Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Vrasja e policit në Kaçanik, ngritet aktakuzë kundër gjashtë personave

9 January 2026 at 15:57


Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda në lidhje me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Kaçanik M.L, pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave ka ngritur aktakuzë kundër 6 të pandehurve me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G.

Sipas njoftimit thuhet se të dyshuarit dyshohen për veprën penale "Vrasje e rëndë".

"Për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin R.B, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter M.L, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes", thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim tutje thuhet se: “Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”. /Telegrafi/

Mërgimtarja nga Kaçaniku ofron strehim falas për familjet e prekura nga vërshimet

8 January 2026 at 14:08


Një mërgimtare nga Kaçaniku ka shprehur solidaritet me familjet dhe personat e prekur nga vërshimet e ditëve të fundit, duke ofruar pa pagesë 14 dhoma me ushqim për ata që kanë nevojë për strehim të përkohshëm.

Ajo ka bërë të ditur se kjo ndihmë është e dedikuar për personat dhe familjet në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët po përballen me vështirësi si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut.

“Në këto momente të vështira, ku gjendja po përkeqësohet për shkak të shirave për persona dhe familje në Kosovë dhe Shqipëri, ofroj ndihmë për strehim. Lokacioni është në magjistralen Kaçanik–Ferizaj, te Pompa Bujari (Fenixs)”, ka deklaruar ajo.

Të interesuarit për strehim mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 045 646 167 për më shumë informata dhe koordinim. /RadioDukagjini/


Komuna e Kaçanikut nis pastrimin e rrugëve, apelon qytetarët për kujdes

8 January 2026 at 10:45


Komuna e Kaçanikut ka angazhuar kompaninë e kontraktuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve pas reshjeve të borës, ndërsa punimet kanë nisur që në orët e hershme të mëngjesit.

Ekipet e pastrimit janë në terren dhe po punojnë për largimin e borës dhe sigurimin e qarkullimit normal në rrugët kryesore dhe dytësore.

Sipas Drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Arian Teneqja, “të gjitha rrugët kryesore janë të pastruara dhe të qarkullueshme, ndërsa kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e automjeteve për shkak të ngricave eventuale”.

Komuna apelon tek qytetarët që të adaptojnë shpejtësinë dhe të respektojnë udhëzimet për siguri gjatë lëvizjes në rrugë. /Telegrafi/


Kryetari i Kaçanikut prezanton ekzekutivin komunal

5 January 2026 at 11:23


Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka prezantuar sot anëtarët e Ekzekutivit Komunal, të cilët do të udhëheqin dhe shërbejnë komunën gjatë katër viteve të ardhshme.

Në postimin e tij në Facebook, kryetari Vishi njoftoi përbërjen e ekzekutivit:

  • Xhelal Dema – Nënkryetar i Komunës
  • Urata Sopa – Drejtoria e Administratës së Përgjithshme
  • Lumnije Demnika Selmani – Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
  • Gazmend Bunjaku – Drejtoria e Arsimit
  • Valdrin Dogani – Drejtoria e Buxhetit dhe Financave
  • Korab Krasniqi – Drejtoria e Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit
  • Arian Teneqja – Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës
  • Suad Dullovi – Drejtoria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë
  • Lulzim Krasniqi – Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
  • Arlinda Rakoci Raka – Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit

Kreu i komunës theksoi angazhimin e këtij ekipi për të punuar ngushtë me qytetarët, për të dëgjuar nevojat e tyre dhe për të përmirësuar zhvillimin dhe shërbimet në komunë.

“Me këtë ekip, zotohemi për bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, dëgjim të nevojave të tyre dhe punë të palodhshme për një komunë më të zhvilluar, më të drejtë. Ju falënderoj për besimin. Së bashku, do ta çojmë komunën tonë përpara”, tha Sabedin Vishi. /Telegrafi/


Komuna e Kaçanikut ka ndarë 103 serra për fermerët gjatë vitit 2025

24 December 2025 at 15:50


Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Kaçanikut, nën drejtimin e Drejtorit Suhad Dullovi, ka përmbyllur me sukses shpërndarjen dhe montimin e 103 serrave për fermerët lokalë gjatë vitit 2025.

