Shqipëria po përjeton kthimin e emigrantëve në vend
TIRANË, 5 janar/ATSH/ Shqipëria po përjeton një rritje të dukshme të rikthimit të emigrantëve.
Sipas të dhënave të Anketës Kombëtare të Migracionit 2024, e realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, 22% e emigrantëve shqiptarë janë rikthyer në vend.
Të dhënat tregojnë se vetëm gjatë 12 viteve të fundit, 109 mijë shqiptarë janë kthyer në Shqipëri. Nga këta, gati gjysma, ose 45%, janë rikthyer midis viteve 2020 dhe 2024, duke treguar se ritmi i kthimeve është përshpejtuar ndjeshëm në vitet e fundit.
Sa i përket moshës, shumica e personave të rikthyer janë mbi 35 vjeç, ndërsa 29% janë 25-34 vjeç. Vetëm 9% janë të rinj 15-24 vjeç, që tregon se rikthimi i emigrantëve përqendrohet kryesisht tek të rriturit që janë të gatshëm për të punuar.
Shumica e të rikthyerve vijnë nga Italia dhe Greqia, ndërsa emigrantët që jetojnë në vende më të largëta kthehen më rrallë.
Sa i përket punësimit, meshkujt e rikthyer punësohen në masën 67%, krahasuar me shkallën prej 59% për meshkujt jomigrantë.
Ndërsa femrat e rikthyera kanë një performancë të ngjashme me femrat jomigrante (34% krahasuar me 36%).
Shkalla e vetëpunësimit te të rikthyerit është rritur me kalimin e kohës. Nga 7% për ata që u kthyen midis viteve 2000-2004 në 29% për ata që u kthyen gjatë viteve 2015-2024, duke arritur kulmin, 34% për ata që u kthyen në periudhën 2010-2014.
Gratë që kthehen herët kanë një shkallë më të lartë të vetëpunësimit (41%) krahasuar me meshkujt (25%).
Shumica e vetëpunësimeve janë punë individuale (91-93%), por të rikthyerit janë më të prirur të bëhen punëdhënës me punonjës të paguar, veçanërisht ata që kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet jashtë vendit.
/r.e/a.f/
The post Shqipëria po përjeton kthimin e emigrantëve në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.