Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 January 2026Main stream

Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë vërshime në disa komuna të Kosovës

6 January 2026 at 08:30


Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të shumta në disa komuna të Kosovës, duke rrezikuar infrastrukturën dhe sigurinë e qytetarëve.

Në Drenas, shira të pandërprerë gjatë 24 orëve të fundit kanë përmbytur disa zona të qytetit, ndërsa sipas disa ankesave që ka marrë Telegrafi nga qytetarët, ata kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre.

Vërshime në Drenas

Telegrafi ka kontaktuar me Nexhmendin Grudën nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Drenasit, i cili ka thënë se aktualisht gjendja nuk është alarmante, por që zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit.

“Aktualisht në komunën tonë nuk është gjendja kritike, por që në bashkëpunim me zjarrëfikësit, jemi duke u dalë në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga reshjet e shiut. Zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit, por që situatën e kemi nën kontroll”, tha Gruda.

Meteorologët paralajmërojnë se reshjet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.

Situatë problematike vazhdon të jetë edhe në Malishevë, ku parkingu nëntokësor dhe nënkalimi për vetura janë përfshirë sërish nga uji. Ky objekt kishte dalë jashtë funksionit edhe pak ditë pas përurimit të tij, si pasojë e reshjeve dhe grumbullimit të ujit. Edhe pse Komuna e Malishevës më herët kishte deklaruar se problemi lidhej me bllokimin e sistemit të kullimit nga qytetarë të papërgjegjshëm, pamjet e fundit të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se situata nuk është zgjidhur. Parkingu mbetet i pakalueshëm për automjetet, duke shkaktuar vështirësi të konsiderueshme për drejtuesit e tyre.

Ndërkohë, Komuna e Gjakovës ka njoftuar se për shkak të shkrirjes së shpejtë të borës në zonat malore dhe reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja në disa pjesë të komunës paraqitet e paqëndrueshme. Më e rrezikuar situata është pranë lumenjve, të cilët po përballen me prurje të mëdha të ujit. Si pasojë, është bllokuar përkohësisht rruga “Bujar Roka” dhe ura e Shkugëzes, pasi kalimi është vështirësuar nga rritja e nivelit të lumit Erenik.

Situatë e rënduar është edhe në disa pjesë të Prishtinës, ku lagjet si Prishtina e Re, Dardania, Lakërishtë dhe disa zona të tjera janë duke u përballur me vërshime.


Vërshime të mëdha janë raportuar edhe në fshatin Fortesë të Rahovecit, ku pothuajse i gjithë fshati është vërshuar nga uji.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet e shiut nga data 3 deri më 5 janar 2026 kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve të ujit në pjesën perëndimore të vendit, veçanërisht në pellgun e Drinit të Bardhë.

Fshati Fortesë në Rahovec


Vërshime janë raportuar edhe në Gllarevë, më saktësisht në pjesën ku është duke u punuar në rrugën Klinë-Pejë, ku veturat janë duke hasur në vështirësi të kalojnë.


Situatë e rënduar raportohet edhe nga Lipjani, ku lexuesit e Telegrafit kanë dërguar edhe video se si veturat e kanë të vështirë të qarkullojnë lirshëm.



Lumenjtë që burojnë nga Alpet Shqiptare, përfshirë Erenikun, Bistricën e Pejës, Bistricën e Deçanit dhe Lumin e Istogut, kanë shënuar rritje të theksuar të niveleve, duke rritur rrezikun për dalje nga shtrati në disa zona.

Sasitë më të mëdha të reshjeve janë regjistruar në Junik me 231.5 mm, Gllogjan me 151.6 mm, Kuqishtë me 130.4 mm dhe Radoniq me 124.7 mm. Ndërkohë, niveli i lumit Erenik në Gjakovë ka arritur në 3.4 metra, një nga nivelet më të larta të matura gjatë kësaj periudhe.

