Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Rinumërimi në Skenderaj, këto janë ndryshimet te votat e kandidatëve

22 January 2026 at 19:10


Dyshimet për manipulime të votave brenda partive janë shfaqur edhe në Skenderaj, ndonëse jo në një masë të theksuar.

Pas rinumërimit të 100 për qind të votave, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i janë hequr 94 vota. Nga e njëjta parti, Shahin Dervishajt i janë zbritur 42 vota, ndërsa Sala Jasharit 36 vota.

Dallime në numrin e votave janë evidentuar edhe te Lëvizja Vetëvendosje.

Kaltrina Gruda ka rezultuar me 30 vota më pak pas rinumërimit, ndërsa Fatos Geci me 13 vota më pak.

Ndërkohë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fadil Gecit i janë hequr 22 vota pas procesit të rinumërimit./Telegrafi/

Hamza: PDK-ja hyn në fazë të re riorganizimi, zgjedhjet e brendshme hap i domosdoshëm

19 January 2026 at 17:38


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia po hyn në një fazë të re riorganizimi, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të brendshme për forcimin dhe hapjen e mëtejme të PDK-së.

Hamza ka bërë të ditur se për këtë proces ka diskutuar edhe me kryetarët e degëve, duke e cilësuar atë si një hap të domosdoshëm për konsolidimin e strukturave partiake.

“PDK-ja po hyn në një fazë të re riorganizimi. Zgjedhjet e brendshme, për të cilat sot diskutova edhe me kryetarët e degëve, janë hap i domosdoshëm për forcimin e PDK-së,” ka shkruar Hamza.

Ai ka theksuar se ambicia e partisë është më e madhe, pasi sipas tij, Kosova ka nevojë për një PDK më të fortë, më të hapur dhe më të organizuar. Në këtë drejtim, Hamza ka vënë theksin te puna e vazhdueshme në terren, aktivizimi i degëve dhe krijimi i hapësirës më të madhe për të rinjtë në të gjitha nivelet e partisë.

“Kjo kërkon punë të vazhdueshme, degë aktive dhe hapësirë më të madhe për të rinjtë, në çdo nivel të partisë,” ka shtuar ai.

Në fund, kryetari i PDK-së ka nënvizuar se ky proces është rruga drejt një partie më afër qytetarëve dhe gjithmonë në shërbim të Kosovës.

“Kjo është rruga për një PDK më afër qytetarëve dhe gjithnjë në shërbim të Kosovës,” ka shkruar Hamza në Facebook./Telegrafi/

PDK kërkon rinumërim të votave në të gjithë Kosovën

19 January 2026 at 14:00

PRISHTINË, 19 janar /ATSh/ Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar lidhur me rinumërimin e pjesshëm të votave, duke e cilësuar situatën si “tepër shqetësuese” për shkak të mospërputhjeve të mëdha të zbuluara.

Ai ka vlerësuar se, në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor.

Sipas Hamzës, çdo vonesë apo hezitim përbën cenim të drejtpërdrejtë të besimit qytetar.

“Në këto rrethana të krijuara, si Kryetar i PDK-së vlerësoj se rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë. Institucionet përgjegjëse e kanë detyrim kushtetues të veprojnë menjëherë për ta mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Çdo vonesë apo hezitim është cenim i drejtpërdrejtë i besimit qytetar”, shkruan Hamza në Facebook.

Personat që vërtetohet se kanë cenuar vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e 28 janarit 2025 mund të dënohen nga 3 deri në 5 vjet. Kështu thonë njohësit e çështjeve juridike të cilët theksojnë se falsifikimi i rezultatit zgjedhor përbën vepër të rëndë penale, raporton KosovaPress.  

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, i ka cilësuar manipulimet me vota si një nga skandalet më të mëdha që ka cenuar integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Ndërsa, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar për KosovaPress se në varësi nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera.


/KosovaPress//r.e/

The post PDK kërkon rinumërim të votave në të gjithë Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hamza kërkon rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën pas mospërputhjeve të evidentuara

19 January 2026 at 11:35


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas gjetjeve nga rinumërimi i pjesshëm i votave, duke i cilësuar si tepër shqetësuese mospërputhjet e mëdha të evidentuara gjatë këtij procesi.

