyrtarëve të komunës: Askush mbi ligjin

27 January 2026 at 17:16

PRISHTINË, 27 janar /ATSh/ Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas arrestimit të tre zyrtarëve të komunës.

Ai ka thënë se komuna do të ofrojë “bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente”.

Tutje, ka theksuar se mbetën të hapur për çdo proces verifikimi dhe veprimi procedural, për çka ka shtuar se “Askush mbi ligjin!”.

“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik. Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush mbi ligjin!”, ka shkruar Rama.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për aksionin ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës.

Gjatë këtij aksioni janë shoqëruar tre persona, nën dyshimin e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, raporton KosovaPress.

Në këtë njoftim thuhet se zyrtari i komunës me inicialet A.G është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

/KosovaPress/

The post Rama për arrestimin e tre zyrtarëve të komunës: Askush mbi ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK dërgon për gjykim 10 persona të akuzuar për trafik kokaine dhe grup të strukturuar kriminal

27 January 2026 at 16:43

TIRANË, 27 janar/ATSh/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal 141/1 të vitit 2023 ndaj një grupi personash të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, prodhim dhe shitje narkotikësh, krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Në kuadër të këtij procedimi janë marrë të pandehur gjithsej 11 persona, shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët akuzohen se kanë vepruar në formën e një rrjeti kriminal të mirëorganizuar, me shtrirje ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për importimin e lëndës narkotike të llojit kokainë drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.

Të pandehurit janë: Aldi Zonja, Artjon Çaushllari (alias Gjika), Ismajl Abdurrahmani, Jose Ramon Zacarias Vasquez, dhe Geis Sejfullai, të akuzuar për veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit.

Klajd Birçe, Hiwlenn Ledezma Narvaez, Samuel Alfonso Moreno Serrano dhe Endi Sejdini, të akuzuar për veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes.

Artjon Çaushllari (alias Gjika), i akuzuar për veprat penale: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në datat 7.2.2024-8.2.2024, (në ambientet e banesës që përdorej nga i pandehuri, Baki Huqi, si dhe në lokalin, Bar “Tahiti”, në pronësi të të pandehurit, Baki Huqi, me vendodhje në fshatin Manzë Durrës). “Grup i strukturuar kriminal”.

Klajd Birçe, Hiwlenn Ledezma Narvarez dhe Baki Huqi, të akuzuar për veprat penale: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.  “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në datat 7.2.2024-8.2.2024, (në ambientet e banesës së përdorur nga i hetuari Baki Huqi, si dhe të lokalit Bar “Tahiti”, në pronësi të të hetuarit Baki Huqi, me vendodhje në fshatin Manzë Durrës). “Grup i strukturuar kriminal”. Geis Sejfullai, i akuzuar për veprën penale: “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.

Sipas akteve të administruara për procedimin penal 141/1 i vitit 2023, ka rezultuar e provuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përgatitur kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme për importimin nga Republika Domenikane të dy ngarkesave me “lëkurë gjedhësh”, në brendësi të cilave u gjetën të fshehur 90 kg kokainë me vlerë tregu 3.6 milionë euro. Ngarkesat kanë mbërritur në Portin e Durrësit në muajin korrik dhe nëntor të vitit 2024 si edhe janë magazinuar  në disa ambiente në zonën e Mulletit, Tiranë.

Nga hetimet u konkludua se në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal janë të përfshirë edhe persona të tjerë që kanë marrë pjesë në këto episode. Për rrjedhojë është proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr.141/1 të vitit 2023 në procedimin e ri penal,  141/1/1, pa autor dhe vijimin e hetimeve për veprat e mëposhtme penale: “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Ky hetim intensiv, është drejtuar nga Prokuroria së Posaçme dhe hetuesit e BKH-së, të cilët kanë përdorur një sërë teknikash  të posaçme të hetimit. Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë thelbësor për avancimin e këtij operacioni të rëndësishëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

Procedimi penal Nr. 141/1 i vitit 2023, rrjedh nga aktet e procedimit penal nr. 141 të vitit 2022 i kësaj prokurorie, i regjistruar në ngarkim të 11 të pandehurve të akuzuar për veprat penale; “Trafikim i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerjë e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal“. Këta të pandehur janë akuzuar respektivisht si organizatorë, financues dhe pjesëmarrës në këtë grup kriminal, lidhur me importimin nga Kolumbia për në Shqipëri të një ngarkese me “pleh organik artificial”, dhe nga ekstraktimi i kësaj ngarkese do të përftohej një sasi prej 485.5 kg, lëndë narkotike e llojit kokainë.

Përmes vendimit penal nr. 39, datë 25.6.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të pandehurit janë deklaruar fajtorë dhe dënuar nga ana e Gjykatës, sipas akuzave respektive, vendim i cili është lënë në fuqi me vendimin Nr. 58, datë 30.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndërsa ndaj një shtetasi kolumbian gjykim vijon ende.

/a.f/

The post SPAK dërgon për gjykim 10 persona të akuzuar për trafik kokaine dhe grup të strukturuar kriminal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti për sot, diell dhe vranësira të lehta në të gjithë territorin

27 January 2026 at 07:30

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime vranësirash dhe kthjellimesh në pjesën më të madhe të territorit.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje–veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në zona malore, lugina dhe në bregdet, kryesisht në jug, hera-herës era pritet të arrijë shpejtësi deri në 12 m/s. Dallgëzimi në dete do të jetë i forcës 1-3 ballë.

Temperaturat minimale dhe maksimale të parashikuara për qytetet kryesore janë si më poshtë:
Shkodër: 6/13°C
Kukës: 4/11°C
Lezhë: 5/12°C
Dibër: 2/9°C
Durrës: 7/16°C
Tiranë: 6/14°C
Elbasan: 5/15°C
Berat: 4/16°C
Vlorë: 6/16°C
Korçë: 3/11°C
Gjirokastër: 4/15°C
Sarandë: 7/16°C

Në të gjitha qytetet parashikohet mot me diell dhe vranësira të lehta.

/r.e/

The post Moti për sot, diell dhe vranësira të lehta në të gjithë territorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 26 January 2026Main stream

Rama mesazh Izraelit e Palestinës: Jepini vënies së paqes një shans

26 January 2026 at 21:34

TIRANË, 26 janar/ATSh/ Kryeministri Edi Rama iu adresua sot Knessetit me një fjalim historik, sipas protokollit të posaçëm që parlamenti i Izraelit u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në nisje të seancës së posaçme përshëndetën kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, kryetari i Knessetit Amir Ohana dhe lideri i opozitës Yair Lapid.

Gjatë fjalës së, kryeministri Rama tha se paqja është e mundur.

“Uroj fort që marrëveshjet abrahamike do të vazhdojnë dhe uroj që ndoshta duke hedhur sytë nga e shkuara e përgjakshme me sytë e një ardhmeje të shndritshme dhe jo anasjelltas, ky rajon në tërësi mundet, ashtu siç Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ndonjë tjetër, ka bërë tashmë të zbulojë jo vetëm se paqja është e mundur, por se paqja mund t’i ngrejë të gjitha vendet paqebërëse pothuajse si një mrekulli, lart në hapësirën e besimeve abrahamike.

“Shqipëria nuk mund të ndihet më e bekuar sesa kur i numëron si Izraelin, ashtu edhe vendet arabe, ndër miqtë e saj të ngushtë. Edhe Turqinë meqë ra fjala. Ne synojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie dhe qëndrojmë të vendosur në gatishmërinë tonë për të marrë pjesë, së bashku me vëllezërit tanë arabë, turq dhe të tjerë, në forcën e ardhshme ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza”, tha Rama.

Kryeministri në fund e mbylli fjalimin e tij dhe me një urim nga një martir hebre të paqes, për t’i dhënë një shans jetës përmes paqes.

“Kryeministri Yitzhak Rabin i Izraelit – i bekuar qoftë kujtimi i tij – të thëna për izraelitët dhe palestinezët pikërisht tridhjetë vjet më parë nga ky vend, ku qëndroj sot:

“Nga thellësia e zemrave tona, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Shtetit të Izraelit, sigurisht atyre që jetojnë në Jude, Samari dhe Rripin e Gazës, si edhe banorëve palestinezë, t’i japin vënies së paqes një shans, t’i japin një shans dhënies fund të akteve të armiqësisë, t’i japin një jete tjetër një shans, një jete të re. U bëjmë thirrje hebrenjve dhe palestinezëve njësoj të tregojnë vetëpërmbajtje, të ruajnë dinjitetin njerëzor, të sillen në mënyrë të denjë dhe të jetojnë në paqe dhe siguri. Ne po nisim një rrugë të re që mund të na çojë drejt një epoke paqeje, drejt përfundimit të luftërave.”