Autoritetet komunale dhe institucionet përgjegjëse u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë pranë rrjedhave lumore, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi situata mbetet e ndjeshme dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme. /Telegrafi/

Yesterday — 5 January 2026Main stream

Zjarrfikësit lokalizojnë një zjarr në një objekt banimi në Gjakovë

5 January 2026 at 08:58


Njësitet e zjarrfikësve kanë intervenuar me sukses në shuarjen e një zjarri që ka përfshirë një shtëpi banimi në lagjen “Qazim Lleshi” në Gjakovë.

Sipas njoftimit të zjarrfikësve, falë reagimit të shpejtë të ekipeve në terren, zjarri është vënë nën kontroll dhe është parandaluar përhapja e tij në pjesë të tjera të objektit apo në shtëpitë përreth.

Nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara janë vetëm materiale, duke përfshirë katin e dytë të objektit.

Autoritetet përkatëse kanë bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme për sqarimin e shkaqeve të zjarrit. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Dhunohet një grua në Gjakovë

4 January 2026 at 09:01


Një rast dhunimi ka qenë objekt i hetimeve të Policisë së Kosovës pas raportimit të bërë nga një viktimë femër kosovare.

Sipas njoftimit zyrtar, viktima ka raportuar më 03 janar 2026 se ishte dhunuar pa dëshirën e saj nga një i dyshuar mashkull kosovar.

Rasti i është referuar Prokurorit kompetent dhe hetimet janë duke u zhvilluar nga njësitet përkatëse të Policisë. /Telegrafi/

Policia jep detaje për të shtënat në Gjakovë ku u plagos një e mitur e cila ishe kalimtare rasti

4 January 2026 at 08:40


Mbrëmjen e së shtunës, një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjakovën, ku në rrugën “Bardhyl Qaushi”, një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri drejt disa individëve,

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:20, kur i dyshuari, mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tre viktimave meshkuj kosovarë. Gjatë të shtënave, një predhë ka goditur edhe një vajzë të mitur e cila ka qenë kalimtare e rastit.

Si pasojë, e mitura ka pësuar lëndime trupore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku po merr kujdesin e nevojshëm. Nga informacionet e para, gjendja e saj është e stabile.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, ku kanë kryer kërkimet dhe gjetjen e katër gëzhojave, si dëshmi materiale. Policia ka konfirmuar se rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet intensive janë duke u zhvilluar për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori kompetent, ndërkohë që autoritetet policore bëjnë apel te qytetarët me çdo informacion të rëndësishëm që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. /Telegrafi/

Të shtëna me armë në Gjakovë, plagoset një e mitur kalimtare e rastit

3 January 2026 at 23:09


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Gjakovë, ku një vajzë e mitur ka mbetur e plagosur nga një plumb aksidental gjatë një incidenti me të shtëna me armë zjarri.

Vajza, e cila ishte kalimtare e rastit, është goditur në shpinë dhe ka pësuar lëndime.

Zëdhënësi i Policisë per Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka deklaruar se rasti ka ndodhur rreth orës 21:25, në rrugën “Bardhyl Qaushi”.

Ai bëri të ditur se një person mashkull i moshës madhore dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të disa individëve, me të cilët kishte pasur një mosmarrëveshje.

“Si pasojë e të shtënave, vajza ka mbetur e plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas personelit mjekësor, gjendja e saj është stabile,” ka deklaruar Elezaj.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa po punohet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit si dhe për sekuestrimin e armës së përdorur.

Komuna e Gjakovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me KRM “Çabrati” për vitin 2026

31 December 2025 at 12:29


Në prag të Vitit të Ri 2026, Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka nënshkruar marrëveshjen e radhës të bashkëpunimit me Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati”, partner i çmuar në kujdesin për mjedisin dhe qytetin.

“Edhe në vitin që po vjen, ekipi i KRM ‘Çabrati’ do të vazhdojë të kujdeset për gjelbërimin, mbjelljen e fidaneve dhe luleve, si dhe për mirëmbajtjen e autorrugëve,” tha Gjini, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për mirëqenien e qytetit.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të kompanisë.