Në një reagim publik, Hamza ka vlerësuar se në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Ai ka theksuar se institucionet përgjegjëse kanë obligim kushtetues të veprojnë pa vonesë për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve, duke paralajmëruar se çdo hezitim apo vonesë në veprim cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

Sipas Hamzës, transparenca dhe veprimi i menjëhershëm institucional janë thelbësore për ruajtjen e besimit publik dhe funksionimin demokratik të vendit. /Telegrafi/


Iu hoqën mbi 3 mijë vota, reagon Hasani: Votat e mia u rritën padrejtësisht - drejtësia të mos hesht

19 January 2026 at 09:55


Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Nait Hasani ka reaguar lidhur me manipulimin e votave ku nga procesi i rinumërimit të disa vendvotimeve atij i janë larguar deri më tani 3 mijë e 414 vota.

Sipas tij, procesi ka shkaktuar cenim të rëndë të vullnetit të lirë të qytetarëve dhe manipulim të emrit të tij.

“Me atë që pash në rinumërim, votat e mia janë rritur në mënyrë të padrejtë, duke u përdorur emri im për manipulime të papranueshme zgjedhore. Ky veprim përbën jo vetëm shkelje ligjore, por edhe akt të rëndë moral dhe politik”, ka shkruar Hasani.

Ai refuzon çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarëve dhe siguron se qëndron pranë demokracisë dhe transparencës.

“Unë refuzoj kategorikisht çdo votë që nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarit. Nuk kam hyrë në politikë për të fituar me mashtrime, por për të fituar me besim. Nuk kam nevojë për vota të vjedhura, sepse respektoj votën e ndershme më shumë se çdo rezultat”, u shpreh Hasani.

Hasani thekson gjithashtu rëndësinë e drejtësisë dhe përkushtimin e tij për të mbrojtur të ardhmen demokratike të vendit.

“Drejtësia nuk duhet të heshtë. As unë nuk do të hesht. Unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e qytetarëve, në anën e votës së lirë dhe në anën e së vërtetës, edhe nëse kjo rrugë është më e vështirë. Ky reagim nuk është për të mbrojtur vetëm emrin tim, por për të mbrojtur të ardhmen demokratike të Kosovës”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Rreth 6 mijë vota më pak pas rinumërimit, reagon Paçarizi

18 January 2026 at 17:17


Procesi i rinumërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ngritur shqetësime serioze për integritetin e zgjedhjeve, duke nxitur reagime publike dhe thirrje për hetime të thelluara institucionale.

Me mbi gjysmën e procesit tashmë të përfunduar, rinumërimi i pjesshëm i votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka nxjerrë në pah mospërputhje të shumta.

Sipas të dhënave nga rinumërimi, disa kandidatë kanë rezultuar me mijëra vota më shumë gjatë numërimit fillestar sesa u takonin realisht.

Ndër ta është edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Fetah Paçarizi, i cili pas rinumërimit ka humbur gjithsej 5.942 vota. Për këtë çështje, Paçarizi ka reaguar publikisht, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe serioze.

“Çfarë po ndodh gjatë procesit të rinumërimit të votave nga KQZ është shqetësuese dhe cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor”, ka deklaruar Paçarizi, duke theksuar se këto zhvillime ngrenë dyshime të arsyeshme mbi korrektësinë e numërimit dhe rinumërimit të votave.

Ai ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, me qëllim garantimin e transparencës, barazisë dhe respektimit të vullnetit real të qytetarëve.

Paçarizi ka sqaruar se është i përfshirë rishtas në politikë dhe se nuk ka mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë ndikim në procesin zgjedhor dhe se distancohet nga çdo keqpërdorim apo manipulim i mundshëm i votës.

Në reagimin e tij, ai ka bërë thirrje që Prokuroria e Shtetit të nisë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale, ndërsa ka kërkuar nga KQZ-ja që të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj.

“Pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore”, ka theksuar Paçarizi, duke kërkuar transparencë, hetim dhe përgjegjësi për të ruajtur besimin në procesin zgjedhor./Telegrafi.

Iu hoqën mbi 2 mijë vota, Veselaj-Gutaj: Kjo nuk është demokraci, por sabotim i shtetit

18 January 2026 at 15:56


Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në procesin zgjedhor, duke thënë se i është cenuar integriteti personal dhe politik, si dhe integriteti i shtetit demokratik.

Në një postim publik, ajo ka theksuar se këtë vit shënon 20 vjet angazhim politik dhe se për herë të parë, sipas saj integriteti i saj është cenuar nga keqmenaxhimi i procesit zgjedhor.