“Amen. I bekuar qoftë kujtimi i atyre që u flijuan! Le të mbetet si busull, guximi i atyre që refuzuan të binden. Le të lulëzojë Shteti i Izraelit dhe të jetë i sigurt përjetësisht. Le të jenë palestinezët të lirë dhe të jetojnë me dinjitet në shtetin e tyre. Dhe le të mbeten dy kombet tona të vogla, por të mëdha në shpirt, të lidhura përjetë, jo vetëm nga historia, por edhe nga përkushtimi i përbashkët për ta mbajtur njerëzimin njerëzor”, përfundoi Rama fjalën e tij.

/r.e/

The post Rama mesazh Izraelit e Palestinës: Jepini vënies së paqes një shans appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fjala e plotë e Ramës në parlamentin izraelit

26 January 2026 at 20:36

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu adresua sot Knessetit, Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në nisje të seancës së posaçme përshëndetën kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, kryetari i Knessetit Amir Ohana dhe lideri i opozitës Yair Lapid.

Kryeministri Edi Rama:

Ende nuk jam plotësisht i sigurt që ndodhem vërtetë duke qëndruar pikërisht mbi dyshemenë nën këmbët e mia, dyshemeja prej ku mysafirët më të nderuar të këtij Shteti i janë drejtuar kësaj Dhome. Dhe ndonëse modestia nuk ka qenë kurrë virtyti im më i palëkundshëm, më duhet ta them që e kam të vështirë të besoj se e meritoj një vlerësim kaq të jashtëzakonshëm.

Por jam plotësisht i sigurt se Shqipëria, të cilën e përfaqësoj me krenari, dhe populli im, që i qëndroi si pakkush tjetër pranë popullit hebre, e meritojnë me të vërtetë çdo respekt nga Shteti i Izraelit. Ashtu siç e meritonin edhe Medaljen e rrallë Presidenciale të Nderit, që Shkëlqesia e Tij, Presidenti Herzog, mik fisnik dhe besnik i Shqipërisë, akordoi për mua.

“Paqja dhe mëshira e Zotit të Plotfuqishëm qofshin mbi ju dhe paqja qoftë për të gjithë ne, me dëshirën e Zotit.”

Këto ishin fjalët me të cilat një far njerëzor i kurajos dhe pajtimit, një udhëheqës jeta dhe vdekja e të cilit u shenjuan nga ndjekja e pareshtur e paqes, Presidenti Anwar Sadat i Egjiptit, i bekuar qoftë kujtimi i tij, hapi pikërisht nga ky vend fjalimin e vet historik përpara Knessetit.

Ai vazhdoi:

“Paqe për ne të gjithë ne në tokat arabe dhe në Izrael, dhe në çdo cep të këtij globi të gjerë, kaq të rënduar nga konflikte të përgjakshme, të copëtuar nga kundërshti të mprehta dhe të kërcënuar herë pas here nga luftëra shkatërrimtare, të nisura nga njeriu për të asgjësuar të ngjashmin e vet. Sepse mes rrënojave të atyre që ka ndërtuar njerëzimi dhe eshtrave të viktimave të tij, nuk ka as fitues dhe as të mundur. I vetmi i mundur është njeriu, krijesa më sublime e Zotit.”

Fjalë të thëna nën këtë çati, të dala nga zemra e një gjenerali të rritur luftërash, i cili, pasi bëri edhe luftën e tij, tronditi botën duke e udhëhequr vendin e vet drejt një marrëveshjeje paqeje me Izraelin.

Gati gjysmë shekulli më vonë, ato tingëllojnë me të njëjtën urgjencë si në ditën kur u shqiptuan për herë të parë.

I nderuar Zoti President,
Zoti Kryetar i Kuvendit,
Zoti Kryeministër,
Zoti Kryetar i Opozitës,
zonja dhe zotërinj deputetë të Knessetit,

Nuk mund të gjeja fjalë më të përshtatshme për të nisur fjalimin tim dhe për të qetësuar frymëmarrjen prej emocionit të thellë që e dija se do më pushtonte në këtë vend kaq të veçantë.

E në qoftë se Mossad-i nuk ju ka informuar plotësisht, po ju informoj unë që po më dridhen gjunjët. Ka dhe një arsye tjetër që po më dridhen gjunjët.

E dija – për të qenë plotësisht i sinqertë me ju, – e dija gjithashtu se kur të flisja këtu do të ndihesha si në një provim oratorie, duke pasur përballë një nga pesë oratorët më të mirë në botë, të paktën sipas renditjes sime personale – Kryeministrin Netanyahu.

Do të bëj çmos, i dashur Bibi, t’i mbijetoj gjykimin tënd, plotësisht i vetëdijshëm se jam thjesht folësi i dytë në botë pas Presidentit Trump, të cilit ti thjesht nuk mund t’i shmangesh pa e dëgjuar.

Më lejoni tani, me një frymëmarrje më të qetë, t’i shpreh Kryetarit të këtij kuvendi të Izraelit vlerësimin tim më të lartë për praninë e tij domethënëse, Kryeministrit dhe Udhëheqësit të Opozitës respektin tim më të thellë dhe falënderimet më të përzemërta për fjalët që ndanë bujarisht ndanë për Shqipërinë dhe për mua, dhe kësaj Dhome mirënjohjen time më të thellë për mikpritjen që më bëri sot.

Ju faleminderit të gjithëve. Nuk mund të jem më mirënjohës se kaq.

Dhe duke u kthyer te fjala ime dhe zgjedhja për t’u prezantuar përmes fjalëve të një udhëheqësi të madh arab, më lejoni të shtoj diçka personale, sepse kam mësuar se mes hebrenjve gjithçka bëhet personale mjaft shpejt.

Unë nuk jam mysliman. Gjysma ime më e mirë është myslimane. Unë jam katolik. Dy fëmijët tanë më të rritur, nga kapituj të mëparshëm të jetës sonë janë të krishterë ortodoksë. Dhe më i vogli, djali ynë njëmbëdhjetëvjeçar, do të vendosë vetë një ditë, por duke parë entuziazmin e tij të papërmbajtshëm sa herë i thuhet se mund të lemë dëshirat tek Muri i Lotëve, ideja se një ditë ai mund të zgjedhë të bëhet hebre nuk është aspak e pabesueshme. Për ne do të ishte krejt në rregull, njësoj siç do të ishte fare në rregull nëse do të zgjidhte të ishte mysliman apo i krishterë.

Megjithatë, mos u gaboni. Ky portret i vogël familjar i yni nuk është një veçanti ekscentrike.

Është, në të vërtetë, një histori normale shqiptare. E njëjta gjë vlen për katër komunitetet tona tradicionale fetare, të cilat festojnë ditët e rëndësishme të njëri-tjetrit, dhe për krerët e tyre, të cilët mblidhen rregullisht, ashtu siç u mblodhën për të shoqëruar Presidentin Herzog kur ai vendosi një kurorë në memorialin tonë të Holokaustit në Tiranë, gjatë vizitës së tij historike, si kreu i parë i shtetit izraelit që ka zbritur në tokën shqiptare.

Është një shpirt i farkëtuar përgjatë shekuj vështirësish, pushtimesh dhe varfërie.

Ishte i njëjti shpirt që i nxori shqiptarët e të gjitha besimeve në rrugë, për të pritur dhe përshëndetur Papa Françeskun kur ai vizitoi vendin tonë dhe, me zërin e tij magjepsës dhe shenjtëror, e korrigjoi termin që ne përdorim shpesh. Jo, tha Ati i Shenjtë, kjo nuk është tolerancë fetare. Kjo është vëllazëri fetare, sepse nuk mbështetet tek durimi, por te bindja e qetë se besimi nuk dobësohet nga prania e një besimi tjetër, por hapet prej tij.

Atij shpirti, ne ia detyrojme krenarinë e njerit prej nderimeve më të mëdha morale: shtatëdhjetë e tre shqiptarë të të gjitha besimeve të njohur si Të Drejtë midis Kombeve, kujtimi i të cilëve ndriçon brenda mureve të dinjitetit njerëzor në Yad Vashem.

Dhe me po kete krenari, së shpejti do të hapim muzeun tonë të parë, kushtuar mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrenjve në qytetin e Vlorës; dikur qyteti më i madh mesjetar i Shqipërisë, ku në shekullin e gjashtëmbëdhjetë hebrenjtë që iknin nga persekutimi në Perëndim përbënin më shumë se gjysmën e popullsisë së tij.

