Një person është arrestuar pasi që i njëjti është takuar në lokalin e tij duke luajtur poker së bashku me 14 persona të tjerë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 00:57, në Skenderaj.
Tutje bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një tavolinë në të cilën luhej pokeri, çipa dhe letra pokeri.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti është takuar në lokalin e tij duke luajtur poker së bashku me 14 persona të tjerë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një tavolinë në të cilën luhej pokeri, çipa të pokerit, letra për poker”, thuhet në raport.
Ndërkaq, me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
“Raportohet se brenda një lokali privat, persona të pa njohur dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri dhe kanë goditur me mjet të fortë viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK, ndërsa rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore”, thuhet në raport.
Një grua (shtetase e huaj) ka njoftuar se nga vetura e saj të cilën e kishte parkuar në parkingun e një lokale, persona të panjohur i kanë vjedhur çantën në të cilën kishte 1 mijë euro si dhe dokumente personale.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 02:00, në Ferizaj.
Tutje bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar.
“Viktima femër shtetase e huaj ka njoftuar se nga vetura e saj të cilën e kishte parkuar në parkingun e një lokali, të dyshuar të pa njohur i kanë vjedhur çantën në të cilën kishte 1,000 euro para të gatshme, dokumente personale të saj dhe të një famlijareje.Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Janë evakuuar gjashtë familje mbrëmjen e kaluar në zonën e Katundit të Ri në Durrës.
Sipas burimeve nga emergjencat civile këto familje kanë qenë të përmbytura, por nuk kishin pranuar më parë të linin banesat.
Me rritjen e prurjeve në lumin Erzen ato janë evakuuar si masë sigurie.
Situata raportohet në përmirësim në lagjet periferike të Durrësit, ndërsa prani uji vazhdon të ketë në zona të Katundit të Ri e Sukthit, si dhe në rrugën Kthesa e Perlatit Sukth- Hammallaj. /Tch/
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda në lidhje me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Kaçanik M.L, pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave ka ngritur aktakuzë kundër 6 të pandehurve me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G.
Sipas njoftimit thuhet se të dyshuarit dyshohen për veprën penale "Vrasje e rëndë".
"Për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin R.B, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter M.L, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes", thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim tutje thuhet se: “Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”. /Telegrafi/
Gjithçka shkrumb e hi. Këto janë pasojat që la pas zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu tregun pranë ish-uzinës “Dinamo”, në rrugën “5 Maji” në Tiranë.
Zjarri, i cili nisi në një magazinë, u përhap me shpejtësi, duke prekur mbi 100 biznese, malli i të cilave u kthye në shkrumb e hi, pavarësisht se forcat zjarrfikëse luftuan për më shumë se 6 orë për të neutralizuar flakët.
Dy kapanonet e djegura përfshijnë mbi 100 magazina, me një sipërfaqe totale prej 11 mijë metrash katrorë, ku tashmë kanë mbetur vetëm mbetjet e strukturave të shkatërruara.
Sipas policisë, zjarri nuk ka qenë i qëllimshëm. Burime nga grupi hetimor i thanë televizionit A2 CNN se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike, e cila mund të ketë ardhur nga kabllot e paneleve diellore. A2 CNN disponon edhe videon e momenteve të para kur nisi zjarri. Nga pamjet e kamerave të sigurisë duken qartë flakët pranë një kabulli elektrik.
Të gjithë tregtarët, objektet e të cilëve u dogjën, i kishin ato me qira. Ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti që subjektet nuk janë të siguruara, pasi nuk plotësojnë kushtet e nevojshme të sigurisë, për shkak se janë ndërtuar në kapanone. Për këtë arsye, tregtarët nuk mund të përfitojnë dëmshpërblim, edhe pse dëmi i pësuar është kolosal, ndërsa vlera totale e tij arrin deri në 50 milionë euro. (A2 Televizion)
Shtrenjtimi deri në dhjetëfishim i taksave gjyqësore me udhëzimin e ri administrativ, është përshtatjeje me realitetin ekonomik dhe standardet aktuale në Republikën e Kosovës.
Kështu është arsyetuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të premten, pas interesimit të KosovaPress.
