Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 January 2026Main stream

KINEMA – Vdes aktorja e njohur kanadezo-amerikane Catherine O’Hara

30 January 2026 at 20:49

LOS ANXHELES, 30 janar /ATSH/ – Aktorja kanadezo-amerikane, Catherine O’Hara, e famshme për rolet e saj në filmat klasikë “Home Alone” dhe serialin komik të suksesshëm “Schitt’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare, sipas tmz.com.

Lajmi u konfirmua sot nga menaxheri i saj.

Sipas raporteve, O’Hara ka vdekur në shtëpinë e saj në Los Anxheles pas një sëmundjeje të shkurtër.

Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë zyrtarisht publik.

Ajo u bë e famshme në filmat e viteve ’80 e ’90, përfshirë edhe komedinë e njohur “Beetlejuice”.

U bë shumë e dashur për interpretimin e saj si Moira Rose në serialin komik “Schitt’s Creek”, ku u shqua me humorin dhe stilin unik të personazhit.

O’Hara u vlerësua me çmime të rëndësishme, duke përfshirë edhe ”Emmy Awards”.

Catherine O’Hara do të mbahet mend si një nga figurat më të mëdha të komedisë dhe kinemasë moderne, e dashur nga miliona njerëz në mbarë botën.

Ajo u lind më 4 mars 1954 në Toronto, Kanada.

Ajo u rrit në një familje me prejardhje irlandeze dhe që në adoleshencë pati një prirje natyrore për humorin dhe performancën.

Karriera e saj nisi në fund të viteve 1970, kur iu bashkua trupës së improvizimit ”The Second City” në Toronto dhe më vonë në Chicago, një vend ku shumë artistë komikë të njohur nisën emrat e tyre.

Ajo shquhej për aftësinë e jashtëzakonshme për të krijuar personazhe të çuditshme, zëra të pazakontë dhe për të improvizuar me humor të fortë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post KINEMA – Vdes aktorja e njohur kanadezo-amerikane Catherine O’Hara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Policia sekuestron pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe në historinë e vendit

30 January 2026 at 20:11

BEOGRAD, 30 janar /ATSH/ – Policia serbe ka sekuestruar rreth pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vend, pas një operacioni në një kompani bujqësore, në fshatin Konjuh, pranë qytetit të Krushevcit, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, sipas Reuters.

Sipas tij, janë arrestuar dy persona, ndërsa një i dyshuar tjetër mbetet në arrati.

”Kjo është një sasia më e madhe e kapur ndonjëherë”, tha Daçiç në një deklaratë, duke shtuar se policia ka sekuestruar gjithashtu katër armë automatike dhe një hedhës raketash antitank.

Prodhimi i kanabisit mbetet i paligjshëm në Serbi, megjithëse aktivistë të ndryshëm po promovojnë legalizimin e tij për përdorim mjekësor.

Daçiç theksoi se hetimet do të përcaktojnë origjinën e kanabisit të sekuestruar.

Serbia, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka intensifikuar vitet e fundit përpjekjet kundër trafikimit dhe prodhimit të drogave.

Shumica e drogave që qarkullojnë në vend vijnë nga Lindja e Mesme dhe Amerika Latine.

Në këtë aksion, i cilësuar si më i madhi në historinë e vendit, policia gjeti në fshatin Konjuh afro pesë tonë marijuanë dhe katër armë automatike.

Fotografitë nga vendngjarja tregojnë një numër të madh kutish ku ishte depozituar droga, si dhe armët e sekuestruara./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SERBI – Policia sekuestron pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe në historinë e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – 12 vende paralajmërojnë aksident bërthamor nga sulmet në Ukrainë

30 January 2026 at 18:28

VJENË, 30 janar /ATSH-DPA/ – Dymbëdhjetë vende kanë paralajmëruar për rritjen e rrezikut të një aksidenti bërthamor në Ukrainë, gjatë një seance të posaçme të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), të mbajtur sot në Vjenë.

”Sulmet e përditshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit jo vetëm që kanë ekspozuar miliona ukrainas ndaj të ftohtit të dimrit, por po ndikojnë negativisht edhe në sigurinë bërthamore në Ukrainë, duke e afruar rrezikun e një aksidenti bërthamor shumë pranë realitetit”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të këtyre vendeve.

Sipas deklaratës, sulmet ndaj nënstacioneve dhe dëmtimi gjithnjë e më i madh i rrjetit elektrik rrezikojnë sigurinë bërthamore.

Dymbëdhjetë vendet theksuan se një furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike është thelbësor për funksionimin e sigurt të centraleve bërthamore.