Të rinjtë tanë dhe vizitorët e shumtë nga e gjithë bota që vijnë në vendin tonë të bukur, ku numri i turistëve izraelitë vitin e kaluar u rrit shumë më shpejt se nga çdo vend tjetër, do të shohin atje me sytë e tyre dhe do të dëgjojnë me veshët e tyre se si, Shqipëria e vogël ka qenë gjithmonë një strehë e sigurt për hebrenjtë, qysh shumë kohë më parë dhe se si shqiptarët e zakonshëm e bënë këtë vend shumë të vogël, të vetmin në hartën e Europës që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa kishte kur hyri në të.

Askush tjetër në Europë nuk mund të pretendojë një faqe kaq të pastër historie, pa asnjë hebre, pa as edhe një, të dorëzuar te nazistët.

Askush më mirë se Shqipëria nuk mund të dëshmojë një të vërtetë të thjeshtë, se qenia mysliman dhe antihebre njëkohësisht, nuk vjen nga besimi në Zot, por nga tradhtia më e neveritshme ndaj Zotit.

Dhe nuk ka nder më të madh, as përgjegjësi më të rëndë, sesa ta dëshmosh këtë të vërtetë këtu, në zemër të Izraelit, në një moment kur lufta e dhimbshme në Gaza, përmes vuajtjes së padurueshme të familjeve të pafajshme, izraelite dhe palestineze, ka hapur një dritare të re mundësie që përpjekjet për ndërtimin e paqes të kenë sukses.

Nuk ka dyshim se një pjesë e këtij nderi të madh për mua lidhet edhe me faktin se vij këtu, pak ditë pasi Parlamenti shqiptar ratifikoi vendimin për t’iu bashkuar Presidentit Trump në përpjekjet e tij për paqe dhe zgjidhje konfliktesh, dhe për ta bërë Shqipërinë anëtare themeluese të Bordit të tij të Paqes, ku do kontribuojmë me përulësi në detyrën monumentale për ta kthyer këtë dritare të re mundësie në një horizont të ri shprese dhe begatie për popullin e Gazës e për rajonin.

Më lejoni t’ju çoj për një çast larg Jeruzalemit, në qendrën e kryeqytetit tonë, Tiranë.

Në zemrën e saj ndodhet një tunel.

Ai u ndërtua për të torturuar te ashtuquajtur armiq te popullit dhe më së fundi për t’i bërë ballë një sulmi nga Shtetet e Bashkuara ose Bashkimi Sovjetik; paranojë e derdhur në beton nga një regjim që kishte frikë çdo rreze lirie dhe e mbante popullin e vet peng në një burg në qiell të hapur. Kjo kujtesë e gjallë më ka bërë gjithmonë të ndiej keqardhje për figura apo organizata ndërkombëtare të respektuara dhe me qëllime të mira, që me të drejtë e kanë përshkruar Gazën si një burg në qiell të hapur, por kane dështuar të identifikojne autorin e vërtetë të burgosjes se popullit të Gazës.

Ata ngatërruan gishtin me atë çka gishti tregonte dhe kesisoj dështuan të kuptojne se xhelati i Gazës është Hamasi, askush tjetër përveç Hamasit: ideologjia e tij e terrorit kundër popullit të vet më së pari dhe kundër kombit hebre, dogma e tij totalitare se “asnjë jetë palestineze nuk vlen të jetohet derisa Shteti i Izraelit të asgjësohet dhe hebreu i fundit të zhduket nga Toka e Shenjtë”. Prandaj, derisa Hamasi të çmontohet e shpërbëhet plotësisht, dy milionë të burgosurit e tij nuk do të jenë kurrë vërtet të lirë dhe asnjë paqe nuk do të jete dot jetëgjate.

Sot, ai tuneli në Tiranë është shndërruar në një hapësirë kushtuar viktimave të atyre që e ndërtuan fillimisht. Dhe uroj me gjithë zemër që disa nga tunelët e panumërt të terrorit që Hamasi ndërtoi, ku pengjet e rrëmbyera më 7 tetor u vranë, u përdhunuan, u torturuan dhe u katandisën në kopje njerëzore të shekullit XXI të të burgosurve në kampet naziste të shfarosjes, të ruhen si pjesë e planit të ri të rindërtimit të Gazës dhe më pas si dëshmi përcaktuese në favor të paqes së qëndrueshme mes Dy Shteteve të ardhme.

Ato duhet të qëndrojnë si tunele të kujtesës kolektive dhe të shërimit të përbashkët, ku si vuajtja prej ferri e pengjeve, ashtu edhe humbja e madhe e jetëve palestineze, të shndërruara në lëndë e parë trupash njerëzorë per sistemin më djallezor mbrojtës të ndërtuar ndonjëherë, nga mendja e ligë njerëzore, si një lëndë e parë, gurët e të cilëve kanë qenë trupat njërëzorë, të shërbejnë si qirinj të ndezur përjetësisht të faljes pa harrim dhe si thirrje e përhershme për të gjithë, që tmerre te tilla të mos ndodhin më kurrë. E që kjo të ndodhë shkaqet që çuan këtu duhet të zhduken nga rrënjët.

Teksa zbret shkallët e tunelit të Tiranës, një fjali me dritë neoni nga Primo Levi të vështron: Ata që harrojnë të kaluarën janë të dënuar ta rijetojnë atë.

Ne e gdhendëm këtë emër kaq të njohur në dritë mbi mur dhe une shqiptova këtu jo për të krijuar ndonjë paralelizëm të pamundur mes shfarosjes industriale të popullit hebre, një krim i pashembullt në historinë e njerëzimit, dhe vuajtjeve tragjike të shkaktuara nga regjimi ynë brutal komunist ndaj shqiptarëve të pafajshëm të shpallur “armiq të popullit”.Jo

E sjell Primo Levin bashkë me tunelin tonë të kujtesës për t’ju siguruar se ne shqiptarët e njohim dhimbjen e plagëve të rënda të historisë, dhe për t’i siguruar ata që kanë një këndvështrim shumë të ndryshëm nga imi mbi Gazën si një burg në qiell të hapur, se ne shqiptarët kemi mësuar, në mënyra të vështira për t’u imagjinuar, çfarë ndodh kur ideologjia bëhet zot, kur shteti bëhet altar, dhe kur njerëzit shndërrohen në kope për t’u shfrytëzuar ose në individë të zhveshur nga njerëzorja e tyre për të mbjellë frikë.

Ekziston një histori e thellë që i lidh popujt tanë.
Kapitulli kulmor, natyrisht, është koha e errët e Holokaustit.

Por trashëgimia jonë e përbashkët shtrihet përtej shekujve: hebrenj që mbërritën në brigjet tona pas shkatërrimit të Tempullit, sefardë që ikën nga Rekonkuista, familje hebreje që gjetën strehë në tokën tonë herë pas here, sa herë Europa zhytej sërish në një nga impulset e saj më të vjetra dhe më të errëta: urrejtja ndaj hebrenjve.

Në vitet 1930, një hebre amerikan i dërguar në Europë si pjesë e një misioni vëzhgimi, Leo Eton, shkroi në një raport drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara se Shqipëria spikaste në Europë, duke e dokumentuar vendin tone si vendvendosje e mundshme për hebrenjtë që iknin nga Europa Qendrore dhe Lindore. Ai vuri në dukje se pluralizmi fetar në Shqipëri funksiononte praktikisht, jo simbolikisht: myslimanët, ortodoksët, katolikët dhe hebrenjtë jetonin brenda një kuadri ku feja nuk përcaktonte besimin mes qytetareve, dhe Shqipëria theksonte ai mund të konsiderohej si një vend i përshtatshëm për vendstrehim hebre, ku nuk ekzistonin barriera ligjore apo shoqërore për jetën hebreje.

Pikërisht në ato vite, përpara lufte, ndërsa antisemitizmi po rritej në mbarë Europën, Shqipëria shkoi aq larg sa të njihte respektimin e Shabatit si një të drejtë njerëzore të komunitetit hebre, duke u bërë një vend i veçantë në anën tonë të botës që lidhi ligjërisht si punëdhënësit publikë, ashtu edhe ata privatë me detyrimin për ta respektuar atë të drejte.

Gjatë Holokaustit, kur i dërguari nazist Hermann Neubacher kërkoi lista të hebrenjve dhe arin e tyre, përfaqësuesit tanë iu përgjigjën me një fjali që meriton të gdhendet në gur: Mund ta merrni arin. Jo hebrenjtë.

Ari ishte i tyre për ta marrë. Hebrenjtë ishin tanët për t’i mbrojtur.

Kjo nuk është legjendë. Kjo është Shqipëria, ku hebrenjtë nuk i’u fshehën shoqërisë, por shoqëria i fshehu ata.