Secila serra ka një sipërfaqe prej 50 m², duke ofruar kushte të avancuara për kultivim dhe prodhim bujqësor.

Ky projekt synon të rrisë kapacitetet bujqësore të fermerëve kaçanikas dhe të përmirësojë mirëqenien e tyre përmes mbështetjes direkte në prodhim.

Drejtoria e Bujqësisë thekson se do të vazhdojë përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe fuqizimin e sektorit vendor. /Telegrafi/


Përfundon faza e dytë e ndërtimit të trotuarit dhe shtegut të çiklizmit në rrugën regjionale “Ahmet Kaçiku”

24 December 2025 at 08:47


Komuna e Kaçanikut ka përfunduar Fazën II të projektit “Ndërtimi i trotuarit në rrugën regjionale Ahmet Kaçiku”, në segmentin Restorant Natyra – Fusha e Pajtimit, investim ky i realizuar nga buxheti komunal.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, me këtë fazë është kompletuar ndërtimi i trotuarit dhe shtegut të çiklizmit, së bashku me të gjithë infrastrukturën përcjellëse, përfshirë kanalizimin atmosferik për largimin e ujërave dhe ndriçimin publik.

Drejtori i kësaj drejtorie, Arian Teneqja, ka bërë të ditur se projekti shtrihet nga Fusha e Pajtimit deri në fshatin Duraj, në një gjatësi prej rreth 3 mijë metrash, duke përfshirë një nga segmentet më të frekuentuara të kësaj rruge regjionale.

Sipas komunës, ky investim ka qenë tejet i nevojshëm dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë në komunikacion, si dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët, nxënësit dhe studentët që e shfrytëzojnë këtë rrugë çdo ditë.

Nga Komuna e Kaçanikut theksohet se investimet në infrastrukturë rrugore dhe siguri publike do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim përmirësimin e kushteve për qytetarët. /Telegrafi/


Disa fshatra të Kaçanikut pa ujë

15 December 2025 at 10:34


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” njofton se sot gjatë ditës mund të paraqiten ndërprerje në furnizimin me ujë të pijshëm në disa fshatra të komunës së Kaçanikut, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike nga KEDS.

Si pasojë e ndërprerjes së energjisë, pa ujë do të mbesin fshatrat Kaçaniku i Vjetër, Stagova dhe Begraca.

KRU “Bifurkacioni” bën të ditur se furnizimi do të rikthehet sapo ekipet e KEDS të rregullojnë defektin.

Nga kompania u bëhet apel konsumatorëve për mirëkuptim deri në zgjidhjen e problemit, i cili nuk varet nga KRU “Bifurkacioni”. /Telegrafi/


“Ali Asllani” me objekt të ri – komuna e Kaçanikut inspekton punimet në Doganaj

10 December 2025 at 08:26


Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, së bashku me Drejtorin e Arsimit, Zahir Doda, kanë inspektuar sot nga afër punimet në ndërtimin e objektit të ri të Shkollës Fillore “Ali Asllani” në Doganaj, ku aktivitetet ndërtimore po zhvillohen me intensitet të shtuar.

Sipas kryetarit Vishi, objekti aktual ku vijojnë mësimet nxënësit nuk i plotëson kushtet e nevojshme për zhvillimin cilësor të procesit mësimor, prandaj avancimi i punimeve në godinën e re është i domosdoshëm dhe shumë i pritur nga nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e zonës.

Ai theksoi se shumë shpejt nxënësit dhe stafi arsimor do të kenë mundësi të punojnë dhe të mësojnë në një ambient modern, funksional dhe bashkëkohor, që do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e mësimdhënies në këtë shkollë. /Telegrafi/


Disa zona të Ferizajt dhe Kaçanikut mbesin pa ujë shkaku i energjisë elektrike

5 December 2025 at 10:54


Konsumatorët e disa fshatrave në Ferizaj dhe Kaçanik do të përballen përkohësisht me mungesë ose vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm.

Kjo situatë vjen si pasojë e reduktimeve të energjisë elektrike të ndërmarra nga KEDS.

Pa ujë do të mbesin vendbanimet që furnizohen përmes stacioneve të pompimit, përfshirë pjesë të Elezajt, Gërlicës, Qardakut – Kaçaniku i Vjetër, si dhe Rakajn, Varoshin, Bibajn, Fshatin e Vjetër dhe Komogllavën, si dhe disa segmente të magjistraleve Ferizaj–Kaçanik dhe Prishtinë–Ferizaj.