Edhe drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, paralajmëroi në fjalën e tij se dëmtimi i nënstacioneve minon sigurinë bërthamore.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Rusisë në IAEA, Mikhail Ulyanov, e kundërshtoi këtë vlerësim.

”Ky është një pretendim i rremë”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se centralet bërthamore ukrainase mund t’i përballojnë pa vështirësi sulmet ruse ndaj nënstacioneve.

Edhe pse centralet bërthamore prodhojnë vetë energji, energjia elektrike e jashtme përdoret për ftohjen e materialeve radioaktive në impiante.

Në raste emergjente përdoren gjeneratorë rezervë.

Nëse sistemet e ftohjes dështojnë, në skenarin më të keq ekziston rreziku i shkrirjes së bërthamës./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – 12 vende paralajmërojnë aksident bërthamor nga sulmet në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Polonia forcon mbrojtjen ajrore me sistem të ri antidronë

30 January 2026 at 17:44

VARSHAVË, 30 janar /ATSH-DPA/ – Polonia ka vënë në funksion një sistem të rëndësishëm mbrojtjeje kundër dronëve, të porositur nga një konsorcium norvegjezo-polak, për të mbrojtur më mirë hapësirën e saj ajrore nga dronët luftarakë, njoftoi sot qeveria.

”Sistemi ‘San’,  i zhvilluar nga kompania norvegjeze e mbrojtjes ‘Kongsberg’ dhe grupi polak i armatimeve ‘PGZ2’, përbëhet nga 18 bateri dhe gjithsej 700 mjete”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz gjatë nënshkrimit të kontratës.

Sipas medias polake, marrëveshja kap vlerën e rreth 3,6 miliardë eurove.

Kryeministri Donald Tusk e cilësoi porosinë si një hap vendimtar në përpjekjen e Polonisë për të ndërtuar mbrojtje ajrore efektive.

Ai rikujtoi një incident në shtator, kur një numër i madh dronësh hynë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës fqinje, duke detyruar Forcat Ajrore të Polonisë dhe aleatë të tjerë të NATO-s të rrëzonin disa raketa për herë të parë.

”Sistemi do të përfshijë një gamë të gjerë armësh, si mitralozë, raketa, dronë interceptues dhe mjete të tjera për mbrojtjen ndaj kërcënimeve ajrore”, bëri të ditur ”Kongsberg”.

Sistemi do të ketë gjithashtu pajisje për bllokimin elektronik të dronëve dhe sisteme radarësh.

Disa prej komponentëve bazohen në një frëngji të vogël luftarake, e cila mund të montohet në mjete të blinduara me rrota ose mjete terreni./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post VARSHAVË – Polonia forcon mbrojtjen ajrore me sistem të ri antidronë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Norvegjia i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Iranit

30 January 2026 at 16:23

OSLO, 30 janar /ATSH-DPA/ – Norvegjia i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër “aktorëve” iranianë, pas vrasjes së protestuesve antiqeveritarë në Iran, njoftoi sot Ministria e Jashtme norvegjeze.

BE-ja e shpalli dje Gardën Revolucionare Islamike të Iranit organizatë terroriste, për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave.

Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, mijëra, e ndoshta dhjetëra mijëra persona, besohet se janë vrarë.

Vendimi i BE-së për Gardën Revolucionare pasoi një hap formal për vendosjen e sanksioneve ndaj 31 individëve dhe entiteteve të tjera iraniane.

Ata akuzohen se mbajnë përgjegjësi për represionin brutal të protestave dhe për mbështetjen e vazhdueshme të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, tha se Oslo e ka dënuar dhunën ndaj civilëve, si publikisht ashtu edhe në kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet iraniane.

“Ne kemi theksuar se përdorimi i gjerë i ekzekutimeve, arrestimeve, torturës dhe ndërprerjeve të gjata të internetit si instrumente kontrolli është plotësisht i papranueshëm”, deklaroi Barth Eide.

“Rikonfirmojmë thirrjen tonë ndaj autoriteteve iraniane për të respektuar të drejtat e njeriut dhe për të garantuar qasje të lirë dhe të papenguar në informacion”, shtoi ai.

Norvegjia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por është e lidhur ngushtë me bllokun evropian./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Norvegjia i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 29 January 2026Main stream

SHBA – Trump: Duket se Hamasi do të çarmatoset

29 January 2026 at 22:56

UASHINGTON, 29 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se duket që lëvizja palestineze Hamas do të çarmatoset, një nga hapat kyç të parashikuar në planin e tij për zgjidhjen e konfliktit në Gaza.