“20 vjet të jetës sime kam punuar me profesionalizëm, parime të drejta, kompetencë dhe integritet, i cili për herë të parë në jetën time po më cenohet nga individë që procesin zgjedhor e kanë menaxhuar me papërgjegjësi dhe agjenda të panjohura për mua dhe pa dijeninë time”, ka shkruar Veselaj-Gutaj.

Ajo ka vlerësuar se tjetërsimi i votës përbën një nga goditjet më të rënda ndaj demokracisë dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë.

“Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund assesi të falet”, ka theksuar ajo.

Sipas Veselaj-Gutajt, ajo që ka ndodhur nuk mund të quhet thjesht vjedhje, por sabotim i shtetit dhe i procesit demokratik.

“Kjo nuk është demokraci, madje nuk mund ta quajmë as vjedhje, është sabotim i shtetit, dhe i gjithë asaj për çka sakrifikuam në këtë çerek shekull”, ka shkruar ajo.

Veselaj-Gutaj ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe që të bëhet rinumërim i votave në të gjitha komunat.

“Kjo dukuri që i preku të gjithë kandidatët pa asnjë përjashtim… duhet të ndalohet qysh tash dhe të papërgjegjshmit të sillen para përgjegjësisë. Madje rinumërimi duhet të bëhet në të gjitha komunat”, ka theksuar ajo.

Pavarësisht zhgënjimit, ajo ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj politik.

“Ndonëse e mllefosur dhe e zhgënjyer me këtë dukuri të shëmtuar, unë do të vazhdoj rrugën time në karrierën politike me plot përgjegjësi, kompetencë dhe integritet”, ka përfunduar Veselaj-Gutaj.

Kujtojmë se ish-deputetes së PDK-së deri tash i janë larguar mbi dy mijë vota pas rinumërimit. /Telegrafi/

PDK: Vota e qytetarëve është e shenjtë, çdo cenim i saj është i papranueshëm

18 January 2026 at 11:43


Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka deklaruar se po e përcjell me vëmendje procesin e rinumërimit të votave dhe mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të vendit.

Në një komunikatë për media, PDK thekson se çdo indikacion për cenim apo manipulim të votës është i papranueshëm.

“Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkel parimet demokratike që ne mbrojmë,” thuhet në deklaratë.

Subjekti politik rikujton se çdo votë duhet të trajtohet me respekt dhe kujdes nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve, duke theksuar se eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve.

PDK shton se pret me besim konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe rikonfirmon përkushtimin e saj për integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve./Telegrafi/

Kush janë kandidatët më të favorizuar dhe cilët u dëmtuan më shumë pas rinumërimit të gjysmës së votave

17 January 2026 at 23:34


Kur janë rinumëruar gati gjysma e kutive të votimit nga 914 që janë dërguar për verifikim, janë vërejtur ndryshime të dukshme në votat e kandidatëve për deputetë.

Nga tri partitë më të votuara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shfaq më së shumti ndryshime në votat për kandidatët pas nisjes së rinumërimit të pjesshëm, raporton Telegrafi.

Në shumicën e rasteve, kandidatëve të caktuar u janë shtuar vota në masë të madhe, derisa pas rinumërimit ka pasur edhe kandidatë të dëmtuar me mbi 500 vota.

Në partitë tjera ndryshimet kanë qenë të vogla.

PDK– Kandidatëve që më së shumti iu hoqën vota pas rinumërimit

Fetah Paçarizi: -4,416 vota

Nait Hasani: -2,416

Kujtim Gashi: -1,710

Arianit Çollaku: -1,434


PDK– Kandidatëve që më së shumti iu rikthyen votat nga KQZ pas rinumërimit

Uran Ismaili: +531 vota

Arian Tahiri: +464

Përparim Gruda: +379

Vlora Çitaku: +353


LDK– Kandidatëve që më së shumti iu hoqën vota pas rinumërimit

Xhavit Uka: -1,105 vota

Driton Selmanaj: -773

Anton Quni: -440

Visar Azemi: -352


LDK– Kandidatëve që më së shumti iu rikthyen votat nga KQZ pas rinumërimit

Paris Guri: +150 vota

Gëzim Hazrolli: +112

Festim Kabashi: +89

Ukë Rugova: +82


LVV– Kandidatëve që më së shumti iu hoqën vota pas rinumërimit

Arbër Rexhaj: -457 vota

Rea Krasniqi: -425

Valon Ramadani: -380

Dafina Alishani: -310


LVV– Kandidatëve që më së shumti iu rikthyen votat nga KQZ pas rinumërimit

Hajrulla Çeku: +111 vota

Alban Bajrami: +91

Driton Hyseni: +74

Hekuran Murati: +68

Procesi i rinumërimit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa KQZ-ja ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të plotë të verifikimit të të gjitha vendvotimeve të përfshira në këtë proces./Telegrafi/

