TIRANË, 14 janar /ATSh/ Mbrojtësit ligjorë të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaruan sot në një konferencë për mediet, se Meta po mbahet në paraburgim, duke tejkaluar çdo standard ligjor, kushtetues dhe human.
Avokati Kujtim Cakrani theksoi se hetimet ndaj Metës kanë përfunduar më 4 gusht 2025, ndërsa që prej 28 gushtit 2025 çështja ndodhet në seancë paraprake.
“Kjo do të thotë që një seancë e tillë ligjërisht duhet të përfundojë brenda një muaji dhe pastaj çështja ose duhet të pushohet, ose të kthehet në hetim ose duhet të kalojë në gjykim themeli”, sqaroi ai.
Sipas avokatit, kanë kaluar mbi katër muaj e gjysmë pa nisur shqyrtimi paraprak, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kushtetutës.
“Kjo e ka rënduar pozitën e kësaj drejtësie që është kthyer në një drejtësi inkuzitore”, tha ai.
Cakrani theksoi se kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, por përsëri gjyqtarja Irena Gjoka, e cila sipas tij është e “shantazhueshme”, nuk e pranoi kërkesën dhe e ka rrëzuar.
Avokati shtoi se ndaj Metës ka pasur sulme të vazhdueshme politike dhe personale.
“Ai është tashmë në izolim total, izolim i paprecedentë. Presidentit të Partisë së Lirisë, numrit dy të opozitës, nuk i jepet mundësia të komunikojë me qytetarët, kolegët, bashkëpunëtorët e ata që duhet të komunikojë”, tha ai.
Sa i përket pasurisë së Ilir Metës, Cakrani mohoi akuzat për përfitime të paligjshme, duke deklaruar se analizat financiare të kryera nga mbrojtja tregojnë se Meta nuk ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme.
Cakrani tha se nga viti 1995 deri në vitin 2023, të ardhurat e Metës nga funksionet publike kanë qenë rreth 87.5 milionë lekë, ndërsa shpenzimet e deklaruara janë ndjeshëm më të ulëta, duke pretenduar se kursimet e tij kanë qenë të justifikuara dhe të ligjshme.
“Pasuria e Metës, është zero, qoftë e luajtshme, qoftë e paluajtshme, sepse ka punuar me dinjitet, ka punuar me pastërti. Prokuroria e ka nisur analizën në vitin 2002, thua se Meta para 2002-shit nuk ka ekzistuar. Ne kemi bërë analizën financiare, të ardhurat dhe shpenzimet normale prej 1995-2023. Në 1995 ne disponojmë dokumentacionin e vënë në dispozicion nga Kuvendi. Kjo është arsyeja pse e kemi nisur në 1995. Meta aktivitetin politik e ka nisur në 1992″, tha Cakrani.
“Prej 1995 deri në 2023, të gjitha të ardhurat e Metës nga puna si deputet, si ministër, si zv.kryeministër, si kryeministër, si kryetar kuvendi dhe në fund president i Republikës, kanë qenë 87,385,031 lekë. Ndërkohë që shpenzimet e tij, janë në shumën 39,448,575 lekë. Meta ka në bilancin e tij 530, 146 lekë. I ka pasur këto kursime. Nuk i ka më edhe këto kursime sepse ka pasur shpenzime”, vijoi avokati.
“Akuza e prokurorisë është se Meta paska fituar 200 mijë euro nuk e di ku e ka shpikur organi i procedurës këtë, për të fshehur veprimet arbitrare që ka bërë. Shpenzimet dhe të ardhurat janë tashmë publike dhe ne prandaj e kemi thënë gjithmonë: nuk ka as pasuri të luajtshme dhe as të paluajtshme Meta”, tha Cakrani.
/m.q/j.p/
The post Avokati Cakrani: Ilir Meta, zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.