Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 28 December 2025Main stream

Pse Izraeli e njohu Somalilandin?

By: Re Nato
28 December 2025 at 22:50

“A e di dikush vërtet se çfarë është Somalilandi?” – i tha presidenti amerikan Donald Trump gazetës New York Post gjatë fundjavës, pasi Izraeli u bë shteti i parë në botë që njohu republikën e vetëshpallur në Afrikën Lindore.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndjekin këtë hap dhe se Uashingtoni duhet ta “studiojë” çështjen, në një kohë kur një numër gjithnjë e më i madh shtetesh po e refuzojnë vendimin e Izraelit. Më shumë se 20 shtete, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, e cilësuan njohjen si një “masë të paprecedentë” që mund të minojë paqen dhe sigurinë në Bririn e Afrikës dhe në Detin e Kuq, me pasoja serioze për paqen ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se vazhdon ta njohë integritetin territorial të Somalisë, “i cili përfshin edhe territorin e Somalilandit”. Mbeti e paqartë pse Izraeli e bëri këtë deklaratë të premten ose nëse priste diçka në këmbim, ndërsa raportimet më herët gjatë këtij viti sugjeronin se Somaliland po shqyrtohej si një destinacion i mundshëm për palestinezët e zhvendosur nga Gaza.

Somaliland ndodhet pranë Xhibutit, i cili strehon baza ushtarake të Shteteve të Bashkuara, Kinës, Francës dhe disa vendeve të tjera. Ai është gjithashtu i pozicionuar në mënyrë strategjike në Gjirin e Adenit, përballë Jemenit dhe zonave të kontrolluara nga lëvizja Houthi e mbështetur nga Irani.

Pra, çfarë dimë për Somalilandin?

Somalilandi është një shtet i vogël dhe i largët, pa njohje ndërkombëtare, i cili gjatë vitit të fundit është shndërruar në arenë të një përplasjeje rajonale shpërthyese, të mbushur me interesa gjeopolitike.

Kjo republikë e vetëshpallur, një territor i sunduar nga klani mysliman Issaq, u shkëput nga shteti amë, Somalia, në vitin 1991 dhe shpalli pavarësinë pa garanci ndërkombëtare. Që prej asaj kohe, ka tentuar të sigurojë njohje nga shtete të ndryshme, ndërsa njëkohësisht është përforcuar kundër kërcënimeve rajonale, kryesisht nga Somalia, e cila synon të rimarrë kontrollin e territorit. E drejta ndërkombëtare e njeh Somalilandin vetëm si një distrikt autonom brenda Somalisë dhe deri në vitin 2024, asnjë shtet nuk e kishte njohur si vend të pavarur, përveç Tajvanit, vetë një shtet i panjohur ndërkombëtarisht.

Kjo ka pasoja të mëdha ekonomike. Somalilandi nuk mund të marrë pjesë në tregtinë ndërkombëtare dhe nuk mund të përfitojë ndihma financiare nga organizata si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke u detyruar të funksionojë si një ekonomi autarkike. Për këtë arsye, një sektor që lulëzon në territor është pirateria detare.

Kërkesa për pavarësinë e Somalilandit e ka origjinën në epokën koloniale të Afrikës. Në fund të shekullit XIX, Britania dhe Italia morën kontrollin mbi hapësirën somaleze, duke krijuar Somalilandin Britanik, që përkon me Somalilandin e sotëm, si protektorat. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat britanike pushtuan Somalilandin Italian, atëherë pjesë e Italisë fashiste të Musolinit, duke bashkuar dy territoret në një shtet të vetëm që funksiononte si njësi politike brenda Perandorisë Britanike.

Në vitin 1960, Somalilandi i Bashkuar fitoi pavarësinë dhe u krijua Republika e Somalisë. Rënia e qeverisë qendrore në vitin 1991 dhe lufta e përgjakshme civile çuan në shkëputjen e territorit të Somalilandit nga shteti amë. Ndryshe nga Somalia, e cila për dekada është përballur me luftëra civile shkatërruese dhe për një periudhë është sunduar nga milici islamiste, kryesisht Al-Shabaab, Somaliland, me rreth 6.2 milionë banorë, ka arritur të ruajë një stabilitet relativ politik.

“Kandidat ideal” për bashkëpunim me Izraelin

Një raport i vitit 2024 nga instituti izraelit i studimeve strategjike Institute for National Security Studies tha se “Somaliland mund të shërbejë si një bazë e avancuar për një sërë misionesh: mbledhje inteligjence dhe monitorim të Houthis dhe ndërtimit të kapaciteteve të tyre ushtarake; mbështetje logjistike për qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit në luftën e saj kundër Houthis; dhe operacione të drejtpërdrejta, nga veprime sulmuese deri te ndalimi i sulmeve Houthi në det ose me UAV [dronë]”.

Raporti shtonte se “Somaliland mund të bëhet një shtyllë kyçe e përpjekjeve të Izraelit për t’u përballur me kërcënimin Houthi”. Që nga shpërthimi i luftës në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, Houthis kanë lëshuar qindra raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe kanë shënjestruar anije në Detin e Kuq, duke nxitur sulme ajrore izraelite në Jemen dhe vrasjen e figurave të larta Houthi. Këto zhvillime kanë rritur ndjeshëm rëndësinë strategjike të ujërave pranë bregdetit të Somalilandit.

