Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Main stream

Hetohet rasti i vdekjes së një personi në Restelicë

31 December 2025 at 10:36


Një person është gjetur pa shenja jete pasditen e së martës në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 30 dhjetor 2025 rreth orës 14:00, ndërsa viktima është identifikuar si mashkull kosovar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, si dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me vendim të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të sqarimit të rrethanave dhe shkakut të vdekjes.

Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet janë në vazhdim. /Telegrafi/

Numërohen mbi 70 për qind e votave, top pesë kandidatët më të votuar për deputetë

31 December 2025 at 10:22


Komisioni Qendror Zgjedhor po vazhdon numërimin e votave për kandidatët për deputetë, ku janë numëruar mbi 70 për qind e kutive.

KQZ ka bërë të ditur se edhe sot (31/12/2025) do të numërojnë votat deri në ora 12:00, për ta ndërprerë këtë proces shkaku i ndërrimit të viteve, për t’u rikthyer më 1 janar nga ora 16:00.

Andaj, ky proces pritet që të përfundojë deri ditën e nesërme, për të vazhduar më pas me votat nga diaspora, ato me kusht dhe me asistencë.

Por, cilët janë kandidatë më të votuar nga secila parti.

Telegrafi ua sjell pesë kandidatët më të votuar nga secila prej partive më të mëdha në vend.

Lëvizja Vetëvendosje:

Partia Demokratike e Kosovës:

Lidhja Demokratike e Kosovës:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:

Osmani paralajmëron të tjera njohje për Kosovën në vitin 2026

31 December 2025 at 09:17


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se vendi ka hyrë në një “tempo të re” sa i përket sigurimit të njohjeve të reja ndërkombëtare dhe se në pjesën e parë të vitit 2026 priten “lajme të mira” për vendin në këtë drejtim.

“Jemi shumë afër që të arrijmë 2/3 e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka refuzuar të përmendë emrat e shteteve mosnjohëse me të cilat Kosova ka kontakte, duke shpjeguar se një publikim i tillë mund të pengohet nga Serbia.

“Në fakt, ne në këtë vit kishim katër njohje, të cilat janë rezultat i një pune dhe i një angazhimi të vazhdueshëm. Dhe tani është krijuar një tempo e re, një tempo e re njohjesh, natyrisht e cila nuk do të ndalet, ka shumë shtete që janë afër marrjes së vendimit. Por, mos të harrojmë që gjithnjë i dëmton interesat e Kosovës, nëqoftëse flasim për këto shtete publikisht. Dhe dua t’ju bëj thirrje edhe njerëzve të tjerë, qoftë edhe brenda institucioneve dhe jashtë tyre, që mos t’i bëjnë publike emrat e shteteve që po punojnë, sepse kjo pastaj po e nxit Serbinë dhe shtetet e tjera që të angazhohen, shpeshherë edhe me mjete jashtë diplomacisë dhe me mjete të ndryshme presioni, për të bllokuar këtë proces të pakthyeshëm për Kosovën”, shtoi ajo për indeksonline.

Bahamas u bë shteti i 121-të që e njohu Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Komuna e Shtimes publikon orarin e kujdestarisë së barnatoreve për shërbime gjatë natës

31 December 2025 at 09:00


Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Shtimes ka bërë të ditur orarin zyrtar të kujdestarisë së barnatoreve që do të ofrojnë shërbime gjatë natës në qytetin e Shtimes.

Sipas njoftimit, orari i kujdestarisë së natës do të jetë nga ora 20:00 deri në 08:00, ndërsa ky shërbim do të realizohet në bashkëpunim me barnatoret private, me qëllim të garantimit të qasjes së qytetarëve në barna dhe shërbime farmaceutike edhe gjatë orëve të vona të natës.

Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se ky organizim është ndërmarrë për të përmbushur nevojat shëndetësore të qytetarëve dhe për të siguruar shërbime të vazhdueshme farmaceutike, veçanërisht gjatë festave të fundvitit.

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale u bën thirrje qytetarëve që, për nevoja urgjente, t’i referohen orarit të publikuar dhe të shfrytëzojnë shërbimet e barnatoreve kujdestare në përputhje me datat e përcaktuara. /Telegrafi/


Komuna e Junikut pranon donacion nga KFOR-i italian për zhvillimin e turizmit malor

31 December 2025 at 08:47


Komuna e Junikut ka pranuar sot një donacion nga KFOR-i italian, i cili synon të kontribuojë në zhvillimin e turizmit malor dhe forcimin e kapaciteteve për aktivitetet në natyrë.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, priti në takim Kolonelin Lorenzo Mangia, Komandant i Komandës Rajonale të Perëndimit të KFOR-it (RC-West).