Dhe nëse doni shpjegimin e kësaj mrekullie, nuk ju duhet një teori politike apo një rabin, ndonëse e di që rabinët dinë t’i shpjegojnë gjërat më të vështira me fjalët më të thjeshta dhe madje edhe mund të parashikojnë mrekullirat.

Por jo, ju duhet vetëm një fjali nga ligji ynë i parë i shkruar në mesjete, Kanuni, kodi shqiptar i nderit: Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut. Jo thjesht mikut që ti fton, sigurisht edhe atij, por mikut që të troket në derë, të huajit që ka nevojë për ndihmë. Tradhtia ndaj atij miku është një krim i pafalshëm. Ajo njollos emrin tënd me turp dhe ndëshkon familje të tjera me përjashtim nga jeta e komunitetit.

Kështu më mirë të vdesësh sesa të dorëzosh mikun tënd. Dhe meqenëse hebrenjtë ishin mysafirët e Shqipërisë kur makineria më e frikshme e vdekjes që njerëzimi ka krijuar ndonjëherë mbërriti në tokën tonë, për shqiptarët, dhe mbi të gjitha për shqiptarët myslimanë që atëherë përbënin shumicën dërrmuese, zgjedhja ishte brutalisht e thjeshtë: më mirë të vdesim sesa të dorëzojme hebrenjtë tanë.

Ky kapitull i ndritur i historisë shqiptare mbart një mesazh me rëndësi të ngutshme për botën e sotme, e cila duhet të kujtohet vazhdimisht për atë që Hannah Arendt na mësoi me qartësi të pamëshirshme. E keqja shpesh nuk është djallëzore apo spektakolare, por e zakonshme deri në rrezikun e të qenit e tillë. E keqja është thjesht banale.

Tragjedia e Holokaustit nuk ishte vetëm mizoria e pak vetëve, po pasiviteti i shumëkujt. Por në një vend të vogël, në vendin tonë, ndodhi e kundërta. Populli ynë ishte i varfër, nuk kishte pushtet, nuk kishte ushtri apo kufij strategjikë. Por zotëronte diçka pafundësisht më të çmuar për atë moment të historisë: aftësinë për të parë një fytyrë njerëzore dhe për të njohur në të, një detyrim moral.

Kur të tjerët dorëzonin fqinjët e tyre hebrenj te autoritetet, shqiptarët i ruanin në siguri. Kur nënshtrimi u bë aleati i heshtur i së keqes, gjyshërit tanë zgjodhën rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë.

Dhe duke bërë këtë, ata e ruajtën këtë cep të Europës njerëzor, në një kohë kur njerëzorja po zhdukej dita-ditës.

Kjo histori nuk është një dekor për për të mbresuar të tjerët. Është busula që duhet ndjekur nëse duam të mbetemi të denjë për dhuratën e jetës që na është dhënë nga i njëjti Zot, dhe për të bërë diçka të denjë me atë dhuratë në këtë tokë, që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë të mos vuajnë nesër për shkak të asaj që nuk patëm guximin ta përballim sot apo nuk e nxorrëm mësim nga dje.

Prandaj Shqipëria ishte ndër vendet e para në Europë që miratoi legjislacion të ri kundër antisemitizmit, prandaj kemi integruar edukimin për Holokaustin në kurrikulat tona shkollore, dhe prandaj po ndërtojmë në këtë moment, në zemër të Europës, dy hapësira të veçanta kulturore të frymëzuara nga forca tërheqëse e shembujve ndriçues të gjyshërve tanë myslimanë dhe të krishterë, që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar jetë hebreje.

Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me hebrenjtë. Ka të bëjë me njerëzimin.

Dhe jo me njerëzimin si një fjalë e përgjithshme, po me njerëzillëkun tonë.

Për këtë arsye, prej shumë vitesh tashmë, Shqipëria ka ofruar mbrojtje për disa mijëra qytetarë iranianë, opozita e të cilëve ndaj kasapëve të Teheranit ua vuri jetën në rrezik të madh.

Nuk ishte pa rrezik as për ne, dhe nuk është pa rrezik as edhe sot. Të mbetesh njerëzor kur e njerëzishmja jote vihet nën presion nuk është kurrë pa rrezik. Përkundrazi. Dhe pikërisht sepse e morëm përsipër atë rrezik, disa vite më parë Shqipëria pësoi një sulm masiv kibernetik të drejtuar nga Irani, që synonte shkatërrimin e gjithë infrastrukturës sonë publike digjitale.

Ne rezistuam. Ata nuk ia dolën.

Na u tha nga miq të fuqishëm të mos reagonim shumë ndaj Iranit, sepse ata janë të mëdhenj dhe të rrezikshëm. Por ne i dhamë personelit të ambasadës iraniane njëzet e katër orë për të lënë vendin dhe e këputëm edhe fijen krejt të hollë të lidhjes që kishim me Republikën Khomeiniste, të cilën nuk do ta quaj kurrë islamike, sepse Islami është dashuri dhe përulësi, ndërsa khomeinizmi është urrejtje dhe vdekje.

Dhe nuk është e shkruar këtu, por thjeshtë dua të bëj atë çfarë Bibi bën gjatë gjithë kohës, të dalë nga fjala e shkruar dhe të them sa vijon: Një mike e jona, bashkëshorti i të cilës është iranian, më tha që pak ditë më parë në një treg në Teheran, njerëzit ishin të pranishëm dhe ndërkohë u vu zjarri dhe tregu u rrethua nga vrasësit. Njerëzit kishin dy zgjedhje, ose të digjeshin nga flakët brenda tregut, ose të vriteshin në dyert e tregut. Por pyetja ime është kjo: Si është e mundur?! Që ndërkohë që media globale flet për 30 mijë njerëz të vrarë për tre ditë, nuk ka mbledhje në asnjë shesh të botës kundra Ayatollahëve për të bërë thirrje për fundin e këtij regjimi. Natyrisht është një pyetje që nuk kërkon përgjigje prej jush. Ju e dini përgjigjen.

Dhe siç ofruam mbrojtje për ata që u vunë në shënjestër nga mullahët e Teheranit, Shqipëria u bë gjithashtu strehë për disa mijëra të tjerë të shënjestruar nga mullahët e Kabulit, gjatë kaosit qe krijoi tërheqja e çrregullt e forcave të koalicionit nga Afganistani,

Kur shumë të tjerë, më të mëdhenj dhe më të pasur, kthyen shpinën, pasi kishin qenë atje, pasi i kishin premtuar atyre njerëzve liri, demokraci, të drejta për të gjithë e pasi i kishin marrë që të pastronin makinat e tyre, shtëpitë e tyre u zhdukën, ndoshta sepse më të mirët dhe më të ndriturit e shoqërisë së Kabulit nuk ishin mjaftueshëm të bardhë apo ishin tepër myslimanë për ta, por ne patëm bekimin të përfshihemi në rrjetin më të jashtëzakonshëm të solidaritetit që kam parë ndonjëherë.

Financimi, logjistika dhe lidhjet u mblodhën jashtë vendit si uragan. Dhe nuk ishte qeveria e SHBA që e organizoi. Ishin qytetarë amerikanë nga çdo shtresë e fushë e jetës dhe përtej ndarjeve politike, të cilët mobilizuan njerëzillëkun e tyre për të shpëtuar jetë përmes një zinxhiri të jashtëzakonshëm duarsh, që formuan një trekëndësh mes Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Katarit, ku ministri i jashtëm i Katarit i asaj kohe, sot Kryeministër, Mohammed bin Abdulrahman, u shndërrua në një lloj kulle kontrolli të shpresës dhe e ktheu aeroportin e Dohas në një rrugë shpëtimi drejt jetës, për mijëra njerëz që u pritën me dhembshuri në Shqipëri.

Më lini t’Ju siguroj se nuk jam këtu, larg qoftë, për t’i dhënë leksione kujt. Jo vetëm sepse vende të vogla si i imi nuk japin leksione, por marrin leksione gjatë gjithë kohës, por edhe sepse besoj se ata që i japin leksione Izraelit nga larg, rrezikojnë seriozisht të jenë, jo vetëm të jenë pa drejtpeshuar, por thelbësisht të padrejtë.

Megjithatë, besoj fort se kërkimi i paqes nuk ka të bëjë kurrë me sa e keqe apo jo e besueshme ka qenë ana tjetër, por me sa besnik zgjedh të mbetesh ndaj vlerave të tua.

Marrëveshja mahnitëse e paqes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në të cilën një udhëheqës botëror i rrallë si Sheikh Mohammed bin Zayed theu epoka të gjata konflikti dhe i mësoi botës me shembull se, nëse kujtojmë se Zoti është në anën tone, por gjithashtu edhe në anën e tjetrit, dhe jemi mjaftueshëm të guximshëm për të kuptuar se nën syrin e qiellit jemi të gjithë në të njëjtën anë të paqes, atëherë paqja nuk është thjesht një rrugë e mundshme drejt së ardhmes, por e vetmja rrugë e mundshme e së ardhmes.