Raporti e cilëson Somalilandin si “kandidat ideal për bashkëpunim” në një fushatë të ardhshme kundër Houthis, duke theksuar se ai mund t’i ofrojë Izraelit “qasje të mundshme në një arenë operacionale pranë zonës së konfliktit”. Burimi shton gjithashtu se, përtej bashkëpunimit të sigurisë, lidhjet me Somalilandin kanë edhe vlerë ekonomike dhe reputacioni për sigurinë kombëtare të Izraelit, duke përmendur mineralet që ndodhen në territor dhe interesin e Izraelit për të ndërtuar marrëdhënie me popullsi myslimane në rajon.

Destinacion për palestinezët e zhvendosur nga Gaza?

Në mars, Associated Press raportoi se zyrtarë izraelitë thanë se SHBA-të dhe Izraeli kishin kontaktuar zyrtarë në tre qeveri të Afrikës Lindore, përfshirë Somalilandin, për të diskutuar përdorimin e territoreve të tyre si destinacione të mundshme për palestinezët e zhvendosur nga Rripi i Gazës.

Zyrtarë amerikanë dhe izraelitë konfirmuan kontaktet me Somalinë dhe Somalilandin, ndërsa amerikanët konfirmuan edhe Sudanin. Ata thanë se ishte e paqartë sa përparim ishte bërë apo në çfarë niveli ishin zhvilluar diskutimet. Zyrtarë nga Somalia dhe Somaliland i thanë AP-së se nuk ishin në dijeni të kontakteve të tilla.

Interesi MAGA

Iniciativa politike amerikane e lidhur me MAGA-n, Project 2025, e publikuar nga Fondacioni konservator Heritage në vitin 2022 dhe e parë gjerësisht si një plan për mandatin e dytë të Trumpit, i bëri thirrje SHBA-së të njohë Somalilandin “si një mbrojtje ndaj përkeqësimit të pozitës amerikane në Xhibuti” dhe si një mjet për të kundërshtuar “aktivitetin keqdashës kinez” në Afrikë.

Në gusht të vitit të kaluar, senatori amerikan Ted Cruz i kërkoi Trumpit me një letër që të njohë Somalilandin, duke theksuar rolin e tij në përballjen me Kinën dhe interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-ve.

Interesi i Emirateve të Bashkuara Arabe

Në tetor 2024, faqja pro Katarit, Middle East Monitor raportoi se Izraeli i ishte afruar në mënyrë sekrete Somalilandit, i vendosur përballë qytetit jemenas Aden, me një propozim që do t’u shërbente të dyja palëve: Izraeli do të ngrinte një bazë ushtarake në Somaliland për të sulmuar dhe frenuar objektiva Houthi, në këmbim të njohjes zyrtare të vendit dhe investimeve financiare.

Sipas raportit, i cili bazohet në burime diplomatike, Emiratet e Bashkuara Arabe po ndërmjetësojnë mes dy palëve dhe jo vetëm që kanë bindur Somalilandin të lejojë ndërtimin e bazës, por do ta financojnë atë. UAE, nënshkruese e Marrëveshjeve të Abrahamit të vitit 2020 me Izraelin, ka interes të drejtpërdrejtë në këtë marrëveshje, pasi Houthis janë shndërruar në një kërcënim sigurie edhe për ta, dhe forcat izraelite në Somaliland do t’i ndihmonin në luftën kundër tyre.

Në vitet e fundit, Somaliland i ka lejuar Emiratet të përdorin portin e Berberës dhe aeroportin e tij si bazë për aktivitetet ushtarake në Jemen, në këmbim të një investimi prej 440 milionë dollarësh nga UAE në portin e Berberës, sipas mediave të huaja.

Ndërmjetësimi i Emirateve vjen pas bashkëpunimit të tyre ushtarak me Izraelin, pasi të dy vendet raportohet se kanë krijuar një bazë të përbashkët ushtarako-inteligjente në arkipelagun Socotra, një nga ishujt më të largët dhe ekologjikisht më të pasur në botë, i vendosur në Gjirin e Adenit pranë Jemenit.

Zgjedhjet në Kosovë/ Lëvizja Vetëvendosje fiton mbi 49 përqind të votave

By: Re Nato
28 December 2025 at 22:24

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka dalë forcë e para në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura të dielën.

Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, rezulton se LVV ka marrë 49.80 përqind të votave.

Rezultatet preliminare u shpallën pas numërimit të 96.13 për qind të votave.

Kreu i KQZ, Radoniqi tha se pjesa tjetër e votave do të procesohen dhe publikohen në platformën online të KQZ-së.

Sipas rezultatit preliminar, PDK-ja është e dyta me 21.18 përqind të votave, LDK-ja me 13.77 përqind, AAK-ja me 5.74 përqind dhe Lista Serbe me 3.86 përqind.

Në garë ishin gjithsej 24 subjekte politike, përfshirë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 1.999.024 qytetarë, ndërsa votimi u zhvillua nga ora 07:00 deri në 19:00 në 910 qendra votimi./abcnews.al

Trump: Plani i paqes do të sjellë përfitime ekonomike për Ukrainën

By: Re Nato
28 December 2025 at 21:54

Donald Trump tha se mund të ketë “përfitime të mëdha ekonomike” për Ukrainën si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.

Presidenti amerikan po fliste pasi priti Volodymyr Zelenskyy në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago.

“Ka përfitime të mëdha ekonomike për Ukrainën edhe sepse, e dini, ka shumë punë për të rindërtuar. Ka shumë pasuri për t’u pasur dhe ata kanë pasuri të madhe, potencialisht pasuri të madhe. Ata duan të fillojnë. Ka një përfitim të madh ekonomik për Ukrainën.”, theksoi ai.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shpalosur variantin më të fundit për një marrëveshje paqeje, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila synon t’i japë fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.