”Shumë njerëz thonë se ata nuk do të çarmatosen kurrë. Duket se do të çarmatosen”, u shpreh Trump gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

Ai theksoi gjithashtu se Hamasi na ka ndihmuar me trupat, me riatdhesimin e tyre, dhe familja u është shumë mirënjohëse, duke iu referuar kthimit të eshtrave të pengut të fundit izraelit të 7 tetorit, Ran Gvili, për të cilin Izraeli zhvilloi  dje një ceremoni funerale shtetërore.

Nga ana e tij, i dërguari special amerikan Steve Witkoff u shpreh i kënaqur duke thënë se “ne i kemi dëbuar terroristët prej andej dhe ata do të çmilitarizohen”.

“Ata do ta bëjnë këtë sepse nuk kanë zgjidhje. Do të dorëzohen. Do të dorëzojnë armët AK-47”, shtoi ai.

Një ditë më parë, Hamasi ishte shprehur i gatshëm për një “transferim të plotë të qeverisjes” së Rripit të Gazës sa më shpejt që të ishte e mundur.

Sipas planit të presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza, një Komitet Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) do të administrojë përkohësisht territorin palestinez nën drejtimin e një Bordi Paqeje, i kryesuar nga vetë Trump./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Duket se Hamasi do të çarmatoset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Mbrojtja bërthamore evropiane një shtesë e përbashkët nukleare me SHBA-në

29 January 2026 at 22:31

BERLIN, 29 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi sot se përfshirja në një “ombrellë bërthamore evropiane” do të konsiderohej si një shtesë ndaj parandalimit të përbashkët bërthamor me SHBA-të, në një kohë kur po diskutohet për kapacitetet mbrojtëse të BE-së.

“E dimë që duhet të marrim disa vendime strategjike dhe ushtarake këtu”, tha lideri gjerman  gjatë një takimi me kryeministren lituaneze, Inga Ruginiene.

Megjithatë, sipas tij, “koha nuk ka ardhur ende” për një vendim përfundimtar.

“Po zhvillohen bisedime strategjike me vendet e përfshira, por ato janë ende në fillim”, shtoi Merz.

“Gjermania ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore sipas dy traktateve të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen ‘Dy plus katër’ që hapi rrugën për ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990 dhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, theksoi kancelari Merz.

“Në këtë kuptim, nuk është në diskrecionin tonë dhe nuk është brenda juridiksionit tonë të kemi armë bërthamore në Gjermani”, tha ai.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se “nuk flasim me shtetet e tjera evropiane për parandalimin e përbashkët bërthamor”, shtoi ai.

“Bisedimet nuk bien në kundërshtim me ndarjen bërthamore me SHBA-në”, tha Merz.

Gjermania nuk është fuqi bërthamore, ndryshe nga aleatët e NATO-s si Franca, BM dhe SHBA-ja, por kontribuon në parandalimin bërthamor të NATO-s duke ofruar avionë luftarakë që mund të pajisen me armë bërthamore amerikane të ruajtura në Gjermani në rast konflikti./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post BERLIN – Merz: Mbrojtja bërthamore evropiane një shtesë e përbashkët nukleare me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS  – Kina: Hetimi ndaj gjeneralëve të lartë, sukses i rëndësishëm kundër korrupsionit

29 January 2026 at 22:10

PEKIN, 29 janar /ATSH-DPA/ –  Kina i ka përshkruar hetimet ndaj gjeneralëve të lartë Zhang Youxia dhe Liu Zhenli si një sukses të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

“Sa më vendosmërisht po vepron ushtria kundër korrupsionit, aq më e fortë dhe efektive do të bëhet lufta kundër korrupsionit”, shpjegoi sot në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Jiang Bin.

Fundjavën e kaluar, ministria njoftoi hetime ndaj Zhang dhe Liu për “shkelje serioze të disiplinës dhe ligjit”.

Të dy janë anëtarë të fuqishëm të Komisionit Qendror Ushtarak, i cili udhëhiqet nga presidenti Xi Jinping.

Për shkak të hetimeve të mëparshme ndaj personelit tjetër ushtarak, komisioni, që komandon Ushtrinë Çlirimtare Popullore, mund të përbëhet së shpejti vetëm nga dy nga shtatë anëtarët e tij.

Hetimi ndaj Zhang, zëvendëskryetar i komisionit, erdhi si surprizë.

Zhang, 75-vjeç,  ishte një nga pak anëtarët e udhëheqjes së ushtrisë me përvojë luftarake, pasi kishte luftuar në konfliktin kufitar me Vietnamin që filloi në vitin 1979.

Zhang konsiderohej gjithashtu një besnik i presidenit Xi.