Në përgjigjen e KGjK-së, thuhet se që nga viti 2017 nuk ka pasur asnjë ndryshim në, pavarësisht ndryshimeve të theksuara në standardin jetësor, zhvillimeve ekonomike dhe rritjes së kostove të sistemit gjyqësor.
Sipas këtij këshilli, vendimi për ndryshimin e taksave, është bërë duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe duke pasur parasysh zgjerimin e ndjeshëm të kategorive të liruara nga pagesa e taksave gjyqësore.
Duke u arsyetuar se taksat gjyqësore të përcaktuara me këtë udhëzim derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe nuk përbëjnë të hyra të drejtpërdrejta për Këshillin Gjyqësor të Kosovës apo për gjykatat, ky institucion bën me dije se udhëzimi i ri i ka liruar nga pagesa, shfrytëzuesit e asistencës sociale, familjet e dëshmorëve dhe të personave të zhdukur gjatë luftës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e viktimave civile të luftës, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, personat me aftësi të kufizuara, përfshirë personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër, si dhe personat që gëzojnë të drejtën për ndihmë juridike falas. /Kp/
Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e jashtëzakonshme, ka miratuar buxhetin për vitin 2026 me 33 vota për dhe asnjë kundër.
Shtyllat kryesore të buxhetit i prezantoi kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili bëri të ditur se buxheti për vitin 2026 arrin shumën prej 41.928.924 euro, apo afër 42 milionë euro.
Gjatë debatit, përkrahje paraprake për buxhetin dhanë Besnik Shala (VV), Nazim Gagica (AAK) dhe Naser Arifi (Guxo), duke parashtruar njëkohësisht edhe disa kërkesa për investime komunitare. Ndërkaq, opozita, përfaqësuar nga Gentrit Murseli (LDK) dhe Riad Rashiti (PDK), shfaqi kritika dhe vërejtje, duke e kushtëzuar votimin me inkorporimin e dhjetëra projekteve komunitare.
Pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike, kryetari Hyseni bëri të ditur se janë dakorduar që tetë nga 20 kërkesat e LDK-së të përfshihen në buxhet, në vlerë prej 764 mijë euro, si dhe kërkesa e partisë Guxo për rregullimin e parkut në Miresh. Sa i përket kërkesave të PDK-së, me theks të veçantë për varrezat e qytetit, ai tha se janë dakorduar që ato të inkorporohen gjatë bartjes së buxhetit në muajin shkurt, përkatësisht për rritjen e buxhetit për këtë projekt.
Në seancë kontribuuan me kërkesa, kritika dhe rekomandime edhe asamblistët Muhadin Haziri, Sami Ahmeti, Bujar Nevzati, Fitim Guda, Fatos Ramadani, Lirije Kosumi, Burhan Isufi dhe Gresa Avdiu.
Po ashtu, në seancën e sotme dha betimin anëtari më i ri i Kuvendit Komunal, Renan Imam, ndërsa Kuvendi zgjodhi edhe nënkryetarin për Komunitete, Kadir Hysein. /KP/
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa zona të vendit, duke sjellë dëme materiale në disa komuna.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara kur Komuna e Vushtrrisë ishte ndër më të goditurat, këtë herë ka pasur më pak raportime për vërshime në këtë komunë.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata aktuale është rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme që janë bërë gjatë mandatit të tij në shtretërit e lumenjve, përroskave dhe kanaleve kulluese.
Sipas Idrizit, në fillim të mandatit gjendja e këtyre shtretërve nuk ka qenë e mirë, pasi për një periudhë të gjatë nuk ishte bërë pothuajse asnjë mirëmbajtje.
“Në fillim të mandatit, gjendja e shtretërve të lumenjve, por edhe e përroskave dhe kanaleve kulluese në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë nuk ka qenë e mirë. Për një periudhë të gjatë nuk është bërë pothuajse asgjë për mirëmbajtjen e tyre, gjë që ka sjellë bllokimin e shtretërve me dhe, mbeturina dhe shkurre. Si pasojë e kësaj gjendjeje, Komuna e Vushtrrisë ndër vite është përballur vazhdimisht me vërshime, duke rrezikuar pronën, infrastrukturën publike dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht vërshimet e vitit 2021 që shkaktuan dëme milionëshe”, ka thënë Idrizi.