Zelensky paraqiti një plan me 20 pika, i përpiluar gjatë javëve të fundit nga negociatorë nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe vendet evropiane.

Drafti thekson një marrëveshje të plotë dhe të pakushtëzuar “joagresore” midis Rusisë dhe Ukrainës, megjithëse çështje të pazgjidhura, si kontrolli territorial mbi Ukrainën lindore dhe fati i centralit bërthamor të Zaporizhjas – objekti më i madh i energjisë bërthamore në Evropë – mbeten ende të ndërlikuara.

Vendet nordike përfshihen nga një stuhi e fuqishme

By: Re Nato
28 December 2025 at 21:19

Dy persona kanë humbur jetën në Suedi pas një stuhie të fuqishme dimërore që ka përfshirë vendet nordike, duke shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve dhe mungesë energjie elektrike.

Instituti Suedez i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë lëshoi alarme për erëra të forta në pjesën veriore të vendit, teksa u godit nga stuhia Johannes.

Sipas BBC, një person rreth të 50-ave humbi jetën pasi u godit nga një pemë në resortin e skive Kungsberget në jug të vendit, raportuan mediat lokale dhe policia; ndërsa kompania rajonale e energjisë Hemab tha se një nga punonjësit e saj vdiq në një aksident “në terren”.

Dhjetëra mijëra banesa në Suedi, Norvegji dhe Finlandë kanë mbetur pa energji elektrike. Në Suedi, mbi 40,000 banesa u prekën nga ndërprerjet e energjisë dhe shumë shërbime hekurudhore u anuluan, raportoi agjencia suedeze e lajmeve TT.

Disa fluturime, shërbime hekurudhore dhe tragete në pjesë të ndryshme të vendeve nordike janë anuluar.

Rrugët dhe shërbimet hekurudhore janë gjithashtu të ndërprera për shkak të kushteve të stuhisë.

Gjërat tona/ “Hija e Çoles”, vrasësi që vrau sërish

By: Re Nato
28 December 2025 at 20:47

Në një fshat të vogël të Vlorës, afro 65 kilometër larg, qetësia e mbrëmjes së 1 nëntorit u thye nga plumbat.

Një tjetër krim, një tjetër emër i njohur i botës së errët.

Një 33-vjeçar që i shmangej drejtësisë, nuk iu shmang dot hijes së vet.

Bertil Alliaj, në kërkim prej gati një dekade, kthehet në fshatin e tij të lindjes, në Gjorm dhe vret kushëririn e tij, Dalan Alliajn, 38 vjeç. Një njeri që jetonte thjeshtë, punonte, e s’kishte pasur asnjëherë probleme me drejtësinë.

Gjashtë të shtëna pistolete në oborrin e shtëpisë i dhanë fund gjithçkaje.

E ndërsa Policia vraponte për të ndaluar autorin, historia dukej se përsëritej.

Kësaj here, ajo që nuk ndodhi për 10 vjet, u realizua për 5 orë. Autori u arrestua.

Një dekadë më parë, emri i tij ishte në çdo ekran.

Një masakër e egër, një dënim prej 35 vitesh burg.

Por ndryshe nga 3 viktimat e asaj që mori emrin “Masakra e Çoles”, Bertil Alliaj mbeti i gjallë… dhe i lirë.

“Hija e Çoles”, vrasësi që vrau sërish.

Historia e një krimi të pranuar, por pa një motiv. Një vrasje që rikthen në kujtesë një histori më të madhe, dështimin për ta ndaluar një vrasës që i kishte duart me gjak që më parë.

VRASJA DHE ARRESTIMI

Në këtë fshat, gjaku i afërt është bekim dhe mallkim. Këtu, çdo konflikt mbetet i shkruar në kujtesë. Por askush nuk e mendonte që do të përfundonte sërish me armë.

Për 10 vite, banorët e fshatit Gjorm nuk e kishin parë Bertil Alliajn. Para disa vitesh ai kishte arritur të pajisej me pasaportë kosovare dhe mendohej se kishte lëvizur jashtë vendit. Në fshat rezulton të jetë kthyer dy ditë para ngjarjes. Në familje thonë se shkak për kthimin e tij ishte bërë një problem shëndetësor i të atit, por kjo nuk dihet me siguri. Të paktën për aq kohë sa ai, menjëherë pas kthimit, ka komunikuar në telefon me djalin e xhaxhait, Dalan Alliajn, i cili jetonte në Fier. E ka ftuar që të shkojë tek shtëpia e tij në Gjorm. Në momentin që ai ka shkuar aty, mbrëmjen e 1 nëntorit 2025, nuk kanë pasur asnjë lloj komunikimi por e ka qëlluar direkt.

Duket se gjithçka mund të ketë qenë e planifikuar dhe autori ka qenë duke e pritur. Rreth orës 20:00, familjarët e tij pasi kanë dëgjuar të shtënat në derën e shtëpisë kanë dalë për të parë dhe Bertil Alliaj u ka thënë se e ka vrarë ai.

Të pyetur në lidhje me ngjarjen, ata kanë deklaruar se nuk kanë pasur asnjë debat. I ati i autorit ka thënë se djali i tij pas kthimit ka qenë i heshtur dhe ka qëndruar i mbyllur pa folur me njeri. Ka rrëfyer për Policinë se nuk e di nëse ka pasur konflikt mes tij dhe 36-vjeçarit.