Donacioni përfshin pajisje moderne për bjeshkatarinë dhe aktivitete outdoor, të cilat janë siguruar si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Junikut, përkatësisht Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim, dhe KFOR-it italian.

Pajisjet e dhuruara do të jenë në shfrytëzim të Shoqatës së Bjeshkatarisë “Rrasa e Zogut” në Junik dhe pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve për organizimin e aktiviteteve bjeshkatare, si dhe në promovimin e turizmit malor në këtë zonë.

Sipas komunës, përfitimet e këtij donacioni lidhen edhe me rritjen e nivelit të sigurisë për vizitorët dhe turistët që frekuentojnë bjeshkët e Junikut.

Kryetari Shehu ka falënderuar KFOR-in italian për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në zhvillimin e projekteve lokale.

“Si Kryetar i Komunës, mbetem i përkushtuar maksimalisht në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, përmes forcimit të bashkëpunimeve institucionale dhe shfrytëzimit të potencialeve natyrore në dobi të qytetarëve dhe vizitorëve tanë”, ka deklaruar ai.

Nga Komuna e Junikut është bërë e ditur se bashkëpunimi me KFOR-in italian do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me fokus në siguri dhe projekte që synojnë përmirësimin e jetës së komunitetit lokal. /Telegrafi/


Vishi: Nga janari 2026 nis mbështetja prej 200 eurosh për nënat lehona në Kaçanik

31 December 2025 at 08:41


Kuvendi Komunal i Kaçanikut ka miratuar unanimisht propozimin për mbështetjen financiare të nënave lehona, një nga premtimet e para të kryetarit të komunës, Sabedin Vishi.

Sipas vendimit të marrë, çdo nënë lehonë do të përfitojë mbështetje financiare në vlerë prej 200 eurosh, ndërsa zbatimi i kësaj mase do të fillojë nga janari i vitit 2026.

Kryetari Vishi e ka cilësuar këtë vendim si hap të rëndësishëm në fuqizimin e politikave sociale në komunë.

“Premtimi im i parë si Kryetar i Komunës së Kaçanikut për mbështetjen e nënave lehona, në vlerë prej 200 euro, sot u miratua unanimisht në Kuvend”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se përkushtimi i institucioneve komunale do të vazhdojë të jetë i orientuar drejt familjes.

“Zbatimi i këtij premtimi fillon nga janari i vitit 2026. Kujdesi për familjen dhe sidomos për fëmijët mbetet prioriteti ynë”, ka deklaruar Vishi.

Nga Komuna e Kaçanikut është bërë e ditur se detajet për kriteret dhe procedurat e aplikimit do të publikohen me kohë. /Telegrafi/


100 familje në nevojë përfitojnë pako ushqimore dhe higjienike në Podujevë

31 December 2025 at 08:29


Njëqind familje me kushte të vështira ekonomike janë mbështetur me pako ushqimore dhe higjienike, në kuadër të një aksioni humanitar të realizuar në prag të festave të fundvitit nga Komuna e Podujevës.

Ndihma është siguruar nga një donator anonim, ndërsa shpërndarja është organizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila ka përgatitur listën e familjeve përfituese bazuar në kriteret sociale.

Drejtoresha e kësaj drejtorie, Lirie Hoti, e pranishme gjatë shpërndarjes së ndihmave, ka falënderuar donatorin për kontributin e dhënë, duke theksuar se mbështetja për familjet në nevojë ka rëndësi të veçantë, sidomos në këtë periudhë festive.

Ajo theksoi se institucionet komunale do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me donatorë dhe organizata të ndryshme për të ndihmuar qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike.


KQZ ndërpret sot numërimin e votave në ora 12:00, procesi vazhdon më 1 janar

31 December 2025 at 08:10


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të përshtasë dinamikën e numërimit të votave gjatë ndërrimit të viteve, duke paraparë një ndërprerje të përkohshme të procesit për shkak të festave të fundvitit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi konfirmoi për Telegrafin se procesi i numërimit më 31 dhjetor do të zhvillohet deri në mesditë, konkretisht deri në ora 12:00, pas së cilës do të pezullohet për pjesën e mbetur të ditës.

"Po, numërimi i votave do të zhvillohet sot (31 dhjetor) deri në ora 12:00, për t'u rikthyer më 1 janar, duke nisur nga ora 16:00", tha ai.