PDK shpenzoi rreth 272 mijë euro për fushatën e zgjedhjeve lokale

16 January 2026 at 15:33


Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpenzuar rreth 272 mijë euro për fushatën e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025.

Përmes një raporti të KQZ-së bëhet e ditur se këto shpenzime janë kryesisht për reklama rreth 50 mijë euro dhe shpenzimet lidhur me donacionet dhe kontributet ne natyrë në mallra dhe shërbim rreth 222 mijë euro.


Ndërsa, sa i përket donacioneve dhe kontributeve kjo parti ka pranuar rreth 25 mijë euro.

Për më shumë shikoni raportin e plotë. /Telegrafi/

PDK: Gjykimi në Hagë të përmbyllet me drejtësi dhe liri për çlirimtarët

16 January 2026 at 13:59


Pas njoftimit të Gjykatës Speciale se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që mbi pesë vjet, Partia Demokratike e Kosovës thekson edhe një herë nevojën që ky proces, i shoqëruar me problematika serioze, të përmbyllet me drejtësi.

PDK thekson se ky proces është karakterizuar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

“Këto rrethana kanë cenuar perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe kanë rënduar padrejtësisht mbi çlirimtarët dhe ish-udhëheqësit e shtetit tonë, të cilët tashmë kanë kaluar një periudhë të gjatë në paraburgim”, thuhet në njoftim.

PDK thekson tutje se në këtë fazë përmbyllëse është thelbësore që gjykimi të përqendrohet ekskluzivisht te drejtësia e paanshme, te faktet dhe te provat, duke u larguar nga çdo qasje politike, interpretuese apo spekulative që e ka shoqëruar këtë proces gjatë këtyre pesë viteve.

“Dëshmitarët kyç në këtë proces gjyqësor kanë hedhur poshtë në mënyrë të qartë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar çdo dyshim mbi fajësi individuale, grupore apo komanduese. Këto dëshmi kanë kontribuar ndjeshëm në sqarimin e rrethanave faktike dhe kanë rrëzuar bazën e akuzave të prokurorisë.

Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, paqes dhe drejtësisë, duke besuar se vetëm një vendim i drejtë dhe profesional mund të kontribuojë në mbylljen e këtij kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, drejtësinë ndërkombëtare dhe të ardhmen e rajonit tonë”, thuhet tutje në reagimin e PDK-së. /Telegrafi/

Situatë “win-win” për Kurtin, Sopjani paralajmëron LDK-në dhe PDK-në për zgjedhjen e presidentit

15 January 2026 at 22:21


Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit arriti rezultatin më të mirë në historinë e saj me 51 për qind të votave.

Zgjedhjet i dhanë LVV-së shumicën për formimin e Qeverisë, ndërsa presidenti mbetet ende një pikëpyetje.

Në këtë kontekst, avokati Shkëlzen Sopjani komentoi në FIVE të TV Dukagjinit mbi rëndësinë e veprimeve të partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas Sopjanit, LDK-ja mund të fitojë kohë dhe të rifitojë ndikim vetëm përmes bashkëpunimit me Kurtin, i cili ka “dy karta shumë të forta” në zgjedhjen e presidentit.

Ai theksoi se, nëse Kurti mbështet Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, kjo mund ta vendosë LDK-në në një pozicion delikat, ndërsa PDK-në nëse mbështetet një kandidat tjetër.“Shpëtimi i LDK-së është një proces më i ngadaltë, më i mirë menduar. Prej bazës e lart. Në këtë proces LDK-në i vyen me ble kohë. Mundësia e vetme e LDK-së me fitu atë kohë, është të bashkëpunojnë me Kurtin. Sepse të zgjedhja e presidentit Albin Kurtit i ka dy karta shumë të forta".