Ministria e Mbrojtjes refuzoi të komentonte një raport të “Wall Street Journal” që sugjeronte se Zhang mund të kishte zbuluar sekretet e programit bërthamor të Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS  – Kina: Hetimi ndaj gjeneralëve të lartë, sukses i rëndësishëm kundër korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Franca ndryshon Kodin Civil: miraton projektligjin që heq “detyrimin bashkëshortor”

29 January 2026 at 21:55

PARIS, 29 janar 2026 /ATSH/ – Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar me shumicë votash një projektligj që eliminon konceptin e njohur si “detyrim martesor”, pas kritikave se ai përdorej për të anashkaluar pëlqimin seksual brenda martesës, sipas Euronews.

Ky ligj ndërpartiak, i mbështetur nga mbi 120 deputetë, vendos parimin themelor që pëlqimi mbetet i domosdoshëm për çdo akt seksual, përfshirë edhe në martesë.

Nisma u drejtuar nga deputetja Marie-Charlotte Garin dhe presidenti i grupit ”Horizons”, Paul Christophe, synon të heqë përgjithmonë idenë se bashkëshortët janë të detyruar të kenë marrëdhënie seksuale të rregullta.

Ndërsa ky koncept nuk përmendet në Kodin Civil, ai ka mbetur në disa vendime gjyqësore dhe perceptime shoqërore.

Ligji i ri specifikon në nenin 215 të Kodit Civil që “bashkimi i jetës nuk krijon asnjë detyrim për bashkëshortët për të pasur marrëdhënie seksuale.”

Sipas deputetes Garin, qëllimi është të “vijohet me interpretime që e shohin bashkimin e jetës si ‘bashkim në shtrat’ dhe kështu të eliminohet koncepti i detyrës martesore që vazhdon të ekzistojë në ligj dhe shoqëri”.

Ekspertët dhe aktivistët për të drejtat e grave e kanë përshëndetur këtë hap, duke theksuar se është e rëndësishme që seksualiteti të mos shihet si detyrim.

Ligji vjen në një kohë kur dhuna seksuale brenda çiftit mbetet kryesisht e paraportuar.

Sipas një sondazhi IFOP nga 11 shtator 2025, 57% e grave thanë se kishin pasur marrëdhënie martesore pa dëshirë, krahasuar me 39% të burrave.

Projektligji tashmë kaloi në Asamblenë Kombëtare dhe tani do të shqyrtohet nga Senati përmes një procedure të përshpejtuar.

Nëse miratohet, mund të hyjë në fuqi brenda disa muajsh./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Franca ndryshon Kodin Civil: miraton projektligjin që heq “detyrimin bashkëshortor” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Bashkëshortja e presidentit Trump shfaq premierën e dokumentarit ”Melania”

29 January 2026 at 20:00

UASHINGTON, 29 janar /ATSH-AFP/ – Melania Trump shfaqi sot dokumentarin e saj të ri, që premton një pamje nga pas skenave të rikthimit në pushtet të bashkëshortit të saj, një dokumentar i financuar nga një marrëveshje disa milionëshe me ”Amazon”.

I titulluar thjesht ”Melania”, dokumentari po shfaqet në një premierë me tapet të kuq në qendrën së fundmi të riemëruar ”Trump-Kennedy Center” në Uashington, me pjesëmarrjen e Zonjës së Parë dhe vetë presidentit Donald Trump.

Por, me raportime për shitje të dobëta të biletave për filmin e 55-vjeçares së lindur në Slloveni, shuma e madhe e paguar nga gjiganti amerikan i teknologjisë ka ngjallur pyetje nëse ”Amazon” po përpiqet thjesht të fitojë favor nga presidenti.

”Ky dokumentar ofron një dritare në një periudhë të rëndësishme për Amerikën”, tha Melania Trump ndërsa goditi dje kambanën e Bursës së Nju Jorkut.

”Për herë të parë në histori, njerëzit do të dëshmojnë 20 ditët që çuan deri te betimi përmes syve të një Zonje të Parë në ardhje”, shtoi ajo.

Melania Trump ka qenë një figurë shpesh misterioze që nga rikthimi i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, duke preferuar të kalojë kohën me djalin tyre, Barron, në Nju Jork dhe Florida.

Por, ajo tha se ”dokumentari, që do të shpërndahet globalisht nesër dhe më pas do të shfaqet ekskluzivisht në ‘Amazon Prime’, do t’u japë njerëzve një vështrim pas enigmës sime”.

”Do të shohin se si punoj, kush jam, si komunikoj me njerëzit dhe do të më njohin pak më shumë”, i tha ajo ”Fox and Friends”.

Çifti Trump zhvilloi të shtunën një shfaqje private në Shtëpinë e Bardhë, disa orë pas ngjarjes ku agjentët e emigracionit qëlluan për vdekje protestuesin Alex Pretti në Minneapolis, incident që shkaktoi zemërim kombëtar.