Ai theksoi se menjëherë pas marrjes së mandatit, ndër prioritetet kryesore të komunës ka qenë identifikimi i zonave më problematike dhe ndërhyrja konkrete në to.
“Fillimisht është bërë identifikimi i zonave më problematike, e më pas kemi filluar me ndërhyrje konkrete, ku është bërë pastrimi, zgjerimi dhe në disa raste edhe betonimi i shtretërve të lumenjve. Po ashtu, është bërë hapja dhe zgjerimi i përroskave në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë, si dhe janë trajtuar kanalet kulluese që më herët kanë qenë të bllokuara”, tha Idrizi.
Ai bëri të ditur se “janë trajtuar shtretërit e lumenjve Silnica, Tërstena, Podranqa, lumin që kalon nëpër fshatin Smrekonicë, lumin që vjen nga Sllakoci e kalon nëpër fshatrat Ceceli, Ropicë, Samadrexhë, Maxhunaj deri në lumin Silnica, por edhe lumenj të tjerë që kalojnë nëpër territorin e komunës".
Sipas tij, janë pastruar përroskat në fshatrat Stanoc i Epërm, Novolan, Pantinë, Akrashticë, Vërnicë, Bukosh, Druar, Dumnicë, etj, ndërkaq gjithashtu është bërë edhe hapja e kanaleve kulluese në tërë territorin e Komunës së Vushtrrisë”.
Idrizi tha se kjo punë e vazhdueshme ka ndikuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e rrezikut nga vërshimet në komunë.
“Gjendja aktuale është dukshëm më e qëndrueshme dhe më e menaxhueshme krahasuar me periudhat e mëparshme. Në shumicën e zonave janë reduktuar rreziqet nga vërshimet, falë ndërhyrjeve të realizuara dhe monitorimit të vazhdueshëm të situatës në terren. Megjithatë, mbetemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje që kërkon angazhim të përhershëm, prandaj do të vazhdojmë me investime, mirëmbajtje të rregullt dhe masa parandaluese për të garantuar siguri afatgjate për qytetarët tanë”, tha ndër të tjera Idrizi. /Telegrafi/
Tre persona kanë marrë lëndime trupore një aksident i cili ka ndodhur sot rreth orës 13:50 mes trenit dhe një veture në fshatin Grabovc të Poshtëm.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha se me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal.
“Rreth orës 13:50 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në fshatin Grabovc i poshtëm. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një tren dhe një automjet . Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë marrë lëndime trupore . Me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/
Pas përfundimit të numërimit të votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pritet të shqyrtojë edhe një ankesë.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, ud.drejtori i sekretariatit të PZAP-së, Tefik Mahmuti.
Mahmuti tha se ankesa e cila është në pritje për shqyrtim në PZAP është nga PDK-ja.
“Të gjitha ankesat janë shqyrtuar dhe vetëm një ankesë e PDK-së ende nuk është shqyrtuar. Pritet që paneli shumë shpejt ta shqyrtojë dhe këtë ankesë. Ende ka afat të pranimit të ankesave në PZAP”, ka thënë Mahmuti.
Ndryshe, pas përfundimit të numërimit të votave pritet shpallja e rezultateve përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të parakohshme nga KQZ-ja.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të paraqesin ankesa në PZAP brenda 48 orëve. /Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pas rezultateve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit ka thënë se çdo votë e dhënë është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen.
Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se “Nuk është e tepër të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje”.
“Ju faleminderit nga zemra, të gjithë 126.102 qytetarëve të Kosovës që i besuan LDK-së në këto zgjedhje. Çdo votë e dhënë për ne është përgjegjësi, respekt dhe obligim për të ardhmen. Ju faleminderit për besimin, për durimin dhe për angazhimin në një garë të vaështirë. Nuk është e tepër të përsëritet se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që pritëm; larg madje. Por është verdikt i qytetarëve të vendit tonë dhe para tij përulemi me respekt të plotë. LDK e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon. Dalim faqebardhë në secilin veprim tonin”, ka thënë ai.
Tutje Abdixhiku ka shkruar se pas certifikimit të rezultateve do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së për siç tha “nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së”.