“Shpreh mirënjohjen time për punën e palodhshme dhe përkushtimin që KRM ‘Çabrati’ jep për një Gjakovë më të pastër dhe më të bukur. Komuna e Gjakovës do të vazhdojë të qëndrojë krah kësaj ndërmarrjeje, me përkushtim të plotë ndaj mjedisit dhe qytetarëve tanë", përfundon shkrimi i Gjinit. /Telegrafi/


Mbi 50 raste të dhunës në familje brenda një jave, ekspertët: Problem shqetësues për Kosovën

26 December 2025 at 21:38


Dhuna në familje vazhdon të mbetet një dukuri shqetësuese dhe një ndër problemet e rënda shoqërore në Kosovë. Çdo vit, qindra gra, vajza dhe anëtarë të tjerë të familjes përjetojnë forma të ndryshme të dhunës.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka regjistruar disa raste të dhunës në familje si në Gjakovë e Drenas. Një burrë në Drenas u raportua se në vazhdimësi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Kurse një rast tjetër në Gjakovë, i dyshuari mashkull shtetas i Maqedonisë është dërguar në mbajtje për dhunë në familje.

Këto janë vetëm disa nga rastet e fundit të dhunës në familje, bazuar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka trajtuar gjithsej 61 raste të reja gjatë periudhës 19-26 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, pjesa dërrmuese e rasteve ka të bëjë me dhunën në familje, gjithsej me 52 raste. Po ashtu janë trajtuar edhe raste të rënda penale, përfshirë dhunim me 4 raste dhe vepra të tjera penale. Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur edhe 6 kërkesa për urdhër mbrojtje, kërkesa për urdhër mbrojtje Emergjente, Aktvendime të ndërprera, seanca gjyqësore, këshilla juridike etj.

Dhuna në familje vazhdon të jetë një nga dukuritë shqetësuese në shoqërinë tonë. Kështu thonë sociologët, duke i bërë të ditur ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve dhe masat që duhen ndërmarrë.

Sipas sociologut Lavdim Konushevci, shumë raste lidhen me familje të reja që kanë vështirësi në menaxhimin e konflikteve dhe tensioneve.

Ai thekson se ndaj dhunuesve të përsëritur, veçanërisht atyre me histori të veprave penale, shteti duhet të aplikojë masa më të ashpra ndëshkuese përmes ligjeve në fuqi.

Sipas Policisë, gjatë periudhës janar-tetor janë raportuar 2429 raste të dhunës në familje. Nga ky numër 1897 viktima janë femra, kurse 527 meshkuj.

Gjatë një jave, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit trajtoi 52 raste të dhunës në familje./RTK

Tentim vrasje në Gjakovë, viktima dërgohet në spital

22 December 2025 at 09:49


Një vrasje në tentativë ka ndodhur të dielën në Gjakovë rreth orës 19:23.

Si pasojë e të shtënave me armë nga persona të panjohur, një person ka mbetur i plagosur.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori.

Të dyshuarit pasi kanë kryer veprën janë larguar në drejtim të panjohur. Rasti në procedure hetimore. /Telegrafi/

Lekaj takon banorët e lagjes “Pjetër Bogdani” në Gjakovë: Mora përkrahje e fuqishme për AAK-në

21 December 2025 at 18:39


Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka zhvilluar sot një takim me banorët e lagjes “Pjetër Bogdani” në Gjakovë, ku thotë se është pritur me mikpritje të ngrohtë nga qytetarët e kësaj zone.

Lekaj ka bërë të ditur se familje të respektuara të kësaj lagjeje janë rreshtuar fuqishëm në përkrahje të Aleancës dhe, siç tha ai, ndryshimit për Kosovën.

Sipas tij, mbështetja e shprehur nga qytetarët është dëshmi e qartë e besimit ndaj AAK-së dhe programit të saj, duke e cilësuar këtë përkrahje si konfirmim të fitores së partisë dhe të numrit 129 në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Takimi u karakterizua nga diskutime të hapura me banorët, ku u theksua rëndësia e angazhimit qytetar dhe bashkëpunimit për zhvillimin e Gjakovës dhe të vendit në përgjithësi.


Hamza viziton bizneset në Gjakovë: Do të ndryshojmë ligjin për tatimin në pronë dhe do të ulim çmimin e energjisë

By: Telegrafi
21 December 2025 at 12:31


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar disa biznese në qytetin e Gjakovës, ku është takuar me përfaqësues të sektorit privat dhe punëtorë.