Nga KRU “Bifurkacioni” u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke sqaruar se ndërprerja është jashtë kontrollit të tyre. Furnizimi me ujë do të rifillojë menjëherë sapo të rikthehet energjia elektrike.

“Kërkojmë falje për shqetësimin dhe falënderojmë qytetarët për mirëkuptim”, thuhet në njoftim./Telegrafi/


Aksion i policisë në Kaçanik: Arrestohet një person, sekuestruar dy armë zjarri dhe 67 fishekë

3 December 2025 at 23:50


Policia ka realizuar një aksion në Kaçanik këtë të mërkurë, gjatë të cilit është arrestuar një person dhe janë sekuestruar armë dhe municion.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë bastisjes së kryer rreth orës 17:00 në shtëpinë e të dyshuarit A.S, 43 vjeç, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta dhe 67 fishekë.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor të Kaçanikut për intervistim.

Me vendim të prokurorit të rastit, ndaj tij është iniciuar procedura për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt hetimore.

Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme lidhur me rastin do të vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë.

Bie numri i aksidenteve në Ferizaj, rriten gjobat gjatë nëntorit 2025

2 December 2025 at 09:14


Policia Rajonale e Ferizajt ka publikuar statistikat mujore të komunikacionit për nëntorin 2025, të cilat tregojnë një ulje të përgjithshme të aksidenteve, por njëkohësisht një rritje të numrit të gjobave të shqiptuara për shkelje të rregullave të trafikut.

Sipas të dhënave zyrtare, në rajonin e Ferizajt – që përfshin komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit – janë raportuar gjithsej 141 aksidente, nga të cilat: 59 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të plagosur 83 persona, 82 aksidente me dëme materiale, përcjell Telegrafi.

Në krahasim me nëntorin e vitit 2024, kur ishin raportuar 153 aksidente, prej tyre edhe një me fatalitet, statistikat e këtij viti paraqesin një ulje prej -7.80% të numrit total të aksidenteve.

Nga ana tjetër, shifrat për gjoba tregojnë trend të kundërt. Gjatë nëntorit 2025, policia ka shqiptuar: 6,340 gjoba për kundërvajtje, 140 masa mbrojtëse të heqjes së patentë-shoferit, për shkak të shkeljeve të rënda.

Krahasuar me nëntorin 2024, kur ishin shqiptuar 5,063 gjoba, numri i tyre ka shënuar një rritje prej 25.2% këtë vit.

Policia e Ferizajt ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, me qëllim të uljes së riskut të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë në rrugë. /Telegrafi/

Vret me armë zjarri qenin, 27-vjeçari vetëdorëzohet në polici

29 November 2025 at 17:42


Më datën 29.11.2025, rreth orës 13:30, policia në Kaçanik ka pranuar një informatë nga një person në fshatin Doganaj, i cili kishte raportuar se qeni i tij ishte qëlluar me armë zjarri nga i dyshuari R.S. (27 vjeç) dhe si pasojë kafsha kishte ngordhur.

Patrulla policore dhe hetuesit e stacionit të Kaçanikut kanë dalë në vendngjarje, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë konfiskuar tre (3) gëzhoja të pistoletës së përdorur në rast.Policia njofton se i dyshuari R.S. është vetëdorëzuar në stacionin policor, ku ka dorëzuar armën e zjarrit (pistoletë) dhe nëntë (9) fishekë.Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij janë iniciuar tri vepra penale: Armëmbajtje pa leje, Përdorim i armës së zjarrit, dhe Keqtrajtim i kafshëve. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore.

Shembjet e dheut dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit në Kaçanik, disa fshatra pa ujë

18 November 2025 at 09:49


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” ka njoftuar se një pjesë e konsumatorëve në Komunën e Kaçanikut do të përballen sot me ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.

Mungesa e ujit pritet të prekë zonën e qytetit, lagjen Dushkaja, si dhe fshatrat Bob, Kovaqec dhe Runjevë, përcjell Telegrafi.