Policia e Vlorës

Pas marrjes së njoftimit nga familjarët se në fshatin Gjorm ishte gjetur pa shenja jete shtetasi Dalan Alliaj, 36 vjeç, banues në Fier, të cilit gjatë këqyrjes i janë konstatuar plagë të shkaktuara me armë zjarri, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u ngrit një grup hetimor me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, i përbërë nga specialistë të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe ekspertë kriminalistikë. Falë veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Bertil Alliaj, 33 vjeç, banues në fshatin Gjorm, Selenicë, i cili pas ngjarjes ishte larguar në zonën malore përreth. Menjëherë shërbimet e DVP Vlorë u organizuan dhe nisën kërkimet për kapjen e tij.

Teksa Dalan Alliaj transportohej me autoambulancë drejt spitalit të Vlorës, ndonëse mësohet se aty ka shkuar pa shenja jete, paralelisht Policia kishte nisur një aksion për kapjen e autorit.

Të dhënat flisnin se ai ishte larguar menjëherë pas krimit, për t’u fshehur në zonat malore pranë fshatit Gjorm. Aty u përqendruar edhe kërkimet e Policisë, të ndihmuar edhe nga një dron që gjurmoi nga ajri lëvizjet e tij.

Pas 5 orësh ai u arrit të neutralizohet dhe të arrestohet. Në momentin e prangosjes, iu gjet edhe pistoleta “Beretta”, me të cilën dyshohet se kishte realizuar vrasjen e djalit të xhaxhait.

Policia e Vlorës

Pas rreth 5 orësh kërkimesh intensive, me përdorimin edhe të dronit, Policia e Vlorës bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes. Falë kontrolleve intensive të shtrira gjatë gjithë natës dhe përdorimit të dronit për krehjen e zonës, rreth orës 01:05 të mëngjesit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bertil Alliaj, pasi mbrëmjen e djeshme (1 nëntor), rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin Dalan Alliaj. Gjatë kontrollit fizik të autorit, iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Beretta FS92”, e dyshuar si arma e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 6 gëzhoja dhe 1 predhë arme zjarri. Shtetasi Bertil Alliaj rezulton gjithashtu person në kërkim, menjëherë pas kapjes së tij, u ekzekutua edhe vendimi i datës 20.01.2016, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila e ka dënuar me 35 vite burg për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Pra, ajo që nuk u arrit të realizohej për 10 vjet, u realizua brenda 5 orësh. Por me një çmim shumë të lartë. Jetën e një tjetër njeriu.

Autori i ngjarjes pranoi gjithçka, por pa dhënë asnjë motiv: Kam një arsye shumë të fortë, por nuk mund ta them. Jam penduar për atë që bëra, por arsyeja që kisha unë më shtyu drejt vrasjes.

Të njëjtën frazë përsëriti edhe paraditen e 5 nëntorit 2025 në Gjykatën e Vlorës, ku u paraqit për masën e sigurisë. I akuzuar për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, Bertil Alliaj u la në burg nga gjyqtari Etien Isak.

Por ndërkohë, përveç kësaj mase, ai u izolua në burg edhe në zbatim të vendimit të mëparshëm të dhënë në mungesë ndaj tij, atij me 35 vjet heqje lirie, për ngjarjen me 3 të vrarë në vitin 2015, e njohur si “Masakra e Çoles”.

MASAKRA E ÇOLES

Dhjetë vite para krimit të 1 nëntorit në fshatin Gjorm, Vlora u trondit nga një ngjarje e rëndë që mori emrin “Masakra e Çoles”. Një sherr banal, i nisur në një lokal lojërash fati, u kthye në një natë gjakderdhjeje. Pas dhunimit të një 21-vjeçari, grupi i miqve të tij, mes tyre edhe Bertil Alliaj, u rikthyen për t’u hakmarrë. Brenda pak minutash, plumbat morën jetën e tre të rinjve: Akil Hasanaj (Haki Rakipi), Ardi Velaj dhe Albi Limaj. Ishte një vrasje e ftohtë, e pakuptueshme, që la pas një qytet të shokuar dhe një zinxhir drejtësie që s’do të mbyllej kurrë plotësisht. Edhe pse u dënua me 35 vite burg, Alliaj arriti të zhdukej, duke jetuar për një dekadë si hije, derisa historia u përsërit sërish, këtë herë më afër se kurrë, në gjirin e familjes së vet.

Gjithçka nisi mbrëmjen e 6 prillit të vitit 2015, për një kazino në qendër të qytetit bregdetar të Vlorës. Fillmisht në sherr u përfshinë Akil Hasanaj dhe Ardi Velaj, të cilët kanë ofenduar dhe dhunuar Xhuliano Lutajn. Ky i fundit ka kërkuar ndihmë dhe ka vënë në dijeni shokun e tij, Albi Limaj. Limaj lajmëroi Aleksandër Llanaj dhe të rinjtë e lanë që të nesërmen të shkonin për t’u sqaruar, në një lokal në lagje “Çole” të Vlorës.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, nga tërësia e provave dhe thënieve të dëshmitarëve ka rezultuar se Albi Limaj dhe Ardi Velaj, më datë 7 prill 2015, kanë komunikuar me telefon me njëri-tjetrin në lidhje me një ngjarje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së njëjtës ditë.

Fillimisht komunikimi midis tyre ka filluar në orën 12:33 me telefonatën e shtetasit Albi Limaj në drejtim të numrit telefonik të shtetasit Ardi Velaj. Më pas komunikimet e tjera vijojnë në orën 13:50 e në vazhdim. Rreth orës 14:00 të asaj dite, në drejtim të lokalit ku ndodhi ngjarja, janë filmuar duke ecur së bashku Ardi Velaj dhe Haki Rakipi, njëri prej të cilëve është duke pirë cigare. Më pas ata janë futur në njërën nga hyrje të lokalit duke u futur fillimisht në verandën e tij. Ata kanë qëndruar në verandë përballë njëri-tjetrit duke biseduar dhe pirë cigare.