Në një nga seritë e intervistave promovuese këtë javë për filmin, Melania Trump bëri thirrje për bashkim pas vrasjes në Minneapolis./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KINEMA – Bashkëshortja e presidentit Trump shfaq premierën e dokumentarit ”Melania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE miraton 145 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën

29 January 2026 at 19:01

BRUKSEL, 29 janar /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian planifikon të vërë në dispozicion 145 milionë euro (173 milionë dollarë) për ndihmë humanitare në Ukrainë, njoftoi sot krahu ekzekutiv i aleancës me 27 vende anëtare.

”Fondet synojnë të ofrojnë mbrojtje, strehim, ushqim si dhe qasje në ujë dhe shërbime shëndetësore”, bëri të ditur Komisioni Evropian.

Sipas tij, edhe 8,0 milionë euro shtesë janë parashikuar për pritjen e refugjatëve të luftës në Moldavi.

Në kushtet e sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj furnizimit energjetik të Ukrainës, BE-ja po dërgon gjithashtu edhe 500 gjeneratorë emergjence.

Të premten e kaluar u dërguan 447 të tillë.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, gati katër vjet më parë, Komisioni ka siguruar mbi 1,4 miliardë euro për programe ndihme humanitare në Ukrainë dhe Moldavi.

Po ashtu, të paktën tre miliardë euro janë vënë në dispozicion për sigurinë energjetike.

”Në total, BE-ja e ka mbështetur Ukrainën me 193,3 miliardë euro”, bëri të ditur Komisioni./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post BRUKSEL – BE miraton 145 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Një flotilje anijesh të NATO-s mblidhet për manovra ushtarake

29 January 2026 at 18:18

MADRID, 29  janar /ATSH-DPA/ – Një flotilje anijesh të NATO-s po mblidhen sot në portin ushtarak spanjoll të Rotas, në kuadër të manovrave më të mëdha të aleancës transatlantike për këtë vit.

Manovrat, të quajtura “Steadfast Dart 26”, përfshijnë vendosjen e shpejtë të mijëra ushtarëve brenda Evropës, nga jugu dhe perëndimi drejt veriut dhe lindjes.

Manovrat po organizohen nga Gjermania.

Katër anije turke dhe dy spanjolle pritet të nisen nga Rota në ditët e ardhshme dhe pritet të arrijnë në portin gjerman të Kielit më 11 shkurt.

Anije shtesë nga Gjermania, Franca, Holanda dhe Polonia do t’i bashkohen flotiljes ndërsa po praktikohet edhe mbështetja ajrore për të siguruar anijet gjatë rrugës.

Manovrat  drejtohen nga gjenerali gjerman Ingo Gerhartz, komandant i “Allied Joint Force Command” në Brunssum, Holandë.

“Sidomos në këto kohë, është shumë e rëndësishme të tregojmë unitetin e aleancës sonë, NATO-s”, tha Gerhartz në Rota.

“Manovrat nuk kanë për qëllim dërgimin e kërcënimeve, por janë një mesazh 360-gradësh për gatishmërinë e lartë të NATO-s”, shtoi ai.

Në total, 11 shtete anëtare po marrin pjesë në “Steadfast Dart 26” me njësitë e ushtrisë, forcave ajrore, marinës dhe hapësirës.

Këto operacione ndodhin pak ditë pas shmangies së një ndarjeje të madhe brenda aleancës mbi të ardhmen e territorit pothuajse autonom të Arktikut, Groenlandës, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës./  /Ad.Ab./

The post SPANJË – Një flotilje anijesh të NATO-s mblidhet për manovra ushtarake appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BE mund t’u ndalojë hyrjen ish-ushtarëve rusë që luftuan kundër Ukrainës

29 January 2026 at 17:41

BRUKSEL, 29 janar /ATSH-DPA/ – Qindra mijëra ushtarë rusë që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës mund të ndalohen të hyjnë në Bashkimin Evropian, sipas një propozimi të paraqitur nga ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna.

Duke folur sot në një takim të BE-së në Bruksel, Tsahkna tha se ekzistojnë informacione sipas të cilave shumë ushtarë rusë synojnë të vijnë në Evropë pas një përfundimi të mundshëm të luftës.

“Kjo do të ishte e pamundur t’u shpjegohej qytetarëve”,  tha ministri estonez, duke i cilësuar ata si “persona shumë të rrezikshëm”.

Një dokument shoqërues i propozimit  thekson se rreth 1,5 milionë shtetas rusë kanë marrë pjesë në operacione luftarake që nga viti 2022, ndërsa rreth 640 mijë prej tyre janë ende të angazhuar aktivisht.