"Nëse shkon me Vjosa Osmanin, që së paku ende nuk ka indicie të qarta që do të shkoj me Osmanin si kandidate për presidente… përkundra janë disa lëvizje që lënë të kuptohet që mund të jetë dikush tjetër. Nëse shkon me një kandidat tjetër mund ta vendos në pozitë të jashtëzakonisht të keqe PDK-në dhe ta dëmtoj PDK-në. Nëse PDK-ja nuk e voton kandidatin në fjalë. Apo nëse shkon me Vjosa Osmanin prapë e vendos në pozitë shumë të keqe LDK-në. Pra Kurti e ka ‘win win’. Duhet të jenë shumë të kujdesshme se si do t’i qasen zgjedhjes së presidentit. Sepse me një kandidat apo tjetër i vendos në pozitë të pa lakmueshme qoftë PDK-së, qoftë LDK-në dhe ajo u kushton me elektorat”, ka thënë Sopjani.

Refuzohet si e pabazuar ankesa e PDK-së, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së

15 January 2026 at 11:30


Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas një njoftimi për media thuhet se pasi PZAP ka hedhur si të pas-afatshme ankesën ZP.Anr.69/2025, të datës 08.01.2026.

"Ky subjekt politik, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar, mes tjerash, që Gjykata Supreme të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë, pas datës 29.12.2026, ora 16:00 dhe të përjashtojë nga numërimi të gjitha fletëvotimet me postë të pranuara pas këtij afati, përfshirë ato të pranuar më 02.01.2026 dhe 05.01.2026, si dhe të bëjë rishikimin e rezultatit zgjedhor, pa përfshirjen e këtyre fletëvotimeve", thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pathemeltë.

"Gjykata Supreme, nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, me të cilin e ka hedhë poshtë si të pas-afatshme ankesën e subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës", thuhet në njoftim.

Gjykata Supreme vlerëson se afatet ligjore janë garanci për palën ankuese dhe detyrim për organet përgjegjëse për shqyrtimin e ankesave brenda afatit kohor, ndërsa veçanërisht afatshmëria e ankesave në procesin zgjedhor është jetike për t’u përmbyllur si i tillë dhe të mos ketë prolongime kohore. /Telegrafi/

Hamza në Reçak: Liria jonë u ndërtua mbi sakrificën dhe gjakun e të rënëve

15 January 2026 at 10:17


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza bashkë me partiakët e tij ka bërë sot homazhe sot në shënimin e 27 vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Hamza pas homazhe në një prononcim për media ka thënë se me nderim dhe respekt nderojnë të rënët e kësaj masakre e cila ka kontribuuar në lirimin e vendit.

“Sot bashkë me strukturat jemi këtu për të shpreh nderimin dhe respektin për të rënët, që është një nga ngjarjet që ka kontribuuar në lirimin e Kosovës. Falënderoj William Wolker që ka bërë publike këtë ngjarje. Shprehim respektin deri në përulje për sakrificën e të rënëve”, ka thënë Hamza. /Telegrafi/

PDK akuzon Qeverinë Kurti për krizën energjetike, Mustafa: Do të inicojmë komision hetimor

14 January 2026 at 17:31


Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka thënë se kriza energjetike që e ka kapluar vendin dhe reduktimet e shpeshta ditëve të fundit, janë rezultat i keqmenaxhimit të sektorit të energjisë nga Qeveria Kurti.

Mustafa, në një konferencë për media, theksoi se barra e këtij dështimi po bie në kurriz të mijëra familjeve dhe bizneseve, të cilat ndonëse po i paguajnë faturat me çmime të larta, kanë mbetur pa furnizim të qëndrueshëm dhe pa siguri energjetike.

“Kosova sot po përballet me një krizë serioze energjetike, të shoqëruar me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike në të gjithë territorin e saj. Është tërësisht e papranueshme që qytetarët e Kosovës të përballen me errësirë, mungesë të ngrohjes dhe pasiguri të madhe në dimër, në kohën kur nevoja për energji elektrike është më e madhe se kurrë, e kur siguria dhe stabiliteti janë jetike. Kjo krizë nuk ka ardhur rastësisht. Kjo krizë është pasojë direkte e një keqmenaxhimi pesëvjeçar, të papërgjegjshëm dhe pa vizion, të sektorit të energjisë nga kjo Qeveri”, tha ai.