Ky vendim erdhi pas shqyrtimeve në kuadër të Këshillit për Operacione Zgjedhore, ku u diskutua për mënyrën e organizimit të punës së stafit gjatë ditëve festive.

Aktualisht janë numëruar mbi 68 për qind e votave për deputetë, derisa më janar pritet të finalizohet i gjithë procesi i numërimit. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Aktakuzë ndaj nëntë personave për mashtrim financiar ndaj shtetasve të huaj

29 December 2025 at 15:57


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi”, përmes së cilës dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm miliona euro duke mashtruar shtetas të huaj.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuar janë: N.S., E.S., D.B., A.J., G.S., M.D., K.S., B.Q. dhe V.M. Përveç veprës së mashtrimit, i pandehuri N.S. akuzohet edhe për “posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se, në bashkëveprim dhe në një periudhë të papërcaktuar kohore deri në shkurt të vitit 2024, kanë mashtruar shtetas të vendeve të ndryshme evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, duke përfituar mjete financiare në vlerë prej 2,067,271 euro.

Sipas hetimeve, të pandehurit janë paraqitur në mënyrë të rreme si kompani investimesh dhe kanë kontaktuar viktimat, duke i bindur të investojnë në platformat “Option888” dhe “Krack”. Pas sigurimit të qasjes në aplikacionet e viktimave, ata dyshohet se kanë manipuluar të dhënat financiare, duke paraqitur rritje fiktive të investimeve.

Hetimet e Prokurorisë kanë konstatuar se mjetet financiare të përfituara nga viktimat, të transferuara përmes platformës “Krack”, janë shpërndarë ndërmjet të gjithë të pandehurve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe në mbrojtjen e rendit juridik dhe ligjshmërisë në vend. /Telegrafi/


Shefja e diplomacisë evropiane bën thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve në Kosovë

29 December 2025 at 15:51


Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe është shprehur se mirëpret angazhimin me autoritetet zyrtare të Prishtinës.

Kallas ka konfirmuar se Bashkimi Evropian po ecën drejt heqjes së masave ndaj Kosovës. Në këtë kuadër, ajo ka përsëritur se 216 milionë euro ndihmë financiare janë lëshuar tashmë pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale, ndërsa synohet lirimi i 205 milionë eurove shtesë në fillim të vitit të ardhshëm.

Në deklaratën e lëshuar pas ditës së zgjedhjeve në vend, Kallas ka porositur se Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet për reformat shumë të nevojshme që lidhen me Bashkimin Evropian. Ajo ka vlerësuar se procesi zgjedhor tregoi një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike.

Thirrje të veçantë, Kallas i ka bërë përbërjes së re të Kuvendit që, menjëherë pas formimit, të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes.

“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument me afat të kufizuar kohor, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shfrytëzuar plotësisht të gjitha mundësitë që ofron ky plan, në dobi të popullsisë së saj”, ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Ajo gjithashtu ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e vetmja rrugë që të dyja palët të avancojnë në proceset e tyre evropiane.

“Presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa dhe pa parakushte të tjera”, ka nënvizuar Kallas, duke rikonfirmuar gatishmërinë për të organizuar një takim në nivelin më të lartë politik sapo kushtet ta lejojnë një gjë të tillë. /RTK/

Berisha uron Kurtin për fitore, thotë se zgjedhjet në Kosovë shembull i demokracisë dhe frymëzim për Shqipërinë

29 December 2025 at 15:38


Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka vlerësuar Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025 në Kosovë, duke i cilësuar ato si një sukses të rëndësishëm demokratik dhe një shembull frymëzues për Shqipërinë.

Në një reagim publik, Berisha theksoi se procesi zgjedhor në Kosovë, përfshirë fushatën, administrimin e votës, procedurat e votimit dhe garën e lirë politike, dëshmoi funksionimin e një demokracie në zhvillim dhe respektimin e vullnetit qytetar.

Ai përgëzoi qytetarët e Kosovës, institucionet shtetërore dhe organet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, si dhe subjektet politike për pjesëmarrjen dhe qasjen e tyre gjatë procesit zgjedhor, duke vlerësuar respektimin e rezultatit përfundimtar.

Berisha po ashtu uroi kryeministrin Albin Kurti për fitoren në zgjedhje, duke e cilësuar rezultatin si shprehje të qartë të vullnetit të sovranit. Ai përmendi edhe partitë e tjera politike, duke i përgëzuar për, siç u shpreh, qëndrimet dinjitoze gjatë fushatës dhe pranimin e verdiktit të qytetarëve.