Më shumë se kaq, besoj fort se ajo që e bën unike këtë dritare të re mundësie është momenti i Firences në Lindjen e Mesme.

Ajo që po ndodh këtu pranë në rajonin tuaj ngjan, në sytë e mi, me atë që ndodhi në Europë kur udhëheqje vizionare, të frymëzuara nga moderniteti dhe bukuria, e shndërruan Firencen në djepin e Rilindjes.

Izraeli nuk është më i vetëm në kërkimin e transformimit, inovacionit dhe lidershipit global të së ardhmes në këtë pjesë të botës.

Nga rrugët e Riadit tek oazet e gjelbra të Abu Dhabit dhe brigjet plot jetë të Dohas, ndihet një erë magjepsëse ndryshimi, që ka pak të bëjë me karikaturën e vjetër të spektaklit të ngjyer me ar në shkretëtirë.

Arabia Saudite, nën udhëheqjen e udhëheqësit të ri me iniciativë, të vendosur dhe vizionar, tiparet e së cilës kujtojnë Lorencon e Madhërishëm të Firences, po ndryshon me një shpejtësi marramendëse.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendosur në pararojë të lidershipit global në axhendën e gjelbër, e gjithashtu të përgjegjësisë sociale përtej kufijve, përtej ngjyrës së lëkurës, përtej dallimeve, ndërkohe qe Katari, i udhëhequr për më shumë se një dekadë nga Emiri i tij i ri dhe largpamës, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ka bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm në skenën botërore dhe, falë po kështu edhe një gruaje aktive, motrës së tij, Sheikha Al Mayassa, po shndërrohet në një laborator të madh të transformimit urban dhe të stilit të jetesës së nje rruge te re.

Emëruesi i përbashkët sot mes fqinjëve tuaj arabë është një shtysë për modernizim në çdo drejtim dhe për zbukurim në çdo hap, dhe së bashku ata po e bëjnë këndin e vjetër dhe të mrekullueshëm të Europës të duket papritur i zymtë dhe i zbehtë. Po ka një pikëpyetje që kokëfortë ngrihet mbi gjithë këtë.

Si mund të bashkëjetojë kjo histori e jashtëzakonshme e një të ardhmeje të ndritur, e shkruar me fuqinë e çliruar të shpresave dhe ëndrrave në shkretëtirë, me plagën e madhe të hapur të një konflikti që ka sjellë vuajtje dhe shkatërrim kaq të zgjatur, një plagë që ende qëndron në zemër të Lindjes së Mesme si një kurth i aftë të përpijë në errësirën e vet çdo ëndërr madhështie që po ndërtohet përreth këtij rajoni.

Është e pamundur, nuk ka sasnjë shans që të dyja të rrinë së bashku për gjatë. Ndaj uroj fort që marrëveshjet abrahamike do të vbazhdojnë dhe uroj që ndodhta duke hedhur sytë nga e shkuara e përgjakshme me sytë e një ardhmeje të shndritshme dhe jo anasjelltas, ky rajon në tërësi mundet, ashtu siç Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ndonje tjeter, ka bërë tashmë të zbulojë jo vetëm se paqja është e mundur, por se paqja mund t’i ngreje të gjitha vendet paqebërëse pothuajse si një mrekulli, lart ne hapesiren e besimeve abrahamike.
Shqipëria nuk mund të ndihet më e bekuar sesa kur i numëron si Izraelin ashtu edhe vendet arabe, ndër miqtë e saj të ngushtë. Edhe Turqinë meqë ra fjala. Ne synojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie dhe qëndrojmë të vendosur në gatishmërinë tonë për të marrë pjesë, së bashku me vëllezërit tanë arabë, turq dhe të tjerë, në forcën e ardhshme ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.

Zoti kryetar i Parlamentit, ju e dini, ju thatë këtu që hebrenjtë flasin gjatë, por nuk e dini që ne ballkanasit flasim edhe më gjatë.

Premtoj që Kohës bujare që më keni lejuar per të zëne këtë vend kaq të veçantë po i vjen tani fundit. Dhe ashtu siç e hapa fjalimin me fjalët e një martiri arab të paqes, fjalët me të cilat dua ta mbyll, vijnë nga një martir hebre i paqes, Kryeministrit Yitzhak Rabin të Izraelit, i bekuar qoftë kujtimi i tij, të thëna per izraelitët dhe palestinezët pikërisht tridhjetë vjet më parë nga ky vend, ku qëndroj sot:

“Nga thellësia e zemrave tona, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Shtetit të Izraelit, sigurisht atyre që jetojnë në Jude, Samari dhe Rripin e Gazës, si edhe banorëve palestinezë, t’i japin vënies së paqes një shans, t’i japin një shans dhënies fund të akteve të armiqësisë, t’i japin një jete tjetër një shans, një jete të re. U bëjmë thirrje hebrenjve dhe palestinezëve njësoj të tregojnë vetëpërmbajtje, të ruajnë dinjitetin njerëzor, të sillen në mënyrë të denjë dhe të jetojnë në paqe dhe siguri. Ne po nisim një rrugë të re që mund të na çojë drejt një epoke paqeje, drejt përfundimit të luftërave.”

Amen.

I bekuar qoftë kujtimi i atyre që u flijuan.

Le të mbetet si busull, guximi i atyre që refuzuan të binden.

Le të lulëzojë Shteti i Izraelit dhe të jetë i sigurt përjetësisht.

Le të jenë palestinezët të lirë dhe të jetojnë me dinjitet në shtetin e tyre.

Dhe le të mbeten dy kombet tona të vogla, por të mëdha në shpirt, të lidhura përjetë, jo vetëm nga historia, por edhe nga përkushtimi i përbashkët për ta mbajtur njerëzimin njerëzor.

Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama në Parlamentin e Izraelit
1 nga 11
Kryeministri Edi Rama në parlamentin e Izraelit - Foto: Kryeministria

The post Fjala e plotë e Ramës në parlamentin izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Avancimi i Aktit për Luginën, mesazh i qartë kundër diskriminimit

26 January 2026 at 18:32

PRISHTINË, 26 janar /ATSh/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar avancimin e Aktit të Vlerësimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, duke thënë se kjo dërgon një mesazh të qartë se diskriminimi sistematik ndaj komunitetit shqiptar në Serbi nuk do të mbetet më i padukshëm apo i toleruar.

Ajo ka theksuar se Serbia, sipas saj, ka kryer vazhdimisht shkelje të rënda ndaj të drejtave të pakicave, duke përmendur: pasivizimin e adresave si mjet për “spastrim etnik” administrativ, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore.

Osmani ka përgëzuar kongresistin amerikan Keith Self për prezantimin dhe mbështetjen e këtij akti, si dhe kryetarin e komitetit Brian Mast dhe anëtarin kryesor Gregory Meeks për udhëheqjen, ndërsa ka falënderuar edhe të gjithë deputetët që votuan pro me mbështetje dypartiake.

“Serbia ka kryer vazhdimisht shkelje autoritare të të drejtave të pakicave, duke përfshirë fushatën e qëllimshme të pasivizimit për spastrim etnik përmes mjeteve administrative, shtypjen e gjuhës shqipe, përjashtimin nga institucionet publike, diskriminimin në arsim, margjinalizimin ekonomik dhe frikësimin nga autoritetet qendrore”, shkruan Osmani.

Po ashtu, ajo ka shprehur mirënjohje për organizatën “Albanians4USA”, duke thënë se ka ndihmuar që zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëgjohet në nivelet më të larta të politikëbërjes në SHBA.

Katër ditë më parë, kongresmeni amerikan Keith Self ka prezantuar në Kongres Aktin për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës, një nismë ligjore që synon të adresojë trajtimin e shqiptarëve nga autoritetet serbe.

Për këtë pati reaguar, edhe deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Ai shprehu mirënjohje për kongresmenin Keith Self.

/KosovaPress//r.e/

The post Osmani: Avancimi i Aktit për Luginën, mesazh i qartë kundër diskriminimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Liria ka Emër” merr leje zyrtare për marshim në 17 shkurt

26 January 2026 at 17:56

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Platforma qytetare “Liria ka Emër” njofton opinionin publik se ka siguruar lejen zyrtare nga Komuna e Prishtinës për shfrytëzimin e hapësirës publike, me qëllim të organizimit të marshit qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë!”.