Sipas dokumentit, këta persona kanë karakteristika të përbashkëta si përvoja luftarake dhe përdorimi i dhunës, si dhe përfshirje të mundshme në krime lufte dhe mizori të tjera ndaj popullsisë ukrainase.

“Prania e tyre e mundshme në territorin e BE-së nuk përbën vetëm rrezik për krime të dhunshme, por edhe një kanal të rëndësishëm për infiltrimin e krimit të organizuar, lëvizjeve ekstremiste dhe operacioneve armiqësore shtetërore në Evropë” , thuhet në dokument.

Sipas autorëve, Ish-luftëtarët janë gjithashtu veçanërisht të lehtë për t’u rekrutuar nga shërbimet sekrete ruse.

Dokumenti vëren gjithashtu se në Rusi tashmë ekziston një lidhje mes ish-luftëtarëve dhe rritjes së dhunës.

Shumë prej të kthyerve kanë kryer krime të rënda, ndërsa numri i përgjithshëm i tyre arriti nivelin më të lartë në 15 vitet e fundit gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.

Sipas të dhënave, deri në 180 mijë të dënuar penalë janë rekrutuar drejtpërdrejt në njësi të posaçme ushtarake./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – BE mund t’u ndalojë hyrjen ish-ushtarëve rusë që luftuan kundër Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DANIMARKË – Rasmussen: Bisedimet me SHBA-në për Groenlandën i janë rikthyer normalitetit

29 January 2026 at 17:07

KOPENHAGË, 29 janar /ATSH/ – Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen ka përshëndetur sot bisedimet shumë konstruktive të nivelit të lartë me Shtetet e Bashkuara lidhur me të ardhmen e Groenlandës, duke theksuar se procesi diplomatik është rikthyer në binarë, sipas Reuters.

Deklaratat u bënë në Bruksel, përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në një moment kur tensionet për ishullin arktik kanë qenë në rritje javët e fundit.

Bisedimet në Uashington, ku morën pjesë përfaqësues të SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës, synuan të zbusnin krizën diplomatike të shkaktuar nga deklaratat e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump mbi marrjen e kontrollit të Groenlandës.

Rasmussen tha se takimi u zhvillua në një atmosferë pozitive dhe se janë planifikuar takime të tjera për të vazhduar dialogun.

”Gjërat kishin filluar të përshkallëzoheshin, por tani jemi sërish në rrugën e dakordësuar dy javë më parë në Uashington”, u shpreh ministri danez, duke shtuar se megjithëse ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare, ai është më optimist se një javë më parë.

Sipas tij, rikthimi te dialogu institucional është një hap i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.

Qëndrimi më i moderuar vjen pasi Trump, javën e kaluar, u tërhoq nga kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj disa vendeve evropiane dhe për herë të parë përjashtoi përdorimin e forcës për të marrë Groenlandën./  /Ad.Ab./

 

The post DANIMARKË – Rasmussen: Bisedimet me SHBA-në për Groenlandën i janë rikthyer normalitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Suedia planifikon ndalimin e celularëve në shkolla

29 January 2026 at 08:37

STOKHOLM, 29 janar /ATSH-AFP / -Suedia planifikon të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkollat fillore dhe të mesme për të siguruar që fëmijët të përqendrohen në mësim gjatë orës së mësimit, njoftoi qeveria.

Ky ndalim do të thotë se nxënësit deri në klasën e nëntë ose të moshës 15–16 vjeç, do t’i dorëzojnë telefonat e tyre në mëngjes dhe do t’i marrin përsëri në fund të mbarimit të mësimit.

“Sipas studimeve, nxënësit suedezë shpërqendrohen nga mjetet digjitale gjatë klasës më shumë se sa mesatarja e nxënësve në vendet të tjera të Evropës”, tha qeveria në një deklaratë. “Prandaj qeveria propozon një ndalim të telefonave celularë gjatë gjithë ditës së shkollës”, shton deklarata.

“Rreth 80 për qind e shkollave fillore dhe të mesme suedeze tashmë kanë ndalime për përdorimin e telefonave celularë brenda klasës, të vendosura sipas vullnetit të drejtorëve”, sipas agjencisë suedeze të lajmeve TT.

Ministrja e Arsimit, Simona Mohamsson, tha në një konferencë për shtyp se një ndalim kombëtar është i nevojshëm për të siguruar që të gjitha shkollat të jenë zona pa telefona celularë.

“Kjo do të ulë shpërqendrimet në klasë”, tha ajo, duke e përshkruar si “një fitore për mësimdhënien dhe shëndetin mendor”.

