Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE
TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryepeshkopi i Shqipërisë, imzot Joani zhvilloi sot në Bruksel një seri takimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në institucionet europiane.
Gjatë kësaj vizite, kryepeshkopi Joan u takua me komisionerin europian për Transportet e Qëndrueshme dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas. Biseda u përqendrua në rëndësinë historike të veprës së kryepeshkopit të lumur Anastas dhe në vizionin e Fortlumturisë së Tij për të ardhmen e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Kryepeshkopi theksoi angazhimin e tij që Kisha të mbetet një zë i fuqishëm, i pavarur dhe aktiv në shoqërinë shqiptare, e cila përballet me sfida të rëndësishme si emigracioni i të rinjve dhe ndryshimet demografike.
Gjithashtu, Fortlumturia e Tij u takua me kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin Marco Tarquinio, takim që mbart rëndësi të veçantë për shkak të rolit kyç që ky delegacion luan në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Në vijim, kryepeshkopi Joan zhvilloi një takim me bashkëkryetaren e grupit të punës për Dialogun Ndërfetar në Parlamentin Europian, eurodeputeten Željana Zovko, gjatë të cilit u diskutuan çështje që lidhen me lirinë fetare në Europë. Gjatë bisedës u theksua modeli i bashkëjetesës harmonike ndërfetare në Shqipëri, si dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet fetare, veçanërisht në lidhje me çështjet pronësore.
Në të gjitha takimet, Fortlumturia e Tij nënvizoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i dobishëm jo vetëm për komunitetet fetare dhe Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, por edhe për popullin shqiptar dhe për vetë Europën.
Këto takime u zhvilluan në kuadër të vizitës së kryepeshkopit Joan në Bruksel, nga 12 deri më 15 janar 2026, me rastin e konferencës që do të mbahet më 14 janar në Parlamentin Europian, me temë “Jeta, Vepra dhe Trashëgimia e Kryepiskopit të lumur Anastas”, e organizuar nga Parlamenti Europian në nderim të kryepeshkopit Anastas, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.
Prania e kreut të Kishës Ortodokse të Shqipërisë në qendrën e institucioneve europiane vlerësohet si e rëndësishme në këtë moment të rëndësishëm për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kisha Ortodokse e Shqipërisë, përmes veprimtarisë së saj të gjerë sociale, arsimore dhe shpirtërore, vazhdon të mbetet një urë lidhëse e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Europës.
/e.xh/a.f/r.e/
The post Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.