PDK shpreh solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët e Kosovës, që këto ditë janë duke u përballur me reduktime në temperatura të ulëta të dimrit, me pasiguri në furnizim dhe me kosto të papërballueshme.

“Përveç dështimit për të siguruar prodhim të mjaftueshëm vendor të energjisë elektrike, Kosova është detyruar të rrisë ndjeshëm importin e energjisë, i cili po realizohet me çmime jashtëzakonisht të larta dhe në dëm të interesit publik”, tha Mustafa.

Mustafa kërkoi nga Qeveria e Kosovës të mos arsyetohet për këtë gjendje alarmante, por të marrë veprime të menjëhershme, për tejkalimin e saj.

“Kërkojmë masa emergjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, transparencë të plotë për kontratat e importit dhe prezantimin e një plani të qartë, serioz dhe të besueshëm për garantimin e sigurisë energjetike të vendit. Është po ashtu e shqetësuese dhe e papranueshme që një sektor që për pesë vite me radhë është shoqëruar me afera dhe skandale të njëpasnjëshme, me dyshime serioze për korrupsion të madh, të mos përballet asnjëherë me llogaridhënie, por ta gëzojë vazhdimisht mbrojtjen politike të Qeverisë”, shtoi ai.

Mustafa paralajmëroi se me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, PDK do të kërkojë themelimin e një komisioni të ri parlamentar, me mandat të qartë dhe gjithëpërfshirës, për hetimin e të gjitha aferave, dyshimeve për keqpërdorime dhe keqmenaxhimit të thellë të sektorit të energjisë gjatë viteve të fundit.

“Qëllimi ynë është i qartë: zbardhja e të vërtetës, përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe institucionale, dhe garantimi i transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, kompetencë dhe vizion. Qytetarët meritojnë ngrohje në këto ditë të ftohta dhe siguri në furnizim, jo kriza të pafundme dhe justifikime boshe”, theksoi ai.

Hamza takon ambasadorin Walker: Me guxim i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak

13 January 2026 at 11:35


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka nisur sot ditën me ambasadorin William Walker.

Hamza në një postim në Facebook shkruan se ambasadori Walker me guxim i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak dhe nuk lejoi që e vërteta të mbetej e heshtur.

Lexoni të plotë postimin:

Ditën e sotme e nisa me mikun e madh të Kosovës, Ambasadorin William Walker. Në ditët e nderimit për viktimat e Masakrës së Reçakut, si çdo vit tjetër, Ambasadori Walker është pranë nesh, ashtu siç ishte edhe në janarin e vitit 1999, kur me guxim i dha jehonë botërore krimit serb në Reçak dhe nuk lejoi që e vërteta të mbetej e heshtur.

Miqësia dhe kontributi i Ambasadorit William Walker për Kosovën janë të jashtëzakonshme.

Faleminderit për gjithçka që ke bërë për Kosovën, Ambasador!. /Telegrafi/

PZAP refuzon katër ankesa, njëra e Haxhiut dhe tjetra e Nurës

12 January 2026 at 15:39


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar katër ankesa në lidhje me numërimin e votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas një publikimi në faqen zyrtare të PZAP-së, bëhet e ditur se ky institucion i ka konsideruar tri ankesa si të pas-afatshme, ndërsa një ankesë, sipas tyre, është tërhequr.

Ankesa e Bekim Haxhiut është hedhur e pas-afatshme me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të anuloj të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datë 29.12.2025 dhe të përjashtoj nga numërimi të gjitha fletëvotimet të pranuara pas këtij afati përfshirë ato të pranuara me 02.01.2026 dhe 05.01.2026, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës.

Po ashtu PZAP ka hedhur të palejuar ankesën e parashtruar nga kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura.

Nura nga PZAK kishte kishte kërkuar ëë të urdhërohet KQZ-ja që t’i numëroj të gjitha vendvotimet në Komunën e Skenderajt. /Telegrafi/

A mund të ketë bllokadë për zgjedhjen e Presidentit? Demi shpjegon pse nuk pritet krizë

12 January 2026 at 14:46



Zgjedhja e Presidentes apo Presidentit të ri të Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, nuk pritet të shoqërohet me bllokadë institucionale, pavarësisht debateve politike që mund të zhvillohen.

Sipas tij, bazë për këtë është vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës në rastin e Behgjet Pacollit, i cili përcakton qartë obligimin e deputetëve për të marrë pjesë në procesin e votimit.