Gjatë vizitës te bizneset Heinze, Geli Fruits, G4SHI dhe Nertili, Hamza ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për bizneset vendore dhe ka theksuar rolin kyç të tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Si Kryeministër, do të jem partner dhe aleat i fuqishëm i sektorit privat, me investime, grante dhe mbështetje institucionale, në mënyrë që bizneset të përmirësojnë kushtet e punës dhe të rrisin pagat për punëtorët e sektorit privat,” ka deklaruar Hamza.

Ai ka bërë edhe zotime konkrete në favor të bizneseve dhe qytetarëve. Së pari, Hamza ka paralajmëruar ndryshimin e ligjit për rritjen e tatimit në pronë për objektet afariste, të miratuar nga qeveria aktuale.

“Ligjin për rritjen e tatimit në pronë do ta ndryshojmë, në mënyrë që barra financiare të mos rëndojë mbi bizneset,” ka theksuar ai.

Po ashtu, Hamza ka njoftuar se qeveria e tij do të heqë TVSH-në për energjinë elektrike, me qëllim të uljes së faturave për qytetarët dhe bizneset.

“Do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, që qytetarët dhe bizneset të paguajnë fatura më të ulëta të energjisë,” ka shtuar Hamza.

Kryetari i PDK-së ka bërë të ditur se ka nisur një tur nëpër qytetet e Kosovës, për t’u takuar drejtpërdrejt me qytetarë dhe biznese, si dhe për të shpalosur programin e tij për punë, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik./Telegrafi/


Vdes një grua në Gjakovë, Policia nis hetimet

20 December 2025 at 09:15


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një grua është dërguar pa shenja jete në Emergjencën e Gjakovës.

Rasti ka ndodhur të premten, në ora 23:00, në rrugën “Mbretëresha Teutë”.

“Është raportuar se në Emergjencë është sjellë pa shenja jete viktima femër kosovare, vdekjen e të cilës e ka konfirmuar mjeku kujdestar. Sipas mjekut viktima nuk ka pasur shenja të dhunës”, thuhet në raportin policor.

Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/

Pal Lekaj: Përkrahja për Aleancën po rritet çdo ditë në fshatrat e Gjakovës

19 December 2025 at 21:58


Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Pal Lekaj, ka zhvilluar takime me banorë të disa fshatrave të rajonit të Gjakovës, duke theksuar se mbështetja për Aleancën është më e fuqishme se kurrë.

Lekaj ka bërë të ditur se gjatë mbrëmjes ka takuar qytetarë nga fshatrat Fshaj, Ujzë, Mejë, Duznjë, Korenicë, Nec, Ramoc, Cufadol dhe Cermjan, të cilët, sipas tij, e kanë pritur me bindjen se pas 28 dhjetorit Aleanca do ta udhëheqë Kosovën.

Ai ka theksuar se përkrahja për AAK-në po dëshmohet në çdo takim me qytetarët dhe se mesazhi i tyre është i qartë për ndryshim dhe qeverisje të përgjegjshme.

“Aleanca është krah teje! Krah numrit 129!”, ka përfunduar Lekaj, duke bërë thirrje për mobilizim dhe mbështetje në zgjedhjet e ardhshme.


Abdixhiku sot në Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë - prezanton programin politik të LDK-së

18 December 2025 at 09:35


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojë sot tubime elektorale në Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë.

Gjatë këtyre takimeve, Abdixhiku do të prezantojë programin politik dhe vizionin e LDK-së për një Kosovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe me më shumë shpresë për qytetarët.



Në kuadër të tubimeve, përveç shpalosjes së programit qeverisës, do të prezantohen edhe kandidatët e LDK-së nga këto komuna, të cilët cilësohen si figura të dëshmuara, të përkushtuara dhe të gatshme për t’i shërbyer qytetarëve me ndershmëri dhe përgjegjësi. /Telegrafi/


Ndahen çmimet e festivalit mbarëkombëtar “Radiofest 2025”

15 December 2025 at 19:57

PRISHTINË, 15 dhjetor /ATSH/ Festivali mbarëkombëtar i radiove “Radiofest 2025” përmbylli edicionin e tij të 16-të, organizuar nga Radio Gjakova.