Marshi do të mbahet më 17 shkurt, duke filluar nga ora 14:00′, në hapësirën publike të miratuar nga autoritetet komunale, në përputhje të plotë me kërkesën e paraqitur nga organizatorët dhe me legjislacionin në fuqi.

Sipas dokumentit zyrtar të lëshuar nga Komuna, leja është dhënë për përdorimin e hapësirës publike në orarin e kërkuar, duke garantuar kështu mbarëvajtjen e aktivitetit qytetar në mënyrë paqësore dhe të rregullt.

Platforma “Liria ka Emër”, nëpërmjet një njoftimi u bën thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës që t’i bashkohen këtij marshimi paqësor, si shprehje e kërkesës për drejtësi të paanshme për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vite.

Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika.

/KosovaPress/

The post “Liria ka Emër” merr leje zyrtare për marshim në 17 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i paqëndrueshëm, reshje në të gjithë territorin

26 January 2026 at 07:30

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, kryesisht gjatë pjesës së parë të ditës.

Sipas parashikimit, moti do të karakterizohet nga vranësira, të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në pothuajse të gjithë territorin. Reshjet pritet të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit dhe deri në orët e mesditës.

Në zonën e Alpeve, në verilindje mbi lartësitë 700–800 metra dhe në juglindje mbi 800–900 metra, reshjet do të jenë në formë dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.

Pas mesditës parashikohet ndërprerje graduale e reshjeve në pjesën më të madhe të vendit, si dhe intervale kthjellimesh.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje–jug, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s, ndërsa herë pas here në lugina, zona malore dhe përgjatë bregdetit pritet të arrijë deri në 10 m/s. Në det parashikohet dallgëzim i forcës 1–2 ballë.

Temperaturat e ajrit do të variojnë nga 3°C në zonat malore deri në 14°C në ultësirën perëndimore. Konkretisht, temperaturat minimale dhe maksimale priten: në Shkodër 6/12°C, Kukës 4/7°C, Lezhë 8/13°C, Dibër 3/5°C, Durrës 8/14°C, Tiranë 8/14°C, Elbasan 6/12°C, Berat 6/13°C, Vlorë 11/14°C, Korçë 3/6°C, Gjirokastër 6/9°C dhe Sarandë 9/13°C.

The post Moti sot i paqëndrueshëm, reshje në të gjithë territorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Elbasani mund Dinamon me dy gola të Diallo

25 January 2026 at 19:02

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Elbasani ka mundur me rezultatin 2-0  Dinamo City-n në “Elbasan Arena”. Sfida që uli siparin e javës së 22-të të Superligës shqiptare të futbollit u vendos që në pjesën e parë nga një dygolësh të Ibrahim Diallo.

Verdhebluve u mjaftuan vetëm 25 miinuta lojë për të dërguar dy herë topin në rrjetë dhe më pas për të administruar lojën, duke siguruar tri pikë të rëndësishme për të garantuar praninë në “Final 4”.

Goli i parë nga Diallo u shënuan në minutën e 5′ dhe i dyti nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 25′.

Me këtë fitore Elbasani ngjitet 1 pikë larg kreut dhe i largohet me 11 pikë vendit të pestë në klasifikim. Me këtë humbje Dinamo mbetet në kuotën e 33 pikë, 6 mē shumë se Teuta e vendit të pestë.

Ndeshjet e javës
Bylis-Egnatia 2-2
Vllaznia-Pratizani 1-0
Teuta-Vora 1-1
Tirana-Flamurtari 0-0
Elbasani-Dinamo City 2-0

Klasifikimi: Vllaznia dhe Egnatia 39 pikë, AF Elbasani 38, Dinamo City 33, Teuta 27, Partizani 26, Vora 24, Bylisi 19, Flamurtari 18 dhe Tirana 17

/a.f/

The post Elbasani mund Dinamon me dy gola të Diallo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hap historik për futsallin, mirëpritet përfshirja në Lojërat Mesdhetare 2030

25 January 2026 at 16:48

TIRANË, 25 janar/ATSh/ Përfshirja e futsallit si disiplinë zyrtare në Lojërat Mesdhetare, duke nisur me edicionin që do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030, po vlerësohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme për këtë sport në Kosovë.

Figura kyçe të futsallit vendor e shohin këtë vendim si hap të madh drejt afirmimit ndërkombëtar, njohjes institucionale dhe rritjes së mbështetjes për një sport që, sipas tyre, ka pasur rezultate dhe traditë, por jo gjithmonë vëmendjen e merituar.

Drejtori i një prej klubeve më të mira të futsallit në Kosovë, FC Mabetex Prishtina, Fatos Dili, thekson se përfshirja e futsallit në Lojërat Mesdhetare përbën një moment kthese për këtë sport në Kosovë.

“Mendoj që do të jetë një promovim shumë i mirë i futsallit të Kosovës duke ditur që kemi qenë të anashkaluar për shumë kohë meditikisht, pasi përvoja dhe sukseset nuk na kanë munguar. Mirëpo mendoj që ky do të jetë një hap i madh i promovimit të futsallit të Kosovës dhe dëshmi e asaj që kemi folur ndër vite, jo vetëm unë por edhe kolegët e mi më herët që vetëm e kanë themeluar dhe e kanë mbajtur gjallë futsallin për vite, që ky sport është sport kombëtar në Kosovë dhe duhet të trajtohet më mirë dhe të ketë përkrahje institucionale sa më shumë”, theksoi Dili.

Nga ana tjetër, koordinatori i FFK-së për futsall, Getar Hyseni, shpreh bindjen se Kosova do të paraqitet në mënyrë dinjitoze në Lojërat Mesdhetare 2030. Ai nënvizon nevojën për bashkëpunim më konkret ndërmjet strukturave organizative të Lojërave dhe Federatës, duke bërë të ditur se ende mungojnë disa hapa praktikë.

“Futsalli për 2030 në Lojërat Mesdhetare, besoj që do të paraqitet denjësisht. Mirëpo pritet një bashkëpunim më konkret nga grupi punues i Lojërave Mesdhetare dhe federatës, sepse ende nuk kemi diçka konkrete në këtë drejtim. Ne në vitin e fundit kemi garuar në nivelin “Main Round” që është një arritje historike me kombëtaren e Kosovës, ku kanë debutuar për gjashtë ndeshje 11 lojtarë të rinj, të cilët sigurisht do të jenë në moshën optimale për të garuar në Lojërat Mesdhetare. Kështu që ne jemi të gatshëm për Lojërat Mesdhetare, jemi duke punuar dhe për themelimin e ligës së vajzave, e cila do të jetë edhe kombëtarja e vajzave në Lojërat Mesdhetare”, bëri të ditur Hyseni në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Ndërsa, gjyqtarja e futsallit, Tina Kallaba, e konsideron përfshirjen në Lojërat Mesdhetare si një mundësi të rrallë për ta prezantuar futsallin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Sipas saj, kjo ngjarje krijon një pasqyrë reale të nivelit dhe cilësisë që ofron futsalli vendor.

“Unë mendoj që hap dyer shumë të mëdha për futsallin, sepse është një ngjarje shumë, shumë e rëndësishme edhe mendoj që ka me qenë një pasqyrë e mirë për futsallin e Kosovës… Është ngjarja shumë e rëndësishme që t’i tregojmë botës që edhe ne jemi këtu në mesin e gjithë shteteve të Evropës dhe të botës, që të tregojmë cilësi dhe kualitet të lartë”, deklaroi Kallaba.

Ish-lojtari i futsallit, Skender Sadiku, e cilëson lajmin si një “megalajm” për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në ndërtimin e futsallit në Kosovë. Ai rikujton se futsalli ka një histori të lidhur ngushtë me shtetndërtimin e Kosovës, duke nisur zyrtarisht në vitin 2008.

“Është lajm shum, shumë i mirë. Pas një lajmi të themi, megalajm, që jemi organizator të Lojërave Mesdhetare, ky është një lajm po ashtu, posaçërisht për njerëz që kanë qenë të involvuar në futsall. Rastisë që futsalli zyrtarisht është luajtur një kohë të gjatë në Kosovë, por zyrtarisht ka filluar në 2008-ën, me vitin e pavarësisë së Kosovës. Edhe futsalli në Kosovë e ka moshën e Republikës së Kosovës, po edhe vitin e themelimit… në shkurt është shpallur pavarësia, kurse në nëntor ka filluar kampionati zyrtar i futsallit në Kosovë. Kam pasur fatin që të jem në ekipin e themelimit të futsallit. Futsalli ka marrë kahjen e vet, kemi referë me stemë ndërkombëtare, kemi ekipe që marrin pjesë në kampionatet e organizuara nga FIFA dhe UEFA, kualifikime për kampionate botërore, kampionate evropiane, Champion League luan kampioni i Kosovës dhe kësaj game iu plotësua mendoj edhe pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare”, deklaroi Sadiku.

Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje shumë-sportëshe ndërkombëtare që mbahet çdo katër vjet dhe bashkon sportistë nga vendet rreth Detit Mesdhe. Për herë të parë në historinë e saj, edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare do të zhvillohet në Prishtinë, Kosovë, nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, me pjesëmarrjen e rreth 3 500 atletëve nga 26 vende dhe garë në mbi 30 sporte të ndryshme.

/Kosovapress/

The post Hap historik për futsallin, mirëpritet përfshirja në Lojërat Mesdhetare 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Barazim në limite në sfidën Teuta–Vora

25 January 2026 at 16:27

TIRANË, 25 janar /ATSH/  Në stadiumin e Vorës, Teuta barazoi 1-1 kundër vendasve, duke u dhënë të dyja skuadrave nga një pikë, e cila u sigurua në sekondat e fundit të lojës nga durrësakët.

Edhe pse skuadra nga Durrësi ishte favorite në letër, Vora e nisi mjaft mirë ndeshjen dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 25-të përmes Irgi Kasallas. Skuadra bregdetare reagoi mirë, duke krijuar disa raste shënimi, por pa arritur të gjejë golin e barazimit në pjesën e parë.

Pjesa e dytë nisi sërish me Teuten në sulm, ndërsa në minutën e 85-të Tabaku u ndëshkua me karton të kuq, pasi u penalizua për herë të dytë me karton të verdhë, duke lënë Vorën me dhjetë lojtarë.

Skuadra e Vores rezistoi me dhjetë lojtarë deri në minutën e 102-të, pas një shtese tejet të gjatë, por në sekondat e fundit pësoi golin e barazimit, pas një 11-të metërshi me mjaft polemika. Shkak u bë një 11 metërsh i akorduar nga arbitri Olsid Ferataj në favor të Teutës. Fillimisht arbitri i ndeshjes sinjalizoi për pozicion jashtë loje, por më pas e ktheu vendimin e tij dhe akordoi penalltinë për skuadrën durrsake. Pas minutash të tëra me polemika për këtë episod që nuk u pa në sistemin VAR, skuadra e Vorës braktisi ndeshjen për disa minuta, për t’u rikthyer përsëri në fushë me Maçollin që ekzekutoi penalltinë duke barazuar rezultatin në 1-1 për Teutën

Ky barazim e largon Teutën nga objektivi “Final 4”, ndërsa Vora nuk arrin të zgjerojë distancën nga zona e “ftohtë” në fund të tabelës.

Ndeshjet e javës
Bylis-Egnatia 2-2
Vllaznia-Pratizani 1-0
Teuta-Vora 1-1
Tirana-Flamurtari 0-0
Elbasani-Dinamo City në 17:00

Klasifikimi: Vllaznia dhe Egnatia 39 pikë, AF Elbasani 35, Dinamoi City 33, Teuta 27, Partizani 26, Vora 24, Bylisi 19, Flamurtari 18 dhe Tirana 17

-Elbasani dhe Dinamo City kanë një ndeshje më pak

The post Barazim në limite në sfidën Teuta–Vora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana mund Flamurtarin, vendos goli i Myslovič

25 January 2026 at 16:13

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Tirana fitoi 1-0 ndaj Flamurtarit në stadiumin “Selman Stermasi” dhe rindezi betejën për mbijetesë. Ndeshja e vlefshme për javën e 21-të të Superligës dhuroi emocione për sportdashësit.

Bardheblutë arritën të marrin një tripikësh të rëndësishëm ndaj një rivali të drejtpërdrejtë për mbijetesë si Flamurtari. Sfida u vendos nga goli i Patrik Myslovič në minutën e 77-të. Trekuartisti sllovak bashkëpunoi mirë me Xhixhën gjatë një inkursioni në zonën e kuqezinjve mysafirë, nga ku dhe goditi me të djathtën e tij, duke dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga portieri i Flamurtarit.

Pas këtij momenti, kuqezinjtë nga Vlora ushtruan presion ndaj portës së Tiranës, por bardheblutë e menaxhuan mirë ndeshjen, duke mos lënë hapësira në prapavijë dhe duke ruajtur portën e paprekur.

Ky tripikësh e ngjit Tiranën në kuotën e 17 pikëve, një më pak se Flamurtari i vendit të parafundit dhe dy më pak se Bylisi, duke rihapur betejën mes tre skuadrave për mbijetesë.

Kjo fitore vjen në një moment të trishtë për bardheblutë, pasi një ditë më parë vajza 10-vjeçare e futbollistit të kryeqytetasve, Freddy Alvarez, humbi jetën tragjikisht pas një incidenti në banesë.

Pak para nisjes së sfidës, futbollistët e të dyja skuadrave u mblodhën në mesin e fushës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Irinës, vajzës së futbollistit të KF Tiranës, Freddy Alvarez, e cila u nda tragjikisht nga jeta pa mbushur ende 10 vjeç.

Gjatë minutës së heshtjes, tifozët u panë në lot, dukshëm të prekur nga humbja e vogëlushes, e cila prej tre javësh banonte në kryeqytet, pasi i ati, mesfushori i bardhebluve, ishte bashkuar vetëm këtë janar me KF Tiranën.

Ultrasit e bardhebluve, “Tirona Fanatics”, kishin përgatitur edhe një banderolë në nderim të saj, ndërsa futbollistët dhe stafet e të dyja skuadrave u drejtuan drejt tribunave dhe me lule në duar nderuan kujtimin e saj.

Irina Alvarez Esquivel, vogëlushja që do të mbushte 10 vjeç në qershor të këtij viti, dyshohet se u rrëzua nga krevati dykatësh dhe pësoi lëndime të rënda, të cilat rezultuan fatale.

Ndeshja mes KF Tiranës dhe Flamurtarit ishte e programuar për të shtunën, por pas dakordësisë mes klubeve u shty me 24 orë.

Ndeshjet e javës
Bylis-Egnatia 2-2
Vllaznia-Pratizani 1-0
Teuta-Vora 1-1
Tirana-Flamurtari 0-0
Elbasani-Dinamo City në 17:00

Klasifikimi: Vllaznia dhe Egnatia 39 pikë, AF Elbasani 35, Dinamoi City 33, Teuta 27, Partizani 26, Vora 24, Bylisi 19, Flamurtari 18 dhe Tirana 17

-Elbasani dhe Dinamo City kanë një ndeshje më pak

The post Tirana mund Flamurtarin, vendos goli i Myslovič appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ende pa seli të përhershme

25 January 2026 at 15:44

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ Mes fosileve miliona vjeçare, veshjeve tradicionale dhe historisë së nxjerrë nga nëntoka e Trepçës, Muzeu i Mitrovicës vazhdon të tregojë rrëfimin e qytetit ndër dekada.

I themeluar në vitin 1952, si muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ky institucion sot funksionon pa një shtëpi të përhershme, por me një aktivitet të gjallë kulturor që e mban historinë, identitetin dhe komunitetin në lëvizje.

Drejtoresha e Muzeu të Mitrovicës, Nora Prekazi-Hoti, ka thënë për KosovaPress, se Muzeu i Mitrovicës konsiderohet muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, pas Muzeut Kombëtar.

Sipas Prekazi-Hoti, hapja e këtij institucioni ka qenë e domosdoshme për shkak të rolit të veçantë gjeografik dhe politik të Mitrovicës, si dhe pranisë së kompleksit të madh industrial të Trepça.

Prekazi tha se pavarësisht zhvillimit dhe aktivitetit të vazhdueshëm, Muzeu i Mitrovicës ende nuk ka një seli të përhershme.

Ajo sqaroi se muzeu fillimisht ka funksionuar në objektin komunal të Mitrovicës së asaj kohe, më pas është zhvendosur në hamamin e qytetit, ku ka operuar nga vitet ’60 deri në vitin 2009.

Prekazi- Hoti tha se ky vit ka qenë ndër më dinamikët për Muzeun e Mitrovicës, me gjashtë ekspozita të realizuara brenda tij.

Rrugëtimi kishte nisur më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, me një ekspozitë kushtuar trashëgimisë arkitekturore të Trepçës, ku kishte vazhduar me ekspozitën “Një jetë në gajtan”, Muzeu i Mitrovicës çoi para publikut japonez rrëfimin e veshjeve tradicionale dhe punës artizanale, duke përfaqësuar Kosovën si shtet.

Drejtoresha e muzeut bëri të ditur se Muzeu i Mitrovicës, përveç ekspozitave, zhvillon çdo muaj edhe programe edukative të vazhdueshme, të cilat i dedikohen si ekspozitave të përhershme, ashtu edhe punës së përgjithshme të institucionit.