“Por njëkohësisht, dua të jem i qartë: LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendosë anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta. Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse - mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara. Kjo është mënyra jonë. Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme”.
Por Abdixhiku i është drejtuar edhe atyre që e kanë “goditur” këtë parti.
“Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira. Faleminderit secilit që na votoi, na mbështeti dhe na qëndroi pranë. Besimi juaj mbetet detyrimi ynë më i madh”, ka shkruar ndër të tjera kryetari i LDK-së. /Telegrafi/
Prurjet e larta në lumin Erzen vazhdojnë të krijojnë probleme në zonat Juba/Katund i Ri dhe Rrushkull/Sukth, ku lumi ka dalje të ujit.
Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po funksionojnë me kapacitet të plotë.
Rreth 2,500 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në Sukth dhe Katund i Ri.
Në terren janë angazhuar 448 specialiste, 111 persona nga bashkia dhe ndërmarrjet, 80 nga UKD, 70 policë bashkiakë, 70 policë të shtetit, 80 punonjës të OSHEE dhe 37 efektivë të Forcave të Armatosura. Në gatishmëri janë edhe mjekët e familjes.
Numri i banorëve të evakuuar ka arritur 842 persona, ku 299 janë pranë familjarëve dhe 543 të tjerë të strehuar në:
Kavalishenca: 251 persona
Shtëpia e Pushimit: 85 persona
Hotel FAFA: 178 persona
Hotel Bonita: 29 persona
Evakuimet kryhen gradualisht që nga data 6 janar, ku më i madhi numër ishte 251 persona.
Nga Drejtoria e Rezervave Shtetëtorore janë siguruar 700 pako ushqimore për banorët e prekur.
Dëmet deri tani:
2,380 banesa të verifikuara
848 akte konstatimi të mbajtura
12 zona me rrëshqitje dheu raportuar
Procesi i verifikimit të dëmeve vazhdon në terren, ndërsa autoritetet kërkojnë kujdes maksimal nga qytetarët dhe mbeten në gatishmëri për situata emergjente.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri ka bërë të ditur se pas situatës së krijuar si pasojë e vërshimeve të fundit, gjendja e sigurisë dhe rendit publik në veri të vendit është nën monitorim të vazhdueshëm.
Sipas njoftimit thuhet se Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në terren dhe në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante, përfshirë komunat përkatëse, Njësinë e Zjarrfikësve dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe parandalimit të rreziqeve të mundshme për qytetarët.
"Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës", thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve.
Situata aktualisht është e menaxhueshme dhe Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore. /Telegrafi/
Në ditën e katërt nga moti i keq, janë 1587 banesa dhe 13211 hektarë tokë të përmbytura.
Bilanci u shpall në mbledhjen e këshillit të Emergjencave Civile të cilin e drejtori kryeministri Rama. Për situatën e krijuar janë vënë në dispozicion 50 milionë euro, dhe sipas kreut të ekzekutivit, do dëmshpërblehen banorët e prekur.
Ndërkohë sot është shfaqur që përmirësim i situatës në disa zona, ku ka nisur tërheqja e ujit.
Në Durrës vijon të mbetet problematike, edhe pse në disa zona ka shenja të përmirësimit. Në Durrësin e Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave dhe grupet e shërbimit ndodhen në terren, ku po punohet për normalizimin e plotë të situatës. Paralelisht, vijojnë verifikimet dhe vlerësimet në banesat e përmbytura, ku deri më tani janë konstatuar 2 380 banesa të prekura nga uji. Në qytetin e Durrësit, situata është ende e ndjeshme. Aktualisht janë 356 persona të evakuuar, prej të cilëve 123 janë akomoduar në hotele, ndërsa 304 të tjerë janë strehuar në dy konvaleshencat e ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Në Sukth, situata paraqitet disi më e lehtësuar. Në zonën e Vadardhës, uji ka nisur të tërhiqet, megjithatë autoritetet mbeten në gatishmëri për shkak të pasojave të shumta të përmbytjeve. Në këtë zonë janë evakuuar 322 persona, nga të cilët 76 janë strehuar në hotele, ndërsa 246 pranë familjarëve.