Sipas kompanisë, ndërprerja ka ardhur si pasojë e shembjeve të dheut në segmentin ku kalon rrjeti kryesor i ujësjellësit të Lubotenit, prej nga furnizohen këto zona.

Ekipet teknike të mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, me qëllim që furnizimi të rikthehet sa më shpejt që të jetë e mundur.

KRU “Bifurkacioni” u ka bërë thirrje konsumatorëve për mirëkuptim, derisa punimet për riparimin e rrjetit po vazhdojnë. /Telegrafi/


Ansamble e artistë nga vendi e rajoni nderojnë Sali Bajrën në një program të veçantë në Kaçanik

17 November 2025 at 08:08


Në Qendrën e Kulturës në Kaçanik është mbajtur Mbrëmja Artistike “SALI BAJRA – KRYETARI YNË”, një aktivitet i veçantë kushtuar figurës së Sali Bajrës, Kryetar Nderi i Ansamblit “Kastriotët” dhe ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut në vitet ’60.

Ngjarja u organizua me shumë dinjitet dhe emocion, duke rikthyer para publikut veprën dhe kontributin e tij të çmuar kulturor.



Programi solli një udhëtim artistik përmes këngës, valles, lahutës dhe interpretimeve skenike, ku performuan Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët”, Qendra Kulturore e Kaçanikut me vallen “Festa e bashkimit”, si dhe Ansambli “Jeta e Re” nga Sllupçani me vallen “Feniksët e Lirisë”.

Në skenë u ngjitën edhe artistët Nexhat Xhokli, Fetije Terstena, Nadire Breznica, Orkestra “Kastriotët”, Alban Luzha dhe Nazmi Hajdari. Gjatë mbrëmjes, publiku pati mundësinë të dëgjojë për herë të parë këngën e dedikuar Sali Bajrës, interpretuar nga këngëtarja Fetije Terstena. Programi u drejtua artistikisht nga Leka Feim.



Ngjarja u realizua me bashkëpunimin e Komunës së Ferizajt, Komunës së Kaçanikut dhe Ansamblit “Jeta e Re” Sllupçan, ndërsa mbështetja financiare u sigurua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kastrioti SM SHPK (Ferizaj) dhe Brickos SHPK (Kamenicë).

Mbrëmja u vlerësua si një homazh i rëndësishëm për Sali Bajrën dhe një kontribut në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke e sjellë atë para publikut me respekt dhe krenari. /Telegrafi/


46 vjeçari që u gjend i vdekur në Kaçanik, jetonte i vetëm

10 November 2025 at 08:45


Një person 46 vjeç i cili u gjetë pa shenja jete në shtëpinë e tij jetonte i vetëm.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 13:50 në fshatin Soponicë të Kaçanikut.

Tutje bëhet e ditur se në konsultim më prokurorin trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

“Viktima mashkull kosovar, i cili ishte duke jetuar i vetëm, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku, edhe është konstatuar vdekja e viktimës. Në konsultim me prokurorin, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Një 46-vjeçar gjendet i vdekur në Kaçanik, nisin hetimet

9 November 2025 at 17:40


Sot rreth orës 13:50, është raportuar për një person pa shenja jete në fshatin Soponiçë të Kaçanikut.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli.

Veseli bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë mjekët e QKMF Kaçanik, të cilët kanë konstatuar se viktima, mashkull rreth 46 vjeç, është pa shenja jete.

"Po ashtu, prezant kanë qenë edhe njësitet policore nga stacioni policor Kaçanik, krim-teknikët dhe hetuesit rajonal", ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rasti “Hetim mbi vdekjen”.

Policia njofton se për informata të mëtejshme do të bëhet e ditur me raport në vijim. /Telegrafi/

Policia e Ferizajt apelon për kujdes në rrugët malore për shkak të reshjeve të shiut

4 November 2025 at 11:05


Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për të gjithë shoferët që qarkullojnë në rrugët malore të rajonit, veçanërisht në akset Shtërpcë–Brezovicë, Shtërpcë–Prevallë dhe Kaçanik–Hani i Elezit–Glloboçicë, për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Sipas njoftimit, reshjet e shiut kanë shkaktuar rrugë të lagështa, dukshmëri të kufizuar dhe rrezik të shtuar për aksidente trafiku. Në disa segmente malore mund të ketë shembje gurësh, rrëshqitje dhe pengesa të tjera që mund të rrezikojnë qarkullimin e automjeteve, përcjell Telegrafi.