Nëse miratohet nga parlamenti, ndalimi do të hyjë në fuqi në fillim të semestrit të vjeshtës në gusht 2026./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Suedia planifikon ndalimin e celularëve në shkolla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Rubio: SHBA miraton çdo muaj buxhetin e qeverisë së Venezuelës

28 January 2026 at 22:38

UASHINGTON, 28 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria e përkohshme e Venezuelës ka rënë dakord t’i paraqesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për miratim një buxhet mujor, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Duke folur në një seancë dëgjimore të një komisioni të Senatit, Rubio tha se qeveria amerikane vendos se për çfarë mund dhe nuk mund të përdoren fondet, në kuadër të asaj që ai e quajti një “mekanizëm afatshkurtër”.

“Në fakt, ata janë zotuar të përdorin një pjesë të konsiderueshme të këtyre fondeve për të blerë ilaçe dhe pajisje drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke shtuar se drejtuesit e Venezuelës kanë qenë shumë bashkëpunues.

Në fillim të janarit, forcat amerikane sulmuan Venezuelën dhe kapën udhëheqësin e saj autoritar, Nicolas Maduro, si edhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke e futur vendin e Amerikës së Jugut në një fazë trazirash politike.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të ringjallë industrinë e madhe të naftës në Venezuelë dhe ka premtuar fitime të mëdha si për veten e tij, ashtu edhe për popullin venezuelian.

Menjëherë pas grushtit të shtetit, presidenti Trump njoftoi gjithashtu synimin për ta drejtuar Venezuelën në mënyrë tranzitore, pa sqaruar saktësisht se si e parashikonte këtë proces.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me zëvendëspresidenten e Maduros, Delcy Rodríguez, e cila ka marrë detyrën si presidente e përkohshme e vendit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Rubio: SHBA miraton çdo muaj buxhetin e qeverisë së Venezuelës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Asnjë arsye të dyshoj në shëndetin e presidentit Trump

28 January 2026 at 22:00

BERLIN, 28 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz hodhi poshtë sot dyshimet mbi aftësitë e presidentit amerikan Donald Trump për të qeverisur, ndërsa thashethemet për shëndetin e 79-vjeçarit vazhdojnë të qarkullojnë.

“Në bazë të takimeve që kam pasur me presidentin Trump, nuk kam asnjë arsye çfarëdolloj qoftë për të dyshuar në shëndetin e tij”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve.

“Kam përshtypjen se ai është, po, plotësisht i aftë për të kryer detyrat e tij. Nuk kam asnjë tregues që kjo të jetë ndryshe”, shtoi kancelari Merz.

Pavarësisht sigurimeve të përsëritura nga Shtëpia e Bardhë, shëndeti i Trumpit mbetet një temë e shpeshtë debati, me pyetje nëse presidenti po shfaq shenja normale të plakjes, simptoma të lodhjes si kreu i një shteti shumë të angazhuar apo diçka më serioze.

Mavijosje në dorën e tij, të mbuluara dukshëm me grim, janë vënë re në evente publike.

Trump ia ka atribuar këto shenja përdorimit të shtuar të aspirinës, ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kishte deklaruar më herët se ato ishin shkaktuar nga shtrëngimet e shpeshta të duarve.

Raporte mediatike kanë kapur së fundmi Trumpin duke mbyllur sytë gjatë paraqitjeve publike, por presidenti ka hedhur poshtë pretendimet se e kishte zënë gjumi duke thënë se po pushonte ose ishte i mërzitur./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post BERLIN – Merz: Asnjë arsye të dyshoj në shëndetin e presidentit Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Nafta në nivelin më të lartë të katër muajve nga tensionet gjeopolitike

28 January 2026 at 21:57

NJU JORK, 28 janar /ATSH-DPA/ – Çmimet e naftës kanë rritur në nivelin më të lartë të katër muajve të fundit, me një fuçi nafte “Brent” të Detit të Veriut për dorëzim në mars që u tregtua rreth 68,41 dollarë sot, 84 cent më shumë se një ditë më parë.

Nafta amerikane “West Texas Intermediate”  (WTI)  u rrit me 97 cent, duke arritur në 63,36 dollarë për fuçi.

Këto rritje i çuan të dyja referencat kryesore të naftës në nivelet më të larta që nga fundi i shtatorit.

Shkaku kryesor i rritjes duket të jenë tensionet gjeopolitike, ndërsa investitorët janë përqendruar te zhvillimet në Iran, një vend anëtar i grupit të prodhuesve të naftës OPEC.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Iranin për shtypjen e protestave të fundit kundër udhëheqjes autoritare të vendit dhe ka shtuar praninë ushtarake të SHBA-së në rajon.