Pas 2 minutash, në hyrjen tjetër që të fuste në verandën e lokalit janë parë duke hyrë së bashku Albi Limaj dhe Aleksandër Llanaj. Në momentin që këta të fundit janë futur në verandën e lokalit, Alekandër Llanaj, duke ecur në drejtim të Haki Rakipit dhe Ardi Velajt, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre duke goditur fillimisht Ardi Velaj. Për pasojë Ardi Velajt i është shkaktuar një plagë në kokë, në anën e majtë dhe ai vetë, ndonëse kishte pistoletë me vete, nuk ka arritur ta përdorë.  Po kështu, Aleksandër Llanaj ka qëlluar tri herë edhe ndaj personit tjetër, Haki Rakipi.

Nga një automjet tip “BMW”, ka dalë Bertil Alliaj, i cili është futur në anën e lokalit ku ndodhej ende i gjallë Albi Limaj duke konstatuar plagosjen e tij. Limaj ka dalë nga lokali nga e njëjta hyrje që edhe ishte futur në verandën e tij, ndërsa Aleksandër Llanaj, ka dalë nga pjesa tjetër e lokalit ku ka parë të shtrirë të tokë trupat e pajetë të Haki Rakipit dhe Ardi Velajt.

Rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj është futur në automjetin “BMW X5”, që drejtohej nga i pandehuri Ani Begaj dhe ka komunikuar me këtë të fundit. Më pas, Ani Begaj është afruar tek i pandehuri Bertil Alliaj, me të cilin kanë komunikuar dhe ku i ka dhënë armën, me të cilën kishte qëlluar Llanaj.

Më pas, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj, pasi nuk kanë mundur të bëjnë dërgimin në automjet të Albi Limajt, për shkak se ky i fundit kishte rënë i shtrirë në asfalt, Bertil Alliaj është larguar me vrap. Gjatë largimit të Alliaj është parë me dy armë dhe rezulton nga akti i ekspertimit kimik se ai ka pasur faktorë plotësues të qitjes në dorë.

Ndërkohë që Bertil Alliaj është larguar midis pallateve, Ani Begaj ka dërguar në spital Aleksandër Llanaj për shkak se ky i fundit rezultonte i plagosur. Fillimisht nga vendi i ngjarjes është larguar trupi i pajetë i Albi Limajt. Sipas aktit të ekspertimit balistik, rezulton se predha që i është gjetur Albi Limaj është qitur nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj, ndërkohë që ky ishte spostuar në drejtim të hyrjes tjetër për në verandën e lokalit ku ndodheshin shtetasit Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.

Si pasojë e goditjeve me armë të të pandehurit Aleksandër Llanaj ka gjetur vdekjen shtetasi Albi Limaj. Sipas dosjes së Prokurorisë së Vlorës, nga sa më sipër, rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer vrasjen me dashje me armë luftarake të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, veprime këto të cilat i ka kryer në bashkëpunim me shtetasit Ani Begajn, Bertil Alliajn dhe të ndjerin Albi Limaj, i cili kishte organizuar edhe takimin.

Në lidhje me vrasjen e Albi Limajt, Aleksandër Llanaj duke e ekspozuar këtë të fundit me dashje ndaj goditjeve me armë të realizuara prej tij i ka shkaktuar atij vdekjen.

Përfundimisht, Prokuroria e Vlorës ka çmuar se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, të kryer në bashkëpunim. Ndërsa të pandehurit Bertil Alliaj dhe Ani Begaj kanë konsumuar secili më vete veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese kryer në bashkëpunim”, në të dëm të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Akuza ndaj tyre bazohet në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, aktet e ekspertimit kimik, aktet e ekspertimit balistik, aktet e ekspertimit mjeko-ligjor, tabulatet telefonike, përgjimet e kryera, procesverbali për këqyrjen e pamjeve filmike, thëniet e personave të pyetur si deklarues, etj.

Pas një kalvari të gjatë gjyqësor në të tri shkallët dhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese në dhjetor të vitit 2017, që riktheu dosjen në Gjykatën e Lartë, kjo e fundit dha vendimin final më 19 mars të vitit 2022.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Vlorës për Aleksandër Llanajn, Ani Begajn dhe Bertil Alliajn. Për Llanajn, që ishte i vetmi i arrestuar, pasi kishte mbetur edhe vetë i plagosur në ngjarje, ka mbetur në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm, ndërsa për dy të tjerët, që u gjykuan në mungesë, mbeti në fuqi dënimi me nga 35 vite burg. Vendimi u mor nga tre anëtarët e gjykatës së Lartë, Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.

DHJETË VJET ARRATI

Ku ishte Bertil Alliaj për dhjetë vite? Si mund të jetojë dikush në arrati në një vend të vogël si Shqipëria? A u ndihmua? Apo askush nuk kërkoi mjaftueshëm?

Për një dekadë, ai s’u kap. E duket se shteti, në heshtje, e kishte harruar. Derisa ai i kujtoi të gjithëve ekzistencën e tij me plumba.

Miku i tij, bashkëpunëtor dhe i dënuar për të njëjtën ngjarje, Ani Begaj, ishte arrestuar 7 vite pas “Masakrës së Çoles”, më 7 korrik të vitit 2022. Ai u arrestua së bashku me djalin e xhaxhait të tij, Elton Begajn. Të dy të arrestuarit ishin duke lëvizur me një automjet tip “Nissan”. Ata janë ndjekur në Lungomare nga Policia dhe nuk kanë ndaluar, derisa në një rrugicë në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, nuk kanë gjetur rrugëdalje. Policia i ka shtrirë barkas të dy, duke u vënë prangat, ndërsa me vetë u janë gjetur edhe pistoleta.