Nora Prekazi-Hoti përshkroi Muzeun e Mitrovicës si një thesar të gjallë të historisë dhe kulturës, ku fosilet, artefaktet arkeologjike dhe veshjet tradicionale rrëfejnë rrugëtimin e qytetit ndër shekuj.

Çdo koleksion, nga koha neolitike e deri te elementët e jetesës tradicionale, i jep muzeut një jetë të veçantë dhe një lidhje të prekshme me të kaluarën.

Që nga viti 2018, Muzeu i Mitrovicës ka hapur dyer drejt gjithëpërfshirjes, duke u bërë pjesë e Rrjetit Ballkanik të Muzeve dhe duke sjellë ekspozitat e tij tek komunitetet më të ndjeshme.

Drejtoresha Prekazi shpjegoi se ideja e muzeut është që vizitat të mos kufizohen vetëm një herë, por të jenë të vazhdueshme. Aktivitetet dhe ekspozitat e ndryshme gjatë gjithë vitit, së bashku me mbulimin nga mediat, e bëjnë muzeun të gjallë dhe tërheqës.

Muzeu i Mitrovicës qëndron si një urë mes kohërave, ku secili objekt dhe çdo ekspozitë flet me zë të vetin. Ai nuk është vetëm një hapësirë e së shkuarës, por një skenë ku historia dhe kultura bashkëjetojnë me kreativitetin dhe dijeninë e brezave të rinj.

Përmes aktiviteteve, programeve edukative dhe ekspozitave që udhëtojnë edhe përtej kufijve, muzeu transformohet në një vend ku kujtesa e qytetit, pasuria materiale dhe identiteti i komunitetit shpërthejnë në një rrëfim të gjallë dhe të paharrueshëm për çdo vizitor.

/KosovaPress/

The post Muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ende pa seli të përhershme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ramadani shkëlqen ndaj Lazios dhe shpallet “Njeriu i Ndeshjes”

25 January 2026 at 14:06

TIRANË, 25 janar /ATSh/ Mesfushori Ylber Ramadani u shpall “Njeriu i Ndeshjes” në sfidën e javës së 22-të të Serie A mes Leçes dhe Lazios, e luajtur mbrëmjen e djeshme në Puglia, ku verdhekuqtë barazuan 0-0 me kryeqytetasit.

“Maratonomaku” i mesfushës së Leçes arriti të realizojë 89% pasa të sakta, ose 39 nga 44 në total. Ndërkohë, triumfoi në të gjitha interceptimet, tetë nga tetë në të cilat u përfshi, dhe rikuperoi topin në dhjetë raste nga 17 duele në total.

Futbollisti ka bërë një sezon të mirë dhe është ndër ata që ka mbuluar më shumë kilometra në elitën e futbollit italian. Me performancën e tij, mesfushori kuqezi arriti edhe të siguronte rinovimin e kontratës me klubin nga Puglia.

/a.f/

The post Ramadani shkëlqen ndaj Lazios dhe shpallet “Njeriu i Ndeshjes” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmtohet Ismajli, mbrojtësi kuqezi probleme në kavilje

25 January 2026 at 13:53

TIRANË, 25 janar /ATSh/ Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardjan Ismajli, u dëmtua mbrëmjen e djeshme gjatë sfidës së vlefshme për javën e 22-të të Serie A mes Comos dhe Torinos.

Ismajli u zëvendësua nga trajneri i Torinos, Marco Baroni, në minutën e 21-të pas një problemi në kavilje. Në atë moment, Torino ishte duke humbur me rezultatin 2-0, ndërsa ndeshja përfundoi 6-0 në favor të skuadrës së Cerch Fabregas.

Kjo situatë ndodh në një kohë kur Kombëtarja po përgatitet për fazën play-off të Kupës së Botës, dhe trajneri Sylvinho kërkon t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion. Për t’u theksuar, Ismajli pak javë më parë ishte rikthyer nga një lëndim.

/a.f/

 

The post Dëmtohet Ismajli, mbrojtësi kuqezi probleme në kavilje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërron jetë rumuni në burgun e Shkodrës

25 January 2026 at 13:38

TIRANË, 25 janar/ATSh/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se sot, në Institucionin e Ekzekutimin e Vendimeve Penale në Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.

Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).

Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin.

/a.f/

The post Ndërron jetë rumuni në burgun e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin

25 January 2026 at 09:50

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një reagim për mediet u shpreh se në asnjë vend të Europës kryeministri nuk mbron korrupsionin.

Duke iu referuar reagimit të kryeministrit Edi Rama, të publikuar mëngjesin e së dielës mbi protestën e opozitës, ku ai theksoi se në asnjë vend të Europës dhuna nuk është pjesë e programit të një partie politike, Bardhi nënvizon se “askund në Europë, kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit”.

“Edi Rama është një kryeministër i skaduar dhe mbrëmë reagoi kundër protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

“Kudo në Europë, kur një kryeministër kapet në skandale dhe u përgjigjet qytetarëve me dhunë, ai nuk qeveris më. Ai largohet. Nuk fshihet pas propagandës. Nuk kriminalizon opozitën. Nuk dhunon qytetarët”, vijon reagimi.

Sipas Bardhit, “askund në Europë kryeministri nuk shndërrohet në avokat të korrupsionit, siç po bën Edi Rama me Belinda Ballukun. Kur zëvendëskryeministrja implikohet në korrupsion, hetohet dhe merret e pandehur”.

“Askund në Europë një kryeministër nuk paracakton tenderat. Askund në Europë një kryeministër nuk cakton një koordinator mes qeverisë dhe krimit të organizuar, siç ka bërë Edi Rama me Ergys Agasin. Askund në Europë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë. Askund në Europë kryeministri nuk sulmon drejtësinë për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes së vet dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë”.

“Po, kudo në botë, regjimet e korruptuara dhe diktaturat reagojnë me dhunë ndaj protestuesve. Ky është Edi Rama, sepse vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave. As gazi i skaduar, as uji me piper nuk do ta mbrojnë më.

Koha e kryeministrit të korrupsionit dhe e karteleve të drogës ka skaduar”, përfundon Bardhi.

Foto e publikuar nga Kreu i grupit parlamenbtar te PD, Gazment Bardhi

 

The post Bardhi: Askund në Europë Kryeministri nuk mbron korrupsionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

46 vjet nga nderimi i Shën Terezës me çmimin më të lartë të Indisë

25 January 2026 at 09:45

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ Shën Tereza më 25 janar 1980 nderohet me çmimin më të lartë civil të Indisë, Bharat Ratna. Jetën e saj, kjo humaniste shqiptare ia kishte përkushtuar më të varfërve, dhe çmimi ishte mirënjohje për bamirësinë e saj.

Nënë Tereza ishte ideatorja e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë për të ndihmuar personat e varfër.

Në vitin 1962, qeveria e Indisë nderoi Nënë Terezën me çmimin Padma Shri, për ndihmën e saj për trupat e Indisë. Ajo u nderua me çmimin Jawaharlal Nehru për Mirëkuptim Ndërkombëtar në vitin 1969.

Në vitin 1979 ajo pranoi çmimin Nobel për Paqen dhe u shenjtërua më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II dhe u shenjtërua më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku.

/Kosovapress/

The post 46 vjet nga nderimi i Shën Terezës me çmimin më të lartë të Indisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

65 vjet nga transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë

25 January 2026 at 09:43

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ 65 vjet më parë nisi transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë.

Pra, më 25 janar 1961, miliona amerikanë panë transmetimin e parë të drejtpërdrejtë televiziv të një konference presidenciale shtypi. Presidenti John Kennedy që kishte filluar nga detyra 5 ditë më parë, iu përgjigj pyetjeve të reporterëve për rreth 35 minuta.

Kjo ishte e para e shumë konferencave shtypi, të transmetuara drejtpërdrejt nga televizioni, që presidenti Kennedy mbajti gjatë më pak se tre vjetëve në detyrë. Zoti Kennedy, i cili ishte 43-vjeç kur bëri betimin si president i vendit, ishte i qetë, plot besim në vetvete dhe mendjemprehtë në konferencat e drejtpërdrejta televizive të shtypit.

Ndihmësit e tij i shihnin këto konferenca shtypi si një mjet për të bërë të njohur popullin amerikan me cilësitë dhe aftësitë komunikuese të presidentit Kennedy. Transmetimet e këtij lloji në fakt e shtuan popullaritetin e presidentit amerikan.

/KosovaPress/

The post 65 vjet nga transmetimi i parë drejtpërdrejtë televiziv në Amerikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