Në përmbyllje të reagimit të tij, kreu i PD-së e cilësoi Kosovën si krenari të shqiptarëve dhe theksoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit përfaqësojnë një arritje të rëndësishme për konsolidimin e rendit demokratik në vend. /Telegrafi/


Fillon numërimi i votave për kandidatët për deputetë

29 December 2025 at 14:32


Ka filluar procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë pas Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Komisioni Qendror Zgjedhor bëri të ditur se tashmë janë në verifikim të votave të partive, derisa kanë filluar edhe numërimin e votave për deputetë.

Aktualisht janë duke u numëruar votat nga qendrat me numër më të vogël, si ato në Han të Elezit, Viti, Dragash dhe Shtërpcë.

Telegrafi do të vazhdojë të ju sjell në kohë reale të gjitha numërimet që realizohen në Qendrën e Numërimit.

Deri më tani, në nivel të përgjithshëm, LVV ka kaluar shifrën e 430 mijë votave, deri PDK ka mbi 183 mijë dhe LDK me 118 mijë sosh.

Në fotot që shikoni në këtë lajm, janë votat e kandidatëve për deputetë. /Telegrafi/






Arben Gega: Suhareka, degë e vetme e PDK-së me rritje të votës në nivel vendi

29 December 2025 at 13:11


Arben Gega, përfaqësues i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Suharekë, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Gega ka theksuar se degë e Suharekës është e vetmja në të gjithë vendin që ka shënuar rritje në votën e rregullt vendore, me një përqindje prej 30 për qind më shumë në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

“Ky është një rezultat që na jep motiv të ecim përpara. Faleminderit të gjithëve për përkrahjen tuaj”, ka shkruar Gega.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e respektimit të rezultatit zgjedhor si pjesë e procesit demokratik. /Telegrafi/


Kurti falënderon qytetarët për mbështetjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit

29 December 2025 at 13:08


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, duke e cilësuar fitoren si historike.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Kurti ka theksuar angazhimin e qytetarëve gjatë fushatës dhjetëditore, përfshirë takimet dhe tubimet në të gjithë vendin, si dhe kontributin e diasporës që mori pjesë përmes votës me postë ose në ambasada dhe konsullata.

“Ju falënderoj përzemërsisht për ngrohtësinë dhe besimin tuaj. Angazhimi juaj i pa kursim e bëri fitoren tonë të madhe dhe historike,” ka shkruar Kurti.

Ai gjithashtu ka premtuar se pas fitores, puna për të rritur sigurinë dhe begatinë e qytetarëve do të vazhdojë pa ndërprerje. /Telegrafi/


KQZ: Ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë

29 December 2025 at 13:03


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se në Qendrat Komunale të Numërimit ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, si dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike bazuar në formularët e plotësuar në vendvotime pas përfundimit të votimit.

KQZ thekson se ky proces po zhvillohet me transparencë të plotë dhe nën monitorimin e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, për të garantuar saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve.

Rezultatet preliminare do të jenë të disponueshme shumë shpejt në platformën zyrtare të KQZ-së, në adresën: https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, ku qytetarët mund të ndjekin zhvillimin e numërimit në kohë reale. /Telegrafi/


Lumezi refuzon emërimin si Zëvendës-Kryeprokuror i Shtetit

29 December 2025 at 12:50


Prokurori Aleksandër Lumezi ka njoftuar se nuk do të pranojë propozimin për të marrë detyrën e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit.

Përmes një komunikimi dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, Lumezi ka sqaruar se angazhimet e tij aktuale në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe pjesëmarrja në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, nuk e lejojnë të përmbushë përgjegjësitë e reja.

Ai ka theksuar se vendimi i tij nuk reflekton mungesë vlerësimi ndaj propozimit, por është rezultat i një shqyrtimi të kujdesshëm të angazhimeve profesionale dhe kapaciteteve të tij.

“Pas një analizë të detajuar të përgjegjësive dhe obligimeve që kërkon kjo pozitë, kam vendosur që nuk mund ta pranoj këtë detyrë në këtë moment. Angazhimet e mia aktuale si prokuror dhe roli im në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve e bëjnë të pamundur këtë angazhim”, ka shkruar Lumezi në letrën drejtuar Kryeprokurorit në detyrë.