Njësoj si Bertil Alliaj, edhe Ani Begaj ishte dënuar me 35 vjet burg. Por ndërsa ai tashmë po vuante dënimin në qeli, Alliaj vijoi arratinë edhe për 3 vite, derisa realizoi krimin e radhës dhe u arrestua.

Në fshatin e tij, në Gjorm të Vlorës, banorët thonë se nuk e kishin parë që pasi ndodhi “Masakra e Çoles”. I pajisur me një pasaportë kosovare, Bertil Alliaj, mendohet se mund të ketë lëvizur edhe jashtë Shqipërisë, megjithatë ka të dhëna se ka qëndruar edhe në Vlorë. Madje mund të jetë ndihmuar edhe nga kushëriri i tij, Dalan Alliaj, të cilin e qëlloi për vdekje mbrëmjen e 1 nëntorit 2025.

Në mes të kësaj tragjedie është një lidhje gjaku. Dy kushërinj. Njëri i qetë, familjar, baba i dy fëmijëve, që merrej me biznes dhe nuk kishte pasur kurrë probleme me Policinë; tjetri, një fantazmë e drejtësisë së munguar. Çfarë i ndau? Dhe pse tani? Këtë mund ta sqarojë vetëm autori i krimit, Bertil Alliaj, i cili deri në këtë fazë të hetimit nuk ka zgjedhur të tregojë asgjë.

DËSHTIMI I SISTEMIT

Rasti i Bertil Alliaj nuk është i vetëm. Dhjetëra persona të dënuar me burgim, vijojnë t’i shmangen drejtësisë e në ndonjë rast edhe të kryejnë krime të tjera. Sistemi i drejtësisë shqiptare mbetet me vrima të mëdha. Në kërkim, në ndjekje, në përgjegjësi.

Në momentin që për një të dënuar nuk ekzekutohet vendimi, përgjegjësia është zinxhir. Por dikush me siguri nuk ka bërë detyrën.

Në dosjet e pluhurosura të drejtësisë shqiptare, Bertil Alliaj ishte thjesht një emër i harruar. Derisa u kthye në lajm. Vrasja e Dalan Alliajt në Gjorm të Vlorës, më 1 nëntor 2025, është një tjetër dëshmi se shteti nuk ka mekanizma real ndëshkimi. Nëse dikush fshihet, thjesht pritet që të dalë vetë. Dhe Bertil Alliaj doli, por me një vrasje tjetër.

Kur drejtësia dështon, ndëshkimi bëhet i rastësishëm. Ai vjen si hakmarrje, si aksident, si tragjedi e përsëritur.

Një dënim i harruar, një krim i përsëritur, një jetë e humbur.

Në një vend ku drejtësia ecën ngadalë, fajtorët kthehen para nesh. Jo për t’u penduar, por për të vrarë sërish.

Dhe pyetja që bëjnë të gjithë: Kush e vrau Dalan Alliajn? Kushëriri apo sistemi?/abcnews.al

Trump pret Zelenskyn: I kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje, Putin është serioz për paqen

By: Re Nato
28 December 2025 at 20:22

Duke folur përkrah Volodymyr Zelenskyy jashtë shtëpisë së tij në Mar-a Lago, Donald Trump tha se beson që Vladimir Putin është “serioz për paqen”.

“Shumë njerëz kanë vdekur dhe mendoj se të dy presidentët duan të bëjnë një marrëveshje”, tha ai.

“Unë besoj se kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje që është e mirë për Ukrainën, e mirë për të gjithë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme.”, shtoi presidenti.

Ndër të tjera, Trump deklaroi se do të ketë një marrëveshje “të fortë” sigurie për Ukrainën dhe “kombet evropiane janë shumë të përfshira”.

” Mendoj se kombet evropiane kanë qenë vërtet të shkëlqyera dhe janë shumë dakord me këtë takim dhe me arritjen e një marrëveshjeje. Ata janë të gjithë njerëz të mrekullueshëm.”, tha Trump./abcnews.al

Exit pollet e para, VV nuk formon e vetme qeverinë/ Nura: Kosova ka nevojë për stabilitet, ndërkombëtarët të shqetësuar

By: Re Nato
28 December 2025 at 19:38

Analisti Artur Nura thotë se Kosova ka necojë për stabilitet politik dhe ekzkutiv, teksa exit pollet e para pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, tregojnë se LVV e Albin Kurtit sërish nuk e formon dot e vetme qeverinë.

Në emisionin “Newsroom” në ABC News, Nura u shpreh se ndërkombëtarët janë të shqetësuar dhe se do fillojnë të lëvizin.

“Konfirmohet i njëjti konfiguracion parlamentar. Të shohim sa do të marrë LDK. Nuk kam të dhënat përfundimtare, por më rezulton se PDK ka 27 deputetë dhe LVV ka 49 deputetë. Për LDK nuk dihet akoma. Skenari më afatgjatë për stabilitetin do ishte koalicioni me PDK. Ne nuk kemi politikanë racionalë në Kosovë. Duhet të kishte stabilitet, duhet të kishin fillua negociatat me Serbinë. Këto janë kostot të humbura, kosto që duhen paguar. Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe ekzekutiv. Këtë gjë mund ta bëjnë politikanët racionalë siç është zonja Osmani. Opozita, për fat të keq, nuk është në situatë optimale. Në momente historike që është Kosova sot, duhen pranuar edhe kosto. Nuk i shoh të mundshme, por faktori ndërkombëtar është shqetësuar.