Policia apelon tek shoferët që të tregojnë kujdes të veçantë gjatë ngasjes dhe të respektojnë këto këshilla për siguri në trafik:

Mbani dritat e ndezura për të përmirësuar dukshmërinë dhe për t’u bërë më të dukshëm për pjesëmarrësit e tjerë.

Zvogëloni shpejtësinë, pasi rrugët e lagështa kërkojnë distancë më të madhe frenimi.

Shmangni përdorimin e telefonit dhe shpërqendrimet gjatë ngasjes.

Mbani distancë të mjaftueshme nga automjetet përpara.

Në komunikatë theksohet se kushtet aktuale të motit kërkojnë përgjegjësi dhe kujdes më të madh në trafik, ndërsa apeli i policisë është i qartë: “Siguria është në duart tuaja.”

Për çdo rast nevoje, incident apo aksident në trafik, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192, ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor. /Telegrafi/

Komuna e Kaçanikut hap qendrën më të re sportive në Doganaj dhe Soponicë

24 October 2025 at 09:39


Një qendër e re sportive është ndërtuar në fshatrat Doganaj dhe Soponicë nga Komuna e Kaçanikut, duke krijuar një hapësirë moderne për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe rekreative për të rinjtë e zonës.

Sipas komunës, objekti i ri është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore dhe është i pajisur me ndriçim publik, rrethojë mbrojtëse dhe ulëse për shikuesit, duke ofruar kushte të përshtatshme për gara dhe aktivitete sportive të ndryshme, përcjell Telegrafi.



Kjo hapësirë, përveç funksionit sportiv, synon të shërbejë edhe si vend takimi dhe bashkimi për të rinjtë, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e tyre personal dhe në forcimin e lidhjeve komunitare.

Komuna ka uruar banorët e kësaj ane që ta shfrytëzojnë me kujdes dhe ta gëzojnë këtë investim të ri në shërbim të komunitetit. /Telegrafi/

Handikos Kaçanik dhe American Beauty School bashkëpunojnë për fuqizimin e grave me aftësi të kufizuara

23 October 2025 at 13:49


Shoqata Handikos Kaçanik ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me institucionin arsimor American Beauty School, me qëllim fuqizimin dhe përfshirjen socio-ekonomike të vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, do të ofrohen trajnime profesionale pa pagesë në fushën e manikyrit, duke u mundësuar pjesëmarrëseve të fitojnë aftësi praktike që lehtësojnë hyrjen e tyre në tregun e punës.



Nga Handikos Kaçanik është theksuar se ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së pavarësisë ekonomike dhe integrimit të grave me aftësi të kufizuara në jetën profesionale.

Organizata ka falënderuar American Beauty School për gatishmërinë dhe përkushtimin në mbështetjen e kësaj nisme me ndikim të drejtpërdrejtë social. /Telegrafi/

Kaçaniku nderon sportistet Kanita Spahija dhe Flutura Zeneli për suksesin e tyre ndërkombëtar

23 October 2025 at 10:30


Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, ka mirëpritur në një takim zyrtar sportistet Kanita Spahija dhe Flutura Zeneli, duke i nderuar me mirënjohje komunale për arritjen e tyre të jashtëzakonshme në sport.

Në fjalën e tij, Nënkryetari Vishi falenderoi sportistet për suksesin e arritur dhe theksoi se atletët janë ambasadorët më të mirë të komunës, duke përfaqësuar Kaçanikun me dinjitet në arenën ndërkombëtare, përcjell Telegrafi.



Ai u shpreh i bindur se dy sportistet e reja do të vazhdojnë të shkëlqejnë edhe në garat e ardhshme.

Mirënjohje dhe urime për suksesin e tyre u shprehën gjithashtu nga Drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Hafize Sallahu.

Kanita Spahija dhe Flutura Zeneli kanë shkëlqyer së fundmi në Kampionatin Ballkanik të Mundjes në Rumani, duke fituar medaljen e argjendtë dhe duke ngritur lart emrin e Kaçanikut në arenën sportive rajonale. /Telegrafi/

❌
❌