“Deputetët janë të obliguar me marrë pjesë në votim. Edhe nëse nuk arrihet zgjedhja në dy rundet e para, në rundin e tretë Presidenti zgjidhet me 61 vota, por deputetët duhet të jenë të pranishëm”, u shpreh Demi në “Përballje Podcast”, shkruan Telegrafi.

Ai theksoi se partitë politike nuk kanë më hapësirë për manovra apo bllokada të qëllimshme, pasi përvoja e kaluar ka treguar se zvarritjet institucionale nuk u kanë sjellë përfitime politike.


“Bllokada disamujore, edhe pse realisht përgjegjësia ishte kryesisht e partisë në pushtet, në perceptimin publik përfundimisht nuk e dëmtoi Vetëvendosjen”, tha Demi, duke shtuar se kjo parti ka arritur ta menaxhojë narrativën politike në favor të saj.

Sipas analistit, një raund i ri zgjedhjesh parlamentare nuk do t’u konvenonte as partive opozitare.

Ai përmendi se Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të hyjë në procese të brendshme zgjedhore, ndërsa një lidership i ri nuk do të rrezikonte përballjen me zgjedhje të reja brenda pak muajsh.

- YouTube www.youtube.com

Një situatë e ngjashme, sipas tij, vlen edhe për Partinë Demokratike të Kosovës dhe AAK-në, të cilat nuk kanë interes të futen sërish në një cikël zgjedhor të shpejtë.

Demi foli edhe për faktorë të jashtëm që mund të ndikojnë në kalkulimet politike, përfshirë vendimet e mundshme nga Haga për ish-krerët e UÇK-së dhe PDK-së.

Në përmbyllje, Demi theksoi se rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe pjesëmarrja e mërgatës kanë treguar se Vetëvendosje, veçanërisht lideri i saj Albin Kurti, ka qenë disa hapa përpara në menaxhimin e skenarëve politikë.

“Edhe zvarritjet institucionale, në fund, janë shndërruar në avantazh elektoral për partinë në pushtet”, tha ai, duke shtuar se dalja më e ulët në votime në disa raste ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final.

Haliti zgjidhet sërish deputetë, thotë se mori mbështetje nga mijëra qytetarë

12 January 2026 at 10:12


Nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, Xhavit Haliti u zgjodh sërish deputetë i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ai mori 24 mijë e 603 vota.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Haliti falënderoi të gjithë ata që e përkrahën duke treguar se këto ditë ka pranuar me mijëra mesazhe urimi.

Ai tha se për mandatin e radhës e ka uruar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, si dhe nga kolegë deputetë nga Kosova.

“Mijëra urime! Faleminderit, President Begaj! Faleminderit kolegë, miq dhe qytetarë! Këto ditë kam pranuar mijëra mesazhe urimi nga qytetarë, miq dhe bashkëpunëtorë, si dhe nga personalitete të larta institucionale, përfshirë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ish-ministrin e Financave, Arben Malaj, dhe prefektin e Qarkut të Korçës, Nertil Jole, si dhe nga kolegë deputetë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, nga Parlamenti Evropian, Asambleja Parlamentare e NATO-s dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Faleminderit nga zemra për çdo urim dhe përkrahje”, ka shkruar Haliti në Facebook. /Telegrafi/


Bekim Haxhiu ankohet në PZAP për votat me postë

11 January 2026 at 17:01


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kontestuar votat me kusht dhe votat me postë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Haxhiu, i cili nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se ankesa e tij lidhet me shkelje serioze të integritetit të procesit zgjedhor, konkretisht me pranimin dhe numërimin e fletëvotimeve me postë pas afatit ligjor.

Në një postim në Facebook, ai ka theksuar se ligji parashikon qartë se fletëvotimet me postë pranohen vetëm deri më 29 dhjetor 2025, në orën 16:00, ndërsa sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota që kanë mbërritur pas këtij afati.

Haxhiu ka vlerësuar se kjo nuk është çështje teknike, por shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit, duke theksuar se asnjë vendim administrativ nuk mund të ndryshojë afatet ligjore.

Ai ka shtuar se pranimi i votave jashtë afatit ka ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, duke deformuar rezultatin zgjedhor.

“Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë. Pa ligj, nuk ka zgjedhje të ndershme”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

❌
❌