Zgjedhjet në Kosovë/ Ukshini: Kurti duhet të jetë më pragmatist dhe të kërkojë aleatë

By: Re Nato
28 December 2025 at 19:23

Ish ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Syle Ukshini thotë se sipas exit polleve të para në Kosovë, Albin Kurti nuk e formon i vetëm qeverinë.

Në një intervistë për “Newsroom” në ABC News, Ukshini u shpreh se Kurti duhet të jetë më pragmatist dhe të kërkojë aleatë.

“Nëse këto rezutate mbeten, narrativa e Kurtit fiton, por tregon edhe dobësi të opozitës. LDK po bie vazhdimisht që prej koalicionin që ka pasur me LVV. Zgjedhjet nuk janë për vetvete dhe për parti politike, për ta drejtuar Kosovën. Nëse nuk e krijon, Kurti duhet të tregohet më pragmatist dhe duhet të kërkojë aleat përtej LDK. Zgjedhja e presidentit kërkon shumë vota. Nuk e di nëse LVV e projekton PDK si armikun kryesor të saj. Zgjidhja mund të bëhet me një koalicion LVV-LDK dhe Aleanca. Gara nuk po bëhet për program, por për individë. Është meritë e Albin Kurtit, sepse Kurti e ka djegur Fatmir Limajn. Nëse Kurti e bën këtë lëvizje taktike, djek taktikisht LDK dhe AAK, përçan opozitën.”, theksoi ai./abcnews.al 

Zgjedhjet në Kosovë, dalin exit pollet e para/ Kurti 44.1 përqind, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind

By: Re Nato
28 December 2025 at 19:09

Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë, janë publikuar rezultatet e exit poll-eve, duke e nxjerr të parën Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

LVV pritet të fitojë 44.1 për qind, PDK-ja 23.9, LDK-ja 16.1 për qind dhe AAK-ja 5.8 për qind.

Të drejtë vote kishin rreth 2 milionë qytetarë.

Protesta në Siri/ Tre të vrarë dhe 60 të plagosur, alavitët rebelohen kundër qeverisë

By: Re Nato
28 December 2025 at 18:32

Të paktën tre persona u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën të dielën gjatë protestave në Latakia të Sirisë.

Përplasjet në zonën ku jetojnë alavitët ishin të dhunshme dhe u përshkallëzuan në të shtëna me armë zjarri.

Siria është tronditur nga disa episode të gjakderdhjes sektare që kur udhëheqësi i hershëm Bashar al-Assad, i cili vjen nga pakica myslimane alavite, u rrëzua nga një ofensivë rebele vitin e kaluar dhe u zëvendësua nga një qeveri e udhëhequr nga sunitët.

Mijëra protestues alavitë u mblodhën të dielën në sheshin Azhari në qytetin Latakia për të kërkuar një sistem politik të decentralizuar në Siri dhe lirimin e mijëra të burgosurve alavitë.

Rreth dy orë pas fillimit të protestës, të shtëna me armë zjarri u dëgjuan nga një vendndodhje e paidentifikuar. Forcat e sigurisë më pas qëlluan në ajër dhe protesta u shndërrua në kaos, me demonstruesit që transportonin të plagosurit në këmbë.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se një anëtar i forcave të sigurisë u vra nga të shtënat me armë zjarri nga ato që i cilësoi si mbetjet e armatosura të ish-regjimit.

Pak ditë më parë tetë persona u vranë kur një bombë shpërtheu në një xhami alevite në qytetin e afërt të Homsit./abcnews.al

Amnistia penale/ Lamallari: Lirohen 380 të burgosur, për 900 të tjerë ulje dënimi

By: Re Nato
28 December 2025 at 18:03

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, komunikoi nismën e Qeverisë Shqiptare për amnistinë e ndërmarrë si një akt i frymëzuar nga humanizmi, drejtësia sociale dhe standardet europiane.

Pjesë e një politike penale moderne, që synon rehabilitimin, uljen e mbipopullimit në burgje dhe forcimin e sigurisë afatgjatë, amnistia hap rrugën që 380 persona të përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe rreth 900 të tjerë ulje dënimi, duke ulur në këtë mënyrë edhe popullimin në burgje me gati 7%.

“Në mbyllje të këtij viti, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një nismë për miratimin e një amnistie penale. Ky lajm i mirë është urimi më i mirë i këtij fundviti. Aministia është politikë penale moderne. Një shtet i fortë nuk ka nevojë të mbajë në burg njerëz pa rrezikshmëri reale. Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative”, theksoi Lamallari ndër të tjera./abcnews.al

Aksidentoi për vdekje 64-vjeçaren/ Elbasan, vihet në pranga drejtuesi i automjetit

By: Re Nato
28 December 2025 at 17:38

Një 31-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Elbasanit.

Ky shtetas aksidentoi për vdekje një këmbësore 64-vjeçare, në aksin rrugor Qafë Thanë–Librazhd.

31-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen./abcnews.al

Festat e fundvitit, shteti në këmbë/ Fluks në Kakavijë, shtohet personeli dhe sportelet

By: Re Nato
28 December 2025 at 17:12

Në Pikën Kufitare të Kakavijes drejtues të strukturave të Policisë Kufitare dhe Policisë së Rendit kanë inspektuar zbatimin e masave të përcaktuara në planin e posaçëm për fundvitin.