Ky vendim vjen pas propozimit të Kryeprokurorit të Shtetit për emërimin e Lumezit në një nga postet më të larta në sistemin prokurorial të Kosovës. /Telegrafi/

Gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, fiton çmimin për shkrimin më të mirë në media online nga BQK

29 December 2025 at 12:42


Gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, është shpërblyer me çmimin e Bankës Qendrore të Kosovës për shkrimin dhe raportimin në gazetari për sektorin financiar.

Çmimi i është ndarë për artikullin “Shkrimi më i mirë i publikuar në media online/web portal”, që trajton mashtrimet bankare përmes email-eve dhe SMS-ve, si dhe masat e sigurisë të ndërmarra nga BQK dhe Shoqata e Bankave të Kosovës.

Gazetarja e Telegrafit, Jehona Hulaj, fiton çmimin për shkrimin më të mirë në media online nga BQK telegrafi.com

BQK ka vlerësuar kontributin e gazetarisë në informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për sigurinë financiare dhe mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve është mbajtur në Prishtinë, ndërsa mirënjohja është nënshkruar nga Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili.

Haradinaj: Rezultati i zgjedhjeve nuk zgjidh shqetësimet e qytetarëve

29 December 2025 at 12:28


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar rezultatet e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare, duke theksuar se pavarësisht përfundimit të ngërçit institucional, problemet kryesore të qytetarëve mbeten të pazgjidhura.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se qytetarët gjatë fushatës kanë shprehur shqetësime për kolapsin energjetik, ngecjet në proceset integruese euro-atlantike, uljen e investimeve kapitale, pezullimin e projekteve të mëdha, rritjen e kostos së jetesës, stagnimin e pagave dhe largimin e të rinjve nga vendi.

“Rezultati i këtyre zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet dhe shqetësimet e qytetarëve. Kosova do të dobësohet në planin e brendshëm dhe të jashtëm, ndërsa do të fitojnë armiqtë e saj”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka bërë të ditur se Aleanca do të respektojë votën e qytetarëve, por do të analizojë proceset e brendshme dhe do të organizojë zgjedhje brenda partisë këtë pranverë për të forcuar strukturat e saj.

Ai gjithashtu ka falënderuar votuesit, aktivistët e partisë dhe kandidatët e Listës 129 për angazhimin gjatë garës zgjedhore.

“Krah teje, Kosovë, pa asnjë kusht!”, ka përfunduar deklaratën e tij Haradinaj. /Telegrafi/


Ambasadori i Gjermanisë uron Kosovën për zgjedhjet e qeta dhe demokratike

29 December 2025 at 12:21


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka uruar qytetarët dhe institucionet e vendit për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në mënyrë të qetë dhe demokratike.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasadori theksoi: “Urime Kosovës për zgjedhjet e qeta dhe demokratike. Presim me padurim të punojmë me institucionet e sapoformuara”.

Ky mesazh vjen si shprehje e mbështetjes së Gjermanisë për procesin demokratik në Kosovë dhe angazhimin për bashkëpunim me qeverinë dhe institucionet e reja të vendit. /Telegrafi/


Congratulations 🇽🇰 on calm and democratic elections. We look forward to working with the newly formed institutions. 🇩🇪🤝🇽🇰
— Ambassador Rainer Rudolph (@pristina.diplo.de) December 29, 2025 at 12:05 PM

Hamza: Kemi pritur rezultat më të mirë, do të marrë përgjegjësi

29 December 2025 at 12:00


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka komentuar rezultatet e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare të 28 dhjetorit, duke pranuar se rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e partisë.

Në një konferencë për media, Hamza theksoi se do të analizojë situatën dhe se do të marrë përgjegjësitë e veta, duke nënvizuar angazhimin për të mos u shmangur nga vendimet e domosdoshme.

“PDK ka pritur një rezultat më të mirë, por ka arritur të ruajë votën dhe elektoratin e vet. Pozita ka përgjegjësi, dhe unë nuk jam nga ata që ikin apo shmangen prej tyre”, deklaroi Hamza.

Ai shtoi se ditët e ardhshme do të zhvillohen takime me strukturat e partisë për të diskutuar dhe vendosur rreth hapave të mëtejshëm, duke garantuar që vendimmarrja të bëhet në kohë dhe me analiza të kujdesshme.

Sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe procesit për zgjedhjen e Presidentit, Hamza theksoi se PDK-ja do të kontribuojë sipas interesit të vendit.

“Sa i përket çështjes së presidentit, procesi është i ndarë. Së pari presim konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe më pas do të shohim mundësinë për një formulë që të mos bllokojë vendin”, u shpreh ai. /Telegrafi/

❌
❌