Sipas ekspertëve të tregut të mallrave në Standard Chartered, ndjenja në tregun e naftës ka ndryshuar, me pritshmëri për luhatje më të mëdha të çmimeve sesa ishte parashikuar më parë.

Çmimet e naftës bruto janë faktori kryesor që ndikon në koston e karburanteve dhe të naftës për ngrohje, ndaj kjo rritje mund të përkthehet në shpenzime më të larta për konsumatorët./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Nafta në nivelin më të lartë të katër muajve nga tensionet gjeopolitike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Kremlini: Putin i hapur për takim me Zelenskyn në Moskë

28 January 2026 at 21:14

KIEV, 28 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për të takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar rreth luftës në Ukrainë, tha sot këshilltari për politikën e jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov.

“Rusia kurrë nuk e ka përjashtuar një takim të tillë”, tha Ushakov për televizionin shtetëror.

“Nëse Zelensky është vërtet i gatshëm për bisedime, ai mund të vijë në Moskë”, shtoi Ushakov, duke theksuar se Putin e ka thënë këtë disa herë më parë.

“Një takim i tillë duhet të përgatitet mirë dhe të fokusohet te rezultatet”, nënvizoi ai.

”Rusia do të garantojë sigurinë e presidentit ukrainas”, shtoi Ushakov.

Megjithatë, Ukraina e konsideron të papranueshëm një udhëtim të Zelenskyt në Moskë për arsye sigurie.

Ministri ukrainas i Jashtëm, Andrii Sybiha, kishte deklaruar më parë se Zelensky është i gatshëm të negociojë çështje të ndjeshme drejtpërdrejt me Putin, si pjesë e përpjekjeve për të ndalur luftën e Rusisë.

“Çështjet më të ndjeshme në kërkimin e një marrëveshjeje paqeje ende nuk janë zgjidhur,” tha Sybiha në një intervistë për portalin ukrainas “European Pravda”.

Këto përfshijnë pyetje territoriale dhe centralin bërthamor të Zaporizhias, i cili ndodhet nën kontrollin e  Rusisë.

Zelensky ka bërë disa herë thirrje për një takim me presidentin rus, ndërsa Moska ka qenë vazhdimisht e rezervuar.

Një takim mes dy liderëve ka qenë gjithashtu një temë e shpeshtë në bisedat telefonike mes presidentit Putin dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Fundjavën e kaluar, negociatorë nga Ukraina dhe Rusia zhvilluan bisedime direkte, për herë të parë pas disa muajsh, në Emiratet e Bashkuara Arabe me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Bisedimet pritet të vazhdojnë të dielën në Abu Dabi./  /Ad.Ab./

The post RUSI – Kremlini: Putin i hapur për takim me Zelenskyn në Moskë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS- Merz: Ka ardhur koha për të finalizuar marrëveshjen doganore BE–SHBA

28 January 2026 at 20:20

BERLIN, 28 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje sot për një vendim përfundimtar në mosmarrëveshjen lidhur me marrëveshjen doganore mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke folur në Berlin përkrah kryeministrit rumun Ilie Bolojan, Merz tha se “tashmë janë hedhur themelet që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi”.

Megjithatë, kancelari paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara “nuk duhet të hedhin më dyshime” mbi marrëveshjen e arritur në korrik të vitit të kaluar.

Merz iu referua kërcënimit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, tashmë i tërhequr, për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që kundërshtojnë përpjekjen e tij për të marrë nën kontroll Groenlandën.

“Shtetet e Bashkuara duhet të kenë interes që marrëveshjet të respektohen dhe të mos vihen në pikëpyetje nga ‘njoftime të përditshme’,” tha Merz.

“Ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë një përkeqësim të kësaj marrëveshjeje”,  theksoi kancelari gjerman.

Megjithëse marrëveshja BE–SHBA u arrit vitin e kaluar, ajo ende ka nevojë për miratimin e Parlamentit Evropian për t’u bërë zyrtare.

Parlamenti e vendosi formalisht marrëveshjen në pritje javën e kaluar, ndërsa tensionet për Groenlandën u përshkallëzuan.

Plani parashikon që mallrat industriale amerikane të importohen në BE pa tarifa doganore. Në këmbim të këtyre angazhimeve nga BE-ja, Trump pranoi të mos vendosë tarifa të posaçme.

Merz vuri në dukje se negociatat me Uashingtonin vazhdojnë ende në dy sektorë të ndjeshëm: çelikun dhe aluminin./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS- Merz: Ka ardhur koha për të finalizuar marrëveshjen doganore BE–SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