Gjakova u shndërrua në qendër të radiostacioneve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” u mbajt manifestimi përmbyllës ku u shpallën fituesit në garën për spot publicitar, raport radiofonik dhe reportazh që iu kushtua trashëgimisë kulturore.

Kështu vendi i parë për radioreportazh i takoi Radio Tiranës dhe autorit Jaho Margjeka, i dyti Radio Kosovës dhe i treti Radio Gjirokastrës. Në vendin e parë për raport radiofonik doli Radio Alba e Klinës, në të dytin Radio Lushnja dhe të tretin Radio Peja.

Ndërsa më të mirët në spote publicitare ishin Radio Plus (Prishtinë) me vendin e parë, pasuar nga Glam Radio (Prishtinë) dhe Radio Klea (Elbasan). Çmimi i organizatorit i takoi Radio Malit të Zi – seksionit shqip, Radio Prizrenit dhe Radio Ylberit (Mitrovicë).

Zëri më i mirë radiofonik i takoi Fitore Istrefi Alushi nga Radio Struga. Shpallja e fituesve në “Radiofest 2025” u shoqërua edhe me një program të pasur artistik me të ftuar nga Kosova dhe Shqipëria. Ky edicion i këtij festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës. /KosovaPress/

The post Ndahen çmimet e festivalit mbarëkombëtar “Radiofest 2025” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dokumentari “Erëza të lashta, shpirt i ri” i televizionit Arte tregon rinovimin e vreshtave dhe traditës kosovare

15 December 2025 at 11:18


Televizioni gjermano-francez "Arte" ka transmetuar të dielën dokumentarin “Erëza të lashta, shpirt i ri”, që i kushtohet vreshtave të Kosovës dhe projekteve inovative të Ali Alijajt në Nivokaz të Gjakovës dhe Brikena Gashit në Drenoc të Rahovecit.

Arte njihet për dokumentarët me cilësi të lartë, të punuar me kujdes dhe kreativitet, dhe ky film përfaqëson një udhëtim të thellë në kulturën dhe traditat kosovare të vreshtarisë.

Publicisti dhe gazetari Enver Robelli ka shkruar në Facebook se dokumentari sjell një portret të gjallë të rinovimit të traditës kosovare.

Dokumentari prezanton Ali Alijajn, i cili pas dekadash qëndrimi në Zvicër, Portugali e Gjermani, është kthyer në Kosovë për të krijuar distilerinë “Vidasus” në Nivokaz. Ai kombinon teknologjinë perëndimore me erëza nga Alpet shqiptare dhe fruta mali, duke rikthyer traditën e prodhimit të pijeve alkoolike dhe duke synuar zhvillim ekonomik lokal.

“Ne kemi tokë të mirë dhe ujë të mjaftueshëm”, thotë Ali Alijaj në dokumentar. “Na duhet vetëm një shtytje e vogël që motori të ndizet”.

Ai synon që, krahas distilerisë ekzistuese, të ndërtojë distilerinë më të madhe në Ballkan, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut.

Alijaj, i cili angazhon vajzat dhe gratë në punëtoritë e tij, është një shembull i fuqizimit gjinor në një industri tradicionalisht të dominuar nga burrat.

Në dokumentar përfshihet edhe historia e Brikena Gashit, e cila ringjalli vreshtat e braktisura të familjes së saj në Drenoc të Rahovecit dhe u bë gruaja e parë në vend që prodhon brendin e saj të rakisë.

“Për mua, ky nuk është vetëm një vresht,” shprehet Gashi, “por një punë që trimëron gratë të bëjnë diçka që ka qenë për një kohë të gjatë e rezervuar vetëm për burrat”.

Përveç prodhimit, ajo planifikon të organizojë edhe një festival muzikor mes hardhive, për të promovuar kulturën dhe traditën e rajonit.