Prurjet e lumit Vjosa kanë shënuar rënie gjatë natës. Aktualisht, prurjet e ujit janë ulur dhe niveli i ujit te Ura e Mifolit është 8.4 metra, duke bërë që uji të tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në zonën e Bishanit, ku nënkalimi vijon të jetë i mbuluar nga rreth 2 metra ujë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.
Situata hidrometeorologjike në qarkun e Fierit paraqitet më e qëndrueshme, ndërsa autoritetet raportojnë për ulje të niveleve të lumenjve dhe funksionim normal të infrastrukturës kryesore.
Situata në qarkun e Korçës vijon të jetë problematike në disa zona, si pasojë e reshjeve të shiut, borës dhe temperaturave të ulëta.
Problematika janë evidentuar në disa zona të bashkisë Gramsh, ku si pasojë e motit të keq dhe temperaturave të ulëta është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike dhe bllokim të fshatrave për shkak të dëborës. /Tch/Telegrafi/
Pas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka falenderuar gjithë votuesit e saj duke dal kështu si partia e parë fituese në vend.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga LVV thonë se përmes 486,994 vota është shprehur vullneti qytetar.
“(LVV) u konfirmua fuqishëm si subjekti politik më i votuar në historinë e Republikës së Kosovës. 486,994 vota – 51.11% të vullnetit qytetar. Faleminderit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që nuk lëshuan pe dhe votuan për siguri dhe begati. Faleminderit secilit për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për fitoren tonë të fuqishme në zgjedhjet e 28 dhjetorit”, thuhet në postim. /Telegrafi/
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka falënderuar votuesit e partisë duke thënë se “votat janë përgjegjësi e madhe që më shtyn të vazhdoj me të njëjtin përkushtim, ndershmëri dhe guxim”.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook Bajrami ka shkruar se pavarësisht rezultatit, pavarësisht rrethanave, LDK ka ndërtuar dhe ndërton çdo ditë standarde.
“Por dua ta bëj të qartë për secilin se vetëm një gjë nuk është opsion: dorëzimi i LDK-së. Pavarësisht rezultatit, pavarësisht rrethanave, LDK ka ndërtuar dhe ndërton çdo ditë standarde, edhe kur fiton, edhe kur nuk arrin rezultatin për të cilin ka punuar dhe ka synuar. Rezultati i 28 dhjetorit është përgjegjësi për secilin prej nesh, mësim për secilin prej nesh dhe reflektim për secilin prej nesh. Nuk ka rrugë tjetër përveç ri-ngritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë LDK-në para individit dhe Kosovën para çdo partie”, ka shkruar Bajrami. /Telegrafi/
Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur gjendjen hidrometeorologjike (reshjet dhe vërshimet) nga data 03.01.2026 e deri me 08.01.2026
Sipas një njoftimi thuhet se shumica e lumenjve në Kosovë gjatë këtyre dy ditëve kanë shkaktuar vërshime/përmbytje, ku disa prej tyre në disa segmente, kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje të përmasës 1h here në 50 vite (periudha kthyese).
"Aktualisht shumicën e lumenjve të vendit, janë në rënie të lehtë, pos lumenjve: Drini Bardhë rrjedha e poshtme, Sitnica, Morava e Binçës, Lepenci, të cilët kanë ngritje të lehtë", thuhet në njoftim.
Gjatë këtyre ditëve në territorin e Republikës së Kosovës kanë rënë mesatarisht 97.1 mm (l/m2) reshje. /Telegrafi/
“Raportohet se në rrethana të pa njohura në zjarr është përfshirë një objekt afarist. Zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore”, thuhet në raport.
Kryeministri Edi Rama mblodhi Komitetin e Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
Kreu i ekzekutivit tha se kjo situatë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin e më gjerë. ‘Shiu nuk ndalet me shpifje’- tha Rama duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ‘por duke qëndruar pranë qytetarëve’ .
“Durimi është i domosdoshëm. Reagimet ushqejmë nervozizëm, në një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë. Nuk kanë nevojë për shpifje dhe teori, por mbështetje dhe bashkim forcash. Kjo situatë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por nga Italia në Greqi, Mali i Zi e Kosovë, e deri në Turqi. /Telegrafi/