Dy drejtuesit e strukturave të Policisë së Shtetit inspektuan  masat  e marra nga forcat blu në Kakavije për evitimin e radhëve të pritjes dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike në doganën e Kakavijës.

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj foli per bashkepunimin me palën greke për përpunimin e fluksit të shtuar përgjatë periudhës të festave të fundvitit.

Janë shtuar sportelet dhe numri i punonjësve të Policisë, veçanërisht në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë dhe në pikat e tjera me fluks të lartë, ku prej dy javësh punohet me kapacitet të plotë logjistik dhe njerëzor.

Dhimitraq Ziu, Drejtor i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike theksoi se Shërbimet e policisë së Rendit do të jene në gadishmëri edhe natën e ndërrimit të viteve.

Efektivët e Shqiponjave, Reneas dhe Forcës Kombëtare do të jenë në gadishmëri për t’ju përgjigjur situatave

Gjatë kësaj periudhe është shënuar një rritje e qarkullimit ndërkufitar rreth 10.5% krahasuar me vitin e kaluar, jo vetëm të shtetasve shqiptarë, por edhe të vizitorëve të huaj./abcnews.al

Ukraina godet me dronë rafinerinë ruse të naftës

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:45

Ushtria ukrainase deklaroi se ka sulmuar rafinerinë e naftës Syzran të Rusisë në një sulm me dron gjatë natës.

Shtabi i përgjithshëm i Kievit thotë se sulmi në rajonin e Samarës shkaktoi një zjarr dhe dëmet ende po vlerësohen.

Deklarata tregoi gjithashtu se një sulm i kohëve të fundit ukrainas në rafinerinë e naftës në Volgograd kishte dëmtuar një tubacion dhe pajisje për prodhimin e lubrifikantëve.

Gazeta Moscow Times tha se banorët raportuan se dëgjuan deri në gjashtë shpërthime.

Gjithashtu u theksua se një sulm thuhet se goditi një instalim kyç të përdorur për përgatitjen e naftës bruto./abcnews.al

Liverpool fiton për Diogo Jota/ “The Reds” zbresin në “Anfield” me tre fëmijët e ish sulmuesit

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:41

Liverpool është më shumë se një klub futbolli. Është një familje e vërtetë, ndërsa himni legjendar “You ëill never ëalk alone” e ka mishëruar edhe një herë këtë gjë.

Futbollistët në fushë dhe tifozët në tribunat e “Anfield Road” dhuruan një tjetër skenë që kalon kufijtë e sportit.

Me këndën “ju kurrë nuk do të ecni vetëm”, ata mirëpritën tre fëmijët e Diogo Jota, ish sulmuesit portugez, që humbi jetën më 3 korrik në moshën 28 vjeçare, bashkë me vëllain e tij në një aksident automobilistik.

Liverpool nderoi më pas edhe sportivisht kujtimin e Diogo Jota, duke fituar 2-1 ndeshjen kundër Wolves, skuadra e parë që e transferoi portugezin në Premier League.

Në një sfidë të mbushur me emocione të mëdha, të zotët e shtëpisë mbyllën garën që në pjesën e parë.

Në vetëm dy minuta, në fillim Gravenberch dhe më pas Florian Virtz vendosën epërsinë e dyfishtë, përpara se skuadrat të ktheheshin në pushimin e ndeshjes.

Në fraksionin e dytë, miqtë vetëm sa ngushtuan diferencën me Bueno, por nuk prishën festën e Liverpool, që duket se ka hedhur pas krahëve nisjen zhgënjyese që i bëri këtij sezoni.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për skuadrën e Arne Slot, që ngjitet në vendin e katërt të klasifikimit në Premier League dhe ka në dorë, të paktën për momentin biletën e fundit për në edicionin e ardhshëm të Champions. /abcnews.al

Juventus është për titull/ Fitore 2-0 në Pisa, afrim me kreun ndonëse me ndeshje tepër

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:32

Është ende shpejt për konkluzione.

Gjithsesi, mediat në Itali po shkruajnë se ky Juventus po shkakton frikë, si dhe që një lojtar si Edon Zhegrova ka nisur të ndikojë fort.

Kjo ishte historia e ndeshjes së Serisë A në fushën e Pizës, që rezultoi shumë e vështirë, ndonëse në fund u fitua 2-0.

Golat nga Kalulu dhe Kenan Jildiz bënë që të liheshin pas momentet e vështira kur Piza goditi dy herë shtyllën dhe ishte më pranë fitores se “Zonja e Vjetër”.

Në një sfidë, ku Juvja bëri më shumë, por mund të ishte ndëshkuar, u desh hyrja në fushë në 62’ e yllit të Kosovës që të merreshin tri pikët.

Zhegrova nisi me autoritet dhe klas aksionin e golit të parë të Kalulut, dhe e kërcënoi shpesh portën e vendasve.

Në fund, në minutat shtesë Jildiz përfundoi nga dy hapa aksionin e gjatë të piemontezëve.

“Zonja Po, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Juvja vuan dhe fiton. Spaleti ndryshon, Zhegrova i jep shkundjen ekipit, Kalulu e Jildiz shënuan!”

“Ja ku jemi, – shkruan në mënyrë triumfale e përditshmja e Torinos, “Tutosport”, – hyrja e Zhegrovës I dha shkundjen ekipit pas disa drithërimave!”

Juventus ka 32 pikë, duke qenë pranë kreut të Serisë A, ndonëse ka luajtur më shumë ndeshje sesa Milani, Interi e Napoli.

Gjithsesi, trajneri Luçiano Spaleti e ka kthyer në garë për titull./abcnews.al

❌
❌