Dokumentari i regjisores Michaela Kirst sjell pamje të peizazheve mbresëlënëse të Kosovës – nga kullat e lashta e rrëfimet historike deri te malet që herë ledhatohen nga dielli, herë mbështillen nga mjegulla – duke nxjerrë në sipërfaqe një Kosovë përtej klisheve dhe duke treguar potencialin e saj për zhvillim ekonomik dhe kulturor. /Telegrafi/


ZKA alarmon: Vetëm 2 nga 11 rekomandime u zbatuan nga MAPL dhe komunat

13 December 2025 at 23:19


Vetëm dy rekomandime janë zbatuar tërësisht, nga 11 sosh, sa Zyra Kombëtare e Auditimit ua kishte përcjellë Ministrisë së Pushtetit Lokal, dhe tri komunave në mars të vitit 2024 në raportin e auditimit të performancës.

Raporti i ri i ZKA-së nxjerr në pah se komunat kanë përdorur të dhëna të ndryshme nga njëra-tjetra për raporti, veprim i vlerësuar se sjell pasoja negative.

Në mars të vitit 2024, Zyra Kombëtare e Auditimit, e kishte publikuar raportin e auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”.

Përpos Ministrisë së Pushtetit Lokal, ishin audituar edhe komunat, Gjakovë, Klinë dhe Viti.

Nga 11 rekomandime, tri ishin për komunat, kurse tetë për MAPL-në.

Ndërsa raporti i ri i ZKA-së i publikuar në dhjetor të këtij viti tregon se nga 11 rekomandime vetëm dy prej tyre janë zbatuar plotësisht, tri janë në fazën përfundimtare të zbatimit, dy kanë filluar të zbatohen, ndërsa dy nuk janë adresuar fare.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kishte bërë përgatitjet e nevojshme për të filluar deklarimin e Performancës Komunale për vitin 2024. Kjo ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme si dhe pasiguri për kohën e fillimit të raportimit të të dhënave nga komunat. Rrjedhimisht raporti i performancës komunale është publikuar me 4.5 muaj vonesë gjë që ka shtyrë për po aq muaj procesin e vlerësimit të performancës komunale. Përveç kësaj kjo vonesë e ka bërë të pamundur përcjelljen/vlerësimin e plotë të zbatimit të rekomandimeve, pasi që procesi ende nuk ka përfunduar”- thotë Zyra Kombëtare e Auditimit në raport.

Në pjesën hyrëse të raportit thuhet se dy nga tri komunat e audituara, për raportim kanë shfrytëzuar të dhënat mbi regjistrimin e popullsisë të vitit 2024, ndërsa komuna e Klinës, ka raportuar duke u bazuar në regjistrimin e popullsisë së vitit 2011.

“…Kjo për shkak se MAPL-ja, nuk e kishte analizuar si duhet situatën për të marrë një vendim të qëndrueshëm lidhur me atë se cilat të dhëna duhet përdorur për raportim. Kjo ka krijuar pasiguri te komunat dhe për pasojë jo konsistencë në raportim, duke vënë në rrezik krahasueshmërinë dhe besueshmërinë e të dhënave të performancës komunale për vitin 2024.”- thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Krahas rekomandimeve që janë zbatuar dhe janë në fazë të zbatimit nga të gjitha palët e audituara, ZKA ka ardhur në përfundim se komunat ende nuk përdorin kanale të qarta dhe të formalizuara të komunikimit mes zyrtarëve raportues, koordinatorëve dhe kryetarëve.

Pos kësaj, vonesat në prokurim dhe koordinimi jo i duhur brendshëm në MAPL, thuhet se ka penguar zbatimin e plotë dhe efektiv të disa rekomandimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në procesin e raportimit të performancës komunale./ RTV Dukagjini

JUMBO hapet në Gjakovë: Zbritje dhe argëtim ju presin

12 December 2025 at 18:09


Sot qytetit të Gjakovës ju shtua edhe një destinacion tjetër blerjesh, një prej dyqaneve më të dashura për familjet, Jumbo. Dyqani është hapur në Gjakova Park, rruga “Nënë Tereza”, ku klientët do të gjejnë një përvojë të re blerjesh që u vjen akoma edhe më pranë.

