Koçiu në Durrës: Banorët t’u përgjigjen thirrjes së autoriteteve për evakuim
TIRANË, 8 janar /ATSH/ Në Durrës, në fshatin Vadardhë ka nisur evakuimi i banorëve, të cilët janë prekur nga përmbytjet.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu së bashku me Prefektin, Kryetaren e Bashkisë së Durrësit, si dhe drejtues e përfaqësues të emergjencave civile, Policisë së Shtetit e Forcave të Armatosura ishin në Njësinë Sukth i ri, një zonë e prekur orët e fundit nga përmbyjtja.
Ministrja Koçiu u bëri thirrje banorëve të prekur, t’u përgjigjen autoriteteve për evakuim.
“Parashikohen diku tek 500 qytetarë, të cilët do të evakuohen me mjetet e forcave të aramatosura. Situata paraqitet e vështirë. Aktualisht janë të dislokuara 6 mjete të forcave të armatosura, mbi 200 punonjës në terren në zonën e Vadardhës dhe po punojmë që të mos kemi asnjë incident”, tha Koçiu.
Sipas saj “ekipet e Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, Shërbimeve Zjarrfikëse, Mbrojtjes Civile dhe strukturave vendore janë në terren, në gatishmëri të plotë për t’iu gjendur pranë çdo familjeje dhe çdo qytetari të prekur nga situata e reshjeve”.
“Kjo sfidë kërkon durim, bashkëpunim dhe solidaritet. Jemi pranë qytetarëve, pa ndërprerje”, theksoi ministrja.
Koçiu u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, të bashkëpunojnë dhe të kërkojnë ndihmë në raste emergjence.
Ministria e Mbrojtjes dhe bashkia e Durrësit ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri.
Në zbatim Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësive administrative Sukth dhe Katund i Ri, bashkia Durrës.
/m.q/r.e/a.f/
The post Koçiu në Durrës: Banorët t’u përgjigjen thirrjes së autoriteteve për evakuim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.