Hapja është pritur me shumë interes nga qytetarët, të cilat kanë ardhur për të parë nga afër gamën e gjerë të produkteve që ofron JUMBO.

“E kemi konceptuar këtë dyqan që klientët të ndihen si në shtëpi, me një organizim praktik, staf të përkushtuar dhe produkte për çdo nevojë të përditshme. Me rastin e hapjes, në datat 12-14 Dhjetor, JUMBO ofron zbritje dhe argëtim për të gjithë.

Hapja e dyqanit Jumbo në Gjakovë është një tjetër hap në rrugëtimin e Jumbo për të qenë gjithnjë pranë klientëve të saj, me produkte cilësore, çmime të përballueshme dhe një përvojë unike blerjeje për çdo sezon.” – shprehet Adelina Sylejmani, përfaqësuese e Jumbo.

JUMBO është një kompani ndërkombëtare e specializuar në shitjen e dekorimeve për shtëpi, lodrave, artikujve për bebe, produkteve sezonale, organizimit, kozmetikës, etj. Të gjitha produktet Jumbo janë të certifikuara sipas rregullave të Bashkimit Europian dhe janë të sigurta për përdorim nga e gjithë familja.

JUMBO është pjesë e Grupit BALFIN, një nga grupet më të rëndësishme dhe më të suksesshme të investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.



Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë aktivizon shërbimin e kolonoskopisë me aparaturë të re

12 December 2025 at 13:29


Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar qytetarët se nga dita e hënë do të nisë zyrtarisht ofrimin e shërbimit të kolonoskopisë, pas furnizimit me aparaturë të re nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Me këtë pajisje moderne, spitali synon të rrisë cilësinë e diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve që kanë nevojë për ekzaminime të sistemit tretës.

Institucioni ka bërë të ditur se qytetarët që duan ta marrin këtë shërbim duhet paraprakisht të caktojnë një termin, në mënyrë që të sigurohet menaxhim më i mirë i pritjeve dhe trajtim i rregullt i pacientëve. /Telegrafi/


Handikos Gjakovë pranon donacion të pajisjeve ndihmëse nga organizata zvicerane

11 December 2025 at 14:50


Handikos Gjakovë ka shprehur mirënjohje të thellë për organizatën Mutter Teresa – HWV Schweiz dhe për Nue Zallin, për donacionin e pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas njoftimit, pajisjet tashmë kanë mbërritur te përfituesit që kishin nevojë më të madhe dhe më urgjente.

Po ashtu, Handikos ka falënderuar edhe për mbështetjen financiare të ofruar nga donatorët, duke e cilësuar atë si një kontribut të çmuar që do të përdoret me transparencë dhe përkushtim në shërbim të komunitetit.

“Gjestet tuaja kanë sjellë lehtësim dhe shpresë për shumë familje në komunën tonë. Faleminderit për zemërgjerësinë dhe humanitetin që dëshmoni! Së bashku vazhdojmë të bëjmë ndryshim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Ministria e Ekonomisë ndan edhe 100 mijë euro për Ngrohtoren e Gjakovës

10 December 2025 at 13:41


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar sot se institucioni që udhëheq ka ndarë edhe 100 mijë euro për Ngrohtoren e Gjakovës, me qëllim të garantimit të furnizimit të qëndrueshëm dhe me çmim të përballueshëm për qytetarët gjatë sezonit të dimrit.

Sipas saj, mbështetja financiare totale e Ministrisë së Ekonomisë për këtë ndërmarrje ka arritur rreth 2 milionë euro që nga funksionalizimi i ngrohtores me sistem kogjenerimi dhe biomasë në vitin 2021, projekt i realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Rizvanolli ka theksuar se pret që Ngrohtorja e Gjakovës të ofrojë shërbim të sigurt dhe stabil për familjet gjatë muajve të ftohtë, duke shmangur rritjen e panevojshme të konsumit dhe duke garantuar komoditetin e qytetarëve në periudhën më të ndjeshme të vitit. /Telegrafi/


❌
❌